Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/03/28

Dy shqiptarë në fillimet e editorisë veneziane

 

Ilia S. Karanxha
Vështrimi editorial-ikonografik
E parë nga një këndvështrim i jashtëm e tërësor Historia e Skënderbeut na paraqitet edhe si një realizim tipografik e artistik që në llojin e vet zë një vend të nderuar ndër botimet e kohës dhe, si e tillë, është paraqitur edhe në ekspozita ndërkombëtare (Catalogue de l’exposition du livre italien, Mai-Juin 1926, Imprimirie Moderne des Beaux-Arts. 1926 p. 124, n. 773). Në Shqipëri në kuadrin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut një pullë e emisionit filatelik kushtuar kësaj ngjarje paraqet ballinën e veprës së Barletit; ndërsa Biblioteka Kombëtare në Tiranës në një riprodhim fotografik të zmadhuar (200x186cm) e ka shndërruar këtë ballinë prej shumë vitesh jo vetëm si një element dekorativ të ambienteve të saj, por në mënyrë simbolike na rikujton kështu gurin themeltar në fillimet e historiografisë shqiptare.
Vlerësimi, pra, nuk ka munguar mirëpo përpjekjet për një interpretim shkencor në Shqipëri duken tepër të varfëra nganjëherë të sipërfaqshme mbasi janë parë e interpretuar jashtë ambientit të artit të Rilindjes Italiane ku vepra u shkrua dhe u botua.
I pari element që të bie në sy sapo merr në dorë librin është ksilografia e stampuar në formë katërkëndëshi në frontespizio brënda të cilës krahas titullit janë edhe dy vjersha në latinisht. Aspekti më interesan këtu është se autorët e tyre Petro Regulus Vicentini dhe Domenik Alzanjano rezultojnë dy persona të paindentifikueshëm. Po ashtu siç mund të quhej në atë moment i panjohur editori që firmoste vetëm me gërmat e para B.V. apo autori që gjendej në brëndësi të saj dhe prezantohej me emrin Marin Barleti prift shkodran. Pra kemi të bëjmë me një vepër të maskuar ku prezantuesit e saj, editori dhe autori fshehin identitetin e tyre. Ka fakt gjithashtu nuk është marë kurrë në konsideratë nga historiografija shqiptare apo e huaj.
Tema e aktit heroik nga Horacio Koklide
Me qënëse në këtë studime na intereson vetëm data e botimit të veprës përqëndrohemi tek katërkëndëshi i ksilografuar. Ajo përbëhet nga katër pjesë të pavarura njëra nga tjetra dhe nga pikpamja e përmbajtjes trajtojnë ngjarje të lidhura me legjendat dhe historinë maqedone por më shumë me atë romake të trajtuara kryesisht në historitë e Tit Livi-t apo Plutarkut në Jetë paralele. Të katër blloqet që formojnë ksilografinë katërkëndëshe kanë përmasën 171x257mm, ndërsa faqja komplet e ballinës është 205x301 mm.
Blloku i sipërm i ksilografisë (114x36 mm), i referohet heroit romak, Horacio Koklide gjatë dyluftimit të tij kundër etruskëve për mbrojtjen e urës Subliçio. Emrin e tij e gjejmë të gdhendur poshtë kalorësit luftëtar e, sipas legjendës, qëndresa heroike e tij duhej t’u jepte kohën e duhur romakëve për shkatërrimin e urës me qëllim që të pengohej kalimi etrusk. Prapa këtij kalorësi shikohen dy persona në aktin e shkatërrimit të kësaj ure. Për nder të këtij heroi të shquar të antikitetit ishte ngritur në Romë edhe një statujë, që ishte akoma e dukshme në kohën e Plinit Plak, i cili e referon gjithashtu ngjarjen në veprat e tij. Tema e aktit heroik nga Horacio Koklide gjeti një jehonë të gjerë në artin rilindës dhe artistë të ndryshëm dhanë variantet e tyre në veprat që realizuan. Barleti gjithashtu nuk del jashtë frymës të Rilindjes Italiane dhe për të, Skënderbeu, që iu kundërvu hordhive osmane të cilat vërshuan në Ballkan, nuk është as më pak e as më shumë se një Koklide kundër etruskëve, apo një Leonidha që në Termopile mbajti ushtritë persiane të Kserksit. Prandaj ai shkruan në veprën Historia e Skënderbeut: Kështu guximi i shkëlqyer i Horac Koklidit ndër romakët
