Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/26

Nga Flori Bruqi:Gjergj Fishta:Jeta dhe vepra(1871-1940)




Gjergj Fishta ,lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të "Lahutës së Malësisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset" më 1913 "Mrizi i Zanave".


Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.


Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).


Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

VEPRA
Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin E popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimatia e tij përfshin 40 vite të jetës, ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej "Homer i Shqipërisë". Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Kryevepër e lirikës së Fishtës konsiderohet pothuaj njëzëri nga njohësit e tij "Mrizi i zanave". Ai e ndante lirikën e tij në dy lloje: atdhetaret dhe të përshpirtshmet ose ato të jehonës së shpirtit.
Nëse e gjithë krijimtaria e Gjergj Fishtës është quajtur përmendore e gjallë e gjuhës shqipe, poezia e tij "Gjuha shqype" mund të quhet lirika më e bukur që i është kushtuar asaj në krejt poezinë tonë. Krahasimet e njëpasnjëshme, me thelb metaforik sublim, që shkallëzohen drejt ngjitjes e bëjnë atë krijim himn të përkryer.
Nëse sublimiteti i poezisë së mësipërme realizohet nëpërmjet shprehjeve delikate të brishta e flladitëse, ky tipar në poezinë "28 Nanduer 1913", "Nji gjamë desprimit", "Syrgite mortui", "Emancipacioni i kombit shqiptar" etj., realizohet përmes vrullit të papërmbajtur, përmes ashpërsisë ngjethëse, përmes thirrjeve dhe kushtrimeve luftarake. Poezia "Nji gjamë desprimit" është një gjëmë e një klithmë që akuzon agresionin e Malit të Zi të 16 prillit 1914 ndaj Shkodrës dhe viseve tona veriore. Poezia "Surgite mortui" që fajëson Evropën për të gjithë tragjeditë që po i ndodhnin Shqipërisë, e cila s'ka marrë ende frymë nga varfëria pesëshekullore turke, ishte shembull i ashpërsisë së skajshme të stilit të Fishtës ku nuk kursehen përbuzjet, sharjet neveritëse, sarkazma, grotesku, ku u bëhet apel luftarak të gjallëve dhe të vdekurve, varreve dhe djepave.


Në lirika filozofike ai trajton çështje të përgjithshme të jetës e të botës. Ndër më të realizuarat janë "Burrnia", "Kataklizmi i rruzullimit", "Një lule vjeshtet", "Gurrave të Jordanit" etj. Në poezinë "Burrnia" me një plastikë të përsosur, me një ndërtim të saktë klasik, ndeshen jeta dhe vdekja. Epërsia apsolute është në anën e vdekjes, e cila zotëron çdo mjet për ta asgjësuar bukurinë fizike të natyrës dhe të njeriut. Në të kundërtën lirika "Katalikizmi i rruzullimit", ndonëse ka thelb filozofik, fillesën dhe misionin e ka të natyrës etike, morale. Në emër të së mirës së përdhosur, të së bukurës së shkelur, ai nxit gjithë forcat kaotike, me qëllim që të rivendosë harmoninë mes përbërësve të rruzullit dhe, njëkohësisht në harmoni gjithë rruzullin në Gjithësi. Në poezinë "Nji lule vjeshtet", me njëmbëdhjetërrokësha të bardhë, poeti ankohet për vdekjen, ngrihet në mbrojtje të idealit të së bukurës, së mirës, së dobishmes. Në odën "Gurrave të Jordanit" në strofa safike ai e përjeton me dhembje të kaluarën që vete e nuk kthehet më, por mbresën, ia ka lënë të pashlyeshme njerëzimit, si vetë rrjedha e ujit që, ndonëse është e përjetshme, sipas dukjes, në të vërtetë rinohet, ndërron paprerë.


Ndër lirikat e buta shquhen "Mbi vorr t'Anton Xanonit" që i afrohet lirikës së llojit intim të shoqërisë e miqësisë për nga fryma e qortimit, e lavdërimit, e mirëkuptimit mes heroit lirik dhe bashkëbiseduesit. Lirikë e mallit universal, për atdheun, nënën, mjediset intime, vatrën familjare, fëmijërinë e rininë është "I dëbuemi".
Më 1907 Fishta botoi pa emër përmbledhjen e parë satirike "Anzat e Parnasit" e cila u ribotua më 1928 dhe 1942, e pasuruar. Studiuesit hamendeshin nëse Fishta është më i madh si epik, lirik, ose si satirist. Sidoqoftë ai mbetet satiriku më i madh i letërsisë sonë.

Satira e tij u tregua e pamëshirshme ndaj veseve të kohës. Pa kompromis, ai goditi dukuritë e shëmtuara negative dhe mbartësit e tyre, cilëtdo që qenë ata. Këto vese e dukuri ai nuk i luftonte vetëm brenda individit, por në rrafshin e gjithë shoqërisë kombëtare. Ai nuk fal askënd që të abuzojë me postin që mban dhe të zhvatë financën kombëtare, të marrë ryshfete, të bëjë veprime prej kopuku e dallkauku, të trajtojë Atdheun si çiflikun e tij, si tapet për karrigen e tij. Në radhë të parë ajo është satirë kundër tradhtarëve, atdhemohuesëve, parazitëve të kombit. Në radhë të dytë është satirë kundër elitës zyrtare dhe veseve klasore të saj.


Këtu Fishta na shfaqet si realist i fuqishëm. Vepra artistike më e përkryer artistikisht e Fishtës mbahet "Palokë Cuca", (1912), bashkë me "Gomarin e Babatasit" (1913) që e botoi me pseudonimin Gegë Toska, janë dy kryeveprat e satirës sonë. "Palok Cuca" është poema e heroit komik. Në thelb, Fishta mbron me këtë vepër shkollën kombëtare. Ai stigmatizon e neverit atë kategori të caktuar njerëzish, që nëpërmjet klerit italian u italianizuan në atë masë, saqë ndihen inferiorë ndaj kulturës dhe gjuhës italiane, aq sa ta quajnë poshtëruese gjuhën amtare.


Nga njësia e familjes Fishta zgjeron rrethin e objektit të satirës së tij në njësinë e shoqërisë, duke e shndërruar veprën në tablo të të gjithë shoqërisë. Për të tallur, përqeshur e goditur Fishta gjen mjetet shprehëse më të përshtatshme. Këtë e realizon përmes fabulës së shtruar në trajtën e tregimit poetik. Një ngarje të caktuar ai e shtjellon me hollësi, e shqyrton nga të gjitha këndet, duke zbërthyer të gjitha mangësitë, shëmtitë, të këqijat që burojnë prej saj dhe infektojnë, sëmurin atmosferën shoqërore e kombëtare. Konkretësia e mjediseve përmes detajizimeve, gjer në hollësitë më intime e më të turpshme, shndërrohet në qëllim artistik në vetvehte.


Përgjithsimet artistike të fuqishme realizohen me një gjuhë të gjallë, plot kolorit. Përmes një qesëndie që gërryen ngadalë e qetë, në mënyrë të shkallëzuar ai vë pranë në të njëjtin tekst mjedisin konservator, primitiv, arkaik, me atë pseudomodern, pseudoqytetërues të kohës, duke zbuluar anët e shëmtuara të tyre. Ngjyrimet më popullore satirike, formulat më të spikatura vihen pranë krahasimeve e metaforave nofka, pranë situatave krahasuese e metaforike fyese. Fjalët e shprehjet e huaja, krahas fjalëve shqipe, si kudo në satirën e tij, krijojnë një atmosferë gjuhësore satirike të veçantë. Sidomos kontrastet mes barbarizmave orientale e atyre oksidentale. Ai vëren se si shartohen në një pemë pa rrënjë të kategorisë mediokre të pseudoelitës, aziatizmi me oksidentalizmin e rrejshëm: te folurit e personazheve është edhe mjeti më demaskues i kategorive njerëzore që ata përfaqësojnë. Kritika është shprehur me të drejtë se këtu, më shumë se kudo gjetkë, realisti e ka tejkaluar romantikun e klasicistin, satirikun, epikun e lirikun.



"Gomari i Babatasit", u botua në situatë që përkonte me beteja të ashpra politike rreth formës që do të merrte organizimi i ardhshëm shtetëror. Kritika fishtjane me ashpërsinë e saj, që nuk fal askënd, lëshoi mbi kokat e deputetëve, ministrave, gjithfarë zyrtarëve të kohës, talljen, fyerjen, sharjen, nëmën e mallkimin, ironinë, sarkazmën, satirën. Nën moton "Populli i falë ata që e mundojnë por nuk ka për të falë ata që e rrejnë", ai shpartallon klikën zyrtare, të cilën i vetmi ideal që e bashkonte, ishte marrëveshja e tyre me gjithë mjetet që u kishte dhënë pushteti në dorë, të zhvatnin trupin dhe shpirtin e shtetit të mjerë të sapofromuar dhe ta linin me turpe e shëmtitë jashtë, ndaj syve të botës. Poeti Babatasi arkeolog, njeriu i kthyer në gomar e anasjelltas, muzeu formal, injoranca që ka veshur petkun e dijes, së qytetërueses, mjedisi i trashëguar anadollak që belbëzon me gjuhën "oksidentale", janë mjetet më efikase përmes të cilave Fishta arrin të nxjerrë në pah kontrastet që kthenin në regresin më poshtërues shoqërinë. Klika që kërkonte të majmej dhe populli që më kot shpresonte, njeriu që s'dilte dot prej thelbit të vet prej gomari, që ngul këmbë në të vjetrën dhe nuk bën asnjë hap drejt të resë, drejt qytetërimit. Fishta gris pa mëshirë fasadën, që dëshiron të krijojë burokracia shtetërore e sapolindur. Një shtet që po formohet nuk mund të durojë në themelet e veta zhvatës makabër, shtinjakë, hipokritë e servilë. Ai prek ato plagë, që më vonë shoqërisë shqiptare iu bënë pjesë e natyrshme biologjike e qënies, iu bënë sëmundje, pa të cilat nuk e kuptonte dot ekzistencën e vet. Duke e kuptuar që atëherë rrezikun, poeti nuk e ruan aspak gojën, përmes fjalorit dhe vizioneve më lakuriqe, të zhveshura nga çdo paragjykim, bën autopsinë e saktë të shoqërisë që po lindte me vese fizikee shpirtërore, nga më fyeset për një komb që krejt ndryshe e meritonte t'i shpërblehej gjaku dhe mundi mbinjerëzor, që i kishte kushtuar së ardhmes së vet.



Një vend të vëllimshëm në krijimtarinë e Fishtës zë dramaturgjia. Ai shkroi drama, drama lirike (melodrama) dhe tragjedi. Në dramat dhe tragjeditë konflikti është i ndjeshëm. Tonet që i përshkrojnë janë ato heroike. Personazhet dhe karakteret arrihen të skaliten. Në dramat lirike dialogu është më tepër mjet organizues i jashtëm sesa element ndërtues i brendshëm që t'i japë mundësi zhvillimit të veprimeve dhe ashpërsimit të konflikteve. Përsa i përket mjeshtërisë artistike, zotërojnë po ato cilësi që i mishëron edhe krijimtaria poetike. E gjithë dramarturgjia e Fishtës është e shkruar në vargje. Tema e atdhedashurisë është në qendër të pjesës më të madhe të veprave: në dramat "Odisea" dhe "Kthimi i Uliksit në Itakë", në dramat lirike: "Shqyptari i qytetnuem", "Shqyptarja e qytetnueme", "Jerina ose Mbretëresha e Lulevet", e sidomos tragjedinë "Juda e Makab", e cila çmohet si vepra më e mirë dramaturgjike e Fishtës. Tema biblike, e pastrimit shpirtëror të njeriut në luftë me veset për hir të virtyteve dhe të amshuesmërisë së qenies njerëzore është në qendër të dramave lirike. "Baritë e Betlemit", "Luigj Gonzaga". Tema e padrejtësive shoqërore është në qendër të tragjedisë "Hajria" ku mbizotëron realizmi, fryma demaskuese ndaj klasave të pasura.



Një lëndë prej qindra faqesh përmban proza e Fishtës. Është një prozë e frymëzuar, ku lirizmi krejt natyrshëm ndërthuret me humorin, satira me groteskun. Shtresat e fjalorit janë më të larmishmet. Bashkëjetojnë fjalët, shprehjet, ndërtimet sintaksore krahinore me arkaizmat, barbarizmat, zhargonet, me fjalët e shprehjet e latinishtes, të gjuhëve moderne, perifrazimet, citimet etj., etj. E pasur në llojet e lëvrimit është publiçistika. Për patetikën e fuqishme, argumentin, kritikën shëndoshëse si dhe stigmatizuese dallohen shkrimet me temë shoqërore.


Në shënjestër ai vë dembelizmin, përtacinë, indiferencën e shtetasve të shtetit të ri shqiptar, por edhe lakminë ndaj kolltuqeve, grykësinë ndaj privilegjeve, prirjen regresive ndaj aziatizmit si dhe imitimin banal ndaj perëndimores.




Ai bënte thirrje që në krye të shtetit të vinë njerëz të kulturuar, atdhetarë, vizionarë largpamës të shtetit e të kombit. Fishta është edhe polemist i fuqishëm, ai polemizon me pena të shtypit vendës si dhe me ato të letrave të huaja.



 Merr në mbrojtje kulturën, dinjitetin, pastërtinë shpirtërore të kombit. Në polemikat nuk mungon kurrë argumenti bindës autentik, si dhe shoqërimi i tyre me argumente nga filozofitë e ndryshme, shkencat shoqërore e natyrore, por edhe vërshimet patetike ku shpotit, tall e dermon pa mëshirë kundërshtarin. Të njohura janë dhe ligjëratat e Fishtës, ku mbizotëron fryma solemne dhe argumentuese.

Publiçistika
Për vlera të rralla artistike, për frymën objektive e shkencore, shquhet prova eseistike e Fishtës. Një model i përkryer në llojin e vet është reportazhi. "Një udhëtim në Turkinë e re". Njohës i thellë i botës shqiptare, adhurues i saj gjer në kult paraqitet ai në parathënien kushtuar "Kanunit të Lekë Dukagjinit" të Shtjefën Gjeçovit. Njeri me kulturë të gjerë e pasione të mëdha na shfaqet në esetë për Gëten, për arkitekturën, muzikën etj.


Në trashigimninë e tij kanë mbetur edhe qindra faqe të epistolarit, dorëshkrime të ndryshme.
Fishta duke qenë njohës i latinishtes, greqishtes së vjetër, italishtes, frengjishtes, gjuhëve sllave, në disa prej të cilave edhe krijoi, duke qenë njohës i përkryer i shqipes që flitej në viset e Veriut, si dhe i traditës letrare shqiptare që nga Budi e Bogdani, dha shembullin e tij se si mund të sillen në kulturën vendëse thesaret shpirtërore të njerëzimit. Të freskëta e trasparente janë përkthimet nga poezia e Silvio Pelikos, Aleksandër Manxonit, Metastazios etj. Shembull për përkthyesit e Homerit, përgjithsisht të poezisë antike e asaj klasike mbetet Kënga V (fragment) e "Iliadës", përkthyer prej tij. Frymën e lashtësisë heroike, madhështinë e heronjve dhe të betejave ai i mishëron në kompozitat burimore të shqipes, në fjalët e ralla të të folmeve të saj, në brumin e gjallë të shqipes. Tepër kërkues e i saktë është edhe në përkthimet e Kanconiereve të Petrarkës. Fishta përshtati në shqip edhe komedinë "i sëmuri për mend" dhe "Dredhitë e Patukut" të Molierit, përshtatje që shquhen për kolorit e pasuri gjuhësore.


Me veprën e tij të gjerë dhe komplekse Fishta pasuroi ndjeshëm në radhë të parë poezinë, por, gjithashtu, letërsinë tonë dhe kulturën në përgjithësi.

AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR screenshot

Vepra e Fishtës ndikon gjithnjë në zvillimin e letërsisë me vëllimshmërinë e saj, me llojshmërinë e gjinive, me pasurinë e mjeteve të shprehjes, me autencitetin e saj. Ajo ka meritën e veçantë të ketë prekur terrene që deri atëherë, dhe më vonë mbetën të paprekura në letërsinë tonë. Ai ka, gjithashtu, meritën tjetër se kultivoi për herë të parë edhe me mjeshtëri të lartë shtresa gjuhësore të gjalla deri atëherë të pashfrytëzuara. Prandaj ndikimi i tij në letërsinë tonë është i madh ei shumllojshëm.

