Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/08

Ditëlindja e Vaçes






Flori Bruqi “Vaçja jonë e dashur  mbetet një ikonë shqiptare.Ajo është shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”



Vals o vals ti jeho në më t'bukrin Atdhe


Kur mësuesja e letersisë mundohej më kot t'i shpjegonte arrogancës time se vargjet përmbanin një mal me kuptim brenda, nuk e dinte se do mjaftonte veç një mëngjes i ngadaltë pune dhe dy clicks tek albumi i Vaçe Zelës për të kuptuar plotësisht atë mësim letersie.


VAÇE ZELA, Fuqia e Zërit Shqiptar, ishte drita në fund të tunelit komunist. Simbol i fuqisë së lirisë, dashurisë për të ardhmen e re, shtytje për shpirtin dhe zemrën e të shtypurit :


Ne ky Vals na bashkoi
Dhe na fali lumturinë
E kujtoj tek dëgjoj
E me të kujtoj rininë




Eh moj, Vaçe... sa pak të vleresuam, e sa zemër na dhe. I kujtoj si sot ato ditë, kur pas 25 ditëve shërbim, ai hapte deren me këngën tënde në gojë. Kur ulej me të në cep te ballkonit dhe këndonin të dy me zë të ulët “dhe shiu pikë pikë pikë/binte pa pushim...”. E me pas nën valsin tënd “valsëronin” të dy , duke harruar për pak çaste rradhët e gjata, apo se ai do largohej prapë pas 2 orësh për 25 ditë të tjera. Për pak minuta Vaçe rikujtonin se shpirti nuk i përkejt askujt tjetër, mbetet i yti. Atë s’ta merr dot njeri e s’ka diktator ta shtypi. Kur zëri yt ishte serumi ynë, ringjallje e shpirtit. Çfare fati pati Shqipëria me ty moj Vaçe e sa vetë kaq thjesht lumturove ti !


E sot Vaçe për ta mbetesh akoma fuqidhënëse. Je nostaligjia ime, je në zemër të gjithë atyre që u dhe shpresë, që bashke me mua e me ty sot vazhdojnë të këndojnë: ... kur shpërthen jeta e re.
Faleminderit Vaçe !

E dashur Vaçe


Ju i keni falur kaq shumë dashuri dhe mirësi njerëzve sa askush tjetër si Ju nuk e ka bërë këtë gjë. Fjalët e mia janë shumë të varfëra për të shprehur atë mirënjohje të madhe ndaj Jush, e cila nuk do të shterojë kurrë. Sot emri Juaj është kudo dhe mbjell gjithandej veç gëzim dhe dashuri. Emrin Tuaj sot e mban dhe kinoteatri i qytetit tonë dhe mendoj se është më e pakta që mund të bëhet për Ju. Nuk uroj gjë tjetër veçse t’Ju shoh sërish shëndoshë e mirë si lulet Tuaja, t’Ju shoh sërish të shijoni diellin e ngrohtë të Shqipërisë dhe Lushnjes, t’Ju shoh sërish të ndjeni aromën e gjelbërt të vendit tonë. Mezi Ju presim, dhe derisa të vini kënga Juaj do të na bëjë shoqëri ashtu siç i bën vesa barit, dielli mëngjesit, flutura luleve... Ka mall në syte tanë, ka mirënjohje për atë çka Ju i dhatë një kombi të tërë ashtu thjesht e ëmbël me zërin Tuaj.

Vaçe Zela, bilbil i lirizmit popullor shqiptar

Talenti mbetet gjithmonë diçka e rrallë në çdo fushë të jetës. Kur lind një talent i ngjan një perle natyrale brilante me shkëlqim, që i ka shoqet e pakta. E tillë lindi edhe Vaçe Zela. Ajo e kishte magjinë në zërin e saj hyjnor. Ajo kishte lindur me një shpirt të dlirë, por në një mjedis kundër lirisë. Vaçe Zela do të mbetet një apogje i muzikës lirike në një ambient pa liri.

Nuk ka komente për këtë xhevahir që i fali Shqipërisë thesare të tilla të pavdekshme!
Më bën ta dua atdheun tim edhe pse jeta në këtë vend s’të frymëzon. Lavdi ty moj Shqipëri dhe 

Vaçe Zelës!

Sa për nder e kemi o Vaçe Zela që ke dalë nga gjiri i popullit tonë

Madhështore ! Çdo koment veçse mund ta zbehë famën e Vaçe Zelës. Zëri i saj është i papërsëritshëm. Vaçja ka një vend nderi në panteonin e Shqipërisë!

Eh... moj Vaçe Zela

Sa buzëqeshje e shpresë i falët këtij populli me atë zërin tuaj hyjnor! Qëkur jam larguar nga Shqipëria nuk rresht së dëgjuari këngët tuaja dhe mallëngjehem, qaj dhe e rikonfirmoj thellë në shpirt se nuk ka si Shqiperia IME...

Je gjigande Vaçe

Dimensionet e tua shkojnë përtej emocioneve tona... Faleminderit që na bën të kuptojmë që kemi emocione kaq të forta brenda vetes. Thjesht madhështore. S'ka fjalë ta përshkruaj këtë mrekulli shqiptare. Zëri yt i kristaltë do të mbetet brez pas brezi!

Falemnderit Vaçe Zela, je një Rozafë në muzikën shqipe !

Vaçe Zela nuk është thjesht një këngëtare e talentuar

Ajo është monument dhe virtyt i muzikës shqiptare. Ajo është mbretëresha e kësaj muzike, që do t'u tregojë brezave të tjerë se si këndohet në gjuhën e bukur shqipe. Jeta dhe vepra e saj janë pjesë e historisë sonë. Ajo është thesar i Atdheut!





3 poezi nga  Përparim Hysi

Ditëlindja e Vaçes


Vaçe Zelës që sot mbush 72-vjeç





Ka ditëlindjen Vaçe Zela
Ka ditëlindjen Vaçe Kënga
Kur këndonte nëpër skena.
Kujt nuk i fërngëlloi zëmra?


Nëpër skena a nëpër sheshe
Sheshe a salla merrnin zjarr
Kishte zë prej bilbileshe
Kjo këngëtare safi ar.


Ka ditëlindjen Vaçe Zela
(oh,sa kohë që rri në Zvicërr!)
Bosh,or bosh,duket skena
Dhe ne vetja na ngjan hiçër.


Se mungon kjo,bilbilesha,
Edhe zëri i ëmbël-mjaltë
Se mungon Mbretëresha
Kjo zbraztësi,na"vret",skaq.


Sot ajo është 72-vjeç
Për të:janë fare pak.
E uroj:100-vjeç
Dhe në skenë të kthehet prapë.


Duam prapë të bubullojë skena
Duam që t'na fërgëlloj zëmra
T'na kënaqësh,Vaçe Zela
Se për ne,je Vaçe Kënga.


Se mungesa jote e gjatë
Na mërzit dhe bën me stres
Moj këngëtarja gojëmjaltë
Moj këngëtarja-Mbretëreshë.


Na ke dhënë kënaqësi
Kur ne ngricë kishim në zëmra
Ndaj gjithë një Shqipëri
Të uron,moj Vaçe Kënga!


Tek e mbyll unë vjershën time
Që ka dalë,thellë nga zëmra
Po lëshohem me urime:
100-vjeç,o VAÇE KËNGA!


7 .4. 2011

[image]
Ka ditëlindjen Vaçe Zela


Ka ditëlindjen Vaçe Kënga
Kur këndonte nëpër skena.
Kujt nuk i fërngëlloi zëmra?


