Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/03

Buka e furrës, Dervish Shaqa dhe takimi me shkencëtarin...!

Nga Sejdi BERISHA
1.
Tani, po ecim së bashku, por mos u hidhëroni dhe as mos qeshni me shkrimin, sepse, shkrimet janë të shenjta. Kur e përmenda më lartë rrjetën e merimangave, thash, kah më iku mendja duke u futur nëpër të çarat e jetës, të cilat, besoni, ndoshta nuk kanë kurrfarë kuptimi, por sidoqoftë, janë interesante.
Dikur, herët. Shumë kohë përpara, kur isha gjimnazist, aq më kishte bërë për vete ëndrra për mësim dhe dituri, sa që më treste si barkën dallgët dhe valët e tërbuara të detit. Mirëpo, ajo pastaj ma detyronte edhe punën për ta fituar një bukë. Ama, vetëm një bukë furre, që për mua ishte gëzimi dhe madhështia më e veçantë.
Buka e furrës, Dervish Shaqa dhe takimi me shkencëtarin...!

Po ua zbuloj këtë “fshehtësi” timen. Posa mbaroja orët e mësimit në gjimnaz, për çdo të shtunë dhe të mërkurë, ktheja në mbathtore (nallbahane) për të punuar. Po, de. E shtuna dhe e mërkura ishin ditë pazari në qytetin tim, dhe ato ditë në mbathtore kthenin shumë fshatarë për t’i mbathur kuajt, gomarët dhe buajt me patkonj dhe me “treska”. Tërë pasditja më kalonte duke “mbajtur” këmbë kuajsh e ndonjëherë edhe gomarësh për një bukë.
Kur kishte shumë punë, e lutja Zotin që të mos vinin kuaj të mëdhenj, asi kuajsh që u thonë “at shale”, sepse, ishin sertë dhe vështirë ua mbaja këmbët derisa “pajiseshin” me patkonj, si njeriu me këpucë lëkure! Shpeshherë, shqelmat që m’i “përplasnin” trupit, shpirtin ma lodhnin, por kur e kujtoja një bukë furre (e, ju e dini, furra djegë, bën shkrumb), i harroja të gjitha. Mirëpo, ku dua të dalë. Kur nuk kishim punë të tilla, mjeshtri-mbathtari s’më linte të rri kot. Mbaronim patkonj, njësoj si farkëtarët. Një ditë, duke punuar “këpucë” të tilla kuajsh, duke i rënë daltës me çekan për t’ua hapur vrimat patkonjve ku do të zënin vend thumbat, i rashë keq daltës, e cila iku nga masha me të cilën e shtrëngonte “maestro”-mbathtari plak mbi kudhrën e ndryshkur. Iku diku dalta, dhe mjeshtri pa një pa dy, me një rrebesh sharjesh e fyerjesh më sulmoi pse nuk e kisha qëlluar mirë daltën. Ndërsa, unë rashë në hall për ta kërkuar at fatkeqe. Dhe, çfarë kishte ndodhur. Nga kraharori im rridhte gjak. Pa e diktuar fare, i tëri isha larë në gjak. Dalta më kishte goditur në urëzën e kraharorit duke ma bërë dy copash, por dhimbja thua se e kishte braktisur trupi im!
Kur e vërejta gjakun që ma përlante gjoksin, atëherë më kanë kapluar djersë të ftohta-akull. Dhe tani halli, si ta ndali gjakun. Në dyqanin e vjetër e me plotë rrjeta merimangash sillesha si pa kokë, por më ra ndërmend se pleqtë kishin thënë se në fatkeqësi të ndryshme, gjakun e kishin ndalë me rrjetë merimangash. Pa u hamend, e “ç’koça” një copë të madhe “pëlhure” merimange dhe me te e mbulova plagën. Pastaj ika në shtëpi, sepse, këmbët nuk më mbanin.
Atë ditë, ngela pa një bukë furre për t’ia dërguar familjes...! Dhe, tash e qes në peshojën që nuk ekziston: shkollimin tim, mbathtoren-nallbahanën, mbathtarin, çekanin, kudhrën, patkonjtë, kuajt, një bukë furre (furrën që djegë e shkrumbon gjithçka,... edhe bukën), rrjetën e merimangave, plagën në kraharorin tim, por edhe familjen time?!... Këto që i theksova, askush mos të mendojë se janë filozofi. Hajt more, as provokim nuk janë. Asgjë s’janë. Po, çfarë janë, atëherë?! Asgjë dhe asgjë... Sepse, poqë se e kthej edhe pak mendimin, do të më kujtohej edhe zbarkimi i grurit në depon e qytetit,... do të më kujtoheshin thasët brazilianë dhe shpina ime e përgjakur. E dini ç’janë janë thasët brazilianë?! Mos e ngisni mendjen për këtë histori të lodhur. Rrini qetë dhe mos u trazoni...!
2.
Lufta lë shumë pasoja, lë plagë, rrëfime trishtuese, tregime historie e dhembjeje. Lë edhe pasoja të tjera, që ndoshta edhe ju i dini. Po, i dini të gjithë! Lë edhe plotë rrena, të cilat shoqërohen me panjerëzinë, shoqërohen me zhgënjime e me,... me çfarë të doni.
Të pagjeturit që janë tunxh në shpirt e zemër të secilit, janë bërë histori e hidhur dhe përrallë e gjatë. Shihni. Pranë fotografive të të gjithë atyre të pafat që familjarët i kanë vendosur si pasqyrë në rrethojën e godinës së pushtetit, një grup muzikor ishte “stacionuar” aty pranë, dhe e këndojnë një këngë plotë me dhembje, e cila zgjon gjithçka, bile edhe rrënjët nën tokë, i zgjojnë edhe eshtrat kudo që gjenden ata. Edhe mua ma kishin zgjuar dhembjen time gjithmonë të zgjuar... Kur e dëgjon këtë këngë para fotografive me fytyra dhe me sy të etur, të shkon mendja se ç’është kjo: gazmend, hare, vajtim, provokim, apo,... qortim?! Qortim?!!! Ha, ha, ha...!
3.
Për ta zbërthyer formulën e thjeshtë-jetën, që e përmenda diku më lartë e për ta vazhduar “meselenë”, kishte kohë që kisha menduar për të shkuar deri tek lumi i cili i ndanë dy bjeshkë(!) dhe për të filluar bisedën e rrëfimin me te, për ujin e historinë, për atë që ka parë e përjetuar lumi, bjeshkët dhe uji. U afrova, dhe gjatë qëndrova buzë lumit duke e shikuar tërë atë ujë që rrjedhke si loti, duke larë e shpërlarë shtratin e lumit!
Tëmthat më rrihnin si zemra e lepurit të frikësuar. E rekapitullova tërë historinë, misterin dhe tregimin për lumin. Nëse këtë e shndërrojmë në formulë, atëherë del një pikturë e dhembshme, një pikturë e tmerrshme, një tabloid i pakuptimtë...! Andaj, vetvetiu më doli zëri:
-Trego! A i kanë hedhur trupat e njerëzve në ty?! Trego, të lutëm. Sepse, kam dëshirë të flaktë t’u sjelli një lajm të saktë e pa hile të gjitha familjeve për më të dashurit e tyre që tani, ndoshta gjenden edhe përgjatë shtratit tënd,... edhe në thellësitë tuaja!
Këtë dridhje shpirti ma ndërpreu një zë-ushtimë. Ishte zëri i lumit me ujin e kthjellët:
-Mos më pyesni për asgjë! Sepse, unë kam histori të gjatë edhe për ujin, i cili shpeshherë është shndërruar në lot, kam histori edhe për etjen,... Kam shumë tregime e rrëfime edhe për shtratin tim, ku prehen,...flejnë e fshihen shumë gjëra që i ngjajnë mallit e shkrumbi, fshihen shumë fjalë të heshtura e të pathëna...!
Pas tërë këtij ankthi, sikur m’u bë se përnjëherë lumi ngeli pa fije uji. U shndërrua në shkretëtirë. Çfarë hidhërimi ka toka, e bashkë me te edhe njeriu. U nisa teposhtë shtratit të lumit për ta hasur ujin që kishte rrjedhë me decenie e shekuj, por ngela vetëm duke rrugëtuar në rrugën e etjes për ta përqafuar rrëfimin e lumit.
