2011-02-07

Turqit vardarian dhe roli i tyre në përhapjen e Islamit në trojet iliro-shqiptare (shekulli IX – XIV)

I.

Rrethanat historiko-shoqërore në trojet iliro-shqiptare dhe përgjithësisht në Ballkan, në shekullin IX, ishin tejet të rënduara.[1] Perandoria Bizantine, si fuqi e atëhershme botërore, ishte në luftëra të njëpasnjëshme me bullgarët, hungarezët, peçenegët dhe me popujt e tjerë në Ballkan, përkatësisht në trojet iliro-shqiptare.[2] Këto rrethana shkaktuan lëvizje të mëdha e të vazhdueshme, kryesisht të imponuara nga dhuna e shkaktuar nga luftërat e ndryshme.

Historikisht nuk dimë se cilat janë shpërnguljet e para në histori, ndonëse shpërngulhe ka pasur që nga fillimi i njerëzisë. Nuk dimë as për shpërnguljet e para në trojet iliro-shqiptare e në Ballkan, të dhunshme (kur ato i bën sunduesi i caktuar për qëllime politike, religjioze e etnike) apo vullnetare (kur ato i bën populli apo fisi i caktuar për ambicie politike, territoriale, ekonomike, përkatësisht për kushte më të mira shpirtërore dhe materiale jetësore), por padyshim, ndër shpërnguljet e para në këto troje janë ato të turqve vardarianë.

II.

Përhapja gjithnjë e më e shpejtë e më e gjërë e Islamit në jug dhe juglindje të Perandorisë Bizantine dhe përqafimi i Islamit nga popullsia vendëse bëri që Bizanti të mos ndihej i qetë. Të pranishme ishin moskënaqësi religjioze, politike, ekonomike e të tjera dhe rezistenca aktive ndaj perandorisë nga ana e popullsisë. Për t’i qetësuar trazirat me motive të ndryshme në Anadolli dhe në vendet përreth, perandori bizantin Teofili[3] shpërnguli turqit vardarianë apo vardariotë nga Azia në krahinën e Selanikut,[4] dhe në brigjet e lumenjve e liqeneve në territoret e Greqisë, Maqedonisë dhe Kosovës së sotme.

Disa hulumtues mendojnë se të shpërngulurit nga Azia në kohën e Teofilit nuk ishin turqë, por sllavë të robëruar në Anadollë[5], të cilët pas rënies në kontakt me muslimanët dhe pas pranimit të doktrinës muslimane, nga ana e perandorit bizantin Teofilit u shpërngulën në Maqedoni.[6]

Këtë shpërngulje e theksojnë edhe burimet evropiane kristiane edhe burimet arabe muslimane. Franjo Raçki[7], historian e klerik katolik nga Kroacia, pohimet e të cilit duhet pranuar me rezervë, kur flet për këtë çështje, cek se në territoret përreth Vardarit muslimanët ekzistojnë edhe më herët, e jo me ardhjen e osmanlinjve, kur perandori bizantin Teofili “e shpërnguli një repart turqish nga Azia, të cilët më vonë u quajtën turqit vardarianë.”[8]

Edhe historiani e etnologu boshnjak Muhammed Haxhijahiq konfirmon se në rrethin e Selanikut ka pasur muslimanë në kohën e perandorit bizantin Teofil.[9]