"Nuk ka kenë Fishta për ne; jo vetëm një poet kombtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe një edukator i rinisë sonë. Nuk kanë msue e shijue nxânsit e shkollave t'ona vetëm artin e tij poetik, bukurinë e harmoninë e vargut, rrjedhshmërinë e dliresinë e stilit e të gjuhës së tij, që është një thesar i pashterrun frazeologjie të kulluet, por kanë thith' prij vepres së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletes atike idealet ma t'nalta t'njerzimit, urtinë, burrninë, besen, drejtsinë, dashuninë për të miren, të bukren, të drejten e të vêrtetên". *

"Me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se, sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e spartanëve, njashtu edhe epop...eja e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera, kanë mbjellë në zemër të djelmnisë sonë dashurinë e pamasë për truallin e të parëve dhe për gjuhën amëtare. Njikëto dy ideale: atdhedashtnia dhe ruajtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth të cilave shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës".
Prof. Aleksander Xhuvani (*në varrimin e tij)
"Fishta është "shkëmb i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar".
"Gjithë vepra poetike e shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar. Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjë për të derdhur dhe kënduar në art, se sa ideja e Zotit, ideja e Atdheut!"
Lasgush Poradeci
"At Gjergji ka qenë për ne, deri ditën që mbylli sytë, patriarku i letrave shqiptare e poeti ma i madh i vendit tonë."
Kostaq Cipo
”Kot përpiqën grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se "Lahuta".
Faik Konica
Fishta "Poeti i Madh i popullit të shquar shqiptar".
Gabriele d'Anunzio
"Patër Fishta njihët si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli... Si këte kemi edhe një të madh tjetër: Rabindranath Tagora."
Erwin Stranik
"I rrënjosur krejtësisht në popullin e vet, Fishta ka dashur të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e nëmëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gjë e ka shkrirë me mjeshtri në poezitë e veta".
..."Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna."
Prof. Dr. Maximilian Lambertz
"Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit."
Prof. Karl Gurakuqi
"Patër Fishta...me veprat e tij në poezi e në prozë arriti të kurorëzohej me dafinë si më i madhi poet kombëtar, ai është tharmi i poezisë popullore shqiptare dhe më i kulluari shkrimtar i Arbërisë."
Anton Baldacci
"Një ndër gurrat e trajtimit të tij (të Fishtës) letrar kjenë jo vetëm klasikët e letërsisë greke, latine, franceze e sllave, por edhe klasikët gjermanë, spanjolë e anglezë..."
At Dodaj
"....prodhimi poetik e letrar i Fishtës, prodhimi i pasun, i ndryshëm, origjinal, i frymëzuem prej botës fizike e morale të Atdheut.
....çmohet edhe si prozatuer elegant: sidomos në prozën politike e polemike asht i gjallë, i kjartë e shumë i rrebët."
Prof. Kolë Kamsi
"Poemi epik "Lahuta e Malsisë" asht një vade mecum i çdo atdhetari."
Don Kolec Prennushi
"Lahuta e Malsisë" mund të qëndrojë përkrah veprave poetike më të shquara të popujve të tjerë."
M. A. Freün von Godin (albanologe gjermane)
"Tingulli i lirës së tij (Fishtës) gjithmonë i gjallë, ka për të vazhdue të mbajë në kambë kombësinë e gjuhën tonë."
Prof. Filip Ndoc Fishta
"Pas vdekjes Fishta...nisi të jetojë ma me gjallni në shpirtin e në zemrën e kombit: u përjetsua nga Kombi që ai përjetësoi në vepra të pavdekshme."
At Viktor Volaj
"Kam ardhur të gjej letrarin shqiptar dhe gëzohem se gjeta oratorin, filozofin e pedagogun."
Një shkrimtar francez, pas takimit me Fishtën.
"At Gjergj Fishta nëpër ma të mëdhatë qytete të botës, përpara mija e mija poetësh, njerëzish të naltë, shkencëtarësh, diti me qitë në pah e me naltsue vetitë ma të rralla të kombit shqiptar, historinë lumniplote e traditat shekullore të tij."
Nush Topalli
"At Fishta asht e duhet të mbetet poeti i forcës, i njaj force primordiale e kaotike. Përshkrimet e tij kanë gjithmonë një ngjyrë apokaliptike, e ndër to, një frymë misterioze përplas njerëz e sende."
Prof. Pashko Gjeçi
"Mbreti i poetëve shqiptarë, Patër Gjergji qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe mbrojti me trimëri të drejtat e Kombit tonë në çdo konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me vepren e vet poetike i fali shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri.
...At Fishta...nuk jetoi në "kështjellen e fildishtë", por u hodh me entuziazëm djaloshar nga një mision në tjetrin për të mirën e kulturës e të racës shqiptare...
Fishtën, me temperament thjesht klasik nuk do ta frymëzonte asgjë me parë se Atdheu. Gati krejt vepra e tij i është kushtuar Atdheut."
Lefter Dilo
"Fishta, tue kuptue mirë randësinë që ka bashkimi, edhe si plotësim në mungesën e fuqive, deshi t‚u vinte breznive ma të lashta bashkimin si veti të trashegueme, megjithëse jo aq të spikatun, me të cilin të parët tonë përballuen çdo rasë e peripeci."
At Konrrad Gjolaj
"Fishta është "një nga ata njerëz të rrallë që duken në qiellin e një kombi e lënë pas vetes një dritë, që ngroh zemrat e brezave të shumë shekujve."
Terenc Toçi
"Fishta mori prej popullit gjithçka që gjet të hijshëm, të madhnueshëm e të fuqishëm, e porsi një piktor i Zoti, e shndrroi në shpirtin e vet, tue e riprodhue në një mënyre e cila asht vetëm e tija, prandej, origjinale."
At Anton Harapi
"Lahuta asht një pinakotekë e artit kombëtar, ku poeti pikturon gjallë tipat, personat, skenarët e kostumet; një depozitë motivesh kombëtare u lihet piktorëve shqiptarë."
"...At Fishta, ky gjeni me rrënjë në tokën amëtare të popullit shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte mbi letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Evropës u ngjit deri në majat më të larta të kulturës."
Prof. Dr. Norbert Jokl
"...me At Gjergj Fishtën gjuha shqipe u rrit, u madhnue, u ba zojë. Me At Gjergjin, kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njëherë e përgjithmonë një alfabet i vetëm për mbarë Shqipninë, vendim ky me dobi që nuk numrohen. Me At Gjergjin zuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi....
Stili i At Gjergjit, stil burrash e krejt shqiptar, të ushton hijshëm e fuqishëm në të njëjtën kohë. Sado që studimet e veta i bani të gjitha në gjuhë të huaja, sado që zotnonte ma së miri italishtën, frengjishtën, slavishtën e latinishtën, shkrimeve të tij kaq u vjen era shqip, sa me t'u dukë se nuk ka ditë veç gjuhën e vet. Poezinë e tij e shijon jo vetëm njeriu me shkollë, por edhe i pashkolli."
Pa Fishtën historia e letrave shqipe do të ishte e shume emanget dhe e varfer..
Esencialisht, për të gjithë françeskanët e përvujtur, Fishta, ishte një intelektual dhe klerik i madh. Një njeri me vizione të qarte,,. Vepra e tij u bë burim fr...ymëzimi dhe dashurie për Fe e Atdhe dhe përparim, çka në mendjen e Fishtës, ato jetonin në një unitet, duke e ngritur gjeniun në nivele të reja cilësore, që i kanë qendruar kohës edhe sot e kesaje dite...
Fishta ishte njohës i kthjellët i lërësisë së kulturës së tabanit të lashtë autentik dhe përtej tij. Opinione pozitive dhe vlersuse kanë shprehur ne kohë dhe në rrethana të ndryshme shumë intelektualë të shquar, albanologë evropianë ashtu dhe bashkëatdhetarët e tij në Veri dhe Jug të Shqipërisë, shkrimtarë dhe studiues të kulturës shqiptare asokohe dhe sot.
Kështu Karl Shtainmes e krahason Fishtën me Gëten e Shilerin, ndërsa elita Franceze e thërrasin "Tirteu i Shqipërisë". Albanologu i njohur italian at Fulvio Kordinjano, që punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në Shqipëri, radhiti këto fjalë të ngrohta zemre: "Pak kush kujtoj, në letërsi të mbarë botës, ia del at Fishtës si poet satirik, si i tillë me nji fui të çuditshme ther e pren aty ku djeg". Ndërsa 5 vjet më vonë, albanologu i shquar italian, prof. Gaetano Petrotta, me pendën e tije len kete shenim vlersimi per temadhin Fishta : "Ndër veprat e këtij është shprehur e pasqyruar në mënyrë më të kthjellët shpirti i popullit shqiptar. Këto vepra kanë për të mbetur të pavdeshme e kanë për t'u bërë poezia e kombit të Skënderbeut...". I madhi Faik Konica për at Gjergj Fishtën,thote: "Kot së koti përpiqen grekët e sotëm të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se "Lahuta" e Gjergj Fishtës". studiues i afërt, (botues i "Lahutës së Malcis" në Itali), jep esencialisht këtë formulim: "...Fishta, këndohej pa dijtë se i thojshin emnin; këndohej përse në këngët e tija ishte shqiptar; shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngallnime". Poeti i madh i valëve të liqenit të Pogradecit dhe miku i tij Lasgush Poradeci,cilson: "Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar".
Augusto Gemelli duke bërë paralelizëm në historinë shumëshekullore shqiptare , vlerëson: "Në historin e Shqypnis, emni i at Fishtes do të rrijë krahas me atë të Gjergj Kastriotit. Dy emna këta, të cilat janë e do të mbesin nji flamur i vetëm, nji nxitje e vetme e nji lumni e vetme". Kritiku i sotshëm bashkëkohorë dr. Aurel Plasari midis shumë konsideratave për jetën dhe veprën e Fishtës ka dhënë edhe vlerësimin e veçantë: "Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes së tij fizike, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë".
Mund të thuhet hapur, se kontributi i Fishtës, është simbol i shqiptarizmit të kulluar dhe gjithë vepra e tij madhore përbën një ungjill të ngrohtë atdhedashurie. Si meshtar i përvujtë i popullit të vet që e donte dhe e respektonte aq shumë, u nderua, u respektu si bari shpirtëror shembullor nga delet e veta dhe bashkëkohësit, Si një shqiptar i vërtetë ruante besë e burrëri, kishte guxim e trimëri, për të cilat gdhendi me pendën e fuqishme magjinë e madhe të veprave që krijoi mendja e begatë, duke ia bërë dhuratë krenarie gjithë Shqipërisë.
Pikërisht për këto virtyte të çmueshme, vepra e "poetit nacional" shpaloset me vizione mjaft të gjëra, me vlera të shumta e të një rëndësie të madhe për letërsinë shqipe. Ajo që e dallon më së shumti poetin si gjeni origjinal, midis shumë të tjerave është arsyetimi bindës se: Homeri shqiptar nuk është aspak transplantim i teologjisë a i parimeve të Urdhërit Françeskan, të cilit me devocion ai i përkiste, por ndryshe, ishte më shumë se kaq, sepse ishte gjithnjë një vlerë e re që ripërtërihej e ridimensionohej në një sistem origjinal vlerash, që asnjëherë nuk i kundërvihej kuptimit esencial kristian, në veprat e të cilit identifikohet si një lloj bagazhi i pasur me vlera ripërtëritëse bashkëkohore. kjo dëshmohet në tërësinë e kulturës solide që kishte pasur fatin e mirë të merrte Fishta, duke përthithur ajkën kulturore botërore e në veçanti atë evropiane dhe e transmetoi nektarin si një trashëgim të denjë brez pas brezi përmes penes së arte te shkrimtarit.
Autori, shpiegon dushëm mesazhin filozofik të tij të shprehur në veprat "Odisea", "Shën Françesku i Azisit", "Kryepremja e Shën Gjonit", të cilat janë respektivisht: ngallnjimi i lirisë, vëllazërimi dhe inifikimi sipas vështrimit të kthjellët të doktrinës kristiane. Ky prodhimtar i begatë i fushës së letrave shqipe, asokohe me të drejtë ishte përfshirë , në listën e Çmimit Nobël, si i nagjishëm në pendën artistike, çka në këtë mënyrë kishte kaluar kufijtë etnikë dhe i përkiste tashmë edhe fondit të artë të letërsisë botëore.
Si një intektual universal, eruditi i gjërë e i thellë Fishta, ka lënë gjurmë në fusha po aq të vështira sa ajo e letërsisë, ku në mënyrë të dukshme, është shquar si arkitekt shqiptar me shije të hollë.

Lahuta e Malcís konsiderohet si kryevepra e Gjergj Fishtës të cilën autori filloi të e shkruante nga vitit 1905 duke e përfunduar në vitin 1937.
Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh e u miqësua me fshatarin e moshuar Marash Uci (vd. 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Në mbrëmjet që i kalonin së bashku Marash Uci i rrëfente priftit djalosh për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të Lahuta e malcís, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zadar më 1905 e 1907, e u ribotuan më pas të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë suksesin e Lahuta e malcís dhe personalitetit të shquar të autorit, kjo vepër dhe të tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore kur komunistët erdhën në pushtet. Megjithatë, kjo poemë epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe në Romë më 1991, gjendet edhe në përkthime në gjermanisht dhe italisht.
Shumica e këngëve trajton heroizmin e malcorëve, sepse edhe vet vepra lidhet me një periudhë historike duke filluar nga ngjarjet e mëdha te Lidhjes se Prizrenit, kur mbahet Kongresi i Londrës e deri në kohën kur copëtohen tokat shqiptare. Këtu përshkruhen edhe luftërat e popullit shqiptar kundër Perandorisë Osmane gjithashtu edhe lufta kundër shteteve fqinje të cilat tanimë veç kishin marrë disa pjesë të tokave shqiptare, konkretisht Mali i Zi dhe Serbia.

Koment rreth veprës



"Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë "Lahuta e Malësisë" nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat" i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut" të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së "Iliadës" të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet etj., etj. Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë, kërkon të zaptojë tokat tona. Filli i poemës mbaron kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston në poemë, në të njëjtin binom me Fatin. Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas kronologjisë historike të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, kemi ndërmjet tyre edhe këngë që qëndrojnë disi më vete, por që luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri cikël në tjetrin. Në pikëpamje të leximit të veprës ato përkohësisht e shkëputin lexuesin nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike.



Cikli që hap poemën është ai për Oso Kukën - pesë këngët e para. Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më vonë, të ndërmjetësuara nga këngët "Dervish Pasha" dhe "Kuvendi i Berlinit". Këto dy këngë japin atmosferën që ishte në dëm të fatit tonë kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën më të madhe në poemë, është ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës. Cikli strukturohet në disa nëncikle. Nëncikli i parë (tre këngë) ka në qendër Çun Mulën.


Pas ekspozesë që bën kënga "Kulshedra" vjen nëncikli prej pesë këngësh që sjell skena masive të përmasave vigane. Nnëcikli vijues ka në qendër Tringën para dhe pas vdekjes. Ngjarjet, pas një pushimi tjetër prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me kryengritjet e Pavarësisë. Këngët përmbyllëse pothuaj janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kënga e fundit "Konferenca e Londonit", është në vend të epilogut të poemës. Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur të gjejnë pikëtakime mes "Lahutës së Malësisë" dhe "Iliadës" së Homerit, sidomos në atmosferën që i zotëron dy poemat. Ata kanë krahasuar personazhet që kanë tipare të përbashkëta, skenat e ngjarjeve etj. Por përfundimi i tyre ka qenë se poema homerike, përveçse model i largët, ku është bazuar poeti, me poemën fishtjane kanë të përbashkët përkatësinë ballkanike. Në të vërtetë këto lidhje i bën më të qëndrueshme një burim i mirëfilltë i eposit të Fishtës me eposin tonë legjendar, kryesisht me thelbin e këtij eposi, ciklin e kreshnikëve. Konflikti në poemë, në mes shqiptarëve dhe sllavëve, mes dy kombeve arsyetohet si një konflikt natyror, me prejardhje nga gjeneza, në vargun e famshëm, proverbial "n'mni t'shoshoqit kemi le". Megjithatë, poeti bën thirrje që të shmanget ky fatalitet i pashmangshëm. Zoti n'qiell e na mbi tokë/ por gjithnji vllazën e shokë. Sidoqoftë, tensionon skajshëm ngjarjet, duke i dhënë "Lahutës së Malësisë" trajtën e një eposi dramatik krejt origjinal nga eposet e kombeve të tjera, me trajta kryesisht tregimtare. Është në mes të dy palëve urrejtja patologjike jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes qenieve mitologjike përkatëse, mes natyrës, dukurive natyrore etj. çfarë e bën të pamundur që të pushojë a të prehet së luftuari shpirti i asnjërës racë, qoftë për një çast të vetëm. Te "Lahuta e Malësisë" urrejtja ndërmjet ky kampeve armike është plazma ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie grupimet e personazheve. Në radhë të parë dy grupimet më të mëdha, që përcaktojnë frymën realisto-fantastike të poemës: grupimin e personazheve historike nga njëra anë dhe grupimin e personazheve fantastike, të përfytyruara ose mitologjike. Duke pasur të dy grupimet të drejtën për të hyrë natyrshëm në çdo ngjarje, në çdo mjedis a rethanë, të bisedojnë bashkë, të grinden, të rrihen, të luftojnë, të besatohen, të urrehen e të dashurohen, edhe në realitet ato u përkasin, shkrihen në një të vetëm. Realiteti mitologjik, qiellor s'është aspak më hyjnor se sa realiteti i jetës së përditshme. Realiteti njerëzor, gjithashtu s'është aspak më tokësor se sa i përfytyruar e i fantazuar, se sa realiteti i largët i paprekshëm, mitologjik, qiellor. Një familjaritet krejt malësor , krejt i natyrshëm zotëron mës grupimit të personazheve mitologjike dhe grupimit të personazheve historike. Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie krejt njerëzore, gati prindërore me Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që po luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është simotër e përhershme e poetit, i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, si poeti, uron, mallkon, prandien. Po kështu, orët e tjera, sipas emrave të fiseve ose zanat e tjera sipas emrave të maleve. Familjariteti tipik i kësaj natyre krijohet në këngën Zana e Vizitorit që shquhet edhe për vlerat e rralla artistike. Poeti kujdeset që personazhet historike të veprës ti vendosë në binom me personazhet mitologjike. Zakonisht, këta janë shëmbëllesa të njëri-tjetrit. Tiparet e njërës palë pasqyrohen te tjtra palë. Bukuria, fisnikëria, dlirësia e Tringës pasqyrohen tek Zana e Vizitorit dhe ndërsjelltas. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, ndërkohë është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanë malazeze, nxitëse e Mark Milanit ndaj shqiptarëve. Në fund të luftimeve zana e huaj ngelet robinë te varri i Tringës duke realizuar edhe hakmarrjen për simotrën shqiptare. Vetë natyra, përbërësit e saj do të ishin një grupim tjetër personazhesh po aq njerëzorë sa edhe dy grupimet e tjera. Autori, ndonëse e hedh vështrimin herë pas here nëpër gjithë trojet shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në malësitë e Veriut. Qendër simbolike të zhvillimit të ngjarjeve, siç e pohon mendimi i studjuesve, është Shkodra. Megjithatëai nuk bie në religjionalizëm. Ai, siç thotë profesor Eqerem Çabej, përdor njësinë e fisit për të dhënë njësinë e kombit. Tek fisi janë pikëzuar tiparet e kombit, tiparet e racës. Kjo i jep veprës përmasat kombëtare dhe universale. Vargu me të cilin është ndërtuar poema është tetërrokshi i poezisë popullore të epikës historike të Veriut. Ai arrin që në këtë varg të sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht të vetat, që nuk mund të largohet nga kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me dhjetëra beteja, me dhjetëraskena betejash madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me ngjyrat e dritat e veçanta, për t'u dalluar qartësisht nga moria që e rrethon. Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi, me fjalë të panjohura, me arkaizma, solecizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore. Rima është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Aty shprehet edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë janë të përputhura, herë të alternuara ose të kryqëzuara etj. Ritmet, gjithashtu, janë shumtrajtëshe, varësisht nga vendet ku bëhen pushimet e vogla ose të mëdhatë gjatë leximit, ku në pikëpamjet sintaksore mbarojnë pjesët e fjalive ose fjalitë. Fishta përdor në mënyrën e tij përsëritjet në fillim, në mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota, citimet nga kryeveprat e folklorit, rendin e përmbysur të fjalëve etj. Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, pyetjet në përgjithësi krijojnë larmi ritmesh, larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesit. Ritmin e shprehjes së shprehësisë artistike, të leximit e përcakton fuqimisht figuracioni. Hiperbola është mjeti kryesor i eposit fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë e tyre. Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera në përbërje të tij, që zotëron tekste të tëra këngësh. Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit. I papërsëritshëm në krejt letërsinë tonë është përdorimi i eufemizmave me efekte artistike, herë përkëdhelëse, adhurues, e himnizues, herë paditës, i ashpër, e makabër. Eufemizmi funksionon në vend të emrave të perëndive, qenieve mitologjike, por edhe të personazheve kryesore të grupimit historik. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike, është pjesmarrës në krahasime ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse dendur prozopopea janë mjetet më efikase të drejtpeshimit fishtian në mes të realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin më intim e më konkret tokësor. Disa ndër këngët më të përkryera të poemës si "Kulshedra", "Te ura e Sutjeskës", "Zana e Vizitorit" etj. janë një manifestim pothuaj marramendës i të gjitha llojeve të figurave stilistike. Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar me tetërrokëshin e famshëm fishtjan!




