Dritëro Agolli
Agjencioni floripress.blogspot.com
2011/02/14
Liria nuk është varfëri
“Lufta e ftohtë” në një monografi të Liman Varoshit
Megjithëse prej shumë vitesh, pranë Akademisë së Shkencave të Marshal Center të Nato-s në Garmish, Gjermani, një projekt ndërkombëtar i hartimit të një historie të “Luftës së Ftohtë” është ngritur dhe bashkëpunon me kryeqendra të dijes në gjithë botën, duke përfshirë “G. Washington University” dhe Departamentin Amerikan të Shtetit (“Cold War International Project History”); megjithëse vendet e dala prej ish-Lindjes bolshevike kanë pranuar rezolutat europiane për hapjen e arkivave të fshehta dhe dekomunistizimin e shoqërisë; një histori e tmerreve të gjysmë shekulli urrejtjeje dhe lufte nervash nuk është shkruar. Ca më pak në Shqipëri; në rrjetin akademik-universitar nuk ekzistojnë projekte të vërteta shkencore dhe nuk po krijohen breza të rinj studiuesish. Madje historia e “Luftës së Ftohtë” nuk përbën një disiplinë më vete, por trajtohet në kuadër të historisë bashkëkohore. Është historiani Liman Varoshi, aktualisht rektor i universitetit “A. Xhuvani” të Elbasanit, që me sukses merr përsipër ndricimin e këtij argumenti përmes një monografie të plotë, të cilën e ka publikuar këto ditë shtëpia botuese “Naimi” nën titullin “Lufta e ftohtë” në Evropën e Lindjes”, në kuadrin e kolanës së botimeve “Universitas”. Ky është botimi i dytë brenda një kohe të shkurtër i stjudiuesit Liman Varoshi, pas librit “Ballkanet mes tri perandorive”.
Sipas shprehjes së ish-presidentit amerikan G. Bush (Senior), antifashizmi qe vlera më e madhe morale që krijuan popujt në shekullin e 20-të. Fitorja antifashiste ishte shprehje e triumfit të vlerave njerëzore. Në entuziazmin e viteve të para të pasfitores, një iluzion i ri pushtoi globin: për një botë pa luftëra, për një botë të lirë dhe demokratike. Por ky iluzion u provua shumë shpejt se ishte i gënjeshtërt. Dy krahët e së njëjtës aleancë, që kishin luftuar e sakrifikuar bashkërisht për të mposhtur furinë nazifashiste, shumë shpejt u gjendën përballë njëri-tjetrit si dy kundërshtarë. Nisi ajo që njihet si lufta e sistemeve politike. Mure të rinj u ngritën në botën e re, që sapo kishte dalë nga një mundim titanik. Perëndimin liberal dhe Lindjen totalitare u duk qartë se i kishte bashkuar në një aleancë vetëm kërcënimi nazifashist. Sapo ky kërcënim u mposht; sapo lufta me armë mbaroi; sapo rendi i ri botëror u rikonfirmua; sapo u pranuan ekuacionet e reja gjeopolitike: ndarja e zonave të influencës, zëvendësimi i kolonializmit tradicional me hapësirat e kontrollit; një luftë e re rrethoi botën: “Lufta e Ftohtë”.
“Lufta e Ftohtë” më së shumti viktimizoi popujt që jetonin nën totalitarizëm. Në vështrimin perëndimor, Bashkimi Sovjetik u kthye në “perandori të së keqes”. Sikurse kishte parashikuar G. Orwell, “vëllai i madh” kërcënonte brenda më shumë se jashtë. Shqipëria ka specifikën e vet në historinë e “Luftës së Ftohtë”. Vendi më i bunkerizuar i Ballkaneve dhe ndoshta edhe më gjerë; vendi që kishte ndaluar me ligj besimet dhe të gjitha ideologjitë jozyrtare; vendi që jetoi nën kompleksin e një komploti të përgjithshëm global kundër sistemit të saj politik, edhe sot s’ka një bazë të dhënash dhe një bibliografi të qendrueshme për “Luftën e Ftohtë” dhe pasojat e saj deformuese në jetën shpirtërore të popullit, shkruan në hyrje të librit prof. Liman Varoshi.
Libri “Lufta e ftohtë” në Evropën e Lindjes” është një vështrim historicist, analitik dhe përshkrues për “Luftën e Ftohtë” në Lindjen komuniste. Qëllimi i tij është i njëjti me atë të tragjedive antike greke: “Mëso prej tmerrit!”. Qëllimi i tij është, gjithashtu, t’u përgjigjet pyetjeve të shumta të historiografisë së sotme, por edhe të miqve të historisë, lexuesve në përgjithësi rreth enigmave të kësaj periudhe të afërt historike.
05:03 Manush Peshkëpia ose Portret artisti në mungesë
Shkrimtari & Diktatura/ In memoriam në 100-vjetorin e lindjes së një autori të harruar, një prej emrave që zhduku diktatura, si zanafillë poetike, jeta e të cilit u ndërpre në kulm të pjekurisë intelektuale, në moshën 40-vjeçare. Shkrimtari Agron Tufa në portretin eseistik të mëposhtëm, tërhiqet mbrame, ndalet në emrin e Manush Peshkëpisë, ndeshur shpesh në shtypin e viteve ‘30, në revistat “Përpjekja shqiptare” të B. Merxhanit, të rinjohur me një aktivitet publicistik, poetik e përkthimor. Peshkëpia u pushkatua më ‘51, ndërsa emri i tij, në dy poezi, është përfshirë në një antologji të poezisë shqipe në gjermanisht, përkthyer nga Maximilian Lambertz
Shpirt' i ri posa gatuar,
Nëndë muaj n'errësirë
Nëndë muaj krejt i mpirë
E zë mall' i përvëluar.
Shpirt' i ri posa gatuar
N'errësirë s'duron dotë,
Do të vijë në këtë botë
Të shoh' dritën e kulluar.
Shpirt' i ri posa gatuar
Lindi, ra në botën t'onë,
Po - i shkreti shpirt' i njomë
Zu të qaj', oh, i penduar!
Nuk e di në është një nga krijimet e para të poetit njëzetë e ca vjeçar asokohe, Manush Peshkëpisë, por struktura e vargjeve, përsëritjet e vargjeve të para, organizimi i lirshëm i strofës me skema ritmike vargjesh dhe sidomos trajtimi i idesë si një trajektore e zhgënjyer fati nga hiçi në hiç na bën me dije se kemi të bëjmë me një dorë të ushtruar mirë një artin e poezisë dhe në shterimin e një përvoje leximore, e cila, përpos idesë së thelbit të lirikës, nuk i ngarkon aspak komponentët e poezisë me erudicione shtjelluese. Poezia vetë ngjan me një kantatë të trishtë, me një vokal të brendshëm intonativ, si grafikë lirike muzikore, të atilla që ngjajnë me zhanrin e "muzikë dhome" të Shubertit. Në këtë fill të brishtë këndon muzika e idesë së një "unë" pavetor, i cili mund të jetë njëherësh i yti dhe i gjithkujt.
Të gjitha poezitë e Manush Peshkëpisë, të shkapërdara nëpër shtypin dhe periodikët letrarë të kohës, flasin për një zanafillë të vyer të lirikës intime e filozofike, aq të domosdoshme në peizazhin e atëhershëm të poezisë shqipe, të sapodalë prej traditave epiko-didaktike me patos atdhetar. Emancipimi i lirikës sonë duket qartë se e ka pasur një kahje, një tendencë, një formacion ndjeshmërie, i cili përkapet si tek Manush Peshkëpia, ashtu edhe tek disa poetë të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci etj. Shumë prej këtyre emrave patën rrugëtime të ndryshme në letërsi, në varësi të koniunkturave ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore, disa ndërruan krejtësisht profil, duke u bërë shërbëtorë të regjimit komunist, e disa të tjerë, thjesht mbetën anonimat, pushuan së krijuari veprat e veta, ngase qe "stinë e keqe" për lirikën. Pikërisht në zërin e ndrydhur të këtyre të mbramëve duhet parë edhe fati i krijimtarisë së Manush Peshkëpisë. Autorët e tjerë të viteve '30 gjetën një mënyrë afirmimi; disa e përmblodhën krijimtarinë e tyre poetike në një libër edhe pas vitit 1945, si për shembull, Nexhat Hakiu, por Manush Peshkëpia mbeti i panjohur për lexuesin, duke ndarë fatin e shkrimtarëve të ndaluar të regjimit, edhe pse lirika e tij meditative me tone nostalgjike e pesimiste do të kishte qenë mjaft e dashur në epokën e denatyrimit të poezisë shqipe të realizmit socialist. Thjesht, për artin e tij në epokën servile nuk kishte më vend. Fatin e artit të tij e vulosi më së fundi, fati tragjik i jetës së shkrimtarit, për t'u shndërruar mandej në një nga emrat tabu gjatë diktaturës.