Këtë fakt e provojmë edhe nga të dhënat historike të mëvonshme, kur turqit vardarianë i hasim në Hungari, në shekullin XII. Si ndodhi kjo? Perandori bizantin Timiskes, në vitin 970, pushtoi disa fushëgropa e lugina përreth Anavardarit. Turqit që prej më herët jetonin aty kishin bashkëpunim me Perandorinë Bizantine. Mirëpo, kur Perandoria Bizantine i rregulloi disa çështje me fqinjët në aspektin e sigurisë, filloi përpjekjet e qarta për konvertimin – kryqëzimin e dhunshëm të muslimanëve, turqve vardarianë. Gjendjen më të re, tendencat qëllimkëqija, muslimanët nuk i duruan. Kështu, me rastin e shpërthimit të luftës bizantino-hungareze në vitin 1150, emigruan në Hungari thuaja të gjithë muslimanët, sepse atëbotë Hungaria lejonte autonomi më të madhe fetare se sa Bizanti.[10] Bashkë me turqit vardarianë u shpërngulën edhe arabët magrebianë, të cilët shërbenin si ushtarë me pagesë në ushtrinë bizantine, të cilët qenë grumbulluar në Tunizi, Algjeri e Marok. Edhe këta për shkaqet e njëjta sikur edhe turqit vardaruanë, u shpërngulën për Hungari.[11] Turqit vardarianë dhe arabët magrebianë, krahas muslimanëve vendës, në Hungari ushtruan ndikim të theksuar në mënyrën e jetesës, kulturën e punës, të banimit, ushqimit etj. Për turqit vardarianë konsiderohet se kanë ndikuar edhe tek muslimanët dhre banorët e tjerë në Bullgari për shkak të afërsisë së vendeve.[12]

Ndonëse nuk kemi prova të drejtpërdrejta, megjithatë, në bazë të të dhënave nga disa burime dhe nga kohë të ndryshme, konsiderojmë se lufta e arabëve kundër Bizantit, në vitin 904[13], Selanikun dhe vendet tjera në Maqedoni nuk e gjeti pa muslimanë. Këtë e argumentojnë edhe disa varre arabe (muslimane) që gjenden në Qairli dhe Dobroshevë në Maqedoni, ndonëse këto varre, sipas disave, konsiderohen të jenë të ekspeditës arabe të vitit 904 në Selanik dhe Manastir.[14]

III

Nga presionet shpirtërore dhe fizike të shtetit ku jetonin dhe të fqinjëve, që tashmë i përmendëm, turqit vardarianë filluan pjesërisht të kryqëzohen, dhe më vonë do të krijonin edhe eparkinë e tyre fetare të veçantë.[15] e pjesërisht të shpërnguleshin në vendet përreth, ku mund të jetonin edhe më tej si muslimanë. Franjo Raçki pohon shprehimisht se turqit vardarianë fillimisht ishin muslimanë.[16] Kështu, në shekullin XII, turqit vardarianë masivisht u shpërngulën në Hungari,[17] që të vazhdonin të jetonin edhe për një kohë me muslimanët e tjerë, prej më herët të vendosur aty.

Sikurse Bizanti dhe Hungaria që i angazhonin muslimanët si ushtarë në shtetet e tyre, ashtu veproi muslimanë si ushtarë në shtetet e tyre, ashtu veproi edhe car Dushani serb me turqit vardarianë, duke i angazhuar në ushtrinë e tij, kurse të cilët me kalimin e kohës qenë kryqëzuar.[18]

Për vazhdimësinë e turqve vardarianë gjejmë prova edhe në Strugë e Ohër. Disa historianë konsiderojnë se turqit aktualë në Strugë dhe në Ohër janë përzierje e turqve vardarianë që rrjedhin nga shekulli IX, me osmanlinjtë që erdhën këtu në shekullin XIV.[19]

Në këtë fazë të hulumtimeve nuk posedojmë të dhëna dhe hollësi më të plota për fatin e turqve vardarianë, por në mbështetje të provave ekzistuese na bëhet e qartë se një pjesë e turqve vardarianë u asimiluan, përkatësisht kristianizuan në forma të ndryshme: një pjesë e tyre u shpërngulën në drejtime të ndryshme, si në Hungari, Panoni, Kosovë e Serbi, kurse pjesa tjetër, më e vogël e tyre, u rezistoi të gjitha presioneve dhe fijen pothuaj të këputur të Islamit, e lidhën me ardhjen e osmanlinjve në këto anë.

IV

Paraqitja e turqve vardarianë në trojet iliro-shqiptare dhe përgjithësisht në Ballkan, paraqet prani më të hershme të Islamit dhe të muslimanëve në mënyrë kaq masive dhe atë në një periudhë të gjatë disa shekuj.