E Vjetër



E Bejtexhinjve



E Rilindjes



E Pavarësisë



Moderne



Antike Greke









Autorët e kësaj periudhe



Gjergj Fishta


Fan Noli


Faik Konica


Migjeni


Lasgush Poradeci


Mitrush Kuteli


Nonda Bulka


Haki Stërmilli





Kënga e Parë (Cubat)

Gjendja historike e vjetit 1858 dhe plani i poemit. Turqija nisë të ligështohet. Popujt e Ballkanit i dalin doret. Shqiptarët zgjohen: mendojnë edhe ata të fitojnë lirinë. Ndeshen me nji anmik tjetër. Knjaz Nikolla i Malit të Zi synon të shtijë në dorë pjesën veriore të Shqipnisë, i nxitun dhe i mësuem nga Cari i Rusisë. Ky i shkruen nji letër tanë dredhì e përkëdhelje Krajl Nikollës: i premton bukë e fishekë, mjaft që mos ta làjë Turkun të qetë. Letrën ia ep lajmëtarit (kasnecit) të vet, i cili mbas nji udhëtimi të gjatë, kapet në Cetinë, ku edhe dorëzon shkresën. Knjazi e këndon me vëmendje. Menjiherë çon e thërret serdarin e Vasoviç-it, Vulo Radoviç-in. Mbasi e merr me të mirë e ngarkon të formojë nji çetë cubash dhe me ta të biejë në Vraninë, për me plaçkitë e për me vrà.

C U B A T
Ndihmò, Zot, si m'kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk'rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu' e là t'mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu' e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n' murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si 'i dèm, vu n'lavër spari,
qi, ka' e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m'e thekë strumb'llari,
s'ndigjon me tërhjekun m'pluer: (15)

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu' i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s' ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)

s'din' me ndejë rob nën zgjedhë t'huej,
pagë e t'dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n' këto troje t' veta (25)

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n'braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s' ia kanë dà;
por t'janë grì me tè e t'janë vrà,
si me kenë tu' u vrà me Shkjà (30)

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m' iu ligështue,
e nisë pat m' iu thy' atij hovi,
m' qafë përditë tu' i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t' Turkut : qi si motit
n' ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)

krejtë e lirë kjo t'ishte, e askujë
n'daç t'jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t'dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)

si fletë Engj'lli t'Perëndisë,
si ajo flaka e rr'fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n'tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t'Zi,
Knjaz Nikolla, 'i gërxhelì: (50)

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n'Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s'të gjatit (55)

der' n' Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do' "trobojnicën",
do' m' ia vu Shkodrës "kapicën":
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi 'i herë ta kisht' là n'gjak! (60)

Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu'i shkue,
kah s'ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)

Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m'i pastë mb'lue!-
për të buk'rën këtë Shqipnì,
si m'ia lëshue n'dorë Malit t'Zì. (70)

M'kambë Shqiptarët atëherë t'janë çue.
Sa mirë n'armë na janë shtërngue!
T'fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n'ato kohë t'Gjergj Kastriotit: (75)

me 'i kambë mbathë e tjetrën zbathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n'vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy'n agzot, zemrën barot, (80)

e si ai plajmi me furì,
t'kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t'gjatë t'Cemit n'atë kufì,
ku edhe trimat t'janë përlà:
t'janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)

ballë për ballë ata tu'u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu' u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)

gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m'ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t'veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)

bàjnë kuvend Shqiptarët n'mjet vetit
e 'i fjalë t'madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t'dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)

s'duen me i bà mà tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht' falë
Perëndia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez; (105)

por për do sokola mali,
qi "Shqiptarë" bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der' qi jeta mos t'u shuete.
Turku fjalën e ka ndì': (110)

se ç'asht mbushë ai me mënì!
Se edhe lëshue ç'ka mbi Shqipnì,
gjallë Shqiptarët ai me i përpì!
Por Shqiptari gjallë s'përpihej,
e as me u shkelë, besà, s'po lihej, (115)

kur po i mbushej mendja e vet,
për Shqipnì me bà gajret,
n' dashtë ta mësyjnë Krajl edhe Mbret.
Edhe kështu t'janë kapërthye
grykë për grykë Turq e Shqiptarë, (120)

pa dhimbë krenash tue u thye
si me thye kunguj npër arë.
T'iu dha zjarm atëherë Ballkanit,
Shkjau: kah drote se Shqipnia
Nji herë shkëputë dore s' Sulltanit, (125)

mà s'do t'bite n'kthetra t'tija,
si atij hangër ia kisht' palla:
merr e mësynë m'Turk fulikare,
e si derrat me çakalla
t'janë mbërthye, t'janë kapërthye: (130)

haju, ngaju, çaju, vraju,
m' pushkë e m'top gjueju batare,
gjaku rrëmbè npër rrahe e qare,
e npër fusha e npër gajusha,
der'qi s'mbramit, n'p'r' atë zhumhùr, (135)

zgjedhë s' Turkut pështoi Shqipnia
e duel m'veti si dikùr:
si premtue kisht'Perëndija;
por si dashtë, besà, lum vëllau,
s'do t'kisht' pasë as Turku, as Shkjau. (140)

Se s'ka dashtë Turku lirì,
ma merr mendja; veç un s'dij
Knjaz Nikollës kah gjith kjo zemër
ardhë i paska, qi nën themër
rob Shqiptarët po don me i shtrue, (145)

edhe atë tokë ai me pushtue,
për të cilën vetoi motit
shpata rr'fè e 'i Gjergj Kastriotit?
E qi s'paska dert aspak,
se Shqipnì dhe Karadak (150)

krejt me atë punë po i làte n'gjak?
Zemra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po e kisht' bà:
m' e ndie plak e kalamà: (155)

se ai natë t'madhe s'do t'kremtote,
se ai kumbarë as krushk s'do t'shkote:
gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
s'do t'u late as s'do t'u krifte,
as s'do t'dilte n'log t'kuvendit, (160)

për pa i hi Stambollës përmbrendit,
për pa këcye mbi post të Mbretit,
me u bà zot i tokës e i detit;
edhe Europës tregun m'ia prè,
mos m'e lanë me shitë, me blè, (165)

mos m'e lanë me çilë kund punë;
por me bà qi ajo përdhunë,
për me çue 'i grimë bukë te shpija,
rob të ngelte n'kthetrat t'tija,
n'ato kthetra me gjak zhye, (170)

mësue gjithmonë n'gjà t'huej me gërrye!
Por, pse ishte 'i skile e vjetër,
si për fjalë ashtu për letër,
mos m'iu gjetë kund nji shoq tjetër,
ai po e dite mirë e hollë, (175)

se isht' do punë me hi n'Stambollë:
se isht'do punë Turkun me e thye,
pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xèn ai me trillue,
m'shpinë Shkjeninë Turkut m'ia lëshue: (180)

m'ia lëshue m' shpinë Shkjetë e Ballkanit,
qi me i qitë këta punë Sulltanit;
me i qitë punë këta 'i herë mà para
me trazime e punë t'pambara,
e mandej vetë prej Rusiet, (185)

si harusha prej pusiet,
me i rà Turkut fulikare,
m'zhbì n'vend, m' e qitun fare;
për pa bà me mend pleqnì,
se me atë punë botën unjì (190)

mujte ndoshta, m' e pështjellë n'zì
Kur ketë punë e ka pleqnue,
ka marrë trimi e n'odë ka shkue,
ka ndejë n'tryezë e asht vu me shkrue,
me u shkrue miqve kah Serbia, (195)

kah Zagrebi e kah Sofia
me lidhë besën shkaf asht Shkjà,
mbi Budin, m'çanak-kalà,
edhe tok këta ndërmjet vetit
mos m'ia dà të keqen Mbretit; (200)


por m'e nxitë, por m'e mërzitë,
m'iu vardisë si 'i ditë për ditë,
herë për shtek, herë për kufì,
tash me peng tash me pleqnì,
por gjithmonë, po, pa kanu, (205)

veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vu.
Mbasandej, ky zogu i Shkinës,
merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
merr e 'i letër, ia angllatisë,
me dredhì tue ia qindisë: (210)

Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
falmëshëndet Cari i Rusisë,
se zà t'madh për ty kam ndie
qi jè trim e gërxhelì,
qi jè burrë e kuvendtàr, (215)

me ta drashtë hijen anmiku,
por, me gjasë, kjo fjalë s'isht' gjà;
pse qe ti m'atë rrasë Cetine
më kè ndejë me 'i gjysmë opinge,
e jè bà, po, gazi i dheut, (220)

tue mërzitë miq e kumbarë,
veç e për bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, përbri tejet,
dredhun çallmën m'vetull t'synit,
derdhë shallvarët ai pala-pala, (225)

rrin e ban kokrrën e pallës,
e as m'e pà ti s'mund ta shofish
përmbas kodrës së pilafit
Po a thue, t'la ty kamba e dora,
ase ngjitë jè ndoshta n'rrogë, (230)

jo se hi kè bulk n' e huejën,
qi s'po ndihesh kund për s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije
Urtë me ndejë Cubi i Cetinës,
edhe n'shpì me e shkuem ai motin, (235)

tue u ndeshë npër furka t'gravet!..
Po a s'ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme,
qi kurrkund s'jè kah orvate, (240)

me ia shkye 'i skundillë për veti?..
M' tè, krah-thatë, e mos rri fjetun!
Pse pa luejtë ti kambë e dorë,
s't' ndihmon Zot as i Shën Nikollë:
Por ti luej, nafaka luej, (245)

ka pasë thanë ai burri i huej;
sa për bukë e për fyshekë,
piqu n'mue, se t'i qes vetë;
edhe kësulën vène n'sy,
se të nget Mbreti i Stambollës: (250)

nuk ta là me t'prekë me pupël -
Letrën kështu Cari e ka shkrue,
edhe mirë e ka palue,
e e ka mbyllë me dyllë të zi;
ia ka dhanë kasnecit t'rì, (255)

me ia çue Knjazit n'Mal t'Zì.
Letrën n'gjì ka qitë kasneci,
ka thekë kambët ai sa mund heci:
ka lanë mbrapa fushë e zalle
kapërcye ka bjeshkë e male, (260)

edhe dalë ka lum e shè:
ka shtegtue për ujë e dhè,
der'qi'i ditë, tue marrun dielli,
në Cetinë ka behë ai filli:
shtjerrë opangat, grisun setrën; (265)

Knjazit n'dorë ku ka dhanë letrën,
me dyllë Cari si e kisht' mbshilë.
Ka marrë Knjazi edh' e ka çilë,
e ka çilë edh' e ka këndue,
tri herë rresht ai e ka këndue, (220)

tri dit rresht edh' e àsht mendue;
mbasandej ai fjalë ka çue
njatij Vulo Radoviçit,
kërkserdarit t'Vasoviçit,
qi me dalë me rà n'Cetinë, (225)

pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë:
me flut'rue si gjeraqinë,
për me u pjekë me "Gospodarin".
Njeky Vuloja Serdari
Kisht' pasë kenë nji trim i çartun: (280)

m'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tè prè kund s'ishte marrë,
pa fjalë t'tij ngarkue s'ishte marrë,
pague s'ishte varrë as gjak,
s'kishte vu nuse duvak, (285)

as s'isht' dà gjyqë a pleqnì.
Pse edhe Turku i Malit t'Zì
po e kisht' pasë shqipe mbi kry',
mos m'e lanë me pà me sy.
-Se edhe 'i punë, ky zogu i Shkinës, (290)

po e kisht' bà m'atë udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shi në rrugë
Për tërthuer shtrika nji stugë,
edhe i çueka fjalë tërthores,
qi shka àsht Turk i Cernagores, (295)

mos me mujtë m'e shkapërcye,
për pa là 'i dukat për krye -
Bre! kish' kenë edhe 'i farë burri,
larg e larg me i dajtun turri.
Fëtyra e tij porsi duhia, (300)

syni i tij, tanë zjarm e shkëndia;
vet'llat trashë ngèrthye kulàr,
porsi lesh derrit bugàr;
vesh e m'vesh dega e mustakut,
si dy korba lidhë për lakut; (305)

edhe i mbrrijte kryet në trà:
burrë i atillë me sy me u pà.
Veshë e mbathë e m'armë shtërngue,
kishe thanë se àsht lè drangue.
Se këtè Knjazi fort e dote, (310)

fort e dote edhe e ndigjote;
pse edhe i urtë ai kishte ndodhë,
me ia prè mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë për ngut me dalë. (315)

Edhe Vulja bjen n'Cetinë,
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë,
tue flut'rue si gjeraçinë.
N'atë Cetinë kur Vulja zbriti,
atè Knjazi mirë e priti, (320)

mirë e priti e n'odë e qiti,
i qiti duhan e kafe,
edhe nisi kështu t'bajë llafe: -
Ku jè, Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u banè, (325)

ke s'po duke kah Cetina,
ku kè miq e probatina,
qi s'të ndërrojnë me sy të ballit?
Po, a kè mujtë? a kè farë hallit?
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? (330)

Për jetë tande ! si do' Zoti,
merr e i thotë Vulo Serdari;
pse sivjet, lum "Gospodari",
nuk ka pasë toka valigë,
e ka ardhë nji kohë e ligë, (335)

sa nuk dij si ka m'iu bà,
për me pështue do rob e gjà,
pse edhe buka asht tue na lànë.
Hajt, eh qè'! Knjazi i ka thanë.
Se s'po gjenë cubi me ngranë. (340)

Se s'po gjenë skyfteri mish.
Se ti e nxjerrë korën dy fish!.
Mjaft t'i biesh ndo'i vendit prè,
se po e ban me lopë e qè,
sa me mbajtë njerztë e kujrisë, (345)

jo se mà gjindën e shpisë.
A din shka, Vulo Serdari,
ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
pështilli bashkë nja disa cuba:
t' idhtë si gjarpni ndër kaçuba, (350)

t'lehtë e t'shpejtë si gjeraçina:
edhe lëshoj ti kah Vranina,
për me vrà ata e për me prè,
për me djegun gur e dhè,
mbrendë tue vjedhë e tue plaçkitë, (355)

tue grabitë e tue robitë,
n'daç me natë e n'daç me ditë;
se un prandej të kam çue fjalë,
der' n'Cetinë nji herë me dalë,
pse dishka mue tash m'ka këcye, (360)

prap me Turk me u kapërthye:
prap me Turk, po, na me u vrà.
Pse edhe as hije, thom, nuk kà,
urtë ma ndejun Turk e Shkjà.
E kështu, tue ligjërue, (365)

krye më krye tue bisedue,
hollë e gjatë e ka qortue,
si me u sjellë e si me u mprue,
për m'e là Vraninën n'gjak.
E si vesht janë marrë me fjalë, (370)

Knjazi n'bukë atè e ka ndalë,
edhe falë i ka do pare;
e i ka falë nji "xheverdare",
krejt n'argjand kondakun ngrì,
mos m'e gjetë shoqja n'Mal t'Zi: (375)

m'e drashtë vjerrun në sërgjì,
jo mà n'krah të nji luftarit,
jo mà n'krah t'Vulo Serdarit,
qi isht' me brè hekur me dhambë!
Atëherë Vulja àsht çue në kambë: (380)

ka bà Knjazit "tungjatjeta",
edh' àsht nisë malit përpjeta,
udhës me mend ai tue përblue,
si Vraninën me shkretnue,
Knjazi ashtu si e kisht' qortue. (385)



Dëshmorëve

O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
o ata t'lumtë, qi shkrinë vehten,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!

