2011-02-14

05:03 Manush Peshkëpia ose Portret artisti në mungesë


Shkrimtari & Diktatura/ In memoriam në 100-vjetorin e lindjes së një autori të harruar, një prej emrave që zhduku diktatura, si zanafillë poetike, jeta e të cilit u ndërpre në kulm të pjekurisë intelektuale, në moshën 40-vjeçare. Shkrimtari Agron Tufa në portretin eseistik të mëposhtëm, tërhiqet mbrame, ndalet në emrin e Manush Peshkëpisë, ndeshur shpesh në shtypin e viteve ‘30, në revistat “Përpjekja shqiptare” të B. Merxhanit, të rinjohur me një aktivitet publicistik, poetik e përkthimor. Peshkëpia u pushkatua më ‘51, ndërsa emri i tij, në dy poezi, është përfshirë në një antologji të poezisë shqipe në gjermanisht, përkthyer nga Maximilian Lambertz

Sa herë kam shfletuar periodikët dhe revistat letrare të viteve ‘30, kam ndeshur herë pas here në krijimet letrare të Manush Peshkëpisë (1910-1951). Spektri i botimeve është pa dyshim shumë më i gjerë dhe jo të gjitha revistat kam pasë fatin t'i shqyrtoj. Madje, krejt rastësisht interesimi im nisi me një poezi të botuar në një nga numrat e revistës "Përpjekja" të Branko Merxhanit. Poezia mban titullin "Shpirt' i ri" me autor Manush Peshkëpia. Ishte një emër që në poezi e ndeshja për herë të parë dhe krejt natyrshëm, nën efektin mbresëlënës të poezisë, kisha dëshirë të dija më shumë për autorin e saj. Kompozimi i idesë në tri strofa klasike me rima abba në dy strofat e para dhe të alternuar në strofën përmbyllëse, ndjek trajektoren e brishtë të Shpirtit të përmalluar, që i etur mëton të dalë në dritë, duke pritur gjatë i topitur e i paralizuar në errësirë. Por bota jonë nuk është mirëseardhëse dhe në vend të "dritës së kulluar" që ëndërron të ndeshë, Shpirti përballet me një realitet të vrazhdë e lebetitës. Ideja e kësaj lirike përfton vetvetiu në çdo kohë një kontekstualitet bashkëkohor, për qëllimin e lartë të Krijimit me një destinacion të qartë e të lartësuar, por pikëmbërritja e tij është zhgënjyese dhe nuk e shpërblen itinerarin e udhëtimit të tij nëpër errësirë. Mbetet që bota jonë reale është diçka më e përçudshme, më e dhunshme se errësira prej nga e merr zanafillën rrugëtimi i Shpirtit. Shpirtit, të brishtë dhe të pambrojtur, i mbetet të jetë një vizitor i trishtë i kësobote, duke vajtuar me lot të hidhur zhgënjimin e madh; që gjithë pritja e tij paskësh qenë një rreng mashtrimtar dhe se gjallimi i tij do të mbetet përdhunshëm një peng, i një bote që e refuzon, që nuk e do. Le ta përcjellim poezinë e plotë:
Shpirt' i ri posa gatuar,
Nëndë muaj n'errësirë
Nëndë muaj krejt i mpirë
E zë mall' i përvëluar.

Shpirt' i ri posa gatuar
N'errësirë s'duron dotë,
Do të vijë në këtë botë
Të shoh' dritën e kulluar.

Shpirt' i ri posa gatuar
Lindi, ra në botën t'onë,
Po - i shkreti shpirt' i njomë
Zu të qaj', oh, i penduar!
Nuk e di në është një nga krijimet e para të poetit njëzetë e ca vjeçar asokohe, Manush Peshkëpisë, por struktura e vargjeve, përsëritjet e vargjeve të para, organizimi i lirshëm i strofës me skema ritmike vargjesh dhe sidomos trajtimi i idesë si një trajektore e zhgënjyer fati nga hiçi në hiç na bën me dije se kemi të bëjmë me një dorë të ushtruar mirë një artin e poezisë dhe në shterimin e një përvoje leximore, e cila, përpos idesë së thelbit të lirikës, nuk i ngarkon aspak komponentët e poezisë me erudicione shtjelluese. Poezia vetë ngjan me një kantatë të trishtë, me një vokal të brendshëm intonativ, si grafikë lirike muzikore, të atilla që ngjajnë me zhanrin e "muzikë dhome" të Shubertit. Në këtë fill të brishtë këndon muzika e idesë së një "unë" pavetor, i cili mund të jetë njëherësh i yti dhe i gjithkujt.