mundi të përmbante tërë ushtrinë e Prosenës, për sa kohë që ura prapa mbetej e shkatërruar. Edhe te
grekët laqedemonasi Leonida nuk ngurroi të gozhdonte me pak luftëtarë pranë Termopileve fuqitë e
panumërta të Kserksit (“Historia..., T. 1982, f. 337).
Blloku i poshtëm (114x45 mm), përmban dy episode të ndara njëra nga tjetra nga pozicioni mbrojtës i një Kimera (Sfinksi) ku stilizimi i saj të kujton edhe një ndikim të përtej oqeanit. Djathtas kemi Mucio Shevola-n, i cili me guxim të jashtëzakonshëm vetëdënohet duke vënë dorën mbi zjarr për faktin që kishte vrarë një
(skriba) sekretarin, në vend të Porsenës, mbretin etrusk, që mbante të rrethuar Romën e desh të vendoste aty pushtetin e Tarkuinjëve(etruskëve). Ndërsa majtas, Kolatina e Xhiunio Bruto betohen para trupit të Lukrecias se do t’i dëbojnë etruskët nga Roma. Ideja që transmetohet nga këto dy episode është ajo e qëndrueshmërisë dhe mosfrikësimit as para rrezikut më të madh. Episodi legjendar i Mucio Shevolës pati gjithashtu një jehonë të madhe në artin rilindës brenda dhe jashtë Italisë. Katërkëndëshi plotësohet nga dy grafika anësore me shtjellim të ngjarjeve në pozicion vertikal. Ato dallohen nga dy blloqet e tjera për motivet floreale që veçojnë episodet e ndryshme të futura brenda strukturash arkitektonike.
Fashoja e djathtë (28x257 mm) trajton episodet më tipike të jetës të Remo-s e Romolo-s pra origjinën e tyre nga albanët tek të cilët autori ynë shikonte albanët e përtej Adriatikut. Legjenda e treguar nga Platuraku ka zanafillën me jetën e mbretit alban Numitori i cili u dëbua nga pushteti prej vëllajt të tij Amulio. Ky i fundit i rëmbeu vajzën e vetme Rea Silvën dhe për të penguar kundërshtimet e të vëllajt Amulio deshte ta bënte Rea-n damën e pallatit mbretëror për rujtjen e zjarrit. Në këtë funksion, që konsiderohej i shënjtë, zgjidheshin vajza virgjëresha mirëpo Rea kishte mbetur shtatzanë me Marsin (Perëndinë e Luftës). Ajo lindi dy binjakët Remo e Romolo të cilët Amulio urdhëroi t'i venë në një kanistër dhe t'i hedhin në lumin Tevere.
Skënderbeu kundër osmalinjëve
Kështu në pjesën e poshtme kemi me radhë Amulio në dialog me Rea Silvën. Më sipër legjenda e famëshme e ujkonjës që ushqen dy binjakët. Vazhdohet me vrasjen e Amulios nga Remo e Romolo dhe pjesa më e sipërme mbyllet me fluturimin ugurmirë të hutave nga numuri i të cilave do të përcaktohej vendi për ngritjen e qytetit të Romës. Episodi i fundit në në artin rilindës italian shoqërohet shpesh me rrëmbimin e grave (quhet: Ratto delle Sabine= Rëmbimi i Sabinave) të albanve që në variantin e Historisë të Skënderbeut mungon. Barleti nuk heziton as në lidhje me këtë ikonografi të vendosë një paralele me Skënderbeun. Përpara se Heroi shqiptar të niset për t’u ndeshur me ushtritë e Ballabanit, ai na referon:“Me këtë mënyrë Skënderbeu duke dalë kundër turqve barbarë, së pari, iu lut Zotit të madh e të vërtetë. Dhe padyshim ai prijës kishte njëfarë natyre si ajo e Numës dhe e Romulit që s’linte pas dore asnjë ndihmë as hyjnore, as njerëzore.... (Historia..T. 1982, f. 607)
