Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/02/19

“Striptizë” në Teatrin Kombëtar në Tiranë


Në foto:Arber Jakllari
Pas shfaqjes në Akademinë e Arteve, shfaqja "Striptizë” vjen këtë fundjavë, 19-20 shkurt, në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Regjisori Arbër Jakllari, ende student, ka zgjedhur të sjellë në skenë dramën e mjeshtrit polak të satirës absurde, Slavomir Mrozhek. Neritan Liçaj dhe Alert Çeloaliaj janë aktorët që sjellin para publikut një intelektual dhe një aktivist, të cilët gjenden të zhveshur para dorës së pushtetit. Simbolikisht, kjo dorë është e pranishme në përmasa të mëdha në skenë. Ajo i detyron dy personazhet të bëjnë një striptizë morale, përkundrejt kuptimit të parë që ka kjo fjalë. Censura e shtypja e Polonisë së viteve ‘60 vjen të flasë për mungesën e lirisë në Shqipërinë e sotme. Mrozhek i vë në lojë dy burrat, ndërsa rreken të thonë sesa të lirë janë. Ky dramaturg ka fituar një reputacion në Evropë dhe njihet si mjeshtër i satirës moderne e pothuajse në gjithë krijimtarinë e tij zënë vend shqetësimet politike.

AP: Ish pjesëtarë të UÇK-së kanë folur për trafikim organesh

AP: Ish pjesëtarë të UÇK-së kanë folur për trafikim organesh
Ish luftëtarët e UÇK-së kanë dhënë dëshmi të detajuara në vitin 2003 për trafikimin e organeve, njoftoi Associated Press.

Duke u thirrur në një dokument të Kombeve të Bashkuara, AP raporton se programi i pretenduar ka paraparë vrasjen e serbëve të burgosur, shitjen e organeve të tyre dhe varrosjen e qindra viktimave për të fshehur provat për vrasjen e civilëve.

Agjencia citon Paul Coffey, zyrtar i drejtësisë në Kosovë në vitin 2003, i cili në një letër drejtuar një zyrtari në Tribunalin e Hagës, ka shkruar se informata është "bazuar në intervistat me të paktën tetë burime, besueshmëria e të cilave nuk është testuar, të gjithë shqiptarë nga Kosova apo Mali i Zi, të cilët kanë shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës".

FRANCE 24: OKB E KA DIJTE PER TRAFIKIMIN E ORGANEVE NE KOSOVE

FRANCE 24: OKB E KA DIJTE PER TRAFIKIMIN E ORGANEVE NE KOSOVE



Televizioni i njoftun “France 24”, sjell si ekskluziv nji artikull qe i kushtohet trafikimit te dyshuem te organeve nga ana e UCK mbas hymjes se trupave te NATO’s ne Kosove.



18.02.2011

Televizioni i njoftun “France 24”, sjell si ekskluziv nji artikull qe i kushtohet trafikimit te dyshuem te organeve nga ana e UCK mbas hymjes se trupave te NATO’s ne Kosove.



Kjo shtepi televizive ne portalin e saj edhe e ofron dokumentin sekret te plote, per te cilin thote se OKB e ka pase ne dijeni dhe ne dore qysh ne vitin 2003.



Po e sjellim te plote, njashtu si merret ne kete link:

http://www.france24.com/static/infographies/documents/kosovo_house_2003.pdf

Historia e pa treguar e fotografëve hebrenj të Zogut

Përgatiti Ardit Halili



image


Mijëra hebrenj gjetën strehim në shtetin e vetëm mysliman, ku kodi i vjetër i nderit i pa të gjithë si miq. “Unë ndiej se kemi qenë me shumë fat, sepse pa këtë pjesë të vogël të historisë, ne nuk do të ishim gjallë”, - shprehet znj. Owens, duke shtuar se do t’u jetë mirënjohëse shqiptarëve për tërë jetën.
Fritzi Weitzmanns Owen e ardhur nga një qytet i kulturuar si Vjena, u detyrua që të largohej nga vendlindja e saj, kur Hitleri në 1938 pushtoi Austrinë, drejt Shqipërisë që cilësohej si një i vendi i pazhvilluar në krahasim me vendet e tjera Shqipëria.
Shqipëria nuk ishte zgjedhja e parë e familjes së saj, por pak vende në Evropë ishin të gatshme që të pranonin Hebrenjtë, ndërsa në SHBA kishte një sistem kuotash. Shqipëria, që ishte një nga vendet më pak të zhvilluara në Evropë, u bë streha e familjes së saj. Vetë Mbreti Zog i ofroi vizat për të qëndruar në Shqipëri. Weitzmans, babai i Fritzit, kaloi katër muaj në Shqipëri deri sa më në fund ka marrë letrat për të shkuar në SHBA. Fritzi tregon se në Shqipëri ata jetonin në një hotel që ngjante më shumë si një grumbull vjeturinash, por Mbreti Zog, një mik i babait të saj i ndihmoi që të stabilizohen në biznesin e fotografisë. Për vendasit ajo tregon se ishin mikpritës, duke u dërguar shpesh ëmbëlsira në shtëpi.
“Unë ndiej se kemi qenë me shumë fat, sepse pa këtë pjesë të vogël të historisë, ne nuk do të ishim gjallë”, - shprehet znj. Owens, duke shtuar se do t’u jetë mirënjohëse shqiptarëve për tërë jetën. Ajo është një nga mijërat hebrenjtë që i kanë shpëtuar holokaustit përmes vendit të vetëm mysliman të kohës në Evropë, në Shqipëri. Rastet e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët kanë mbetur kryesisht të panjohura për dekada të tëra për shkak të regjimit diktatorial komunist të pasluftës, që i la kufijtë e Shqipërisë të mbyllura me botën e jashtme. Sot, një organ në rritje i kërkimit më në fund po i jep një mundësi të mirë për këtë histori të mikpritjes, sakrificës dhe harmonisë fetare.
Informacione nga regjistrat tregojnë se në vitin 1931 ishin 200 hebrenj që jetonin në Shqipëri. Sipas disa vlerësimeve, ky numër ka qenë 10 deri në 15 herë më i madh pas lufte.
Shqiptaro-kanadezi Saimir Lojlia ka nxjerrë dhe një listë e cila është më e përafërta mbi numrin e hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri. Sipas llogarive të Lojlës, kjo shifër shkon tek 3160. Biznesmeni Lojlia ka harxhuar vite të tëra kërkimi nëpër dokumente të arkivuara, fotosh dhe objekte të tjera, duke shkruar disa libra mbi shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Ai ka thënë se nuk ka asnjë provë që qoftë edhe një hebre i vetëm të jetë vrarë apo të ketë rënë në duart e nazistëve. “Është një histori e mrekullueshme e pa treguar më parë”, - thotë ai duke treguar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, në të cilin kanë shpëtuar të gjithë hebrenjtë.
“Çfarë është në thelb të ndryshimit rreth historisë, - thotë Randi Winter, një shkrimtar hebre, i cili ka ndihmuar me dokumente këtë histori shpëtimi, - është se ata nuk ishin shpëtuar në mënyrë sekrete nga një person i veçuar, por i tërë fshati e dinte për hebrenjtë që ndodheshin në mes tyre dhe asnjëri prej tyre nuk i ktheu apo t’i dorëzonte ata. Shqiptarët nuk i shpëtuan hebrenjtë siç i shohim ne nëpër filmat e holokaustit, pasi ata nuk fshiheshin nëpër kanalizime”, - shprehet shkrimtari hebre Winter.
Ndërsa Harvej Sarner, autor i "Shpëtim në Shqipëri", shpjegon se në shumë raste, qeveria shqiptare ishte e përfshirë direkt në shpëtimin e hebrenjve, përveçse në dhënien e vizave atyre, ku asnjë vend tjetër nuk do tu jepeshin, qeveria refuzonte që t’u jepte në dorë nazistëve, listën e hebrenjve. Dokumente shqiptare tregojnë marrëveshjet që qeveria kishte kryer me komandantët gjermanë për çlirimin e hebrenjve të arrestuar.
Por Sarner saktëson se kjo situatë nuk ishte vetëm rozë. Qeveria shqiptare vendosi rregulla antihebrenj në 1938-39 përpara pushtimit italian të Shqipërisë, megjithëse rezultoi se këto rregulla nuk u zbatuan.
Ndërsa në territorin e aneksuar të Kosovës, hebrenjtë ishin të rrethuar me tela me gjemba, megjithatë ata vazhdonin të shkonin në kinema, të shikonin ndeshje futbolli apo edhe të organizonin festa hebreje. Autori i "Shpëtim në Shqipëri" tregon se në një rast një grup hebrenjsh u dërgua jashtë territorit dhe u ekzekutuan. Por Sarner argumenton se edhe me këtë rast numri i të vrarëve ka qenë më i ulëti në krahasim me pjesën tjetër të Evropës.
Kanuni
Ngulitur në kulturën shqiptare është një protokoll i lashtë social i quajtur kanun, që daton në shekullin e 15-të, ai është transmetuar gojarisht, derisa u kodifikuar në fund të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Sipas kanunit, shtëpia e një shqiptari së pari është shtëpia e zoti, e së dyti shtëpia e mikut. Ndër elementët më thelbësorë të kodit është koncepti i “Besës”, një premtim moral për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe për të mbështetur nderin e dikujt. Kjo ndjenjë detyre i ka shtyrë shqiptarët e varfër që të mirëpresin austro-hungarezët pasi ata kapitulluan më 1917, për t’i strehuar nga pushtuesit italianë e më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore ata strehuan hebrenjtë, duke mbërritur mbas viteve 1990, ku ata mikpritën shqiptarët e Kosovës. Skarlet Epstein kujton se ka shkuar ambasadë më ambasadë në 1938, në kërkim të një vize, por i limituar nga pasaporta austriake, e cila e paraqiste si hebre. “Të gjithë ma përplasnin derën në fytyrë kur shihnin pasaportën time”, - tregon ajo nga Britania, ku ajo tashmë jeton. Por në ambasadën shqiptare, ajo ka parë një perceptim komplet ndryshe, duke marrë menjëherë vizën. Johana Neuman dhe mamaja e saj ishin strehuar në shtëpinë e familjes Pilku gjatë pushtimit nazist. Një ditë një oficer gjerman ka shkuar në shtëpinë e tyre dhe në padijeninë e identitetit të mamasë së Johanës i ka thënë: “Nëse do të isha ballafaquar ne një komunist ose një hebre do ta vrisja në vend”.
Hebrenjve të tjerë u kishin vënë emra myslimanësh dhe visheshin me hixhab (veshje myslimanësh për burra), për të fshehur identitetin e tyre. Shumë prej tyre, i kanë mbajtur marrëdhëniet e mira me shpëtimtarët e tyre deri sot. Mikpritja Shqiptarëve është përmendur në librin e titulluar Besa: Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”. Libër i botuar nga fotografi Norman Gershman, i cili ka udhëtuar duke mbledhur pjesë nga dokumentet shqiptare tek historitë e të shpëtuarve të cilët janë akoma gjallë. Rezultati është një seri portretesh që kanë udhëtuar nëpër botë, duke përshirë Izrael, Kombet e Bashkuara dhe SHBA.
Një nga portretet është ai i Haxhi Dede Reshat Bardhit, kreu i bektashinjve në Shqipëri. Autori Gershman e citon atë duke treguar se Kryeministri i atëhershëm. Mehdi Frashëri, gjithashtu Bektashi, u dha njerëzve të tij urdhër gjatë pushtimit nazist se “të gjithë fëmijët e hebrenjve do të flejnë me fëmijët tuaj, të gjithë do të hamë të njëjtin ushqim dhe të do të jetojmë si një familje”. Koncepti i “të panjohurit” nuk ekziston në kulturën e shqiptarëve. Randi Winter shpjegon se kur portretet e paraqitura nga Gershman në Universitetin e Vankuverit, koncepti i të huajit është konsideruar si mysafir.
“Pse e kemi bërë këtë?”, - thotë Nadire Proseku, një shqiptare e cila ka strehuar tre refugjatë hebrenj në shtëpinë e tyre për vite me radhë, gjatë intervistës me Gershman, ajo shprehet: “Ne i pamë hebrenjtë si vëllezër. Si myslimanë por liberalë, ne kemi bërë vetëm detyrën tonë”.
Sot shembulli i Shqipërisë reflekton se çfarë mund të bëjë një shoqëri në maksimumin e saj. Kjo është përdorur për të mësuar harmoninë fetare dhe për t’u kujtuar njerëzve simbiozën që ekzistuar historikisht midis myslimanëve dhe hebrenjve.
Me fondet e përbashkëta të një princi nga Arabia, në shtator të këtij viti gjatë përvjetorit të holokaustit, po planifikohet të lançohet në SHBA një film i cili flet rreth myslimanëve që kanë shpëtuar hebrenjtë. Ndërsa një kolegj në Nju Jork po e fut këtë informacion në planin e mësimit, duke shpresuar që të përdoret në gjithë shkollat e vendit.
“Gjithmonë kam kërkuar që ta ndaj këtë histori me të tjerët, sepse është si një mrekulli. Ata ishin njerëz shumë të mirë dhe kjo duhet që të publikohet”, - thotë Fritzi Owens.

