2011-02-12
Edi Rama dhe komleksi i inferioritetit
Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe deri tani, zoti Edi Rama ka qenë në qendër të vëmendjes së mjeteve të informimit masiv, qoftë të shkruara, qoftë pamore. Trajektorja e protestës së tij dhe të Partisë Socialiste që rri në qëndrim “gatitu” pas tij, u bë një vit e gjysmë që ka shkuar në ngjitje vazhdimisht, derisa kulmoi me dhunën e egër që u manifestua kundër forcave të rendit para Kryeministrisë më 21 janar 2011. Mosnjohja e rezultatit të zgjedhjeve, të cilat strukturat përkatëse ndërkombëtare i vlerësuan si më të mirat deri asokohe në Shqipëri, e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë shoqërinë shqiptare në një tension të vazhdueshëm.
Kjo puna e grabitjes së votave dhe e diskutimit të rezultatit të zgjedhjeve në vendin tonë, ka një parahistori boll të palakmueshme.
Praktikën e grabitjes së votave e krijoi e para Partia e Punës e Shqipërisë, në zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991. Rezultatin e atyre zgjedhjeve, partia në fjalë nuk qe në gjendje ta mbante dot më këmbë as pas veshjes së mantelit socialist në kongresin e saj të 10-të që u mblodh më 12 qershor të po atij viti. Zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, deri tani janë vlerësuar si më të mirat, meqenëse Partia Socialiste vendosi të tërhiqej nga pushteti për të pritur kohë më të “mira” për t’u rikthyer në pushtet. Në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, neokomunistët socialistë i braktisën qendrat e votimit pak orë para përfundimit të zgjedhjeve, duke i lënë demokratët të bëheshin vetë zot e vetë shkop. Dhe demokratët, si njerëz të parrahur gjatë me punët e pushtetit, ranë në grackën e neokomunistëve socialistë: i grabitën votat në mënyrën më skandaloze, pa qenë në gjendje ta parashikonin gjëmën që do t’i priste më pas. Mënyra e sjelljes arbitrare të demokratëve me kutitë e votimit dhe lejimi i lulëzimit të firmave piramidale, erdhën duke përgatitur terrenin për katrahurën e vitit 1997. Në kushtet e krijimit të katrahurës që u shoqërua me shumë viktima fatkeqe nga radhët e popullit të pafajshëm, neokomunistët socialistë morën situatën në dorë dhe përgatitën terrenin për rikthimin në pushtet. Në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997, neokomunistët socialistë, përmes bandave të armatosura, të përgatitura si formacione paramilitare, në jug të vendit pothuajse nuk i lejuan demokratët të merrnin pjesë në votime. Në këto kushte, kutitë e votimit ata i shndërruan në pronë të vetën dhe rezultatin e nxorën sipas dëshirës së vet. Megjithatë, zoti Spartak Ngjela, si ish-ministër i drejtësisë në qeverinë e pajtimit kombëtar, më pas ka pas deklaruar publikisht se nekomunistët socialistë, pavarësisht situatës së krijuar tërësisht në favor të tyre, edhe më 29 qershor 1997 nuk arritën të merrnin dot votat e shumicës së popullit shqiptar. Pra, edhe në kushtet e një terrori të paparë psikologjik që popullin e kishte kapluar tej e ndanë për shkak të bandave të ndërkryera që komandoheshin nga militantë neokomun(social)istë, populli që u paraqit pranë kutive të votimit, prapëseprapë, sipas ish-ministrit Ngjela, në shumicën e vet votoi për demokratët. Por në pushtet u ringjitën neokomun(social)istët për faktin se votat i grabitën si deshën dhe sa deshën.
Në zgjedhjet e 03 korrikut të vitit 2001 pati një grabitje shembullore të votave nga ana e Partisë Socialiste, kohë kjo kur partia në fjalë shpiku edhe dukurinë e “dushkut” dhe kur edhe strukturat ndërkombëtare shprehën rezerva të dukshme për ndershërinë e tyre. Por megjithatë, Partia Demokratike, në analizë të fundit, pazi bëri naze ca kohe jashtë parlamentit, më në fund, i pranoi rezultatet e Komisionit Qëndror dhe vazhdoi jetën parlamentare normalisht. “Formula” e grabitjes së votave, Partisë Socialiste i erdhi e gatshme nga Moska, “formulë” kjo e përdorur gjerësisht dhe me shumë art në zgjedhjet e 26 marsit të vitit 2000 në Rusi për postin e presidentit : strukturat e posaçme të Putinit, që deri asokohe (31 dhjetor 1999) kishte qenë shef i Shërbimit Federativ të Sigurisë, kishin shtypur fletë votimi me tepri. Prandaj, para se votuesi të paraqitej në qendrën e votimit për të votuar, njeriu i strukturave në fjalë i jepte një fletë votimi që ky e mbushte, e firmoste (kundrejt një shume të caktuar parash) dhe e fuste në xhep. Kur paraqitej para komisionit të qendrës së votimit, merrte prej tij fletën e votimit sipas listës zgjedhore dhe shkonte në kabinën sekrete. Atje këtë fletë e paloste dhe e fuste në xhep dhe nga xhepi tjetër nxirrte atë fletën që kishte marrë nga njeriu i strukturave të Putinit dhe me të në dorë nisej serbes-serbes dhe e hidhte në kutinë e votimit. Diku, jashtë qendrës së votimit, votuesin e priste njeriu përkatës, të cilit duhej t’i dorëzonte detyrimisht fletën që i kishte dhënë komisioni i qendrës së votimit. Një vjedhje fantastike e votave kjo, të cilën nuk besoj se mund të gjendet ndokush në botë që ta zbulojë, qoftë ky edhe njeri me tru elektronik.
Ky art i pëkryer dhe fort djallëzor, i përdorur aq mjeshtërisht nga falangat e Shërbimit Federativ Rus për zgjedhjen e Putinit në postin e presidentit të Federatës Ruse në zgjedhjet e 26 marsit të vitit 2000, zbulohet me tërë lakuriqësinë e vet në faqet e gazetë “The Moscow Times” të datës 09 shtator 2000, të cilën asokohe ma pati dhënë për ta lexuar një gazetar dhe publicist i mirënjohur i vendit tonë.
Nuk jam në gjendje të them se në ç’masë e ka përdorur këtë “formulë” edhe zoti Edi Rama në ditën e zgjedhjeve për kryetar bashkie. Kjo ka pak rëndësi, për faktin se edhe Partia Demokratike nuk ka bërë pothuajse fare naze për rezultatet e zgjedhjeve vendore.
Në zgjedhjet e 03 korrikut të vitit 2005, nga radhët e Partisë Socialiste u dëgjuan zëra se Partia Demokratike paskej bërë manipulime gjatë procesit zgjedhor. Këto zëra sigurisht që e kishin burimin te dëshpërimi që kishte pushtuar Partinë Socialiste pas largimit nga pushteti. Se ishte paradoksale ta mendoje që opozita mund të ishte në gjendje për manipulime të tilla, kur dihej që zgjedhjet i kishte administruar Partia Socialiste që deri asokohe ishte në pushtet.
Për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, që u vlerësuan si më të mirat nga ndërkomëtarët, Partia Socialiste reagoi me vonesë, pas kthimit të zotit Rama nga pushimet që bëri diku. Sipas tij, zgjedhjet qenë manipuluar dhe rezultati i tyre nuk pasqyronte vullnetin e shumicës së votuesve shqiptarë. Dëshmitarët më të besueshëm për rregullsinë e atyre zgjedhjeve, ishin njëzet mijë komisionerët e Partisë Socialiste, të cilët asnjëherë dhe askund nuk shprehën kundërshtime për rezultatet që nxori Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, i cili votoi njëzëri për to. Me sa duket, zotin Rama e lëndonte së tepërmi ai neni i statutit të partisë së tij, sipas të cilit, kur partia i humbet zgjedhjet, kryetari i saj duhet të japë dorëheqjen. Po pse zoti Rama duhej ta ndiente veten të lënduar? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të bëjmë një kthim prapa në vite dhe të shikojmë se kush ishte zoti Rama para se t’i hynte karrierës politike.