Në fashion e majtë (20x257 mm) dy episodet e sipërme i referohen legjendave e ngjarjeve të lidhura me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë dhe Pirron e Epirit. Ndërsa dy të fundit kanë të bëjnë përsëri me historitë e Romës antike. E para paraqet Vestale Tuçia e cila demonstron pafajësinë e saj duke mbledhur me një shoshë ujin e Tevere-s e më poshtë kemi Lukrecian që përdhunohet nga Tarquino. Mes këtyre episodeve qëndron një shqiponjë dykrenore e cila simbolizon lidhjen mes botës antike maqedone-epirotike dhe asaj romake simbol i cili përjetoi në vazhdën shekullore në perandorinë Bizantine dhe prej nga mbahej me krenari nga mjaft princa shqiptarë (Shih testamentin e Muzakës) e po ashtu edhe nga Gjergj Kastrioti Skënderbe. Siç shihet zgjedhje e aspekteve ikonografike që do të ilustronin librin ka një lidhje të ngushtë me mentalitetin e autorit por edhe me përmbajen e veprës ku Skënderbeu konceptohej si një hero që ringjallte kohrat e Aleksandrit të Madh të Piros të Epirit apo të mbretërve e strategëve të famshëm romakë të cilët kishin pasur një zanafillë tek albanët. Në këtë pikë nuk qëndron vlerësimi i bërë nga studiuesi italian F. Barberi që e quan ballinën në Historia e Skëndërbeut se një zgjedhje e rastësishme e kondicionuar nga pazari me çmim të lirë. ( F. Barberi, Il Frontespizio..., 1969, f. 133.)
Mirëpo, jo të gjitha pjesët e kësaj ksilografie mund t’i konsiderojmë origjinale mbasi episodet e paraqitura aty të treguara nga Tit Livi do të gjejnë më parë vend në veprat e tij ose në formë pak të ndryshuar në veprat e autorëve të tjerë të antikitetit e në veçanti Vite paralele të Plutarkut. Sipas zakonit të kohës riqarkullimi i këtyre ksilografive nga nje editor tek tjetri ishte një fenom mjaft i përhapur në editorinë veneciane dhe atë italiane ku Bernardini De Vitali kuptohet nuk bënte ndonjë përjashtim. Kështu të botuara për herë të parë nga Vitali janë vetëm dy ksilografitë(dy fashot) anësore të ballinës të cilat i shpjeguam më lart. Ndërsa blloku i sipërm dhe i poshtëm vijnë nga një vepër e Tit Livit e botuar më 3 Maj 1520 në Venedik (Livius, Titus, “T. Liuius Patauinus historicus duobus libris auctus: cum L. Flori Epitome.... (Venetiis:... per Melchiorem Sessam & Petrum de Rauanis socios, 1520 die III Maii).”, (70), 295, [1] c.: ill., 4º. )
Vepra madhore e Tit Livit mbi historitë e Romës
Në studimin e mëparshëm që i kemi bërë këtij argumenti ( Karanxha I. S.: Barleti apo Beçikemi?...Tiranë Kumipres 2010, f. 107) nxorëm në pah afrimitetin e bashkëpunimin e Bernardino De Vitalit me editorët e veprës të mësipërm Melchior Sessa dhe Pietro Ravani me që kjo është e dokumentuar për shkëmbim ksilografish edhe në vitet që do të vazhdonin. Kuptohet që zgjedhja e tyre nuk mund të bëhej pa këshillat e autorit pra Marin Beçikemit (Barletit). Tani konstatojmë që vepra madhore e Tit Livit mbi historitë e Romës ku ndodhen dy ksilografitë që kanë kaluar në veprën tonë ka qënë botuar nën kujdesin e një tjetër shqiptari, një tjetër humanist i shquar i panjohur nga filologjija shqiptare me emrin Luka Ulqinaku (ndryshe: Lucas Panetius; Lucas Olchinensis; Lucas Pannetius ) i njohur si filolog, editor dhe jurist në gjysmën e parë të shek. XVI.
Më 1519 Luka kishte publikuar një vepër mbi Virgjilin të cilën ja dedikonte pikërisht Marin Beçikemit (Allen P.S...Opus Epistolarum Des.Erasmi Roterodami...Tom. VI (1525-1527) Oxford University Press 1926 (1992) f. 141, nota 83. ) Ja pra bashkëpunimi për zgjedhjen e ksilografie vërtetohet si mes editorve po ashu edhe mes autorve të veprave.