Nëpër skena a nëpër sheshe
Sheshe a salla merrnin zjarr
Kishte zë prej bilbileshe
Kjo këngëtare safi ar.


Ka ditëlindjen Vaçe Zela
(oh,sa kohë që rri në Zvicërr!)
Bosh,or bosh,duket skena
Dhe ne vetja na ngjan hiçër.


Se mungon kjo,bilbilesha,
Edhe zëri i ëmbël-mjaltë
Se mungon Mbretëresha
Kjo zbraztësi,na"vret",skaq.


Sot ajo është 72-vjeç
Për të:janë fare pak.
E uroj:100-vjeç
Dhe në skenë të kthehet prapë.


Duam prapë të bubullojë skena
Duam që t'na fërgëlloj zëmra
T'na kënaqësh,Vaçe Zela
Se për ne,je Vaçe Kënga.


Se mungesa jote e gjatë
Na mërzit dhe bën me stres
Moj këngëtarja gojëmjaltë
Moj këngëtarja-Mbretëreshë.


Na ke dhënë kënaqësi
Kur ne ngricë kishim në zëmra
Ndaj gjithë një Shqipëri
Të uron,moj Vaçe Kënga!


Tek e mbyll unë vjershën time
Që ka dalë,thellë nga zëmra
Po lëshohem me urime:
100-vjeç,o VAÇE KËNGA!


7 prill 2011


Ke kohë që na mungon

Ke kohë që na mungon moj e madhja Vaçe Zela
Kemi kohë, shumë kohë, që bosh na duket skena.
Ah t’a dish moj Vaçe sa na ka marrë malli !
Dilje ti në skenë dhe tak na ikte “halli”.
Mirë them halli, se me zërin tënd ilaç
shëroje ti çdo plagë a hall ne kishim bashkë.
Sa kohë që ti, moj Vaçe, do qëndrosh në Zvicër
Skena na ngjan bosh, në zemra veçse dimër.


12 korrik 2001




Të tjerër për Vaçën tonë:

Vaçe Kënga


Pse e zbrazët më është skena ?
Nuk këndon më Vaçe Zela...
Paska ikur, rri në Zvicër
Ndaj në skena ka rënë dimër.
Dimër kemi dhe në zëmra
Se s'këndon më Vaçe Kënga.
Nuk këndon, po ne e presim
Hë, do të vish apo të vdesim ?...


2 nëntor 2008



"Zëri i Artë i Shqipërisë", "Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare", "Mbretëresha e Këngës Shqiptare", "Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare", "Gjigantja e Skenës Shqiptare", "Meteori i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë në vitet e zymta të diktaturës", këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj te pavdekësisë duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngëtarë ka shumë. Vaçe Zela është vetëm një. Këngëtarët kanë zëra të ndryshëm, por Vaçe Zela kishte vendosur të matej me përsosmërinë. Ajo këndonte për të kënaqur njerëzit në tokë, por zërin e saj e kishin zili edhe zogjtë në qiell.

Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992, por ajo mbetet "Zëri i Jashtëzakonshëm" që mbushte me energji skenat shqiptare duke u bërë idhulli i shumë brezave. Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë.

Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur ; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë të muzikës së filmave.

Prej disa vitesh jeton në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin : “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Për nder të 70 vjetorit të këngëtares së shquar viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj...

Dritero Agolli, shkrimtar : "Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë."
Nexhmije Pagarusha, këngëtare : "Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela."

Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha një maksimum.”

Prof. Tish Daija, kompozitor : "Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t'i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s'i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera : në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizjet kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë."

Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë "hyzmetin" këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t'ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë".”

Zija Saraçi, Cantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erës e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të pa harruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hypi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në memorien tonë kolektive...”

Limoz Dizdari, kompozitor : ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”

Nora Çashku, pedagoge e pianos : "Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta kenë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, "rebele". Falë talentit ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t'i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s'është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë."

Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe : "Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet."

Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : "Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, mësëmiri dëshmon atë që pat thënë Mickelangelo "Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju."

Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s'i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor: "Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit."

Mimoza Ahmeti, shkrimtare: "Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton."

Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë " dal vivo". Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me "drejtuesit" sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”

Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t'ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”

Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë... të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”

Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: "E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli."

Lirim Deda, poet: "Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi."

Ardit Gjebrea, kantautor: "Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë."

Liliana Çavolli, këngëtare: "Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete."

Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: "Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: "Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë."

Rikard Ljarja, aktor e regjisor: "Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudent në shkollën për aktor. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite... Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte "the voice".
Mirush Kabashi, aktor: "Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte."

Nirvana Pistulli, poete: "Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit."

Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë "Vaçe Zela - magjia e këngës shqiptare": "Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë tokës rreth vetes dhe diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm."

Besnik Dizdari, gazetar: "Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri ne skaj. Çuditërisht ndjeheshim me të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë me tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta..."

Hasan Huta, poet: "Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që ushëtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qënit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi."

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik "E papërsëritshmja Vaçe Zela": "Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e tjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë tjesht: "Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!" Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s'është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve "Shkëlqen mungesa e saj."


Këngë kushtuar Vaçe Zelës


Kur dëgjonin zërin tënd

Bilbilat pyesnin njëri tjetrin,
kur dëgjonin zërin tënd
si do te bëjmë me Vaçe Zelen,
ajo askund s'po na len vënd.
Lulet çelin më shumë petale,
kur dëgjojnë këtë zë të ëmbël
dëbora shkrin lart në male
me ngrohtësinë që i jep ti këngës.

Xhavit Gasa

Lirikë për Vaçe Zelën

I fshive akujt e i shkrive
Tek shtrinin brirët por si hej.
Ti, mjelmë e bardhë e Perëndive
Shkel nëpër zall e nëpër qiej !
Sa ndjenin zërin tënd nga larg
Troftat e flakërinin Drinin.
Sikur të ishte Lumi Varg
Ku mijëra diej rrëzëllinin.
E kënga turret link drejt Qiellit
Sikur ka lidhur Pakt me Të.
Të gjitha ngjyrat e Ylberit
Duken e zhduken në Atë Zë.
Shkreptinin fare verëtimë
Sa na breronin sytë lotë.
Ti na sjell pranë Dashurinë
E Dashurinë mbjell në Botë.
E sido të tërbohen hejtë
Zbut dhe shkëmbijtë Kënga e Saj.
Ti Ditën na e shndërron në Festë
Dhe çelin shelgjet, si në Maj!

Vehbi Skënderi



Mbretëreshës së Këngës Shqipe

Në panteon të këngës sonë,
do vijnë të tjerë një e nga një,
po fronin tënd o mbretëreshë,
s' besoj se mund ta zërë ndonjë.

Iliaz Bobaj, Patra, Greqi

Këndo Vaçe

Këndo Vaçe, këndo,
kudo që të jesh,
zëri yt, lotë shpirti,
që na lanë mallkimin,
e jetës tonë.
Këndo Vaçe, këndo
dhe në botën tjetër,
kur do të jesh, këndo,
me engjujt, për ne këndo,
që të na lash mallkimin,
e jetës tonë.
Këndo Vaçe, këndo!