Tani që kanë kaluar mbi 70 vjet është e vështirë (por jo e pamundur) të risillet, së paku, bërthama e freskët e lirikës së Peshkëpisë. Krijimtaria e tij, e shkapetur nëpër organe e periodikë revistash e gazetash elitare para Luftës së Dytë Botërore, lyp një hulumtim e kërkim sistematik për t'u mbledhur e strukturuar. Ne, sot, vetëm se mund ta përftojmë e përkapim këtë trashëgimi letrare nëpërmjet indikacioneve e treguesve të ndryshëm në shtypin e kohës, apo nëpërmjet përmendjeve me veneracion të thellë nëpër mbresat e rrëfimet e atyre shkrimtarëve që e kanë njohur si njeri me shije e formim kulturor solid dhe si një nga krijuesit më të spikatur të viteve tridhjetë. Një ndër personalitetet qendrore të kulturës shqipe, prof. Arshi Pipa, sjell këtë miniportret të Manush Peshkëpisë në esenë e tij "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë":
"...Manush Peshkëpia ka tjetër histori. Qe arrestue që në ditët e para dhe dënue në Gjyqin Special të Tiranës me pesë vjet burgim. Bani katër vjetë dhe doli. Nuk kishte veçse dy vjetë që ishte lirue, kur e arrestuen përsëri. Kjo qe me rasën e bombës së hjedhun në Legatën Ruse, në Shkurt 1951. Bomba, si u muer vesh ma vonë, pat qenë vu nga nji antar i Partisë Komuniste. Ma se tridhjetë vetë, t'ashtuquejtun "reakcionarë", u pushkatuen m'atë rasë, për reprezalje. Njani ndër 'ta qe edhe Manushi.
Poezitë e Manushit janë të shpërndame ndër revista të ndryshme, dhe sidomos te "Përpjekja Shqiptare", e drejtueme nga z. Branko Merxhani. Janë poezi të shkurta, të qarta, plot ndije të shkrime në nji nostalgji t'ambël. Prof. M. Lambertz në librin e vet "Albanesisisches Lesebuch", ka përfshi disa shembuj nga poezia e Manushit. Poezitë janë të mira, por edhe ma i mirë ka qenë njeriu: i kthejtë, zemërartë, i butë, i nji butsije evangjelike, i pazoti t'i bante keq njeriut, as vetë anmikut". (1)
Ne kemi pasur raste të zhbirimit hulumtues të autorëve fare minorë në letërsinë shqipe të viteve ‘30, të çupëlinave e çunakëve me prirje e ëndrra marksiste e bolshevike apo të ashtuquajturve poetë-partizanë, si Memo Meto, Gaqo Kollumbi (Yrka), Qemal e Veli Stafa, Kristaq e Margaritë Tutulani etj., shkrimet e pakta të të cilëve janë mbledhur e komentuar, derisa kanë zënë vend edhe nëpër antologjitë shkollore, por armata e ideologjizuar e shkarrashkruesve të regjimit nuk arriti, së paku objektivisht apo qoftë edhe nëpërmjet qëndrimit kritikues, t'i përmendte shkrimet patriotike e intelektuale të Manush Peshkëpisë. Lufta e klasave e kishte prerë vendimin për t'i rraposur përjetësisht në harresë gjurmët humane të një intelektuali me horizont e vizion si Manushi. Ata mendonin se e kanë asgjësuar përfundimisht edhe njeriun, edhe veprën, sikur ai të mos paskësh ekzistuar kurrë! Birin e një familjeje me tradita intelektuale atdhetare, pasardhësin e një dinastie aristokratikë me vetëdije dhe shqetësim kulturor e kombëtar, komunistët u munduan ta shuajnë me jetë e me vepër, e mandej, me një egërsi të ligë, të vepronin me të njëjtin stil çnjerëzor edhe mbi trashëgimtarin e Manushit, Gëzim Peshkëpinë. I biri, Gëzimi, gjithashtu u dënua më qëllimin e qartë, që nga kjo familje e madhe, të mos mbeteshin më filiza. Megjithatë, linja e kësaj sage tragjike të familjes, nuk u ndërpre, përderisa i biri ia doli t'u mbijetonte burgjeve gjenocidiale enveriste për të mbërritur tek dëshmia. Libri tij memuaristik e aforistik "O njeri", i botuar para pak kohësh, bart karakterin tronditës fragmentar, pa aq sa na shfaqet fragmentare edhe jeta e të atit, gjithë ndërprerje. E pikërisht fragmenti na bën të lidhim sot fijet e përjetimit tronditës të individit në atë plojë rrënimtare të kohës, si fat dhe ekzistencë në zgrip të zhdukjes. (2)
Sërisht i rikthehemi mendimit, se krijimtaria e hapërdarë e Manush Peshkëpisë, paraqet ndoshta një model tragjik të fatit të intelektualit shqiptar, tek i cili është i mishëruar simbolikisht karakteri krejt ndërprerje të dhunshme kulturash, traditash, historish, kohësh, çka përbën një sens fatal vetëshkatërrimi, të cilin e kemi trashëguar në embrion tonë si komb. Nga kjo pikëpamje vetë fati i individiumit përputhet në mënyrë të hidhur me përvojat tona të dhimbshme kolektive.
Ne nisemi të mbërrijmë tek Manushi, por përpara kemi pirgje plehrash të historisë sonë, mbeturinat acide të ideologjisë, mosvëmendjen dhe mungesën e përgjegjësisë qytetare të trashëguar nga komunizmi. Rruga për të rinjohur veten tonë autentike, identitetin tonë zanafillor, do të ishte rruga për të mbërritur në një portret të plotë e të pastruar të Manush Peshkëpisë, të pastruar nga harresa dhe zhyli i kohërave. Madje edhe sikur të kishim të bënim, jo me një trashëgimi letrare, publicistike e përkthimore të shpërndarë nëpër botimet e kohës, por edhe sikur të kishim të bënim, qoftë edhe me një dëshmi të vetme, qoftë edhe me një segment epistolar!
Në gjithë rrëmetin dhe katastrofën që shkaktoi stalinizmi shqiptar, duhet të na interesojë njeriu në vetvete, njeriu si projekt antropologjik. Ne duhet të na interesojë se çfarë u bë me njeriun, me njeriun në përgjithësi, që në ditën e parë kur e morën dhe i hodhën prangat mes familjes, sepse nuk mund të ketë asnjë ngushëllim me slogane, asnjë rehabilitim në trajtë letre apo një qeseje me eshtra! Dhe rruga për të zbuluar portretin njerëzor dhe intelektual të Manush Peshkëpisë, është vetëm udhë në nisje, tentativë drejt përftimit të tij, nxjerrjes së tij nga harresa. Se nuk mund të shlyhen ashtu siç mendonin komunistët gjurmët e një jete të tërë njerëzore! Shpesh nga harresa ku është flakur prej dekadash, Manush Peshkëpia na jep shenja, lajmërohet; gjurmët e tij i ndeshim në trajta mjaft intriguese. Një numër i "Revistës letrare", me drejtor dhe përgjegjës Vedat Kokonën njofton se së shpejti do të dalë në qarkullim edhe libri i Manush Peshkëpisë - "Folklori i Epopesë së Vlorës, 1920". Përpos këtij libri të paralajmëruar (fatin e të cilit nuk e dimë, së paku nuk dimë as për dorëshkrimin e mbetur në ndonjë arkiv të Sigurimit të shtetit), ndeshim në publicistikën eruditive të tij, sidomos në "Revistën letrare" me rubrikën "Të huajt për ne", kryesisht analiza, meditime dhe recensione të vyera për librat e shkruar mbi realitetet shqiptare: analiza të librave të Justin Godart-it, Gabril Louis-Jaray, Fracesco Krisp-in etj.
Rëndësinë e krijimtarisë poetike të Manush Peshkëpisë e ka vërejtur edhe studiuesi dhe një nga albanologët më të shquar gjermanë, Maximilian Lambertz, duke e përfshirë atë si autor në antologjinë e poezis shqipe të përkthyer dhe botuar në Leipzig më 1948 me titullin "Albanisches Lesebuch". Në këtë antologji në gjermanisht Manush Peshkëpia përfaqësohet, krahas poetëve më të rëndësishëm të viteve '30, me dy poezi: "Der Mutter" (Nënës) dhe "Der Blonden" (Flokëverdhës).
