2011-02-14

Liria nuk është varfëri

Dritëro Agolli

Lamë pas një vit me stuhira në natyrë dhe në shpirt, me përmbytje fshatrash dhe qytetesh, me rrugë të gjakosura nga makinat, me varfëri e papunësi në vatra, me dhunë në familje, me ngujime nga gjakmarrja dhe me gjëma të mëdha, siç ishte përmbytja e Shkodrës, që tronditi çdo kënd të Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë zgjoi solidaritetin nga morfina e varfërisë. E megjithatë, ne shqiptarët nuk jemi nihilistë për të hedhur poshtë çdo gjë të mirë që ka pasur viti që shkoi. Me përpjekjet e gjithë shoqërisë, shoqatave, partive dhe veçanërisht qeverisë u bënë pasaportat biometrike dhe u hoqën vizat, që ka qenë një torturë e tmerrshme të qëndroje në sportelet e ambasadave me orë të tëra për të marrë një vizë përpara një çupke me thonj të gjatë të lyer me llak të kuq, të gjelbër apo të zi. Ah! Ai llaku i zi më tremb. Mendo: ti dremit, hap sytë dhe shikon afër qafës tënde dhjetë gishtërinj me thonj të gjatë të zinj! Edhe Mic Sokoli, ky trim i madh do të dridhej. Doemos, arritje të çmuara nuk janë vetëm heqja e vizave, por edhe hapja dhe përkujdesja për rrugët, megjithëse ende e pakët, pasi dhe terreni malor yni është i vështirë dhe edukata e qytetarëve e vakët. Nuk ka rrjeta metali në shpatet mbi rrugët. Dheu bashkë me gurët rrëshqet, bëhet i rrezikshëm dhe sjell tragjedi. Përmenda disa gjëra të liga dhe disa punë të mira për 2010 në këto shënime shkurtabiqe. Por një nga gjërat e mëdha humane që ndodhi në përmbytjet e Shkodrës është se asnjeri nuk humbi jetën në sajë të guximit të shkodranëve dhe në përpjekjet vetëmohuese të policisë, ushtrisë, qytetarëve dhe mobilizimit të qeverisë. Në këtë rast edhe një pesimist do të thoshte: ka një javë që jam optimist. Mos jam i sëmurë? Unë nuk e kam pasur më parë këtë sëmundje. Kjo thënie e optimistit apo nihilistit, vlen jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen. Ka njerëz që mendojnë se e ardhmja, viti 2011, do të jetë i mrekullueshëm, i mbushur me trëndafila të sukseseve dhe se vetëm një gisht i vogël na ndan nga Europa. Të tjerë thonë se nuk bëhemi kurrë ne europianë. Janë dy të kundërta. E mira do të ishte që të dyja këto palë të shikojnë mirë dhe bukur realitetin, fytyrën e vërtetë të Shqipërisë. Unë e ceka apo e thash pak shkel e shko këtë gjendje në këto shënime, më shumë reflektime sesa studime të një njeriu që i gjurmon me imtësi hapat e përparimit të një shoqërie. Unë jam një njeri i letrave dhe si i tillë e kam të zhvilluar nuhatjen. Shkrimtari është një maçok që nuhat, me pak gjëra arrin në një përfundim që mund të ketë edhe dobësi, pasaktësira, por sidoqoftë e ngjall kureshtjen e njerëzve. Këtu unë hapa një parantezë për të treguar se jo çdo gjë që thotë një njeri është plotësisht e vërtetë, sepse e vërteta nuk ka kufi. E vërteta lëkundet në djepin e gënjeshtrës, shpesh del fitimtare mbi të, por ndonjëherë edhe gënjeshtra del fitimtare mbi të vërtetën. Mendoj të vërtetën si të vërtetë dhe kam merak se mos ndokush e barazon me drejtësinë. Drejtësia është tjetër gjë, mund ta përdredhësh si të duash, siç ndodh nëpër gjyqe. A ka të vërtetë në lirinë që do të kenë shqiptarët karshi Europës? Liria nuk është varfëri, me varfërinë nuk kupton lirinë. Gjithë njerëzit e varfër kanë luftuar për lirinë dhe ne nuk duhet të presim të luftojnë të varfrit, të fitojnë lirinë, pastaj të udhëtojnë. Viza sot është si drapri i hënës. Vetëm kjo pjesë e draprit ndrit kah Europës. Sa më pak varfëri të ketë, sa më shumë mirëqenie, aq më e plotë do të jetë hëna. Varfërinë sot vetëm mund ta pakësojmë, ajo nuk zhduket kurrë me këto sisteme që ne kemi. Mund të ndodhë pas një mijë vjetëve, por jo sot. Kjo varfëri kërkon reforma të vërteta; reforma në fshat, aty ku varfëria është ulur këmbëkryq, aty ku toka bujqësore mbetet djerrë, aty ku prodhimet bujqësore për mungesë organizimi përfundojnë edhe në lumë. Heqja e vizave nuk duhet të jetë vetëm një udhëtim për të përqafuar të afërmit, për të parë dy-tri gjëra të çuditshme e të kthehesh prapë. Këta baballarë të fshatit nuk duhen të mburren me veturën moderne që solli i biri nga jashtë, por të mburren me një traktor të sjellë nga i biri. Mirë e bukur realiteti duhej të shihej edhe në Parlament. Parlamenti nuk diskuton gjërat reale të vendit, por merret me sharje ndaj njëri-tjetrit. Sharje të llojit të prishim a të mos prishim Piramidën, se kjo është e keqja e shoqërisë sonë, është morri që na ngacmon gjithnjë. Merret me bllokmenë dhe bllokqenër, banditë e të korruptuar. Në dramën e keqe, konflikti kthehet në grindje. Këto grindje arrijnë në agresivitet verbal që i tremb njerëzit dhe ua shton pesimizmin që në Shqipëri do të jetë shumë i vështirë qytetërimi dhe demokracia e vërtetë. Ky fenomen kam frikë se mund të sjellë edhe konflikte të papëlqyeshme shoqërore. Nga ana tjetër mund edhe të ndalojë rritjen e politikanëve dhe drejtuesve të rinj dhe do të kthehet në zakon që të këtij modeli të jenë edhe politikanët e rinj që vijnë. Domethënë, Parlamenti do të kthehet në një fabrikë parafabrikatesh siç janë fabrikat e tullave, rrobaqepësitë e kostumeve ose do t’u ngjasin reklamave që shohim përditë në televizor: “Kur të rritem edhe unë dua të bëhem Ehv”. Edhe fëmijët e të rinjtë që dëgjojnë Parlamentin, do të thonë: “Kur të rritemi do të bëhemi si deputeti Selman”. Le t’i lëmë këto diskutime të pafundme në Parlament dhe të merren me gjendjen reale si jeton ky popull, të merremi më shumë me rregullimin e lumenjve që të mos ketë përmbytje, të mos i qepemi për dhjetë vjet vetëm rregullimit të rrugëve, por të shohim edhe të tjera halle. Zotësia e fjalës është se nuk hyn vetëm në një vesh, por në shumë veshë njëherësh. Kur të kemi më pak varfëri, do të kemi më shumë liri. Unë uroj që në vitin 2011 të jemi më mirë. Nuk them të lumtur, lumturia është si horizonti, sa më shumë t’i afrohesh, aq më shumë largohet. E ke arritur ndonjëherë horizontin? Unë nuk e kam arritur.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...