Ilirjan Gjika : Çiriaku i Ankonës, agjent apo arkeolog!?

Në historinë e arkeologjisë shqiptare njihet si eksploratori i parë i antikitetit një figurë e çuditshme dhe enigmatike, siç është ajo e Çiriakut të Ankonës. Të dhënat e para për veprimtarinë e tij në Shqipëri i botoi për herë të parë studiuesi Hasan Ulqini në librin e tij “Grabitës të monumenteve”, botuar në vitin 1980. Më vonë emri i Çiriakut do të përmendet në botime të ndryshme që kishin të bënin me arkeologjinë, deri disa vite më parë, kur do të botohej në gjuhën shqipe vepra e historianit Franc Babinger, “Mehmet Pushtuesi”


image



Në historinë e arkeologjisë shqiptare njihet si eksploratori i parë i antikitetit një figurë e çuditshme dhe enigmatike, siç është ajo e Çiriakut të Ankonës. Të dhënat e para për veprimtarinë e tij në Shqipëri i botoi për herë të parë studiuesi Hasan Ulqini në librin e tij “Grabitës të monumenteve”, botuar në vitin 1980. Më vonë emri i Çiriakut do të përmendet në botime të ndryshme që kishin të bënin me arkeologjinë, deri disa vite më parë, kur do të botohet në gjuhën shqipe vepra e historianit Franc Babinger, “Mehmet Pushtuesi”. Pikërisht këtu ky autor hedh dyshime të forta rreth këtij personazhi të shekullit të XV-të, të cilin perëndimi e vlerëson si një nga figurat e Rilindjes Europiane. Ndërsa në Shqipëri Çiriako de Picikoli i quajtur ndryshe edhe Çiriaku i Ankonës kreu dy udhëtime. Fillimisht “turin” e parë ai e bëri në vitin 1418, për tu rikthyer përsëri në vitin 1435. Në to ai kreu vizita në Durrës, Lezhë, Apoloni, Butrint, Artë dhe Karaburun. Për gjithçka që pa dhe vëzhgoi si rrënoja, mbishkrime apo monumente, Çiriaku dha përshkrime të hollësishme, të cilat i gjejmë tek vepra e tij “Komentarët”. Midis tyre mund të përmendim të dhënat që ai jep për muret dhe portat e kalasë së Durrësit, midis të cilave na dëshmon për shumë mbishkrime dhe statujën e një kalorësi prej bronzi. Të tilla të dhëna ndeshim edhe për Lezhën dhe Butrintin. Me interes Çiriakut ju duk edhe Karaburuni, në të cilin ai vizitoi edhe gjirin e Gramatës, ku kopjoi dhe botoi disa nga mbishkrimet e famshme të tij.