Poet anonim

Vaçe Zelës


Zbret një mjellmë në Gjenevë
Hyn si fllad në shpirtrat tanë
Zëri yt i ngrohtë Vaçe
Shqipërinë na sjell më pranë.
Kush të dëgjoi, s’u mrekullua
Shqipërisë anekënd
Kush të sheh thinjat e bardha
Sjell ndërmend gërshetin tënd.
Sjell ndërmend kitarën tënde
Fluturojnë gishtat mbi tela
Zjarr u dhe ti dashurive
O gojëëmbla Vaçe Zela.
Zërin tënd të drithëruar
E mban ngrohtë një llavë e zjarrtë
Herë ngjason me Edith Piaf
Herë me Strauß dhe Mozart.
Ç’magji vallë i bëre skenës
Ç’trill të bënte perëndeshë !
Nuk le zemër pa pushtuar
Siç ngroh dielli midis resh.
Zvicra ka male të lartë
Me dëborë që shkrihet vonë
Mali i Dajtit në Tiranë
Në Bazel ty të mungon.
Sjell ndërmend Tiranën tënde
Aty ku muzikën loze
Nuk e gjete dot në Zvicër
Atë aromë lule mimoze !
Ti je bijë e Shqipërisë
Yllësi e kombit tonë
Gjithë shqiptarët ti i ngrite
Si një divë në Panteon.

Kudret Isaj Gjenevë, nëntor 2009



Si yll mbete ti

Zëri yt i ëmbël
aromë trëndafili
ç'bukuri që ka
por si zë bilbili.
Kur këndoje Vaçe
shpresa ngjallje Ti
këngëtar bilbili
të kishte zili.
Sa herë dëgjojmë
zërin tënd kristal
gaz shpreshim në sy
Zemrën bëjmë mal.
Me dashuri nëne
këngën e këndove
popullit ai more
me shpirt ia dhurove.
Mbretëreshë në këngë
me nder e lavdi,
Nder i Kombit, Vaçe
si yll mbete Ti.

Niko Tyro, shtator 1999


Vaçe Zelës - Nder i Kombit

U linde si një lule e rrallë
Këtu, në qytetin tim,
Por u rrite krenare,
Se këndove me plot përkushtim.
Ku shpirti të këndonte,
Dhe gjoksi të buçiste,
Zëri yt i lartë,
Këngën e ndërpriste.
Në skenë kur delje,
Të gjithëve u buzëqeshje,
Afër u rrije, por larg shihje,
Dhe ti të mahnisje, të përpije.
Këngët e tua të paarritëshme,
Për dashurinë e vendit tim,
Të dhanë përjetësinë e të bënë
"Nder i Kombit" tim.

Llazar Gogu


Kitara e Vaçe Zelës

Diçka kërkon të më thuash kitar' e Vaçe Zelës,
e vetmja gjë që rritesh e nuk humbet në jetë.
Amorf, ku treten legjenda e mithe,
këmbana psherëtimash ; histori e blertë...
Nuk jetova burgjesh, e as e pashë atë vend,
ku vuanin aq shumë edhe për një dritëz hëne.
Sonte, të kam ty në duar, një sinfoni lumë ;
pa puthje gruaje, as përkëdheli nëne.
Dhimbjen e një burri, ku çirrej kitara
e netët rrëzoheshin, shumë e më shumë.
Qaje hijshëm ti dru, pa britma të marra,
katakomb qelive, shpresa dritash, humb...

Agim Pepa, 1999

Vaçja i dhuroi kitarën e saj të vetme një të burgosuri politik dhe si për paradoks, paralelizëm sinjifikativ mes vuajtjeve dhe brengave të pafund, ajo kitarë u end për 22 vjet me radhë burgjeve dhe kampeve të përqendrimit, dorë më dorë ndër të burgosurit, duke mbledhur e shpërndarë rreth e përqark tinguj me nota të trishta. Pak kush e dinte se gjatë ditëve të revoltës brenda në kampin e rrethuar me tela me gjemba dhe bajoneta rojesh ndodhej edhe një kitarë. Vaçja ia dhuroi kitarën Gëzim Çelës nëpërmjet nënës së tij, kur ai vuante dënimin ne kampin e të burgosurve të Tiranës. Kur u lirua, këtë kitarë ai ua la bashkëvuajtësve të tij. U ridënua pak vite më vonë dhe e dërgojnë në kampin famëkeq të Spaçit. Aty rigjen miken e vjetër me tela. Kitara kishte shtegtuar nga burgu ne burg për ta ritakuar mes qelive të zymta të Spaçit. Pas zbulimit të të burgosurve pjesëmarrës në revoltë, Gëzim Çela u ridënua. Kitarën e kërkoi policia politike me të njëjtin intensitet si kërkoi dhe organizatoret e revoltës, për ta thyer ose për ta djegur. Për fat nuk e gjetën. Pas 22 vite jetë burgjesh, Gezim Çela kur del nga qelitë merr me vete edhe ngushëlluesen e përhershme të shpirtit të tij, kitarën e Vaçe Zelës, e cila e kishte shoqëruar besnikërisht në kalvarin e tij të dhimbshëm. Sot kjo kitarë ruhet me fanatizëm në murin e studios së ish të burgosurit politik si simbol i një miqësie të shenjtë dhe i shpirtit të madh të dhurueses. Është nga sendet e tij më të çmuara. E ka shoqëruar atë për 22 vite në kalvarin e dënimeve dhe ridënimeve që ka pësuar. Tingujt e saj mbajtën gjallë shpresën e mbijetesës.

Vaçes

U ngrite lart nga toka,
era të mori në krahë
e të çoi në eterin qiellor.
Me dritën e yjeve u vesove,
kënga (dielli) t'u bë olimp !
E nga kup' e qiellit na vështroje ;
buzëqeshja jote kishte veç miradi.
U lidhe me ne me tingujt e brishtë,
kumbues të këngëve tua.
Nga shpirti yt i madh,
burim (i pashterrshëm) i thellë,
na dhurove vetëm ... vetëm zë!

Nexhat Agolli




Këngë të interpretuara

Çelu si mimoza
Djaloshi dhe shiu
E Dua Vendin Tim
Esperanza
Ëndrra ime
Flakë e borë
Fëmija i parë
Gjurmët e arta
Gjyshes
Gonxhe në pemën e lirisë
Kur jam pranë teje
Këngë për Shkurte Vatën
Këngët e vendit tim
Lemza
Më ka zënë maraku
Mesnatë
Mësuesit hero
Moj e bukura Shqipëri
Natën vonë
Në shtëpinë tonë
Në Çdo zemër mbjell gëzim
Nënat tona
Nënë moj do pres gërshetin
Nuk e fshehim dashurinë
O Diell i ri
Për ty Atdhe
Rrisim jetën tonë
Rrjedh në kengë e ligjërime
Serenatë për nusen
Shoqet tona ilegale
Shqiponja e lirisë
Sot jam 20 Vjeç
Të lumtur të dua
Valsi i lumturisë
Vashëzo
Zunë fushat të drithërojnë





Album muzikor kushtuar kengetares se madhe Vace Zela

“Vace Zela, larg dhe prane njerezve”, nen kete titull vjen albumi muzikor kushtuar kengetares se madhe shqiptare, Vace Zela. Per promovimin e tij eshte zgjedhur pikerisht Bazeli, qyteti ku prej vitesh kengetarja jeton ne Zvicer. Pavaresisht semundjes, daljeve gjithnje e me te rralla ne publik, vete kengetarja e madhe e ka pershendetur kete veprimtari duke nderuar me pjesemarrjen e saj.

Per pergatitjen dhe financimin e kesaj permbledhjeje muzikore eshte kujdesur Ministria e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve. Per nder te kengetares se madhe, Vace Zela, erdhi posacerisht nga Londra tenori Saimir Pirgu, i cili per nder te saj interpretoi pjese te zgjedhura te repertorit te kompozitoreve klasike boterore.