Jeta e poetit Manush Peshkëpia u ndërpre nga plumbat, në frymën e barbarisë komuniste, në moshë të re, kur kishte 40 vjeç. Zakonisht në këtë moshë artisti piqet dhe bën sintezën e përvojave të veta. Ne nuk e dimë se si do të zhvillohej poetika e tij; nuk dimë se çfarë zhanri do të lëvronte Manushi, qoftë dhe në heshtje, i pabotuar, sikundërse nuk dimë ende asgjë mbi fatin e dorëshkrimeve të tij. Me siguri raportet e tij me shkrimin do të ishin shtjelluar në vepra sirtarësh, si rezistencë, e papërzier në korin himnizues të regjimit. Por ai kishte dashuruar kombin shqiptar, jo komunizmin. Një ndër hartuesit e platformës ideore të Ballit Kombëtar, Manush Peshkëpia e kishte bërë zgjedhjen e vet si kundërshtar i ideologjisë bolshevike. Ne vetëm mund të hamendësojmë mbi rritjen e tij intelektuale dhe llojin e letërsisë që mund të shkruante, po aq sa e dimë mirë, se një mundësi e tillë pak shanse kishte të ndodhte, për shkak se "hekatomba" komuniste nuk mund të kursente intelektualë të tillë si Manushi... përpos kësaj, më të vëllanë (shkrimtarin Nexhat Peshkëpia) të arratisur në Amerikë! Herët a vonë do të mbërrinte ajo natë e kobshme, ai "Shënbartoleme" i kuq, ashtu siç e përshkruan i biri, Gëzimi: "Në datën 27 shkurt (1951) trokitën në derë, hynë brenda dy persona të cilat na komunikuan: ‘Manush Peshkëpia është pushkatuar sot, si armik i popullit. Me 3 mars të keni bërë gati plaçkat sepse do të dëboheni nga Tirana. Në 3 mars erdhën me kamionë për të na marrë. Shumica ishim gra dhe fëmijë të trembur… ". (3)
Në një nga numrat e revistës "Përpjekja Shqiptare", gjendet një poezi tipike e Manush Peshkëpisë, që shpreh ndjesinë tragjike të jetës dhe fatit të shkurtër të njeriut në këtë botë. Përkohësia, efemerizmi i lëndës, itinerari i shkurtër jetësor i njeriut si bujtës i trishtë në visoret tona, ngulitja fatidike se jeta është veçse një ëndërr e shqetësuar - përbën ndoshta një metaforë, që përmbledh në një kornizë simbolike portretin e papërfunduar të njeriut ëndërrimtar, intelektualit të shqetësuar dhe krijuesit me fat tragjik. Megjithëse poezia i kushtohet, siç e thotë dhe titulli "Shokut të vogjëlisë" (Nikollaq Ruçit, ajo e përmbledh edhe fatin e vetë autorit në paradigmën filozofike të "jetës-ëndërr", që kalon parasysh, duke lënë më fort mbresën e hidhur se sa gëzimet e saj:
Jeta jote? Flakë n'erë!
Ndezi, shoi me nxitim
Dhe s'të fali mor i mjerë,
Asnjë ditë pa vajtim!
Psherëtite, ngashërove,
Jo se gjë të pat munguar,
Po sepse në bot' s'shikove
Veç të mjerë - e të munduar.
E në kohën më të ndritur
Sapo ish edhe agim,
Shpit-e-zemërë-zhuritur
More udhën që s'ka kthim...
Ç'janë ndaj përjetësisë
Parëvera njëstenjë?
Shok, o shok i vogjëlisë,
Vetëm nj'ëndër dhe asgjë! (4)
Ky vit që po mbyllet, shënon 100 vjetorin e lindjes së intelektualit dhe shkrimtarit Manush Peshkëpia, të pushkatuar në moshën 40 vjeçare, pas asnjë gjyq, thjesht sepse ai nuk shfaqi asnjë zell për t'i kënduar komunizmit dhe "njeriut të ri". Për të shkuarën dhe për të ardhmen e tij, ky njeri duhej të fshihej e të asgjësohej pa lënë asnjë gjurmë mbi këtë tokë dhe mbi këtë popull, që e deshi, me atë dashurinë e dhimbsuri që ia mëkuan të parët e tij. Dhe parulla leniniste "Kush nuk këndon me ne, është kundër nesh", nuk mund ta kursente vetëdijen intelektuale e nacionaliste të një atdhedashësi. Tjetër vend nuk kishte për të! Ne nuk mund ta zhbëjmë dot "veprën e pandreqshme të vdekjes", por ne mund ta ringjallim kujtimin e tij, duke e risjellë, duke ribashkuar të gjitha gjurmët e krijimtarisë dhe copëzat e jetës së tij, në një portret të qëndrueshëm, më të plotë, me të cilin të kemi se ç'të kuvendojmë, sepse kemi ç'të mësojmë prej shembullit të jetës dhe përpjekjeve të tij - në mos shumë - të paktën do të mësojmë si ta duam vlerën e patradhëtueshme të atdheut, njeriut dhe ndjenjën e pandotur mbi të bukurën.
Shënime:
1-Arshi Pipa "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë", gazeta "Shqiptari i Lirë", 31 mars 1959
2- Lidhur me librin "O njeri" të Gëzim Peshkëpisë ia vlen të sjellim një fragment nga shkrimi i Fatos Lubonjës "Kujtesa si rezistencë" (Panorama, 13 gusht 2009), për të ilustruar idenë e fragmentit si rrëfim mbi plojën familjarë e individuale: "Ata që në jetën e lirë sot shkruajnë për jetën e burgut, janë dëshmi e kësaj rezistence, e këtij mospranimi, e këtij qëllimi jete. Për një pjesë jo të vogël, ky qëllim jete ka qenë të jetuarit për të rrëfyer një ditë tragjedinë tonë njerëzore. Libri “O njeri” i Gëzim Peshkëpisë është provë e kësaj mbijetese. “të ekzistosh do të thotë të mbërrish në një libër”, - thotë Stephane Mallarme. Nëse di t’i vija një nëntitull këtij libri, ai do të ishte “Episode burgu”. Kjo sepse karakteret e shumtë dhe ngjarjet që tregohen në të, nuk përshkruhen duke u shtjelluar gjerë e gjatë, por në formë episodesh. Episodi është si një pikë kulminante i një ngjarjeje apo i një karakteri që ka mbetur i mbresuar në kujtesë. Është e vështirë të shpjegosh deri në fund mjetet e kujtesës që na bëjnë që ngjarje dhe njerëz t’i harrojmë dhe të tjera t’i mbajmë mend. E sigurt është se ky proces kujtese flet për ndjeshmërinë e secilit. Episodi është kështu si perla e krijuar me guaskën e kujtesës, pikërisht aty ku mbresa/plaga ka qenë më e fortë".
3-"Siç kanë emër ata që u vranë duhet të kenë emër dhe ata që i vranë", "Përpjekja", 6 mars 2006
4- "Përpjekja Shqiptare", nr 18-24, dhjetor 1938, fq. 404.
E Lumja Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë
“Unë Jam një Pendë në Dorën e Zotit”
E Lumja Nënë Tereza
Klajd Kapinova*
13 vjet më parë Vuajtja, mbeti pa shërim. E Lumja Nënë Tereza Ishte dhe Mbeti Dashuri në Vepër. Trupat e Ghand-it të Indisë dhe Xhehral Nehru, (Kryeministër i parë) kishin si privilegj shtratin e topit, për t’u dërguar në banesën e fundit. Këtë fat kishte edhe trupi i bamirëses së famshme botërore Nënë Terezës, i mbuluar me shumë ngjyra lulesh dhe me flamurin kombëtar të Indisë. Në varrimin e Saj, më 13 shtator 1997, morën pjesë 1 milion vetë, në një varg të gjatë prej 9 kilometër dhe 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremoninë për në banesën e fundit.
Por, bota asokohe ishte në zi. Humanistja me origjinë shqiptare, ka ndjerë jetën dhe vuajtjen, për t’ia lehtësuar atë të varfërve midis të varfërve. Njerëz me zemër të madhe e ndërgjegje të pastër, janë të domosdoshëm, për të lehtësuar ato vuajtje, që mori përsipër për 50 vjet të shëronte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës.
