Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/04

Amik Kasoruho : Mirupafshim, Paç!


Amik Kasoruho.jpg


Nuk e di pse, por gjithmonë, kur kam dashur të të kujtoja, kam ndërmend dy pamje të tuat: duke shëtitur në oborrin e Burgut të Burrelit, gjithmonë i shoqëruar me dy apo tre të rinj që përpinin dijen tënde që ti ua dhuroje me thjeshtësinë më të madhe, sikur të ishte një detyrim i yti (sepse kështu e quaje!) dhe diku aty përpara sahatit, në Tiranë, disa vite me vonë, kur shoqëria kishte filluar të shlyente ndonjë borxh të vockël ndaj teje
Nuk të them lamtumirë, sepse vdekja për ty nuk mund të jetë vdekje si për të gjithë njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë tokë pa lënë gjurmë. Nuk të them lamtumirë, sepse ti na ke lënë një peng ndaj të cilit nuk mund të mos të ndiejmë respekt dhe mirënjohje. Jetove e punove tërë kohës si një thnegël, pa u dukur, pa u mburrur, pa e ndarë buzëqeshjen nga fytyra, pa e ndarë bardhësinë nga zemra. Punove në heshtje (a ka heshtje më të thellë dhe të hidhur sa ajo që i rrethon njerëzit në burg apo kur i qarkon harresa e një shoqërie që e detyron tjetrin të jetojë vetminë?). Sepse kur shumë të tjerë, në atë vend ndrydhjeje, nuk gjenin shfrim për prirjen apo për mërinë, ti iu përkushtove punës. Dhe dialogove me të madhin Dante, për të përmendur një emër mes sa të tjerëve, me mjeshtri dhe me dashuri për gjuhën shqipe. Sa herë kur bëheshin kontrollet e burgut t’i kanë shkapërdarë dorëshkrimet me vargjet e Dantes dhe ti, pa nxjerrë vrer nga goja, si do të ishte mbase e udhës dhe e drejtë, me atë qetësinë tënde të mbushur me mirësi, filloje përsenjezaj të punoje, aty ku e kishe lënë. Ndoshta edhe duke punuar për së dyti a për së treti po ato vargje! I qetë, i pandier, i urtë, buzagaz, punëtor, i ditur, por i thjeshtë, i njohur, por i tërhequr, i shquar, por në hije, ti e kalove jetën sikur të doje t’u jepje shembull të tjerëve, sidomos të rinjve, që përkushtimi ndaj punës duhet të jetë shtysa jetike. Për individin, por edhe për shoqërinë. Ani pse hera herës shpërblimi vonohet. Nuk e di pse, por gjithmonë, kur kam dashur të të kujtoja, kam ndërmend dy pamje të tuat: duke shëtitur në oborrin e Burgut të Burrelit, gjithmonë i shoqëruar me dy apo tre të rinj që përpinin dijen tënde që ti ua dhuroje me thjeshtësinë më të madhe, sikur të ishte një detyrim i yti (sepse kështu e quaje!) dhe diku aty përpara sahatit, në Tiranë, disa vite më vonë, kur shoqëria kishte filluar të shlyente ndonjë borxh të vockël ndaj teje dhe ti më the: “Ajo që e bën njeriun të ketë respekt për veten nuk është sa e shpërblen shoqëria, por sa i jep ai shoqërisë”. Kishe botuar në atë kohë (por sa vjet u deshën që të gjente rrugën e botimit?) “Ferrin” e Dantes. Kishe vite që e punoje. Vite që prisje të botoje. Vite që të mohohej kjo shpagë. E njihje latinishten me rrënjë dhe sa herë që shoh të përdoren lokucione latine nga njerëz që atë gjuhë nuk e kanë studiuar, më kujtoheshe ti që kurrë në shoqëri nuk i përmendje këto sinteza të urtisë së lashtë romake. Nuk doje të shquheshe mbi të tjerët. I përzemërt, i pazoti për të fyer apo për të folur keq, gjithmonë i fshihje hidhërimet e jetës (kush nuk i ka pasur?) mbas buzëqeshjes tënde të patëkeq, apo ndonjë shakaje ku ndihej humori i shkodranit. Nuk e di pse, por unë kështu të mbaj mend: gjithmonë të qeshur. Në burg ku, për gardianët ishe thjesht një armik i popullit dhe si të tillë duhej të të trajtonin, mbas burgut, kur ende ngurrohej të të njihej vlera dhe kur kushdo tjetër do të turfullonte, ty të qetësonte vetëdija se ishe ai që ishe (edhe pse këtë nuk ua jepje të tjerëve ta kuptonin) po edhe më vonë, kur perënditë e Olimpit shqiptar e dhanë lejen që të të botoheshin përkthimet e tua mjeshtërore, dhe ti mendoje se s’kishe bërë gjë të veçantë: kishe bërë vetëm atë që të ishte caktuar të bëje në jetë. Për kënaqësinë tonë si miq, si lexues, si qytetarë. Sepse ti ke qenë gjithmonë një qytetar i mirë. I palidhur me ndonjë interes të kamufluar, i pacenuar në dëlirësinë tënde, i përkushtuar deri në fund veprës tënde. Sonte më njoftuan në telefon për ikjen tënde. Një shkrimtare që mbase edhe s’të kishte njohur. Por që e dinte se kemi qenë miq. Dhe se të tillë do të mbetemi, Paç: ti i ke lënë vetes vend të nderohesh dhe të kujtohesh. Prandaj nuk të them lamtumirë. Njeriu nuk ndahet nga e mira. Nuk mund të ndahet. Nuk duhet të ndahet prej saj. Dhe ti, për mua dhe për të gjithë ata që të kanë njohur, ke përfaqësuar gjithnjë të Mirën me M të madhe. Edhe një herë mirupafshim, Paç dhe të faleminderit!