2

Çiriako de Picikoli lindi në vitin 1391 në Ankona të Italisë, ku për këtë shkak të origjinës do të njihet më vonë me emrin Çiriaku i Ankonës apo Çiriako ankonati. Në moshën 28-vjeçare ai nisi udhëtimin e tij të parë drejt Kostandinopolisit për qëllime tregtie. Ashtu si e tregon edhe ai vetë gjatë këtij udhëtimi atij i lindi pasioni për Antikitetin greko-romak, ku përveç aktiviteteve të tjera ju kushtua edhe eksplorimit të qendrave antike. Kudo që shkoi Çiriaku mbajti ditarë dhe për ato që vëzhgoi shkroi letra në adresë të miqve të tij, të cilat shekuj më vonë do të shërbenin si burime të mirëfillta historike. Udhëtimet e tij të shumta do të përfshinin në itineraret e tyre edhe territoret e Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë, Thrakës, Azisë së vogël, ishujve të Egjeut dhe Egjiptit, me qëllim që, ashtu si e shpreh edhe ai vetë në shkrimet e tij, kishte për qëllim:”të zgjonte të vdekurit nga varri”(F. Babinger, Mehmet Pushtuesi, f. 52-53). Pasioni I tij mund të ishte vërtet arkeologjia, por qëllimi i vërtetë i tij ishte roli i zbuluesit, i fshehur pas petkut te diplomatit dhe tregtarit. Të gjitha misionet e tij në lindje u financuan nga papati, i cili mendonte ti shfrytëzonte informacionet e Çiriakut për të njohur situatën politike në Ballkan dhe Perandorinë Osmane. Në vijim të kësaj veprimtarie ai vendosi lidhje me princat e Greqisë Thoma dhe Dhimitër Paleologu, vojvodën e Transilvanisë Janosh Huniadin, përfaqsuesit gjenovezë të kolonisë tregtare të Kostandinopolisit, si dhe me sulltanin turk Muratin II. Pas një veprimtarie të gjatë në lindje së fundmi Çiriaku u kthye në Itali dhe vdiq në Kremona në vitin 1455.



3

Një nga qëllimet e udhëtimeve dhe veprimtarisë së Çiriako de Picikolit në Lindje ishte përgatitja e kushteve dhe rrethanave për organizimin e një koalicioni antiturk, sepse Perandoria Osmane konsiderohej një rrezik eventual për perëndimin. Këtu faktet bëhen kontradiktore sepse nga një misionar i organizimit nga papati të një koalicioni antiosman ai papritur do të shërbejë në rrethin e këshilltarëve më të ngushtë të sulltan Mehmetit, pushtuesit të Kostandinopolisit. Burimet historike pohojnë se ai kreu veprimtari agjenturore të dyfishtë, jo vetëm për Papatin dhe shtetet perëndimore, por edhe për llogari të shtetit osman. Ndër aktivitetet e tij në lindje mund të përmendim vizitën që ai bëri në vitin 1444 në Greqi tek dy princat paleologë, Thoma dhe Dhimitër, vëllezër të perandorit bizantin. Gjatë qëndrimit pranë tyre Çiriaku i nxiti ata që të përkrahnin vazhdimit e luftës antiosmane. Po në maj të atij viti ai shoqëroi ambasadorin e Gjenovës, Francesko Draperion, pranë oborrit të Sulltanit, ku do të negocionin rreth marrëveshjeve të reja dypalëshe, (F. Babinger, f. 56). Ndërsa dy muaj më vonë, pikërisht në qershor 1444 ai i dërgoi dy letra sekrete vojvodës së Transilvanisë Janosh Huniadit. Në to me cilësinë e informatorit ai e njoftonte Huniadin për punimet fortifikuese që ndërmorën turqit në Edrene, për shkak se i trëmbeshin një sulmi hungarez, (Babinger f. 57). Në letrën e dytë Çiriaku e sqaron atë se, sulltan Murati II kishte lënë në Edrene princin Mehmet dhe vezirin e madh Halil Çandarliun, ndërsa vetë me trupa të shumta ishte hedhur në Anadoll. Kjo letër ndikoi drejtpërdrejt tek politika hungareze, pasi mbreti Vladislav e prishi paqen dhjetë vjeçare që kishte nënshkruar me osmanët dhe i sulmoi ata për ti dëbuar nga Ballkani. Kështu nisi lufta e re turko-hungareze, e cila përfundoi me thyerjen e hungarezëve në betejën e Marnës. Ndërsa Çiriaku e vijoi edhe më tej veprimtarinë informuese. Në 13 mars 1445 ai njoftoi nga qyteti i Magnizës, sundimtarin Italian të ishullit Hios, Andreolo Xhustinianin, se sulltani nuk e kishte në planet e tij ushtarake sulmin ndaj ishullit. Ndërsa në një letër tjetër që Çiriaku i Ankonës e shkruan nga Foça në 11 maj 1445, ai e siguron Xhustinianin që të qëndrojë i qetë, sepse sulltan Murati II, ishte nisur drejt Edrenesë i thirrur me ngut nga veziri i madh për probleme të rëndësishme që kërcënonin shtetin osman (Babinger, f. 75). Interesante është edhe veprimtaria e Çiriako de Picikolit në shërbim të sulltanëve osmanë. Ajo fillon në vitin1446, kur në rrethana të panjohura ai merr një letër nga sulltan Murati II, i cili e siguron që të lëvizë në mënyrë të lirë në të gjitha territoret e Perandorisë Osmane. Këtë “Berat” (letër rekomandimi), Çiriakoja e mori nga sulltani në Magniza, qytet në Azinë e vogël, ku Murati II kishte vendosur selinë, pas abdikimit të parë të tij në favor të të birit, Mehmetit II. Dokumenti ju dorëzua Çiriakut në 17 prill 1446, në prani të gjenovezit Francesko Draperio, i cili bashkëpunonte me sulltanin në tregtinë e shapit. Shumë kuptimplotë është edhe fakti se sulltani e priti privatisht Çiriakun në apartamentin e tij dhe jo në ambientet e pritjes në saraje. Ndoshta puna informuese për llogari të republikës së Gjenovës, bëri që Ciriakut t’i propozohej që këtë veprimtari ta kryente edhe për shtetin turk, armiqtë më të rrezikshëm të të cilit në Ballkan ishin Venediku dhe Hungaria. Pas këtij takimi ai e shoqëroi sulltan Muratin II, gjatë tre ditëve të udhëtimit të tij nga Magniza drejt Edrenesë, kur ai u nis për të rimarre pushtetin. Por në letrat e tij Çiriakoja na tregon se ai e kishte vizituar më parë oborrin e sulltanit qysh në vitin 1444. Në to ai përshkruan edhe bisedimet e zhvilluara në Edrene midis sulltan Muratit II dhe mbretit Vladislav të Hungarisë, ku u nënshkrua edhe paqja dhjetë vjecare, e cila solli qetësinë në Ballkan midis këtyre dy fuqive të kohës. Për këtë ngjarje Çiriaku na tregon edhe protokollin osman të pritjes, ku sulltani qëndronte i ulur në qendër mbi një qilim të madh, i rrethuar prej oborrtarëve. Ndërsa përbri tij qëndronte princi Mehmet Celebiu, i cili më vonë do të hipte në fron si sulltan Mehmeti II, (Babinger, f. 54). Ndërkohë që me ardhjen në pushtet të sulltan Mehmetit II në vitin 1451, për Çiriakun nis një etapë tjetër, e paimagjinueshme më parë për një perëndimor. Ai do të bëhet pjesë e rrethit të këshilltarëve të sulltanit. Ishte koha kur Mehmeti po vinte në jetë qëllimin e tij për pushtimin e Kostandinopolisit, kryeqytetit të Perandorisë Bizantine. Për të realizuar këtë ëndërr të vjetër të osmanëve, Mehmetit i nevojitej Çiriaku, i cili i përktheu atij të gjitha manualet perëndimore të rrethimeve dhe marrjes së kështjellave. Ai i shpjegoi sulltanit skicat e shumë rrethimeve të kështjellave dhe qyteteve që jepeshin të ilustruara në kronikat evropiane. Sipas historianit Franc Babinger, Çiriakoja ishte forca kryesore mësimore e Mehmetit, pushtuesit të Kostandinopolisit. Këtu më mirë se kudo njohuritë e tij të arkeologjisë u përdorën në mënyrën më efikase. Ai përktheu të gjitha raportet dhe kronikat ushtarake të kryqëzatës së katërt, e cila e pushtoi me sulm, Kostandinopolisin në vitin 1204. Të dy së bashku ata formuluan skicat e mureve, vendosjen e topave dhe drejtimet e sulmit. Kështu pas 54 ditësh rrethimi, ditën e martë të 29 majit 1453 Kostandinopolisi ra dhe bashkë me të u shemb përgjithmonë edhe Perandoria Bizantine. Në këtë fitore të madhe të osmanëve pati meritën e tij edhe Çiriako de Picikoli, për të cilin mund të themi, se kreu një punë vërtet të shkëlqyer për një arkeolog perëndimor.