Nuk e di a është mirë apo keq?! Ia futa kështu, kot. Kurse, lumi rridhte padëgjueshëm në mes dy bjeshkëve,...të ndara...!
4.
Historia, gjithmonë nxjerrë “telashe” për gjithçka. Edhe për imtësirat më të vogla. Sepse, ajo sikur i ngjanë lojës së pashembullt e cila shtrembëron dhe ngatërron periudha, data, dëshmi e shifra. Për atë, ndoshta njeriu është shumë prapa synimeve të tij për t’i ndezur të gjithë kandelat, dritat dhe fanarët për ta shndritur zanafillën, rrjedhën dhe madhështitë e epopeve dhe të ditarëve të jetës, që gjithmonë mbetën formulë e pazgjidhur, apo, gabimisht e zgjidhur.
Dhe, tash një digresion. E tërë kjo ma kujton një profesor timin të matematikës, i cili,... po more,... përpiqej për t’i dalë në fund zhvillimit të problemit, kuptohet, matematikor! Dhe, kur flitet për historinë, krijuesi dhe atdhetari i devotshëm (kështu kujtoj unë), K.R., i cili edhe sot e kësaj dite jeton me barrën e mallit për atdhe, me peshën e kurbetit, kishte vendosur që si temë magjistrature ta shprush jetën e këngëtarit, Dërvish Shaqa, i cili edhe sot është sinonim i inspirimit të masës dhe të popullit me zërin dhe këngën e tij për ta çimentuar kombëtaren, për ta mos harruar kurrë atë.
Me respekt e lexoj shkrimin e tij në trajtë fejtoni në një gazetë ditore. Kujtoj se ia kishte qëlluar temës, sepse, jeta dhe brendia e zjarrit shpirtëror e rapsodit Dërvish Shaqa, ende nuk është eksploruar sa e si duhet. Kështu, duke e lexuar këtë material të sajuar mirë dhe me një përformansë prej studimit të thellë, më provokohet mendja për ato periudhat kur jetoi, kur këndoi mbase edhe kur i vajtoi zemra këtij rapsodi-histori.
Sa përplasje të mëdha kishte njeriu në atë kohë. Besoni. Kjo të grishë edhe përmes shkrimit për Dërvish Shaqën. Andaj, ta vrasim mendjen për studim, se kush ishte ky njeri, ky këngëtar dhe atdhetar i kësaj toke të sertë.
“Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lashë borë, e gjeta dimër...”! Ky refren kënge peshon sa një histori. Ky mendim i shtruar kështu, sikur shndërrohet në obelisk unik të mendimit filozofik në këtë mënyrë kaq të thjeshtë, kaq modeste, kaq të dhembshme dhe kaq madhështore! Ndërsa, kur kthehem tek shprushja e jetës së tij, më defilojnë intrigimet se, Dërvish Shaqa kishte quar jetë qençe, kishte jetë të mjerueshme,... kishte jetë edhe të mirë! Periudha e tij ishte paradoksale, ishte domethënëse. Edhe rrugëtimi i tij pra, ishte i tillë. Nëse doni edhe Ju, Dërvish Shaqën po e “shfletojmë” bashkërisht fletë për fletë, faqe për faqe. Por, nëse përtoni, atëherë lëne këtë, sepse nuk ia vlen ndoshta në këtë ecje kaq dinamike...!
5.
Para disa ditësh, me këmbëngulje kishte insistuar që të takohej me mua shkencëtari dhe njeriu i cili i është përkushtuar shkencës dhe fizikës, R. Gj. Edhe pse isha i zënë me punë disa ditë rresht, nuk e refuzova. Posa u takuam dhe u përshëndetëm, ai hapi çantën e tij dhe nxori dy libra, të cilat sikur mëzi priste për t’mi dhuruar. Një prej këtyre librave që titullohej, “Simboli i sakrificës për shkencën dhe njerëzimin”, ishte një vepër kushtuar këtij njeriu në trajtë monografie.
Posa m’i dha librat, ai filloi të më rrëfejë gjithçka për vetveten, për shkencën, për njerëzimin dhe njerëzit në raport me të arriturat shkencore dhe për mosrespektimin e të arriturave, sikurse janë edhe ato të cilat vet i kishte shpikur. Në këtë bisedë pothuaj maratonike, kur shpejtas analizova të arriturat e tij, të cilin edhe e kisha pasur arsimtar në shkollën fillore, më dridhet diçka përbrenda vetvetes duke menduar në sedrën kur kemi të bëjmë me njeriun dhe për të arriturat kapitale.
Shkencëtari dhe arsimtari im, në shenjë pakënaqësie, duke krijuar rrudha në ballë, më thotë:
-Nuk askund,... as në tul të bukës...!
Rrudhem dhe kursehem të mos flas. Por, në shenjë pakënaqësie, shkencëtari, nga çanta nxjerrë edhe librin e Thomas Kuhn, “Struktura e revolucioneve shkencore”, dhe më preferon për ta lexuar. Prapë, pas insistimit të tij këmbëngulës, edhe pse i thashë se e kisha lexuar, e mora. Duke e shfletuar aty, në prezencën e tij, pashë se në te ai kishte “ndarë” për komentim apo për t’i mbajtur në kujtesë shumë thënie. Andaj, për këtë shkrim, unë vendosa që si provokim ta marr këtë: “...Përfytyroni çdo të ndodhte në shkencat si qëndrueshmëria të mos ishte me një vlerë e dorës së parë...”.
Kjo, ndoshta përkon si intrigim për mentalitetin, pozitën, përgjegjësinë dhe për papërgjegjësinë e njeriut për ecjen përpara, për përqafimin dhe për komentimin e mendimit të thellë dhe të mësimit shkencor dhe filozofik. Edhe kjo, ndoshta na shpie apo detyron për të shpikur diçka gjithnjë të re, a!
Një ditë, karshi shkencëtarit, takoj punëtorin e higjienës publike. Më kujtohet ky njeri, i cili dikur ka qenë person shumë i dashur dhe i njohur i qytetit. Ai, me karrocën-kontejner, me lopatën e fshesën e tij, por edhe me “xhamadanin” me ngjyrë portokalli të mërdheztë, për çdo ditë me dorën e tij e shndriste qendrën e qytetit. Trotuaret dhe rrugët i bënte bilur! Për punën e tij në pastërtinë e bulevardit, ishte shpallë edhe qytetarë i dalluar i vitit. Kishte qenë sihariq ky shpërblim(!).
Tash, pleqëria e ka rrëzuar. E pyes për shëndetin, kurse ai me lot në sy më thotë:
-Shëtis aleve të lulishtes, pastaj, ku të shkoj?!! Kthehem në shtëpi...
E shikoj, dhe gjithnjë më duket si një njeri me histori të tkurrur, me dhembje zemre, shpirti e trupi.
-Më merr malli për Sheshin tim, që gjithherë e kam mbajtur pastër, si behar! Tash,... më ka harruar edhe Sheshi, është hidhëruar me mua lopata dhe fshesa...
Isha në hall. Çfarë përgjigje t’i japë. Ia “dhurova” një fjali pa zë as pa shkronja. Por, në këtë rast, m’u kujtua proverbi arab: “Ai që di dhe nuk e di se din, është në gjumë. Zgjojeni!”. Dhe, e tërë kjo ma detyron atë mendimin aktual të vuajtjes dhe skamjes, për çfarë njerëzit ikin (braktisin atdheun) për atje ku nuk gjejnë shpëtim... Athua, është ky kriteri i njeriut,... i shoqërisë, për ta gjetur dhe sunduar fatin e vetë?! Jo! Por, tërë këtë le ta thjeshtësojmë vetëm me këtë: buka e furrës, Dërvish Shaqa dhe takimi me shkencëtarin. Mirëpo, edhe kjo duket se nuk është e thjeshtë, a?! Kaq...!