Çohi të Dekun

E n'kjoftë se lypet prej s'hyjnueshmes Mni,
Qi flije t'bahet ndo'i shqyptar m'therore,
Qe, mue tek m'kini, merrni e m'bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. -
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n'Dri
E porsi krandja e that n'nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s'brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!

Fragment i Zgjedhur

N'mos i paça mendt mbi hatull,
Mali i Zi e ka i vorr n'shpatull.
Venu shej ti fjalve t'mija,
Pse do t'vijë po lum zotnija,
Koha n't'cilën Shqyptarija,
Zojë n'vetvehte ka me dalë,
Por m'fal faj'n ti për këtë fjalë:
Mal i Zi ma s'ka me pasë,
Serbi vëlla do ta humbasë,
Pa kqyre t'drejtë paa kryre arsye,
Serbin shqype ke mbi krye.
Ka me t'lanë ky i ditë pa sy,
Thellë n'rrashte, po t'ue t'i gërrye,
Se kshtu ecte në shekull lodra,
Ulu maje e çohu kodra...

Kënga e Dymbëdhjetë (Marash Uçi)

Amanet un'jam t'u lanë
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta'n,
Armët e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë tuej kurr mos m'u xanë,
Mos m'u xanë, as mos m'u nga
Pse n'ditë t'gushtë këta u gjinden vlla
Si me pushkë ashtu me uha.
T'huejn me fjalë mos ta poshtroni;
Bukën para, por t'ia shtroni
N'Shqiptari si a kenë zakoni:
Me i besue, mos i besoni!
Edhe n'mend kinje nji fjalë:
Zemrës s'frytë me i lanun dalë;
Fjalët për pajë kurr mos me i dalë,
Ujit turbull mos me i ra,
Mos me dalun n'va t'pa va;
Me iu ruejtun shakës turbueme,
Me iu ruejtë, po, grues së lshueme;
Vendin tuaj m'e dashtë përore,
Me ruejtë besë, mos me çartë ndore.

Shqipnia e Lirë

Do t'valvitet m'Kaçanik
M'Kaçanik, po, do t'valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarëvet,
Përse toka, shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, qi prej t'Parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo, ma s'do t'shklasë,
Posë atëherë, kur vjen për mik.
Jo, po: na sod ktu sundojm;
Ktu s'hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin' na nuk e lshojm,
S'njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n'qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazën e shokë,
Por se i cilli m'cak të vet.
Prande i huej, n'andërr m'e pa
Se vjen kurr e shklet ndër ne,
Drue se keq kishte me i ra;
Pse shqyptarët kanë ba nji bè
Bè të madhe ata kanë ba:
Për Shqypni në luftë me rra,
Me rra n'luftë me krajl e mbret,
E kur bjen në luftë shqyptari
Lidhë me besë ai ndërmjet veti,
E din hasmi se aty pari
Shungullon toka e gjimon deti:
Se bijn krenat fushës s'mejdanit.

Burrnija

Qitë dhambët përjashta, por si lata t'prehta
Zgavërr kërrçikët e plasarit shtanguem,
Kosën pështetun përmbi kocka t'ngrehta
T'cepit t'shpulpuem,
Atje n'moje t'mjerueme t'rruzullit,
Zymtë e me i hije t'trishtueme, t'përmnershme
Lshue krahëve' i havër t'zezë, si re thellimit,
Rrin Deka e tmerrshme.
Prej avisit t'humnerëve t'zgavrueme
Kthellët në rrashtë të thatë, plot mizori,
Të hapët tërthoren e natyrës s'krijueme
Kundron në mni,
E idhtë asa' i kërcënohet. Nji t'përqethët
Acar, at botë, natyrës i shkon, n'për tejza,
Amull të cilët mbrendë ia ngurron të njethët
E jetës ndër fejza.
Me u zbe nisë rrezja shi n'krue t'vet shkëlqyeshëm
Bres dryshku njeshet, n'atë shauret mbi rrota
Së moknes s'rrokullis e boshtit rryeshëm
I vjen rreth bota.
Felgruemun njerzit nën tjara struken;
Për nën kunora pshtimin ato lypin!
Depërtojnë retë e nalt kah qiella zhduken;
N'andrra t'dheut zdrypin.
Por kot. Mizore ajo kosë t'vet ka sjellë,
Shungllon thellimi për nën kupë t'Empirit;
Gjarpër rrufeja lvitet nëpër qiell
E nën kambë të nierit.
Kthellë shpërthe gjini i tokës. Tue bulurue
Gugson vullkani zhari, flakë e shkndija;
Tallaz m'tallaz nis deti me gjimue,
Ulëron stuhia.
E para dekës, atë herë, bijnë rob e mbreta;
Shkrehen mbretni, qytet kulm rroposen;
Shuhen krenija, po, dhe shkimet jeta
Ka' ajo sjell kosën.
T'poshtrat me t'eprat vise pshtiellen n'vaj,
E mnert kah kosa cepit t'dekës të shkulet;
Kah m'kërdhokla londit kërçiku i saj
Shekulli përlulet.
Vetëm s'përkulet para Dekës njai trimi,
N'zemër t'cilit nuk randojnë punë t'liga,
E që s'e ndalë ku atë ta lypë perlimi (detyra)
As paja as friga.
Për nën mburojë t'ndërgjegjes s'vet t'kullueme;
Atje n'kufi t'Atdheut ase n'truell
T'elterit shenjtë, pa u tutë, ai dekës s'shëmtueme
I rrin kundruell.
Përpara tijë shkon moti t'uj u endun:
Vjen fati i nierit tu u terrnue pa da;
Tash mreten n'burg, tash shkartha n'fron t'përmendun
Kanë për t'u pa.
Por, ngulë ai synin n'ideal t'naltueshëm,
Si' i kep, qi vala smundet n'det m'e e lkundun,
Sido qit t'dajë ndeshtrasha e dheut t'mjerueshëm,
Ngelë n'vend pa u tundun.
Jo po: as n'flakë t'armëve nuk veton ai sye,
As buzës humnerës nuk i dridhet themra:
Sheklli, po, mbarë me pasë për t'u shpërthye
S'i ban lak zemra.
Rekton mbarë jeta për nën fyell t'kërçik'e
Të dekës s'shëmtueme, s'përmnerëshme mizore:
Vetëm BURRNIJA - një BURRNI çelike
Asaj i rrshet dore.


Gomari i Babatasit (metamorfoza)

Ju rrugaca sallahana
vagabonda shakllabana
rricna t'ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t'na qelbi fis e atdhè?
Ah! Bre ju..nuk dij shka u kjoftë,
se tash ma jemi tue u njoftë,
se kush jini e shka jini
se kah shkoni e se kah vini
plang e shpi se kah i kini
e sa pare u ban gjaku:
se për ju, po, duhet laku,
për me u vjerrë o kund m'do i shpat!
Deri dje, pa kmishë mbi shtat,
me 'i gjysmë setre t'pa astar,
lshuemum krahve kalavar
e me 'i komçë t'njtitme nën grykë:
pantallonat me "gjyslykë"
kto edhe lidhun me nji spagë:
shtatit rreshke e ba saragë,
t'tanë gordec e berbalec
pa ndo 'i msim, pa ndonji dije,
me 'i fillore a nji iptadije,
erz e shpirt qitun nën themër:
turq a sllave a grek me zemër,
falun barkut veç Shqipnisë,
si ajo marrja e t'gjith njerzisë...
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi "Skandërbeg",
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n'"smoking", tash në "bon-jour"
ju, qi dje s'kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m'sahan t'huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m'pash,
edhe besa me "gulash"
me "afishe" e me "sultjash",
me "kjumshtuer" e me "ashurè",
"kosha gjelash" si kubure,

"tarator", "pilaf me kos",
"mish me qepe" e "majdanos"
"shish qebap", "brizholla viçi",
"kunguj t'mbushum", "kuzuici",
"kabuni"- e "mualebi".
Barku sod ju rri ju kodër,
kargatisë e bamun lodër:
der sa ata burrat e dheut,
qi për jetë e nderë t'Atdheut
kane ra n'luftë si shqipe t'leta,
kanë shkri gja e shpija t'veta,
kanë tuj dekë rrugave unit,
me iu dhimbë gurit e drunit.
Përse, po, kta matrahulla,
kta shqiptarë, shqiptarë kah ksula,
n'vend qi ju me u vu n'konop,
a se brinjt m'jau zbru me shkop,
a, mos tjetër, me u ngushtue
me xjerrë zhuri kund m'ndo 'i prrue
për me shtrue ndo 'i rrugë të shtetit
a me dlirë ndo 'i skelë detit,
lavjerre buzësh, harru si viça
kqyrin m'ju si t'ishi ogiça,
për me u pri udhës s'qytetnisë
e me i sjellë t'marën Shqipnisë.
Ani kush, pra, me i pri kombit:
ju, do pyka bijtë prej llomit
qi "shqiptarë" vedit i thoni,
jo pse ju Shqipninë e doni,
jo pse ju ndo 'i send kuptoni
shka asht Atdheu e shka asht Liria,
shka asht Vllaznija a Parasija,
Përparimi e Qytetnia,
por veç pse ende der më sot
nji tyran s'po e gjeni dot,
nën kambë t'cillit ju me u shtrue,
se un ma tash ma jam regjë me jue,
e jau njof shpirtin der m'palc,
pleh i ndytë me u bartun n'shalc
e me u qitë jashta Shqipnije.


Gjuha Shqipe

Porsi kanga e zogut t'verës,
qi vallzon n'blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t'detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â' e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m'nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka'i bien qiellvet tue flutrue
n't'zjarrtat valle t'amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis',
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s'ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n'gjuhë t'huej, kur s'asht nevoja,
flet e t'veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t'enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik' mâ para,
n'agim t'jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s'pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n'dorë t'shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të't'Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi'i rruzllim mbretnin s'i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t'drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t'jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t'uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t'jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t'mbani gjuhën t'uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s'huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç'fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n'za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n'e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t'brohrisim:
Me gjuhë t'veten rrnoftë Shqypnia!


Shqypnia

Edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Fusha t' gjâna e kodra t' blera,
Zijes s' mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t' vet ktû i veshë Prendvera,
Si t' Parrizit t' larmet shtroja.
Nën nji qiellë përherë t' kullueme,
N' rreze e n' dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n' ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t' kjarta e t' cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande' ata djelm si Zâna,
Armët e t' cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t' tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n' flakë t' nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N' dorë t' ktij shndritë për vend t' të Parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N' turr t' Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka' i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s' mund t' i a shkelin,
Turrin ferri s' mund t' i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n' gjí,
Nuk mund t' quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S' i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s' i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t' fali i Amshueshëm,
Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:
N' gjí t' and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t' a dijë,
Edhè dielli do t' két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija 'i vend nuk ká !
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera.


28 Nanduer 1913

Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye.
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet...
............................................................................
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë...
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin,
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota...
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?...
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M'kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n'krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t'urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t'bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T'huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s'e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin...
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S'e la mrendë e detit vala,
S'e la ferri, toka e qilli,
N' Shqypni majet porsi njala.

28 Nanduer 1913

Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë;
Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye.
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë,
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye,
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet...
............................................................................
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne,
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe!
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari;
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet,
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari,
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet;
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget,
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot,
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë...
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun,
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin,
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue,
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin,
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!,
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota...
E po për ata qi detyrë e nder harrue,
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet,
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet
Kush pse dinari tepër i ash lakmue.
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët,
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda,
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?...
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë.
Mori
M'kamë kryekungujt prej si u vunë,
Duel padija n'krye të vendit;
Njerzt e kënuen u poshtnune,
Metën t'urtit jashtë kuvendit.
Duel me faqe t'bardhë trathtari,
Shpirt e fis qi ka kuletën;
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari,
Qi për fis nep gjan e jetën.
Shqynis zani atbotë i humi,
T'huejt mi qafë i a vunë themrën,
E e mloj skami, terri e gjumi,
Djelmt e vet i a lnurën zemrën.
E Shqyptarët jo veç s'e nisen
Për kto punë përjashta Momin.
Por ma fort, medje, e konisen.
Msue gjithmonë me ndërue llomin...
E njikshtu, qitash, njaj i cilli
S'e la mrendë e detit vala,
S'e la ferri, toka e qilli,
N' Shqypni majet porsi njala.

Si lindi “Lahuta e Malcis”

http://www.scribd.com/doc/17180142/Lahuta-e-malsis



Si u krijua një nga veprat më të njohura të letërsisë shqiptare? Autori, një studiues i njohur i Fishtës, tregon rrugët e saj, të cilat ndahen mes mitit dhe realitetit. Akoma më shumë, ai mundohet që përmes Fishtës të tregojë madhështinë e njërit prej njerëzve më të kulturuar të letërsisë shqipe të të gjithë kohërave, por edhe rrekjen se si mundi që kjo vepër të ishte në Panteonin e letërsisë shqiptare. Shkrimi botohet ekskluzivisht për ABC...

1. Hyrja: kur shkruhej Lahuta e Malcis
Këngët e para të Lahutës së Malcis, që kanë si protagonist kryesor Marash Ucin (1110 vargje), Gjergj Fishta i shkroi në verën e vitit 1902 dhe i botoi si libërth më vete më 1905 , ndërsa variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis me 30 këngë (rreth 16 mijë vargje ) e botoi më 1937.

Edhe në këtë këndvështrim, pra, të kohëgjatësisë, në të cilën u shkrua, Lahuta e Malcis është një vepër e veçantë, sepse autori i saj nuk e hoq nga dora për 35 vjet, ndërkohë që krijonte dhe botonte vepra të tjera të rëndësishme letrare e publicistike; ndërkohë që bënte një jetë politike dhe shoqërore tepër aktive, duke qenë protagonist i ngjarjeve të tilla, si: Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj.

Të gjitha këto pika kulmore të historisë së Shqipërisë janë reflektuar drejtpërdrejt në veprën letrare të Fishtës (kujtojmë këtu poezinë “Surgite mortui”-1920(?) dhe poemën satirike “Gomari i Babatasit”-1923) dhe janë pasqyruar gjërësisht në publicistikën e tij (revista “Hylli i Dritës”, gazeta “Posta e Shqypnis” etj), por ai i kthehej dhe i rikthehej Lahutës së Malcis, ndonëse zhvillimet historike në atë vepër ndalojnë me njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Si duket, Fishta ka menduar gjithmonë se kombi i ripërtërirë shqiptar do të kishte nevojë të përhershme të njihte rrënjët e veta epiko-historike, etno-kulturore e deri mitologjike. Dhe këto rrënjë të genit shqiptar (iliro-shqiptar), megjithëse të pashkruara deri atëherë (ose pjesërisht të thëna dhe të (sh)përdoruar prej kujdo), janë më të thellat në truallin ballkanik në krahasim me të gjithë popujt e tjerë fqinjë të shqiptarëve, përfshirë sllavët, përballja me synimet ekspansioniste të të cilëve ndaj trojeve shqiptare përbën konfliktin kryesor të këngëve të para të Lahutës së Malcis , dhe ashtu mbetet edhe në variantin e saj përfundimtar kur ai konflikt zgjerohet duke përfshirë Perandorinë Osmane dhe kancelaritë diplomatike të shteteve më të fuqishëm të kohës.
Ky mesazh artistik i Lahutës së Malcis, për nevojën e njohjes së vazhdueshme të rrënjëve historiko-kulturore, është i rëndësishëm edhe sot në kohërat moderne, kur shqiptarët dhe fqinjët e tyre të Ballkanit synojnë integrimin rajonal dhe më gjërë, sepse integrimi (edhe globalizimi) nuk mund të realizohet duke fshirë kujtesën historike të popujve apo duke shuar kulturat kombëtare. Përkundrazi, pluraliteti i kulturave të pupujve në Evropën e Bashkuar dhe i gjuhëve, përfshirë edhe kulturën dhe gjuhën shqipe, do të stimulohet, sepse, edhe pa njërën prej tyre, mozaikut kulturor të Evropës do t’i mungonte një ngjyrë.
2. Mitizimi i fillesës poetike
Si për çdo vepër tjetër madhore a zbulim me përmasa universale, edhe për Lahutën e Fishtës është kërkuar një frut që bie nga pema mbi kokën e dremitur të autorit për të zgjuar tek ai frymëzimin, si thuhet për mollën e Njutonit. Për Gjergj Fishtën na kanë mbërritur dy tregime që e shpjegojnë zanafillën e Lahutës së Malcis si rastësi, me fjalë të tjera, janë dy përpjekje për ta mitizuar mesazhin ideo-artistik të epopesë kombëtare të shqiptarëve, që, në një farë mënyre, kanë shërbyer edhe për ta keqvlerësuar atë vepër letrare, duke thjeshtëzuar impenjimin e mundimshëm të krijimtarisë më se 35-vjeçare, duke e zhveshur veprën prej vlerave të papërsëritshme e krejtësisht origjinale, duke shkëputur autorin e Lahutës së Malcis prej Zanës së tij të Frymëzimit.
Tregimi i parë e shpjegon lindjen e idesë për t’u shkruar një vepër madhore si Lahuta e Malcis me takimin e rastësishëm të autorit të saj me malësorin e urtë, Marash Uci.
Gjergj Fishta, i lindur në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 dhe shkolluar në Shkodër, në Troshan, dhe në Bosnje (Guçagora, Sutiska e Livno) ku kreu studimet e larta për teologji e filozofi; filloi karrierën e priftit franceskan në Troshan (25 shkurt 1894), në Lezhë e Gomsiqe për t'u vendosur përfundimisht më 1902 në Shkodër. Shokët e tij e njohën si poet që në bankat e shkollës, por në shtyp u shfaq duke botuar me pseudonime të ndryshme poezi në revistën “Albania” të Faik Konicës në vitet 1899-1904. Pikërisht në këto vite (më saktë në pushimet verore të vitit 1902) ai u njoh më bariun, Marash Uci, kur ishte përkohësisht në Rapsh të Hotit për të zëvendësuar meshëtarin e atjeshëm në shërbesat fetare.

