Kjo fjalë e urtë do të përshtatej shpejt si slogan i Kosovës dhe Shqipërisë. Kam dëshirë ta analizoj këtë fjalë të urtë në kurriz të vendit që unë jetoj. Në fund të fundit për një përqindje të madhe është reale. Kjo fjalë e urtë është filozofia që na robëroi për 50 vjet, të cilat i cilësojmë me emrin diktaturë dhe u bënë 20 vjet pjesë e filozofisë me emrin demokraci.
Do të na ndjekë gomarllëku për një kohë të gjatë. Por e gjitha kjo, ka një ngërç. Sepse jemi ne që vendosim një gomar mbret. Prandaj, të analizosh përse gomari vret dhe nuk shan, duhet të shqetësohemi për kopenë e derrave që e bën mbret. Gomari është i paditur. Viktor Hygo ka thënë "Që nga padituria, shpeshherë vjen guximi".
Guximi në vetvete është mposhtje e frikës, ose njohjes së saj. Mendoj se frika na sundon, dhe po nuk e kontrolluam na shkatërron. "Kushdo do të kishte dëshirë të bëhej mbret, përveç të diturit" - Shopenhauer.
Ndonjëherë mendoj qe është e qëllimshme, përse postet e larta ia lënë në dorë gomerëve, sepse ka një shtrat të madh justifikimesh për të ardhmen. I dituri dëshiron të jetojë në hije, sepse e di që hija është forca e vërtetë, por dritën e sheh ai që është më lart e në këtë rast gomari shijon.
Dhe nuk shan por vret, por mendoj se shan pasi vret. Kjo është gjendja tragjikomike, në të cilën ne zgjohemi përditë dhe nuk arrij ta kuptoj si na zë gjumi në darkë. Ne do ta lëmë këtë botë, po aq të marrë dhe gënjeshtare, sa ç'e kemi gjetur kur kemi lindur.