Më shumë se kurrë, bota ka mbetur jetime. Bota shtoi pikëllimin mbi Shenjtëreshën e gjallë të kohëve moderne. Njerëzimi, humbi Nënën e Madhe dhe fitoi Shenjtëreshën e Madhe.
U tronditën isntitucionet teologjike, civile, kulturore dhe shkencore. Shkencëtarët, tashmë kanë rënë në heshtje të thellë (për disa çaste), duke respektuar Princeshën e Humanizmit. Kumbimi i këmbanave, mbushi eterin dhe më shumë ato u mbytën nga kumbimet e zemrave njerëzore. Jeta njerëzore humbi drejtpeshimin, ndjeu varfërinë, që papritmas e pllakosi në mënyrë tragjike, përballë pllakosjes së tragjedisë. Ajo ishte dhe është më tepër Njeri-Nënë-Shenjtëreshë.
Atëherë ajo ishte thjesht Gonxhe. Një ditë do të ishte Nëna e të Gjithëve, një Shenjtore Mëshirëplotë, në të gjallë e mbas kalimit në amshim. Tek figura e Saj poliedrike evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë predikuese, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjenjave që quhet mirësi njerëzore dhe formë praktike, si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues. Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si një moralizuese, por si objekt kristian, që mishëron diçka më shumë.
Bamirësja e famshme, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër. I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa e mori në krahët mikpritës të Tij.
Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave. Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e Saj të ngrohtë, duke u thënë: “Mos u merzisni! “Unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore...”
Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë E Lumja Nënë Tereza. Ajo u thoshte në shqip bashkëatdhetarëve: “Zoti ju bekoftë!”.
Si një mesazhere biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, Ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i Saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, urretja, luftrat e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre. Ajo ishte një ushtri e vërtetë dashurie.
Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën e përditshme në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, fëmijëve, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve etj., që padrejtësisht ishin braktisur nga paraardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote. E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte çdo ditë u jepte me gjithë zemër përkushtimin mbinjerëzor, u dhuronte me ëmbëlsi aq të dashurën fjalën hyjnore plot vlerë: “Dashurinë”.
Ajo, përsonifikonte mirësinë, dashurinë me anë të Jezu Krishtit në Tokë. Me dashuri e përvuajtëri, iu bind fjalëve profetike të Shelbyesit-Jezu Krishtit. Dhe tashmë Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndrronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. E Lumnueshmja, është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën Ajo u shkëput me dëshirë.
Pak sintezë është mirë të thuhet
“By blood, I am Albanian. By citizenship, an Indian. By faith, I am a Catholic nun. As to my calling, I belong to the world. As to my heart, I belong entirely to the Heart of Jesus.”
Mother Teresa
Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë. Për më tepër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, sëbashku shpalosin veçoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj.
Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë.
Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit Terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të Saj pa jetë tokësore, duke kërkuar një kod të ri moral.
E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi. E Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perandorë të tillë (24 perandorë në historinë e Romës antike), si: Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 mbas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare? A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: Shën Lauri, Shën Flori, Shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”), të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët Shën Lauri e Shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit?
A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur Kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir, në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo? Sa kontrast i madh!?
Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe katër papë, një ndër të famshmit me emrin Gain (nga Salona antike), të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtarë shqiptarë. E gjithsesi, bota e krishtërë dhe Kisha në veçanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta, që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik Prof.dr. Zef Mirdita, pedagog i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.
Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit e kësaj toke, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit, si: Papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfilltë arbëror në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj. Por të mos harrojmë, se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po Shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?
Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për shqiptarët dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë. E kjo ishte E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX.
Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën! E famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Gjergj Kastriotit legjendar, që si “Atlet i Krishtërimit”, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar. Ajo jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua E Lumja si e tillë sepse ishte shqiptare?
Të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme. Ajo tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.
Kësisoj e parë në radhën e figurave të ndritura të kombit tonë, mund të them se Nënë Tereza për shqiptarët, mund të krahasohet vetëm me figurën e Gjergj Gjon Kastriotit-Kryetrim i Arbërisë, i cili, me qëndresën e tij në shek. XV, i vuri shqiptarët në krye të listës së popujve heroikë e liridashës, ndërsa E Lumja Nënë Tereza me bamirësinë si vyrtyt, u dha shqiptarëve një vend nderi në hartën botërore të kulturës e humanizmit. Ajo mbetet gjithnjë paradigma udhërrëfyese për gjithë njerëzimin, aq më tepër për shqiptarët, kudo ku flitet dhe shkruhet shqip, në hapësirat shqiptare, por edhe në ato të shpërndara anekënd botës.
Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i Saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale. Ku t’a dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të Kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë; ku t’a dinte ai se si një kor gjigand, të gjithë njerëzit e planetit kërkojnë që Ajo të shpallet Shenjtore edhe zyrtarisht nga insitucioni më i lartë i Kishës Katolike (Selia e Shenjtë) në Vatikan.
Në saksinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai (babai) i vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë Gonxhe. Dhe Gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë…
E Lumja Nënë Tereza, kërkoi me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo ishte një dhuratë e Zotit, për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se çdo gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”-i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera. Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptar.
“Të përkujtosh humanisten e madhe Nëna Terezë në 100-vjetorin e lindjes dhe të përpiqesh ta rrokësh personalitetin e saj madhor me një fjalim modest si ky, është thjesht ambicie e parealizueshme. Prandaj do të duhet t’i referohemi asaj që ajo e mbolli në jetët tona –dashurisë–që të mund të thithim diçka nga nektari i jetës që ajo ia fali kësaj bote. Sepse, në filozofinë e Nënës Terezë, dashuria është jetë, ndërsa bota nuk është asgjë tjetër, pos një rrënjë pa dashuri. Në këtë botë të çoroditur e vrazhdë, ku e keqja është kudo, e paprekur mbetet vetëm dashuria për njeriu, që gëlon në zemrat e njerëzve të mëdhenj. Se, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin. Ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për ta mbajtur dinjitetin njerëzor, të cilin e konsiderojnë të shenjtë”, vlerëson Prof. Dr. Avzi Mustafa.
Mbretëresha e Humanizmit, e Pëllumbit të Paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare, sepse është pjesë e hershme e genit shqiptar. Rastësia nuk e solli Atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat, që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e foshnjës mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.
Ajo erdhi në jetë, në fillim të shekullit XX, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej Saj, atje, ku në saj të veprës që realizoi, bëri shndërrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër.
Në tryezën e shenjtorëve të Romës, do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave. Ndoshta, edhe një Nënë, që shëroi plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur…
Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës. Me shtatë pëllumbat e bardhë të veshur në sari ka ngritur folezat e dashurisë Hyjnore, për njeriun e Atdheut të Saj.
Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të Engjëllit Mbrojtës, që komunikoi me botën Hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.
Panteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me kalimin në amshim të Të Lumes Nënë Tereza, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë. Porse kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.
Anjeze Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997), bota e nderon mbas vdekjes tragjike të Princeshës së Wellsit Lady Diana, një ndër miket e afërta të Nënë Terezës. Lajmi i dytë është shumë më i hidhur për ne. Kjo vjen nga shpirti me fjalë zemre të pikëlluar, sepse ishte një njeri frymor, që drejtohej drejt Shpirtit të Shenjtë dhe Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli.
E shpirti i mrekullueshëm ishte vetë E Lumja Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur Shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”-ka përkufizuar bamirësja shpirmadhe Nënë Tereza.
E Lumja Nënë Tereza solli evolucion, ose lëvizje të re në shpirtin e Saj njerëzor. Besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë. Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.
Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit…
Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje.
Kësisoj, nëna është një titull jete, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje. Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur, që kanë mësuar të shprehin në fillim gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.
E Lumja Nënë Tereza, nuk është asgjë tjetër, veçse një kryenënë e të gjithë nënave të botës, që mirë ose jo, përpiqen të pakësojnë dëshpërimin e madh të kësaj bote të rënduar. Dashurinë për jetën e ka ushqyer përherë.
Ajo me shpirtbutësinë bujare, punoi përmes duarve të rreshkura, që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë. Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë.
Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje. Ka ulur urretjen midis njerëzve, duke falur dashurinë midis atyre njerëzve nën shembullin e Jezu Krishtit.
Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë, që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjetshme.
Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e Saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë Gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë.
Postulatet e Saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide:
“Nuk ka paqe pa dashuri”,
“Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”,
“Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”
Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës, që sërisht vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.
Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e Saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike. Ajo kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se “dhimbja e tjetrit zbutet kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te”. Ajo shihte frikë nga vdekja, ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.