Moren pjese ne kete promovim edhe zevendesministrja e TRKS-se, Suzana Turku, e artiste te ndryshem qe jetojne e punojne ne diaspore. Turku, ne fjalen e saj, e falenderoi Vace Zelen per kenget e bukura qe u ka dhuruar shqiptareve.(Flori Bruqi)



Vaçe Zela MAGJIA E KËNGËS SHQIPTARE

Nga: AKADEMIK PROF. AKIL KOCI :

Një libër mjaftë interesant ku narracioni paraqet një rrëfim të bukur për Mbretëreshën e këngës shqipe,kurse procedeu krijues dhe ai i kompozimit me sukses endëzohet jo vetëm si shumësi temash sikur që mund shihet nga lënda e librit duke filluar që nga vendlindja,fëmijëria e Vaçes,shkollimi,rruga e madhe e artit, që i hasim në kapitullin a parë e deri te kapitulli i katërtë ku flet me plot kompetencë për mendimin estetik të Vaçes pa harruar për të thënë se ajo paraqet Edith Piaf i këngës shqipe.


A mund të harrohet kënga e saj e kompozuar nga kompozitori i shquar Feim Ibrahimi i cili një adhurues i pa njohur i krijimtarisë së tij në Google thotë ““Feim Ibrahimi pa dyshim është kompozitori shikuar nga prizmi pozitivist krijuesi i cili ka qenë në teh të dy forcave, atyre shtetërore që me këmbëngulje insistonin në zbatimin me forcë, me një vështrim kritik ndaj të arriturave botërore në art udhës së Realizmit socialist si art pandan krijimtarisë moderne,të përparuar botërore dhe të atyre që heshtazi vepronin dhe krijon vepra me premisa të artit bashkëkohorë qoftë si kompozitor,kritikë muzikor me një gamë prurësve si shprehje, si qasje për të u inkuadruar në rrjedhat mbarë botërore të artit të përparuar.

Pra,ky krijues i shquar gjithnjë e ka pasur mbi kokë shpatën e Demokleut qoftë nga pushteti, qoftë nga dashamirët …….”

Pra Vaçja këngën e saj të parë e këndoi të Feimit me titull Rrjedh një këngë e ligjerime teksti Gjokë Beci muzika Feim Ibrahimiu.


Si mund të harrohet melodia e bukur e Fehimi dhe teksti ku në refren përsëritet moj Shqipëria ime,por ne ti kthehemi librit për Vaçën janë interesant edhe mendimet e krijuesve të shquar për te sepse ajo është ndër grat më të shquara të Shqipërisë dhe botës.Ja se çka thotë Diva e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha për te “Nuk kam pa shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se te ti”. Pavlina Nikaj mes tjerash thotë “Vaçja kishte një vokal të përsosur për rrjedhoje edhe një interpretim të veçantë,përfekt ,të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale…”Etnomuzikologu As.Prof.Nexhat Agolli vërtetë me këtë libër na ka prezantuar si thamë jo vetëm me shumësi temash por edhe idesh ,aktualizim esh dhe ri-aktualkizime do të shquaj një model tjetër krijues.

I përmendem këto vrojtime figurative-polisemantike si prirje e një shkrimtari të talentuar duke na paraqetur këtë artiste të madhe në çdo aspekt në një hark kohor dyzetëvjeçar. Ky libër na del si kohezion emocional me një gjuhë të re dhe të pasur me një strukturë dhe problematikë aktuale vetëm e vetëm për ta prezantuar këtë artiste të madhe ai thotë në “Dy fjalë për lexuesin” unë sa shpreha mendimin se ,zëri i Vaçes shëmbëllen me një lëvizje trajektore-me ngjitje vertikale deri në amshim.

Atë që beri Virgjili me Danten,të cilin e mori për dore për ta gjezdisur nëpër rrathët e ferrit,bëra unë me jetën e Vaçes për t ua njohur ju,i dashuri lexues,që nga fëmijëria e saj e deri sa doli në pension e më tutje…..” Ai përmes shkrimeve në këtë libër na paraqet relievin shpirtëror të kësaj artiste të madhe dhe forcën sugjestionuese, evokuese e ambiguitive të hapësirës artistike kuptimore si pledoaje të një tradite të madhe mitologjike.

2011/04/07

Gjeneralja e PK -së z.Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës me 80 vota


Me 80 vota Atifete Jahjaga kandidate e tri partive të marrëveshjes politike në mes të PDK-së, LDK-së e AKR-së u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës. Ndërkaq kundërkandidatja e saj Suzanë Novobërdaliu mori 10 vota ndërkaq të pavlefshme ishin 10 vota.

Atifete Jahjaga u zgjodh në raundin e parë të votimit pasi ajo mori më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm në Kuvend dhe kështu nuk pati nevojë që të shkohet në dy raundet e tjera të votimit.
Më pas presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
dha betimin si presidente ndërkaq më pas u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.
Me zgejdhjen e Atifete jahjagës presidente të Republikës së Kosovës merr fund së paku përkohësisht kriza institucionale në Kosovë.
Pas zgjedhjes, zonja Atifete Jahjaga dha betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës, si dhe iu drejtua deputetëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës me një fjalim, të cilën po e sjellim në vijim:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë,
I nderuari Kryeministër,
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar ambasadorë,
Honorable ambassadors. Dear guests,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Poshtovani gradjani Republike Kosovo,
Zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin koncensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit, duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm.

Deri dje, nuk kam menduar kurrë për të marrë një pozitë të lartë udhëheqëse politike. Por, ashtu si shumë nga Ju, bashkëqytetarët e mi, isha e gatshme të shërbejë kur dhe ku të më ftojë vendi.


 I kam përkushtuar jetën time qytetarëve të këtij vendi në ndërtimin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme demokratike. Gjatë 11 vjetëve të kaluara, i kam shërbyer vendit tim në Policinë e Kosovës, ku kam hyrë si fillestare dhe e lë sot si zëvendësdrejtoreshë e përgjithshme.

Karriera ime pasqyron ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadës së shkuar. Kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që jam angazhuar në krijimin e ndërtimin e njërit prej institucioneve më të respektuara të Kosovës. Jam e nderuar që kam zhvilluar dhe udhëhequr Policinë e Kosovës, një forcë të fuqishme dhe të aftë që mishëron vlerat e Kosovës, një vendi demokratik dhe multietnik.
Kosovo jeste nezavisna demokratska i multietnichka drzhava.
Detyra më sfiduese në karrierën time gjer tani do të jetë detyra e Presidentit të vendit. Kam vullnet dhe vetëbesim se së bashku do t’ia dalim, do të bëjmë ndryshime të mëdha dhe përparim për vendin tonë. Dëshiroj të jem pjesë e këtij përparimi, ashtu si edhe Ju, si përfaqësuese e një gjenerate të re të udhëheqësve të Kosovës, të gatshëm të ndërtojnë mbi sukseset e gjithë atyre që ishin para nesh dhe që udhëhoqën këtë vend dhe popullin drejt shekullit 21.
Kam besim në Kosovën, kam besim në këtë Qeveri dhe kam besim dhe shpresë për qytetarët e vendit tim se do të përmbushim të gjitha objektivat tona.
Si Presidente e vendit do të jem garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie.
Gjatë shërbimit tim në Policinë e Kosovës, iu kam përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike dhe kam mbrojtur të drejtat e secilit individ, pavarësisht përkatësisë së vet, dhe tani si Presidente, kjo përgjegjësi është edhe më thelbësore, më domethënëse, duke forcuar atë që e nisëm kur Kosova e shpalli pavarësinë.