Presidenti mund të zgjidhet javën e ardhshme

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se Kuvendi, sipas të gjitha gjasave, gjatë javës së ardhshme, sërish do të zgjedhë presidentin e Kosovës.
Ai për mediet serbe citohet të ketë deklaruar se nuk di se kandidat për president do të jetë Behgjet Pacolli apo dikush tjetër nga partia e tij.
“Opozita duhet të jetë konstruktive dhe nuk mund të bojkotojë parlamentin, sepse për këtë nuk kanë votuar votat”, ka thënë Rexhepi. Ai ka vlerësuar se Kosova “është thuajse katër vjet” larg nga zgjedhjet parlamentare.
Rreth zgjedhjes së presidentit, i cili votohet në Kuvend, Rexhepi ka përkujtuar se opozita duhet të jetë prezentë në Kuvend në dy raundet e para të votimit, sepse kjo është e definuar me Kushtetutën e Kosovës.
Rexhepi thënë se shpreson që “opozita do të jetë e mirëkuptueshme, pasi nuk është e mirë që çdo muaj të humbin nga 20 milionë euro për zgjedhje”. Ai tha se Pacollit duhet t’i jepet shansi që të tregohet në 100 ditët e para.

Harrohet kriza presidenciale, “shpërthen” konflikti mes PDK-së e AKR-së


Marie Nikolla


Pas njoftimit për media nga Aleanca Kosova e Re për shqyrtimin e mundësisë së daljes së kësaj partie nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, zyrat e AKR kanë qenë të mbyllura, ashtu siç kanë qenë të mbyllur për mediat edhe zyrtarët e kësaj partie.

“Aleanca Kosova e Re, gjatë orëve të vona të së premtes, pas konsultave të shumta brenda partisë, si dhe me partnerët e Koalicionit për Kosovë të Re, ka shqyrtuar hollësisht mundësinë e shkëputjes së Koalicionit Qeverisës me PDK-në”, thuhet në njoftimin për media të AKR-së. Partneri i vetëm nga partitë shqiptare i Qeverisë Thaçi, AKR-ja, duket se është i gatshëm ti jap fund bashkë qeverisjes 38 ditore me PDK-në. Sipas këtij njoftimi zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes se menjëhershme të Koalicionit Qeverisës. Gjithashtu kjo parti ka bërë të ditur se qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasoj e zhvillimeve të fundit politike në vend. AKR-ja me këmbëngulësi po kërkon përmbushjen e kontratës së koalicionit qeverisës, ku përfshihet edhe posti i presidentit, e në rast se kjo kontrata nuk përmbushet në tërësi, AKR-ja “kërcënon” se do të dal nga bashkëqeverisja me Thaçin. Por megjithatë, sipas njoftimit të vetëm të ardhur nga AKR-ja, ende nuk është marrë vendim definitiv, pasi që takimet brenda partisë, kanë lënë që të japin edhe vendimin definitiv për prishje ose jo të koalicionit qeveritar.

Por, AKR-ja ndonëse i ka njoftuar mediat se me seriozitet po e shqyrton mundësinë për dalje nga koalicioni, nuk e ka njoftuar edhe partnerin e saj në bashkë qeverisje, PDK-në, pasi që zyrtarët e kësaj partie kanë deklaruar se nuk janë të njoftuar për këtë çështje.