Në Historia e Skëndërbeut është e dukshme stili i interpretimit grafik në fashot anësore që ndryshojnë mjaft po të krahasohen me format e thjeshta ndarëse në kuadrate pa asnjë zbukurim mes tyre tek vepra e Tit Livit. Kështu ksilografitë anësore tek Historia e Skëndërbeut janë realizauar në një moment të dytë pra pas 3 majit të vitit 1520 kur Luka Ulqinaku botoi veprën e vet.
Një paralelizëm gati i plotë nga pikpamja editoriale dhe ikonografike vërehet mes veprës të Luka Ulqinakut mbi Tit Livin (Padova 59 p. K. - 17 m. K.) dhe veprës të Marin Beçikemit(Barletit) në Historia e Skëndërbeut. Në të parën portreti i Tit Livit vendoset si frontespicio ndërsa në brëndësi si një frontespicio e dytë korniza katërkëndëshe e ksilografuar me episode të pasura nga historia e Romës. Tek Historia e Skëndërbeut kemi një këmbim të subjekteve. Në frontespicio vendoset korniza katërkëndëshe e ksilografuar ndërsa në brëndësi portreti i Skënderbeut.
I njëjti kompozimin siç e shikojmë ne sot ballinën e Histrorisë të Skëndërbeut doli më 26 gusht të vitit 1522 si frontespizio e dytë në veprën e Erazmit të Roterdamit (Erasmi Roterodami, “Prouerbiorum chiliades..., (Impressum Venetiis: per Melchiorem Sessam & Petrum de Rauanis socios, 1522 die XXVI Augusti)pra editorë janë përsëri M. Sessa dhe P. Ravani. Si frontespicio të parë në korniza katërkëndëshe ruhen përsëri dy fashot anësore që kishin dalë më 1520 në vepra e Luka Ulqinakut mbi Tit Livin ndërsa lart e poshtë vihen kësaj radhe portretet e filozofëve dhe historianve. Një dëmtim i vogël i fashos të djathtë në pjesën e sipërme i dukshëm si në vepra e Historisë të Skëndërbeut po ashtu edhe në atë të Erazmit të Roterdamit vërteton jo vertëm faktin që ajo kaloi fill nga njëra vepër tek tjetra pa u zmontuar por edhe se kemi të bëjmë me të njëjtën ksilografi pra jo me ndonjë riprodhim të saj.
Më 1525 po nga këta editorë të njëjtat ksilografi që kemi folur deri këtu u rikompozuan në dy variante të reja në vepra me dy vëllime e Plinit të Dytë (vëllimi i parë doli më 24 mars 1525, i dyti më 28 prill 1525) me komente nga humanisti i shquar venecian Ermola Barbari(1453-1493) (C. Plinii, Secundi Naturalis historiae libri XXXVII e castigationibus Hermolai Barbari...”, Impressum Venetiis...: per Melchiorem Sessam, & Petrum Serenae, socios, 1525 die XXIIII Martii. (Venezia, Melchiorre Sessa il vecchio & Pietro Ravani.) Kjo vepër në botim të mëparshëm më 1519 na prezantohet me një kornizë katërkëndëshe në një pjesë të vetme me plot ornamente floreale dhe gjeometrike të cilën e gjejmë të përdorur shumë herë në vepra të ndryshme të editorve të tjerë mes të cilve edhe de Vitali. Pra në këtë pikë mund të themi se ksilografitë me episode legjendare dhe historike për të cilat kemi folur deri këtu Sessa dhe Ravani i kanë pasur vetëm pasi botuan veprën e Luka Ulqinakut mbi Tit Livin(3 maj 1520) dhe Bernardino de Vitali pasi boti veprën e Marin Beçikemit mbi Historinë e Skëndërbeut(prill-maj 1522). Këta të fundit e pasuruan katërkëndshin e ksilografuar në ballinë me episode të reja më të detajuara por mbi të gjitha me një stil grafik më të bukur. Kështu Norton ka pasur të drejtë kur e shtyvi botimin e veprës Historia e Skëndërbeut mbas vitit 1520.
Fakti që në colophon shënohet Roma do të thotë se në maj të vitit 1522 Bernardino de Vitali ka pasur në dorë lejën për botimin e saj. Para apo mbas majit të këtij viti, në Romë apo në Venedik mund t'i konsiderojmë tashmë si çështje anësore.