Dihet që ai i ka përfunduar studimet e larta për pikturë dhe më pas ka filluar punë si pedagog në Akademinë e Arteve. Gjatë kohës së mësimdhënies nuk kemi dëgjuar që zoti Rama të ketë bërë thagmë qoftë si pedagog, qoftë si piktor i talentuar. Ata që e kanë njohur nga afër, thonë se ka pasur talent për pikturë, por, për shkak të mungesës së vullnetit, nuk arriti dot të futej në listën e piktorëve me emër të vendit tonë. Në të njëjtën kohë, ai është marrë edhe me sport. Ka qenë basketbollist i skuadrës së Dinamos. Por edhe në karrierën e vet sportive, si basketbollist, ai, përsëri, nuk shkëlqeu, duke mos mundur të ngrihej dot në nivelin talenteve të tilla të basketbollit shqiptar, si Agin Fagu, Vaso Shaka, Renato Radoja apo Kujtim Kasmi.
Me shëmbjen e sistemit komunist, zoti Rama vendosi t’i futej artit të gazetarisë. Në këtë fushë, ai e filloi aktivitetin e vet si refleksionist në sallën kryesore të Akademisë së Arteve. Por edhe këtë fushë interesante në lëmin e gazetarisë, ai e braktisi më pas. Më vonë ai e braktisi detyrën e pedagogut në këtë Akademi dhe u largua nga Shqipëria. Nuk kam kurrfarë informacioni se me çfarë është marrë zoti Rama gjatë kohës së qëndrimit në Francë. Por mendoj se është e udhës që këtu të ndalem pakëz në çudinë e “fluturimit” të tij enigmatik, me katapultimin që i bëri ish-kryeministri Nano, nga Parisi (ku flinte nëpër metro dhe ku gdhihej s’ngrysej, siç ka pas deklaruar zoti Nano më pas) për në Tiranë, duke i dhuruar postin e ministrit të kulturës, rinisë dhe sporteve. Ku fshihet enigma? Ai katapultim erdhi si një nxitje e brendshme për eksperiment nga ana e Nanos, të cilit i kishte ardhur në majë të hundës nga “komitetdrejtuesit” e partisë së tij, të cilët, me prapësitë që bënin, ia kishin kaluar edhe vetë kryetarit të tyre, apo Nanoja u gjend para ndonjë presioni misterioz të ndonjë lozhe masonerie? Apo mos vallë strukturat e larta të Partisë Socialiste e ndienin keq mungesën e një dorë të fortë në krye të tyre. Nuk jam në gjendje të jap ndonjë përgjigje të argumentuar. Pra, edhe sot e gjithë ditën, i pasqaruar mbetet fakti se në ç’mënyrë zoti Rama, falë zotit Nano, nga “hiçnjeri” erdhi e u shndërruar si me magji në “diçnjeri”.
Pas kthimit nga Parisi, zoti Rama, i kënaqur fillimisht me ushtrimin ca kohë të postit ministror të kulturës, të rinisë dhe të sporteve, në zgjedhjet vendore të vitit 2000 u kandidua prej Partisë Socialiste për kryetar të Bashkisë së Tiranës, post ky që ai vazhdon ta mbajë deri tani. Duke mos qenë i kënaqur vetëm me detyrën e kryetarit të Bashkisë, zoti Rama më pas pati tentuar të kapte kreun e Partisë Socialiste, në një garë me Nanon dhe me Meidanin. Por s’fitoi dot.
Kur zoti Nano, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, zoti Rama tentoi për herë të dytë të zinte kreun e Partisë Socialiste. Asokohe Ruçi deklaroi: “Zoti Rama është i mirëseardhur në Parti”. Se ardhja e Ramës në krye të partisë, për Ruçin do të thoshte që të arrinte tokën e premtuar: lejet e ndërtimit për veten e vet dhe për interesat e ngushta të partisë. Kështu, një mbasdite të asaj vjeshte, zoti Rama paraqet platformën e vet për kryetar. Por platforma iu hodh poshtë nga forumi kryesor i partisë. Kurse në mëngjesin e ditës tjetër, zoti Rama, me platformë të papranueshme, përsëri si me magji, përfundon në postin e kryetarit të Partisë. Pra, përsëri mbetet enigmatike kjo mënyrë befasuese e zgjedhjes së zotit Rama në krye të partisë. Pse të mos kemi të drejtë të dyshojmë që zoti Rama, gjatë një nate, arriti t’i fuste në “thes” anëtarët e forumit kryesor të partisë së vet për të hedhur në dorë kryepostin e partisë.
Paskëtaj, për të forcuar pozitat e veta në parti, zoti Rama, duke shfrytëzuar postin e Kryetarit të Bashkisë, hapi “thesin” e lejeve të ndërtimit dhe disa nga pjesëtarët e “ajkës” së partisë përfunduan në pronarë pallatesh, të cilët, me kalimin e kohës, do të shërbenin si mbështetje e fuqishme e tij.
Duhet besuar që pikërisht zoti Rama ka ndikuar drejtpërsëdrejti që “ajka” e kësaj partie të bëhet milionere. Dhe milionerët në Partinë Socialiste sot arrijnë në 30%, siç deklaronte zoti Kastriot Islami në emisionin “Opinion” të zotit Blendi Fevziu, të transmetuar më 18 maj 2010. Kujtdo duhet t’i gëzojë zemra kur në Shqipëri shtohen milionerët, të cilët milionat e tyre i kanë vënë me djersën e ballit. Sa më shumë milionerë të kemi, aq më e pasur bëhet Shqipëria. Se milionerët e shumtë ndikojnë edhe për rritjen e autoritetit të vendit në sytë e opinionit ndërkombëtar. Por problemi është se këta milionerët socialistë, siç tha zoti Islami, janë pasuruar një çikë si shpejt, duke i djegur etapat e pasurimit, çka ka bërë që milionat e tyre të mos lëshojnë dhe aq fort erë“djerse”. Me sa duket, në strukturat e larta të Partisë Socialiste mbizotëron një psikologji makutiste. Pikërisht këtë lloj psikologjie e demaskoi hapur fare njëra nga ish-figurat kryesore të kësaj partie, zoti Spartak Poçi, i cili, gjatë një interviste që dha në disa kanale televizive në njërën nga ditët e fushtatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, deklaroi: “Jam tmerruar kur nëpër korridoret e Partisë Socialiste kam dëgjuar këto fjalë: të marrim pushtetin që të grabisim shtetin!”.
Kjo bëri që pozita, herë-herë, t’ia ndërronte emrin Partisë Socialiste nga PS në PLN (Partia e Lejeve të Ndërtimit). Kjo mbështetje e fuqishme në krye të Partisë, zotit Rama i duhej për organizimin e fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit.
Por zhvillimi i asaj fushate nisi dhe u shoqërua me shumë çudira. Hapjen e fushatës zoti Rama e organizoi në Pallatin e Kongreseve, me një solemnitet tepër përshtypjelënës, duke bërë prezantimin e programit të Partisë. Dhe, në eufori e sipër, deklaroi se programi i partisë ishte fort impresionues! Paraprakisht në shtyp qe deklaruar se programi shtjellohej në një mijë faqe material. Dhe, për ta bërë edhe më të besueshëm “programin” në fjalë, zoti Rama futi në lojë edhe ish-presidentin Meidani, i cili, me një libër goxha të fryrë, u paraqit para kamerave, duke e mbajtur me të dyja duart, por pa marrë mundimin ta shfletonte para syve të të pranishmëve dhe të telespektatorëve. Më pas, në një intervistë në TV Klan, zoti Fatos Nano zbuloi të vërtetën e komedisë së Ramës për “programin njëmijëfaqesh”: ai “libër” na paskësh qenë një copë kartoni në formë katërkëndëshi, pa asgjë brenda. Komedinë e Ramës e kuptoj, por rolin e profesor Meidanit, ish-profesor universiteti, akademik, ish-president i vendit, nuk arrij ta kuptoj dot edhe pasi ka kaluar kaq kohë. Një figurë akademike ta katandisë veten deri në nivelin e një roli të tillë të palakmueshëm, sipas tekave të zotit Rama!