Amik Kasoruho (lindur më 1932) në Tiranë. Është autor i disa librave: "Një ankth gjysmëshekullor" (1997), "Çmimi i një ëndrre" botuar në Itali (2000), "Midis qiellit dhe burgut" dhe romanin autobiografik "Ikje nga trilli i perëndive". Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O'Brian, John Selby etj. Është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në 2000 ka marrë çmimin "Civitas - Arberia 2000 Calabria" për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve "Katundi Ynë". Jeton ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Pergatiti:Flori Bruqi

Martin Heidegger - Ferr-Parajsa e filozofisë së shekullit XX

Mira Meksi

In memoriam në njëqind e dhjetëvjetorin e lindjes së filozofit

U mbushën plot njëqind e dhjetë vjet që nga dita kur mbërriti dhe afro njëzet e pesë vjet që nga dita kur u largua fizikisht nga kjo jetë Martin Heidegger-i - një prej mendimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Vetëm pak muaj pas ardhjes së tij në jetë, në Messkirch, do të merrte fund edhe kalvari nëpër terrin e “çmendurisë” i një tjetër mendimtari të madh, Friedrich Nietzsche, pas zërit dhe mendimit të të cilit e tërë jeta dhe shqetësimet filozofike të Heidegger-it do të qëndronin pazgjidhshmërisht të lidhur deri në fund.

Pavarësisht thellësisë së hulumtimeve dhe rëndësisë së padiskutueshme të prurjeve që solli në domenin e mendimit filozofik dhe në mendësinë e shekullit XX, vetë figura dhe vepra e Heidegger-it kanë qenë vazhdimisht në epiqendër të një morie debatesh dhe diskutimesh të ethshme, madje, edhe pasionante. Një pjesë e mirë e debateve dhe diskutimeve në fjalë i kanë kapërcyer paq, madje, në jo pak raste, jo vetëm qarqet akademike, por edhe thellësinë, mprehtësinë dhe seriozitetin që lyp studimi i një vepre tejet të shtrirë, tejet komplekse dhe tejet të vështirë si ajo e Heidegger-it; ato kanë arritur deri aty sa të përvijojnë deri edhe një lloj “folklori heideggerian”, për të sjellë në vëmendje një shprehje të goditur të Jürgen Busche-s, një “folklor” i karakterizuar së shumti nga doza të forta paragjykimesh, humoresh, qëndrimesh emotive, cektësi mendimi dhe, natyrisht, edhe nga një masë mjaft e ngjeshur thashethemesh, apo, për t’u shprehur me fjalët e vetë filozofit, nga një “ligjërim pavetësor dhe pavetësues”. Ky “folklor” është një formë ligjërimore prej atyre që kanë të njëjtën natyrë me ligjërimin që gjallon sot internetin nëpër faqet telematike apo nëpër blog-ët e sajuar nga njerëz që jo vetëm janë të paaftë dhe të pavaditur në suazat e njohjes, ndonëse hiqen e tunden-shkunden si opinionistë të mbaruar (subversioni që sjell ‘rebelimi i masave’, na kujton frikshëm Ortega y Gasset-i), por shfaqin edhe një patologji tjetër, atë që në psikologji njihet si autofobia, frika acaruese nga vetvetja, e cila përkon pikë më pikë me një krizë të thellë identitare. Duke pasur frikë nga ‘fytyra’ dhe ‘identiteti’ i tyre, një pjesë e mirë e sajuesve a përdoruesve të këtyre blog-ëve, ndërsa shfrytëzojnë ligsh e në mënyrë abuzive mundësitë ‘demokratike’ që u krijon hapësira telematike, rendin pa një pa dy të fshihen pas një emri të sajuar, një emër që nuk mbart asnjë ‘vetë’ (për rrjedhojë, as edhe një ‘gjini’, prej nga vjen edhe lehtësia e sjelljes transvestite me të cilën syresh ndërrojnë shpeshtas deri edhe gjininë e emrit), për të zbrazur jo vetëm ndjesitë e inferioritetit dhe perversitetit, por edhe gjepura të tipit “Borges-i nuk ka ide... nuk ka personazhe... nuk ka ngjarje...”, siç broçkulliste një transvestit emëror (apo një deli opinionist me “maskë” fytyrës) në faqet e një prej këtyre blog-ëve (me një emër si me peshk a me nuk di me ç’zgjyrë) në gjuhën shqipe (edhe kjo e përçudnuar në atë shkallë, sa dukej një qenie transvestite), ku të tjerë transvestitë emërorë broçkullisnin gjithfarësoj gjepurash, duke vrarë e prerë ide sa majtas-djathtas, duke plaçkitur dhe përbaltur e përdhosur mendime të mendimtarëve, me “maska” fytyrës (njëlloj si “maskat” bandite udhëve të Shqipërisë viteve ‘97), madje duke vjellëritur dhe sharë edhe vetë Heidegger-in.

