Christian Schwarz-Schilling thotë se Serbia është fajtori kryesor për luftërat dhe zhvillimet e këqija në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Serbia po e pengon edhe përparimin e Kosovës duke vënë në dyshim statusin e saj. Diplomati gjerman vlerëson se kjo është edhe arsyeja pse Kosova nuk po mund të lidhë marrëveshje me organizata ndërkombëtare.
Ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schwarz-Schilling ka deklaruar se Serbia është fajtore për të gjitha zhvillimet negative në rajon.
Diplomati gjerman ka thënë se Serbia po e pengon edhe përparimin e Kosovës, sepse në mënyrë të vazhdueshme e vë në dyshim statusin e saj. Si pasojë, Kosova edhe me tej nuk mund të bëjë marrëveshje me organizata ndërkombëtare.
Schwarz-Schilling ka komentuar edhe rreth vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, në Beograd, të enjten e ardhshme, e cila, sipas tij, nuk do të ketë shumë efekt.
Në një intervistë për programin boshnjak të radios Deutsche Welle, Schwarz-Schilling duke komentuar për të kaluarën e përgjakshme të Ballkanit ka thënë se edhe Kroacia ka një pjesë të fajit, por sipas tij, fajtori numër një është Serbia, e cila ka iniciuar luftërat.
“Edhe Kroacia në një masë të mirë i ka kontribuar luftës në Bosnjë e Hercegovinë”, është përgjigjur Schwarz-Schilling. Por sipas tij, faktet historike megjithatë tregojnë se luftën e ka iniciuar Slobodan Millosevic, sepse nuk e kishte lejuar pavarësimin e republikave të atëhershme jugosllave.
Ai ka kritikuar Serbinë që nuk ka pranuar deri tani rezultatet e pasluftës, sepse nuk dëshiron të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e mbështetë politikën e presidentit të Qeverisë së Republikës Serbe, Milorad Dodik.
“Serbia i ofron ndihmë të vazhdueshme Dodikut, i cili është i njohur për deklaratat e llojit 'Sarajeva nuk është vendi im' apo 'Sarajeva është Teheran'. Ai hap përfaqësitë e tij konsullore nëpër botë dhe sillet si shef shteti. Serbia e pengon edhe përparimin e Kosovës, sepse në mënyrë të vazhdueshme e vë në dyshim statusin e saj”, ka thënë ai.
Për luftërat e përgjakshme dhe stagnimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Schilling fajëson edhe Evropën, e veçanërisht Gjermaninë.
“Gjermania, duke qenë më e afërta gjeografikisht dhe njëkohësisht, vendi më i rëndësishëm i Evropës Qendrore, është dashur të tregojë vullnet politik dhe krizën jugosllave ta vërë në pikën e parë të rendit të ditës. Megjithatë, Gjermania lidhur me këtë çështje nuk ka qenë aktive as në Bashkimin Evropian, e as në NATO.
Ata besonin se intervenimi i Gjermanisë në NATO do të binte ndesh me kushtetutën. Ndërsa, kur pas tri vitesh Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë konfirmoi se intervenimi i NATO-s nuk binte ndesh me kushtetutën, atëherë veç ishte bërë vonë”, ka vlerësuar Christian Schwarz-Schilling