4

I vlerësuar si një nga figurat e shquara të humanizmit Çiriaku i Ankonës nuk duhet të ketë qenë vetëm njeriu i kulturës dhe i letrave. Të paktën kështu del nga libri historik i Franc Babingerit, “Mehmet Pushtuesi”. Megjithëse ky nuk është në dukje një problem i yni, pasi tek ne në Shqipëri ai dha të dhënat e para mbi objektet arkeologjike. I pari që publikoi imazhin e Çiriakut ishte arkeologu Italian Luixhi Ugolini, në librin e tij “Butrinti”, botuar në vitin 1937. Këtu Ugolini i njeh atij meritën se bëri zbulimin e parë arkeologjik të Butrintit. Meqenëse Ugolini u etiketua si një arkeolog”grabitës monumentesh” nga historiografia zyrtare e kohës së socializmit edhe shkrimet e tij nuk e panë dritën e botimit. Vetëm në vitin 1999 Instituti Italian i Kulturës në Tiranë botoi librin e Ugolinit “Butrinti”ku në faqen 108 jepet një reliev me portretin e Çiriakut në profil. Tashmë arkeologu i parë i monumenteve të Shqipërisë, apo misionari i Papës dhe Gjenovës, si dhe këshilltari i Mehmet pushtuesit nuk do të jetë më i panjohur për publikun. Dhe këtu meritën e ka përsëri Luixhi Ugolini, të cilit nuk do ti njohim vetëm meritën e zbulimit të Butrintit, por edhe “zbulimin” e Çiriako de Piçikolit të Ankonës.

nga Erion Kristo :Njeriu është punishte gabimesh


image




Arian Leka, i njohur si poet, prozator, eseist, fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, si dhe i botuar në revista prestigjioze, zhytet sërish dhe krejt në botën e një trilli të rrallë. Libri Ndreqje gabimesh është një trill, një risi jo thjesht për poezinë shqipe, që i dhuroi autorit çmimin “Lasgush Poradeci” – 2011, të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I larguar paksa nga bota e ujit, që me vëllimin poetik “Libër deti” arriti zenitin e vet, Arian Leka tashmë çapitet në një botë tjetër, në një materie të re, kërkon dhe gjen tingull ndryshe në botën e gabimeve njerëzore dhe të përqeshjes hyjnore ndaj “gabimeve” tona, hyn pa udhërrëfyes në marrëdhëniet intime burrë - grua, trup – shpirt, nga e thjeshta, primarja, primitivja, jo drejt më të lartës, spirales, por drejt më së thjeshtës fare, aty ku fillon jeta. Ky libër nuk premton evolucion. Është ndërprerje edhe në krijimtarinë e autorit, pavarësisht se duket se një syth i tij bulon nga libri poetik Strabizëm, gjithashtu fitues i Penës së Argjendtë, pesë vjet më parë, si kërkesë për të dalluar të tjera gjëra tek gjërat që na shohin sytë përditë. Gabimet njerëzore dallohen, shquhen qartë, që në vargjet e para të poemës. Madje ato duken se janë aty dhe presin të shfaqet e para figurë njerëzore e tekstit poetik, si për të shpallur jopërsosjen si udhëheqës. Arian Leka i drejtohet idilikës njerëzore, konceptimit të modelit klasik të së bukurës dhe së mirës si t’i drejtohej demonëve futur në trupat njerëzorë: “Dil prej meje. / Siç del kavilja / që të pengon të ngarendësh në fushë. Siç/ prej një race të egër pëllumbi / del / pëllumbesha e butë”, sepse “Nga më e bukura njeriu mërzitet. /Kafaze teli thur për zogj.”

Dyshimi, forma e lëkundshme që ndryshon formë, kalimi i pandjeshëm nga qenia njerëzore në një formë tjetër, në formën mitike të shtazës imagjinare që ka fusha me lule dhe bar në stomak dhe që nuk do të ngrihet në lartësitë e njeriut, të njerëzores, të shoqërores, që dëshiron të jetë kafshë që ripërtyp fusha të gjera me gabime dhe që këshillon të ruhemi nga njeriu me hark, shigjetë dhe kukurë të re, njeriu që kërkon ta përmirësojë gjenetikisht, teksa... “Duke gjurmuar gabimin tek unë / mund të vrisje edhe atë cilësi fare të vockël / tretur te gabimi... Apo nga dëshira për të zgjuar / njeriun tek unë – ndërsa unë vetë kënaqem / rri shtrirë, dergjem njëlloj si gabimi / shigjeta e humbur...”

Gabimi, pra, siç na shfaqet në këtë poemë, mbetet një konstante e jetës. Kjo e bën njeriun njeri dhe njerëzor. Kjo ndeshet duke e lexuar, duke e përsëritur dhe duke e pranuar faqe pas faqeje, si një mësim, apo si një përvojë e panxënë mirë ndër vite. Me këtë gabim përplasesh shpesh nëpër vargjet e poemës, i ikën, e shmang dhe prapë rikthehesh për të nomatisur përballë tij si përballë një muri lutjesh. Ndërkaq, poema Ndreqje gabimesh, ndonëse e shkruar me thjeshtësi dhe edukim gati spartan për sa i përket shmangies së simbolikave dhe metaforizimeve të lodhura, është e vështirë për t’u përcaktuar apo klasifikuar në një zhanër të vetëm, sikundërse është e vështirë të besosh se e rrok duke e zotëruar pjesshëm, këngë pas kënge. Për shkak të teknikave shkrimore dhe stilistikave që autori përdor, kjo poemë kërkon lexim dhe shijim në tërësinë e vet, deri tek vargu i fundit, madje deri tek pika në fund të këtij vargu, përfshi këtu edhe heshtjet. Baza filozofike e kësaj vepre poetike, shkruar në formën e një poeme me XVII këngë, është një lloj vënieje në dyshim e gjithë vlerave të arritura në etikë dhe të ngritura në estetikë rreth figurës njerëzore, duetit njerëzor më saktë.

Poema Ndreqje gabimesh vjen si dekonstruksion i mitit të dashurisë për të përkundërtin / për të përkundërtën, apo siç shprehet vetë autori në një intervistë, ajo është thirrmë për një marrëdhënie tjetër mes tyre, një marrëdhënie ku nuk premtohet më e mira, por ndryshimi, ku në themel të gjithçkaje rri Gabimi. Ato vargje janë gati – gati ca vise përfytyrimi pa engjëj, pa shenjtorë dhe moralistë, por me njeriun që gabon dhe fal gabime dhe që “gabimin e vjetër e shlyen me një gabim të ri”, duke besuar gjithashtu se edhe “i falshëm edhe mësues është gabimi.” Kjo na bën të kërkojmë e të gjejmë tek kjo poemë forma të tjera qasjeje e mëtime të tjera veç formës së shfaqur të femrës dhe të mashkullit, përtej burrit dhe gruas dhe ta shtyjmë kërkimin në fill të asaj që e kemi quajtur jetë dhe vdekje, aty ku gjithçka është e rrezikuar, e kërcënuar, aty ku qenia shfaq rebelizëm, rebelohet, klith për mbijetesë, aty ku krijesa njerëzore nuk “është më gjahtar, por viktimë” dhe ia del të mbijetojë duke besuar më të thjeshtën: “embrionin, fillesën, farën, vezën, lulen, kërcellin, gjethen dhe marrëdhënie e tyre me rrënjën dhe me një dorë që i ka braktisur format dhe zanatet e tjera për të qenë kultivues, kopshtar.” Vetëm kaq. Kopshtar, po i kujt, i çfarë gjëje? I jetës. Jeta është Mjeshtri që i lutet formave të jetës të gabojnë, “të tradhtojnë për të jetuar”, për t’ia dalë mbanë, të zgjedhë komandën “duhet” edhe kur e di se ç’do, se ç’dëshiron. Jeta e propozuar kësisoj në poemën Ndreqje gabimesh bëhet Mjeshtri që i sheh format mbi të cilat kemi ngritur idhujtarinë, idiolatrinë, besimin e rremë, anën sipërfaqësore të të jetuarit, forma me të cilat nuk mund të vijohet më pa qenë krejtësisht i verbër. Ndaj kjo poemë kërkon shëlbim. Për Arian lekën njeriu është “punishte gabimesh / ku fajet lindin / përsosen me dorë / dhe vdesin pa u përsosur.”