Sidoqoftë, të kuptohemi drejt: në këto radhë, në suazën e këtij lloj ligjërimi, e këtij “folklori heideggerian”, nuk kam aspak parasysh transvestitët emërorë të blog-ut në fjalë me emër peshku, por syresh që janë treguar, në mos të paaftë (si në rastin e Victor Farías-it, “leximi i të cilit - shprehet Derrida - është i pamjaftueshëm dhe lehtësisht i rrëzueshëm, madje, hera-herës, është aq i përciptë, sa të krijohet përshtypja se autori nuk e ka lexuar Heidegger-in më tepër se një orë”), le të themi anashkalues, apo, për një arsye apo tjetrën (sidomos nga një pjesë e studiuesve me prejardhje hebraike), janë prirë që të mos e trajtojnë mendimin filozofik të Heidegger-it të ndarë nga prirjet, qëndrimet apo veprimet e tij politike. Ndërkaq, me këtë “ndarje”, s’kam parasysh thjesht dhe vetëm dallimin e ngushtë mes filozofit dhe politikanit, sipas një qasjeje platonike; po ashtu, s’kam parasysh as edhe vetëm atë “ndarje” që përdorim përgjithësisht në suazat e letërsisë, më konkretisht këtu, dallimin mes “veprës”, që na jep një autor ideal, dhe “personit”, që na përball me një autor real, çka përbën edhe një nga prurjet më të vyera të atyre poetikave strukturaliste që përvetësuan shumëçka nga prurjet e psikanalizës (sidomos atyre prurjeve që lidhen me “krizën e subjektit” dhe me “pavetëdijen e strukturuar si një gjuhë”), një pjesë të të cilëve lexuesi shqiptar ka pasur mundësinë t’i njohë përmes faqeve të revistës Mehr Licht. Jo, në këto radhë e kam fjalën më së tepërmi për “dallimin” mes “fakteve” dhe “tekstit”, vetë “mendimit” të Heidegger-it, dhe jo vetëm “interpretimin që do të shërbente si pikëlidhje mes ‘fakteve’ dhe ‘tekstit’, vetë ‘mendimit’ të Heidegger-it”, siç shprehet Derrida. Një lexim të tillë, nën dritën e këtij “dallimi”, besoj se kërkonte edhe vetë Heidegger-i, kur shprehet: “Dita më ditë dhe gjithnjë e më tepër flasin për Heidegger-in dhe... Përse nuk rrahin të thonë më së fundmi: ‘Heidegger’!” Një shprehje dhe një kërkesë metodologjikisht tejet kuptimplote, që na sjell në vëmendje një nga prurjet e Heidegger-it në domenin e filozofisë, më konkretisht këtu, dallimin në rrafshin ontologjik mes të “Qenëshmes” dhe “gjësendit”, ku fjalët e tij në faqet e Qenia dhe Koha tingëllojnë fuqishëm dhe në formë sfide: “Deri më sot, filozofia (metafizika) perëndimore e ka shprehur të Qenëshmen gjithnjë në raport me, dhe në varësi të gjësendit, dhe asnjëherë s’ka mëtuar që ta trajtojë të Qenëshmen si të Qenëshme”. E përkthyer nën dritën e kësaj shprehjeje, kërkesa “metodologjike” që na parashtron Heidegger-i në fjalët që cituam më sipër, besoj se përkthehet lehtësisht; gjithë sa lypte, ishte kërkesa për ta lexuar Heidegger-in si Heidegger, si mendimtar, si një njeri i mendimit (njeriut si kategori natyrore, domethënë, në raport me vetveten dhe me përgjegjësi ndaj vetvetes) dhe jo si qytetar (njeriut si kategori shoqërore, domethënë, në raport me të tjerët dhe me përgjegjësi ndaj të tjerëve). Porse, mjerisht, kjo kërkesë e Heidegger-it për ta lexuar si Heidegger, nuk u plotësua përpos se pjesërisht, dhe shumë vite më pas.

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nisur më së tepërmi nga arsye emotive, nga gjendja shpirtërore e mendimtarëve me prejardhje hebraike, Heidegger-i nisi të lexohej jo si një njeri i mendimit, por si qytetar, prej nga ku mendimi i tij filozofik filloi të sitej nën dritën e flirtit që pati pasur për një farë kohe me partinë nacionalsocialiste. Falë këtij emotiviteti, dhe nën dritën e një lloj “viktimizmi”, siç mund të ishte shprehur vite më pas Julia Kristeva, Heidegger-i sa erdhi dhe u shndërrua në “ferri i vërtetë i filozofëve”, siç pohon Derrida-ja në një intervistë. Një pjesë e mirë e ish-studentëve të tij, sikundërse edhe mendimtarë të tjerë të pasluftës, ku rasti më i famshëm është ai i Paul Celan-it, po kërkonin të deshifronin arsyet e flirtit të tij me nacionalsocializmin, duke lënë shpeshherë mënjanë pjesën më të rëndësishme të tij: veprën. Sakaq, ndjesia e “ferrit” sa vinte dhe bëhej akoma edhe më shtypëse dhe acaruese, për shkak të heshtjes nga ana e vetë Heidegger-it, madje, edhe në ato raste kur kishte studiues, siç ishte Gadamer-i, që shpreheshin me tone shumë më të buta në lidhje me këtë flirtim, duke pohuar se Heidegger-i kishte kaluar një përvojë të ngjashme me atë që pati kaluar Platoni në Oborrin e Sirakuzës; njëlloj si Platoni me Dionisin II, pas zhgënjimit nga Rajhu i Tretë, aso çastesh kur i kishin kërkuar të pushonte nga puna tërë profesorët hebrenj, Heidegger-i ishte distancuar nga politika, duke dhënë dorëheqjen si rektor i Universitetit të Friburg-ut, si dhe duke mos pranuar propozimin që i pati ardhur nga Führer-i për të marrë drejtimin e Universitetit të Berlinit, çka e gjejmë të dëshmuar qartë në një shkrim që Heidegger-i që pati botuar aso ditësh, më 1934-n, në Schopferische Landschaft - Përse zgjodhëm të qëndrojmë në Provincë?

