2011-04-03

Doli nga shtypi monografia JUSUF GERVALLA-Jeta dhe vepra‏

Download Mirvete B...jpg (521.4 KB)
 
Keto dite dili nga shtypi libri i Prof. as. dr. Myrvete Dreshaj - Baliu, Jusuf Gervalla -jeta dhe vepra. Vepra eshte sinteza me e mire e shkruar deri me tash per jeten dhe vepren letrare te Jusuf Gervalles. Libri ka 255 faqe.
 

PARATHËNIE

 
Tema e lidhur me emrin e Jusuf Gërvallës, fillim­isht vetëm me jetën e tij, më ka nxitur të merrem që kur isha nxënëse dhe prej saj nuk kam mundur të lirohem as si gjimnaziste, kur bashkë me disa shokë e shoqe kishim themeluar një grup politik në frymën e idealeve dhe të idealistëve si ai, as si studente kur dijes sime, përtej biografisë së tij jetësore, i ishte shtuar edhe biografia e tij intelektuale dhe krijuese. Kjo mund të duket mbase krejt personale, por duke dëgjuar fillimisht tregimet e bashkë­ko­­hësve për misionin e tij dhe duke dëgjuar më vonë rrëfimet e nënës Ajshe për fatin tragjik të familjes së saj, nuk kam mundur të mos e ndërtoj edhe unë një botë më vete për historinë e tij jetësore, familjare dhe më në fund kombëtare. Që nga manifestimet përkujtimore, (të filluara së pari si aktivitet kombëtar dhe së dyti si aktivitet kulturor, që më 1988) kur fillova t’i recitoj poezitë e tij dhe të shkruaj më vonë për veprën e tij (në temën e diplomës së Universitetit të Prishtinës), ngacmimi më shfaqej veçmas në çaste ballafaqimi me nënën e tij. Nga ajo kisha dëgjuar, në një qetësi dhe krenari, për fëmijërinë, për fatin tragjik të familjes dhe sidomos për misionin e tij. Ishin disa rrëfime, të cilat, në fund të fundit, nuk dilnin jashtë kornizave të baladave e këngëve të lashta, që vinin nga thellësia e botës shqip­tare, duke u përsëritur nga brezi në brez deri në fund të shekullit XX.
Nga ajo që kisha dëgjuar nga miqtë, kolegët dhe bashkëveprimtarët e Lëvizjes ilegale për rolin e shum-anshëm të tij në procesin e rezistencës së popullit të robëruar të Kosovës dhe të luftës për liri e pavarësi, biografia e tij më së miri më reflektonte gjeniun e krijuesit dhe ashpërsinë e konfliktit të tij e të popullit të tij me push­tuesin, të cilat realizoheshin njësishëm brenda vetes. Për­masa e angazhimit të tij më dilte e shum­anshme: publicist, përkthyes, krijues, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë dhe në mërgatë, si dhe organizues e ide­olog i saj.
Ndoshta mu për këtë, fati i këtij autori dhe reflek-timi i jetës dhe i veprës së tij në ndërti­min e kësaj monografie, ndeshen me një element të përbashkët, me kujtesën time dhe me ndikimin e saj në këtë proces krijues. Ky element, si shenjë e kujtesës së përbashkët për veprimtarinë brenda së njëjtës Lëvizje, mund të jetë veçoria personale, që në këtë rast na bashkon si objekt dhe si subjekt.
Në këtë rrjedhë, interesimi im për t’u marrë me hulumtimin dhe me studimin e veprës jetësore, intelektuale dhe letrare të Jusuf Gërvallës, lidhet me përpjekjen time për ta rikthyer atë si objekt kërkimi, në kohën kur për studimin e jetës dhe veprës së tij ende mungonte guximi i mjaftueshëm intelektual dhe qytetar ndër studiuesit dhe ndër institucionet tona shkencore.  Vepra e tij letrare ishte bërë objekt i kritikës vetëm deri në vitin 1979 (Ali Aliu, Emin Kabashi, Teki Dervishi e Sylejman Syla), por pas largimit nga Kosova, në jetën kulturore e letrare ishte kthyer pjesërisht vetëm në Tiranë (Ismail Kadare, Pandeli Koçi, Ramadan Vozga e Lumira Berati), ku ishin botuar edhe dy vepra letrare të tij: Bekimi i nënës (përmbledhje me poezi të zgjedhura) dhe romani Rrotull. Ai do të rikthehet në letrat shqipe në Kosovë vetëm pas vitit 1990, kur do të botohen shumë shkrime rasti, me theks të veçantë për aktivitetin e tij politik dhe kur do të botohen disa prej vlerësimeve më të plota për veprën e tij letrare-artistike nga veprimtarë dhe studiues: Kadri Rexha, Sabri Hamiti, Hydajet Hyseni, Agim Vinca etj.
Pavarësisht nga këto, veprimtaria e tij jetësore dhe sidomos vepra e tij krijuese, ende nuk janë bërë objekt i një studimi më të thelluar apo i një monografie të plotë, prandaj këtë përpiqet ta arrijë studimi ynë.