Ndërsa krejt kjo situatë ka ardhur si pasojë e “luftës” për postin e presidentit, të cilin post duket se partia e Behgjet Pacollit e kërkon me çdo kusht, ata tashmë kanë mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, ku kandidat për postin e të parit të vendit do të jetë përsëri Pacolli, zgjedhja e të cilit me 22 shkurt nga Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj u vlerësua si antikushtetuese. Në anën tjetër, opozita tashmë ka paralajmëruar se në rast se do të rikandidohet për president Pacolli veprimet e saj do të jenë të ngjashme me ato të 22 shkurtit, duke lënë seancën, ku mos pjesëmarrja e opozitës në seancë do të shkaktonte mungesë kuorumi. Pikërisht mungesa e kuorumit ka qenë njëra nga pikat ka është shkelur Kushtetuta në procedurat e zgjedhjes së presidentit.

(Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të "Botës sot)

* * * * * * *

Aleanca Kosova e Re (AKR), gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së premtes, pas konsultave të shumta brenda partisë si dhe me partnerët e Koalicionit për Kosovë të Re, ka shqyrtuar hollësisht mundësinë e shkëputjes së koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend.

Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, unanimisht janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës.

AKR në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e koalicionit qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj.

“Konsultat do të intensifikohen në orët e hershme të mëngjesit në një takim të Kryesisë së AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re ku do të vendoset për hapat e mëtejmë lidhur me shkëputjen e Koalicionin Qeverisës me PDK-në”, thuhet në njoftimin e AKR-së.

Pacolli: Vetëm sinqeriteti mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo gjendje


Presidenti Pacolli thotë se të martën do të deklarohet për Presidencën
dhe se do të dihet se çfarë do të bëhet më tutje.

I. Morina e Sh. Osmani

Ekskluzivisht flet për “Bota sot” ish presidenti Pacolli
Z.Pacolli: Faktikisht nuk jam deklaruar ende asgjë dhe askush nuk ka biseduar me mua për të ushtruar ndonjë presion dhe asnjë bisedë që të rikandidohem. Pra, nuk kam biseduar me askënd që të më shtyj që të tërhiqem apo të rikandidohem. Kështu që këto ditë u jam larguar edhe medieve edhe thashethemeve. Asgjë të re nuk ka në lidhje me Presidencën, krejt deklarimet që i bënë partia, i bënë në emër të saj duke shprehur qëndrimin e AKR-së. Çdo gjë deri tash mbetet ashtu siç ka qenë dhe unë besoj se të martën do të deklarohem se çka do të bëjë më tutje.

“Bota sot”: Deri të martën nuk prisni ndonjë zhvillim?

“Pacolli”: I kanë mbledhur nënshkrimet për të rikandiduar unë, prapë me idenë për të mirën e Kosovës, por unë ende nuk jam deklaruar se a dua apo nuk dua të kandidohem?

“Bota sot”: A keni pasur përpjekje për të kontaktuar me LDK-në dhe parti tjetra për të zgjidhur situatën?

Pacolli: Jo. Unë nuk kam kontaktuar me askënd. Mua më kanë vizituar njerëz të politikës, por nuk kam fol për këtë punë, se a duhet të marrë pjesë apo jo. Po shohim nëpër portale se LDK-ja është deklaruar se nuk do të marrë pjesë dhe kjo është e drejtë e tyre.

Ftesë publike e Ministrisë së Kulturës të Kosovës‏

Përshëndetje!

Shikoni ftesën publike të Ministrisë së Kulturës të Kosovës, botuar në "Zëri" më 28 mars 2011 dhe nëpërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës mund të konkurroni për botimin e veprave tuaja letrare e publicistike, të traditës, të përkthyera dhe kritikë letrare.

Data e fundit në Ministri është 2 maj 2011, kurse në LSHK duhen dorëzuar më parë.

Dorëshrimet të dorëzohen sipas propozicioneve të ftesës publike të Ministrisë.

Kryetari i lSHK-së

Adem Demaçi

Doli nga shtypi monografia JUSUF GERVALLA-Jeta dhe vepra‏

Download Mirvete B...jpg (521.4 KB)
 
Keto dite dili nga shtypi libri i Prof. as. dr. Myrvete Dreshaj - Baliu, Jusuf Gervalla -jeta dhe vepra. Vepra eshte sinteza me e mire e shkruar deri me tash per jeten dhe vepren letrare te Jusuf Gervalles. Libri ka 255 faqe.
 