Porse, a ishte vallë e nevojshme që Heidegger-i të jepte një shpjegim? Këto pyetje vijojnë të ngrihen nga studiues të veprës dhe jetës së Heidegger-it edhe sot e gjithë ditën, kur kanë kaluar afro njëzet e pesë vjet nga koha kur u nda nga jeta, aq sa të krijohet përshtypja se ka syresh që po kërkojnë një përgjigje të tij nga përtej-jeta, ndërkohë që vetë Heidegger-i e kish dhënë përgjigjen brenda veprës që la pas.

Fjala është për një përgjigje të përvijuar sipas një larmie perspektivash, për të cilat është e nevojshme të mbahet parasysh dallimi që përmendëm më lart, ajo mes “fakteve” dhe “tekstit”, apo, siç e përvijuam mëtejshëm, në një kuptim më të ngushtë, ajo mes njeriut si kategori natyrore (domethënë, në raport me vetveten dhe me përgjegjësi ndaj vetvetes), dhe njeriut si kategori shoqërore (domethënë, në raport me të tjerët dhe me përgjegjësi ndaj të tjerëve). Heidegger-i e kishte shprehur tashmë idenë se ishte për njeriun si kategori natyrore, për njeriun e mendimit. Madje, këtë ide e kishte shprehur në mënyrë të qashtërt përmes metaforës mjaft domethënëse - të huazuar nga Apokalipsi - të “mendimtarëve të kohëve të fundit”, të “të zgjedhurve të paktë”, të cilët shkojnë dhe gjejnë strehë diku gjetkë, “jashtë qytetit”, për të jetuar në gjirin e natyrës dhe si pjesë e natyrës, çka e lidhte kësisoj me grekët e lashtë dhe me romantizmin. Ndërkaq, duke shmangur me vetëdije jo pak ide të tjera të Heidegger-it, siç shfaqen syresh në lidhje me etikën e të Qenëshmes, shkrirjen e tëhuajtësisë dhe ndryshueshmërisë mes “Un”-it dhe “Ti”-së (mes “Unë-vetë” dhe “Ti-vetë” që hasim të analizuar në faqet e Identiteti dhe dallueshmëria) në suazat e bashkëpranisë dhe bashkëbotës, çka solli një riformatim rrënjësor të konceptit të përgjegjësisë, lipset të themi se, njëlloj si Nietzsche, Heidegger-i mëtoi të lëvronte një mendim thelbësisht të patanishëm, një “udhë-mendim që nuk të shpinte askund”, por qëndronte si një vesh i zgjatur nga ardhmëria, nga zanafilla e një epoke të re, e një mendimi të ri, e një shkëputjeje jo vetëm nga e tanishmja, por edhe nga e shkuara dhe tradita metafizike perëndimore, e cila që nga Platoni e këndejmi nuk kishte bërë gjë tjetër përpos se e kish interpretuar të Qenëshmen nën dritën e, dhe në varësi të gjësendit, duke lënë në harresë të vërtetën e saj. Duke qenë një i patanishëm, i pangulur në të tashmen, mendimi që mëtoi të lëvronte Heidegger-i qëndronte përtej çdo utilitarizmi. Njëlloj si Nietzsche, Heidegger-i shprehej se nuk është më koha që të mendojmë për gjëra të “parafundme”, domethënë, të vihemi në kërkim të virtyteve më të përshtatshme për njeriun, apo të vihemi e të përvijojmë një etikë më të mundshme për njeriun; përkundrazi, për Heidegger-in, “zaret” tashmë ishin hedhur, dhe njeriu perëndimor po jetonte në kohët e “fundit”, çka e afron mjaft ndjeshëm me tezat eskatologjike që pati parashtruar vite më parë René Guénon. Ndaj njeriut teknokratik dhe të teknologjizuar, ndaj njeriut që ende besonte se mund të ishte faktori dhe aktori kryesor e përcaktues i shpëtimit të vetvetes, Heidegger-i i lëshon si sfidë shprehjen e famshme: “Tashmë vetëm një zot mund të na shpëtojë!” Por, nëse nuk mëtoi të lëvronte një mendim të dobishëm, atëherë, për çfarë mëtoi vallë Heidegger-i? - Mëtoi të hidhte dritë dhe të zbërthente një tekst deri aso kohësh të pazbërthyer dhe të pazbërthyeshëm, tekstin e filozofisë, duke nisur që nga zanafilla - me idetë e Parmenidit dhe Heraklitit - deri te shfaqjet e saj më të fundit, duke mëtuar të nxirrte në pah të pashprehurën dhe të pathënat e mbarë traditës metafizike perëndimore. Dhe pikërisht në këtë drejtim, me shtigjet e mendimit që hapi, me përsiatjet dhe analizat e thella që ndërmori, si edhe me frytet e çmuara që korri përmes hulumtimeve të tij filozofike dhe tabanzhbiruese, Heidegger-i u shndërrua dora-dorës edhe në “Parajsa” e filozofëve të shekullit XX, për t’i kthyer kësisoj zhvlerësimet dhe paragjykimet e natyrës politike në një pjesë të rëndomtë të folklorit të njerëzve dritëshkurtër.