Marash Uci (vdiq më 1914), malësori i pashkolluar, që kishte shërbyer si ushtar i Perandorisë deri thellë shkretëtirave të saj, i la Fishtës një përshtypje të veçantë për mënyrën si i gjykonte dhe i tregonte "historitë" e malësorëve të tjerë, protagonistë të pafatë të ngjarjeve heroike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ku Marash Uci kishte qenë një pjesëmarrës aktiv për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Kur Gjergj Fishta u kthye nga Malësia, u tregoi miqve më të afërt vargjet që ai kishte shkruar atje për Marash Ucin. Ata do të këmbëngulnin që ato vargje të botoheshin si libër më vete. Madje edhe e ndihmuan, së bashku me Faik Konicën, duke ndërmjetësuar te Ministria e Jashtme e Austrisë, për mbështetje financiare. Në vitin 1904\5 u botua në Zarë (Kroaci) libri i parë i Lahutës së Malcis.
U botua pa emrin e autorit: Lahuta e Malcis, Kangë Popullore, Bleni i parë. Dy vjet më vonë, më 1907 u botua libri i dytë, "Vranina" me 4 këngë, kushtuar Oso Kukës. Ndërkohë që këta dy libra ribotoheshin ("Vranina" u ribotua 6 herë, ndërsa "Marash Uci" 4 herë, në dy botimet e fundit me titullin "Te Ura e Rrzhanicës"), Fishta shkruante këngët e tjera, të cilat filloi t'i botonte që nga viti 1921 deri më 1937, kur nxori nga shtypi variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis . Që nga ajo kohë e deri më sot Lahuta e Malcis ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit, është përkthyer në italisht (disa pjesë janë përkthyer nga më shumë se një autor) dhe gjermanisht.
Tregimi i dytë rreket të argumentojë se idea për të shkruar Lahutën e Malcis i ka lindur Fishtës edhe më herët, pikërisht kur ishte student në Bosnje, aty rreth viteve 1886-1893, pasi qe njohur personalisht me lirikun kroat, Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908), të cilit në vitin 1892 i kushton edhe disa vargje të shkruara italisht; pasi ka mësuar përmendësh të gjitha vargjet e poemës “Smrt Smail Age Cengica” (Vdekja e Smajl Agë Cengiçit) të Ivan Mazhuranoviçit (1814-1890), të cilin e adhuronte shumë dhe pasi ishte njohur për së afërmi me veprat e autorëve të tjerë sllavë: Andre Kaçiq (1696-1769), Petar Petroviç Njegosh (1813-1851), Gërgo Martiç (1822-1905). Ata që sjellin të tilla argumente shkruajnë se Fishta njihte shumë mirë serbokroatishten dhe shkrimtarët që shkruanin në këtë gjuhë, prandaj i ndikuar prej veprave të tyre, “aty (në Bosnje) erdh idea e parë, me u vu me shkrue Lahuten e Malcis”.
Sipas Fulvio Cordignano, në vitin 1925 Fishta po përgatiste Lahutën e Malcis me 20 këngë. Deri atëherë ishin shkruar 15 këngë, ndërsa pesë ishin në proces krijimi. Në projektin e 1925-ës Lahuta e Malcis fillonte me katër këngët e Oso Kukës (Vranina ripunuar më 1923); vazhdonte me pesë këngët e Lidhjes së Prizrenit, botuar te revista “Hylli i Dritës” 1921-1923; pastaj vinin dy këngë me titull “Lugati” dhe “Kulshedra”, botuar më 1922 dhe dy këngë që do të shkruheshin (“Ora e Shalës” dhe “Ndokshiqi”); vijonin katër këngët nga Marash Uci dhe mbyllej me tri këngët e ciklit Konferenca e Londonit, që Fishta kishte menduar t’i shkruante (“Dedë Gjo Luli”, “Lufta e Ballkanit” dhe “Flamuri i Shqypnis”). Kënga e fundit, “Flamuri i Shypnis”, që, me sa dimë ne, nuk u shkrua ndonjëherë, do t’i kushtohej Princ Vidit.
Tanimë është i njohur fakti se ky projekt nuk u realizua, pasi Fishta pas dështimit të Revolucionit Demokratik Borgjez (dhjetor 1924) u largua nga Shqipëria për t’u kthyer pas tre vjetësh. Në vazhdim, ai ka vendosur të tërhiqet, thuajse krejtësisht, nga jeta politike e vendit për t’u marrë më me përkushtim me krijimtarinë e vet letrare, ku bënte pjesë edhe një projekt më i zgjeruar për Lahutën e Malcis.
Kështu, në vitin 1930 shohin dritën e botimit pesë këngë të reja, kushtuar Pater Gjonit; më 1931 botohet si libërth më vete Lidhja e Prizrenit dhe më 1932 Marash Uci, ripunuar për t’u përfshirë në variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis. Më pas, gjatë viteve 1934-1935, Fishta do të botojë te “Hylli i Dritës” katër këngët për Tringën dhe tri këngë të Konferencës së Londonit. Dy këngët e tjera të këtij cikli do të shohin dritën e botimit vetëm në Lahutën e Malcis më 1937.
3. Çmitizimi: “Idhnim e t’çame krejet\ me t’ba me dalun fejet”
Po të vazhdonim me logjikën e tregimit të parë, do të na duhej të shtonim edhe një hollësi tjetër, që lidhet me komunikimin maksimal që kanë pasur vargjet e Fishtës me vetë malësorët shqiptarë, që atëherë nuk dinin shkrim e këndim. Vargje të tëra nga Lahuta e Malcis mësoheshin përmendsh me një-dy herë të dëgjuara. Tregohet një rast domethënës, kur një malësor i pashkolluar deklamonte vargjet e plota të një kënge nga Lahuta e Malcis.
E pyetën: si e kishte mësuar kur nuk dinte shkrim dhe këndim? Ai u përgjegj se atë këngë e kishte dëgjuar një ditë rastësisht tek e lexonte me zë një i shkolluar: “Ia vuna menden e m’u pëlqye të s’ve”. Kur e çoi në fund, iu luta të ma thotë edhe nji herë. Si ma tha së dyti, e mora krejt”. Nga ky dimension homerik i vargjeve fishtjane, si dhe për shkak të mitit të krijimit të rastësishëm të Lahutës së Malcis, ndoshta, kanë marrë nismë disa studiues, kryesisht të Pasluftës së Dytë Botërore, që e nënçmuan Lahutën e Malcis, duke e quajtur vepër thjeshtë “folklorike” dhe autorin e saj asgjë më tepër se një “rapsod popullor”.
Ndërsa, sipas logjikës së tregimit të dytë, duhet shtuar se ka pasur studiues që kanë arritur në konkluzione edhe më të çuditshme, duke e etiketuar Lahutën e Malcis vepër të frymëzuar dhe të shkruar manastiresh (“kronikë sterile”), apo duke “bërë përpjekje për të gjetur afri, analogji, po edhe reminishenca sllave në veprën Lahuta e Malcis”. Reminishencë është kërkuar deri te titulli i veprës së Fishtës me atë të Petar Petroviç Njegoshit, “Gorskij Vjenac” (Kurora e maleve) ose në krijimin e figurës së luftëtarit shqiptar “sipas modeleve sllave (sic!)” etj.
Është për t’u shënuar se vetë Fishta nuk merakosej shumë për çfarë (do të) shkruanin dhe (do të ) thonin të tjerët për të dhe veprën e tij. Ai ishte i bindur se kishte krijuar një përmendore “rr’fe as mot mos m’e dermue”. Dhe, gjatë kohës që punonte për “Përmendoren” e tij dhe të shqiptarëve, më keq se të thënat e të shkruarat, atij i kishin shkaktuar qëndrimet e mediokërve (“krye-kungujt”) që kishte mbi kokë.

Në këngën e fundit të Lahutës së Malcis, në dialog me Zanën e Frymëzimit (“Hëj, moj Zanë, ti qofsh e bardhë”), Fishta flet për të tridhjetë vitet e tij “purë (përkulë) n’Lahutë t’Malcis”, duke u rrekur “sa u tuer (u tjerr) rrena edhe tradhtia” e duke u përplasur “mriz e n’mriz e lak në lak”. Ky varg i fundit është domethënës për të kuptuar se frymëzimi i tij ka rrjedhur edhe mundimshëm vargjeve “kreshnike” të Lahutës së Malcis “t’u regjë mendja e shqiptarit\ prap për t’gëzue lirinë jetike”. Dhe ajo “liri jetike”, që u kishte munguar shqiptarëve ndër shekuj, i kishte munguar edhe njeriut që mori përsipër të këndojë në gjuhën shqipe rodin e shqiptarit për një periudhë të gjatë kohore, më se 35-vjeçare. Madje, vazhdon t’i mungojë bash për shkak se po shkruan një vepër origjinale, me përmasa të tilla si Lahuta e Malcis, duke kaluar nga njëri rrezik në tjetrin (“lak në lak”).
Njërin prej këtyre rreziqeve (apo pengesë serioze) na e ftillon studiuesi i njohur Injac Zamputi. Ai na kumton një fakt, ndonëse jashtëletrar, por mjaft bindës për të kuptuar lakun në fytin e poetit, ndërkohë që shkruante Lahutën e Malcis. Atë lak ia mbanin lidhur në qafë deri vetë eprorët e Urdhërit të tij Franceskan, ndërkohë që ia lavdëronin publikisht veprën dhe e mitizonin si poet të vetëvetishëm. Duke iu referuar gjithnjë studiuesit Injac Zamputi, këta eprorë, kryesisht me kombësi jo shqiptare, të cilët Fishta i quan krye-kunguj, “sipas rregullave të Urdhrit (Franceskan), i kërkonin atij punë të tjera, duke ia penguar punimet poetike. Dhe, pse jo? I kërkonin të hiqte dorë nga idetë dhe veprimtaritë kombëtare”.
Është viti 1916, kur Fishta e ndien veten kaq tepër të rënduar prej qëndrimeve të tilla, sa shprehet në disa vargje, mbetur dorëshkrim, diku në një libër të tij, se nuk përfitoi asgjë për këngët e Lahutës së Malcis, që kishte shkruar deri atëherë, veçse “idhnim e t’çame krejet\ me t’ba me dalun fejet”.
Dhe, pavarësisht nga të gjitha këto kokëçarje jo të vogla, geni i poetit te Fishta dhe vullneti i tij shembullor, nuk rreshtën së krijuari Lahutën e Malcis. Edhe për këtë fakt kemi të bëjmë me një vepër të madhe dhe të papërsëritshme në llojin e vet. Ai i përjetonte për një kohë të gjatë brenda vetes emocionet e fuqishme të heronjve epikë të Lahutës së Malcis, prandaj vargjet i shkrunte kudo e në çdo kohë: kur e dërgonin famullive të largëta (cikli i Marash Ucit u shkrua në Hot); kur bënte udhëtime të gjatë ( dihet se “Lugati” u shkruar kur udhëtonte në një anije për në Amerikë); kur kishte nevojë të shlodhej nga punët e rëndomta e vinte në Lezhë, ku dihet se ka shkruar njërën prej këngëve më të bukura të Lahutës së Malcis, atë me titull “Koha e Re” etj.
Njohja e rrethanave specifike individuale të realizimit të krijimtarisë ka një rëndësi të dorës së parë për studiuesit, veçanërisht, kur kërkohet të depërtohet thellësive të përftesave artistike të fjalës apo vargut të një vepre letrare si Lahuta e Malcis, ashtu si marrin rëndësi të konsiderueshme edhe veprimtaria shoqërore e autorit, formimi i tij kulturor, idetë në raport me kohën dhe preokupimet gjithfarëshe të jetës së përditshme.
Në rastin e Fishtës duhen vlerësuar edhe rrethanat historike e politike të mjedisit shqiptar: ciklet e Marash Ucit dhe të Oso Kukës u shkruan në kushtet e robërisë pesëshekullore; cikli Lidhja e Prizrenit u shkrua pas Konferencës së Paqes së Parisit, e cila bëri të njohur Shqipërinë; ciklet e Pater Gjonit dhe të Tringës u shkruan pas shpalljes së Monarkisë; ndërsa e gjithë vepra u botua me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Tjetër që ka ardhur në formën e amanetit letrar të Fishtës në çastet e fundit të jetës, kur përmend Lahutën e Malcis, nevojën për të shkurtuar ende disa vargje te kënga e parë dhe “lirimin prej përsëritjeve” të këngëve të fundit.
Por edhe pasi e kishte bërë botimin e plotë të Lahutës së Malcis, Fishta nuk u nda prej veprës së vet. Ai mendonte ta rishikonte sërisht atë vende-vende. Një dëshmi e Viktor Volajt thotë se “dy muej para deket, qortuem bashkë me Poetin (Gjergj Fishta) tremëdhetë kangët e para të Lahutës (së Malcis)”. Është kuptimplotë edhe dëshmia tjetër që ka ardhur në formën e amanetit letrar të Fishtë në çastet e fundit të jetës, kur përmend Lahutën e Malcis, nevojën për të shkurtuar ende disa vargje te kënga e parë dhe “lirimin prej përsëritjeve” të këngëve të fundit.
Lexuesi i këtyre radhëve, duhet të ketë arritur në përfundimin se një vepër madhore si Lahuta e Malcis, mbi të cilën poeti ka punuar thuajse gjatë gjithë jetës së tij, as sesi nuk mund të justifikohet me tregime që shpjegojnë fillesat e saj si rastësi, as të gjykohet duke e krahasuar me shabllone veprash të krijuara në rrethana të ndryshme kohore e mjedise etno-kulturore të tjera.
Ajo duhet pranuar siç është, duhet studiuar në lidhje me gjuhën në të cilën u krijua dhe zërin me të cilën u këndua\deklamua tubimesh apo në mënyrë individuale. Lahuta e Malcis duhet pranuar së bashku me autorin e saj që e mbajti në gji aq gjatë sa çdo këngë e varg u identifikua me shpirtin e tij dhe të popullit që e kishte dhe e ka. Lahuta e Malcis është vetë modeli i eposit poetik kombëtar, një poemë me vlera artistike të papërsëritshme, që, “porsi vena e mirë, sa ma shumë vjet që kalojnë aq ma vlerë merr”(Lambertz) .
Fundshkurti 2005
Shënime
1.Vepra mban titullin Lahuta e Maltsiis. Kangë Popullore. Te Ura e Rxhanitses. Marash Utsi; ka 5 këngë (1.Marash Uci; 2. Besa e Lidhun; 3. Kushtrimi; 4. Lufta; 5. Kasneci) me 1110 vargje. Ajo u botua në Zarë, shtypshkronja “Vitaliani”, pa emër të autorit dhe pa vit botimi, prandaj disa mbajnë si vit botimi 1904. Mund të merret si vit botimi 1904, sipas studiuesit Fulvio Cordignano në “Epopeja Komtare e Popullit Shqyptar”, Shkodër 1925.

2.Numri i vargjeve të Lahutës së Malcis na vjen i ndryshuar: 15 610 (Benedikt Dema, “Biobibliogaria e Atë Gjergj Fishtës”, 1943), 16 838 (Karl Gurakuqi, “Shkrimtarët shqiptarë”, pjesa II, Tiranë 1941, f.25), 15 613 (Pal Duka-Gjini, “Jeta dhe Vepra e Gjergj Fishtës”, Asizi, 1992, f.193).

3.Fulvio Cordignano, duke folur për ciklet e para të Lahutës së Malcis, për “Marash Ucin”, 1904 dhe “Vranina”, 1907, shkruan: “Shkurt, dy poemet e para janë krejt e veç kundra malazezve të Knjaz Nikollës”, Cordignano, vepër e cituar, f.35. Shih edhe Eqerem Çabej, “Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe”, Tiranë 1936, f.50-51.
4.Pal Duka-Gjini, vepër e cituar, f.41- 42.
5.At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis. EPIKA.- Shkodër, Shtyp.Franç. 1937. –Në 16 fq.511, IV.

(Përmbajtja: 1. Cubat; 2. Oso Kuka; 3. Preja; 4. Vranina; 5. Deka; 6. Dervish Pasha; 7. Kuvendi i Berlinit; 8. Ali Pasha i Gucis; 9. Lidhja e Prizrendit; 10. Mehmet Ali Pasha; 11. Lugati; 12. Marash Uci; 13. Te Kisha e Shnjonit; 14. Te Ura e Rrzhanicës; 15. Kasneci; 16. Kulshedra; 17. Në Qafë-Hardhi; 18. Te Ura e Sutjeskës; 19. Pater Gjoni; 20. Lekët; 21. Ndermjetsija; 22. Tringa; 23 Ke Tbanat e Curr Ulës; 24. Zana e Vizitorit; 25. Gjaku i marrun; 26. Koha e re; 27. Xhemjeti; 28. Dedë Gjo’Luli; 29. Lufta e Ballkanit; 30. Konferenca e Londonit).