PARATHËNIE

 
Tema e lidhur me emrin e Jusuf Gërvallës, fillim­isht vetëm me jetën e tij, më ka nxitur të merrem që kur isha nxënëse dhe prej saj nuk kam mundur të lirohem as si gjimnaziste, kur bashkë me disa shokë e shoqe kishim themeluar një grup politik në frymën e idealeve dhe të idealistëve si ai, as si studente kur dijes sime, përtej biografisë së tij jetësore, i ishte shtuar edhe biografia e tij intelektuale dhe krijuese. Kjo mund të duket mbase krejt personale, por duke dëgjuar fillimisht tregimet e bashkë­ko­­hësve për misionin e tij dhe duke dëgjuar më vonë rrëfimet e nënës Ajshe për fatin tragjik të familjes së saj, nuk kam mundur të mos e ndërtoj edhe unë një botë më vete për historinë e tij jetësore, familjare dhe më në fund kombëtare. Që nga manifestimet përkujtimore, (të filluara së pari si aktivitet kombëtar dhe së dyti si aktivitet kulturor, që më 1988) kur fillova t’i recitoj poezitë e tij dhe të shkruaj më vonë për veprën e tij (në temën e diplomës së Universitetit të Prishtinës), ngacmimi më shfaqej veçmas në çaste ballafaqimi me nënën e tij. Nga ajo kisha dëgjuar, në një qetësi dhe krenari, për fëmijërinë, për fatin tragjik të familjes dhe sidomos për misionin e tij. Ishin disa rrëfime, të cilat, në fund të fundit, nuk dilnin jashtë kornizave të baladave e këngëve të lashta, që vinin nga thellësia e botës shqip­tare, duke u përsëritur nga brezi në brez deri në fund të shekullit XX.
Nga ajo që kisha dëgjuar nga miqtë, kolegët dhe bashkëveprimtarët e Lëvizjes ilegale për rolin e shum-anshëm të tij në procesin e rezistencës së popullit të robëruar të Kosovës dhe të luftës për liri e pavarësi, biografia e tij më së miri më reflektonte gjeniun e krijuesit dhe ashpërsinë e konfliktit të tij e të popullit të tij me push­tuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda vetes. Për­masa e angazhimit të tij më dilte e shum­anshme: publicist, përkthyes, krijues, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe në mërgatë, si dhe organizues e ide­olog i saj.
Ndoshta mu për këtë, fati i këtij autori dhe reflek-timi i jetës dhe i veprës së tij në ndërti­min e kësaj monografie, ndeshen me një element të përbashkët, me kujtesën time dhe me ndikimin e saj në këtë proces krijues. Ky element, si shenjë e kujtesës së përbashkët për veprimtarinë brenda së njëjtës Lëvizje, mund të jetë veçoria personale, që në këtë rast na bashkon si objekt dhe si subjekt.
Në këtë rrjedhë, interesimi im për t’u marrë me hulumtimin dhe me studimin e veprës jetësore, intelektuale dhe letrare të Jusuf Gërvallës, lidhet me përpjekjen time për ta rikthyer atë si objekt kërkimi, në kohën kur për studimin e jetës dhe veprës së tij ende mungonte guximi i mjaftueshëm intelektual dhe qytetar ndër studiuesit dhe ndër institucionet tona shkencore.  Vepra e tij letrare ishte bërë objekt i kritikës vetëm deri në vitin 1979 (Ali Aliu, Emin Kabashi, Teki Dervishi e Sylejman Syla), por pas largimit nga Kosova, në jetën kulturore e letrare ishte kthyer pjesërisht vetëm në Tiranë (Ismail Kadare, Pandeli Koçi, Ramadan Vozga e Lumira Berati), ku ishin botuar edhe dy vepra letrare të tij: Bekimi i nënës (përmbledhje me poezi të zgjedhura) dhe romani Rrotull. Ai do të rikthehet në letrat shqipe në Kosovë vetëm pas vitit 1990, kur do të botohen shumë shkrime rasti, me theks të veçantë për aktivitetin e tij politik dhe kur do të botohen disa prej vlerësimeve më të plota për veprën e tij letrare-artistike nga veprimtarë dhe studiues: Kadri Rexha, Sabri Hamiti, Hydajet Hyseni, Agim Vinca etj.
Pavarësisht nga këto, veprimtaria e tij jetësore dhe sidomos vepra e tij krijuese, ende nuk janë bërë objekt i një studimi më të thelluar apo i një monografie të plotë, prandaj këtë përpiqet ta arrijë studimi ynë.
Pas viteve nëntëdhjetë një numër i studiuesve dhe i kritikëve shqiptarë, në vazhdimësi kanë botuar studime në trajtën e monografive për vepra, autorë e çështje të ndryshme të letërsisë shqipe. Këto monografi studimore janë kryesisht të trashëgimisë letrare, por më së shpeshti të autorëve të ndaluar për një gjysmë shekulli. Studimet, zakonisht kanë karakterin e rivlerësimeve letrare e historike dhe të paraqitjes për njohje, vlerësim dhe vendosje të autorëve e veprave në kontinuitetin e vlerave letrare shqipe. Edhe qëllimi ynë është që në rrjedhat e këtij kontinuiteti të shprishur me kritere jashtëletrare, ta rivendosim edhe Jusuf Gërvallën (me pjesën më të madhe të veprës letrare të botuar dhe të mbetur në dorëshkrim) me një studim që është e zakonshme t’i rrijë pranë veprës. Jo thjesht, për të shtuar një emër në listën e shkrimtarëve të përmendur, që bëjnë historinë e letërsisë shqipe, por në radhë të parë, për të hapur për diskutim artin krijues letrar të Jusuf Gërvallës. Po e bëjmë këtë me qëllim që të mos na ngjajë, si rëndom, që ndaj vlerave krijuese letrare të reagojmë me vonesë.
 Pra, projekti ynë synon që Jusuf Gërvallën ta shpërfaq jo vetëm si veprimtar të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si emër të dalluar të letrave shqipe. Nëse jetën e tij e shohim të arsyeshme që ta paraqesim përmes pjesës së parë dhe brenda tre kapitujve: Jetës, Kulturës dhe Mitit të vrasjes, veprën e tij letrare e shohim të arsyeshme që ta vlerësojmë përmes tri njësive: Poezisë, Prozës dhe Dramës. Kjo vepër ka edhe një shtojcë që përmban të hulumtuar mjaft shterueshëm Bibliografinë përmbajtësore të botimeve të tij. Një numër i madh i këtyre teksteve (kryesisht nga publicistika) nuk kanë mundur të komentohen brenda studimit, sigurisht për shkak se ato nuk kanë ndonjë rol të veçantë për qasjen e tashme, por kanë rëndësi për opusin e përgjithshëm krijues të tij, prandaj bibliografia përmbajtësore e botimeve është dhënë në pjesën e tretë si evidencë e zgjeruar. Arsyeja e një paraqitje të tillë ka qenë fakti se sot, përkundër një numri të madh të shkrimeve kryesisht publicistike për Jusuf Gërvallën dhe veprimtarinë e tij, vepra e tij jo vetëm nuk është botuar e plotë, por është e panjohur në disa aspekte të saj. Në këtë bibliografi, në interes të krijimit të një pasqyre më të plotë, sidomos të mendimit të tij politik, kemi paraqitur edhe elementet ndihmëse të teksteve, si: mbititujt, nëntitujt, mestitujt, hyrjet ose rezymetë e tyre.
Në fund të kësaj parathënie nuk mund të mos i përmend vështirësitë e dala gjatë hulumtimit dhe grumbullimit të materialit. Jeta e tij në shumë aspekte, aq sa ka qenë e njohur, po aq ka qenë edhe e panjohur, pavarësisht se për jetën ka shumë tekste të publikuara, kryesisht në përvjetorët e vrasjes së tij. Mirëpo, dokumentet autentike (materialet e Lëvizjes, letër­këmbimi, dorëshkrimet, shtypi ilegal) ishin të shpërndara kryesisht në mërgatë dhe në Tiranë. Në diasporë (në arkiva private) gjendet pjesa më e madhe e literaturës që lidhet me veprimtarinë politike të Lëvizjes Kombëtare për çlirim, anëtar i së cilës ka qenë edhe Jusuf Gërvalla. Për këtë arsye jam detyruar që të shfrytëzoj disa forma të kërkimit. Në Tiranë kam hulumtuar në Arkivin Shtetë­ror, Bibliotekën Kombëtare dhe në arkivat e disa puno­njësve shkencorë dhe të kulturës; në Prishtinë kam hulumtuar Arkivin e Kosovës dhe Bibliotekën Kombëtare, arkivin e të përjavshmes “Zëri i rinisë”, arkivin e të përditshmeve “Flaka e vëllazërimit” dhe “Rilindja” etj., ndërsa nga mërgata kam marrë kopjet e dokumenteve dhe të shtypit të Lëvizjes: “Zëri i Kosovës”, “Liria”, “Lajmëtari i lirisë“ dhe “Bashkimi”.
Me këtë rast e ndjej të nevojshme t’ju shpreh mirë­njohje të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre më kanë dalë në ndihmë për hulumtimin dhe grumbullimin e materialit: drejtorit të Arkivave të Shqipërisë prof. dr. Shaban Sinanit, drejtorit të Arkivave të Kosovës, dr. Jusuf Osmanit, si dhe punonjësve të këtij institucioni: Ismail Ismailit, Fikrije Berishës, Fatime Sylejmanit; punonjësve të Bibliotekës Kombëtare: Tahir Foniqit dhe dhe të tjerëve; punonjëses së bibliotekës së Institutit Albanologjik, z.Shpresa Krasniqit, studiuesve, publicis­tëve e pjesëtarëve të Lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit: Fahridin Tafallarit, Kadri Rexhës, Ibish Nezirit, Hasan Ukëhaxhës, Zymer Nezirit, Reshat Sahitajt, Behare Rexhepit, Musa Berishës, Skënder Blakajt, Xhevë Gërvallës etj.; ndërsa respekt të veçantë ju shpreh lexuesve të parë të dorëshkrimit: akademik Rexhep Qosjes (kryetar i Komisionit për mbrojtjen e tezës së magjistraturës), prof. dr. Emin Kabashit (mentor) dhe prof. dr. Agim Vincës (anëtar i Komisionit), sugjerimet e të cilëve më ndihmuan t’i jap formën përfundimtare këtij projekti.
Prishtinë, maj 2002