Si Presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës.


Të nderuar deputetë
Kosova e kapërceu një rrugë të vështirë, por të lavdishme, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e shtetit për të cilën shume breza të bijve dhe bijave më të mira të Kosovës u sakrifikuan, duke e mbajtur të gjallë idenë e lirisë, idenë e demokracisë, idenë e dinjitetit dhe të barazisë ndërmjet popujve.
Ideali i të gjithë qytetarëve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rrugë, ne po punojmë vazhdimisht, për të përmbushur të gjitha standardet e nevojshme në respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, në sundimin e ligjit, në arritjen e objektivave të larta në arsim, në shëndetësi, sidomos në zhvillimin ekonomik, për t’i siguruar qytetarëve një jetë të mirë, një jetë të qetë dhe të prosperueshme të normalitetit evropian.

Unë besoj, dhe do të angazhohem, që ne, të gjithë së bashku, t’i realizojmë synimet tona. Unë besoj, edhe e di, se ëndrrat tona, në një ditë të afërme, do t’i bëjmë realitet. Këtë besim e mbështesë te forca e popullit, te mendja dhe vullneti i të rinjve dhe i të rejave të Kosovës.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës
Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtar, ne kemi nisur një proces dialogu me Serbinë. Ky është një proces krejt normal ndërmjet vendeve që kanë pasur mosmarrëveshje dhe konflikt në të kaluarën. Në këtë proces të dialogut ne, të dy vendet fqinje, që ishim të detyruar ta ndajmë të shkuarën, do të jemi të detyruar ta ndajmë edhe të ardhmen. Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do ta ndërtojmë të ardhmen, duke mësuar nga gabimet e të shkuarës. Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij, rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit. Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke ndihmuar e jo duke penguar njëra-tjetrën. Qytetarët e të dyja vendeve do t’i kthehen jetës normale, bashkëpunimit dhe zhvillimit, që do t’u sigurojë një ardhmëri të qetë dhe më të mirë.
Të gjitha zgjidhjet nga dialogu ndërmjet palëve, duke përfituar të gjithë, do të jenë evropiane, që do të kenë për bazë praktikat dhe përvojat më të mira të Bashkimit Evropian.
Kosova shtet i lirë dhe i pavarur është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillon marrëdhënie të mira dhe fqinjësore me të gjitha vendet. Kosova do të ketë një rol më aktiv në politikën e jashtme, duke u bërë anëtare në nismat dhe në organizatat rajonale dhe botërore, duke rritur numrin e njohjeve dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike, duke bërë marrëveshje bilaterale dhe shumëpalëshe dhe duke krijuar rrethanat e brendshme dhe të jashtme që sa më shpejt Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me politikën tonë të urtë e të përgjegjshme do të dëshmojmë para vetes dhe përpara botës se ekzistojnë që gjitha arsyet që çdo shtet ta njohë Kosovën e pavarur, si një realitet të pakthyeshëm, si një faktor paqeje dhe stabiliteti. Marrëveshja ndërmjet subjekteve politike e dëshmon përgjegjësinë e mandatit, që gjithë neve na ka dhënë populli, e dëshmon përkushtimin që interesat e vendit janë mbi të gjitha.
Të nderuar deputetë
Ky Kuvend sapo miratoi buxhetin, i cili do të jetë në funksion të zhvillimit. Kështu, duke rritur pagat dhe duke rritur mirëqenien, ne njëkohësisht nxisim ndërrimet strukturore në ekonomi, duke i kushtuar vëmendje shtimit të prodhimtarisë dhe nxjerrjes të prodhimeve në treg, duke mundësuar që ne të jetojmë nga puna jonë dhe që taksat të jenë në funksion të prodhimtarisë dhe të përparimit të sistemit arsimor, shëndetësor dhe të politikave sociale. Kosova edhe këtë vit po vazhdon me investimet kapitale, po e vazhdon procesin e privatizimit duke i futur paratë e fituara në këtë mënyrë në politikat zhvillimore, duke mbrojtur njëkohësisht interesat e punëtorëve por edhe të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Reformat në arsim, në shëndetësi, në shkencë, ndërrimi i strukturës së ekonomisë dhe përshtatja e saj me trendet globale është e mundshme me një menaxhim të mirë të buxhetit, me politika të drejta fiskale dhe me nxitje të degëve zhvillimore të ekonomisë duke rritur cilësinë dhe duke ndjekur parametrat e vendeve të zhvilluara evropiane.
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Të jesh Presidente e Kosovës në këtë kohë është një nder por edhe një përgjegjësi e madhe. Këtë punë unë do ta kryej në bashkëpunim dhe në ndihmë të ngushtë me të gjithë Juve. T’i shfrytëzojmë këto vitet e tranzicionit për të bërë reforma të gjithanshme për të përshtatur legjislacionin me Bashkimin Evropian, për të fituar udhëzimin për liberalizimin e vizave dhe mekanizmin e qartë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kosova, për shkak të asaj që e përjetoi populli i saj, për shkak të prezencës më shumë se dhjetëvjeçare të misionit civil ndërkombëtar, të misionit ndërkombëtar ushtarak, nuk duhet të mbesë mbrapa vendeve të tjera në proceset e integrimeve euroatlantike. Ky atëherë do të ishte edhe një dështim i angazhimit ndërkombëtar në Kosovë dhe për Kosovën.
Kosova ashtu sikur i gjithë Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian. Me këtë përmbyllet një rrugë e gjatë shekullore e përpjekjeve të popujve të këtij rajoni në civilizimin evropian.
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Në rrugën tonë jemi krenarë në lavdinë, jemi krenarë në shëmbëlltyrën e Skënderbeut, në personalitetin e Nënës Terezë, në aktin sublim të Adem Jasharit dhe në veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Të gjitha këto personalitete, si edhe shumë e shumë të tjerë, gjatë shekujve dhe në ditët tona, interesin e vendit dhe të popullit e vunë përpara vetes dhe me dritën e veprës së tyre shndritën deri në ditët tona, e do të shndrisin edhe në të ardhmen, duke na e përcaktuar qartë rrugën tonë, përkushtimin dhe idealin për të qenë të ndershëm, për të qenë të dinjitetshëm të lirë dhe të barabartë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Në punën dhe detyrën time do të udhëhiqem nga Kushtetuta dhe nga Ligjet e Republikës së Kosovës. Do të jem transparente dhe bashkëpunuese në të gjitha çështjet. Do të jem faktor dhe simbol i unitetit. Do të përfaqësoj dinjitetshëm e me përgjegjësi Republikën e Kosovës, interesat e të gjithë qytetarëve.