Pas viteve nëntëdhjetë një numër i studiuesve dhe i kritikëve shqiptarë, në vazhdimësi kanë botuar studime në trajtën e monografive për vepra, autorë e çështje të ndryshme të letërsisë shqipe. Këto monografi studimore janë kryesisht të trashëgimisë letrare, por më së shpeshti të autorëve të ndaluar për një gjysmë shekulli. Studimet, zakonisht kanë karakterin e rivlerësimeve letrare e historike dhe të paraqitjes për njohje, vlerësim dhe vendosje të autorëve e veprave në kontinuitetin e vlerave letrare shqipe. Edhe qëllimi ynë është që në rrjedhat e këtij kontinuiteti të shprishur me kritere jashtëletrare, ta rivendosim edhe Jusuf Gërvallën (me pjesën më të madhe të veprës letrare të botuar dhe të mbetur në dorëshkrim) me një studim që është e zakonshme t’i rrijë pranë veprës. Jo thjesht, për të shtuar një emër në listën e shkrimtarëve të përmendur, që bëjnë historinë e letërsisë shqipe, por në radhë të parë, për të hapur për diskutim artin krijues letrar të Jusuf Gërvallës. Po e bëjmë këtë me qëllim që të mos na ngjajë, si rëndom, që ndaj vlerave krijuese letrare të reagojmë me vonesë.
 Pra, projekti ynë synon që Jusuf Gërvallën ta shpërfaq jo vetëm si veprimtar të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por edhe si emër të dalluar të letrave shqipe. Nëse jetën e tij e shohim të arsyeshme që ta paraqesim përmes pjesës së parë dhe brenda tre kapitujve: Jetës, Kulturës dhe Mitit të vrasjes, veprën e tij letrare e shohim të arsyeshme që ta vlerësojmë përmes tri njësive: Poezisë, Prozës dhe Dramës. Kjo vepër ka edhe një shtojcë që përmban të hulumtuar mjaft shterueshëm Bibliografinë përmbajtësore të botimeve të tij. Një numër i madh i këtyre teksteve (kryesisht nga publicistika) nuk kanë mundur të komentohen brenda studimit, sigurisht për shkak se ato nuk kanë ndonjë rol të veçantë për qasjen e tashme, por kanë rëndësi për opusin e përgjithshëm krijues të tij, prandaj bibliografia përmbajtësore e botimeve është dhënë në pjesën e tretë si evidencë e zgjeruar. Arsyeja e një paraqitje të tillë ka qenë fakti se sot, përkundër një numri të madh të shkrimeve kryesisht publicistike për Jusuf Gërvallën dhe veprimtarinë e tij, vepra e tij jo vetëm nuk është botuar e plotë, por është e panjohur në disa aspekte të saj. Në këtë bibliografi, në interes të krijimit të një pasqyre më të plotë, sidomos të mendimit të tij politik, kemi paraqitur edhe elementet ndihmëse të teksteve, si: mbititujt, nëntitujt, mestitujt, hyrjet ose rezymetë e tyre.
Në fund të kësaj parathënie nuk mund të mos i përmend vështirësitë e dala gjatë hulumtimit dhe grumbullimit të materialit. Jeta e tij në shumë aspekte, aq sa ka qenë e njohur, po aq ka qenë edhe e panjohur, pavarësisht se për jetën ka shumë tekste të publikuara, kryesisht në përvjetorët e vrasjes së tij. Mirëpo, dokumentet autentike (materialet e Lëvizjes, letër­këmbimi, dorëshkrimet, shtypi ilegal) ishin të shpërndara kryesisht në mërgatë dhe në Tiranë. Në diasporë (në arkiva private) gjendet pjesa më e madhe e literaturës që lidhet me veprimtarinë politike të Lëvizjes Kombëtare për çlirim, anëtar i së cilës ka qenë edhe Jusuf Gërvalla. Për këtë arsye jam detyruar që të shfrytëzoj disa forma të kërkimit. Në Tiranë kam hulumtuar në Arkivin Shtetë­ror, Bibliotekën Kombëtare dhe në arkivat e disa puno­njësve shkencorë dhe të kulturës; në Prishtinë kam hulumtuar Arkivin e Kosovës dhe Bibliotekën Kombëtare, arkivin e të përjavshmes “Zëri i rinisë”, arkivin e të përditshmeve “Flaka e vëllazërimit” dhe “Rilindja” etj., ndërsa nga mërgata kam marrë kopjet e dokumenteve dhe të shtypit të Lëvizjes: “Zëri i Kosovës”, “Liria”, “Lajmëtari i lirisë“ dhe “Bashkimi”.
Me këtë rast e ndjej të nevojshme t’ju shpreh mirë­njohje të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre më kanë dalë në ndihmë për hulumtimin dhe grumbullimin e materialit: drejtorit të Arkivave të Shqipërisë prof. dr. Shaban Sinanit, drejtorit të Arkivave të Kosovës, dr. Jusuf Osmanit, si dhe punonjësve të këtij institucioni: Ismail Ismailit, Fikrije Berishës, Fatime Sylejmanit; punonjësve të Bibliotekës Kombëtare: Tahir Foniqit dhe dhe të tjerëve; punonjëses së bibliotekës së Institutit Albanologjik, z.Shpresa Krasniqit, studiuesve, publicis­tëve e pjesëtarëve të Lëvizjes ilegale për çlirimin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit: Fahridin Tafallarit, Kadri Rexhës, Ibish Nezirit, Hasan Ukëhaxhës, Zymer Nezirit, Reshat Sahitajt, Behare Rexhepit, Musa Berishës, Skënder Blakajt, Xhevë Gërvallës etj.; ndërsa respekt të veçantë ju shpreh lexuesve të parë të dorëshkrimit: akademik Rexhep Qosjes (kryetar i Komisionit për mbrojtjen e tezës së magjistraturës), prof. dr. Emin Kabashit (mentor) dhe prof. dr. Agim Vincës (anëtar i Komisionit), sugjerimet e të cilëve më ndihmuan t’i jap formën përfundimtare këtij projekti.
Prishtinë, maj 2002

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...