Dhe zoti Rama e nisi fushatën, duke i rënë Shqipërisë rreth e qark, kryq e tërthor. Nuk la fshat e qytet pa rrahur. Por në fushatat zgjedhore, ato që shqetësojnë elektoratin janë premtimet e subjekteve politike. Dhe, për të na bindur se ishte shtruar “gju më gju” me popullin, na bëri publike edhe ca dreka që hante nëpër ca familje të thjeshta, përkrahëse të partisë socialiste. Por, për çudi, Rama nuk bëri asnjë premtim, absolutisht. Më në fund, e mbylli fushatën me ca copa letrash nëpër duar, ku qenë shënuar pjesë nga “programi” i partisë, i cili, nga “një mijë faqe”, qe katandisur në shtatë pika. Dhe kulmi arriti atëherë, kur vetë zoti Rama, me ato copa letrash nëpër duar, bridhte diku në periferi të Tiranës, duke ua dorëzuar ca njerëzve që po qëndronin më këmbë, të cilët, në ecje e sipër, i pyeste: “a do të votoni për mua?”. Edhe qytetari më i thjeshtë i vendit humbet çdo ndjenjë respekti për një kryetar partie, kur shikon që ai e zbret në kuota kaq të ulëta seriozitetin politik të formacionit që përfaqëson. Në fushatën për zgjedhjet e vitit 2005, zoti Berisha premtoi dyfishim të pagave të mësuesve dhe të punonjësve të shëndetësisë, rritje të pensioneve, sidomos në fshat, dhe e mbajti premtimin, derisa mbaroi mandati i parë i qeverisjes. Kurse zoti Rama as që i zuri në gojë premtime të tilla.
Parulla e çuditshme e zotit Rama gjatë fushatës ishte: “përtej së majtës e së djathtës”. Asokohe, nja dy fshatarë të ngeshëm nga Labëria, që kishin zbritur andej nga kasabaja e Vlorës dhe po hiqnin nga një gotë raki diku në një pijetore në qendër të qytetit, kur dëgjuan nga ekrani i televizorit ato fjalët e Ramës “përtej së majtës e së djathtës”, hapën sytë të çuditur: “E ç’kuvendon ashtu, a derëzi! Ç’m’i ke ato llafe “përtej së majtës e së djathtës”? Më duket se ti qenke deledash, a lumëmadh!”.
Por, me kalimin e kohës, zoti Rama erdhi duke i pasuruar bëmat e veta befasuese: “privatizoi” tërësisht fushatën zgjedhore, duke shpërfillur në mënyrë absolute strukturat drejtuese të partisë, të cilat i kaploi pasiviteti, letargjia. Për më tepër, lëshoi parullën me afsh të thekshëm individualist: “Unë do ta fitoj këtë betejë!”. Por, kur më pas u mor vesh se veten nuk e përfshiu në listat zgjedhore, elektorati zbuloi një tjetër befasi të Ramës: kërkonte të bëhej kryeministër, pa qenë deputet, të mbante postin e kryetarit të Bashkisë dhe të kreut të partisë, taman si “shoku” Enver pas çlirimit të vendit që i kishte përqendruar në duart e veta të gjitha postet e larta shtetopartiake.
Por, duke e parë zotin Rama tek mundohej “të notonte në detin” e çudirave që i kishte shpikur vetë, a mund të besonte kush se Partia Socialiste do t’i fitonte zgjedhjet e 28 qershorit? Sidomos kur hyri në fushatë në aleancë me “pionierin” Erion Veliaj? Sigurisht që jo. Aq më tepër kur përfaqësuesit e Ramës, të dërguar në emisionet televizive për t’u përballur me përfaqësuesit e Partisë Demokratike, në kuadrin e fushatës zgjedhore, i humbën të gjitha “dyluftimet” me këta të fundit. Përshtypje aspak të lakmueshme në ato përballje lanë sidomos ca përfaqësuese të zotit Rama, ca zonja “kredihumbura” këto andej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilave kryetari i partisë kërkonte t’ua ngrinte aksionet me domosdo.
Kontribut të ndjeshëm për humbjen e zgjedhjeve nga ana e zotit Rama, dhanë edhe ca mjete të informimit masiv, të shkruara dhe pamore, të cilat mbanin vetëm anën e tij. Këto mjete, çuditërisht, arritën deri aty, saqë të nxinin gjithçka në realitetin shqiptar, ndërkohë që njerëzit ishin të bindur për të kundërtën, se disa gjëra kishin shkuar mirë gjatë mandatit të parë të demokratëve. Madje ambasadori amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, duke pasur parasysh ecurin e qeverisjes së zotit Berisha deri tani, në intervistën që i dha zotit Arben Xhixho për emisionin e “Zërit të Amerikës” të datës 05 shkurt 2011, deklaroi se “demokracia në Shqipëri është funksionale”. Pra, kuptohet vetvetiu se këto mjete të informimit masiv u bënë të pabesueshme edhe për një pjesë të elektoratit të majtë, aq më tëpër kur kriza e rëndë ekonomike që kishte pllakosur botën mbarë, nuk pati pasoja të ndjeshme negative në ekonominë shqiptare. Dhe kjo ishte meritë e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare.
Siç u përmend edhe më lart, zoti Rama vetëm “pas pilafit” u kujtua për vjedhjen e votave. Edhe këtu lind një tjetër pikëpyetje: ai e pati nga vetja këtë ngërç që krijoi në politikën shqiptare dhe që po zgjat më shumë se një vit e gjysmë, duke vepruar jashtë institucioneve, apo dikush tjetër e instruktoi?
Greva e urisë i vuri kapakun qëndrimit jashtinstitucional të zotit Rama. Ajo tregoi faqe mbarë popullit se Rama është shndërruar në një pronar pushtetplotë i Partisë Socialiste, kurse vetë anëtarsia e Partisë Socialiste dhe të gjitha strukturat e saj, janë shndërruar në kopje të anëtarësisë dhe të strukturave të Partisë së Punës, të cilat rrinin sus para Enver Hoxhës. Kjo dukuri e shëmtuar mund të shpjegohet me dy mënyra: ose korrupsioni në strukturat e larta të kësaj partie, duke filluar që nga zoti Rama, është kaq i lartë, saqë i ka katandisur të gjithë anëtarët e tyre të notojnë në një të tillë batak të përbashkët, ku është e pamundur që ndokush të guxojë të manifestojë individualitetin e vet, ose mes anëtarësisë së saj mbizotëron ideja enveriste e nënshtrimit pa kushte para njëshit të Partisë. Por pavarësisht se cila mund të jetë e vërteta në këtë mes, Partia Socialiste, në sytë e popullit shqiptar, madje, siç ndoqa edhe intervistat e mjaft anëtarëve të saj të moshuar, të transmetuara në emisionin e lajmeve të TV Klan të orës 19-30 të datës 20 maj 2010, edhe në sytë e elektoratit socialist, ka humbur shumë nga autoriteti i saj politik me organizimin e asaj greve, të cilën, sipas një fjale të urtë të shqipes, e nisi “mbarë”, e mbaroi shtarë.
Por halli është se vendit i duhet një opozitë e fortë, me dinjitet të lartë politik. Opozita, në çdo vend të botës, është pasuri kombëtare dhe roli i saj është i pazëvendësueshëm në mbrojtje të normave të një shteti juridik, përkundër gabimeve që mund të bëjë qeveria në pushtet. Kurse opozita e sotme socialiste, në vend të mbrojtje së ligjshmërisë së funksionimit të parlamentit, si një institucion juridik, gjatë një viti e gjysëm u mor me shumëçka, por vetëm me detyrën e saj kryesore nuk u mor absolutisht.
Përshtypje të veçantë të bënte simbolika që ka përdorur zoti Rama, duke filluar që nga fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.
Simbol kryesor gjatë asaj fushate u bë refreni i një kënge - çohu! çohu! Nënteksti i asaj që donte të thoshte zoti Rama, ishte i qartë: çohuni ju, o të munduar! Një varg ky nga himni i Intenacionales Komuniste. A thua se Shqipëria dy vjet më parë ndodhej në një gjendje të atillë katastrofike, saqë njerëzve duhet t’u bëhej thirrje të çoheshin më këmbë!
Gjatë tërë kohës që zoti Rama fliste nëpër tribuna, grushtin e ka pasur simbol kryesor, të cilin e vërtiste sa andej-këtej para mikrofonave. Por grushti mund të jetë simbol për shumëçka, por është edhe simbol diktati, simbol diktature. Edhe Enver Hoxha, nëpër tribuna kongresesh, grushtin e ka tundur sa herë që dëshironte të lante hesapet me “armiqtë” e brendshëm të diktaturës së proletariatit. Shtresa shumë e respektuar e të përndjekurve politikë e ka provuar mbi kurriz atë grushtin e diktaturës së Enver Hoxhës.
