EDLIRA DEMIRI MUKA
Nëntori i këtij viti na ofron një ngjarje jo të zakontë. Kongresi i ABC-së i Manastirit, 100-vjetorin e të cilit kemi këtë nëntor, hyn në ato ngjarje që mbeten lapidar në historinë e një populli, sepse hedhin themelet mbi të cilat ngrihen më të fuqishme muret e ndërtesës së historisë e të kulturës së një populli. Në nëntor 1908 në Manastir u hodhën bazat e alfabetit tonë të unifikuar dhe mbi bazën e tij u ndërtuan vlera e arritje që garantojnë qëndrueshmëri kulturore, kombëtare e universale, duke shënuar kështu një pikë kulmore në konsolidimin kulturor e kombëtar. Ai mbylli një epokë të tërë në historinë e kulturës shqiptare, kurorëzoi me sukses përpjekjet që u bënë gjatë shekujve për lëvrimin e gjuhës shqipe, për të përpunuar një alfabet sa më të saktë, sa më të përshtatshëm për shkrimin e shqipes dhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Siç dihet, gjuha shqipe, për arsye historike të njohura, ka një dokumentim shkrimor relativisht të vonë. Ajo, ashtu si rumanishtja e lituanishtja, dokumentohet me shkrim qysh nga shekulli XVI, në vitin 1555, me “Mesharin” e Gjon Buzukut, i cili nuk e përjashton, përkundrazi, e nënkupton mundësinë që kjo gjuhë të jetë shkruar edhe më parë. Këtu nuk është fjala për shkrime të shkurtra si ajo e formulës së pagëzimit të vitit 1462, por për një përdorim më të gjerë të shkrimit të kësaj gjuhe. Por si Buzuku, ashtu dhe shkrimtarë fetarë pas tij, duke qenë nën ndikimin e Kishës Katolike, për shkrimin e veprave të tyre përdorën alfabetin latin të plotësuar me disa shkronja të posaçme, që e bënin të vështirë botimin e librave shqip në shtypshkronja që nuk i kishin ato shkronja. Prandaj me kalimin e kohës autorë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, filluan ta shkruanin shqipen me alfabete të ndryshme, që kishin si bazë kryesisht alfabetin latin e aty-këtu edhe atë grek. Kurse shkrimtarët bejtexhinj përdorën alfabetin arab. Nuk munguan edhe përpjekjet për të krijuar alfabete të veçanta (Todri,Veqilharxhi etj.).
Këtë detyrë sa të domosdoshme aq dhe të ngutshme të njehsimit të abecesesë së shqipes i takoi ta zgjidhte epoka e Rilindjes, që falë përpjekjeve të disa brezave dijetarësh, shkrimtarësh e publicistësh, shqipja njohu një zhvillim e pasurim të mendimit politik e kulturor kombëtar, të gjuhës e të letërsisë shqipe. Por në Shqipërinë e robëruar nga Perandoria Osmane, ku mungonin institucionet kulturore e shtetërore kombëtare dhe ndaj shqiptarëve ndiqej një politikë shkombëtarizuese e pashembullt, nuk lejohej, siç shprehej Sami Frashëri më 1899 “të shkruhej asnjë copë kartë në gjuhën tene” dhe “ndalohej të hapurit e shkollës shqipe”, vendosja e një abeceje të njëjtë, ndonëse në thelb ishte një problem kulturor, u kthye në një nga çështjet më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare në përgjithësi. Zgjidhjen e saj rilindësit e shihnin si një faktor që do të ndihmonte jo vetëm për lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, por edhe për forcimin e unitetit kombëtar e të bashkimit politik të popullit shqiptar. Prandaj, për të treguar individualitetin kombëtar, thuajse të gjithë veprimtarët e Rilindjes, duke filluar nga ideologu i parë i kësaj lëvizjeje Naum Veqilharxhi, vëmendjen e përqendruan në çështjen më akute e më thelbësore: më parë në krijimin e një alfabeti të vetëm e pastaj edhe të gjuhës së njehsuar. Përveç përpjekjeve individuale për të krijuar një alfabet të vetëm rilindësit iu përkushtuan përpilimit të një alfabeti të shqipes me fuqi të bashkuara. Prandaj në pjesën e dytë të shekullit XIX formohet Komiteti për Mbrojtjen e Çështjes Kombëtare si dhe disa shoqëri kulturore dhe atdhetare me qendra të ndryshme: në Stamboll, Bukuresht, Kajro, Sofje e më vonë edhe në trojet shqiptare, si në Shkodër etj. Kjo nuk ishte një ndërmarrje e lehtë. Të shkruash, është sot gjëja më e natyrshme, por të krijosh mjetin e shkrimit, të caktosh shkronjat më të përshtatshme për të shkruar gjuhën, është një nga vendimet më të mëdha. Vetëm bindja e thellë se kombet mbahen me gjuhën e me shkronjat e tyre, i bëri paraardhësit tanë ta shtyjnë këtë gur të Sizifit deri në cakun e caktuar. Pikërisht përpjekjet titanike të bëra deri në fillim të shekullit XX dhe shfrytëzimi i të gjitha hapësirave të krijuara nga premtimet e turqve të rinj, bën të mundur hedhjen e atij hapi tej të zakonshmit: Kongresin e abecesë, të alfabetit të Shqipes.