Jetë dhe forma jete derdhen para shqisave tona “Fajtore. Të papastra, si gjithçka e barkut tënd, / si duart dhe dorezat e thikave në thertore.” Këto forma shfaqjeje na shtyjnë të besojmë se autorit nuk i ka interesuar të merret thjesht me dashurinë e përcaktuar si burrë – grua apo femër - mashkull. Duket se mëtimi i tij shkon përtej. Ku? Tek “Ç’është bërë nga Zoti duhet shkatërruar...” Tek ato pamje që të kujtojnë pikturat me mishra të varur të piktorit me emër filozofi, Francis Bacon. Tek ajo që Arian Leka na e sjell në vëmendje se gjithçka, sado e përcaktuar dhe e mbyllur në burgun e formës duhet marrë në duar me kujdesin që i duhet një mine, e cila mund të të plasë në dorë “për t’i përsheshur përfytyrimet, idetë, idealet dhe idilet”.

Le ta besojmë autorin kur përmend veset që lindën nga një formë e përkryer, njëlloj siç mund të besojmë se edhe Odiseu e “mësoi nga barqet e luleve / dinakërinë e hidhur / të fshehjes së ushtarëve në bark.” Atëherë le ta besojmë se dhe Arian Leka në poemën Ndreqje gabimesh ka fshehur kërkesën poetike (dikur edhe profecitë në formë poezish shfaqeshin) për një rikonstruktim që i drejtohet dashurisë, por që e tejkalon atë, për të përfunduar tek një formë e re besimi që mund të jetë po Dashuria si vlerë e rimarrë, e rivalorizuar. Le të besojmë edhe tek ftesa për ndreqje më të gjerë gabimesh sesa rrafshi erotik, seksual, seksual apo thënë ndryshe, rrafshi i marrëdhënies dashurore.

Ndreqje gabimesh...! Po cilat gabime, çfarë duhet e mund të ndreqet? Ç’mund dhe ç’duhet të shohim përtej marrëdhënies mes mashkullit dhe femrës? Ç’simbolikë fshihet nën këtë anatomi njerëzore, rrëfyer me morfologjinë e një përralle për Evën dhe Adamin e një herë e një kohe? Përse përdoren gjithë ato vargje sinonimikë: shkatërroj, rrafshoj, zhbëj, zhbij, prish, shkallmoj, vrarë, shpërdoroj, shkrij, çmontoj, plas, vret, shqep, gërric, përdhos, thyej, çaj? Thua për një trup të brishtë njerëzor? A mund të mendojmë se përtej këtij trupi është jeta, jetesa, të jetuarit, mënyra si mendojmë, veprimet, përvojat, gjithë sa nuk duam dhe që na mundon, paraardhësit, pasardhësit, arti, poezia, vendi i quajtur at+dhe apo mëmë+dhe, njerëzit e dashur dhe të padashur, gjithë sa kemi ndërtuar ne dhe paraardhësit tanë dhe që njëlloj si të qe një minë detare, plot gunga në trup, rrekemi ta çmontojmë, gjithë kujdes, me drojën se do të na vrasë, me frikën se prej saj do të mbetemi të gjymtuar dhe me dyshimin se jemi vallë në jetë nëse nuk i vëmë në këtë provë marrëdhëniet tona?! Dhe prapëseprapë... Dhe sidoqoftë: “Gabimi ishte antitrupi / varkë shpëtimi / vaksina mbrojtëse nga i njëjti gabim.”

Libri Ndreqje gabimesh, është prirja drejt më të thjeshtës, aty ku jeta kanoset dhe mbrohet nga fara. Kërkon të mbrohesh? Shtohu! Kërkon të zhdukesh? Shtohu! Po çfarë paska, çfarë ofrohet dhe çfarë gjejmë përtej mishit dhe gjakut, çfarë ka përtej farës tek kjo poemë? Ç’mund t’i bëjmë vetes dhe njëri - tjetrit në këtë proces ku gati shpallet shenjtëria e gabimit, shpallet thuajse një ungjill i tij? Asgjë tjetër përveçse “Të qep / gjithë sa shqepa vetë / dhe gjithë sa gjeta të shqepur/tek ti”. Ndoshta në të vetmen mënyrë që i mbijetoi përvojave, trupi, mendja, shpirti “merr formën e gjilpërës së madhe me një sy. / Hyn edhe del nëpër trupin tënd të lodhur / vetëm e vetëm për të thurur një lule, një lule të vogël.”

Në këtë poemë, Arian Leka shpaloset fort, sepse mbështetet në djerrina që papritmas nën çokun e fuqishëm poetik kthehen në deltina, ku poetit të soneteve befas nuk i interesojnë më tingujt dhe vargjet e rregullt. Ai ka hequr dorë prej tyre ngaqë dashuria shfaqet si “bimë fatkeqe”, së cilës as “lulet dhe as gjethet nuk i rrojnë gjatë”, ku “njerëzit i dhurojnë njëri - tjetrit kërcej mërzish”, i luten Zotit të marrë formën e shpezës dhe t’u pastrojë zemrat që meshojnë nën formulë ripagëzimi: “Ati ynë që zbret nga qielli, gabimin e përditshëm epna edhe sot dhe bëj të mundur që i falshëm dhe jo i njëjtë të jetë gabimi.”

Duke folur për gabimin, që i përket të gjitha botëve, autori shkruan: “Thënë ndryshe: jeta ndahej në njerëz të gabueshëm /dhe në aq pak gabime /sa për të mos qenë engjëjt /që për veten mbajnë pasqyrë dhe krehër /dhe për të tjerët/shpatë.” Se “njerëzit nuk kanë frikë vdekjen, kanë frikë shëmtimin”, se gratë ende nuk kanë vendosur ende cilin të zgjedhin mes dy modelesh: “vrasësen apo ledhataren”, se “dashuria bredh e uritur gjer në fund të pranverës”, se dikush, tinës të tjerëve, “në shishe hollake, si epruveta mbledh djersë dashurie”, ndjen frikë dhe lutet: “Ndaje thartirën me mua. Dashuria që tepron për zogj, tepron edhe për ne të dy, gjersa njerëz të tjerë nga veset dhe nga virtytet do të na ngjajnë.”

Si fjalë e fundit mund të them se Ndreqje gabimesh hyn tek librat profanë. Por pavarësisht nga kjo pyetja fatale mbetet: A duhen ndrequr gabimet e vjetra me gabime të reja, siç ngulmohet më se një herë në këtë poemë? Përgjigjja është: sipas dëshirës, ad libitum, si t’ju pëlqejë...

Nga Albert Janku : Trazime erotike!

Subjektet e pikturave të Caravaggios janë shndërruar në njerëz të gjallë, që kërcimtarët i kthejnë në figura skenike koreografike. Gjithkush nga ato lëviz brenda hapësirës që Candeloro ka krijuar me elementë skenikë të spikatura, por që ndriçohet me dritë hije mbresëlënëse. I harruar për tre shekuj në errësirë, vepra e Caravaggios erdhi dekadat e para të shekullit të 20-të me një Rilindje të madhe ...
image



Është vepra dhe jeta e Caravaggios arti i tij i shpërndarë në gjashtëdhjetë minutat e baletit të koreografit Toni Candeloros, që i bëjnë jehonë të djeshmes në ditët e sotme. Nuk mund të ketë gjë më të gjetur, se gjallërimi në koreografi i pikturave të një artisti, që preferonte të pikturonte subjektet e tij, ashtu si i shikon syri, me të gjithë defektet natyrale që ato kishin, sesa si krijesa të idealizuara. Subjektet e pikturave të Caravaggios janë shndërruar në njerëz të gjallë, që kërcimtarët i kthejnë në figura skenike koreografike. Gjithkush nga ato lëviz brenda hapësirës që Candeloro ka krijuar me elementë skenikë të spikatura, por që ndriçohet me dritë hije mbresëlënëse. I harruar për tre shekuj në errësirë, vepra e Caravaggios erdhi dekadat e para të shekullit të 20-të me një Rilindje të madhe. Roberto Longi e solli atë edhe një herë, e nxori mbi tokë (anonimatin) dhe e vendosi në traditën europiane. Koha që e harroi, ajo edhe solli përsëri me të gjithë vlerat dhe influencën e tij në stilin barok. Koncepti ideor i shfaqjes ka ardhur si ngasje dhe frymëzim i koreografit nga ajo që ai ka zbuluar në veprën dhe jetën e piktorit. Candeloro si gjithmonë në veprat e mëparshme dhe tek kjo e fundit, jep përshtypjen e një artisti thellësisht emotiv dhe delikat, me një ndjeshmëri që të prek shumë.