Ju faleminderit!
* * * * * *
Pas një pauze 10 minutëshe Kuvendi i Kosovës rifilloi seancën e jashtëzakonshme. Shefat e grupeve parlemetare të PDK-së e LDK-së përkrahën kandidaturën e Atifete Jahjagës për presidente të Kosovës, ndërkaq Visa Ymeri nga lëvizja Vetevendosje e kundërshtoi kandidaturën e Atifete Jahjagës për arësye se siç tha ajo kjo kandidate është në shërbim të Hashim Thaçit. Ai tha se kandidatura e Atifete Jahjagës është një "tender njëburimor" sepse tashmë të gjithë do ta votojnë në këtë Kuvned.
Visar Ymeri e kritikoi edhe liderin e LDK-së Isa Mustafa duke i thënë se edhe Mustafa, njësoj si paraardhësi i tij Fatmir Sejiu ia zgjati jetën mandatit qeveritar Hashim Thaçit duke ia dhënë edhe 1 mijë ditë të qeverisë së Kosovës. Ymeri tha në fund se Vetvendosja do të lëshojë sallën në momentin e votimit për presidenten Jahjaga.
Më pas fjalën e mori Ardian Gjini nga AAK-ja i cili tha se grupi parlamentar i AAK-së do të jetë në sallë në procesine votimit.
Kuvendi po vazhdon debatin.
* * * * * *
Me dhjetë minuta vonesë, pra rreth orës 18 e 10 minuta filloi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Seancën e hapi Jakup Krasniqi i cili fillimisht konstatoi se në Kuvend janë të pranishëm 110 deputetë, që nënkupton se Kuvendi ka kvorum për procedim.
Kryetari Krasniqi foti shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovcin i cili paraqiti arsyetimin e Grupit Parlamentar të PDK-së për dy kandidatet për presidente të Kosovës, Atifete Jahjagën dhe Syzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së.
Pasi u zgjodh komisioni verifikues, Kryetari Jakup Krasniqi dha një pauzë 15 minitëshe.
Çdo minutë "Bota sot" do të ju njoftojë për rrjedhën e seancës së Kuvendit të Kosovës për zgejdhjen e presidentit të Kosovës.
* * * * * *
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sonte në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të zgjedhur presidentin. Kandidate për këtë post janë dy garuese femra: Atifete Jahjaga, kandidate e marrëveshjes PDK, LDK dhe AKR, si dhe Syzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se gjatë ditës deputetë të partive nënshkruese të marrëveshjes i kanë deponuar në Kryesinë e Kuvendit 41 nënshkrime, të cilat janë të mjaftueshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme.
Krasniqi nuk deshi të komentojë nëse kjo marrëveshje ishte zgjidhja më e mirë, por ai tha se kjo ka qenë zgjedhje e liderëve të partive dhe jo e partive që pritet ta mbështesin kandidaturën e Atifete Jahjagës.
“Është e rëndësishme që është arritur një marrëveshje dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë se cilat janë rezultatet e kësaj marrëveshjeje. E rëndësishme është që u ka pëlqyer kryetarëve të partive”, tha Krasniqi.
Në bazë të Kushtetutës, në garë për postin e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë; zgjedhja në këtë post bëhet me dy të tretat e votave gjatë dy raundeve të para të votimit, përderisa në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se është respektuar ana procedurale për seancën e jashtëzakonshme dhe zgjedhjen e presidentit.
“Ne kemi proceduar me të gjitha kërkesat tona nënshkrimet e nevojshme edhe për kandidaten, edhe për seancën e jashtëzakonshme, e cila pritet të mbahet sot në orët e pasdites”, tha Grabovci.
Kriza e zgjedhjes së presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, nuk i kishte respektuar procedurat kushtetuese.
Fillimisht, Pacolli pati rikandiduar për postin e presidentit, por ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës, andaj bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u përfshinë në bisedime me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Bisedimet triditëshe sollën si rezultat marrëveshjen që Behxhet Pacolli të tërhiqet, kurse Atifete Jahjaga të kandidohet si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për president.
Si pjesë e marrëveshjes u përfshi edhe pajtimi për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore dhe zgjedhje presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhje parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.
* * * * * * *
Sonte në ora 18:00 mblidhet Kuvendi, zgjidhet presidentja e Kosovës
Pas marrëveshjes së arritur mbrëmë nga tre liderët politikë të Kosovës Behgjet Pacolli, Hashim Thaçi e Isa Mustafa për tejkalimin e krizës institucionale të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit koncensual të Kosovës, sonte në ora 18:00 të pasdites është thirr një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës në të cilën do të zgjidhet presidenti i Kosovës.
Siç dihet kandidate e përbashkët e tri partive politike PDK, LDK e AKR është Atifete Jahjaga zëvendësdrejtoreshë e Policisë së Kosovës.
* * * * * * *
Zëvendëskryemnistri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi gjatë një interviste në televizion, të enjten në mëngjes tha se sipas marrëveshjes së mbrëmshe të liderëve pritet që sot në një seancë të jashtëzakonshme të zgjidhet Presidentja e Kosovës.
Siç dihet mbrëmë është arritur me konsesnsus në mes tri partive politike PDK, LDK dhe AKR që gjeneral-majorja e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga të jetë e nominuar për presidente të Republikës së Kosovës.
Kuçi gjithashtu deklaroi se mungesa e tij në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij (PDK) ishte për shkak të angazhimeve të tij personale në postin e tij ministrit të drejtësisë.