Ky kongres, që i zhvilloi punimet e tij nga 14 deri më 22 nëntor 1908, u shndërrua në një kuvend mbarëshqiptar, ku morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të katër anët e Shqipërisë si dhe shoqëritë patriotike shqiptare të Sofjes, Bukureshtit, Konstancës, Amerikës, Egjiptit, Italisë etj. Delegatë ishin shkrimtarë e publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kacori, Ndre Mjeda, Gjergj Qirjaci, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Sotir Peci etj., veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe klubeve shqiptare, si Bajo dhe Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Fehmi Zavalani etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri (Lumo Skëndo), ndërsa nënkryetar Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Me gjithë ngurrimet e disave se nuk ishte koha apo me pjesëmarrje formale në të, duke mos besuar te ndonjë rezultat, në pamundësi për të kontribuar edhe shumë intelektualë të tjerë, prapëseprapë punimet e Kongresit dhe rezultatet e tij treguan se rruga që zgjodhën atdhetarët dhe intelektualët e shquar për zgjidhjen e problemit të alfabetit duke thirrur një Kuvend Kombëtar, ishte rruga më e drejtë. Vepra që u krijua në Kongresin e Manastirit i qëndroi kohës, u bë pjesë e pandarë e kulturës shpirtërore të kombit shqiptar.
Pikërisht vendosmëria dhe qartësia e vetëdijshmëria bëri që ata nuk u larguan nga Manastiri pa zgjidhur përfundimisht këtë çështje sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, fryt ky i bindjes së tyre të palëkundur se zgjidhja e këtij problemi ishte bërë tepër e ngutshme, nuk priste më. Sepse përdorimi i disa alfabeteve të ndryshme për shkrimin e gjuhës shqipe po rrezikonte ta thellonte më tej përçarjen midis shqiptarëve, në një kohë kur ata kishin nevojë më shumë se kurrë për bashkimin në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund sundimit shumëshekullor osman. Zgjidhja e këtij unifikimi nuk ishte i lehtë, sepse pjesëmarrësit përfaqësonin qarqe të ndryshme dhe alfabete të ndryshme. Kjo si për alfabetin e Stambollit të vitit 1879, sepse me të ishin shkruar një sërë veprash me vlera të Naimit, të Samiut, Vretos etj., por edhe tekste mësimore dhe se ky alfabet me 36 shkronjat e tij plotësonte kërkesat fonologjike të shkrimit të gjuhës shqipe. Po ashtu edhe përfaqësuesit e dy alfabeteve të tjera kryesore të kohës të shoqërisë “Bashkimi”(1899) dhe asaj “Agimi” (1902) kishin arsye të vlerësonin alfabetet e tyre, ndër të tjera sepse alfabeti i shoqërisë “Bashkimi”, i bazuar në alfabetin e thjeshtë latin, ishte më praktik, ndërsa ai i shoqërisë “Agimi”, ndonëse jo në atë latin, paraqiste vështirësi.
Por ata i kapërcyen vështirësitë në pikëpamje, ashtu dhe ndërhyrjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta të disa qarqeve të huaja falë vendosmërisë për t’i dhënë një zgjidhje. Zgjodhën një komision me Gjergj Fishtën në krye, që vendosi të mos merreshin me asnjë nga tri alfabetet e përdorura, por të krijohej një alfabet të ri mbi bazën e alfabetit latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike. Por në ecuri u hasën vështirësi të lidhur sa me mosrënien në ujdi për shkronja të diskutueshme, por “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të jashtme”, siç pohohet në rezolutën e kongresit, prandaj vendosën që “të kthehen prapa” duke pranuar alfabetin e Stambollit, me disa ndryshime jo të parëndësishme e “bashkë me të edhe një abece thjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes të shqyptarëvet”. Duke vendosur për dy alfabete, Komisioni i të Njëmbëdhjetëve nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e një alfabeti të vetëm për shkrimin e gjuhës shqipe. Dhe për ta përligjur këtë vendim, në mbledhjen e hapur të Kongresit më 20 nëntor 1908, u tha se alfabeti i Stambollit ishte i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e kombit, por që të mund të shtypeshin libra jashtë Shqipërisë, si dhe për telegrame jashtë vendit nevojitej edhe një alfabet tjetër thjesht latin”, por si një çështje thjesht teknike. Kjo ndodhi edhe sepse, siç pohojnë pjesëmarrësit, “telegramet që merren nga gegëria ua kërkonin që të pranonin alfabetin e “Bashkimit”, kurse telegramet nga toskëria kërkonin që të merrnin atë të Stambollit ose të Frashërit, prandaj vendosen të adoptojnë dy alfabete. Pra, Kongresi