6. Fulvio Cordignano, vepër e cituar, f.28
7. Lahuta e Malcis e vitit 1925 kishte këto këngë: 1. Cubat; 2. Oso Kuka; 3. Preja; 4. Vranina; 5. Dervish Pasha; 6. Kuvendi i Berlinit; 7. Ali Pasha i Gucis; 8. Lidhja e Prizrendit; 9. Mehmet Ali Pasha; 10. Lugati; 11. Kulshedra; 12. Ora e Shalës; 13. Nokshiqi; 14. Marash Uci; 15. Besa e lidhme; 16. Lufta; 17. Kasneci; 18. Dedë Gjo’Luli; 19. Lufta e Ballkanit; 20. Flamuri i Shqypnis (a Vilhelm
Vidi).- Këngët e nënvizuara nuk ishin shkruar ende.- Fulvio Cordignano, vepër e cituar, f.39-40.

8.Mark Harapi, “Misioni i lartë i poetit tonë kombëtar” te At Gjergj Fishta 1871-1940, përgatitur nga Pashko Bardhi, 1943, f.520.
9.Safet Hoxha, Çështje të marrëdhënieve të Fishtës me disa poetë kroato-dalmatinë e Boshnjakë, At gjergj Fishta, komb-letërsi-gjuhë, Universiteti i Shkodrës, 1997, f.24.
10.Safet Hoxha, vepër e cituar, f.22. Shih edhe Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997, f.300: “Nuk është rastësi që titulli Lahuta e Malcis është mjaft i ngjashëm me titullin Gorskij vjenac 1847 (Kurora e maleve), poemë epike e Njegoshit për qendresën heroike të Malit të Zi ndaj pushtuesve turq, e cila tani përgjithësisht konsiderohet si eposi kombëtër i malazezëve dhe serbëve”.
11.Safet Hoxha, vepër e cituar, f.22.
12.Citimet nga Lahuta e Malcis jan marrë nga Vepra 4, Lezhë, 2003
13.Injac Zamputi, Fishta - koha, njeriu, vepra, Pasqyra, Tiranë 1993, f.37.
14.Injac Zamputi, vepër e cituar, f.36. Ja të gjitha vargjet, siç i ka riprodhuar Injac Zamputi:
Shqyptar!
Ket kangë veta e kam shkrue,
Por m’thuej ça kam fitue?
Idhnim e t’çame krejet
Me t’ba me dalun fejet! –
E pra tash kallxon moti
Se a kjeçë kangtar i zoti.-
Por s’asht për t’u çuditun,
Pse kur mi dhe t’kobitun
Krye-kungujt vehen t’parë,
Vaj-halli! Për kangëtarë...
Ani, krye-kungujt desin
Por kangët e mija jesin.
(pikat janë të Fishtës – IZ)
15.Karl Gurakuqi, vepër e cituar, f.161
16.Viktor Volaj, parathënie te Mrizi i Zanavet, botim i katërt, Shkodër, 1943, f.VII.
17.At Gjergj Fishta, përgatitur nën kujdesin e at Benedikt Demës, Tiranë 1943, f.345-346.

Poezitë origjinale të Budit - (Studim)


Nga Behar Gjoka
Krijimtaria poetike e Budit, e shtrirë në tre librat kryesorë, tashmë duhet shqyrtuar në nivelin e prurjes dhe origjinalitetit. Emërtimet se poezia e tij është e përkthyer, e përshtatur dhe origjinale, duhen shtjelluar vëmendshëm. Poezi të përshtatura, domethënë që janë pjesërisht të autorit, ku gjithsesi mbetet pezull pronësia.

Kërkimi në veprën poetike ku gjallojnë mbi 3.200 vargje, nga të cilat 3.133 janë në gjuhën shqipe dhe pjesa tjetër në latinisht, do të përbënte një objekt shqyrtimi interesant dhe të dobishëm. Në vazhdën e poezive të përshtatura futen dy poezitë e para të “Doktrinës së Krishtenë”. Megjithëse këto dy poezi janë shkruar më parë, siç bën me dije vetë Budi, nga Pal Hasi. Deri më sot askush nuk ka rënë në gjurmët e teksteve të Pal Hasit. Mungesa e tyre krijon vështirësi serioze për të interpretuar dallimet midis teksteve poetike të të dy autorëve. Më e bukura është se këtë problem e ka krijuar vetë Budi, për çka duhet t’i jemi mirënjohës, sepse me emocion dhe përdëllim e përmend në parathënien e librit të parë.
Në kuptimin artistik dhe stilistik këto poezi i përkasin Budit, si rishkrim poetik, natyrisht poezi me shtysë nga vargjet e Hasit.
Një grup më i madh i vjershërimit të poetit janë poezitë e përkthyera. Lidhur me këtë grupim të poezive ngrihen disa ledhe të larta, të cilat e pengojnë analizën dhe shtjellimin e tyre.
A - Nga cilat gjuhë i mori këto poezi shkrimtari ynë? Fakti që ka shkruar në latinisht, një pjesë të ndërhyrjeve në të tre librat, si dhe disa poezi tek “Rituali”, si dhe italisht relacionin për Kardinal Gocadinon, po ashtu edhe komente të autorit në dy librat e parë, formalisht tregon se dy gjuhët më të mundshme janë italishtja dhe latinishtja.
Midis këtyre dy gjuhëve, po të nisemi nga fakti që dy librat e parë, “Doktrina” dhe “Pasqyra”, janë marrë nga gjuha italiane, ka më shumë gjasa që edhe poezitë të jenë marrë nga kjo gjuhë.
B - Një çështje më vete përbëjnë librat dhe autorët ku P. Budi u mbështet për të përkthyer dhe hartuar poezitë e tjera. Megjithëse pati ndonjë rropatje të pangjashme siç është rasti i R. Elisies për t’ia shënuar paratekstin poezisë së dytë të “Doktrinës”, kjo poezi është shkruar më parë nga Pal i Hasit, e mandej është rishkruar nga Budi. Kërkimi i teksteve dhe parateksteve ku është bazuar poeti, megjithatë, mbetet në nivelin fillestar. Niveli i shqyrtimit të gjertanishëm e bën domosdoshmërish parësore çështjen e qëmtimit dhe gjetjes së teksteve të shfrytëzuara prej shkrimtarit.
 Porse, edhe në këtë situatë të ndërlikuar, nisur nga tekstet poetike të pranishme në librat e Budit, diçka mund të interpretohet. Kështu, poezia e tretë i kushtohet mëkatit të Adamit dhe Evës, dhe i përket Besëlidhjes së vjetër. Në grupin e poezive përkushtuar dy njerëzve të parë hyjnë edhe poezia e katërt, ku zbulohen pasojat e mëkatit të parë, si dhe poezia e pestë, që sendërton bashkëbisedimin sipëror të këtyre qenieve. Po ashtu, poezia e gjashtë lëvron motivin e këtij cikli, si përjetësi e mëkatit.
Këto poezi i përkasin “Dhiatës së Vjetër”, prandaj realisht është e pamundur t’i gjesh autorët ku është mbështetur poeti. Kënga e shtatë e “Doktrinës” paraqet “historinë” e vëllavrasjes, sipas Biblës, që siç përmend Budi në vargjet e tij: “Pasi shatë ndë ligjt plakë”. Edhe poezia e tetë duke trajtuar motivin e shpëtimit të njerëzve nga Noe detyrimisht përfshihet në krijimet e “Dhiatës së Vjetër”. Sa i përket këtij grupimi të poezive, mbetet për të rrëmuar dhe gjetur gjuhën nga i mori, sepse Besëlidhja plakë nuk ka autor.
C - Një grup më vete përbëjnë poezitë, të cilat i marrin motivet nga “Dhiata e Re”. Këtu përmblidhen shtatë poezi të “Doktrinës” dhe një poezi e “Pasqyrës”. Në këtë rast vështirësitë janë disi më të mëdha. Librat e “Dhiatës së Re” janë katër, përkatësisht (Luka, Mateu, Gjoni dhe Marku), dhe nuk është e lehtë të përcaktohet se në cilin prej tyre është mbështetur më shumë poeti. Gjithashtu, një problem i shtuar për zgjidhje është edhe gjuha nga janë marrë motivet e këtyre poezive. Një çështje kyç e krijimtarisë poetike që kërkon përqendrim dhe shqyrtime specifike është edhe niveli i përkthimit.
A janë përkthime të mirëfillta ku duhet interpretuar aftësia e sjelljes në shqip? Apo janë të përshtatura, domethënë është vënë dorë në tekstet burimore? Poezitë ka mundësi të jenë rishikuar. Pra, shtysa merret nga poezi të caktuara dhe në strukturë konceptimi dhe figurshmërie, poezitë rishkruhen nga e para. Gjetja dhe sidomos argumentimi i këtyre hallkave është nga pikat më të mprehta të poetikës së Budit. Vihet re se edhe poezitë e përkthyera, të të dy Dhiatave, vijnë me mjetet tipike të vjershërimit të Budit, posaçërisht tetërrokësh trokaik, strofik katërsh dhe stilit të ngjeshur figurativ.
Ka gjasa që shumica e këtyre poezive të jenë të nivelit të ripërkitjes artistike ose të përkthimit, të çliruara nga rregullat.
Ripërkitja artistike e tiparit të përputhur në poetikën e Budit, si varg me tetë rrokje, si strofa me katër vargje dhe, kryesisht me rimë të alternuar, lëndën e këtyre poezive e vendos në situatë të dyzuar, ku është tejet e vështirë të kapet kufiri ndarës ndërmjet përkthimit dhe pronësisë autoriale.
Në grupin e poezive të krijuara nga vetë Budi futen katër poezitë e fundit të “Doktrinës”, dy nga poezitë e “Pasqyrës”, si dhe poezia e vetme në gjuhën shqipe që gjendet tek “Rituali”. Pra, në poezitë përfshihen gjithsej shtatë poezi, që shkojnë në 650 vargje gjithsej. Vargjet e këtyre poezive janë origjinale, ideuar dhe shkruar prej Budit.
Së pari, në këto poezi lëvrohen edhe motive të tjera, si fati i gjuhës shqipe të trojeve dhe banorëve arbëreshë kudo që jetojnë. Prania e këtyre shqetësimeve shënon të parën përpjekje për ta çliruar poezinë prej vellos fetare.
Së dyti, materia poetike e këtyre poezive shpalos gërshetimin e problematikës fetare me atë jofetare. Gjendja e arbëreshëve, përpjekja për kryengritje, si dhe roli i gjuhës shqipe e kapërcejnë ndjeshëm subjektin fetar të mirëfilltë të poezive të grupimeve të mëparshme.
Së treti, prania e unit lirik më të çliruar nga moraliteti fetar, krahasimisht me poezitë e tjera të autorit. Këtu heroi lirik pothuajse identifikohet, ndërsa në pjesën dërrmuese të poezisë është i padukshëm dhe i shkrirë në përmasën fetare të unit të pashpallur.
Identifikimi i unit këtu vjen natyrshëm dhe si befasi poetike. Vjen natyrshëm, sepse Budi zbulohet qëllimisht për të shënuar vetëdijen gjuhësore, vetëdijen e kombësisë, e gjithashtu vetëdijen letrare.
Zbulohet si befasi poetike ngase brenda lëndës fetare ndërfutet substanca jofetare e problematikës gjuhësore, dhe më gjerë duke i dhënë poezisë së Budit dimensione përtej fetare.
Në vargjet: “Sqip të mundënj me rrëfyem. Ndonjë kombë të re” (1986: 231) shpalohet vetëdija e gjuhës shqipe, si element identifikues themelor, porse ato dëshmojnë dëshirën e poetit për të shënjuar shqipen si gjuhë arti, e kundruar si “kombë të re” ku plazmohet hapur vetëdija poetike. Një studim i papritur i përzierjes së rrezatimit universal më këtë element, madje qartazi pohojnë vetëdijen letrare të autorit, për t’u shprehur në gjuhën e vet, vetëdije e formuluar qartësisht, sepse në gjuhë vegjetojnë gjurmët e jetës universale, pandarasi me to, rrënjët e kombit arbënor. Thjeshtësia e vargjeve:
“N’dorë e merri, e këndomi
Iu ap dim ne kënduom
Kim veshët e ndëgjoni
In gi dim me ndëgjnoni”,
(1986, 253 një tekst poetik shumëplane).
Aty duken shenjat e lutjes, porosisë, kërkesës së vetëdijshme. Shpërfaqet një lloj stilesh poetike, përplotësuar thelbësor të ngjizjes artistike:
- Nevoja e prekjes së librit me lutjen urdhërore të vargut të parë.
- Nevoja e leximit të tekstit poetik, si formulë bazë “e këndomi”.
- Nevoja e dëgjimit tashmë si ligjërim urdhëror i vargut të tretë, të vetë natyrës së poezisë si këngë, e cila duhet dëgjuar.
Vetëdija letrare, në formën e përshtatjes poetike personale, vjen e artikuluar në vargjet:
"Këto fjalë i ligjëroni
Si kombë tue kënduom,
E me za t’i .....
Fort t’ambël e të ngushëlluam”
ku formatohen disa prej përbërësve tekniko-emocional të artit të poezisë:
-Teknika e përcjelljes, si mënyrë thelbësore ekzistenciale e artit poetik, posaçërisht në shprehjen “Fjalë i ligjëromi”.
-Teknika e përjetimit si “Komb” e mendësisë popullore, si dhe e rrethanave shkrimore mbi poezinë.
- Teknika e tonit dhe shprehësisë e formuluar me vargun e tretë.
- Teknika e sugjestionit, e shpaluar në vargun fundit, që e mbivlerëson emocionalitetin, si mëma dhe arti i letërsisë.
Vargjet:
“Posi mendia më përcill
Nd’ Arbënë ne na dërguon,
Për kishë e për mëmështir
Pak ndë mend ne i trazuom...” (1987:263)
evidentojnë karakterin utilitar dobiprurës të librit, padyshim edhe të poezisë, në dy rrafshe:
1-Në Arbën dhe për shqiptarët që kanë vënë në amulli dhe tjetërsim shpirtëror
2-Për kishat dhe manastiret (edhe si tekste mësimore) sidomos për katolikët që gjendeshin të rrezikuar seriozisht nga murtaja e konvertimit fetar.
Pranëvënia e vetëdijes atdhetare dhe fetare, si bashkëshoqërim dhe bashkëveprim unik, shënjon rrezatimin e dyzuar, si akt sublim autorial dhe priftëror, për të zgjeruar hapësirën ndikuese mbi bashkatdhetarët si njeri, bari shpirtëror, edukator dhe si poet.
Në vargjet;
“këtë kafshë (libër) me mbaruem,
Qi e parçë si detyrë,
Natë e ditë tue shkruam
Zemra me gjet të lirë..” (1986:275)
zbulohet jo vetëm kënaqësia e përfundimit të kësaj pune, por ato thjesht dhe pa nëntekst evidentojnë vetëdijen e realizimit të librit, si:
-Fakt i përfunduar,
-Fakt logjik i sipërmarrë,
-Fakt i stërmundimshëm,
-Fakt i çlirimit vetjak,
që rezultojnë edhe si shtylla bazale të vetëdijes krijuese, të artit përgjithësisht, dhe si pika vlimi të poezisë veçanërisht. Një cilësi vetanake shpalohet në vargjet:
“Nd’ Arbënë me ua dërguom,
Sikur një pasqyrë,
Ndë të cit tu’ shukuom,
Të mçilenë ma mirë” (1986:277),
që e shpërfaqin të plotë origjinalitetin e poezisë së Budit, si artikulim dhe shprehësi, sepse:
-Shpallet qëllimi i shkrimtarit për realizimin e librit të dytë, si dhe vlerësimi i poezisë si art.
-Krahasimi i librit me pasqyrën zbulon dhe përthekon vlerat e librit
-Detyrimin shpirtëror, fetar dhe human për t’u vërshuar në të dhe për të pastruar mbetjet.
-Uni lirik i poetit, që e shpall si të shenjtë dashurinë për Arbërinë.
-Në vargjet:
“Këtë kafshë me mbaruam; që paçë për detyrë,
Natë e ditë tue shkruom; zemra me gjet të lirë,
Shokëve me ua dërguom; sikur një pasqyrë...”(1986:281),
shpalohen dy ndryshime thelbësore në teknikën shkrimore të letërsisë:
-Shkrimi në vargun 16-rrokësh ose në 8-rrokëshin e dyzuar, që ka në bazë tetërrokëshin trokaik.
-Shkrimi me vargun monokolor, pra duke shmangur strofat.
Këto ndryshime kanë vlera fondamentale për shkrimin e poezisë së mëvonshme. Gjithashtu, këto vargje të poezisë së vetme të “Ritualit”.
-Janë të njohura, sepse rimarrin të plotë mesazhin e poezisë së fundit të “Doktrinës”.
-Janë të barabarta me vargjet e poezisë së tretë të “Pasqyrës”.
-Janë të papërfillshme ndryshimet ndërmjet tyre qoftë si mesazh, qoftë si shprehje.
Hamendjet e ndryshme vijnë nga natyra e teksteve poetike të autorit, në kuptimin e interpretimit të vjershërimit të tij, si një krijimtari komplekse, brenda rrethanave të lëvrimit, ku teknika e përsëritjes, me dijen e vetëdijshme të domosdoshmërisë të tërheqjes së vëmendjes, të prekjes së shpirtit dhe arsyes, përsëritja e bartur në të tria veprat, në rastin e poezisë së Budit është shenjë e origjinalitetit poetik.