2011/04/02

Album i poezisë erotike nga Klubi letrar "Bota e re"

Dita e te dashuruarve

-Shen Valentini-

Vangjush Ziko



MAGJI E DASHURISE

Diten e shenjtes Dashuri
E çau shkëmbin një tërmet
Dhe një burim shpërtheu det
Ditën e shënjtes Dashuri.

U përkul Vdekja dhe u tremb.
Ngjëroi Jeta dhe u nginj.
U ul Poeti,mbeti atje
Buzë burimit Dashuri.
2003

Skender Rusi


ATA PO PUTHEN

Ata po puthen,e po mirë,
le të puthen,
Le t’i shtojnë kësaj dite
marrëzinë e vet!
Veç e veç,ata janë mëkatarë,
Të dy bashkë
e krijojnë një shenjt!

Ata po shkrihen,e po mirë,
le të shkrihen,
(Bota e tërë ka lindur
nga ky art!)
Ku mund të gjesh
dhe ndonjë nuancë grije,
Dhe ndonjë shi prej vjeshte
që të lag!

Ata duhen ,e po mirë,
le të duhen!
Siç duhet dita
me natën që e ka afër!
Ata veç e veç janë mëkatarë,
Po krijojnë një shenjt
kur puthen bashkë!

Ylber Merdani



Lucianes

Ato caste qe s’do vijne me,
Shenjterisht do t’i kujtoj me dhembje.
“Mos i fole xhaxhi Yberit me!”
Ti vazhdon t’i thuash cupkes tende.

Kur mallohem endem perse shkreti,
Netve te kerkoj me ze te prere.
Eh!Kjo zemra ime prej poeti,
Kur te do te fal dhe njemije here.

Dhe nga vete jeta i braktisur,
Paget rrjedhin gjak dhe prap’ i shkel.
Nje poet si une, kokekrisur
Do te mbetet gjer ne fund rebel.

Ja keshtu o mike qenkam une,
Dehem kur me shkrepet ndonjehere,
Pa i futem llumit perceshkume
Edhe fle,ku nata te me zere.

Shkoj nder monopate te pashkelur,
Nates,qe te flas me kaltersite.
Ngrihem dhe rrezohem si i dehur,
Me rrufete matem dhe stuhite.

Ndonjeqind,njemije apo me teper,
M’i ka shpirti plaget,skaj me skaj,
Vdekja qe me paska mik te vjeter,
S’do qe s’do t’me marre prane saj.

Merr me vete ato cicerime,
Qe nuk munde te m’i thuash dot,
Dimrit me acare dhe thellime,
Me kujto e derdh dy pika lot.

Une bej si zemra te me thote
Nuk e di,bej keq apo bej mire…
Nuk e di sa here neper shqote,
Nden dritaren tende jam gedhire.

Hena vete po ma end savane…
Kush do jet’ varrmihes, nuk e di,
Ndersa ti,qe te kisha aq prane,
Cdo te enjte ndizme nje qiri.

Qaj me ze,me logori,si grate,
Se te desha gjer ne shenjteri.
Pa nga varri do te dal nje nate,
Si dikur…do te vij te rri tek ti.

Klito Fundo


Perse ?

Pse me qendron tani keshtu e ftohte,
Si nje statuje e bardhe antikiteti,
Perse largohesh vazhdimisht nga une,
Si guralec i thate anes detit?

Po s'te pelqeu ky shpirti im plot dallge,
Ma thuaj dhe me lajka mos me mbaj,
Si burrat ndarjes un'di t'i bej balle,
S'e kam zakon te psheretij apo te qaj!


Raimonda Moisiu



Dashuri ne Shi!

Sa "shekuj" ne kishim pa u pare,
Po prane njerit-jetrit na solli ky shi
Ky shi nervaprishur sikur njerezit perqark
Puth une
Puth ti.

Litaret e shiut po rrihnin me kamxhik
Keta vitet qe kishim humbur qe te dy
Njerezit nen cadra si kepurdha gjumash'
Me puthje mua,
Te puthja ty!

Vec llampa neoni si vajza lenesha
Se nata e shiut e erret, ish
Te shterngoja, me shterngoje
Puth une, puth ti

Vec nje plak se c’u ndal te cepi i bulevardit
Nen mimozen e celur po na shihte si skuth
A shi, a lote, ridhnin nga syte e plakut....
Une puth!
Ti puth!

Kostaq Duka



Shënjëza e kuqe

Një mirëmëngjez të thatë
si për një kalimtar të zakonshëm
e rrokëzova nëpër buzë.
Të zënë e meritur për ndarje
ç’mund të të thosha më shumë?!

Por…duke mos të parë në sy,
syri mbeti tek ngjyra e kuqe e këpucëve të tua,
u zvarrit ngultas
nëpër trupin tënd tek bluza e zezë e vijëzuar në të kuqe,
u ngjit aty tek cipa e buzës
e përshkënditur nga i kuqi i ndezur.

Nuk di sa u përskuqa në fytyrë,
Nuk di ç’stuhi
Përmbysi,thyevi e ngriti dallgë brenda shpirtit tim.

Me dhjetra herë,
Në çaste dashurie kisha përsëritur si refren:
“Në më do çdo ditë vendos një shënjëzë të kuqe,
qoftë në këpucë,në bluzë,në buzë
a diku mes flokëve të tu të verdhë.