Jemi të vetëdijshëm se të dhënat që posedojmë, janë të mangëta dhe shërbejnë vetëm sa për ta aktualizuar këtë çështje në historinë shqiptare islame. Mbetet obligim imediate që institucionet tona shkencore, veçanërisht historianët, arkeologët e të tjerë të hulumtojnë më përimtësisht historinë mesjetare dhe misteret e saj, dhe veçan çështjen e turqve vardarianë. Kjo do të ndikonte që të kemi një pasqyrë më të plotë për historinë shqiptare islame në trojet iliro-shqiptare në periudhën paraosmane.


Summary



The Vardarian Turks and their role in spreading Islam in the Illyrian-Albanian Territories (IX – XIV century)


The presence of Vardarian Turks in the Illyrian-Albanian territories and in the Balkans in general suggests the earlier presence of Islam and Moslems in very large numbers during a period which lasted for many centuries.
We are aware that there are many missing pieces in the information we possess, but we are using the information only to illustrate this issue in the Albanian history of Islam. It is now the duty of scientific institutions, and especially historians, archaeologists and others, to make an exhaustive study of mediaeval history and its mysteries, whereas the issue of the Vardarian Turks should be treated separately. This would help us to have a wider picture of the Albanian history of Islam in the Illyrian-Albanian territories during the pre-Ottoman period.





--------------------------------------------------------------------------------

[1] Barbara Jelavich, Historia e Ballkanit, I, Tiranë, 1999.

[2] Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi III, Prishtinë, 2000, fq. 175-195 dhe 197-216.

[3] Teofili (sundoi prej vitit 829 – 842), i biri i Mihalit II, thuhet se ishte admirues i kulturës islame, kurse periudha e sundimit të tij konsiderohet si periudha e ndikimit më të madh të kulturësa arabe mbi botën bizantine.” Shih: Georges Ostrogorski, Historia e Perandorisë bizantine, Tiranë, 1996, fq. 139.

[4] Mustafa Spahic, Povijest islama, 4, Sarajevo, 2000, fq. 136.

[5] Ibid., fq. 136.

[6] Shih: Nexhat Ibrahimi, Islami në Ballkan para shekullit XV, botimi II, Prizren, 2000, fq. 56.

[7] Franjë Racki, Bogumili i Patareni, fq. 350 …, sipas: Mehmed Handzic, Islamizacija Bosne i Hercegovine, Sarajevo, 1940, fq. 14.

[8] Tafel, De Thessalonica Berolini, 1839, fq. 79, sipas: Mehmed Handzic, Islamizacija Bosne i Hercegovine, op. cit., fq. 14.

[9] Muhamed Hadzijahic etj., Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini, botimi I, Sarajevë, 1977, fq. 23.

[10] Edhe pas shpërnguljeve të theksuara të muslimanëve prej perandorisë Bizantine në Hungari, në territorin e Greqisë ende kishte muslkimanë, që ishoin mercenarët turq në ushtrinë bizantine. Shih: Darko Tanaskovicnë: Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 3304.

[11] ( - ), Islam u Madzarskoj, Islamska misao, 134/1990, Sarajevë, fq. 57.

[12] Mustafa Spahic, op. cit., fq. 126.

[13] Smail Balic, Die őltesten berűhrungen der sűdslaven mit dem Islam, sipas: Rade Bozovic, Arapi u usmenoj narodnoj pesmi na srpsko-hrvatskom jezickom podrucju, Beograd, 1977, fq. 177.

[14] Tevfik Mehmed, Kratka istorija bitoljskog vilajeta, 1935, vëllimi I, fq. 14, sipas: Rade Bozovic, op. cit., fq. 177. Krhs.: Muhamed Hadzijahic etj., Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini, op,. cit., fq. 23; dhe: Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 378 dhe 300.

[15] Franjo Racki, Bogumili i Patareni, op. cit., fq. 350-351.

[16] Franjo Racki, Bogumili i Patareni, op. cit., fq. 350-351.

[17] Rade Bozovic, op. cit., fq. 177.

[18] Nijaz Sukric, Povijest islamske kultutre i civilizacije, I, Sarajevë, 1989, fq. 194, fusn. 6.

[19] Muzaffer Tufan, Goc hereketleri, fq. 320, sipas: Maliq Osi, Prizren drevni grad …, Prizren, 1996, fq. 162.

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...