Greva e urisë që Rama organizoi në Tiranë, fshihte në vetvete një tjetër simbol komunist: shifrën 200. Grevën e nisën 20 deputetë dhe 180 anëtarë të Partisë Socialiste. Kjo shifra 200 a nuk simbolizonte 200 petritat e anëtarësisë së Partisë Komuniste të Shqipërisë në ditën e themelimit të saj? Kur herë pas here, nëpër gazetat e Tiranës, shikojmë fytyrën e diktatorit Hoxha, a nuk kemi të drejtë të dyshojmë se me këtë shifrën 200 zoti Edi Rama i bën shërbim ringjalljes së praktikave enveriste në Shqipëri? Për më tepër, fakti që krimineli Ramiz Alia përkrahte grevën e urisë, a nuk të bën të hamendësosh se edhe ai ka pasur gisht në organizimin e saj?
Duhet theksuar se grevës së urisë i parapriu një parapërgatitje disamujore e Ramës për sensibilizimin e opinionit qytetar në mbështetje të“kauzës” së socialistëve. Për këtë qëllim, Rama ndërmori udhëtime dhe organizoi mitingje pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Mes atyre mitingjeve, që u organizuan edhe gjatë kohës që vazhdonte greva socialiste e urisë, i pashlyeshëm mbetet për mua ai që u organizua në qytetin e Vlorës. Përshtypje të veçantë më bëri fjala e avokatit Spartak Ngjela. Lidhur me atë miting, gazeta “Standard” njoftonte:
“Kreu i PLD, Spartak Ngjela: Në 1920 nga këto male gjyshërit tuaj i dhanë mundësinë popullit të jetonte i lirë. Po përsëri paraardhësit tuaj patriotë mbajtën dhe varrosën këtu libohovitin e madh që i bëri nder kombit, rasti i tretë historik është ajo koha e luftës së dytë botërore kur u bashkuat me aleatët. Rasti i katërt ai i vitit ’97, kur ju demaskuat një njeri që donte ta bënte skllav këtë popull. Rasti i pestë është tani, pasi ka uzurpuar vendin”.(Gazeta “Standard”, 05 maj 2010).
Besoj se për çdo lexues të thjeshtë është fare e qartë simbolika e çuditshme që fshihet prapa fjalëve të Spartak Ngjelës: me sa duket, ai kishte krijuar bindjen se “mishi” vlonjat është fare i lirë,prandaj edhe kërkonte nga Vlora “mish për topat e Edi Ramës”. Por çudia është se pikërisht ky Spartak Ngjela, pas ngjarjeve të vitit 1997, u caktua të kryesonte një grup hetimor parlamentar për lidhjet e Partisë Demokratike me firmat piramidale. Por pas përfundimit të atij hetimi, ai, në emër të grupit parlamentar, deklaroi: “Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë lidhje me firmat piramidale”!!!
S’ka asgjë për t’u befasuar me ato që deklaronte dje dhe ato që deklaron sot ky Spartak Ngjela, aq më tepër që ai është edhe kryetar i një partie pa elektorat. Prandaj edhe vlonjatët fjalët e tij besoj se duhet t’i kenë vlerësuar “me seriozitetin më të madh”.
Një militant socialist, në mitingun e Partisë Socialiste të organizuar në Fier më 06 maj 2010, deklaroi: “Ne nuk protestojmë në emër të Partisë Socialiste, ne protestojmë në emër të popullit shqiptar” (Kanali televiziv “Alsat”. Emisioni i lajmeve i orës 18-00).
Pra, Partia Socialiste paska “privatizuar” mbarë popullin shqiptar. Madje ajo e ka “privatizuar” atë që nga 25 gushti i vitit 1942, kur mëma e saj, Partia Komuniste e Shqipërisë, nxori numrin e parë të gazetës së saj me titull “Zëri i Popullit”. Por a duhet besuar që populli shqiptar të ketë mbetur tërësisht “pronë” e Partisë Socialiste edhe pas vendosjes së pluralizmit në vendin tonë?
Edhe në prag të 21 janarit 2011, zoti Rama iu kthye përsëri një simbolike komunisto-enveriste për tërheqjen e njerëzve në atë demonstratë aq të dhunshme: përgatiti trakte të posaçme dhe përmes rrethit të tij të ngushtë, ua dorëzonte njerëzve në dorë ose ua hidhte poshtë derës. Kjo ishte një përpjekje e dëshpëruar e zotit Rama për të ngritur stuhi në një gotë me ujë. Të vjen keq që zoti Rama nuk e kupton që populli është shumë më i zgjuar sesa politika(nët) dhe ai, kur është bindur përfundimisht se duhet ngritur në greva masive kundër qeverisë, ai ngrihet vetë, pa pasur nevojë për bodec nga pas apo për trakte poshtë derës.
Pra, siç u theksua edhe në fillim, protestat e Partisë Socialiste kulmuan më 21 janar 2011. Për pesë orë rresht, ashtu si edhe shumë bashkatdhetarë të mi, nga ekrani i disa kanaleve televizive, kam ndjekur me shumë shqetësim përpjekjen e Partisë Socialiste për të kryer një grusht shteti. Ajo goditje aq barbare e militantëve të paguar të kësaj partie kundër forcave të rendit para institucionit të Kryeministrisë, nuk është vënë re ndonjëherë në asnjë vend të botës. Kemi parë demonstrata shumë të dhunshme nëpërr rrugët e qyteteve të ndryshme të botës, por askund nuk kemi parë kurrë që të ndërmerret një sulm aq agresiv kundër kryeministrisë së një vendi. Ata qindra militantë të ndërkryer, të paguar dhe të nxitur nga Partia Socialiste për pushtimin e Kryeministrisë, të kujtonin hunvejbinët e Mao Ce Dunit gjatë kohës së Revolucionit Kulturor Kinez që filloi në vitin 1966. Madje, me egërsinë dhe urrejtjen e paparë ndonjëherë që manifestuan kundër forcave të rëndit, herë-herë të sillnin ndër mend falangat paramilitare të Arkanit, që shovinizmi serbomadh dikur i ndërsente kundër popullit shqiptar të Kosovës. Këto ishin falanga të instruktuara me shumë kujdes nga zoti Rama dhe rrethi i tij i ngushtë në krye të Partisë Socialiste, të cilin zoti Edip Shiroka, ish-kryetar i degës së Partisë Socialiste të Shkodrës, në një dalje që pati në TV “abc news” më 27 janar 2011, e quajti klikë kriminale. Në bazë të të dhënave që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, zoti Burgaj, paraqiti në komisionin hetimor parlamentar më 05 janar 2011, rezultoi se mes pjesëmarrësve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit, 321 prej tyre ishin persona me precedent kriminal dhe penal. Ky fakt dëshmon më së miri se për organizimin e grushtit të shtetit, zoti Edi Rama dhe klika rreth tij, në etjen e tyre për pushtet, kanë rekrutuar dhe hedhur në veprime të dhunshme skotën më të kriminalizuar të shoqërisë shqiptare. Në këtë mënyrë, 21 janari demonstroi në sytë e popullit shqiptar dhe mbarë botës se zoti Rama dhe klika rreth tij përfaqësuakan krahun politik të segmenteve më të kriminalizuara të shoqërisë shqiptare.
Fakti që vetë zoti Rama dhe rrethi i tij i ngushtë, i nxiti militantët e vet të kriminalizuar dhe të ndërkryer për t’u hedhur në një sulm prej njerëzish të çartur për pushtimin e Kryministrisë, kurse vetë u hoq mënjanë dhe u fsheh në njërën nga kullat përballë, nxjerr në pah pabesinë, mungesën e karakterit dhe burracakërinë e tij shembullore. Kurse tubimi i organizuar prej zotit Rama më 28 janar dhe prania e tij në Rinas më 06 janar, në pritjen e viktimës së katërt të 21 janarit, të kthyer nga Turqia, dhe marrja pjesë e tij në ceremoninë mortore të organizuar në Lezhë, në sytë e opinionit publik zbuluan fare lakuriq edhe hipokrizinë e tij befasuese.
Një qëndrim i tillë ndaj elementit njeri që e ka vënë kokë e këmbë në shërbimin e vet, dëshmon faqe shkoqur se zoti Rama i trajton militantët e vet si një material inert, me të cilin mund të bëjë çfarë të dojë, sa herë që atë e pushton instinkti i verbër për t’u ngjitur drejt majave të pushtetit. Pas dështimit të atij sulmi barbar kundër Kryeministrisë, zoti Rama dhe sejmenët e tij deklaruan se paskeshin qenë forcat e rendit ato që provokuan të parat demonstruesit. Kjo ishte një shpifje e kulluar dhe fort e shpëlarë, për faktin se qytetarët shqiptarë çdo gjë e kishin parë me sytë e tyre se ç’qëndrim heroik të jashtëzakonshëm mbajtën forcat e rendit.