(Nga libri “Trendafili qe çelte ne janar”)

Julia Gjika



NE PRAG TE GJASHTEDHJETAVE


Ti akoma më thua:
Sa e bukur je!
Nuk më shikon rrudhat,
plakjen time nuk e sheh?
Unë të lëmoj thinjat,
sa shumë të janë shtuar,
koka ime më keq, bërë dele,
dele rude,prap’ ëndërron.
Shtrati ynë është ende në pyll,
mbuluar nga gjelbërimi i viteve,
aroma e pishave, lulekupave.
Kënga e zogjve na zgjon,
në mëngjes na lan vesa.
Në udhët që bëjmë
krahu yt më mban fort,
syri im të gjen mes turmës,
ecjen tende ne njemije dalloj.
Kemi kapërxyer mesmoshën
eunë kërkoj
kandilin ndezur në shpirtin tënd.

Edmond Shallvari



Veç Një!

Khajam, s'të kam zili!
T'i kam falur gjithë çupat e botës
Bëj siç të tha shpirti: Pi!
Dhe fundin nxirrja gotës!

Veç Një, ooh, veç Një, timja është
Atë veç në vargje mund ta dehësh
Të tjerat trup dhe shpirt të kan' dhënë
Por timen, as me sy s'mund ta prekësh!

Kënaqu me kaq, Khajam!
Që dehe çupën time me vargje
Të tjerat dhe në varr i ke pran'
Veç Një, ooh, veç Një, kurrë s'e pate!

Vullnet Mato



Ç’MË THUA, Ç’MË THUA ?

O, sa shpejt më ikën dita tek ti!
Dielli më fluturon si zog pendëverdhë...
Mbeta, moj mike, me ty në dashuri,
si nën hijen e këndshme të fikut në verë.

Ke ulur për mua gjithë degët e tua
sa lash nën hije krejt kohën time ...
Bëj të iki nga ëmbëlsia e pemës që dua,
por asnjëri nga gjymtyrët nuk më bindet.

Me thërresin shumë zëra diku tutje,
më thonë, eja, pra, eja se mbete prapa!...
Po ti më ke mbuluar me gjethe puthjesh
që nuk më lëshojnë pa ikur vapa.

Më lësho, se dielli u bë pendëblu,
ndriçojnë tani vetëm kokrrat e tua...
Të rri akoma pranë teje këtu?...
Ç’më thua, moj pemë e dashur, ç’më thua?

Ç’më thotë fiku i çarë i buzëve të tua?...

Alma Papamihali



Ishulli i dashurisë

Kush njëherë atij ishulli kishte jetuar,
ku drurët shtretër ishin,
ku gjethet çarçafë të mëndafshtë,
ku qielli tmerrësisht i blujtë,
ku ajri shijonte i zjarrtë,
ku uji buronte i argjendë,
ku heshtja njomur, zgjohej e flinte,
ku pasioni ndillte dritën e hënës,
ku bregu qeshte, kur shkonte e vinte,
ku muzgu zgjaste dorën për frymë,
ku errësira drithëronte sysh perënduar,
ku nata dremiste, por s´flinte kurrë,
do donte të vdiste, ishullit të dashuruar!
(A.P.)

Luan Xhuli



Nga dashuria


....Në fillim
të dhurova copëza nga vehtja...
Të dhashë sytë,
buzët,ballin,
puthjen,
ndjeshmerinë e lëkurës,
nxehtësine e trupit
dhe shikimin...
Të gjitha....përveç gjakut,
qe se kisha timin...
Nëse nje ditë ,
do të therrasë mbijetesa,
gjakun do ta bej grupi “O”,
për mos tu dukur
brënda zemres tende...
Nuk bej deklaratë
- ta dini,
Dashuria,
është pasuri e ëndrës...!

Fation Pajo



Për Shën Valentinin…

Renda gjithë ditën
të gjeja një lule
një gonxhe,
një syth…
dhuratë për Ty e dashur
por flok’ i dëborës
që vallëzon pa pushim
m’i fshehu të gjitha
miqësisht…

Atëherë
për Shën Valentinin…
ç’mund të të dhuroja tjetër
Veç zemrës sime
Që pranë tëndes të ngjizet
Ngrohtësisht…

Agim Bacelli



Nëse duhemi

Nëse fluturon me mua
krahët do shkruajn’ "Të Dua",
me yje do mbushim thasë
t’ spërkasim Tokën-Parajsë.

S'do lemë vënd pa zbuluar,
s'do lemë puthje pa shijuar.
Malet do hedhim përpjetë,
për tok’ do rrëzojmë retë.

Sa kohë do duhemi ne,
këmbët jo s'do na zenë dhe.
Do ndjehemi t’ mrekulluar.
Po! Kjo na paska munguar!"

Thani Naqo



ERDHA, SI TË PATA PREMTUAR

Edhe mbrëmë të prita, ti nuk erdhe,
në breg të lumit, nën shelg,
zgjuar mbetën mëllenjat nën gjerdhe,
nga ecejaket e mia në breg.

Bilbilat e majit shpresën më jepnin,
i këndonin djaloshit me fat,
sonte për mua, ata zërin po e ngjirnin,
pa gjumë ta linin këtë fshat.

Vajza kur rritet, roje ka një gjyshe,
djallëzisht, hap pas hapi e ndjek,
kur gjoksi gufon, pëlqejnë fshehurishte,
të dalin e gjejnë një shteg!

"T'i je nusja ime, sa here të thosha
dhe prita e prita të rritesh,
mustaqethinjurin kudo e përqesh bota,
nga pritja e gjatë prej vitesh.

Më the " u rrita" dhe more guimin,
të prekish mustaqet e mia,
buskat e tua ma dhanë premtimin,
nga buskat fillon marrëzia!

Simfonitë e bilbilave s' kanë të mbaruar,
nga maji e gjer...fundqershor,
sonte më ke ne dhomë, si të kam premtuar,
nga dritarja porsi horr!

1978

( nga libri me lirika Çapkënët e mëhallave të botës )

Perparim Hysi



Dita e Shën Valentinit-Dita e dashurisë

Zënë prej duarësh dy nga dy,nëpër sheshe,nëpër rruga
Açik bëjnë dashuri;shiko djemtë puthen me çupa!
Kthejnë dhe çupat puthin djemtë;opo lëre mos e nga!
Sa s'roisim ne,pleqtë?Ashiqare bëjnë sevda!!!