E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në Kryq. Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit. Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë. Dhe asokohe me kalimin në amshim, bota u ul në gjunjë përpara madhështisë së bamirëses së Saj.
Media marramendëse elektronike, nuk e besoi humbjen e Saj dhe bëri që t’a nderonin të gjithë të pasurit dhe me të dashurit e Saj, të varfërit midis më të varfërve, mbasi Ajo dinte të komunikonte me të gjithë qëniet njësoj si Krijesa të Hyjit.
Ajo ndërroi jetë, mbasi shenjtorët nuk vdesin. Përpara kamerave, bliceve, internetit në të gjithë botën shihej qartë se si luksi e grykësia njerëzore, etika e moralit akademik, uniforma e ushtrisë dhe kostumet e diplomatëve, mbetën të shtangur dhe u përulen me veneracion, me pendesë të thellë plot shqetësim përpara atij lëmshi njerëzor, e aq gjigand njëherësh! U këput Gonxhja e Shqiptarëve, Lulja e Njerëzimit. E Lumja Nënë Tereza, është Poezia e Jetës, Poezia e Njerëzve të Varfër.
Kalkuta shumëmilionshe dhe me te, mbarë bota që e nderon si Qytetare Nderi të çdo kombi, race dhe ngjyre, është ulur në gjunjë dhe si një domosdoshmëri pavdekshmërie, kërkon të Shenjtërohet.
Ajo u shpall Shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbajë në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misioneve të Saj, të cilat, me stoicizmin e tyre, janë plazmor si specie Tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara kudo nëpër botë...
Me siluetën e Saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë (sary), me shirita ngjyrë blu Nënë Tereza, u shpall E Lumnueme, që do të thotë një hap para Shenjtnisë (më 19 Tetor 2003) nga Papa Gjon Pali II.
Ndërsa ish drejtori i Radios “Zëri i Amerikës” publicisti Frank Shkreli, duke theksuar kontributin e madh që ka dhënë e jep çdo ditë Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York, nën drejtimin e bariut shpirtëror Të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, në artikullin analitik: “Nënë Tereza: NDERI I KISHËS KATOLIKE DHE KRENARIA E KOMBIT SHQIPTAR”, ndër të tjera vlerëson:
“Në shpirtin tim, jam thellësisht i gëzuar që kam rastin e bukur të jem me ju sonte: me Dom Pjetrin dhe anëtarët e këshillit dhe pjesëtarë të famullisë "Zoja e Shkodrës", me të gjithë ju, që çdo ditë punoni e flijoni aq shumë për ideale të përbashkëta, në emër të interesave fetare e kombëtare.
Përveç dobisë shpirtërore, që është misioni i parë i kësaj kishe “Zoja e Shkodrës”-binomin "Fe e Atdhe"-e zbaton në flakë e në dritë të fesë, por gjithmonë duke mbajtur gjallë zakone e tradita kulturore, thjesht kombëtare, duke ruajtur e shtuar në këtë vend të madh pasurinë etnike të trashëguar nga të parët tanë, trashëgimi kjo që na bën të mundur ta quajmë veten, krenarisht, Shqiptarë në dheun e George Washington-it dhe Abraham Lincoln-it, në këtë vend të lirisë e demokracisë.
Me të drejtë, ne të gjithë jemi krenarë me veprimtarinë e kësaj kishe në laminë e fesë dhe të shqiptarizmit, veprimtari që është bazuar në terminologjinë e Imzot Pjeter Bogdanit: "Fati i im është fati i popullit tim", veprimtari kjo për të cilën edhe Nënë Tereza është krenare, në 100-vjetorin e lindjes se Saj.”
Ky artikull është botuar në numërin special me ngjyra të revistës “Jeta Katolike” #59, kushtuar 100-vjetorit të lindjes sw të Lumes Nënë Tereza, New York, 2010, f.26-29
nga Kolec Çefa:Shkrime të panjohura të At Gjergj Fishtes
Njerëzit e mëdhaj janë stacione kombtare ku na ndalemi për të meditue, edhe për të kaluemen, edhe për të ardhmen. Në fushën e kulturës sonë shqiptare, i tillë âsht edhe Fishta. Përkushtimi i tij për fe, atdhe e kulturë shqiptare âsht imponues. Megjithatë, ende ka mbetë, edhe e pambledhun plotësisht, edhe e pastudiuar krejtësisht, krijimtaria e veprimtaria e tij. Përpjekje të mira në këtë drejtim janë ba nga P. Benedikt Dema, i cili na jep një pasqyrë të botimeve fishtiane, por jo të plotë. Janë botue disa vëllime tjera për krijimet e Fishtës, vështrue në pamje të ndryshme, por përsëri me mungesa. Po ndalem tek mbledhja e prozës fishtiane nga grupi i Z. Frano Kullit dhe nga Dr. Persida Asllani, që na kanë mbledhë me kujdes e mund prozën e shpërndame të Fishtës. Në gazetën “Posta e Shqypnìs” janë botue disa artikuj “Permbi burim të gjuhvet letrare” dhe artikulli “Mikrobët e gjuhës shqype”, të cilët, tue qenë pa firmë, janë lanë jashtë përmbledhjeve. Prof. Kostallari i përmendë e shkruen: “Artikulli nuk nënshkruhet, por, sipas shumë shenjave, duket se mund të jetë shkruar nga Gjergj Fishta, drejtues i këtij organi”. (dhe krijon rast për të sharë klerin katolik). Shtojmë se Prof. Dr. Nuri Gokaj i njef për të Fishtës. Unë i kam përfshie në një vëllim të ri që mendoj ta botoj. Subjekti gjuhësor aq shpesh i rrahun prej Fishtës, madje i rrahun me kulturë të gjanë e pasion atdhetari per tanë jetën, ka qenë i parapelqyem që në fillimet e krijimtarisë së tij. Edhe punoi e shkroi shumë për alfabetin tonë, gjuhën shqipe e shkollën kombtare. Shkruente se “gjuha letrare âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë;… se per perparim të gjuhës amtare âsht nevoja me u librue ç’prej themelit politikisht”; … se gjuhën e ndërtojnë shkrimtarët e dijetarët e zanatit”. Fishta nuk pranonte dekrete as porosi nga nalt për gjuhën shqipe, nuk ishte për ngutje, nuk ishte për shartime dialektesh. Këto mendime e trajtimi i këtij subjekti, me stilin e tij fishtian; fjalori i tij i pasun e frazeologjia karakteristike në pendën e Fishtës, më çuen tek perfundimi se proza e pambledhun “Mikrobët e gjuhës shqype”, si edhe “Përmbi burim të gjuhvet letrare”, sado pa firmë autori, (ka edhe shkrime tjera në “Postë…” të Fishtës pa firmë autori të pambledhuna) kanë dalë nga mendja e penda e Fishtës, prandaj duhet të rreshtohet si krijim letrar i Fishtës. Përsëri në gazetën “Posta e Shqypnìs” Fishta ka botue një reçension për veprën e Mjedës “Juvenilia”, kritikue nga monizmi, madje edhe tue krijue kontradiktat Fishtë-Mjedë. Prof. Vehbi Bala shkruen: “Në një anë, Fishta çmoi disa vlera në “Juvenilian” e Mjedës, kurse në anën tjetër, ai e kritikoi. Meritat e veprës… Si të meta të veprës, Fishta shënoi një melankoni, që nuk rrjedh gjithmonë nga zemra sa nga mendja e autorit. Ai nuk i përfilli shfrimet romantike të Mjedës si shprehje të ndjenjave, por diçka cerebrale”. Pavarësisht nga kredibiliteti shkencor i thanies së masipërme, unë po ndalem te një identifikim imi (botue ma parë në veprën time “Në gjurmët e Fishtës”, por i papërhapun). Po në gazetën e citueme, Fishta (për mendimin tim) âsht autori i recensionit të dytë për “Juvenilian” me titull “Literaturë shqype”, në anonimat, ku lavdon poezinë e Mjedës për ndiesi, per zeje, per gjuhë, të hijshme: “Kur këndon ato kangë, as nëpermend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo asht gjuha shqype”. Dhe shprehet ma poshtë kundër perziemjes së dialekteve.
Një identifikim tjetër, që unë e kam përfshie në permbledhjen time, âsht edhe një analizë kritike që Fishta shkruen per Koliqin, por tash po ndalem te një prozë tjetër, e pambledhun, pse e panjohun si e Fishtës.