[Mendoj se qeveria duhet ta analizojë me shumë kujdesë qëndrimin e forcave të rendit dhe të nxjerrë përfundimet e duhura për trajtimin që duhet t’u bëjë atyre. Gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kemi dëgjuar premtime të Kryeministrit për rritje pagash dhe pensionesh për kategori të ndryshme qytetarësh. Edhe në këtë fushatë zgjedhore që po afrohet, përsëri kemi për të dëgjuar premtime të Kryeministrit për rritjen e tyre. Por asnjëherë nuk kemi dëgjuar premtime për dyfishimin e pagave të punonjësve të policisë. Skenat tronditëse të 21 janarit duhet ta bëjnë qeverinë t’i kthejë sytë mirë nga forcat e ruajtjes së rendit dhe të marrë vendim për trajtimin financiar që meritojnë.]
Por si duhet kuptuar ky qëndrim i zotit Rama në krye të Partisë Socialiste? Nga buron ai? Mendoj se tërë arsyet e një qëndrimi të tillë fshihen në kodin zgjedhor që ai e përgatiti vetë para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Në bazë të atij kodi, të cilin zoti Berisha e pranoi pa as më të voglin ndryshim, zoti Rama, siç u nënvizua edhe më sipër, u shndërrua në një sundimtar pushtetplotë në krye të Partisë Socialiste: ai harton vetë listën e deputetëve dhe vendos vetë se cili deputet do të mbulojë zonën përkatëse zgjedhore, ai cakton vetë kryetarët e degëve të partisë në bazë etj. Kjo është një praktikë e pastër enveriste, sipas së cilës çdo gjë ishte e përqendruar në duart e njëshit të partisë. Në këtë mënyrë, mes njerëzve që kanë poste në strukturat e larta drejtuese, servilizmi ndaj kryetarit të partisë fillon e merr përmasa të frikshme, duke i zhveshur ata nga çdolloj norme morale, politike dhe juridike. Për pasojë, partia ngrihet mbi popullin, meqenëse populli voton për partinë dhe jo për individin, të cilin duhet ta njohë mirë dhe ta vlerësojë vetë kur të paraqitet para kutisë së votimit. Prandaj partia, një deputet që ka lindur dhe është rritur në Tiranë, e cakton si përfaqësues të popullit në një zonë zgjedhore në Myzeqe, në Labëri, në Dibër apo në Malësi të Madhe. Pra, deputetin nuk e zgjedh populli, ai i imponohet popullit nga ana e partisë. Kjo është një praktikë e shemtuar dhe ligji proporcional duhet shfuqizuar, për t’u zëvendësuar me ligjin mazhoritar, në mënyrë që populli të votojë vetë për atë kandidat për deputet, të cilin e njeh mirë se ç’integritet moral ka.
Nëse protestat e opozitës socialiste do t’i kalonim nëpër skanerin e politikës, do të vërenim se ajo i ka konsumuar energjitë e veta pa rendiment. E filloi aktivitetin opozitar me akuza për çështjen Fazliç, por paskëtaj e la në mes të rrugës, duke mos i ofruar asgjë konkrete opinionit publik. Nuk jemi në dijeni nëse ka dërguar gjësend në organet e akuzës ose jo. Vazhdoi me akuza në adresë të fëmijëve të zotit Berisha, por nuk na faktoi asgjë konkretisht. Edhe në këtë pikë nuk kemi dijeni nëse ka dërguar ndonjë dosje në organin e akuzës ose jo.
Në shkurt të vitit 2007, filloi ndërtimi i autostradës Durrës-Morinë që, me shumë të drejtë, është vlerësuar si rruga e kombit. Por, për çudi, Partia Socialiste dhe sidomos kryetari Rama, në vend që të shprehnin në heshtje gëzimin e tyre për këtë vepër me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, filluan sulmin kundër ndërtimit të saj, duke e akuzuar Partinë Demokratike dhe veçanërisht ish-ministrin e ndërtimit Basha, për korrupsion të përmasave skandaloze.
Por a nuk do të ishte e udhës që Partia Socialiste dhe kryetari i saj, si edhe mjetet e informimit masiv që atyre u mbajnë ison me kohë e pa kohë, t’u flisnin qytetarëve shqiptarë me fakte konkrete për mjetet financiare, të harxhuara për ndërtimin e kësaj rruge? A nuk do të ishte më mirë që të prisnin derisa të përfundonte ndërtimi i këtij objekti dhe mandej, me ndihmën e specialistëve përkatës, si arkitektë, inxhinierë ndërtimi, projektues, gjeometër dhe ekonomistë, të cilët Partia Socialiste i ka me shumicë, të bënin matjet përkatëse dhe të kryenin llogaritjet e duhura, në mënyrë që të nxirrnin koston reale të ndërtimit të kësaj autostrade dhe t’i drejtoheshin opinionit publik me fakte konkrete për përmasat e korrupsionit të qëverisë?
Partia Socialiste jo vetëm që nuk veproi kësisoj, por, fillimisht, u shpreh kundër nisjes së punimeve për ndërtimin e këtij objekti. Me këtë hap që ndërmori, ajo fitoi mërinë jo vetëm të qytetarëve shqiptarë të zonave nga kalon autostrada, por edhe të mbarë qytetarëve kosovarë, të cilët kanë qënë të dëshiruar tej mase për lidhjen me atdheun amë me një rrugë sa më të shkurtër. Me këtë qëndrim që mbajti, Partia Socialiste dhe kryetari i saj Rama e prezantuan veten si trashëgimtarë të kulluar të Partisë së Punës, e cila, për gati një gjysmë shekulli, Kosovën e kishte parë me syrin e njerkës. Prandaj ky qëndrim, për mendimin tim, nuk mund të mos ketë ndikuar edhe mbi shumicën e elektoratit shqiptar për të mos votuar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Qëndrimi i Partisë Socialiste dhe i kryetarit të saj mua më çuditi tej mase kur autostradën në fjalë e pashë me sytë e mi. Kemi ndjekur mjaft reportazhe për madhështinë e kësaj vepre gjigante, por soditja e saj me kujdes nga afër, në udhëtim e sipër, të lë të tjera mbresa dhe të ngjallë të tjera emocione. Më datën 04 shtator 2009, unë, bashkë me time shoqe dhe me djalin, i cili, bashkë me të shoqen e tij, Anitën, dhe djalin e vogël 5-vjeçar, Drinin, që kishin ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i kaluar pushimet në Shqipëri, udhëtuam nga Tirana deri në Morinë e kthim. Nusja e djalit, Anita Rollo, qytetare amerikane, u shpreh:
“Kjo është një vepër e shkëlqyer nga ana inxhinierike dhe e përkryer nga ana artistike”.
Jam i bindur se për një vepër të këtij lloji, të paparë ndonjëherë në historinë e vendin tonë, nuk mund të mos u gëzojë zemra dhe t’u qeshë nuri të gjithë atyre shqiptarëve që Shqipërinë e kanë shumë të shtrenjtë. Por, për çudi, Partia Socialiste dhe zoti Rama shfrytëzuan edhe fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit për të kritikuar me ashpërsinë më madhe Partinë Demokratike dhe sidomos Kryeministrin Berisha. Megjithatë, pavarësisht nga denigrimet dhe sulmet e egra të Partisë Socialiste, Kryeministri Berisha, me ndërtimin e Autostradës së Kombit (e cila meriton të shkruhet me shkronja të mëdha), ka zënë një vend të merituar në historinë e kombit shqiptar.
Pra, edhe këtë aksion që ndërmori kundër qeverisë, opozita e la në mes të rrugës.