Të gjitha poezitë e Manush Peshkëpisë, të shkapërdara nëpër shtypin dhe periodikët letrarë të kohës, flasin për një zanafillë të vyer të lirikës intime e filozofike, aq të domosdoshme në peizazhin e atëhershëm të poezisë shqipe, të sapodalë prej traditave epiko-didaktike me patos atdhetar. Emancipimi i lirikës sonë duket qartë se e ka pasur një kahje, një tendencë, një formacion ndjeshmërie, i cili përkapet si tek Manush Peshkëpia, ashtu edhe tek disa poetë të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Shefqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci etj. Shumë prej këtyre emrave patën rrugëtime të ndryshme në letërsi, në varësi të koniunkturave ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore, disa ndërruan krejtësisht profil, duke u bërë shërbëtorë të regjimit komunist, e disa të tjerë, thjesht mbetën anonimat, pushuan së krijuari veprat e veta, ngase qe "stinë e keqe" për lirikën. Pikërisht në zërin e ndrydhur të këtyre të mbramëve duhet parë edhe fati i krijimtarisë së Manush Peshkëpisë. Autorët e tjerë të viteve '30 gjetën një mënyrë afirmimi; disa e përmblodhën krijimtarinë e tyre poetike në një libër edhe pas vitit 1945, si për shembull, Nexhat Hakiu, por Manush Peshkëpia mbeti i panjohur për lexuesin, duke ndarë fatin e shkrimtarëve të ndaluar të regjimit, edhe pse lirika e tij meditative me tone nostalgjike e pesimiste do të kishte qenë mjaft e dashur në epokën e denatyrimit të poezisë shqipe të realizmit socialist. Thjesht, për artin e tij në epokën servile nuk kishte më vend. Fatin e artit të tij e vulosi më së fundi, fati tragjik i jetës së shkrimtarit, për t'u shndërruar mandej në një nga emrat tabu gjatë diktaturës.
Tani që kanë kaluar mbi 70 vjet është e vështirë (por jo e pamundur) të risillet, së paku, bërthama e freskët e lirikës së Peshkëpisë. Krijimtaria e tij, e shkapetur nëpër organe e periodikë revistash e gazetash elitare para Luftës së Dytë Botërore, lyp një hulumtim e kërkim sistematik për t'u mbledhur e strukturuar. Ne, sot, vetëm se mund ta përftojmë e përkapim këtë trashëgimi letrare nëpërmjet indikacioneve e treguesve të ndryshëm në shtypin e kohës, apo nëpërmjet përmendjeve me veneracion të thellë nëpër mbresat e rrëfimet e atyre shkrimtarëve që e kanë njohur si njeri me shije e formim kulturor solid dhe si një nga krijuesit më të spikatur të viteve tridhjetë. Një ndër personalitetet qendrore të kulturës shqipe, prof. Arshi Pipa, sjell këtë miniportret të Manush Peshkëpisë në esenë e tij "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë":
"...Manush Peshkëpia ka tjetër histori. Qe arrestue që në ditët e para dhe dënue në Gjyqin Special të Tiranës me pesë vjet burgim. Bani katër vjetë dhe doli. Nuk kishte veçse dy vjetë që ishte lirue, kur e arrestuen përsëri. Kjo qe me rasën e bombës së hjedhun në Legatën Ruse, në Shkurt 1951. Bomba, si u muer vesh ma vonë, pat qenë vu nga nji antar i Partisë Komuniste. Ma se tridhjetë vetë, t'ashtuquejtun "reakcionarë", u pushkatuen m'atë rasë, për reprezalje. Njani ndër 'ta qe edhe Manushi.