Më 1921 plasi kryengritja e Mirditës. Thuhet se paaftësia e prepotenca e anëtarëve të qeverisë, rrjedhë ndoshta nga ndonjë ndjenjë negative, çuen në ngjarjet që ndodhën pas. Deputetët e Shkodrës, kleri katolik, kërkuen të çohej një delegacion me në krye Bajram Currin komandant, me u marrë vesht. Mirëpo ngjarja përfundoi me luftë kundër Mirditës. Fishta shkroi një prozë që ia fali drejtorit të fletores “Shkumbini” që e botoi në nr. 30, datë16. 9.1921. Qeveria arrestoi drejtorin, pse kërkonte artikullshkruesin. Ma gjatë lexoni ma poshtë:
Këshilli kombtar
N. 617/III
Të Shkelqyeshmes Kryeministri
Tiranë
Në pergjegje të shkresës nr. 1982 të Ministris të Punëve të Mbrendshme, paraqit me anën të Shkelqyeshmes Kryeministri, kemi nderin me u njoftue se deputeti i Shkodrës Z. At Gjergj Fishta u pyet mbi ketë çashtje. Z. e tij thotë, se artikullin vet(ë) e ka shkrue, por pa nënshkrim dhe per hesap të Redaksis të gazetës “Shkumbini”, dhe tue thanë direktorit t’asaj gazete, që artikullin mundet t’a ndryshojë, ose mos t’a botojë se s’pranon aspak pergjegjësi.
Pritni nderimet tona shumë të nalta.
Kryetari
Eshref Frasheri
Tiranë, me 22/10/921
Vula
Mikrobët e gjuhës shqype
Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort. Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype! Nen shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp,
botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha. Tjerët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane. E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit: Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë. Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme. E, shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper. Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje. Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype.
(“Posta e Shqypnìs”, 1918, nr.30, F.4).
Literaturë shqype
Si e kemi lajmue edhe nji herë tjetër, fort i Nderti Zotni Dom Ndre Mjedja në këto kohët e mbrame, tue herrë lulishtën e Zanave, ka mbledhë e ba tubë do lule të bukura poezie plot njomësi e hijeshi e i quejti “Juvenilia”, nën të cillin emën kuptohen vjershat e kangët e tija të shkrueme në moshë të re. Prej emnit të përvujtë të të mbledhunit të këtyne kangëve, njeriu s’kishte me pritë se gjenë aty mbrendë nji poezi të naltueshme e vjersha të punueme me zeje. Por puna âsht krejt ndryshe.
Në atë libër ke nji poezi plot ndiesi, nji zeje të pashoqe e nji gjuhë fort të hijshme. Kur ti këndon ato vjersha, të ngjallet menjiherë uzdaja se me gjuhë shqype ka me mujtë dikur me u mëkambë nji literaturë e zgjedhme e e hijshme. Kur këndon ato kangë, as nëpërmend nuk të kalon me thanë: Jo, kjo âsht gjuha e Shkodrës, ase e Korçës, ase e Elbasanit, por thue: Kjo âsht gjuha shqype. Në ato kangë nuk janë shartue mollat me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk âsht e perbame me fjalë të trillueme mbas qejfit e me hamendje; por âsht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, që âsht goja e popullit, prej visarit të kombit që âsht literatura e perbame me mund e me kohë. Prej këtij libër shifet kjarisht sesa arsye kanë ata që thonë, se gjuhën letrare e ban pupla e letrarve e jo pallavrat e thata. Prandaj na po jau porosisim këte libër gjithë dashamirësve të literaturës kombtare e, sidomos mësueasve e nxanësave të shkollave si fillestare, si të mesme. E shpresojmë se shqyptarët kanë me iu pergjegjë kësaj porosie tonën, psekujtojmë që ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypnì a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletore tonë, atëherë e kemi përnjimend e jo per me shkarravitë leter.
Libri “Juvenilia” në këto ditë âsht qitë me u shitë e kush don me e ble, t’i sillet shtypshkrojës françeskane në Shkoder, tue dërgue çmimin e tij që âsht tri koronash, si edhe shpenzimet e postës, kush e porositë me postë.
(“Posta e Shqypnís”, nr.54, f.3, Shkoder, 22 qershuer 1918).
Fjalë të reja e mentalitete të vjetra
Sot âsht tuj u vra shqiptari me shqiptarë. Sot nji krahinë e përmendun e Shqipnisë, Mirdita, âsht tuj u la në gjak të shqyptarëvet! Punë fort e ligë; punë e keqe fort! Kush e ka fajin?
Qatje kah nbarimi i qershorit të këtij vjeti doli fjala e mori dhén, se paria e Mirditës, Z. Marka Gjoni i Gjomarkajve, po e kishte ba pleqni me krén të vendit, m’e shkepë Mirditën prej Qeverijet të Tiranës e me ngrefë per te nji qeveri tjetër të re, e se, per me i dalë kësaj pune në krye, po kishte kalue deri në Prizren, per me lypë prej serbëve ndihmë financjare e ndihmë morale a diplomatike.
Qeveria jonë e paska pasë ndie ket fjalë e menjiherë vendueka, me çue në Mirditë një forcë ushtarake, per me prue me fuqi t’ armëve Marka Gjonin në fille, me gjith krén e me gjith popull kreshnik t’atij vendi.
Të ndershmit deputetët e Shkodres, tuj marrë vesh se ishte kah mëkambej nji ushtri me i ra Mirditës, i tërhoqën vërejtjen qeverisë, se mëndorja e kohëve e e vendit e lypte, që bashkë me ushtri të dërgohej edhe një komision, për me u marrë vesh nji herë ma para me Kapitan Marka Gjonin e me tjerë krén të Mirditës mbi shkaqe të verteta, që i kishin shtye me lypë të ndamit e Mirdites prej qeverijet të Tiranës. Mbas projektit të të ndershemve deputetë të Shkodrës, komisioni do të përbahej prej katër vetëve: tre zotni shkodranë, dy katolikë e nji muhamedan, e Bajram Beg Curri, i cili do të ishte kryetar i komisjonit e komandar i ushtrisë, kështu që mos të dilte kurrnji kundërshtim i damshëm ndërmjet komisionit e komandet ushtarake. Proponuem Bajram Beg Currin, pse ky vetë e shpija e tij, jo veç mbas luftave e kryengritjeve, që në këto vjett e mbrame kanë shëmtue vendin tonë, por edhe perpara, ishte në lidhni miqasore me derë të Gjomarkajve e me popull mbarë të Mirditës e, pse edhe vjet që shkoi u diftue burrë e komandar i zoti në të shtypun t’ esadistëve. Ma teper do dijtë, se i gjith populli katolik i Shqypnisë së Eper ka nji besim të plotë në burrnì e në bujarì të këtij burri të ndershëm.
Qeverija nji herë e parapa plotësisht projektin e deputetëvet të Shkodrës, por mbasandej, per arsye që parlamenti do ta kishte me detyrë me e dijtë, e qiti poshtë. Lëshoi esadistat prej burgut, siguroi miljonat në kasë të financës, edhe, nën komandë të Z. Kolonelit Ali Fehmi Bej Kosturit, ia lëshoi ushtrinë në shpinë Mirditës. E kështu, shi në këto kohë historike zunë me u vra e me u pre shqyptarët ndermjet vedit.
Edhe na jemi mendimit, që në Shqypni mos të ketë veçse nji qeveri të vetme, pse kështu njinija e jeta e kombit sigurohet ma mirë. Por kur të marrim para sysh, se edhe njeti aty-këtu nëpër botë ka shtete të mbarështueme nder kantone, me një qeveri qandrore, si Austro-Hungarija motit e Helvecia në ditë të sodit, na, per me u dashtë me u dhanë fjalëvet kuptimin e vet të vertetë, ma fort se nji tratti, çashtjen e sotme të Mirditës e mbajmë nji çashtje politike të permbrendshme: pse edhe qeverija nuk mundet me na vertetue pozitivisht, se me ket lëvizje Kapiten Marka Gjoni do pernjimend me i lëshue shteg jugosllavit, që të dalë në skele të Shnjinit. Por edhe me pasë per të kenë e vertetë kjo fjalë, nuk kishte me kenë arsye me u çue na e me mbytë shoqi-shoqin, tue kenë se të lëshuemit a të moslëshuemit shteg jugosllavëve neper Mirditë, nuk asht nji çashtje kjo që mund të rregullohet prej Kapiten Marka Gjonit a Eljaz Beg Vrijonit, por prej Konferences së Paqes.