Ambasador Dell, ndoshta komshiun tim vërtet e vrau liria e ime

Ymer Halimi
       nga Ymer Halimi



Në parim nuk lexoj gazetat, por, krejt në mënyrë rasti në tavolinën e punës së një mikut tim pashë shkrimin editorial të z. Dell. E lexova me vëmendje, sepse është ambasador i SHBA-ës, që ne shqiptarët në Kosovë, këtë shtet e duam, aq sa dimë me dashtë, aq se mundemi me e dashtë, e aq se e duam edhe vetë Kosovën. Editoriali ishte një rikujtim i një dite të veçantë, një qortim dhe një sugjerim, njëkohësisht. Ne të gjallët, që e përjetuam, nuk e harrojmë dot atë ditë të shpresave të ringjallura, sikundër që nuk e harrojmë ditëlindjen personale, siç nuk e harrojnë kurrë vdekjen e me te dashurve. Ishte ditë e një shprese te madhe, e një popull liridashës se do arrijë ta mbijetojë një getoizim të paparë ndonjëherë n’ Europë, një pastrim etnik të përmasave biblike, që shqiptaret dy herë e përjetuan nga fqinjët e vetë. Mjerisht, kjo ishte platformë politike e shtetit Serb, kësaj radhe e prire, nga Milloshevoqi, e ndihmuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë dhe Kisha Autoqefale Ortodokse Serbe. Ishim n’ankthin e vdekjes, por besonim se të mbijetuarit do e takojnë lirinë, se besonim në Europen perëndimore, e në mënyrë të veçantë, në demokracinë dhe virtytin e larte liridashës të SHBA-së, në forcën dhe në qëllimin e saj. Besonim edhe në të drejtën tonë që deri atë ditë nuk na mjaftoi. Me të drejtë besonim në forcën vrasëse të bombave, që kësaj radhe vrisnin forcën dhe dhunën, që një popull të tërë e kishte mbështjellë cep me cep me vdekje. Dhe, ashtu, siç thotë ambasadori Dell: “Si përfundim i ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u bë shtet i pavarur”. Ne arritëm te një qellim i drejtë. Sot, ne jemi në shtëpitë tona, të lirë, por me kujtime të rënda të së djeshmes. Morëm obligimet, qe i ka e duhet t’i këtë, një shtet demokratik i mirëfilltë i kohës në të cilën jetojmë.
***
Ambasadori Dell na e rikujtoi, siç e cilësoi, “thinien kyçe” të zotimit në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës: “Ne shpallim Kosovën një republike demokratike, laike dhe multi-etnike, të udhëhequr nga parimet e jo-diskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe do të krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”
Nuk mjaftoi vetëm fjalia e parë e këtij pasusi, por u shtua edhe fjalia e dytë, qe të jetë kuptimplote, në synim sa më i lartë. Por, kush ishim ‘ne’?! Ne - shumica, ne - pakica, ne - multi-etnikët, ne - deputet, ne - populli i Kosovës?. Meqë dihet, për kë është fjala, a do arrijmë që në çdo fazë ta përmbushim atë qellim aq te larte?! Po, përpjekja e sinqerte kurrë nuk duhet munguar . ‘Ne’ morrem obligimin për shtetin. Por, pakica, begatia, dekori mult-etnik i Kosovës, sa u zotua te jetë “...efektive ne proceset politike dhe vendimmarrëse” për të mirën e të gjitha etnive ne Kosovë?!
Do t’iu rikujtoj se Kosova në periudhën e getoizimit ishte kështu e tëra; multi-etnike. Por, hiq komunitetin egjiptas dhe një pjesë e pakët turke e boshnjake, askush tjetër nuk ishte brenda asaj sakrifice kolektive. Përkundrazi. Në luftën njëvjeçare, në kohën e një deportimi biblik, po edhe me herët, e as më vonë pas lufte, nuk keni u ka rënë të takoni së paku një serb të vetëm nga Kosova, po edhe të pakicave, siç i ceka, që së paku te shprehë një përkrahje morale publike apo një shenjë pendes, për fqinjët qe u mohohej u rrezikohej ekzistenca fizike!? Edhe pse besoj se kanë pasur keqardhje, por sakrificën nuk e kane ndarë me 90% e popullit te Kosovës. Kjo nuk do të thotë assesi , që sot të mos janë të barabartë e të lirë. Përkundrazi, do mbështeten. Sot jemi në një proces të ri, në një zhvillim tjetër. Kemi rilindur dhe për të gjithë ka hapësire për liri, aq sa ka, ka për te gjithë. Dhe për këtë ne deklaratë është zotimi ynë kolektiv i sanksionuar me Kushtetutë dhe me ligjet. Por, për përmbushjen pasusit te cituar ‘kyç’, duhet vullneti i të gjithëve, vullneti i sinqertë e i plotë e jo i pjesëshëm apo në marrëveshje shtese. Kuvendi i Kosovës ka aprovuar diskriminimin pozitiv, atë qe nuk e gjen askund në shtetet më demokratike të Evropës dhe e ka në zbatim permanent. Prandaj mendimi se është “përvjedhur urrejtja ndaj pakicave” ne kontekstin që e shpreh Ambasadori Dell nuk qëndron. Por qëndron diçka tjetër! Mosbesimi. Mosbesim nuk është aspak i njëjtë me urrejtjen. Po pse qëndron mosbesimi? Ambasadori Dell e di se kjo qeveri nuk e përfaqëson votën e shumicës numerike të popullatës së Kosovës, qe është parim themelor demokratik, për të mos sqaruar edhe formën e votës se fituar. Kjo është faktike dhe s’do koment. Të themi pa ekuivokë se shumica e pakicës serbe nuk është brenda institucioneve. Ajo ka krejt një qasje tjetër për institucionet Kosovës, dhe ka mbështetje te shteteve te caktuar në EULEX. Ajo nuk lejon bashkëjetesën në veriun e Kosoves. Me vetë faktin se nuk funksionojnë pikat doganore 1 dhe 31, dhe se shqiptaret nuk lëvizin lirshëm në pjesën veriore të Kosovës, sepse është e kontrolluar nga “strukturat paralele serbe të lidhur me qeverinë e Serbisë,dhe se qeveri e Kosovës nuk ka qasje në “institucinet” e atjeshme, në shesh del se pikërisht urrejtja e pakicave ndaj shumicës shqiptare është gjenerues i krizës potenciale. Asimetria e veprimit te pakicës është shqetësuese. “Sugjerimi” i shtetit serb, se serbët që jetojnë në brendi te Kosovës “mund te participojne ne institucionet e shtetit te Kosovës, por jo ata ne pjesën veriore” është faktori kryesor që këtë pjesë të patjetërsueshme të Kosovës ta mbajë nën tension të vazhdueshëm. Kjo është një shenje jo e mire, dhe mbi këtë qëndron dyshimi, besoj i arsyeshme, dhe retorika e mosbesimit , por “jo retorika urrejtjes etnike” apo retorika “përvjedhe e urrejtja ndaj pakicave” siç e cilëson ambasadori Dell për konsum politik. Prandaj, politikën e lartë, te forma e saj implicite, e sheshon vetëm finesa. Kjo është shqetësuese çfarë akuzon ambasadori Dell.
***
Ne “jemi krenar me vete faktin” se jemi te lirë, por ne kuptimin e plotë do jemi krenar kur qeveria del nga vota e pastër demokratike. Atëherë fare nuk ka rendësi përmasa e pakicave, se ajo do të jetë ne shumice ne qeveri, pakice apo s’do te jete ne qeveri. Kjo është demokracia. Nga ana tjetër e arsyeshme qe pakicave t’u garantohet hapësirë, por jo te manipulohet me atë hapësire, si ne rastin konkret, vendet ne Kuvend dhe votimi i kushtëzuar ne Kuvend siç është te ne.
***
Kur unë shkruaj këta rreshta, më 31 mars 2011, është pikërisht përvjetori i 31 Marsit 1999, kur n’orën 14 e47 minuta, oficeret e Ushtrisë Serbe, pa trokitur dhe me shqelm e thyen derën e banesës time. Urdhëruan që drekën ta lëmë ashtu të shtruar dhe për pesë minuta të dalim. Kështu bënë me të gjithë shqiptaret e 15 objekteve n’ lagjen ku banoja. Pikëllimi ynë kishte erë vdekjeje, kurse shpresa ishte te Qielli i NATO-s. “Komshiu” i im serb, koleg, profesor universitet, doli në derën e banesës së vet e me shikonte me përbuzje. Llafoste me krenari me oficerët e Ushtrisë Serbe që më dëbonin. Unë me dy vajzat e mia të njoma dhe gruan time, si edhe mijëra shqiptarë të tjerë e bënim lumin e pikëllimit të Eksodit biblik. Gjithë kohen shikonim qiellin dhe shpresonim se do te kthehemi prapë në këtë tokë atërore mije e mijevjeçare. U kthyem dhe gjetëm sofrën ashtu të shtruar. Dreken e mykur. Shtëpinë e plaçkitur. Nuk e takova me kurrë komshiun tim. Kishte ikur! Ndoshta, po them nga mëshira,se mund ta kishte vrare ndërgjegjja(!?), apo siç patë thëne komunisti serb,T.Kurtoviç. se:” serbët e Kosovës po shpërngulen nga Kosova, se nuk mund ta durojnë barabarësinë me shqiptaret”. Ishin sundues. Ndoshta komshiun tim, vërtet e vrau liria e ime. Për këtë mos me akuzoni, Ambasador Dell. Respekt SHBA !
Prishtinë, 31.03.2011.

Kosova në varfëri e në krizë politike, mos ka filluar ta humbas ecjen e saj te mbar!?