Poezitë e Manushit janë të shpërndame ndër revista të ndryshme, dhe sidomos te "Përpjekja Shqiptare", e drejtueme nga z. Branko Merxhani. Janë poezi të shkurta, të qarta, plot ndije të shkrime në nji nostalgji t'ambël. Prof. M. Lambertz në librin e vet "Albanesisisches Lesebuch", ka përfshi disa shembuj nga poezia e Manushit. Poezitë janë të mira, por edhe ma i mirë ka qenë njeriu: i kthejtë, zemërartë, i butë, i nji butsije evangjelike, i pazoti t'i bante keq njeriut, as vetë anmikut". (1)
Ne kemi pasur raste të zhbirimit hulumtues të autorëve fare minorë në letërsinë shqipe të viteve ‘30, të çupëlinave e çunakëve me prirje e ëndrra marksiste e bolshevike apo të ashtuquajturve poetë-partizanë, si Memo Meto, Gaqo Kollumbi (Yrka), Qemal e Veli Stafa, Kristaq e Margaritë Tutulani etj., shkrimet e pakta të të cilëve janë mbledhur e komentuar, derisa kanë zënë vend edhe nëpër antologjitë shkollore, por armata e ideologjizuar e shkarrashkruesve të regjimit nuk arriti, së paku objektivisht apo qoftë edhe nëpërmjet qëndrimit kritikues, t'i përmendte shkrimet patriotike e intelektuale të Manush Peshkëpisë. Lufta e klasave e kishte prerë vendimin për t'i rraposur përjetësisht në harresë gjurmët humane të një intelektuali me horizont e vizion si Manushi. Ata mendonin se e kanë asgjësuar përfundimisht edhe njeriun, edhe veprën, sikur ai të mos paskësh ekzistuar kurrë! Birin e një familjeje me tradita intelektuale atdhetare, pasardhësin e një dinastie aristokratikë me vetëdije dhe shqetësim kulturor e kombëtar, komunistët u munduan ta shuajnë me jetë e me vepër, e mandej, me një egërsi të ligë, të vepronin me të njëjtin stil çnjerëzor edhe mbi trashëgimtarin e Manushit, Gëzim Peshkëpinë. I biri, Gëzimi, gjithashtu u dënua më qëllimin e qartë, që nga kjo familje e madhe, të mos mbeteshin më filiza. Megjithatë, linja e kësaj sage tragjike të familjes, nuk u ndërpre, përderisa i biri ia doli t'u mbijetonte burgjeve gjenocidiale enveriste për të mbërritur tek dëshmia. Libri tij memuaristik e aforistik "O njeri", i botuar para pak kohësh, bart karakterin tronditës fragmentar, pa aq sa na shfaqet fragmentare edhe jeta e të atit, gjithë ndërprerje. E pikërisht fragmenti na bën të lidhim sot fijet e përjetimit tronditës të individit në atë plojë rrënimtare të kohës, si fat dhe ekzistencë në zgrip të zhdukjes. (2)
Sërisht i rikthehemi mendimit, se krijimtaria e hapërdarë e Manush Peshkëpisë, paraqet ndoshta një model tragjik të fatit të intelektualit shqiptar, tek i cili është i mishëruar simbolikisht karakteri krejt ndërprerje të dhunshme kulturash, traditash, historish, kohësh, çka përbën një sens fatal vetëshkatërrimi, të cilin e kemi trashëguar në embrion tonë si komb. Nga kjo pikëpamje vetë fati i individiumit përputhet në mënyrë të hidhur me përvojat tona të dhimbshme kolektive.
Ne nisemi të mbërrijmë tek Manushi, por përpara kemi pirgje plehrash të historisë sonë, mbeturinat acide të ideologjisë, mosvëmendjen dhe mungesën e përgjegjësisë qytetare të trashëguar nga komunizmi. Rruga për të rinjohur veten tonë autentike, identitetin tonë zanafillor, do të ishte rruga për të mbërritur në një portret të plotë e të pastruar të Manush Peshkëpisë, të pastruar nga harresa dhe zhyli i kohërave. Madje edhe sikur të kishim të bënim, jo me një trashëgimi letrare, publicistike e përkthimore të shpërndarë nëpër botimet e kohës, por edhe sikur të kishim të bënim, qoftë edhe me një dëshmi të vetme, qoftë edhe me një segment epistolar!