Prandaj na nuk kuptojmë se si mund të jetë, që shi njajo qeveri e cila jep autonominë administrative Himares, ku ende nuk asht e sigurtë, se populli i atij vendi, pa u hap nji plebishit prej anës së Konferencës së Paqes, dishmohet shqiptar: që shi njajo qeveri, e cila lëshon prej burgut njata shqiptarë, që vjet me ndihmën e serbëvet dojshin me ba që jo veç Mirdita të shkepej prej qeverijet të Tiranës, por që me gjith Shkoder t’i lëshohej Jugosllavisë, nuk kuptojmë, po thomi na, se si njajo qeveri të shkojë sod e të vrasë e të therë Mirditasit që lypin vetëm me u shkepë prej qeverijet të Tiranës, mbasi edhe Turqija, ligji i së cilës sod me sod zotnon në Shqypni, ia ka pasë njoftë nji administratë privilegjante.
Por këto janë punë që i perkasin kompetencës së parlamentit, na këtu vetem duem të pyesim qeverinë: çka bani ajo e ç’mjete të paqta perdoroj per të bamë që Mirdita mos të lypte me u shkepë prej qeverijet qandrore? Duhet dijtë, se nder shtete parlamentare nuk janë vetem mitralozat e topat, që mbajnë qetësinë nder krahina të ndryshme të atdheut, mandej ka pasë thanë edhe ai i moçmi: nandëdhetenandë urti e nji trimni.
Se asht zanë fill Shqypnia zyrtare e e ligjshme, duem me thanë, prej 1914 e deri sot, shtetin tonë e kanë sundue këto qeveri:
1. Qeverija e Princ Vidit.
2. Qeverija e Turkhan Pashës
3. Qeverija e Sulejman Beg Delvinës
4. Dy qeveritë e Eljaz Beg Vrijonit.
Tash të gjitha këto qeveri çka banë për Mirditë, ose ma mirë, të thomi, për Shqypninë Veriore?
Njiherë qeverija e Princit Vied me i lajmue s’i lajmoi popullit mbi Breg të Matës e perpjetë, se Shqypnija kishte dalë shtet më vedi e se kishte edhe nji princ suveren të vetin: pse, sa per dhetë miljonat ar që aso kohe u shpenzuen në gjashtë muej, as nji dy pare si nuk u dha per të mirë të kësaj krahine. Per qeverinë e Turkhan Pashë dihet vetem këta, që dërgoi njiherë në Lezhë për çashtje të dhetave të Zadrimës e se desh të ngrefë nji nenprefekturë në Bushat. Nen qeverinë e Sulejman Beg Delvinës u ngref lufta me jugosllavë në Hot e në Kastrat, nuk dihet se pse, edhe u rrenue Malcija e Madhe, nji krah i fortë i Shqypnisë. Ma teper kjo qeveri organizoi nji operacjon ushtarak në Zadrimë e t’i lëshoi mbi shpinë atij populli Shkoder e Postrripë, ushtarë e bashibuzukë, e gjendarë gjithfarë ngjyret e veshet, me bajrakë e me burija e me teneqe, të cillët, mandej, kjenë gati tue u vra shoq me shoq, pse ky po hante pata ma shum, jo pse ai po rruente biba e desh e qè të Zadrimës, si t’ishte kjo armik e jo pjesë plotësuese e Shqypnisë. E po qeverija e Eljaz Vrijonit? Si të gjitha tjerat. As ndreqi rrugë, as shtroi urë, as çili treg, as vu rend e rregull e nder 503 shkolla, që mban shteti shqyptar në të gjith prefekturën e Shkodrës ngrefi vetem tetëmbëdhetë shkolla fillore e dy qytetëse. Një punë tek asht: të kallëzoj vetë ç’të mirë i suell qeverija e tij Shqypnisë së Eper, që me terheqë prej vedit besimin e saj? Këtu, posë mungesash të kësaj qeverije, kishim me mujtë të njehim edhe shum e shum gabime e shperdorime auktoriteti të bame prej anës së kësaj qeverije, por ngushtica e fletores na pengon të zgjanohemi ma teper nder këto fjalë. Tash nji qeveri që s’asht e zoja t’i sjell nji të mirë vendit dhe asht e ngushtueme të ngrefë luftë dy-tri herë në vjetë me popull të vet, dmth, se gjindja e saj ende s’e kanë mentalitetin e perbamë, per me vu nevojët e kohëve të sodshme e të systemeve të reja. Edhe Turqit e Ri dhanë konstitucjonin e mbasandej çuen Turgut Pashat e Xhavit Pashat me topa e mitraloza nëper Shqypni.
Por mos të harrojë qeverija, se ka thanë i moçmi, që: “kush mbjellë erë, korrë duhi”.
(Kjo prozë , e panjohun si e Fishtës, u botue në gazetën “Shkumbini”, nr. 30, datë 16.9.1921.)
Një shenim: Fishta me Kostaq Cipon kanë pasë edhe mosmarrëveshje per punë shkollash. Po shkruej ma poshtë një mendim të panjohun të Fishtës për të tregue se njerëzit e dijes, edhe kritikojnë njeni-tjetrin, edhe e vlerësojnë njeni-tjetrin; edhe grinden njeni me tjetrin, edhe ndihmojnë njeni –tjetrin. Lexoni si Fishta ndërhynë për të faluë Cipon e merguem.
Fishta per Kostaq Cipon
Kostaq Cipo ka krye studimet në Itali dhe âsht laurue në letërsi. Asht një nga ma të aftit e studiosa profesora të Shqipnìs në letërsi klasike e kombtare. Sa e çmoj që më nderon me miqsìn e tij – nuk ka dhanë kurr rasë me dyshue mbi disiplinen e tij e vartësìn e tij ndaj njerëzimit të qytetnuem. Ka grue e fëmijë e, vjetin e kaluem, qe drejtor i liceut të Korçës. Nga mueji i gushtit të kaluem gjindet i merguem vazhdimisht.
Lutemi, herë pas here, të lihet i lirë e t’i kthehet familjes që, shkaku i syrgjynosjes së tij, gjindet në vështirësi.
Elbasan, 26.VIII.24
Edhe një letër e pabotueme e Haxhiademit per Fishtën:
Shumë i ndershëm e i shkelqyeshëm poet,
Kur u këtheva sivjet prej Berlini në Shqipnì e u takova me Zotnìn t’uej në Tiranë, u gëzova shumë tepër.
Desha të bisedoshim atë ditë pak mbi poezìn e literaturën shqipe, por mjerisht nuk u poqëm mâ. Si e çoni mbë atë farë Shkodre nashti, o monsignor?
Un Bukolikën e Vergilit e mbarova së përkthyemi në heksametrë shqipe, kështu edhe tragjedìn originale t’imen “Odyssen” e mbarova tyke derdhë gjithë mundin t’em, dhe si vers mâ të hieshëm për tragjedì zgjodha atë të Shakespeare-t e të klasikëvet gjermanë pentapodia giambica.
Për me iu përshtatun shijes së popullit t’onë mâ tepër I kam shtuem edhe rimën, kurse ata t’jerët e kanë sciolto.
Zhvillimin e traghedìs e kam bamë krejt në mënyrën klasike dhe njerzit që lozin janë katër e dëften vdekjen e pamëshirshme t’Odysseut prej të birit që pat me Kirkën (Circe) Telegonin, tyke mos e njohtun se ishte i ati të cilin e kërkonte shumë kohë.
Tragjedija sa âsht tragjike, aq âsht melankolike e me moral të fortë; dhe jam sigur, monsignor, që ka me ju pelqyem mjaft, n’e këndofshi ndonji herë, kur të na qëllojë rasti me u takue.
Due me i shtypë të dyja këto vepra, por si student që jam nuk mundem kurrsesi; prandaj pyes zotnìn t’uej a ka ndonji njeri që të mundet me i botue këto dy vepra tyke i shtypë, se besoj që nuk janë fare pa randësi.
Pres përgjigje prej zotnìs s’uej këto dy javë, se mâ vonë ndoshta nisem për Berlin.
Me ndér
I jueji për jetë
Edhem Haxhiademi
Po i mbyllim këto të dhana me një epigram të pabotuem të gjuhëtarit të nderuem P. Justin Rrota: “Shkrue më 14 tetor 1929 në ditën kur sivëllaznit e kuvendit uruen të Perndershmin At Gjergj Fishta OFM me rasën e marrjes, më 12 tetor, të titullit Lector Jubilatus nga i Perndershmi At Gjeneral i Urdhnit, Shkodër (Gjuhadol).