Ymer Halimi
nga Ymer Halimi

Siç po flitet, dhe vërtet kështu edhe është: kemi krizë politike e do te shtoja edhe krizë te moralit politik. Kjo krizë ka zanafillën më të hershme dhe është më e thellë, se sa që duket në rastin e parë, dhe nuk arrin dot të tejkalohet as me kryetar konsensual, e as me ndërrim të nenit në Kushtetutë. Mund të jetë kryetari koncensual një zgjedhje e përkohshme, por jo afatgjatë. Po u analizua hollë e hollë, vetë Kushtetuta gjeneron krizë politike të thellë, së paku për ata që e njohin politikën. Prandaj, pa hyrë në këtë sqarim të kushtetutës, krizën politike e ka shkaktuar klasa politike që udhëheqë në Kosovë. Vërtet, janë këta politikan, apo janë individ që i kanë vendos te merren me politikë, pa i njohur konceptet themelore politike!? Sipas kësaj që është zhvilluar në periudhën e pasluftës, dhe gjendjen në të cilin ndodhet shteti, në përgjithësi, këta politikan që udhëheqin sot i takojnë grupimit te dytë. Pse? Se po udhëheqin me grupe njerëzish, me të cilin kanë kontaktin, në një formë, miqësie, klanore, grup interesi e të kontrolluar nga një individ apo grup individësh. Nga ana tjetër kanë shkallë të lartë mosbesimi ndaj te tjerëve. Si te jetë një psikologji nga organizatat e nëntokës. Udhëheqin pa platformën politike e profesionalizëm. Vetëm te kujtojmë vendimin e fundit tek miratimi i buxhetit, ku vendoset rritja e pagave /që nuk ka mbështetje të ligjeve ekonomike/,nga një buxhet taksash i cili kryesisht mbushet nga e hyrat e doganimit te mallrave e jo nga te hyrat e rritjes ekonomike. Dhe shi për ketë, sot ne Kosovë, kemi çmimet me te larta te mallrave se ku do ne rajon. Prandaj nuk është me rëndësi vlera numerike e pagës, sa është me rendësi fuqia e saj blerëse. Pastaj miratimi i privatizimit te PTK-se, me ligjin për buxhetin, është një argument shtesë se vërtet kjo qeveri është e papërgjegjshme. Privatizimi me çdo kush, pa ndonjë analize, i asetit me te fortë të shtetit, për ta mbushë arkën e zbrazur e te abuzuar të shtetit, është shokuese. Mos po behet përpjekje për te qenë pranë kontratës në formën e rusit “alla Abramoviq”?! Qeveria në vend që të ulën shpenzimet ajo i rriti, që është një paradoks i kohës në të cilën jetojmë. Vëreni sot te gjitha punishtet e ndërtimit të rrugëve pushojnë.
Të mos harrojmë, se varfërimi i shtetit nuk vjen vetëm nga mospuna, por aq më shumë e aq me shpejte varfërohemi kur punohet keq, e qëllimshëm keq. E, shteti ne varfëri e humb funksionin primar dhe bëhet anarkik, tiranik.
Nga ana tjetër siç veprohet, karshi shtetit, a mund te jetë nga se, për një shekull rresht kemi zhvilluar konceptin e luftuës për liri; luftë kundër pushtetit dhe shtetit, që është shumë ndryshe nga koncepti i bërjes së institucioneve dhe funksionimit të shtetit!? Thjesht, fitimi i lirisë nuk është i njëjtë me kultivimin e lirisë dhe ngritjes së kapaciteteve te shtetit. Sa shihet, koncepti i luftës për liri ka mbetur koncept politik, në gjithë spektrin politik, ku më shumë e ku me pak, por sot nuk është i favorshëm. Më pastaj, po shprehet shumë koncepti i vet-shpalljes triumfues dhe mohimi i të bëmave të të tjerëve. Për shtetin, digastieret dhe arritjet e shtetit, politikanët flasin ne veten e parë, veçmas të ekzekutivit. Kjo është pasqyrë e politikanëve primitiv, apo një ç’rregullsi psikologjike e tyre. A mos është kjo një alibi, që sot ne Kosovë, klasa politike të jetë klasë multimilionerësh, kushtimisht, që janë bërë të famshëm, pa lavdi, dhe e kanë ngulfatë shtetin ligjor për te cilin u derdh aq shumë gjak, e u be aq sakrificë e kombit!
Ja vlen një krahasim. Vetëm të përfytyrojmë sjelljen, në pas luftë, të Gjermanëve, Francezëve, Anglezëve, e kombeve te tjera, edhe te lindjes, ku populli dhe politikanët e tyre në pasluftë, shtrënguan rripin; të gjithë vendosën të presin në rend për gotën e qumështit e rriskën te bukës. Ashtu si edhe sot në fatkeqësinë e tërmetit i sheh popullin japonez. Shtuan kohën e punës, duke lëne vetveten në shërbim të shtetit dhe lirisë se tij, dhe asnjëherë duke mos u veçuar individi meritor nga e përgjithshmja. Ndërsa te ne ndodhi e kundërta. Çdo gjë qe ishte e shtetit, mundësisht të kalohej në privatësi personale a partiake, bile edhe dëshmorët. I gjithë shteti, kërkohet të kthej në funksion tek interesi i politikanit. Më pastaj veprimi më i vogël për shtetin kërkohet te shpërblehet në mënyrë maksimale prej shteti. Po të shikohen të hyrat e “politikaneve” nga bisedimet që ishin në Vjenë, janë shokuese. Prandaj, kriza është shumë dimensionale dhe jo lehtë i gjendet zgjidhja.
Atëherë, si te veprohet?
E besoj, se në asnjë mënyrë në këtë faze s’është e dobishme të shkohet në zgjedhje.
Me çdo kusht, Kryetari i shtetit të jetë jashtë partiak, çka edhe ka mundësi.
Partitë politike, të kapin momentin që të bëjnë kthesë te vetvetja, dhe të akordojnë që zgjedhjet paraprakisht te përcjellën me ligje dhe të bëhen në afatin sa me te shkurtër. Koalicioni te vazhdoj funksioni deri në kohë të detajuar.
Ne këtë periodë kohe, të luftohet për shtetin ligjor, i cili garanton votë te lirë e demokratike. Të nxirret ligji që demokratizon jetën politike brenda partive politike. Të detyrohen rotacionet në funksion, dhe zgjedhjet e brendshme partiake të jenë demokratike e të monitoruara. Pa demokratizim të brendshëm partiak, nuk ka, assesi nuk ka demokratizim të shtetit. Të nxirren para gjygjit keqpërdoruesit e votës. Të ndërrohet ligji zgjedhor, një votë një kandidat, dhe disa zona zgjedhore, që është edhe kërkese e opinionit publik. Te nxirret Ligji për prejardhjen e pasurisë, për çdo individ, dhe Ligji i konfiskimit të pasurisë. Pa konfiskimin e pasurisë dhe ndëshkimin e abuzuesit asnjëherë nuk arrihet e ndalet abuzimi. Te nxirret Ligji i lustrimit, të zbatohet për ata që hyjnë në garë politike . E gjithë kjo mund të arrihet me një synim te pjekur për një kohë optimale e të mbahen zgjedhjet më të ndershme e më demokratike.
Prandaj, kriza politike nuk do te zgjidhet aq thjesht, për derisa nuk ndërron filozofia politike e pushtetarëve për shtetin. Kriza politike do zgjas po aq sa këta pushtetar janë në politikë e të pa përmirësueshëm. Zgjidhja e përkohshme e krizës mund të jetë fillimi i zgjidhjes afatgjate, kur në themelet e se cilës vendoset afatizimi i veprimit për një zgjidhje afatgjate. Sa duket është një çast i mirë nga shihet fillimi i fundi te një praktike për dhjete vite, qeverisjeje te papërgjegjshme.
Prishtinë 06.03.2011

AUTORI ËSHTË ANËTAR I LËVIZJËS VETVËNDOSJE!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...