Shpëtim Cuçka :Mësuesi im i madh!

Çdo portret buron nga këndvështrimi. Portreti i Pashko Gjeçit i skicuar nga unë mban vulën e një nxënësi të tij. Në historinë e njerëzimit portretet e mësuesve, kryer nga nxënësit, thënë ndryshe me një fjalë latine, nga dishepujt, vlerësohen si vepra të subjektivizmit, për të mirë a për të keq qofshin, pra jo fort të pranueshme.

Shpresoj të jem aq objektiv në portretizimin e njeriut të nderuar dhe mësuesit tim të rrallë, sa askush të mos ndihet qoftë edhe lehtësisht i shtënë në dyshime mosbesimi.



Mësuesi

Në vitin 1965 në Tiranë u hap, për herë të parë në periudhën e pasçlirimit, një shkollë e veçantë, ajo e mësimit intensiv të gjuhëve të huaja. Shkolla, e cila njihej thjesht si Shkolla e Gjuhëve të Huaja, sillte bashkë me lindjen e vet edhe një risi për arsimin shqiptar të pasçlirimit: hapjen e një dege të veçante, klasike, për mësimin e gjuhëve kryesore të antikitetit, greqishtes së vjetër dhe latinishtes.

Ende sot e kësaj dite nuk më ka qëlluar “dhe as jam interesuar” të mësoj se në cilën instancë të administratës shtetërore lindi ideja, disi e çuditshme për atë kohë, e hapjes së një dege të tillë. Asokohe në Tiranë latinishtja mësohej, me orar të zakonshëm, vetëm në gjimnazin "Sami Frashëri", ndërkohë që në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë përgatitej për studimin e mëvonshëm të historisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe një grup tejet i vogël prej 5 studentësh, të cilët mësonin në mënyrë të veçantë greqishten e vjetër dhe latinishten.

Këto janë pak a shumë rrethanat mësimore të hapjes së degës së greqishtes së vjetër dhe latinishtes në Shkollën e Gjuhëve të Huaja këtu e 40 vjet më parë.

Prekja e rrethanave të tjera do të ishte diçka, që do të kërkonte shumë kohë dhe do të ishte jashtë kornizave të një gazete. Por le të kujtojmë kalimthi që gjuhet klasike, sidomos latinishtja, lidheshin së paku me dy përfytyrime në mendësinë e njeriut të kohës: së pari, me disiplina shumë të vështira dhe, ndoshta të panevojshme; së dyti, me klerin katolik dhe rolin e tij në historinë e vendit.

Hapja e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja u shoqërua me një vërshim lutjesh të nxënësve, që kishin mbaruar klasën e shtatë (asokohe arsimi i parë ishte shtatëvjeçar). Nuk besoj të ketë pasur shumë kërkesa për të hyrë në degën klasike. Ndërsa nxënësit e pranuar në të ishin dhe mbeten 20. Në vitet e mëpasshme dega nuk pati vijimësi.

Dhe ja, ora e parë e mësimit të latinishtes “kjo ishte gjuha, me mësimin e të cilës hapej dega klasike. Greqishtja e vjetër do të fillonte dy vjet më vonë”. Mund të përfytyrohet emocioni i katërmbëdhjetëvjeçarëve në ballafaqimin e parë me një lëndë aq të largët për realitetin tonë, pothuaj të panjohur. Dhe në klasë hynte mësuesi i saj, mësuesi i lëndës dhe i klasës. I dinim vetëm emrin. Asgjë më shumë. Kishte ndonjë që dinte se mësuesi ynë kishte përkthyer "Komedinë hyjnore" të Dante Aligerit, por përveç portretit zymtan të këtij poeti të madh që ndodhej në kopertinën e të tre vëllimeve të "Komedisë hyjnore" asgjë tjetër askush nuk dinte.