i Alfabetit i vitit 1908 u mbyll me një zgjidhje e cila, duke pasur parasysh rrethanat e kohës, është cilësuar me të drejtë si një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes së problemit aq të ndërlikuar dhe aq shqetësues të alfabetit të gjuhës shqipe. Numri i alfabeteve që do të përdornin shqiptarët pas këtej u pakësuan në dy, që i ngjanin shumë njëri-tjetrit, duke qenë se të dy kishin si bazë alfabetin. Për më tepër, sipas vendimit të Kongresit, të dy alfabetet do të përdoreshin bashkërisht. Kjo do të forconte bashkimin e shqiptarëve dhe do të lehtësonte përhapjen e shkrimit dhe të diturisë, sepse të paktën do t’i jepte fund kaosit të deriatëhershëm të alfabeteve që përdoreshin për shkrimin e gjuhës shqipe. Pavarësisht se ky vendim nuk ishte më i miri, sepse një pjesë do të përdornin alfabetin e Stambollit e një tjetër alfabetin thjesht latin, ishte koha që do të jepte vendimin përfundimtar. Dhe koha tregoi e nuk vonoi se alfabeti i Stambollit, me gjithë përparësitë që kishte në përfaqësimin e çdo tingulli të gjuhës shqipe me një shkronjë të vetme, paraqiste vështirësi për botime nëpër shtypshkronja që nuk i kishin shkronjat e posaçme të tij, prandaj u mënjanua shpejt nga përdorimi. Kështu që aty nga fundi i Luftës së Parë Botërore mbeti në përdorim vetëm alfabeti i thjesht latin, që u vendos si alfabeti i dytë në Kongresin e Manastirit, duke i plotësuar fare mirë kërkesat e një gjuhe të shkruar në zhvillim të pandërprerë.
Alfabeti që kemi sot në përdorim, ashtu si alfabeti i Stambollit, është mbështetur në parimin “një shkronjë, një tingull”, parim që është zbatuar si për shkronjat e thjeshta, ashtu dhe të përbëra.
Ndonëse vendin kryesor në Kongresin e Manastirit e zuri çështja e njehsimit të alfabetit, ai nuk mbeti një mbledhje thjesht gjuhësore. Në mbledhjet e fshehta që u mbajtën në Kongres, u diskutuan edhe probleme të tjera të lëvizjes kombëtare, siç ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit e rinj, masat për sigurimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, përgatitja e truallit për autonominë e Shqipërisë, çështjet e zhvillimit ekonomik të vendit si dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera evropiane. Të gjitha këto e të tjera u përfshinë në Programin Kombëtar prej 18 pikash që iu dhanë deputetit të Korçës Shahin Kolonja për t’i paraqitur në parlamentin turk në emër të shqiptarëve. Në program vendin kryesor e zinin kërkesat për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”, për të shpallur “gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në të gjitha shkollat shtetërore”, emërimi i nëpunësve shqiptarë në administratën e të gjitha viseve shqiptare e shumë të tjera, program që do të ndihmonte në përparimin e gjithanshëm të vendit.
Rruga nga Kongresi i Manastirit 1908 deri te Kongresi i Drejtshkrimit 1972 dëshmon për përpjekjet e shqiptarëve për të mënjanuar faktorët divergjentë e për të qenë të bashkuar shpirtërisht, për të pasur një zhvillim kulturor të përbashkët. Është pikërisht alfabeti i përbashkët dhe përpunimi i një gjuhe letrare të njësuar që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin kulturor e shpirtëror unitar të shqiptarëve, i ngrenë shqiptarët dhe kombin tonë mbi dallimet dhe veçoritë krahinore, të cilat me pasurinë e larminë e tyre ndikojnë pa asnjë mëdyshje në pasurimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në tërësi. Sepse gjuha e shkruar nuk është vetëm thesari më i madh i një populli, por edhe tipari kryesor dhe hallka më e rëndësishme e bashkimit të kombit.
Pra, Kongresi i Manastirit ka meritën se zgjidhi një nga tri detyrat themelore të politikës e të planifikimit gjuhësor kombëtar: alfabetizimin e saj. Dy detyrat e tjera: standardizimi dhe modernizimi i gjuhës, do të zgjidheshin më vonë, si vijim i punës së kryer nga Kongresi i Manastirit. Pra, atij i takon merita që zbatoi për herë të parë me sukses në praktikë politikën gjuhësore kombëtare të përvijuar me përkushtim e mençuri nga korifejtë e Rilindjes sonë Kombëtare. Mirënjohje të përjetshme atyre që na dhanë abecenë shqipe 100 vjet më parë! Shkronjat tona janë vërtet të arta, ashtu siç thotë dhe kënga.
Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!
Kërko brenda në imazh Shkruan :Flori Bruqi, PHD Disa vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...