Simpozium shkencor:Pranvera e 1981-shit, moment kthesë në historinë e shqiptarëve

Arta Beqiri
Në këtë simpozium do të lexohen rreth 30 kumtesa shkencore nga historianë dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare dhe vende
Në përvjetorin e tridhjetë të demonstratave në Kosovë, apo e njohur ndryshe si “Pranvera Studentore e vitit 1981”, sot në Prishtinë u organizua një tubim shkencorë, që u mbajt në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë dhe Departamenti i Historisë i Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Demonstratave të cilat filluan më 11 mars 1981, u rritën më 26 mars të atij viti dhe u masivizuan në lëvizje gjithë popullore dhe gjithëkombëtare më 1 prill 1981. Marsi është pa dyshim muaji i kontrasteve të vitit që i dhamë lamtumirën e dimrit sa do i ashpër të jetë ai paralajmronë ardhjen e pranverës stinës më të bukur. Marsi është i mbushur me ngjarje historike të vjetra dhe të reja të cilat gati secili popull në botë do të gjejë hisen e vetë të çmueshme. Edhe ne shqiptarët në mars kemi dy ngjarje shumë të rëndësishme të cilat me gjurmët dhe vlerat e tyre na bëjnë krenar si vend dhe si popull liridashës dhe të qytetëruar, u tha në hapje të këtij Simpoziumi.
Prof.dr. Isuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë, duke e hapur këtë Simpozium u shpreh se në shenjë homazhi për ngjarjet madhore të Marsit të vitit 1981, Institute i Historisë në Prishtinë dhe Departamenti i Historisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës organizoi këtë simpozium për të debatuar nga këndvështrime të ndryshme me forcë shkencore dhe ekspert të kësaj periudhe. Në Simpozium do të lexohen rreth 30 kumtesa dhe do të zhvillohen debate. Pos pjesëmarrësve dhe udhëheqësve kryesorë të këtyre demonstratave, referuan historianë dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga të gjitha trojet shqiptare, pastaj shkencëtarë të huaj si nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe vende të Evropës. Pritet që ky Simpozium të ndriçojë shumëçka nga këto ngjarje dramatike, anipse, ende është herët që të hapën arkivat dhe të ndriçohet në sa më shumë dimensione Pranvera Studentore e vitit 1981 në Kosovë, u shpreh ai. Ky Simpozium mëton që në mënyrë sa më të plotë dhe të gjithanshme të trajtohen këto demonstrata që ndryshuan fatin e shqiptarëve nën okupimin e federatës jugosllave, që në fakt ishin edhe tronditja më e rëndë për këtë Federatë, që kishte një imazh jashtëzakonisht pozitiv në botë, por që në fakt ishte “burg i popujve” dhe sidomos i kombit shqiptarë nën Jugosllavi, që ishte i treti për nga numri, por që ishte devalvuar në statusin e “kombësisë”, që ishte barabar me pakicë kombëtare. Është vlerësuar se përkundër të metave dhe gabimeve demonstratat e pranverës së vitit 1981 ishin kthesa vendimtare që sollën pavarësinë e Kosovës më 1999.
Ndërkaq, akademik Besim Bokshi , në fjalën përshëndetëse përgëzoi organizuesit e Simpoziumit, që siç tha ai është rast për të trajtuar shkencërisht Demonstratat e viti 1981, për ti parë të vendosura në historinë kombëtare si zë i fuqishëm për çlirim si këmbim i shpirtit të parobëruar të popullit kundër të keqes. “Populli i Kosovës luftoi pareshtur deri në pavarësinë e vendit nga Serbia, mbështetur nga përkushtimi, sakrificat dhe flijimet e pa kursyera, këto demonstrata e njoftuan botën për diskriminimin e popullit shqiptar në Jugosllavi, si koloni në mes të Evropës dhe u vlerësua si akt i përmasave evropiane. Këto demonstrata shpalosen të vërtetën e njohur se gjysmëliria që ishte me Kushtetutën e vitit i 1974 ishte e prirë të shndërrohej në të kundërtën e saj. Në këto demonstrate u pa se si ajo liri u transformua menjë herë në dhunë e deri në veprime të para gjenocidale” u shpreh Bokshi.Simpoziumin e përshëndeti edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Bajram Lauka, i cili theksoi se e tërë historia jonë është e përmbushur me luftëra përpjekje dhe sakrifica për kombin dhe shtetin tonë, shekulli që lamë pas është shekulli më dhimbshëm dhe shekulli më dramatik por njëkohësisht shekulli më i lavdishëm i kësaj historie. Demonstrata dhe protestat gjithëpopullore të vitit 1968 , 1981 dhe ato të viteve 1990 përbëjnë atë detyrë të gjatë dhe krenare të shqiptuarve e cila kulmoi në Ushtrinë e lavdishme të Çlirimtarëve të Kosovës, e cila bask me aleatët euro-atlantik bëri një korrigjim të pjesshëm të pa drejtësisë historike mbi kombin tonë. Ndërsa, nga krerët e institucioneve të Kosovës nuk ishte askush, pos që në emër të Ministrisë së Arsimit përshëndeti këshilltari i ministrit, Nuredin Bexheti, kurse në emër të Universitetit prorektori Bajram Berisha.
Në kumtesat e lexuara u vlerësuar se demonstratat e pranverës së vitit 1981 ishin kthesë vendimtare historike, që sollën pavarësinë e Kosovës më 1999.

