2011-02-10

“Floskulat serbe”


Nga Bujar Tresi

Vendimi është përfundimtar. Dialogu duhet të fillojë! Dhe në përgatitjet për komunikimin e pashmangshëm Prishtinë – Beograd, i cili është thënë se përpos mënjanimit definitiv të bisedës rreth statusit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, nënkupton dialog pa kushte e kushtëzime, Beogradi zyrtar megjithatë, nuk heqë dorë nga paralajmërimet se në këto bisedime hyn me paragjykimin e njohur se “nuk mundet dikush t’i fitojë të gjithat e dikush t’i humbë të gjithat”. Kjo është përsëritë së fundi edhe nga presidenti serb, Boris Tadiq nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Shkurt thënë një nga përpjekjet e Serbisë për mashtrimin e opinionit ndërkombëtar sa herë që ajo mbet pa argumente valide në përpjekjet për rikthim në Kosovë. Është thjesht një mashtrim ordiner dhe një përpjekje që të minimizohet e tërë ajo që i është dhënë bashkësisë serbe në Kosovës mbështetur në Planin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisaarit.
Kundër argumentet ndaj kësaj floskule serbe janë të shumta. Të gjitha analizat më serioze kanë treguar se ky plan gjithëpërfshirës dukshëm cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës sidomos me planin e decentralizimit dhe mundësimin e lidhjeve speciale që do t’i kenë komunat me shumicë serbe me Beogradin si dhe me parimin e shumicës së dyfishtë në vendosjen kuvendore. Faktet tregojnë se me formimin e komunave të reja, bashkësia serbe, që aktualisht nuk kalon as 5% e popullatës në Kosovës, do të kontrollojë një territor afro 25-27% të territorit të Kosovës, që qartazi është madhësi dukshëm jo proporcionale me numrin e serbëve. Dhe kjo flet mjaftë për pozitën e serbeve në Kosovës por, edhe për nivelin e sakrificave që janë bërë e po bëhen për qëllimin më madhor-shtetin e Kosovës.
Edhe një paralelizëm i thjeshtë me korpusin e të drejtave të komuniteteve pakicë tregon se të gjitha këto prerogativa që i janë dhënë bashkësisë serbe janë dukshëm mbi nivelin e të drejtave që i gëzojnë komunitetet pakicë në shtetet fqinje e sidomos në Serbi. Aq më tepër kur komisioni i Venecias që moti ka konstatuar se Kushtetuta më e re e Serbisë në asgjë nuk jep pakicave ndonjë shkallë më të lartë qoftë të autonomisë kulturore apo fetare. Përkundrazi, me një rajonalizim dhe decentralizim tejet të centralizuar, krijimin e 5 rajoneve ku njëra ndër to, sipas saj, është edhe Kosova, ajo në esenca ka forcuar edhe më tepër pushtetin qendror dhe ka shtuar manipulimin me pakicat dhe të drejtat e tyre sidomos me formimin e të ashtuquajturave këshilla nacionale. Këtë më së miri e dëshmon pakënaqësia me nivelin e të drejtave kombëtare e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Beograd, e boshnjakëve në Sanxhak, e hungarezëve në Vojvodinë, e romëve në mbarë Serbinë, e të mos flasim për pakicat numerikisht më të vogla në Serbi si malazezet, sllovakët, rumunët, bullgarët, maqedonasit, të cilët vetëm mund të ëndërrojnë nivelin e të drejtave që e kanë serbët dhe pakicat tjera në Kosovë. Fundja, as serbët e Vojvodinës nuk janë shumë të lumtur me varësinë aktuale ekonomike dhe politike që kanë nga Beogradi.
Pra , niveli i të drejtave të cilat i gëzon bashkësia serbe në Kosovës, i sanksionuar me Kushtetutën e Kosovës e flet pikërisht të kundërtën nga floskulat e përmendura të Tadiqit po edhe të zyrtarëve tjerë serbë.
Nga aspekti institucional është fakt se Serbia ma nuk zotëron Kosovën, të cilin e kishte aneksuar në fillim të shekullit të 20, si favor i luftërave ballkanike. Tani Serbia e ka humbë atë territor si pasojë e tërë asaj që ka ndodhë në këtë hapësira që nga ajo kohë e deri në vitin 1999 dhe çdo përpjekje e minimizimit të pasojave të këtyre zhvillimeve, të deportimeve të vazhdueshme të shqiptarëve, të vrasjeve, masakrave, djegieve, plaçkitjeve, burgosjeve, segregacionit permanent, janë vetëm vazhdimësi e politikës serbomadhe prej “Naçertanies”, Millosheviqit e deri te kjo garniturë shtetërore serbe e cila hiqet si e moderuar dhe distancuar nga këto synime politike. Serbia nga këndvështrimi shtetëror ka humbë kontrollin mbi Kosovën por, serbet si komunitet në Kosovën e pavarur, me Kushtetutë kanë fituar shumë më shumë se çdo pakicë tjetër jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë. Po ashtu, në Kosovën e pavarur komunat në të cilat serbët janë shumicë kanë shumë më shumë të drejta si njësi të pushtetit lokal në krahasim me pozitën që e kanë komunat në Serbi karshi pushtetit qendror. Dhe e tërë kjo e zhvleftëson plotësisht deklaratën e Tadiqit se Serbia nuk mund të pajtohet me situatën që “dikush t’i fitojë të gjithat e dikush t’i humbë të gjithat”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...