Epigrami âsht shkrue latinisht nga autori dhe përkthye në shqip prej Z. Zef Simonit, poliglot, përkthyes e leksikograf.
Sot në ditën e katërmbëdhjetë të tetorit të vjetit 1929
Të gjithë hareshem të mblidhemi shokë e miq
Per t’i urue gëzim e lumtuni
Të Perndershmit At Gjergj Fishta O.F.M.
Princit të madh të letrave tona
I cili në zhvillimin e arteve të bukura
Ka merita fort të mëdha
Dhe në këte ditë
Mori titullin Lector Jubilatus
Si Ai që tregoi qartë e bindshem
Se ç’mund të bajë e ç’bukuri ka
Gjuha amëtare
Për shumë shekuj heu! E lanë mbas dore
Rrnofsh gjatë, për nder e lavdinë tonë, rrnofsh për jetë
Ashtu si shkrimet e tua do të mbeten
Përmendore të perhershme të popullit tonë!
Shundi dhe kiçi i kanë kapluar radiot dhe televizionet kosovare
Nga Akademik Akil Koci
Se kënga e jonë e bukur shqipe është zëvendësuar me do këngë të quajtura ,,popullore,, që janë një
bastard i melosit të fqinjëve tanë. Shundi dhe kiçi i ka kapluar radiot e televizionet kosovare,
të cilët as që çajnë kokën për to vetëm shikojnë që ta plotësojnë programin e tyre muzikor..
Tash më nuk ka dyshim, se këto këngë i këndojnë lloj lloj të vetëquajturit këngëtarësh por, është mjerim kur ato këngë i këndojnë edhe të themi këngëtar që kanë të kryer jo vetëm shkollën e muzikës por edhe fakultetin e Arteve, pra ajo është mjerim. Kemi shumë raste të tilla, që parakalojnë në ekranet tona televizive dhe në valët e radiove të shumta anë e mban Kosovës. Pra, janë të shumtë të tillët por një
kësi rasti që do ta paraqesim është eklatant ku shumë këngëtar të njohur(s`paku si thonë vetë, “me renome pa fije turpi këndojnë këngë të krijuara dhe të stërkrijuara nga arsenali me vulgar, dhe kështu e shkatërron këngën tone të bukur shqipe, në vend që t`a begatoi nga folklori i pasur i trevës rurale prej nga edhe kanë ardhur. Prej tyre s`paku është pritë, që si këngëtar,pedagog-profesor të muzikës
në ca shkolla fillore dhe të mesme të i mësojë nxënësit, intelektualët e ardhshëm që ta ndiejnë muzikën dhe ta shijojnë atë si vlerë artistike, kurse ata me ato shumë këngë që i këndojnë dhe shumëzuara në CD-a janë të kompozuar prek atij apo prej ndonjë diletanti. Shembull më i mirë për këtë që them janë këngët, nga arsenalet e tyre si janë , “Matura” dhe “Shko”. Këta këngëtarë që u kemi dhënë mësim, unë dhe shumë kolegë të mi, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, s`paku unë turpërohem kur ia fillon këngës të bazuar në melosin oriental, magjupsh, sërb, maqedonas, turk, arap e ku ta di unë se çfarë tjetër ka në to. Kanë qenë këngëtar simpatik, në fillim të karrierës, kur fillonin të këndonin ato këngë të zonës rurale prej nga edhe e ka prejardhjen, por me të kënduar në kafene, ata jo vetëm që ia ka prish shijen vetit por edhe shumë dëgjuesve, shijen për këngën e bukur shqipe. Pra si thash prej tyre është pritë
që në shkollë ku jep mësim ta këtë korin, orkestrën dhe ndonjë ansambël tjetër, apo grup vokal. Ata këndojnë dhe sigurisht e “kompozojnë” .Njëra prej këngëve të tilla është kënga me titull “ Matura e cila nuk është asgjë tjetër por një bastardim i melosit tone shqiptar. E çka është më interesant ajo për video klipin e bërë shfrytëzon po ata nxënës të cilëve u jep mësim dhe me ditar në dorë në njërën prej klasave të shkollës realizon në mënyrën më primitive.
Turp, Turp, Turp.
Emocionet kukamës gjatë këndimit të këtyre dy këngëve qe janë nga bagazhi i tij i madh këtyre huqeve këngë që janë të njëjta me ato të njeriut primitive.
Asgjë nuk ka edukative në këto këngë pos kukamës, vajtimit për vajzën ose dashurinë e humbur por me një tekst që ta qon mundin kur ta dëgjon, në vend që të këndon për gëzimin dhe harenë ose s`paku për të bukurën.
Është fakt se edhe dashuria është e bukur, pa mare parasysh se në çfarëdo moshe ajo paraqitet por
si ashtë thane në tekst është shumë mbrapsht. Ja po i citojmë ca ,,vargje,, të shkëputura prej këngës
Shko.
Nuk e di se ke ndryshu
Ti nuk je ajo
Që unë të kam njohtë,
Nuk di ç po ndodh me ne,
Sot nuk ishe siç ishe dje.
Shko nuk prish punë
Dashuria është e verbër,
Këtë ta kam pas thënë njëherë tjetër
Udha e mbar shko nuk prish punë.
Jeta qenka rrugë e vështirë
Lamtumirë.
Ti ke ardhë në jetën time
Sikur stina më e bukur
Më ke thane se zemrën tande
Vetëm unë të baj të lumtun.
Nëse ty të kujtohet
Edhe unë mbaj mend sikur sot
Kur pran meje çaje me lot.
Pjesë nga teksti i këngës siç e këndojnë këta këngëtar.Pra, ngjan edhe kjo.Në mungesë të produksionit të vërtetë siç ka qenë përpara që të gjitha këngët i bënin në Produksionin e Radio Prishtinës, nën kujdesin e profesionistëve sot veprojnë ,,profesionistët, që më së paku kanë lidhje me muzikë dhe këngën shqipe.
Ata bëjnë zgjedhjen e këngëve dhe këngëtarëve dhe natyrisht se rezultati asht katastrofal.
Pra ,shkatërrohet një vlerë kombëtare-kënga e cila na ka përcjellë gjatë tërë ekzistimit të popullit tone.
Njëherë e përgjithmonë duhet thënë STOP, por nga kush. Shoqata e kompozitorëve të Kosovës nuk funksionon,
Produksioni nuk ekziston, Ministria e kulturës që e ka për detyrë që për kë silloj këngë të formoj komision dhe të i vë nën mbikëqyrje këto këngë dhe të sanksionohen me dënime ose me tatime siç vepron tërë bota.
PARA KOMANDANTIT DHE PAS GOMARIT MOS RRI
Kjo fjalë e urtë do të përshtatej shpejt si slogan i Kosovës dhe Shqipërisë. Kam dëshirë ta analizoj këtë fjalë të urtë në kurriz të vendit që unë jetoj. Në fund të fundit për një përqindje të madhe është reale. Kjo fjalë e urtë është filozofia që na robëroi për 50 vjet, të cilat i cilësojmë me emrin diktaturë dhe u bënë 20 vjet pjesë e filozofisë me emrin demokraci.
Do të na ndjekë gomarllëku për një kohë të gjatë. Por e gjitha kjo, ka një ngërç. Sepse jemi ne që vendosim një gomar mbret. Prandaj, të analizosh përse gomari vret dhe nuk shan, duhet të shqetësohemi për kopenë e derrave që e bën mbret. Gomari është i paditur. Viktor Hygo ka thënë "Që nga padituria, shpeshherë vjen guximi".
Guximi në vetvete është mposhtje e frikës, ose njohjes së saj. Mendoj se frika na sundon, dhe po nuk e kontrolluam na shkatërron. "Kushdo do të kishte dëshirë të bëhej mbret, përveç të diturit" - Shopenhauer.
Ndonjëherë mendoj qe është e qëllimshme, përse postet e larta ia lënë në dorë gomerëve, sepse ka një shtrat të madh justifikimesh për të ardhmen. I dituri dëshiron të jetojë në hije, sepse e di që hija është forca e vërtetë, por dritën e sheh ai që është më lart e në këtë rast gomari shijon.
Dhe nuk shan por vret, por mendoj se shan pasi vret. Kjo është gjendja tragjikomike, në të cilën ne zgjohemi përditë dhe nuk arrij ta kuptoj si na zë gjumi në darkë. Ne do ta lëmë këtë botë, po aq të marrë dhe gënjeshtare, sa ç'e kemi gjetur kur kemi lindur.
Subscribe to:
Comments (Atom)
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...