Në gjithë rrëmetin dhe katastrofën që shkaktoi stalinizmi shqiptar, duhet të na interesojë njeriu në vetvete, njeriu si projekt antropologjik. Ne duhet të na interesojë se çfarë u bë me njeriun, me njeriun në përgjithësi, që në ditën e parë kur e morën dhe i hodhën prangat mes familjes, sepse nuk mund të ketë asnjë ngushëllim me slogane, asnjë rehabilitim në trajtë letre apo një qeseje me eshtra! Dhe rruga për të zbuluar portretin njerëzor dhe intelektual të Manush Peshkëpisë, është vetëm udhë në nisje, tentativë drejt përftimit të tij, nxjerrjes së tij nga harresa. Se nuk mund të shlyhen ashtu siç mendonin komunistët gjurmët e një jete të tërë njerëzore! Shpesh nga harresa ku është flakur prej dekadash, Manush Peshkëpia na jep shenja, lajmërohet; gjurmët e tij i ndeshim në trajta mjaft intriguese. Një numër i "Revistës letrare", me drejtor dhe përgjegjës Vedat Kokonën njofton se së shpejti do të dalë në qarkullim edhe libri i Manush Peshkëpisë - "Folklori i Epopesë së Vlorës, 1920". Përpos këtij libri të paralajmëruar (fatin e të cilit nuk e dimë, së paku nuk dimë as për dorëshkrimin e mbetur në ndonjë arkiv të Sigurimit të shtetit), ndeshim në publicistikën eruditive të tij, sidomos në "Revistën letrare" me rubrikën "Të huajt për ne", kryesisht analiza, meditime dhe recensione të vyera për librat e shkruar mbi realitetet shqiptare: analiza të librave të Justin Godart-it, Gabril Louis-Jaray, Fracesco Krisp-in etj.
Rëndësinë e krijimtarisë poetike të Manush Peshkëpisë e ka vërejtur edhe studiuesi dhe një nga albanologët më të shquar gjermanë, Maximilian Lambertz, duke e përfshirë atë si autor në antologjinë e poezis shqipe të përkthyer dhe botuar në Leipzig më 1948 me titullin "Albanisches Lesebuch". Në këtë antologji në gjermanisht Manush Peshkëpia përfaqësohet, krahas poetëve më të rëndësishëm të viteve '30, me dy poezi: "Der Mutter" (Nënës) dhe "Der Blonden" (Flokëverdhës).
Jeta e poetit Manush Peshkëpia u ndërpre nga plumbat, në frymën e barbarisë komuniste, në moshë të re, kur kishte 40 vjeç. Zakonisht në këtë moshë artisti piqet dhe bën sintezën e përvojave të veta. Ne nuk e dimë se si do të zhvillohej poetika e tij; nuk dimë se çfarë zhanri do të lëvronte Manushi, qoftë dhe në heshtje, i pabotuar, sikundërse nuk dimë ende asgjë mbi fatin e dorëshkrimeve të tij. Me siguri raportet e tij me shkrimin do të ishin shtjelluar në vepra sirtarësh, si rezistencë, e papërzier në korin himnizues të regjimit. Por ai kishte dashuruar kombin shqiptar, jo komunizmin. Një ndër hartuesit e platformës ideore të Ballit Kombëtar, Manush Peshkëpia e kishte bërë zgjedhjen e vet si kundërshtar i ideologjisë bolshevike. Ne vetëm mund të hamendësojmë mbi rritjen e tij intelektuale dhe llojin e letërsisë që mund të shkruante, po aq sa e dimë mirë, se një mundësi e tillë pak shanse kishte të ndodhte, për shkak se "hekatomba" komuniste nuk mund të kursente intelektualë të tillë si Manushi... përpos kësaj, më të vëllanë (shkrimtarin Nexhat Peshkëpia) të arratisur në Amerikë! Herët a vonë do të mbërrinte ajo natë e kobshme, ai "Shënbartoleme" i kuq, ashtu siç e përshkruan i biri, Gëzimi: "Në datën 27 shkurt (1951) trokitën në derë, hynë brenda dy persona të cilat na komunikuan: ‘Manush Peshkëpia është pushkatuar sot, si armik i popullit. Me 3 mars të keni bërë gati plaçkat sepse do të dëboheni nga Tirana. Në 3 mars erdhën me kamionë për të na marrë. Shumica ishim gra dhe fëmijë të trembur… ". (3)
Në një nga numrat e revistës "Përpjekja Shqiptare", gjendet një poezi tipike e Manush Peshkëpisë, që shpreh ndjesinë tragjike të jetës dhe fatit të shkurtër të njeriut në këtë botë. Përkohësia, efemerizmi i lëndës, itinerari i shkurtër jetësor i njeriut si bujtës i trishtë në visoret tona, ngulitja fatidike se jeta është veçse një ëndërr e shqetësuar - përbën ndoshta një metaforë, që përmbledh në një kornizë simbolike portretin e papërfunduar të njeriut ëndërrimtar, intelektualit të shqetësuar dhe krijuesit me fat tragjik. Megjithëse poezia i kushtohet, siç e thotë dhe titulli "Shokut të vogjëlisë" (Nikollaq Ruçit, ajo e përmbledh edhe fatin e vetë autorit në paradigmën filozofike të "jetës-ëndërr", që kalon parasysh, duke lënë më fort mbresën e hidhur se sa gëzimet e saj:
Jeta jote? Flakë n'erë!