OLTA GREM- Shqiptarja që pozon nudo në Itali, por që ëndërron të bëhet mjeke




Çfarë kanë të përbashkët Sara Lleshi, Anila Resuli, Alma Ajazi, Xheni Çuni, Lorena Çika dhe së fundi Olta Grem? Janë të gjitha vajza shumë të bukura, shqiptare dhe kanë guxuar më shumë se disa modele të tjera shqiptare, sepse kanë pozuar nudo. Aktivitetet e tyre nuk janë zhvilluar brenda kufinjve të Shqipërisë, maje ato as janë rritur në Shqipëri, përjashto këtu Sara Lleshin, e cila ka lindur dhe jeton në Maqedoni. Mbase edhe fakti që janë rritur me një kulturë perëndimore ia ka bërë akoma më të lehtë vajzave që të mos ndihen keq teksa pozojnë të zhveshura para aparatit të fotografit. Për Almën, Xhenin, Lorenën ne kemi folur edhe herë të tjera, për mënyrën si e kanë nisur karrierën në fushën e modës për të arritur në një hap më të guximshëm, siç është të pozuarit nudo. Të gjitha këto vajza kanë pasur fatin të jetojnë në një vend ku një personazh VIP femër, në një moment të caktuar të karrierës së saj, qoftë si këngëtare apo aktore, ka pozuar nudo, duke e konsideruar si një hap normal në karrierën e tyre. Pa dyshim, këto femra janë 

joshur nga pagesat marramendëse që bëhen në këto raste. Prandaj, dhe këto vajza shqiptare shumë të reja në moshë, kanë parë zhveshjen jo si diçka vulgare dhe atribut i njerëzve të panjohur pasi tradita fliste krejt ndryshe. Kësaj here do të flasim për Olra Grem, një tjetër shqiptare që ka zbuluar hiret e saj kur ka pozur për një kalendar italian. Ajo që kur është prezantuar për herë të parë ka rrëfyer se vjen nga Shqipëria, është 19 vjeçe, ka mbaruar studimet në Pescia, një krahinë të Pisojës në Itali. Olta ka patur fatin që të pozojë përkrah shumë modelëve të famshëm, që kanë një karrierë të gjatë si top modelë. Fama e saj tashmë ka kaluar kufijtë e Italisë, për t’u bërë e njohur në mbarë Europën, por në Shqipëri, në vendlindjen e saj, ajo njihet pak. Tashmë vajza superseksi zeshkane është vendosur në Toskana, ndërkohë që është përzgjedhur nga një agjensi modelesh në Firence, ku kontratat për punë nuk i mungojnë. Në intervista të ndryshme, Olta ka pohuar se pozimi është një hob i saj, por mbetet gjithsesi sekondar pasi vitin tjetër ajo dëshiron t’i futet studimeve për mjeksi, por që gjithsesi ëndrra e saj e madhe është të vazhdojë të punojë edhe si modele. Por ëndrrat dhe ambiciet e Oltës nuk mbarojnë me kaq, pasi është pikërisht agjensia e Firencës që e ka propzuar Oltën si një aktore të mundshme tek disa regjisorë shumë të njohur atje, duke parë dësirën por edhe talentin e saj për të aktruar. Olta ka thënë se do të jepte gjithçka që të luante në një film me Castelliton dhe Mucinon, dy nga aktorët më pikantë të kinematografisë italiane.

MYZAFER ZAHO, PILOTI SHQIPTAR I FLUTURIMEVE NDËRKOMBËTARE


Kulture







nga Riza Lahi         

Lexuesi im! Të lutem, për disa çaste, mbështete ballin mbi të dyja pëllëmbët dhe kujto veten tënde në marsin e ’97. Për shembull datat 15-16. Apo më parë a më vonë. Çfarë ke menduar? Të ka shkuar mëndja te vdekja në vetminë tënde? Si ecje rrugës?
 Më tregonin se adoleshentë vlonjatë me kallashët e grabitur nga depot e ushtrisë, merrnin nishan njerëz që shkonin rrugës; se në zonën e Lezhës, matit e Tepelenës plaçkiteshin autobusët e pasagjerëve... Një inxhinier shkodran që ruante fabrikën e drurit “10 vëllaznit”, kur hynë maskat për të plaçkitur me kallashnikovë, ka dëgjuar: ”Qenka profesor Fredi, mos e vri; ec të ikim”.
Unë i lashë sime shoqeje të gjithë rezervën e parave dhe u nisa në vendin që më kishte bërë kokën – në Shkodër ku provova llahtarën e të parit të qytetit tim të zhurmshëm e të hareshëm, krejtësisht bosh që në orën 2 të drekës, ndërsa netëve djalëria me kallashë, ndërsa bënin shaka me njëri tjetrin me bukurinë e shpirtit të rinisë, ruanin mëhallat e tyre nga sulmet e mundshme të bandave malazeze, serbe apo plaçkitëse. Nëpër shtetin e rrënuar plotësisht, kur e tërë flota luftarake detare kaloi në Itali e mbushur përdëng me emigrantë që kërkonin t’i largoheshin atdheut si ai të ishte lebroz, kur helikopterë të ushtrisë kapërcyen Adriatikun të gjenin strehim te vendi ku valavitej flamuri italian, nën hijen e tij; kur diplomatët e shtetit nëpër ambasada kërkonin strehim politik dhe shteti qe shkërmoqur si prej rëre, kur Shqipëria kalonte nga ditët me të ndyra të historisë së saj, kishte një institucion shtetëror që funksiononte ende. Që funksiononte me rregull të plotë, ishte aeroporti ndërkombëtar i Rinasit që ruhej nga një grup burrash të shtetit shqiptar, me në krye Kapllan…

Dhe mes ruajtësve të Rinasit, një aeroplan ngrihej e ulej nga 6–7 herë në ditë. Aeroplani kishte stampat shqiptare. Nisej përdëng, me dy tre njerëz përmbi kapacitetet e ndenjëseve dhe kthehej krejtësisht bosh. Nisej drejt Janinës, Selanikut apo Barit, ndërsa pasagjerët pritnin radhën thuajse me rregull të plotë për kushtet e sikletshme pafund, ndërsa ngado ndjeheshin krisma armësh. Dy plumba kallashnikovi kishin shpuar edhe trupin e aeroplanit EMB-110 të shoqërisë së parë private ajrore shqiptare ADA – AIR, që po e guidonin dy trimat – heroi i tregimit tonë, Myzafer Zaho dhe kolegu i tij Bujar Tollkuçi.
E kishin shpuar në ajër apo në tokë? Dy shokët e mi të shtrenjtë, nuk e morën vesh asnjëherë dhe as e bënë bujë kurrë, por, si u riparuan strofullat e plagëve të marra të aeroplanit, vazhduan ritin e tyre të përditshëm, 6–7 fluturime në ditë dhe thuajse pa asnjë shpërblim ekstra material. Disa nga parallinjtë tanë të parë, kur ka qenë puna për të fituar para, iu erreshin sytë me grykësi përbindëshi. Gjithsesi, pronarët e parë të shoqërisë ajrore ADA-AIR, shqiptari Marsel Skëndo dhe francezi Zhulien Roshe, në ata ditë të rënda marsi, kanë pjesë të rëndësishme në heroizmin e kryer me makinën e tyre ajrore. Ata kanë kontributin e tyre vendimtar që nëpër axhanset e rruzullit, si flitej për kolapsin total të shtetit, flitej që, aeroporti i vetëm ndërkombëtar i “vendit të shqiponjave”, funksiononte, megjithëse, pa përjashtim, që të gjitha shoqëritë ajrore që operonin atje, i kishin lënë pendët. 

XHA MATANI DHE FËMIJA I TIJ QË FLUTUROI NË MOSHËN 14 VJECARE
 Familja labe e dy vëllezërve nga Brataj, Matan Zaho, ish nëpunës i administratës zogiste dhe më pas i administratës fashiste dhe Jaupi Zaho, bletërritës i njohur, përbëhej nga njëzet frymë. Kur kishte filluar lufta partizane. Tanimë aktiviteti ilegal i Matanit 40 vjeçar kishte nisur të merrte erë. Të dhënat vinin se ai po përgjohej. Babai i 6 fëmijëve (dy i lindën më pas) mori malin me çetat partizane duke lënë gjithçka në dorën e së shoqes besnike, Nuries së fortë dhe të guximshme nga Tërbaçi dhe, patjetër, edhe nën kujdesin e vëllait – mjeshtrit të njohur në tërë Vlorën për bletët. Të gjithë partizanët e quanin komandantin e tyre “Xha Matan” dhe, trimit sybardhë kjo nofkë i pëlqente. Matan Zaho modest dhe fjalëpakë, që të merrte gjak në vetulla, që të gjithë bashkëluftëtarët e tij, do ta kujtonin ditën kur e përcollën si pasojë e kancerit në varreza, me 14 korrik 1960 , jo vetëm ndershmërinë e tij puritane, për karakterin e papërkulur dhe pasionin për t’u hedhur drejt rrezikut pa bërë asnjë llogari,por edhe për diçka të veçantë gjatë luftës.
 Një të veçantë që u përsërit me qindra herë nga luftëtarët kosovarë të fundshekullit ë kaluar – përkujdesin e veçantë ndaj vajzave luftëtare. Kur bëheshin tubimet e para betejave apo gjatë tyre, që të gjithë duhej të dëgjonin këshillën urdhëruese të “xhajës” 41 vjeçar. “Le të vriten djemtë më parë, pastaj u vjen radha për t’u vrarë vajzave“. Myzaferi ishte 3 vjeçar kur familja e tij u vendos në Tiranë, diku në njërën prej lagjeve të saja më të varfra, në “brrakë”, ku kishte shumë edhe jevgj, të cilët piloti ynë vazhdoi t’i respektonte tërë jetën duke mos i njohur dhe duke i përbuzur ndjenjat raciste.
Gëzimi i papërshkruar se, nga tridhjetë fëmijët shqiptarë që do të iknin me pushime ne kampin e pionierëve të asaj kohe “Vilhelm Pik” të R.D.Gjermane, ja, ishte dhe një 14 vjeçar nga lagja e varfër e Bërrakës, nisi të shoqërohej me një shqetësim të madh. Babai i pionierit të shkëlqyer në mësime dhe në aktivitete sportive, Matan Zaho, po kalonte grahmat e fundit në shtrat nën përkujdesjet prej shqiponje të së shoqes. Kur vinte në vete, Xha Matani kërkonte fëmijët t’i përkëdhelte, i donte që të tetët në krah, Dyzelbien, Agon, Hajrijen, Dinen, Violetën, Myzaferi, Rolandin dhe, më të voglin e fëmijëve që e përkëdhelte më shumë, Avniun 6 vjeçar. E shoqja, Nura, ia sillte me një të thërritur që të gjithë. Tetë fëmijë. Gjendja ekonomike ishte jo e mirë. Njëri nga fëmijët do të shkonte në shkollën e mesme atë vit – Myzaferi. Matan Zaho ia përsëriti edhe një herë dëshirën e tij që, së paku, njëri prej fëmijëve të bëhej oficer.
Oh, në fillim le të shkonte në shkollën “Skënderbej”, po, po, Myzaferi, e cili tjetër? Kur ende sytë ishin të skuqur nga të qarët e atij 14 korriku 1960, po afrohej si një falangë e stërfuqishme data 20 korrik. Atë ditë , me një aeroplan të linjës ajrore Rinas – Berlin, do të fluturonin fëmijët nga Shqipëria, për pushime. Nëna e fortë vuri veton. Po! Ajo ia bëri plaçkat djalit gati , ia futi në një valixhe të vjetër dhe ia krehu vetë flokët kaçurrelë ngjyrëmjaltë, duke i vënë fshehur diku një hudhër, për të mos ia marrë mësysh bukuroshin e saj që do të largohej një muaj nga shtëpia dhe që, sapo kishte shtënë në dhe të atin. Që të gjithë, vëllezër e motra, gjetën forca për t’i buzëqeshur dhe puthur me dashuri vëllain e tyre që, jo vetëm se do të dilte jashtë shtetit, por do të shkonte me aeroplan. Me një aeroplan të madh. I cili do të linte mbresa të pashlyeshme në shpirtin e adoleshentit, që u bë nga pilotët më të njohur të vendit, duke fluturuar 40 vite papushim...
Kur u kthye nga Berlini, plot mbresa, fotografi; plot adresa fëmijësh nga të 52 vendet e botës , po afronte shtatori. Nëna ia kujtoi me zemër të thyer birit të saj dëshirën e të atit që ai të bëhej oficer; që të niste atë udhë që tani, duke shkuar në shkollën “Skënderbej”, ku shkonin zakonisht bij fshatarësh. Myzaferi kishte hedhur shtat, qe nxirë dhe i qenë bërë faqet buçko. Tanimë ai ishte “çun Tirone”. Që të gjithë do të shkonin në gjimnaz. Ai jo. Dhe kishte kaq dëshirë të bëhej shkrimtar apo mësues letërsie se nuk linte libër pa lexuar. Xha Matani ishte lab. Lebërit e duan shumë rroben ushtarake. Ai kishte qenë partizan dhe donte që biri I tij të kishte diçka të drejtpërdrejtë nga jeta partizane. Por nëna kishte dhe një motiv tjetër që ia përsëriti disa herë djalit të saj të bukur dëshirën e të atit. Ajo do të kishte një gojë më pak për të ushqyer me rrotën e saj modeste dhe me atë pension që kishte trashëguar nga I shoqi…
 “Unë jo se e urreja rrobën ushtarake” – vazhdon të tregojë me nostalgji Myzafer Zaho në mes të një togu të madh me libra dhe mbi një tavolinë shahu – “por doja të merresha me letërsi, apo, meqënëse po shkoja në shkollën “Skënderbej”, të bëhesha pilot. Si pilotët që na çua e na sollën nga Berlini. Si...oh...Si Lunini, heroi i romanit “Qielli i Baltikut”. Zaho e ka lexuar disa herë atë roman apo Ekzyperinë francez. Deri në atë kohë...Gjithsesi me zemër të thyer, Myzaferi shkoi për “begas”, ku shkëlqeu në mësime, shkëlqeu në sportin e tij të dashur furbollin dhe, siç perëndon sytë me nostalgji, “zura shokë të mirë, me të cilët u lidha për tër jetën, si Neptun Bajko, Niko Xharo,apo Bego Hoxhën e Luto Sadikun, që i njoha nga afër në shkollën e aviacionit...”.
Një grishje tjetër për t’u bërë burrë ajri, Zaho e ka patur edhe nga njohja me pilotë konkretë; njohja që vezullonte që nga uniforma e tyre të veçantë. Në shtëpi atyre u vinte për vizitë kohë pas kohe një kushëri i të atit nga Brataj, Zebo Durmishi; në lagjen e tyre banonin pilotë të tjerë, si Anastas Ngjela, Masar Aga, Bardhyl Lubonja, Serafin Shegani, Nestor Dhaskali... Mënyra se si rrinin ata me njëri-tjetrin duke pirë nga një kafe, se si qeshnin, se si vështronin, plot dashamirësi dhe, sidomos, gjithë enigma qiellore që nuk i dinte askush, veç atyre, të tëra këto, e grishnin djaloshin si një magnet i stërfuqishëm. Në maturën e shkollës “Skënderbej” prej 200 djemsh të vitit 1964, u përzgjodhën për pilotë pas testimeve të rënda dhe tepër të kujdesshme, vetëm 15 vetë, nga të cilët, përfunduan shkollën dhe u emëruan regjimenteve vetëm 7...