“Poezi pa frymë” i Avni Rudakut

Tefik Selimi

Këto ditë doli nga botimi vepra e parë poetike e Avni Rudakut me titull “Poezi pa frymë”. Është kjo vepra e parë e këtij autori, të cilën, edhe studjuesit tjerë të artit, veprën në fjalë e kanë vlerësuar si poezi e frymimit jetësor, ku gjithçka bëhet jetë e diskursit dhe e shkrimit. Studjuesi i zellshëm i lertërsisë sonë, Flamur Maloku, duke shtuar për veprën e Rudakut pohon se subjekti është pranë gjërave, i prek e i shijon. Kjo tregon se poezia është jetë, e jeta është poezi, ka shtuar Maloku. Po ashtu, edhe Joniana Merjo, një studjuese e letërsisë, lidhur me veprën në fjalë të Avni Rudakut, “Poezi pa frymë” ka shtuar se, këto vargje janë “poezi risi, që ka thyer rregullin e përhershëm, dhe si e tillë më erdhi poezia e Avni Rudakut. “E gjeta, shton ajo, -këtë poezi si formën e mbarsjes nga muza-njeri, ku në formën më të sinqertë, por dhe më inteligjente gjejmë kyçin e një sërë fillimesh... fillimi-jetë në Epokën e re të Njeriut të “vjetër”. Autori në fjalën e tij të parë ka shtuar se, ”Kur fillova të shkruaj poezi, më dukej sikur po vargëzoja tema e nënëtema, të cilat nuk do të ngacmojnë lexuesit, por ajo që më tejkalonte këtë mëdyshje ishte se zhanri në të cilin do të shprehem dhe komunikoj me lexuesit, nuk do të jetë i frymës standarde dhe të një “gjuhe ekstravangante filozifike”. Është kjo poezi pa trajtë specifike artistike, por me kodin e zbërthyes të dilemave të njeriut bashkëkohor, përkitazi me vetë “identitetin antropologjik”. Pra, kjo poezi lexohet pa frymë, por edhe ka atë peshën e mbrendshme të dramacitetit shpirtëror të njeriut tonë. Aty-këtu ka tema që përkojnë me ngjarjet e jetës sonë, aty ku e kërkon jetën për ta jetuar, por, në fakt, ai bëhet tragjikë e jetës. Ja si shton autori në poezinë e tij me titull: Diku dil, veçëse dil”. ”Diku në Tisa të Hungarisë notojnë trupa pa shpirt” (f.28). Kjo është një ngjarje e vërtetë dhe tragjedi e dhimbshme e kësaj kohe të njeriut tonë. Apo te poezia “Plogështia e Mic Banit, autori shton: “Përpara daja ka çitën pushkë për nipin, tash nipi çet pushkë n’dajën” (f.3). Vepra “Poezi pa frymë” e autorit Avni Rudakut është e ndarë në pesë kaptina: Antropomorfizëm, Konservatorizmi njohës, Epi i epshit sekusal, Njeriu virtual dhe Agnozia. Libri “Poezi pa frymë” i Avni Rudakut ka gjithsejt 171 faqe. Vërtet, vepra në fjalë lexohet pa frymë, por që të lë mbresa për mënyrën e hartimit të këtyre vargjeve poetike që përkojnë me kohën tonë.