Më 15 mars 2008 shpërtheu “bomba atomike” e Gërdecit. E shoqëruar me 26 viktima dhe me qindra shtëpi të shkatërruara dhe të dëmtuara. Por po mbushen tre vjet që nga dita e atij shpërthimi të gjëmshëm dhe deri tani është folur vetëm për ata që shisnin dhe blinin barut, por nuk është thënë asnjë fjalë se kush e projektoi dhe kush vendosi për ngritjen e asaj baze demontimi të armatimit mu në mes të një qendre aq të populluar. Është folur dhe është shkruar vetëm për “cironkat” e asaj ngjarjeje tragjike, kurse “peshkaqenët” kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbeten në hije. Përmasat e korrupsionit gjigant që fsheh çudia e shpërthimit në Gërdec, me siguri që nuk do të mësohen kurrë ndonjëherë. Për opozitën nuk di ç’të them: ose nuk qe e aftë, ose nuk deshi ta luante rolin e vet për zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Fort i çuditshëm m’u duk “pelegrinazhi” që organizuan krerët e opozitës, me zotin Rama në krye, me rastin e përvjetorit të parë të fatkeqësisë së Gërdecit: shkuan në Gërdec më këmbë dhe u kthyen po më këmbë, duke bllokuar edhe njërin nga akset e autostradës Tiranë-Kashar. Ishte pragfushata e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Por, për çudi, askush nga “gërdecarët” nuk doli as t’i priste, as t’i përcillte. Pra, skandalin e Gërdecit opozita, në vend që ta përdorte me zgjuarësi për tronditjen e themeleve të qeverisë, e shfrytëzoi thjesht për efekte elektorale. Për më tepër, e shfrytëzoi në një mënyrë aq të banalizuar, saqë as elektoratin e Komunës së Kasharit nuk arriti ta bënte dot për vete.
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, opozitës s’i është ndier më zëri për skandalin e Gërdecit. Po a e ndien veten të përgjegjshme opozita socialiste, kur deri tani s’ka dalë asgjë në dritë për atë tragjedi aq të rëndë? Po vall a është në dijeni opozita që të afërmit e viktimave të atij shpërthimi vdekjeprurës, të lodhur nga ecejaket e gjata nëpër dyart e gjykatave, kanë vendosur të bëjnë vetëgjyqësi. Në një material që qarkullon në internet me titull “Do ta gjejmë drejtësinë me kanun…”, thuhet:
“Feruzan Durda, kryetar i shoqatës së familjarëve të viktimave të Gërdecit, paralajmëron se nëse shteti nuk do të japë drejtësinë për 26 viktimat e pafajshme, atëherë do të veprojnë sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke bërë vetëgjyqësi. Reagimi i ashpër i familjarëve që humbën të dashurit e tyre në shpërthimin tragjik të 15 marsit 2008, erdhi fill pasi Gjykata e Lartë vendosi të dërgojë në arrest shtëpie të akuzuarin Dritan Minxolli, për shkak se i përfunduan afatet e paraburgimit” (Marrë nga faqja e internetit, 04 shkurt 2011).
Opozita ngriti zërin me shumë të drejtë kundër vendimit të parlamentit për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Por nuk jam i bindur nëse çështjen e çoi me vetëdije të plotë në Gjykatën Kushtetuese, apo dikush tjetër qëndronte pas saj. Se Partia Socialiste, ashtu si edhe Partia Demokratike, asnjëherë nuk është dalluar për mbrojtjen e interesave kombëtare në raport me shovinizmin grekomadh. Se si shpjegohet që Partia Socialiste nuk u ngrit dhe të thërriste popullin në protesta të fuqishme kundër vendimit antikomëtar të parlamentit demokratikas të 25 marsit 2010 lidhur me kalimin e ligjit për ngritjen e varrezave të ushtarëve agresorë grekë? Pse ka heshtur opozita socialiste për faktin që Shtëpia e Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet ka kaq vjet që mbahet e pushtuar nga shovinisti Janullatos, ky agjent i shërbimit sekret grek në krye të filialit të kishës shoviniste greke me seli në Tiranë? Ajo shtëpi kulture për ne është simbol kombëtar.
Opozita socialiste ka heshtur para faktit të greqizimit të shkallëshkallshëm të Shqipërisë së Jugut, duke u bërë palë me qeverinë në anashkalimin e synimeve afatgjata të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke për tjetërsimin e mëvonshëm të saj. Ky shovinizëm dhe kjo kishë shoviniste kanë kërkuar me kohë zgjerimin e territoreve të minoritetit grek në Shqipëri, duke pretenduar për Himarën, Korçën e për zona të tjera. Paskëtaj, përmes strukturave evropiane, u kërkua nga ana e tyre që të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe kombësia të deklarohet sipas dëshirës. Tani së fundi, përmes shqetësimit që shprehu zoti Kreshnik Spahiu në televizion më 03 shkurt 2011, në gjykatat e Gjirokastrës, të Sarandës dhe të Korçës qenka vënë re një mori shumë e madhe kërkesash nga njerëz të ndryshëm që kërkuakan të vetëdeklarohen si grekë nga kombësia. Për të shtuar radhët e elektoratit të vet, a nuk ishte ky një rast ideal që opozita socialiste ta shfrytëzonte me shumë zgjuarësi për të protestuar me forcë kundër lëshimeve që Partia Demokratike në pushtet i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë shovinizmit grekomadh në dëm të interesave tona kombëtare në Shqipërinë e Jugut?
Pse opozita socialiste nuk ngriti popullin në protesta të fuqishme para ambasadës greke, kundër thirrjeve të ushtarëve shovinistë grekë, të cilët po atë ditë, më 25 mars 2010, gjatë parakalimit të tyre, hidhnin parulla poshtëruese kundër kombit shqiptar në bulevardin kryesor të Athinës, në prani të presidentit grek Karolos Papulias? Pse opozita socialiste heshti për zhvarrimet në Kosinë, ku eshtrat e qytetarëve shqiptarë u shitën për eshtra ushtarësh agresorë grekë?
Konsulli grek Theodhoros Ikonomu, bashkë me dy deputetët grekë të Janinës dhe Follorinës, Mihalis Pandulas dhe Stathis Theodhoridhis, kanë cenuar sovranitetin e Shqipërisë me deklaratat e tyre politike të paradokohshme, të bëra publike në 20 vjetorin e themelimit të Omonias në Korçë. Pse opozita socialiste heshti? Nikolas Gejxh vjen në Shqipërinë e Jugut si në një stan pa zot dhe bën thirrje për tjetërsim të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar që banorët e jugut të vendit ta deklarojnë kombësinë sipas dëshirës. Opozita socialiste, me këtë rast, mund të kishte ngritur zërin me forcë kundër këtij shovinisti të urryer, këtij armiku të betuar të kombit shqiptar dhe jam i bindur që do të gëzonte një përkrahje të gjerë mbarëpopullore, duke ia pakësuar dukshëm elektoratin Partisë Demokratike.
Pas kësaj kërkese të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke, do të pasojë kërkesa tjetër për autonomi të Shqipërisë së Jugut, e cila, ca kohë më pas, do të pasohet me siguri nga kërkesa për referendum, me qëllim shkëputjen e saj nga trungu amtar dhe bashkimin me Greqinë shoviniste. Të dyja partitë tona kryesore, cilado qoftë në pushtet apo në opozitë, përsëri s’kanë për ta hapur gojën. Por harrojnë që shqiptarët nuk kanë vdekur dhe ka rrezik që vendi të futet në një luftë civile vëllavrasëse për shkak të epsheve të shovinizmit grekomadh dhe të kishës shoviniste greke për pushtime territoresh të huaja dhe të epsheve për pushtet të partive tona pa moral kombëtar.
Pse opozita socialiste nuk u bashkua asnjëherë me shqetësimin e mbarë qytetarëve tanë për mbifaturimet e energjisë elektrike dhe të telefonisë së palëvizshme që u kanë rrjepur atyre shtatë palë lëkurë, duke i varfëruar ata padrejtësisht?
Opozita Socialiste protestoi gjatë për grabitjen e votave më 28 qershor 2009 dhe kërkoi rinumërimin e fletëve të votimit. Por pas një verifikimi që bënë strukturat e pushtetit gjyqësor në Shkodër dhe në Ruzhdie, rezultoi se nuk kishte pasur asnjë shkelje apo grabitje votash gjatë procesit zgjedhor. Paskëtaj opozita hoqi dorë nga kërkesa për rinumërim të votave, duke e braktisur në mes të rrugës edhe këtë aksion të saj.