Mësuesi vinte i shkurtër, paksa i kërrusur supesh. Kishte një fytyrë të bardhë, dy sy shumë të vëmendshëm dhe cilësinë e rrallë për mësuesit e kohës që të mos ulej kurrë. Ai lëvizte ndërmjet rreshtave, nuk i drejtohej askujt në mënyrë të veçantë dhe u drejtohej të gjithëve njëherësh. Shkodranishtja e këndshme e shkrirë me zërin e butë dhe çuditërisht të gjallë, kumbues, mjaftonte për të tërhequr vëmendjen e një klase gjithsesi mjaft euforike. Mësuesi ynë nuk e ngrinte zërin kurrë, por ashtu si pa e kuptuar as ne vetë, në klasë vendosej shumë shpejt heshtja dhe vëmendja përqendrohej tek fjalët që dora vogëlane e mësuesit rendiste në dërrasën e zezë. Mësuesi ynë nuk dallohej për një metodikë të ngurtë. Bashkë me rregullat e leximit dhe fjalët e fjalitë e para rutinore, ja tek erdhi edhe diçka e veçantë, një fjali, e cila na u duk si pa lidhje koherente me mësimin e ditës, por që dëshmonte se cili ishte këndvështrimi i mësuesit tonë ndaj botës së mësimit në përgjithësi, ndaj latinishtes në veçanti. Kjo fjali, në të cilën mësuesi ynë u ndal paksa më gjatë, tingëllonte "Aurora amica Musis". Ne sapo kishim filluar të njiheshim me lakimin e parë të emrave në gjuhën latine “më pas do të mësonim se të tillë ishin plot”, ndërsa mësuesi na jepte një fjali, që kishte gjithsej tre fjalë, tre emra, të tre të lakimit të parë, dhe... asnjë folje. Ai u ndal diku përbri radhës së fundit të bankave tona dhe zëri i tij na erdhi si melodi që prapa krahëve. Lexonte me ngadalë e me zë të plotë fjalinë që sapo kishte shkruar në dërrasën e zezë. Dhe na tërhoqi vëmendjen tek disa elemente të kësaj fjalie: së pari, tek numri i madh i zanoreve, duke na shpjeguar se kjo i jepte gjuhës tingëllime, melodi. Së dyti, te denduria e zanores a në këtë fjali të thjeshtë, duke nënvizuar hapësirën që i shtonte kjo zanore frymëmarrjes. Së treti, te mungesa e nyjave, parafjalëve, shkurt te karakteri monolitik i fjalëve, i fjalisë, i gjuhës latine. Së katërti, te bukuria e përgjithshme e fjalëve "aurora", "amica", "Musis": të tria të shtrira, të qeta, të thjeshta, e njëkohësisht madhështore, plot bukuri.

Ishte një këndvështrim tërësisht estetik, ndonëse i mbështetur në tipare rreptësisht gjuhësore. Ishte kjo pjesa qendrore e teknikës mësimdhënëse të mësuesit tonë: Nxënësit mësimi duhet t'i bëhet i këndshëm, i pëlqyeshëm, tërheqës. Kjo rregull nuk na kishte rënë pothuaj fare në sy në tërë vitet paraardhëse këtu do të veçoja për një teknikë të ngjashme edhe mësuesin tjetër të talentuar e të apasionuar, atë të fizikës, Besim Turdiu) dhe pothuaj nuk do ta hasnim as në të ardhmen edhe këtu një përjashtim do ta bëja me dëshirë për latinistin tjetër të shquar Henrik Lacaj, pedagogun tonë të periudhës universitare). Ndërsa te mësuesi ynë Pashko kjo, siç do ta tregonte koha, ishte baza.

Krahas mësimit estetik na erdhi, me të njëjtën fjali, edhe mësimi moral, edukata: "Shkolla, mësimi duhet të zhvillojë te nxënësi qetësinë, natyrën e shtruar, të vëmendshme". Për ne, djem e vajza me botë ende të paçelur e me edukatë larg të qënit në lartësinë e një jetë të vërtetë qytetare, këto mësime ishin mjaft të thella, pothuaj të parrokshme mendërisht. Por ishin aq të drejtpërdrejtë në të njëjtën kohë, aq depërtues e mbresues në natyrat tona të buta.

Dhe, së treti, mësimi pedagogjik: "Mësuesi nuk është antitezë e nxënësit. Ai është udhëheqës i tij". Ne për herë të parë mësonim të bindeshim pa një frikësim, pa një britmë, pa një dackë. Për herë të parë ne thjesht mësonim dhe jo shtrëngoheshim të mësonim. Për herë të parë në gjenim te mësuesi mësuesin dhe jo urdhërdhënësin, gjenim autoritetin e dijes dhe jo atë të mbivendosjes së dhunshme, pavarësisht se e ç'natyre mund të ishte kjo dhunë: psikologjike, nervore, pseudo-kulturore etj.

Kur kujtoj sot ato vite, ndjej sa pak ua ditëm asokohe vlerën këtyre gurëve të vyer të pedagogjisë së mësuesit tonë të thjeshtë si vetë e mira dhe e vërteta.

***

Nuk po ndalem këtu në nismën e mësuesit tonë që ne të përkthenim në latinisht himnin e punëtorëve, "Internacionalen", “gjë që u realizua dhe u këndua në një veprimtari të të gjithë shkollës”, nuk po ndalem në leximet e citimet që ai na bënte nga "Odiseja", "Hamleti" ose pjesa e parë e "Faustit", nga sonetet e Dantes, Karducit.

Në çdo rast mund të kuptohej se si ai na merrte pa e kuptuar, si të na kishte zënë për dore dhe na shpinte drejt shkollës së lartë, asaj të jetës. Me urti, me largpamësi, me thjeshtësi, e njëkohësisht me një kulture që te rrallëkush tjetër e kam ndeshur në jetë.

Nuk po ndalem as në rastet kur në e kandisnim mësuesin tonë të urtë e të mirë të na merrte e të na nxirrte për shëtitje “kjo në pranverë” nga parku i liqenit. As kjo nuk qe e huaj për të: të përmbushurit e një dëshirë të natyrshme për diell e ajër te nxënës në moshë djalërie dhe vashërie.

Ky ishte Mësuesi dhe prapa tij ky ishte Njeriu. Ashtu si ky ishte, siç do të kuptonim më vonë, edhe Artisti.

*Pjesë e shkëputur nga “portreti” i përkthyesit Shpëtim Cuçka, që do të vendoset pasthënie në një nga veprat që pritet të botohet nga “Argeta LMG”

Degëzhveshur



Ca makina lëvizin nëpër ngricë,
Rrotat bluajnë borën, me t`zezë
përlyejnë retinën e ngrënë skiç
nga miza syve tash qorr t`qiejve.