Djepi i shpirtit të shqiptarisë

Frank Shkreli
Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri.
Në Shqipëri dhe në Malësi të Madhe kanë filluar festimet në përkujtim të 100-Vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe. Kjo kryengritje e malësorëve kundër Perandorisë Osmane, përveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombëtar në token shqiptare ç’pre kohës së Gjergj Kastriotit, ajo sipas historianëve ka një rëndësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare, sepse veprimtaritë dhe luftërat e Malësorëve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinionit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Shqipëri. Lëvizja e kryesuar nga priji i Malësisë së Madhe Ded Gjo Luli dallohet nga të tjerat, pikërisht nga jehona që lufta e Malësoreve bëri anë e mbanë Evropës. Një meritë tjetër e kryengritjes së Malësisë së Madhe është fakti se kjo lëvizje kishte qëllime mbarëkombëtare, gjë që gjeti ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të malësoreve, shkuan në Podgorice të Malit të Zi, ku përpiluan Memorandumin që përmbante, ndër të tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë dhe gjuhe e buxhet të vetin, dhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar, si dhe kërkesa të tjera. Memorandumi, në të vërtetë, ishte një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve. Kërkesat e malësoreve të shfaqura ne Memorandum , i bënë kryengritësit Malësorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqësues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar. Lufta për liri e Malësorëve, 100 vjet më parë, dhe ngritja e flamurit të Skënderbeut në Deçiq me 24 Mars, 1911, ishte simbol i vëllazërimit të kombit shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë për të dalë nga errësira shekullore e robërisë osmane. Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve, gazetat anë mbanë Evropës shkruanin për Shqipërinë, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk. Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera të shqiptarëve, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Presidenti i Shqipërisë, Zoti Bamir Topi, Topi me 24 Mars,mori pjesë në shënimin e parë festiv, të kësaj ngjarjeje historike për kombin, në Shkodër, titulluar “Ku e muer emrin Malësia”, me rastin e 100-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe.“Është kënaqësi dhe privilegj të jem sonte me ju për të lartësuar së bashku kujtimin e një ngjarje, e cila ka ndryshuar përgjithmonë historinë tonë dhe kujtimin e atij burri, i cili e ideoi atë dhe pas shekujsh robërie, shpalosi flamurin e Kastriotit në tokën shqiptare. Nuk mund të ndahen, janë një binom nga ato që historia prodhon në orët e saj më të ndritura për një komb apo vend! Ju i dini! E kanë emrin: Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjo Luli! Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte botës mbarë kumtin e Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, shqiptarë dje dhe shqiptar sot, shqiptarë përgjithmonë! Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin e Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që e çuan atë drejt Bratilës së Deçiçit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi drejt një vdekje prej martiri që pushtuesit ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë greminës. Jam i bindur se një rrugë si ajo e Dedë Gjo Lulit fillon me jetën dhe mbaron me pavdeksinë. Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 mars të vitit 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua kurrë, kryengritje pas kryengritje deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Më lejoni të pohoj se shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli. Malësorët e Kelmendit dhe të gjithë Malësisë zgjodhën luftën në vend të nënshtrimit, ashtu siç këndohet në epet e tyre të vjetra. Nuk është rastësi që shumë nga visaret tona kombëtare u endën në këto male dhe u bënë testamente të përjetshme kulture në Shkodrën historike. Eposi i Kreshnikëve, baladat, këngët, përrallat kombëtare, Kanuni i Maleve e shumëçka tjetër u mblodhën pikërisht edhe në krahinën e Malësisë së Madhe nga etërit françeskanë, të cilët në letërsinë e tyre ofruan malësorin dhe gjuhën e tij si model, sepse për ta gjuha do të thotë vazhdimësi, kulturë dhe rezistencë. Nga një traditë e tillë, natyrshëm, i imponohet kulturës kombëtare dhe sinkronizon me të emra të së djeshmes dhe të sotmes, intelektualë të rangut të parë si vëllezërit Mirash e Nikoll Ivanaj, artistë me rëndësi botërore si Luk Kaçaj dje, e Angjelin Prelocaj sot, tejet i famshëm në skenat botërore, shkrimtarë e memorialistë unikë si At Zef Pllumi, mit i disidencës antikomuniste, piktorë si Ismail Lulani që kanë përjetësuar në telajo historinë e këtij vendi.
Duke shprehur admirimin dhe respektin për këtë ngjarje të madhe me rëndësi te kombit shqiptar, Presidenti Topi nderoi një numër artistësh nga Malësia e Madhe e Kosova me medalje mirënjohjeje për veprimtarinë e tyre artistike.

« Rrëfanë lirie » mbi “supet” e autorit

R. Rifati
Lidhur me librin e tij "Rrëfanë lirie" që i kushtohet veprimtarëve kryesor që organizuan demonstratat e para të vitit 1981 në Zvicër, e ku janë përfshirë 38 portrete veprimtarësh, dy nga ta zviceran ( Beat Schafer dhe Kathrin Asal) , autori thotë se: librin « Rrëfanë lirie » e kam bartur mbi supe dhe e kam shtrydhur në mendjen time që nga viti 1981. Shkrimi i një libri të tillë për organizatorët e demonstratave historike të vitit 1981 në Zvicër, në krye me Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën gjatë gjithë këtyre viteve për mua ka qenë një preokupim i pathënë. Më shumë se kaq, ky libër më ka ftuar, duke trokitur orë e çast në ndërgjegjen time që nga ajo pranverë e lavdishme. Dhe kjo për shumë arsye”...