Pas publikimit të videopërgjimit të dyshes Meta-Prifti, opozita socialiste u bind edhe më shumë se kjo qeveri duhej larguar dhe duhej kaluar në zgjedhje të parakohshme. Por gjakrat e saj u ndezën edhe më shumë kur zoti Meta dha dorëheqjen nga posti i ministrit dhe imuniteti i deputetit. Paskëtaj opozita socialiste nuk priti përfundimin e hetimit dhe zbardhjen e së vërtetës së atij videoregjistrimi nga ana e organeve hetimore, në mënyrë që të merrej vesh përfundimisht nëse zoti Meta përfaqëson një figurë të pastër politike, apo është i përlyer dhe duhet të largohet përfundimisht nga politika. Jo, zoti Rama dhe rrethi i ngushtë i tij u nxituan të organizonin sulmin e egër të 21 janarit për pushtimin e Kryeministrisë. Po a nuk e mendonte zoti Rama dhe rrethi i tij i ngushtë se mes turmës së njerëzve me precetend kriminal dhe penal që solli para Kryeministrisë, mund të infiltronin kriminelë me mision të posaçëm, të ngarkuar nga Athina apo Beogradi, për të provokuar një konflikt vëllavrasës? Ndiej një lëndim shumë të thellë në shpirt për ato katër viktima, vrasja e të cilave duhet të zbardhet detyrimisht nga organet përkatëse dhe nëse do të dalë në dritë e vërteta, fajtorët, kushdo qofshin ata, duhet të marrin ndëshkimin e merituar. Vrasësi apo vrasësit e viktimave duhet të përgjigjen penalisht, por ama edhe zoti Rama që i nxori ato viktima në pritën e vrasësve, nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë së rëndë. Madje po të kishim një shtet me të vërtetë juridik, zoti Rama nuk do t’i shpëtonte dot as ndjekjes penale për nxitje për dhunë kundër institucioneve të shtetit.
Pra, nga sa më sipër rezulton se opozita socialiste nuk merakoset aspak për hallet që shqetësojnë qytetarin e thjeshtë shqiptar, apo për problemet me rëndësi kombëtare, në raport me shovinizmin grekomadh dhe kishën shoviniste greke. Ajo tërë pikësynimin e vet e ka te ardhja në pushtet me çdo kusht, qoftë edhe nëpërmjet dhunës. Një qëndrim i tillë dëshmon haptazi se Partia Socialiste dhe kryetari i saj nuk orientohen nga një filozofi e qartë në synimin e tyre drejt pushtetit. Kjo mënyrë të vepruari e opozitës socialiste më kujton një artikull mjaft të bukur të gazetarit të talentuar Ilir Yzeiri, me titull “Edi Rama apo heroi pa objekt”, të botuar këtu e ca vjet të shkuara. Në atë artikull ai shkruante:
“Partia Socialiste nuk është një formacion politik me ide. Është një grumbull i madh interesash që nuk kanë as filozofi, as ide, as ideologji, pra, asgjë. Partia Socialiste Shqiptare është vazhduesja e Partisë Komuniste. Pjesa më e madhe e anëtarësisë së saj janë komunistët që kanë si kult Enver Hoxhën, por kjo e vërtetë nuk thuhet asnjëherë. Ata janë aty, pra, në PS, sepse nuk e përtypin dot as sot përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe as në Evropë. Janë… gjithë aparati represiv i diktaturës, nëpunësit më mediokër dhe pa asnjë lidhje me demokracinë. Janë gjithashtu edhe një pjesë e madhe e komunistëve naivë, e shqiptarëve të ndershëm që i besuan Enver Hoxhës e socializmit. Mirëpo kjo përbërje laramane është bashkuar në një parti të vetme jo se në bazë të saj janë idetë apo platformat e socialdemokracisë evropiane. Aspak. Ata janë gjithë kundërshtarët e Partisë Demokratike dhe gjithë ata që e urrejnë Sali Berishën sepse ai u vu në krye të një lëvizjeje që anatemoi dhe hodhi në plehra një epokë të tërë, atë epokë që ata nuk mund ta pranojnë kurrë se ishte për t’u hedhur në kosh. Pas vitit 1997 nuk erdhi në pushtet e majta, erdhi revanshi dhe hakmarrja kundër PD-së dhe Sali Berishës. Dhe, në këtë parti e në qeverisjen e saj, u përfshinë të gjithë, por më së pari pjesa më e madhe e banditëve, kriminelëve dhe hajdutëve, njerëzit pa asnjë skrupull të administratës komuniste, ish-sigurimsa, të gjithë bashkë qeverisën për 8 vjet, duke dhuruar rekorde spektakolare vjedhjeje dhe deformimi. Humbja e PS-së dhe riardhja e Berishës në pushtet, nuk ishte meritë e këtij të fundit, por ishte pasojë e qeverisjes së një force politike pa ide, pa filozofi, pa ideologji dhe pa rregulla. Edi Rama nuk përmend kurrë se korrupsioni është melhemi që derdhet në të gjitha gjymtyrët e administratës së vjetër, se të bësh para me pushtetin u bë filozofia e vetme e partisë dhe e qeverisë së socialistëve, si një plotësim i filozofisë dhe i ideve që asaj i mungojnë” (Gazeta “Metropol”, 04 tetor 2005, f. 13).
Po ç’është ky ngut kaq i madh i opozitës socialiste drejt karriges së pushtetit?
Ky ngut shpjegohet me praktikat enveriste që dominojnë tej e ndanë formimin psikologjik të zotit Edi Rama dhe të rrethit të tij të ngushtë në krye të Partisë Socialiste. Si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, Partia Socialiste, pas tërheqjes nga pushteti politik më 22 mars 1992, filloi aktivitetin për hedhjen në dorë të pushtetit ekonomik. Dhe fuqizimin e vet ky pushtet e arriti gjatë ushtrimit të pushtetit politik, prej 29 qershorit 1997 dhe deri më 03 korrik 2005. Por kulmin e tij pushteti i saj ekonomik e arriti veçanërisht këto pesë-gjashtë vjetët e fundit, me përkrahjen e fuqishme të zotit Edi Rama, si kryetar i Bashkisë dhe kryetar i Partisë Socialiste. Prandaj, me këtë pushtet gjigant që ka në dorë, Partia Socialiste nuk mund ta përfytyrojë dot veten jashtë pushtetit politik. Prandaj ajo nuk mund ta pranojnë dot rikthimin në pushtet, në përputhje me afatet ligjore të Kodit Zgjedhor. Ajo po ngul këmbë për t’u rikthyer në pushtet, duke i djegur etapat ligjore. Veç kësaj, psikologjia sunduese e Partisë së Punës ka lënë gjurmë të thella në praktikën e ushtrimit të pushtetit nga ana e Partisë Socialiste. Lexuesve të nderuar duhet t’u kujtohet që në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, shumica dërrmuese e anëtarëve të saj ishin nga jugu. Qeveria e zotit Nano, e krijuar pas kundërrevolucionit bolshevik të vitit 1997, përbëhej prej ministrash me prejardhje tërësisht poshtë Vjosës. Ky ishte një qëndrim i kulluar racist ndaj Veriut të Shqipërisë, qoftë nga ana e Partisë së Punës, qoftë nga ana e trashëgimtares së saj - Partisë Socialiste. Pikërisht te kjo psikologji e ka burimin ajo urrejtje e papërmbajtur e zotit Edi Rama dhe e grupit rreth tij kundër zotit Sali Berisha, i cili e ka prejardhjen nga Veriu i Shqipërisë. Për më tepër, ata i mundon së tepërmi edhe xhelozia që ushqejnë ndaj zotit Sali Berisha. Ata mund ta urrejnë Kryeministrin e vendit, por qytetarëve shqiptar nuk mund t’ua mohojnë dot faktin se “inventari” politik i Partisë Demokratike është mjaft i pasur, në raport me Partinë Socialiste. Duan apo nuk duan ta pranojnë zoti Rama dhe grupi rreth tij, është fakt që pranimi i vendit tonë në Këshillin e Evropës më 29 qershor 1995, u arrit kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Disa ngjarje të rëndësishme për jetën e vendit tonë, si firmosja e MSA-së, marrja e ftesës për në NATO, pranimi në NATO, heqja e vizave për zonën Shengen, janë shënuar gjatë kohës që Partia Demokratike ka qenë dhe vazhdon të jetë në pushtet.
Bandat kriminale dhe trafiqet e ndryshme patën një lulëzim të jashtëzakonshëm gjatë kohës që Partia Socialiste ishte në pushtet. Prandaj edhe “inventari” politik i Partisë Socialiste mbeti mjaft i varfër. Kurse sot as që mund të bëhet më fjalë për banda kriminale dhe për trafiqe të çfarëdollojshme, çka nuk mund të mos vlerësohet lart nga ana e strukturave të larta të Komunitetit Evropian dhe sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kur zoti Rama erdhi në krye të Partisë Socialiste në vjeshtën e vitit 2005, Partinë Demokratike ai e gjeti në pushtet. Dhe që asokohe ai i pati mbushur mendjen vetes se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, ai do të bëhej edhe kryeministër me domosdo. Prandaj, siç doli në pah edhe më lart, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009, në të gjitha takimet me elektoratin, ai deklaronte: “unë do ta fitoj këtë betejë”. Ky pasion i tij i papërmbajtur për të qenë në krye të pushtetit partiak, vendor dhe qendror, shpjegohet me atë dukuri që quhet kompleks i inferioritetit.