Buka është tharë, në duar ngec
lëkura kur ia zhveshin, të ftohtë,
duart vetes; veç at` kam e mure,
që të ndjellin t`u biesh me kokë.

Telefoni hesht, në ekran figurat
nënkuptojnë sekrete që nuk i di,
rrugëve të gjallët këmbë s`venë,
t`i shoh tej xhamave nuk kam si.

Valëve që përshkojnë qiejt, fjalë
nga të tuat m`notojnë përkundër:
“ Mirë je?”. Halle s`kam e dashur,
folebosh, zogjtë m`kanë humbur.

Nëse gjuha do të ishte ajo pemë,
prej nga ku fjalët si gjethet bien,
paskësh shkuar vjeshta atëherë
e askush nuk e paskësh vënë re.

Na kanë mbetur vetëm ca degë,
Si jeni? Mirë, faleminderit! Vetë?
Më fal! Asgjë! Të lutem! Përse?
Me fjalët ranë vdekur edhe jetët.

Ja dhe pak e do të fillojnë shirat,
veç do të qajmë kur të shihemi,
do flasim me gjeste si memecët,
ndoshta do puthemi apo rrihemi.

Atëhere do të ketë ardhur dimri,
më nuk ngrihemi dot nga shtrati,
me miza, pa zë, do të jetë filmi,
e borë si sot deri sa të zbardhë..

http://tejkqyra.blogspot.com/search/label/Deg%C3%ABzhveshur

Doktori

nga Adolf Braun

Doktori

Më i ri se unë është doktori, ngjan më i sëmurë,
Qerpikët i janë thinjur, nga goja jargë i rrjedhin,
të cilat i fshin me mëngën e dorës që s`i duhet,
me tjetrën mbërthen pacientin e radhës për fyti
e murmurit diçka pakuptim, mbi vdekjen ndoshta,
se kryqin bën mbi kraharorin e tij me dorën e lirë,
vjen infermieri me gjilpërë e ia ngul fort në kofshë,
e ai bën prapë kryqin, kësaj here mbi veten e tij...

Disa poezi...

Më do?


nga Vladimir Majakovskij

Më do? S'më do? Krahët i spërdredh si e çmendur
I thyej gisht’rinjt e i flak tej pastaj.
Kështu petalet e luleshqerrave të para
Këputen, hamenden dhe fluturojnë në maj.

Nuk do ta fsheh grinë që zbulon tehu,
Argjendi i moshës le të zbardhë i zhurmshëm.
Veç Zot, të lus, mos më rijep këto vite
Common sense-in e shëmtuar e të turpshëm.

nga Paul Celan

Dëgjova të thuhej

Dëgjova të thuhej, qenkësh
në ujë një gur dhe një rreth
dhe përmbi ujë një fjalë,
që rrethin gurit qark ia vë.

Pashë plepin tim të zbriste drejt ujit,
Pashë se si krahu i tij u mbërthye thellë,
Pashë rrënjët e tij drejt qielli natë tek lusnin.

Nga pas nuk e ndoqa,
Veç mora nga toka atë cipë,
si syri yt në pamje, e fisme si ai,
nga qafa të hoqa zinxhirin e thënieve
e stolisa me të tryezën, me atë cipë përmbi.

Dhe më nuk e pashë plepin tim.


përktheu: a priori

Ich hörte sagen

Ich hörte sagen, es sei
im Wasser ein Stein und ein Kreis
und über dem Wasser ein Wort,
das den Kreis um den Stein legt.

Ich sah meine Pappel hinabgehn zum Wasser,
ich sah, wie ihr Arm hinuntergriff in die Tiefe,
ich sah ihre Wurzeln gen Himmel um Nacht flehn.

Ich eilt ihr nicht nach,
ich las nur vom Boden auf jene Krume,
die deines Auges Gestalt hat und Adel,
ich nahm dir die Kette der Sprüche vom Hals
und säumte mit ihr den Tisch, wo die Krume nun lag.

Und sah meine Pappel nicht mehr.



nga Georg Trakl

Ndanë gjolit

Shtegtar n’ erën e zezë; lehtë fëshfërin kallam’ i tharë
Në qetësinë e gjolit. Nëpër qiellin gri
Një varg zogjsh të egër vjen;
Tërthor mbi ujët e terrët.

Pështjellim. Në kasollen e rrënuar
i hap dhe flatron krahët e zinj kalbëzimi;
Mështekna t’ gjymta psherëtijnë n’ erë.

Mbrëmje në pijetoren e braktisur. Udhën për shtëpi
E flladit butë trishtimi i tufave që kullosin,
Vegim i natës: thithëlopa zhyten ç’prej ujërash t’ argjendtë.

përktheu: a priori

Në kënetë

Shtegtar erës së zezë; fëshfërin kallam’ i thatë
Në qetësinë e ligatinës. Qiellit gri
Një vargan me zogj të egër
Heq; tërthor përmbi ujëra të errët.

Vrundull. Në rrënojë-koliben
Flatër-zezat rreh ndërsa ngrihet kalbja;
M’ shtekna kërrusur psherëtijnë në erë.

