Ai nuk është skulptor dhe as piktor, nuk ka bërë asnjë ditë shkollë për këto, por është një mjeshtër në ndërtimin e figurave dhe portreteve apo objekteve në gur. Dhe jo portrete të thjeshta, por nga ato tejet të ndërlikuara, edhe një person që është kualifikuar prej vitesh në këtë fushë do ta kishte të vështirë.
GONXHE BOJAXHIU PREJ GURI
Ai nuk është skulptor dhe as piktor, nuk ka bërë asnjë ditë shkollë për këto, por është një mjeshtër në ndërtimin e figurave dhe portreteve apo objekteve në gur. Dhe jo portrete të thjeshta, por nga ato tejet të ndërlikuara, edhe një person që është kualifikuar prej vitesh në këtë fushë do ta kishte të vështirë.
Alfred Gjini është një djalë nga fshati Tresh i Lezhës. Një vit më parë, 25-vjeçari dhe vëllezërit e tij u vunë në qendër të vëmendjes pasi mediet publikuan se ata kishin ndërtuar një makinë “McLaren Mercedes” prej guri. Pas kësaj, lajmi “mori dhenë”, duke u pasqyruar edhe në mediet ndërkombëtare. Të gjithë u habitën me atë që Alfredi dhe dy vëllezërit e tij, të cilët e ndihmonin, kishin realizuar.
Ndërsa kalonin ditët, Gjini nisi të ndërtonte dy të tjera “vepra arti” që ishin, një ari (kafshë) dhe shenjtoren Nënë Tereza, po prej guri. Nuk ka qenë e lehtë për atë t'i çojë deri në fund këto dy “objekte” të ndryshme nga njeri-tjetri. Për secilën nga ato i është dashur të paktën tre muaj kohë, pasi për realizimin e tyre merrej vetëm në kohën e lirë. Ndërtimi është bërë me një lloj guri që gjendet në malin e fshatit ku ai banon.
Është guri i kuq, të cilin djemtë e kanë marrë në masa super të mëdha, pasi e gjithë figura ndërtohet pa ndërprerje në gur. Alfredi nga tregon se si fillim gurin e ka futur në ujë dhe më pas ka bërë prerjet kryesore. Më vonë gjithçka është bërë me limë e daltë. Kjo punë i ka kërkuar përqendrim maksimal e përkushtim. Banorët e zonës janë habitur nga këto realizime, aq sa e kanë quajtur Alfredin një shpikës të rrallë.
Pas mbarimit të punëve të ngutshme, Gjini nuk e lë kohën të iki, po gjithmonë bën diçka ndryshe. Pasditeve vonë, atë e gjen me limë e daltë në dorë duke kuruar me detaje shpikjet e tij. Ai është i kujdesshëm për çdo grimcë guri. Kur e pyesim se ku i ka mësuar këto, qesh, dhe pohon; “po ç'të mësuar, askush nuk m'i ka mësuar, është çështje intuite”.
Më i vështirë ka qenë realizimi i Nënë Terezës, duke filluar që nga fytyra, veshja, përkulja e pjesës së qafës e deri te detaje të tilla si pjesa e këmbës apo kryqi. Nuk dihet fiks se sa peshon, ndërsa gjatësia shkon 2 metra. Alfredi ka marrë shumë komplimente për këtë realizim nga të gjithë ata që kanë pasur mundësi ta shohin.
Një tjetër realizim i veçantë është edhe ariu. Është realizuar më gur të kuq prej malit të fshatit. I është dashur më shumë se dy muaj që Alfredi të arrijë në formën përfundimtare. Të gjithë janë habitur më të. Që në momentin e parë që është parë ariu kanë ardhur dhe ofertat e para. Tashmë, ariu është në një tjetër shtëpi, djali nga Lezha e ka shitur për 3 milionë lek të vjetra.
“McLaren Mercedes” prej guri
Makina e vëllezërve Gjini nuk ecën as nuk kërkon karburant, por ka tërhequr vëmendjen e shumë personave. Edhe ajo është ndërtuar me gur të kuq të marrë nga mali dhe koha e ndërtimit të saj ka qenë 3 muaj.
Në fillim e kanë nisur si lojë, por sa vinte dhe ajo merrte formën e një makinë të vërtetë. Në këto momente, dëshira për të çuar deri në fund shtohej. Përmasat e saj janë reale me ato të një makine të “Formula 1”.
Një metër e 40 cm gjatësi, ndërsa gjerësia është rreth 1 metër e 50 cm. Guri në përmasat fillestare ka peshuar 14 tonë më punimin e vazhdueshëm u reduktua në peshën e 6 tonëve, për këtë arsye është shumë e vështirë që të lëvizë nga vendi. Ata nuk e shesin këtë “vepër”, me gjithë kërkesat e shumta që kanë pasur nga vizitorët. Ajo është një kujtim i bukur për të dhe familjen e tyre.