Kompleksi inferioritetit është një tërësi ndjesish psikologjike dhe emocionale, që shprehen në ndjenjën brendadëmtuese të njeriut dhe në besimin irracional në epërsinë e njerëzve të tjerë mbi të. Ai lind si pasojë e shkaqeve nga më të ndryshme, siç janë traumat shpirtërore, gabimet dhe dështimet që njeriun e shoqërojnë në jetën e tij. Kompleksi i inferioritetit ndikon mbi gjendjen shëndetësore e shpirtërore, si edhe mbi mënyrën e sjelljes së njeriut.
I pari që ka studiuar, përshkruar dhe krijuar termin kompleks i inferioritetit ka qenë mjeku dhe psikologu austriak Alfred Adler (1870-1937), psikiatër dhe mendimtar, njëri nga pararendësit e neofrojdizmit, krijuesi i psikologjisë individuale. Sipas këtij shkencëtari të shquar, njerëzit që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, mundohen ta maskojnë një gjendje të tillë, duke manifestuar shfaqje të theksuara agresiviteti dhe prirje për konsumim alkooli, narkotikësh dhe për veshje që bien në sy. Mendjemadhësia dhe arrogance e tepruar janë tipare karakteristike të njerëzve që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit
Zigmund Frojdi (1856-1939) në veprën e vet me titull “Leksione për hyrjen në psikanalizë” shkruan se krahas faktorëve psikologjikë, në zhvillimin e kompleksit të inferioritetit, një rol jo pak të rëndësishëm luajnë madje adhe ato seksualë.
Për ta ndrydhur ndjesinë e kompleksit të inferioritetit, - thekson Adler, - njeriu priret për të pasur sa më shumë pushtet në duart e veta, ai poshtëron njerëzit e vet, si fëmijën, gruan, motrën, vëllain, prindërit e të afërm të tjerë, duke u munduar që në qenien e vet të ndërtojë një botë iluzore, ku ai e ndien veten mbret.
Ndërkohë, Alfred Adler pohonte se kompleksi i inferioritetit është edhe i dobishëm: në saje të tij, njeriu mundohet të vetëpërtërihet, të vetëpërsoset. Kërkesa kryesore e njeriut që vuan nga kompleksi i inferioritetit shprehet në prirjen e tij për të qenë kudo i pari, prandaj edhe ai mundohet ta kompensojë ndjesinë që e mundon si njeri inferior.
Por nëse njeriu arrin që ta kompensojë kompleksin e inferioritetit dhe të bëhet dikushi, ai atëherë kaplohet nga mania e madhështisë, një tip i vetëdijes ky ose sjelljes së individit që shprehet në një shkallë të skajshme të mbivlerësimit të vetvetes, ta famës, të popullaritetit, të pasurisë, të pushtetit dhe të ndikimit politik.
Mania e madhështisë mund të jetë shenjë e çrregullimeve psikike apo një lari e paranojës dhe mund të karakterizohet nga fantazi absurde për pasuri, për pushtet, për gjenialitet ose pushtet të pakufizuar.
Megjithatë, njeriu që vuan nga mania e madhështisë, mund të shndërrohet në një figurë të rëndësishme, si në rastin e matematicienit amerikan Forbs Nesh (Nash - 1928), laureat i çmimit Nobel të vitit 1994, i cili dikur refuzoi një post akademik me prestigj, me të vetmin argument, se ai duhej të ngrihej në fron si Perandor i Antarktidës.
Nga sa u parashtrua më lart për kompleksin e inferioritetit, lexuesit e nderuar le të gjykojnë vetë nëse zoti Rama e meriton ose jo të jetë objekt vëzhgimi dhe studimi për psikologun dhe neuropsikiatrin, si edhe ata individë që dikur kanë qenë objekt vëzhgimi dhe studimi për mjekun dhe psikologun Alfred Adler dhe psikanalistin Zigmund Frojd.
Prof.dr. Eshref Ymeri është i biri i Hasan Ymerit, veteranit të Luftës së Vlorës të vitit 1920, të cilin Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me dekret nr. 4040, datë 14 korrik 1965, e ka dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me këtë motivacion: “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”. Ka kindur në Smokthinë, në fshatin Mesaplik, më 25 dhjetor 1940. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1952. Kurse shkollën 7-vjeçare e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në fshatin Ramicë në vitin 1955. Në vitin 1959 përfundoi gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Për rezultate të larta në mësime, atë vitë iu dha e drejta për të vazhduar studimet universitare në Bashkimin Sovjetik, në njërin nga universitetet e Shën Peterburgut (ish-Leningrad). Pas prishjes së marrëdhënieve dhe ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve që udhëheqja sovjetike bëri me Shqipërinë, në qershor të vitit 1961 u kthye në atdhe dhe filloi studimet në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi ruse. Për arritje të larta që pati gjatë studimeve në universitet, në mbarim të tyre, në qershor të vitit 1966, Universiteti i Tiranës e emëroi pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Meqenëse ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës ruse dhe specialist i përgatitur i përkthimit, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në maj të vitit 1975, e dërgoi me shërbim në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur nga afër botimin në gjuhën ruse të vëllimit të dytë të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës. Puna për botimin e këtij vëllimi vazhdoi për gjashtë muaj. Pas botimit me suskes të këtij vëllimi, në tetor ai u kthye në atdhe. Në fakultet punën e vazhdoi deri më 31 gusht të vitit 1977. Për shkak të disa mosmarrëveshjeve që pati me organizatën e partisë të fakultetit, kjo e fundit vendosi ta qarkullojë nga universiteti, duke ia nisur dosjen për në Kukës, me pretekstin se nuk kishte qenë në bazë, por ishte emëruar pedagog drejtpërsëdrejti nga bankat e universitetit. Këtë lloj qarkullimi ai e vlerësoi si të padrejtë, sepse qe organizuar në shenjë hakmarrjeje kundër tij. Megjithatë ai shkoi e mori takim me nënkryetarin e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Kukësit që mbulonte sektorin e arsimit dhe e vuri në dijeni se nuk do të paraqitej në punë, derisa padrejtësinë që i ishte bërë ta zgjidhte në strukturat e larta të partisë. Ndërkohë, Shtëpia Botuese “8 nëntori” filloi ta zinte me punë si përkthyes të jashtëm, meqenëse në vjeshtën e vitit 1977 kishte filluar të shtohej intensiteti i punës për përkthimin dhe botimin në gjuhë të huaja të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës. Më në fund, pas një viti e gjysmë përpjekjesh për sqarimin e së vërtetës, dikush nga strukturat e larta të partisë dha porosi për tërheqjen e dosjes së tij nga Kukësi për në Tiranë dhe përcjelljen e saj për në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, duke marrë paraprakisht miratimin edhe nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, meqenëse ishte fjala për ta emëruar përkthyes të veprave të Enver Hoxhës në gjuhën ruse. Aty filloi punën në mars të viti 1979. Nuk kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga puna e tij si përkthyes, kur instituti i lartpërmendur dha porosi për emërimin e tij si shef të Redaksisë së Botimeve në Gjuhë të Huaja në atë shtëpi botuese (redaksi kjo që kishte në organikë 42 veta, bashkë me personelin ndihmës), detyrë që e filloi më 1 gusht të vitit 1981 dhe e la në fund të tetorit të vitit 1990. Gjatë atyre viteve redaksinë (që disa vepra të Enver Hoxhës i përkthente dhe i botonte në 7 gjuhë të huaja) e drejtoi me shumë sukses, përballoi edhe vetë një volum të madh pune (bashkë me përkthyesit e tjerë të sektorit të gjuhës ruse), duke marrë përsipër drejtpërsëdrejti edhe punën e përkthyesit të veprave të Enver Hoxhës, të botuara në gjuhën ruse. Për kontributin e rëndësishëm që dha në drejtimin e redaksisë dhe në përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e dekoroi me medaljen “Naim Frashëri” të klasës së dytë. Në fund të vitit 1991 largohet me dëshirën e vet nga Shtëpia Botuese “8 nëntori” dhe më 1 janar 1992 rifillon punën si pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Këtu punën e vazhdoi deri më 31 gusht 2003. Më 01 shtator të po atij viti largohet për në pension.
Ka shkruar deri me atsh qindra punime shkencore dhe publicistike.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...