Mbrëmje n’ pijetoren e braktisur. Udha për shtëpi e zhytur
Melankolisë së butë të tufave që kullosin,
Vegimin e natës: amfibë kridhen që prej ujërash të argjendta.

përktheu: emigranti

Am Moor
Wanderer im schwarzen Wind; leise flüstert das dürre Rohr
In der Stille des Moors. Am grauen Himmel
Ein Zug von wilden Vögeln folgt;
Quere über finsteren Wassern.

Aufruhr. In verfallener Hütte
Aufflattert mit schwarzen Flügeln die Fäulnis;
Verkrüppelte Birken seufzen im Wind.

Abend in verlassener Schenke. Den Heimweg umwittert
Die sanfte Schwermut grasender Herden,
Erscheinung der Nacht: Kröten tauchen aus silbernen Wassern.

nga Kabir
(1440-1518)


Moko’n kahā’n kahā’n dhū’nđhe bande

Ku më kërkon ti mua, adhuruesi im?
Unë jam pra ndanë teje.
Unë nuk jam në tempull, nuk jam në xhami,
nuk jam në Kaaba, nuk jam në Kailash,
as nëpër rituale,
as në martesë, as në askezë,
nuk jam as në dhi, as në dele,
as në thikë e as në drapër;
nuk jam në lëkurë e në kërcinj,
nuk jam në kocka, as në mish,
Unë nuk jam jashtë, përsipër,
Jam në ty,
Në më kërkon, më gjen menjëherë,
Më gjen sa hap e mbyll sytë,
Kabiri thotë: dëgjo, i dashur,
Unë jam në frymën e gjithsecilit.

Herat herat he sakhī …

Duke kërkuar, duke kërkuar,
moj mike, ka humbur Kabiri,
Pikëla në oqean shkoi e ra,
Si mund të gjendet atje ai?

Herat herat he sakhī …

Duke kërkuar, duke kërkuar,
moj mike, ka humbur Kabiri,
Oqeani është në pikë brenda,
Pse ta kërkosh atë gjëkundi?

Borderline




http://tejkqyra.blogspot.com/

Llërët, që Maria Z. i fsheh nën mëngët e gjata
me kopsat e kyçeve të çelura, për t’i patur gati
kur nata bie e maçoku kthehet i uritur, mjaullin,
mbushur me vizat e gërricura vetë dhe damkat,
si trungje a stola ku anonimët lënë emra e data,
a mure qelish a vëcësh me shkrime të verbërish,
me brisk e gjak, janë rritur edhe trashur tashmë,
si mjekra ime faqeve të librit pa shkronja përballë,
pasqyrës ku shihem, që më përgjon kur rruhem;
ato llërë pra më kujtojnë, trembin që jam akoma
gjallë e frigohem si kalama, mbyll sytë e rrudhem...

1.

Anijet, që prisnin në breg, ngjanin në terr
sikur qiellit t’ia paskëshin prerë një copë,
t’ia paskëshin rreshtuar yjet siç duhej,
si begsat që ruanin bashkë me plepat,
rrugën automobilistike Tiranë-Durrës,
me automatikë në krah, jashtë, heshtur,
përzishëm, njëri pas tjetrit, 40 kilometra
herë dy, herë 10 plumbat në karikator...

Shuma ish numër i frikshëm,
i frikshëm si plumbi i dritës
kur na pushkatuan së pari
fotografët me blic para murit,
për pasaportat për ja’shtetit,
me lëkurë të kuqe natyrisht,
s’kishim ngrënë, ose fare pak,
fjetur jashtë, me fat: ish korrik,
kur erdhën autobusët natën,
nga tarracat qanin e klithnin
emra të shkurtuar të afërmit,
me fat: s’na vranë të gjithë,
s’u futën brenda me tanke,
nuk na ndaluan në rrugë,
s’na zbritën me përdhunë,
nuk na dërguan në Spaç,
s’na varën, s’na shembën
në dru, torturuan, veçse
na përzunë, bënë hasha,
na shanë, na ndanë,
na varrosën të gjallë
në anije djepesh, Jonat
natën, ata që na bënë,
tanët...

2.

Britma, ninulla e zhurmë,
ofshama, dënesa e sherre,
biseda, klithma e parulla,
në pazarin e përditshëm,
meshën pa prift, në ajër të hapur,
ku predikon grigja urinë, mëkatin,
gjallë shesin e blejnë njeri-tjetrin,
të dobëtin, të vdekurin, të varfrin,
gratë, fëmijët dhe veten.

Kur i zoti merr dhe e hedh mallin,
mishin në njërën anë të peshores,
s’pyet më kush pse duart s’janë si sytë,
pse duart e këmbët s’lëvizin sinkron,
pse janë simetrikë ca organe,
pse zemrës binjaku i mungon,
pse përdorin vetëm të djathtën disa,
e pse mëngjarashë të tjerë janë.

Një mollë e kafshuar përgjysmë
në degën që prehet të dorës
Djathtas një fushë e gjelbër mbi zjarr
Majtas një pjatë supë e hollë, e kafenjtë,
Sipër tavani i qelisë...qielli i kaltër,
Muret gjakojnë mbishkrime
Peshorja jam unë, djepi...

Ku paskëshim qenë? Të burgosur e roje,
Gjahtarë e njëherësh pre, njerëz në një...
Peshq në qiell, zogj në ujë, krijesa kudo,
E megjithatë, megjithatë, vetëm. Ku është
vrima në mur? Dera është vrima e murit,
Por dera është mur, mur mobil. Ku është
vrima e derës? Ku janë sytë o i verbër?...


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...