Ai nuk priret drejt historisë dhe të mbetet jetë përshkrues i subjektit, ai gjen thelbin e zbërthimit të karakterit, ka shumë të zhvilluar ndjesinë e dramës së personazhit të tij. Nuk verbohet nga jehona dhe madhështia por bëhet njësh me materialen dhe shpirtëroren e asaj ç’ka do të trajtojë. Nuk i bën përshtypje që muzika baroke e shkruar shekuj më parë të rrijë pranë kufirit muzikor të sotëm. Ai e lidh të djeshmen me të sotmen ngaqë koha nuk e harron artin e vërtetë, sado që mund të ndodhë që artisti të jetë i lënë, për një moment mbuluar nën tokë. Në çdo lëvizje dhe figurë shohim artin koreografik që rrezaton me ndjeshmëri botën e madhe të artistit të marrë për model. Çdo episod në mund ta quajmë kështu, duket sikur frymëzon mesazh të veçantë për cilindo shikues.

Shfaqja fillon në mes heshtjes, kur autori hyn në skenë dhe hap siparin nga ku dalin modelet që ai do të gjallërojë në pikturat e tij. Janë trupat që zhvishen dhe transformohen në subjekte të pikturës dhe koreografisë. Sa pranë në këtë rast janë këto dy gjini të artit. E këtë rradhë mjeshtërisht Ledia Sula, Fatjon Lito dhe Elton Merja bëjnë që vëmendja të përqendrohet në lëvizjet e tyre të shkrira në muzikën e Bocherinit. Skena mbushet nga plastika e gjetur e një baroku – impresionues, që grupet skulpturore kaq të gjetura mbushur me një gjuhë sa klasike dhe moderne, mbeten në kujtesë edhe nga drita dhe hija në ndricimin skenik, që vjen nga përdorimi dramatik që madje nga kritikët konsiderohet teatral të chiaro-scuro që është përdorur nga vetë Caravaggio. Që në episodin e parë shihet qartë ideja e autorit koreograf shumë guximtare për zhvillimet e sotme të fushës. Krijuesi (artisti) është vetë mesazhi, është talenti dhe vepra e tij që ka mposhtur çdo pengesë në idealet dhe realizimet e tij. Ashtu siç fillon po ashtu dhe vazhdon Candeloro me grupin e modeleve që do të pikturojë : Rovena Shqevi, Isida Mollaymeri, Erald Zela, Loreta Balaj, Milena Nurka, Julian Dervishi, Besi Skura, Elton Merja. Thellohet e ndërmjetmja duke errësuar hijen dhe duke fiksur më vonë subjektin me një dritë verbuese, kur në skenë shfaqen Madalena dhe kështu të interpretuara me shumë mjeshtëri dhe siguri profesionale nga Erisa Gina, Odeta Dishnica, Adela Muçollari dhe Evis Nallbani. Koreografia fiton me këtë rast një frymë ëngjëllore ku personazhet kthehen pothuajse në hyjni, por gjithsesi të prekshëm dhe të besueshëm në kërkimin e rrugës së ndriçuar nga Krijuesi drejt bardhësisë së shpirtit të pastër. Në të tre këto episode, të gjithë kërcimtarët në tekstin e tyre të pasur koreografik mbeten në sytë e kujtdo nga mjeshtëria e koreografit, piktura të gjalla që të emocionojnë e ruajnë stilistikën e tërësisë së shfaqjes duhet pohuar që është shumë e veçantë. Referimi ndaj krijimit muzikor “Lutje për shpirtrat e trazuar” të kompozitorit shqiptar Shpëtim Kushta, që inspiron një atmosferë hënore (lunore) dhe të gjithkohëshme, përveç se pjesë e vizionit koreografik në këtë vepër është njëheri gjurmë e ngjizjes së këtij krijimi me emocionalitet shqiptar....

Influenca e Caravaggios në stilin barok të ri që doli nga rrënojat e manierizmit është thelbësore dhe shumë e rëndësishme për studiuesit dhe të gjithë ata që krijojnë mbi veprën e tij. Edhe në episodin në vazhdim, Candeloro e zbërthen po në të njëjtin princip këto, por me një grup tjetër kërcimtarësh të tillë, ishin: Ledia Sula, Endri Shkoza, Elton Merja, Antonietta Buccolieri, Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Greta Hushi, Evis Nallbani. Kërcimi i tyre shquhet në harmoninë e lëvizjeve dhe figurave. Rrjedhshmëria pa pika të forta të temporitmit dhe intensitetit të kërcimit. Trupa e gjithë tashmë e njohur me stile, forma dhe shkolla të kërcimit ndonëse për më pak se dy javë tregoi superim të leksionit të ri koreografik përmes përgatitjes, gatishmërisë dhe kultures ekzekutimi mjaft professional gjë që publiku e njeh tashmë edhe në raste të tjera të demonstrimit te pasionit që mund të konsdierohet si sekret i ketij grupi kërcimtarësh të talentuar.

Atyre iu bashkua Enada Hoxha dhe Gerd Vaso në episodin Dritë – Hije – Rrëfim dhe frikë të titulluar. Të gjithë episodet i lidh një bosht solid duke filluar që nga skenografia e thjeshtë por plot simbole, me pak podiume dhe me të kuqen e paletës së piktorit që duket herë pas here të zërë vendin e të dominojë në idenë e thurur me kujdes, përgjatë gjithë shfaqjes dhe që thuret nga një stil i vetëm dhe i qartë. Enada dhe Gerdi përgatisin numrin në vijim. Është ngrohtësia e lojës së tyre që na fut në episodin e fundit të shfaqjes që titullohet Perëndimi – Njeriu dhe Gjaku të interpretuar nga vetë Candeloro. Monologu i gjatë interpretuar nga ai në muzikën e Arcangelo Bellini Concerto Grosso është kuintesenca e botës se trazuar të piktorit ardhur në kohë, që u harrua nga xhelozia, zilija por edhe nga skandali që provokuan veprat e tij aso kohe. Në fundin e baletit “Caravaggio – Gjak dhe Dritë” – artificio 401, Candeloro përjeton dhimbjen e madhe shpirtërore dhe fizike që piktori bën të flitet akoma sot për të. I vëmendshëm dhe në këtë rast Candeloro në minutat e fundit të shfaqjes futet në botën e tij shpirtërore të mbushur me mistere dhe ankthe të përhershme. Keto ankthe zbulojnë deri diku jetën dhe veprën e Caravaggios që kanë frymëzuar atë në imazhe të përftuara nga realiteti që piktori ka përdorur në mes njerëzve që shërbejnë si modele të veprave të tij. Shfaqja është bashkohore, me figura të mbushura me jetë, mbi një platformë koreografike që zhvillohet në process dramatik. Pa një shtjellim për të pasur qëllim të përshkruajë jetën e subjektit, ajo tingëllon e qartë impresionuese që bazohet mbi plastikën dhe lëvizjet e ndriçuar nga dritë – hije e gjetur mjeshtërisht nga autori. Shfaqja u dha për tre netë rresht. Në nivelin e saj pati dhe në natën e dytë dhe sidomos në të tretën. Në natën e dytë dhe sidomos të tretën, siç ndodh nuk ishte impenjimi dhe emocioni i natës së parë. Duhet të mos ndodhë që shfaqjes së pregatitur dhe të dhënë një herë, nuk duhet t’i lekundet asnjë komponent por të ruajë freskinë dhe kur ajo përsëritet një natë më pas. Mbase për vetë atmosferën e grinjtë të realietit tonë jashtë teatrit këto kohë dhe publiciteti për këtë shfaqje nuk ngjiti me kohë, unë uroj autorin Candeloro nga Italia fqinje për krijmtarinë e tij të veçantë, drejtorinë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit që ideon ngjarje të tilla, të gjithë trupën dhe solistët për shfaqjen e përcjellë me shumë kulturë që na dhuruan këto netë të ngarkuara shkurti.

Nga Artan Fuga:Shqiptarët dhe politika

Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur këto dy javët e fundit mund të përmblidhen në tre faktorë kryesorë:

a. Bllokimi i mekanizmave institucionalë të politikës dhe përkthimi i saj me lëvizje masash në rrugë;

b. Dhunë përgjatë demonstratës të thirrur nga opozita dhe konfrontimet me forcat e rendit duke sjellë humbje jetësh njerëzore, plagosje, dëmtime materiale etj.;

c. Konfrontime verbale dhe institucionale mes drejtuesve të sektorëve të ndryshëm të shtetit.