Presidenti Pacolli kthehet ne Kosovë, nuk komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese

 
Bota sot
Ditën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovë mori vendim për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Kosovës më 22 shkurt të këtij viti, presidentit Behgjet Pacolli e ka gjetur në Zvicër. Presidenti Pacolli kishte udhëtuar të premten në mbrëmje për në Paris në një darkë pune e më pas kishte udhëtuar për në Zvicër.
Ndërkaq burime tona të sigurta njoftuan se ai është kthyer në orët e mbrëmjes së sotme në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës janë parë veturat e presidentit por eskorta presidenciale është larguar nga Aeroporti nga një dalje e veçantë e Aeroportit.
Kthimin e presidentit Pacolli në Kosovë e ka konfirmuar për “Bota sot” edhe këshilltari për siguri Naim Maloku. Ai tha se presidenti Behgjet Pacolli dhe zyra e Presidencës nuk do të prononcohet para medieve para se të marrë vendimin me shkrim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Maloku shtoi se “nuk është krejt ashtu siç po e interpretojnë disa media vendimin e Gjykatës, por gjithçka do të sqarohet deri ditën e mërkurë.

Si do të rizgjidhet presidenti pas vendimint të Gjykatës Kushtetuese?

Bota sot
Kontestimi I zgjedhjes së presidentit të Kosovës më 22 shkurt nga Gjykata Kushtetuese e rikthen procesin prej fillimit të votimit për president.
Gjykata Kushtetuese për herë të dytë po konteston postin e presidentit të Kosovës. Përderisa herën e parë në “rastin Sejdiu” kjo Gjykatë konstatoi se ish-presidenti Fatmir Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës me mbajtjen e dy posteve, atë të Presidentit të vendit dhe të kryetarit të LDK-së, Gjykata Kushtetuese më 28 mars konstatoi se procesi i zgjedhjes të presidentit të Kosovës ishte bërë në kundërshtim me Nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Por shtrohet pyetja si të veprohet më tej dhe si është e rregulluar me Nenin 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës zgjedhja e presidentit të Kosovës?
Çka thuhet në Nenin 86 I Kushtetutës së Kosovës?
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese me rastin e zgjedhjes së presidentit Behgjet Pacolli është bërë shkelje të pikës 4 dhe 5 ku përshkruhet nevoja e domosdoshme e pranisë së dy të tretave të të gjithë deputeteve gjatë raundit të parë dhe të dytë të votimit.
Ndërkaq në pikën 5 përshkruhet domosdoshmëria e kundërkandidatit në procesin e votimit,
Jakup Krasniqi për herë të dytë U.D. president
Kontestimi I zgjedhjes së presidentit të Kosovës më 22 shkurt nga Gjykata Kushtetuese e rikthen procesin prej fillimit të votimit për president. Por duke e parë kostolacionin e forcave në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht duke e pasur parasysh faktin se tashmë kryeministri Thaçi dhe ministrat e PDK-së e të AKR-së nuk kanë të drejtë vote, atëherë mbetet pikëpyetja mundësia e rikandidimit të Behgjet Pacollit për president të Kosovës. Kjo për faktin se tre deputetët të rinj nga radhët e PDK-së të cilët janë bërë pjesë e legjislativit pas dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të kësaj partie, haptas janë deklaruar kundër Pacollit për president të Kosovës. Fjala është për deputetët Hydajet Hyseni e Nahit Hasani të cilët njihen si përkrahës të “vijës” së Jakup Krasniqit, përkatësisht të Fatmir Limajt.
Deri më tash nuk ka pasur ndonjë prononcim as nga Qeveria e Kosovës e as nga ekspertë të legjislaturës për të dhënë ndonjë propozim për procedim të mëtutjeshëm të kësaj çështje.
Në ndërkohë sipas Kushtetutës së Kosovës, kur vendi mbetet pa president atëherë ushtrimin e kësaj detyre e merr kryetari I Kuvendit në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Nëse ndodh kjo atëherë Jakup Krasniqi për herë të dytë merr postin e U.D. të presidentit të Kosovës

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...