Historia e alfabetit të gjuhës shqipe ka qenë një rrugë e gjatë, e vështirë, plot me të papritura për të ardhur në ditën fatlume të nëntorit të vitit 1908, kur në Kongresin e Manastirit u zgjidh përfundimisht problemi i shkronjave të gjuhës shqipe. Kështu e nis bisedën Prof. Dr. Tomorr Osmani, përgjegjës i sektorit shkencor të Albanologjisë pranë Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, në prag të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Në 14-22 nëntor ky përvjetor do të kremtohet nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit. Grupi organizator, i ngritur enkas për këtë qëllim, mes të cilëve dhe prof Osmani, ka kohë që është duke u përgatitur për këtë ngjarje të shënuar të kombit tonë. Njohës i mirë i këtij kongresi dhe autor i një libri mbi këtë temë, prof. Osmani thotë se ishte vullneti, dëshira, pasioni dhe mbi të gjitha patriotizmi i shqiptarëve që për rreth tre shekuj e gjysmë luftuan pa marrë parasysh rrjedhojat politike dhe ekonomike që mund të kishin duke iu kundërvënë ideologjisë së pushtuesit edhe për çështjet kulturore. "Në atë periudhë të gjatë dhe të errët, shqiptarët u përplasën me dallgë të fuqishme që donin të pengonin zgjidhjen e problemit të vetëm, alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe", cilëson ai. Duke evidentuar hapat e parë të kësaj nisme, Osmani tregon se si dëshmi të parë të shkrimit shqip njohim "Formulën e pagëzimit" të vitit 1462, që la Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit dhe mik i Skënderbeut, "një burrë i pajisur me zotësi të rralla në të folur, me dituri", siç e portretizonte humanisti ynë Marin Barleti. Ashtu siç dhe kanë vërejtur studiues të tjerë, kjo traditë vijon z.Osmani, duhet të jetë më e vjetër se shekulli i XV. Kërkimet dhe hulumtimet mund të na çojnë më në thellësi të viteve, ndoshta 2-3 shekuj më parë. "Ndoshta fati na do dhe biem në një traditë më të hershme të shkrimit të gjuhës sonë nga ajo që njihet deri më sot", shprehet prof. dr. Osmani, ndërsa nënvizon rrugën e gjatë, të vështirë, të mundimshme, plot vuajtje e sakrifica të Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit që i prinë alfabetit të gjuhës shqipe. Profesor Osmani ndalet në vitin 1879, në komisionin e kryesuar nga Sami Frashëri, ku bënin pjesë dhe Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, të cilët kanë meritën në punën për zgjidhjen përfundimtare të alfabetit të përbashkët të shqipes, i cili në vetvete kishte 36 fonema që duhet t'i përgjigjen 36 shkronja, si dhe përcaktoi edhe renditjen e shkronjave që i kemi edhe sot. Mbi bazën e këtij alfabeti, angazhimi, dëshira dhe këmbëngulja e shqiptarëve kudo që ishin nëpër botë për të pasur një gjuhë të tyre sa vinte e shtohej, për të ardhur tek 27 gushti i vitit 1908, që në sajë të iniciativës së klubit shqiptar "Bashkimi" në Manastir, i drejtuar nga Fehim Zavalani, u vendos të thirrej një Kongres në 14 nëntor të vitit 1908.
Kongresi
Punimet e këtij kongresi që zgjatën 8 ditë, u ndoqën nga 50 përfaqësues të 26 qyteteve, shoqërive dhe klube, prej të cilëve vetëm 32 kishin të drejtë vote. Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mit'hat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami e Nysret Vrioni. Në dy ditët e para të këtij kongresi u diskutua se në cilin alfabet duhet të mbështetej alfabeti ynë, ku përhapjen më të madhe e kishin ai i Stambollit, i shoqërisë "Bashkimi" dhe i shoqërisë "Agimi" të Shkodrës. Duke iu referuar ditës së tretë, Osmani shton se "në këtë ditë u zgjodh një komision prej 11 vetësh që do të merrej me hartimin e alfabetit të shqipes, ku kryetar u zgjodh Gjergj Fishta, një personalitet i kulturës shqiptare, poet i talentuar, erudit, që shquhej për forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë". Komisioni pranoi njëzëri se alfabeti i shqipes duhet të kishte si bazë alfabetin latin, mungesat e të cilit do të plotësoheshin me anë të dyshkronjëshave. Gjatë punimeve të tij, nuk u morën parasysh preferencat e anëtarëve për ndonjë shkronjë të veçantë, por njëzëri u miratua shenja për çdo tingull-fonemë të shqipes, duke ruajtur raportin e përcaktuar në alfabetin e shoqërisë së Stambollit se shqipja kishte 36 fonema. Sipas studimit që i ka bërë në vazhdimësi Kongresit të Manastirit, prof. dr, Tomorr Osmani "kryetari i komisionit, Gjergj Fishta, shpjegoi pse u pranuan dy alfabete dhe jo një. Alfabeti i Stambollit ishte i mjaftueshëm për t'iu përgjigjur nevojave të kombit. Por, që të shtypeshin libra jashtë Shqipërisë dhe për të dërguar telegrame jashtë vendit duhej një alfabet me shkronja latine, praktikë që e ndeshim edhe në gjuhë të tjera, si në gjermanisht, etj. Delegatët e kongresit e vlerësuan këtë vendim, duke e quajtur atë si një fitore të madhe që arriti të bashkojë shqiptarët dhe të ndikojë në përhapjen e gjuhës shqipe dhe të arsimit kombëtar. Por, sipas Osmanit, ndonëse Kongresi miratoi dy alfabete, ai i mbështetur në atë latin që një tingull-fonemë mund të paraqitej edhe me anë të dyshkronjëshave, fitoi si më i përshtashmi për natyrën e gjuhës sonë, i lehtë dhe i thjeshtë në të shkruar. Me të mund të shtypeshin libra në çdo vend të Europës që përdornin këtë system shkrimor. Por, jo gjithçka shkoi mirë pas Kongresit të Manastirit, thotë Osmani. U organizuan mitingje dhe antimitingje në mbrojtje ose kundër alfabetit të sotëm. Turqit e rinj u përpoqën ta pengonin përqafimin e alfabetit latin për shqiptarët, por ishte tepër vonë. Të gjithë shqiptarët e mbrojtën alfabetin e sotëm, si shkencor, i thjeshtë dhe praktik. 100 vjet vërtetuan efikasitetin e tij, duk mbetur kështu sistemi i vetëm shkrimor i shqipes", cilëson z. Osmani. Kongresi i Manastirit, vlerëson ai, ishte një tubim me vlera të veçanta gjuhësore dhe historike, që u karakterizua për atdhetarizëm, tolerancë, mirëkuptim, që i dha një shtysë zhvillimeve politike, kulturore dhe arsimore dhe ndërgjegjësoi më tej popullin tonë drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...