Për rrjedhojë, në opinionin publik ka një dëshpërim. Ai dallohet edhe në bisedat mes njerëzve, edhe në mjedise familjare, por edhe në shumë raste në shkrime në shtyp apo intervista në televizione. Padyshim që ka vend për trishtim, kur sheh që mekanizmi politik i shoqërisë shqiptare ka pësuar një ndrydhje të fortë, institucionet e shtetit i bëhen barrikada njeri tjetrit dhe përgjegjësit e tyre demonstrojnë tensione psikologjike para qytetarëve që i shohin ata në ekranet televizive dhe, megjithatë, tregojnë një qetësi dhe maturi të përkorë. Mirëpo, pas trishtimit, ka vend të bëhen analiza, dhe kur ato mbyllen me nota të rënda pesimiste, padrejtësisht, atëherë gjendja rëndohet edhe më tepër.

Ka njerëz që me sinqeritet janë të dëshpëruar si të gjithë ne ndërkohë që dëshirojmë një Shqipëri të fortë, me demokraci që zhvillohet, me stabilitet social dhe politik për të përballuar një botë që ka hyrë në një fazë shumë delikate dhe të rrezikshme. Nga kjo fazë do të dalin të fortë dhe të rinuar kombet e mençur që dinë të vendosen përballë fatit të tyre historik me vendosmëri, kurse kombet që do të hanë veten së brendshmi, do të shkojnë në bisht të radhës të qytetërimeve të dobëta.

Mërzia shprehet ndonjëherë edhe nga njerëz që kanë për detyrë të tregojnë qetësi dhe të kërkojnë rrugë për të dalë nga situata ku jemi futur. Nuk është puna thjesht te pesimizmi sepse nëse rruga do të ishte pa krye, pesimizmi përbën realizmin më të mirë. Por, problemi qëndron më duket se ka një pesimizëm që vjen edhe nga hutimi, nga paralele të paqëndrueshme në arsyetim dhe nga mosdallimi i qartë i dukurive politike, historike dhe shoqërore të sotme, ose edhe nga ndonjë mangësi në metodologjinë e përqasjes së dukurive sociale.

Përsëri janë artikuluar zëra se ne shqiptarët po tregojmë se nuk dimë të bëjmë shtet, se po i prishim “muret” e kështjellë përsëri si njëzet, dhjetë vjet apo njëqind vjet më parë. Mblidhen raste të ngjashme në historinë tonë, zhvishen gabimisht nga dallimet mes tyre, dhe kështu gjithçka shihet e thjeshtëzuar në dramat e dhunës që barazohen me njëra-tjetrën. Nuk shihen këto analiza të lidhura ngushtë me koniunkturat e veçanta të çdo etape.

E gjithë barra bie sipas një përqasje antropologjike mbi atë grup shoqëror që quhet “shqiptarët”. Unë do të mendoja ndryshe. Do të mendoja se edhe në krizën e vitet 1997, edhe tani, ndonëse atëherë rendi publik u shkatërrua dhe tani institucionet kanë një destabilizim të rëndë nga i cili uroj ta marrin veten sa më shpejt dhe fuqishëm, shoqëria shqiptare nuk u shpërbë. Edhe atëherë sikurse edhe tani lidhjet shoqërore mes shqiptarëve u treguan shumë të forta dhe nuk u shkërmoqën as nën furinë e inatit, as të armëve dhe as të gjuhës së hidhur të politikës apo bllokimeve institucionale. Mua më duke se shqiptarët, përkundrazi, edhe kur shteti i tyre ka rënë, edhe kur ka rrezikuar të bjerë duke u lëkundur papërgjegjshmërisht, kombi pra, ka ditur të afirmojë qetësinë e vet, stabilitetin e vet. Shteti mishërohet te institucionet, por ideja e shtetit që përbën në fakt kuintesencën e tij, nuk është thjesht dhe vetëm te materia e mureve, nuk është vetëm te personat që e përfaqësojnë shtetin, por, përmbi ta, mbi gjithçka, sikurse e ka argumentuar fort filozofia hegeliane, shteti është pikësëpari vetë ideja e shtetit që qëndron në përfytyrimet kolektive të të gjithë kombit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë përfshirë në çarje të rënda dhune transversale dhe kapilare sikurse ka ndodhur me shoqëri të tjera ballkanike jo rrallë. Jam i bindur se nëse nuk provokohet shumë kombi nga partitë politike, sepse edhe ai ka një pikë përtej së cilës e humb toruan, shoqëria do ta kalojë në mënyrë dinjitoze këtë destabilizim të madh, këtë traumë të madhe që ka pësuar në këto dy javët e fundit, shkaqet e së cilës duan muaj dhe vite për t’u analizuar.

Mbi të gjitha nuk ka dukuri përsëritjeje sikurse duan disa ta instalojnë pa dashje apo nga nihilizmi vesin e dhunës në historinë e re shqiptare. Ngjarja historike nuk mund të reduktohet te dhuna që ajo prodhon, sado e dhimbshme që kjo e fundit të jetë dhe sado të padëshirueshme të jenë pasojat e saj.

Është e vërtetë se kalimi nga shoqëria totalitare drejt një horizonti demokratizues te ne, në vitin 1990, ka qenë i kushtueshëm me tronditje sociale, humbje të kontrollit të shtetit mbi rendin, përplasje të rënda në sheshe e mitingje, mitingje dhe antimitingje. Nuk ishte ta zëmë si tranzicioni çek apo hungarez etj. Por, kjo nuk ka të bëjë fare me natyrën e shqiptarëve apo me kuintesencën e historisë të Shqipërisë. Ka të bëjë thjesht me mënyrën sesi ishin ndërtuar marrëdhëniet njerëzore dhe shtetërore në kohën para vitit 1990. E gjitha sa ndodhi nuk kishte të bënte me ndonjë prirje abstrakte dhune, por ishte një mekanizëm kalimi nga një shoqëri totalitare drejt një model shoqërie të kërkuar sipas parametrave të respektimit të të drejtave të njeriut, të tregut të lirë dhe të demokratizimit të pushtetit.

Në një farë mënyre kjo etapë është kapërcyer dhe ngjarjet e tanishme nuk kanë të bëjnë fare me ndonjë përsëritshmëri, pra s’ka vend të thuhet sikur shqiptarët përsëri po përsërisin gabimet e kaluara. Etapa e tanishme është krejt tjetër, është një sfidë e re që nuk ka qenë më parë.

Historia qenka për ne, por jo vetëm për ne shqiptarët, një lloj gare vrapimi si ato të kapërcimit me pengesa. Duhen kapërcyer pengesat njëra pas tjetrës. Ndofta përpjekjet për kapërcimin e çdonjërës janë të ngjashme, kurse vetë pengesa nuk është aspak e njëjta si më parë.

Ngjarjet e dhunshme të vitit 1997, atëherë kur populli vërtet kishte dëshirë të mbushte spontanisht sheshet, kishte të bënte në radhë të parë me falimentimin e rëndë të piramidave, pra të atyre shoqërive false bankare që rrëmbyen paranë e shqiptarëve duke i lënë këta me gisht në gojë pasi kishin shitur shtëpi e katandi. Ishte kriza e një modeli ekonomik dhe financiar i adaptuar si keqkuptim, si gabim, si spekulim, si grabitje, si të duam ta quajmë. U dëshmua nëpërmjet ngjarjeve të rënda se me modelin ekonomik të vendit nuk luhet. Askush nuk mund të luajë. As shteti as kundërshteti sepse pastaj të gjithë përfshihen në një humnerë që nuk e ndal dot askush. Përballja e manifestuesve me forcat e rendit, pastaj dalja e situatë nga kontrolli i politikës dhe fragmentimi i vendit në zona të kontrolluara nga pushtete jolegjitime, dhuna, vrasjet, grabitjet, terrori që shpërtheu nga grupe të veçanta, etj., kryheshin brenda një krize sociale, ekonomike, politike, por që në mendjen e popullit lidhej me dramën e rënies së shtyllave ku gabimisht ishte vendosur modeli financiar dhe ekonomik i vendit.

Asnjë lidhje me situatën e tanishme. Duket se në sistemin bankar, shqiptarët, nëse mund të flasim me këtë terminologji antropologjike, e papërdorshme në politologji dhe ekonomi, kanë vend mend. Të paktën kështu duket.