Ha-ha krushqit,ha-ha nusja siç këndohet nëpër dasma
Zë e"kruhem",më ha buza edhe tak më ikën azma *
Se gëzimi është si gripi,të pushton,hap e mbyll sytë
Gazi i tyre seç më "ngjiti" dhe m'u ndezën "bateritë"


Plaq e plluq seç puthen sheshit,as ua bën hiç tërr syri
Ditë e dashurisë-sebepi aliaz Shën Valentini
Ndaj tek puthen dy nga dy(rreth e qark shpërndajnë gëzim)
Def-o sun, o pleqëri!Gaz seç ndien,O Përparim!

* kam gati 40-vjet që vuaj nga azma

Ziko Ll. Kapurani


 
DASHURITE E MIA

Një herë e një kohë një Hatixhe
Me ciu ciu e ndolla cinxull ferre,
Nga xinxifet e cicave nën ferexhe
M'i hidhte shpirtit tim kade vere.

Nën shkurre kur e prisja i dehur
Me shën Tjetrin ngau në mugëtirë.
...Më gjeti me Sofkën të mpleksur
Në qoshen e rrugës një të gdhirë.

Dy gurë pastaj s'lashë më bashkë
Kë s' mblodha gorricës nën gjëmba,
Herë kunadhen e vogël gjijashtë,
Herë t'ëmën që zjente përbrënda.

U hapa nëpër botë dhe në urban ,
Në Pragë putha një xanxare vëndi.
Një ruse Çehovi në rriugën Çalan,
Me këmbkën e vogël më çmëndi.

E nisa shaka me njërën në Bon
Por përsipër iu gdhiva një natë
"Qënke djall për të tilla" - më thosh,
Dhe derën më mbyllte për prapë.

Për të dielë me një prift kacabuq
E lashë me greken të ve kurorë,
Mos jini të sigurtë e niseni krushq,
Unë Zikon s'e kam më në dorë.

Lida Lazaj



Skulpture malli

Dimri shtreson debore, vetmi dhe mall
Teksa kundroj femijet si shpirtezojne endrra prej bore
Mendoj te bej si ata
Se kam talent e art
Dhe nis skalis me mall portretin Tend
Kaq mall, kaq mall te ngjeshur sa dhe debore
Skulptura lartohet si obelisk
Te flas, ti vuv
Te prek, me humb
Te te krijoj persosmerisht me duhen fjalet
Fjalet e tua, te shtroj udhet e mendimit
Me duhet i yti ze per simfonine e rralle te shpirtit
Dhe fryme. Po fryme.
Deshtoj, trishtohem, mundohem kot
Femije qe shpirtezon endrra me cfaredo lende
Sbehem dot

Se Ti je Ti
Je i pabeshemi
Je i patjetersueshmi
Origjinali

Ne dimer shembem ne vetmi
Mbi malin amorf prej malli


Janaq Pani



U SHKEPUT NJE GJETHE

Nga dega shkeputet nje gjethe
Si mjellme lundron ne det flladi
E krahet fergellon si ne ethe
Me vjen ne xham te parvazi.

Kjo gjethe e brishte lozonjare
Mesazh i vjeshtese vone,
Tak...tak me troket ne dritare
Si enderr vjen mike ne dhome.

Mbi tryeze qendron e pagoje
E ngjyer me arin e stines,
Mbi 'te skicova me boje
Profilin e bukur te fqinjes.

Mëhill Velaj



Bekuar me dashuri

Erdha moj të të sjell trëndafila,
vetëm ti të mos ndjesh zbrazëti,
të të heq zymtësinë e shpirtit,
të të shtoj rrahjet e zemrës,
të të dhuroj aromë livadhesh.

I kam mbledhur në bahçen e shpirtit,
të shtrydh mbi plagë lëngun balsam,
E të mbulohemi veçse me puthje
ditën që ka emrin tonë,
sa herë që shkurti vjen me borë.

Hajde moj më afër se kam të ftohtë,
më shkrij zemrën e akullt,
në këtë fole të lashtë djepash,
e Valentini të këndojë ëmbël:
Ninanana, ninanana, dashuri!

Lutu për të dashuruarit,
moj robine e zemres sime,
ndiz nga një qiri për secilin, qe
të na grishë dashurine e shpirtit,
të shenjtërohemi; bekuar me dashuri.

Të harrojmë se ku jemi,
të mëkatojmë duke këputur
trëndafilat në kopshtin e Edenit,
e të mërmërisim fjalët: Më do a s'më do!
Dy zemrat e lumtura me ngjyrat e kundrimit.

Dashurinë tënde kërkoj,
të udhëtoj në bardhësinë e mirësisë,
të shpirtrave tane,
ngadalë, ngadalë t’i falemi ditës së shenjtë,
si Shën Edeni - Shën Dashurisë.


Kristaq Turtulli



Bisedë

Dita përpëlitej
Nën harkun e mendimeve të lodhura.
Qielli mbytur kollitej,
Rëndohej me re,
Grindej era si shtrigë plakë,
Me bërryla shtynte qoshet e mureve,
Çirrte me thonj xhamat e dritareve.

Unë të putha fort në buzë.
Ti u rrotullove në brinjë,
Shfaqe dëshirën të ishe flutur e blertë,
Të thithje krejt ajrin e pyjeve
Të qëndroje përkah erërave,
Të ngopeshe me kaltërsinë e deteve,
Të preheshe faqeve të shkëmbenjve.

Përjashta dita po vdiste.
Mbrëmja me nofulla thërmonte,
Imazhin e rremë.
Unë të thashë:
Bëhu flutur e luleve, e petaleve,
Ti më puthe lehtë në buzë,
Mblodhe supet dhe pulite sytë gështenjë...




Arjan Kallco



Ti dhe Bliri

S'di si u shfaqe papritur
si blinjte e celur ne vere
syte tek ty me mbeten
Enderr qe s'do me lere.

I ndieva te dy aromat
por njera shpejt do tretet
e jotja do profumoje e fresket
ne vite e vetme do mbetet.

Me fal pak prej saj
se tjetren ne cast e marr
doren sapo ta zgjas
e jotja kerkon kohe
s'merret dot pa zjarr.

Vera serisht do trokase
dhe koha bashke do t'ju ftoje
ti dhe bliri do ngjani
por zemra ime fisnike
vec ty do te te kerkoje.
14 Shkurt 2010

Shkruan Akademik Prof.dr.PHD. Flori Bruqi nga Prishtina : Ismajl Kadare nuk e morri çmimin Nobel

    Ismajl Kadare nuk e morri çmimin Nobel  Në një intervistë të shkurtër me vetëm 3 pyetje, shkrimtari i madh Isamil  Kadare  foli pak, por...