Ndezi, shoi me nxitim
Dhe s'të fali mor i mjerë,
Asnjë ditë pa vajtim!
Psherëtite, ngashërove,
Jo se gjë të pat munguar,
Po sepse në bot' s'shikove
Veç të mjerë - e të munduar.

E në kohën më të ndritur
Sapo ish edhe agim,
Shpit-e-zemërë-zhuritur
More udhën që s'ka kthim...
Ç'janë ndaj përjetësisë
Parëvera njëstenjë?
Shok, o shok i vogjëlisë,
Vetëm nj'ëndër dhe asgjë! (4)
Ky vit që po mbyllet, shënon 100 vjetorin e lindjes së intelektualit dhe shkrimtarit Manush Peshkëpia, të pushkatuar në moshën 40 vjeçare, pas asnjë gjyq, thjesht sepse ai nuk shfaqi asnjë zell për t'i kënduar komunizmit dhe "njeriut të ri". Për të shkuarën dhe për të ardhmen e tij, ky njeri duhej të fshihej e të asgjësohej pa lënë asnjë gjurmë mbi këtë tokë dhe mbi këtë popull, që e deshi, me atë dashurinë e dhimbsuri që ia mëkuan të parët e tij. Dhe parulla leniniste "Kush nuk këndon me ne, është kundër nesh", nuk mund ta kursente vetëdijen intelektuale e nacionaliste të një atdhedashësi. Tjetër vend nuk kishte për të! Ne nuk mund ta zhbëjmë dot "veprën e pandreqshme të vdekjes", por ne mund ta ringjallim kujtimin e tij, duke e risjellë, duke ribashkuar të gjitha gjurmët e krijimtarisë dhe copëzat e jetës së tij, në një portret të qëndrueshëm, më të plotë, me të cilin të kemi se ç'të kuvendojmë, sepse kemi ç'të mësojmë prej shembullit të jetës dhe përpjekjeve të tij - në mos shumë - të paktën do të mësojmë si ta duam vlerën e patradhëtueshme të atdheut, njeriut dhe ndjenjën e pandotur mbi të bukurën.

Shënime:
1-Arshi Pipa "Komunizmi dhe shkrimtarët shqiptarë", gazeta "Shqiptari i Lirë", 31 mars 1959
 2- Lidhur me librin "O njeri" të Gëzim Peshkëpisë ia vlen të sjellim një fragment nga shkrimi i Fatos Lubonjës "Kujtesa si rezistencë" (Panorama, 13 gusht 2009), për të ilustruar idenë e fragmentit si rrëfim mbi plojën familjarë e individuale: "Ata që në jetën e lirë sot shkruajnë për jetën e burgut, janë dëshmi e kësaj rezistence, e këtij mospranimi, e këtij qëllimi jete. Për një pjesë jo të vogël, ky qëllim jete ka qenë të jetuarit për të rrëfyer një ditë tragjedinë tonë njerëzore. Libri “O njeri” i Gëzim Peshkëpisë është provë e kësaj mbijetese. “të ekzistosh do të thotë të mbërrish në një libër”, - thotë Stephane Mallarme. Nëse di t’i vija një nëntitull këtij libri, ai do të ishte “Episode burgu”. Kjo sepse karakteret e shumtë dhe ngjarjet që tregohen në të, nuk përshkruhen duke u shtjelluar gjerë e gjatë, por në formë episodesh. Episodi është si një pikë kulminante i një ngjarjeje apo i një karakteri që ka mbetur i mbresuar në kujtesë. Është e vështirë të shpjegosh deri në fund mjetet e kujtesës që na bëjnë që ngjarje dhe njerëz t’i harrojmë dhe të tjera t’i mbajmë mend. E sigurt është se ky proces kujtese flet për ndjeshmërinë e secilit. Episodi është kështu si perla e krijuar me guaskën e kujtesës, pikërisht aty ku mbresa/plaga ka qenë më e fortë".
3-"Siç kanë emër ata që u vranë duhet të kenë emër dhe ata që i vranë", "Përpjekja", 6 mars 2006
4- "Përpjekja Shqiptare", nr 18-24, dhjetor 1938, fq. 404.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...