As ngjarjet e 1998 dhe dhuna që shpërtheu pas vrasjes të të ndjerit Azem Hajdari nuk kishin aspak të bënin me atë që ndodhi këto dy javët e fundit. Atëherë ndodhi një revoltë pas një ngjarje shumë të rëndë, kurse këto dy javë shkaku dhe origjina e ngjarjeve ishte krejt tjetër.

Kjo që po ndodh tani nuk besoj se ka pas përsëritshmëri në të kaluarën. Ndonëse humbje jetësh kanë prodhuar edhe më parë tensionet dhe konfliktet politike në historinë re dhe të vjetër shqiptare.

Këtë radhë kemi një vendosje në dyshim të legjitimitetit të zgjedhjeve të vitit 2008, edhe tani pas dy vjetëve e gjysmë. Bllokim të institucioneve që vendosin në marrëdhënie të caktuara normale shumicën parlamentare me opozitën, kalim i konfrontimeve politike nga institucionet në rrugë, si edhe një shpupurisje të marrëdhënieve midis institucioneve të shtetit. Kjo është një ngjarje e re që kërkon një analizë të re dhe nuk ka përse hyn në hullitë e përqasjeve që barazojnë të kaluarën me të sotmet, që mbështeten mbi substanca universale pakuptim dhe që pengojnë të shohësh se çfarë ka ndodhur sot, pa e barazuar këtë që ndodh sot me atë që ka ndodhur para dhjetë apo njëzet vjetësh.

Në vitin 1997 shteti u lëkund, pjesërisht edhe u rrëzua si veprim institucional, por nuk u fragmentua. Përse nuk u fragmentua, por qëndroi si një bllok që po rrëzohej tërësisht, duke na venë para rrezikut për të qenë ose me shtet ose pa shtet fare? Sepse e tillë që kushtetuta e asaj kohe dhe ashtu e kishte konceptuar ajo institucionin e shtetit: Të përqendruar te një njeri i vetëm. Ose binte ai dhe binte shteti, ose nuk binte ai dhe mbahej shteti. Kurse sot, kushtetuta luan në mënyrë të paqëndrueshme mes pushtetesh që nuk duket se kanë edhe një koherencë aq të dukshme midis tyre, përpos faktit se janë pushtete të ndara. Duket se askush nuk ka një “dorë të fortë” brenda kuadrit të sotëm institucional që të bashkërendojë gardën dhe policinë, policinë dhe prokurorinë, presidentin dhe qeverinë, presidentin dhe kuvendin. Kështu është ndërtuar kushtetuta që kemi sot. Nga njëra anë më mirë që është kështu sepse ka më shumë hapësira lirie dhe më pak mundësi uzurpimi të shtetit. Por, nga ana tjetër, më duket se është marrë shumë naivisht kuptimi i ndarjes së pushteteve dhe nuk është parë edhe aq fort se këto pushtete, duke qenë të ndarë, diku edhe duhet të ndërtojnë një kulm të përbashkët, përndryshe republika bie. Më kujtohet Tomas Hobsi i cili duke tërhequr vëmendjen te dialektika midis ndarjes dhe unitetit të pushteteve, theksonte se ndarja e pushteteve duhet të shoqërohet edhe me bashkëveprimin dhe unitetin e tyre, sepse përndryshe një republikë e ndarë më dysh a më tresh nuk mund ta ketë jetën e gjatë.

Ja përse ne nuk po përsërisim as gabimet që u bënë në 1990, kur ndonjë “trim i vonët” na kujton se duhet të ishte derdhur gjak që atëherë duke e drejtuar turmën drejt akteve të përgjakshme. Kërkon edhe më shumë gjak...

Nuk po përsërisim as gabimet e 1997 dhe 1998, sepse kishte rrethana krejt të tjera në atë kohë krahasuar me sot.

Ne po bëjmë gabime të reja.

Gabime patjetër, por të reja.

Aktualisht klasa politike nuk po arrin sipas mendimit tim të gjejë koherencën mes pushteteve politike të ndara. Kuptoi se në 1997 një republikë presidenciale e përqendruar ishte në kundërshtim me ndarjen e pushteteve, pra me modelin e shtetit të së drejtës. Kurse aktualisht, pasi kuptoi gabimin e parë, po përballet me limitet e modelit të ri politik të vendit. Kuadri i sotëm kushtetues ka nevojë për riformatim dhe reformim të thellë, çka kam insistuar që prej dhjetë vitesh. Institucionet shtetërore ndërsa realizojnë ndarjen e pushteteve, nuk arrijnë të bashkërendojnë institucionalisht për të krijuar unitetin e shtetit. Aq e dhimbshme është kjo sa në ditët e rënda kur qytetari e ka dashur shtetin të funksionojë si një mekanizëm që vepron në mënyrë unike për ta mbrojtur e ruajtur atë dhe jetën e tij, ka parë një spektakël televiziv me përplasjen e institucioneve shtetërore me njeri tjetrin.

Unë s’të njoh ty, ti nuk më njeh mua, ne të dy nuk njohim atë tjetrin.

Deri tani kemi pasur një unitet të pushteteve të shtetit të siguruar iluzivisht prej faktorëve përtej institucionalë. Shumë institucione të shtetit i kanë mbajtur të lidhura dhe në koherencë mes tyre partitë politike që kanë qenë historikisht në fuqi. E njejta parti mbizotëronte ta zëmë edhe pushtetin ligjvënës edhe ekzekutiv, edhe prokurorinë, etj. Ose, është krijuar një “çimento” tjetër për ta ngjizur shtetin sikurse janë marrëveshjet politike disavjeçare apo disamujore midis partive politike kundërshtare. Ndarje e tortës së pushtetit me mirëkuptim. Ndërkohë që kjo marrëveshje ka së paku dy vjet që nuk po funksion si duhet, edhe shteti po zhgërryhet në një ciflosje të unitetit të vet dhe në një ndarje të tij në disa “koka”.

Pushtetet e ndryshme, secili më vete, po kthehet në një shtet më vete. Duket sikur jetojmë në një territor që administrohet nga shtete të ndryshme. E gjitha kjo na shfaqet në televizor si një spektakël i përnatshëm. Mangët kishim edhe rivalitetin mes krahut të armatosur të pushtetit bashkiak, policive bashkiake, dhe krahut të armatosur të shtetit qendror, policisë së shtetit.

Jemi para një problemi të ri, atij t’i japim zgjidhje. Është një problem që nuk e kemi njohur përpara në historinë tonë politike. Nuk ka të bëjë as me Fan Nolin, as me Skënderbeun, as me Mbretëreshën Teutë. Është e thënë që të mësojmë nëpërmjet dramash. Zaten të gjithë popujt kështu kanë mësuar. Por, nuk është faji i shqiptarëve, por një ves në organizimin e shtetit dhe të pushteteve, qendrore, lokale, ekzekutive, gjyqësore, ligjvënëse etj. I gjithë kuadri juridik është bërë shpejt e shpejt, si nëpër këmbë, si në kohë lufte aty nga 1997 dhe 1998, prandaj ligjet lënë pllaja krejt bosh mes tyre, lenë vend për keqinterpretime, ku secili pushtet, në emër të pavarësisë së vet, në fakt po ndërtohet si shtet më vete. Jemi si një kala me shumë bedena, por pa ura kalimi mes tyre.

Nuk ka të bëjë me natyrën antropologjike të shqiptarëve sikurse janë mërzitur disa. Çfarë faji ka Qenan K. që nuk ka votuar ndonjëherë, ndofta si pesëdhjetë për qind e bashkëpatriotëve të tij, për krizën institucionale në marrëdhëniet e shprishura përkohësisht mes institucioneve kryesore të shtetit shqiptar? Është struktura brenda së cilës këta pushtete veprojnë që e bën politikën të mos gjejë zgjidhje. Është një mekanizëm shtetëror që funksionon veçse nën kontrollin e partive politike ose si rezultat i marrëveshjes së tyre. Po u çekuilibruan këto dy mekanizma pushtetet tona nuk e gjejnë dot se ku të kulmojnë.

Është një hall i ri që na ka zënë. Nuk ka lidhje me të shkuarën. Nuk po përsëriten gabimet e vjetra, po mësojmë nga një gabim i ri. Nuk është se nuk dimë të ndërtojmë shtet, por se po mësojmë të ndërtojmë shtet në mënyra të dhunshme.

Sa më shpejt që klasa politike ta zgjidhë këtë hallë që na ka zënë, aq më mirë do të jetë për ne, por... edhe për të.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...