Ishte viti 1967. “Lamtumirë instruktori i fluturimeve të para, ti, o burrë gojëmbël, që nuk nxeheshe kurrë dhe i kujdesshëm si një qëndistare, Vangjel Nasto. Lamtumirë dhe ti, zv.komandanti i fluturimeve të avionit mësimor Tip 61, Naun Todo, që më more në provim dhe iu mburreshe shokëve se unë i kisha mbajtur parametrat me shifrën e gabimit – zero.
Lamtumirë, instruktori im i fluturimeve me reaktiv, ti, i ndjeri Faslli Bega, që më dhe dorën tënde në levën e fluturimit – të sigurt, të prerë, të fortë dhe burrnore. Lamtumirë instruktor Faslliu. Ta dish, se unë e kam vuajtur shumë, kur ty të arrestuan dhe të burgosën për shkak të moszbatimit të një urdhri ajror. Unë...unë ... të të them nga thellësirat e shpirtit, do të isha nisur për zbatimin e tij, e dhe sikur të vritesha atë ditë, por...oh....jo të përfundoje në burg, ti, instruktori im që aq pilotë gjuajtës i dhe vendit tënd. Lamtumirë të gjithëve...Lamtumirë ditët e bukura të studentit. Unë do të nisem për në regjiment, që të bëhem një pilot gjuajtës “as”, si Lunini. Do të bëhem pilot klasi, të fluturoj natën e ditën në të gjitha kushtet metereologjike. Do të….” Ëndërrat djaloshare të pilotit të ri sikur e morën ndër krahë dhe po e shëtitnin andej këndej nëpër qiellin e atdheut. Ëndërra që, papritur, pësuan një të goditur…  * Faslli Bega nuk rron më  

PËRSËRI NË SHKOLLË…
Kishin shkuar 4-5 muaj që Myzafer Zaho, pilot i sapodiplomuar, qe emëruar në Kuçovë (atëherë “Qyteti Stalin”). Ishte në një regjiment luftarak, ku, do të farkëtohej burrëria e tij fluturuese. Brezi i pilotëve të vitit 1964–7 i përkiste brezit të dytë që kishte nxjerrë shkolla jonë e aviacionit; gjithsesi e përvojës së lavdishme të aviacionit sovjetiko-lindor; patjetër e shoqëruar me përpjekjet e të gjithëve për t’u adaptuar në kushtet tona. Kur u prishën relatat me Hrushovin, Shqipëria mblodhi forcat e saja dhe krijoi shkollën e aviatorëve të saj, që në të vërtetë përbënte një luks për vende shumë më të mëdhenj se Shqipëria jonë. Brezi i parë që kishte nisur dhe përfunduar këtë shkollë buzë ujrave të Vlorës së kaltër, plot portokalle, ullinj, diell por edhe plot vapë, pluhur dhe mushkonja, siç i kishte aerodromi fushor i Pish Poros.
Vlora kishte dinamizëm e gjallëri krejt tjetër me hapjen e shkollës së aviacionit dhe të marinës. Vlonjatët krenarë mburreshin shumë me pilotët që nxirrte qyteti i tyre dhe, njëshi i kësaj shkolle, themeluesi dhe buldozeri i fuqisë së saj, Babaçe Faiku kishte mbase aq autoritet dhe i hapeshin dyert ngado nëpër Vlorë, sa sekretarit të parë. Pilotët e parë që nuk kishin kryer asnjë sekondë fluturim jashtë shtetit ishin djemtë e asaj kohe Stilian Tanka, Luto Sadiku, Bego Hoxha, Lutfi Hyseni, Petrit Bebeçi, Aziz Alla, Eqerem Tuga, Skënder Mesiti, Vangjel Korroveshi, Sali Peçi… Por tanimë Myzafer Zaho ndodhej pranë ambicieve të tija për t’u bërë “As”. Pra, të bënte programe luftarake, qitje, kapje, gatishmëri; programe për të fluturuar mbi re, nën re, natën.
 Ai nuk vuante nga ndonjë ambicie e ligë, për të dalë mbi shokët. Jo vetëm ai. Kjo ka qenë thuajse normale mes shoqnisë së pilotëve. Shoqnia e aviacionit është vlerësuar ngado si shumë e bukur. Myzi dallon nga disa shokë që kanë nisur dhe po mplaken duke u bërë edhe me ca huqe pa qeder, siç është të mburrurit e vetes, të zbukuruarit e gjërave me ndonjë lajle më shumë apo ulja e kolegëve të tjerë, për të nxjerrë në pah atë të shkretë “unë” fshataresk, që nuk po na shqitet dot. Bah, te Myzi mos prit kurrë nga të tilla gjëra. Ai ka vazhduar të mbetet një idealist i fluturimeve dhe një respektues korrekt i arritjeve të shokëve me të cilët ka fluturuar apo ka pas të bëjë drejtpërdrejtë. 
Myzaferit, që erdh zemërthyer në Shkollë në detyrën e sintruktorit fluturues; që erdh krahas pilotëve të tjerë të rinj nga regjimenti, si i ndjeri Sabri Toçi, Eqerem Tuga, Delo Isufi, Aziz Alla, i caktuan katër kursantë.
 Të gjithë shkriheshin së qeshuri kur ndonjëri prej katërshes së Myzit, ngrihej nga parku i vogël i përgatitjes dhe bënte një, dy apo tre xhiro vrap, sa ishte masa e ndëshkimit. Kjo donte të thoshte që, i ndëshkuari, kishte thënë gabim ndonjë gjë që duhej mësuar përmendësh apo kishte bërë keq ndonjë skemë. Ky kros gazmor kishte ndikimin e vet gazmor në sulmin e përgjithshëm që bëmë të gjithë për t’u bërë sportistë të shkëlqyer, siç duhet të ketë një pilot. Kroset rreth aerodromit mëngjes për mëngjes, ishin bërë të dashur për të gjithë, dhe, ja, edhe një çikëz kros….      
VRAPIM SKËTERRE DUKE NDJEKUR AEROPLANIN E GIMIT
“Oh, edhe mua më kanë shkuar punët mirë...Gjëra të vogla....Mirë, mirë... Haj bëjmë një shah”. Është dita e dytë që kemi planifikuar për intervistë me ish instruktorin tim të parë të fluturimeve dhe rrezikohet ta lëmë sërish në mes sapo të ndjejmë që ngjitet shkallëve si furtunë, Xheku, rivali i tij i vjetër. Myzafer Zaho i mban kujtimet e tija të fluturimeve si një pasha që ngurron të nxjerrë jashtë kështjellës së tij të bijën për ta martuar. Mua nuk ma prishë dot. Ai ma ka respektuar papushim pasionin tim për të shkruar. Një herë desh e ka hedhur në baltë një libër që i dhurova, duke më bërë kështu presion që të merrja lekët e librit; presion që e kam provuar jashtëzakonisht rrallë në këtë intensitet. 
Mirëpo, ky burrë që ende i do si adoleshent librat, futbollin dhe shahun, ka kaluar edhe nëpër katastrofa.... Instruktorët e Tip – 61 , që të gjithë thuajse moshatarë me njëri-tjetrin dhe, sigurisht miq, tre katër vite më të mëdhenj se tetëmbëdhjetëvjeçarët që do t’u mësonin së pari udhët e qiellit, sa kishin hyrë në fazën kur kishin nisur fluturimet vetëm.
Tanimë 3–4 studentët e secilit prej tyre, të organizuar në dy skuadrilje, po fluturonin pa ata. Ishin fluturime në rreth. Instruktorët mblidheshin ja diku pranë udhëheqësit të fluturimit, ja ca më tej dhe shikon e krenoheshin, apo inatoseshin e shanin kursantët e vet që tanimë fluturonin secili duke e patur kabinën e dytë bosh. Kishte patur ndonjë student nga ky grup prej 43 kandidatësh për t’u bërë pilotë, që nuk kishte mundur ta merrte dot aeroplanin. Kishte patur edhe ndonjë që e kishte marrë me  peripeci, por, sigurisht, brenda normave premtuese. Ndryshe shpata e madhe e Babaçe Faikut, nuk kalonte poshtë në formën e firmës.
 Tanimë ishte radha e fluturimeve të Agim Qesarakut nga Rapska e Përmetit, një djalë i qetë, i heshtur, shumë korrekt, i vëmendshëm dhe i dëgjueshëm. Myzafer Zaho rendi te ai , ndërsa ishte te brezi I ngritjes. Rendi t’ jepte porosinë e fundit. Agimi sapo kishte nisur të fluturonte vetëm dhe, prania e instruktorit në kabinë ca çaste para ngritjes, i jepte atij krahë; Myzi e dinte këtë. Çuditërisht instruktori pa që ai nuk i kishte shtrënguar mirë rripat e ndenjëses dhe të parashutës, që kryqëzoheshin me njëri-tjetrit. Helika punonte me xhiro të vogla dhe ai, si ia kontrolloi rrypat e sigurimit dhe a shtrëngoi fort me dorën e tij, i uroi fluturim të mbarë Qesarakut të heshtur dhe ca si në punë të vet. Ata rripa Po e ndiqte me sy ngritjen e tij, kur....aeroplani mori të anuar....Uuuuuuuu....Mooooos....Të anuar dhe po humbiste lartësi.
Mooooooossss......Myzi flaku mbatanë kurtkën prej lëkure që e mbante në dorë ia theri me të katra drejt vëndit ku aeroplani me Agimin e tij po binte duke u anuar. “Mos me kren...nxirre nga kreni! Nxirre nga kreni! (kren–rusisht-anim – shën R.L.)”, thuajse bërtiste me vete , derisa avioni humbi si bishë ata 50 metro lartësi. Nuk i ndjente këmbët tek rendnin. Agim Qesaraku kishte rënë. Agimi i tij ishte rrëzuar me aeroplan. Po ai sa kishte nisur të fluturonte vetëm! Ai kishte rënë me kren. Edhe në mos qoftë përplasur me ndonjë pemë a ledh, me tërë atë kren...Bobooo....O zot, mos pëlciste ndonjë flakë. Benxoli shpërthen si nitroglicerina. Mos...Nëna ime... Ndjeu në krah një nga makinat e repartit , derën e saj që u hap dhe kërceu sipër saj. Agimi... Përse ra? ç’i ngjau të shkretit...
Shyqyr që e lidha mirë, ia shtrëngova me këta duar rripat....Mos i pëllcet flakë dhe Gimi më digjet brenda...Bobooo....O zot ishalla nuk ka flakë....Mjafton një shkëndijë dhe ai....do ta shihte Gimin e tij duke u djegur pa patur mundësi të bënte asgjë...Po të ishte për flakë, ajo duhej të kishte plasur....Të ketë dalë?  Shoferi nuk po pyeste më për ulje-ngriturat e terrenit....Mos ka vdekur? Tre studentët e tjerë , Veizin ( Kovaçi), Simon (Pasholli) dhe Rizain (Lahi) shyqyr i kishte në ajër. Me siguri që nuk dinin asgjë.... Mbase ka dalë dhe nuk e shohim dot....Mos flakë....Ku më ndodhi mua...Agimit tim...Mos është bërë copë...vdekur...Mooooos! Por avioni kishte rënë për mrekulli mes disa pemëve, as flakë nuk kishte dhe Gimi ishte atje brenda. Me kokën varur. Mos kishte vdekur? Kërceu që nga makina ende pa u ndalur ajo dhe - përmbi kabinën e aeroplanit TIP– 1. E hapi atë me forcë, si të ishte banor i “Nautilusit” në fundin e detit që ka zbuluar pakëz oksigjen. Zëmra e Agim Qesarakut rrihe për mrekulli.
Ai kishte humbur ndjenjat. Siç e kemi shkruar në librin “Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”, Myzaferi 23 vjeçar kundërshtoi në mënyrë demonstrative, me zë të lart dhe thuajse me arrogancë vendimin e komisionit shtetëror që vinte me faj studentin e tij për katastrofën ajrore. Sipas tyre Agim Qesaraku e kishte fikur vetë, pa dashur, motorin, mirëpo kjo duhej argumentuar. Me ç’të drejtë ia ngjitin fajin studentët e tij? Po, po! Jam kundër konkluzionit tuaj! Ia keni futur kot! I tërë regjimenti nuk pipëtinte ndërsa bërtiste që nga rreshti ashtu dhe pa i kërkuar lejë askujt biri i Xha Matanit luftëtar, i vetmi njeri që po e mbronte para regjimentit të rreshtuar Agimin e hutuar dhe të ndezur flakë. Agimi që kishte parë llahtar me sy, që, në ato 70 metro, kishte mundur të bënte veprimin e parë menjëherë, të mblidhte rrotat, përpara se ta humbiste në prakun e përplasjes me tokën, mbase duhej larguar nga udhët e qiellit. Jo vetëm në spital, por dhe më vonë, në trup i kishin mbetur shënjat e nxira të rrypave të shtrënguar.
Egërsia e përleshjes së inercionit të vdekjes me forcën poetenciale të rripave të shtërnguara, kishte përfunduar ne favor të jetës. Agim Qesaraku sypatrëmbur këmbënguli të fluturonte sërish dhe ajo u realizua. Por duke e përsëritur edhe një herë vitin e parë, gjë që as kishte ngjarë dhe as ngjau më asnjëherë në shkollën e aviacionit të Vlorës.  Pas kaq e kaq vitesh... Myzafer Zaho, ky burrë dinjitoz, shumë i zoti dhe po kaq i heshtur, ma tregoi këtë detal krejt rastësisht. Unë qesha me nostalgji për këtë intimitet që e mora vesh pas 40 vitesh.                   
ADA AIR-LINJA E PARË SHQIPTARE NDËRKOMBËTARE
Në fakt, pilotë shqiptarë që kanë guiduar nëpër ajër rrugëve ndërkombëtare, vendi ynë ka patur në kohën e komunizmit – një ekuipazh, që cilësohej i “qeveritar”. Ky ekuipazh qe përzgjedhur nga një sasi e madhe pilotësh që fluturonin në kohën që nuk kurseheshin resurset e avio–motorëve për përgatitjen e tyre.
 Shqipëria ka patur deri vonë katër aeroplanë IL -14, me njërin prej të cilëve, 15–09, janë kryer disa fluturime ndërkombëtare.  Në të gjithë rastet, fluturimet kanë qënë shumë specialë, të konsideruar të rëndësive të veçanta, por, Shqipëria e asaj kohe, asnjëherë gjatë historisë së saj, nuk pat asnjë linjë ajrore ndërkombëtare për pasagjerë. Në historinë e vëndit tonë kjo linjë– pasagjerë me bileta në aeroplanin me ekipazh shqiptarë për të kaluar jashtë hapësirave ajrore të Shqipërisë, u krijua në vitin 1991. Në kohën kur ngado po aplikohej “terapia e shokut”. Ja se si ka ndodhur. Nga Shqipëria e sapo dalë prej tollonave, ja që kishte edhe mjeshtra të mençurisë e shkathtësisë, si ish-punonjësi i “Makina Importit” të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, inxhinieri Marcel Skëndo. Ky, në bashkëpunim me francezin e familjarizuar me shqiptarët Zhylien Roshe, vendosën t’i hynin këtij biznesi spektakolar.
Sigurisht që në këtë ndërmarrje ka qenë ndërthurur pasioni dhe dashuria e pakufishme e aeroplanët por, oh, sigurisht, edhe pasioni dhe dashuria e pakufishme për t’u pasuruar. E çfarë duhej për të patur Shqipëria avion me stampën e saj dhe me ekuipazh të saj, burra–pilotë?  Duheshin pilotë të stërvitur. Duheshin, oh, patjetër, licencat e lejet që donte të thoshte të çaje nëpër administratën postokumiste ku po përhapej mentaliteti halldup i ryshfeteve–gangrenë që na ka hyrë deri te kapilarët e shoqërisë sot. Labi nga Tepelena bëri të pamundurën – e nxori dhe lejen e liçensat private dhe gjeti pilotët. I përzgjodhi ata mirë e bukur, duke shoshitur gjithçka me kujdes. Në Shqpëri kishin rënë fluturimet në masë dhe pilotët po mërziteshin përditë e më shumë se nuk kishte fluturime. Gjithçka në rregull. Ja ku ishte aeroplani i ri fringo, njëzet vendesh, EMB -110, i prodhimit brazilian, me kooperim ndërkombëtar. Ja ku ishin dhe të katër pilotët: Myzafer Zaho, Et’hem Alia, Musa Kame dhe Bujar Tollkuçi.
 Ata duhej të orientoheshin me shkollën perëndimore të fluturimeve, kurse I përkisnin asaj shqiptare me thekse të forta lindore, ruse. Sigurisht me ndërhyrjen e vendosur të Roshesë dhe të shtetit të tij, të katër pilotët shkuan në Mont Pelie për t’u specializuar me tipin në fjalë, me terminologjinë ndërkombëtare dhe , sidomos me rregullat e lundrimit ajror nëpër Evropë. Ata që të katërt ishin pilotë të shkëlqyer për standardet e vendit tonë, por tanimë rrethanat ishin krejt të tjera. Për një muaj e gjysëm ata flinin e hanin në vënde të zgjedhura, stërviteshin në kushte komode dhe, në një farë mënyre, po provonin vetë jetën luksoze franceze, për të cilën kishin dëgjuar në atdhe.
Gjithsesi, linjat ndërkombëtare nisën duke fluturuar një pilot shqiptar me një francez. Firma Roshe–Skëndo kishte marrë masa dhe kishte sjellë dy pilotë francezë. Njëri nga ata, ishte 60 vjeçari me shumë përvojë, Zhorzh Grevo. Piloti i njohur Et’hem Alia qe zëvendësuar me pilotin e ri me origjinë kosovare, Izet Krasniqi. Kur erdhi dita e rrogës së parë, të katër albanezët po prisnin pas dy francezëve. Ata u buzëqeshën kolegëve të tyre dhe u lëshuan radhën. Kur… Jo, Izeti, jo, nuk ka për të paguar gjë, se nuk ka qenë në Mont Pelie, por ju tre të tjerët, sorry, duhet të paguani krejt shpenzimet që ka harxhuar xhepi i dy presidentëve për stërvitjen e qëndrimin e tuaj në Mont Pelie.
Ishin 91000 USD që duheshin paguar “kokërr më kokërr”. Se, aq ore, ja edhe faturat po të donin, nji ku i kishin, kishte kushtuar ai një muaj e gjysëm. Si? Pse nuk u kemi thënë më parë që të kursenit ca dollarë në ushqim e në fjetje, ore? Eeeee….Hajt, hajt!!! Për tre vjet nga 1 mars 1992 deri më 1 mars 1995, secili nga tre pilotët pagoi 30 mijë USD prej rrogës së tij dhe, kur erdhi dita e shënuar që, më së fundi borxhi qe shlyer, rroga vazhdoi të ishte …thuajse aq sa më parë. Ishte një mënyrë e pahijshme, e turpshme, ky shpërblim financiar që po aplikohej ndaj idealistëve të shkollës shqiptarë të aviacionit. Ndërsa fluturimet vazhdonin. Izeti nga Kosova, nuk mundi të duronte më.
 E  konsideronte diskreditim dhe turp politikën e rrogave që ndoqën themeluesit e linjës së parë ndërkombëtare shqiptare ndaj pilotëve shqiptar dhe këtë po e shprehte hapur fare. Ai kishte ëndërruar tërë jetën të vinte në Shqipëri, të fluturonte me stampa shqiptare, siç ëndërrojnë pa përjashtim të gjithë kosovarët. Izeti gati po qante natën kur u largua, duke i thënë shokëve që, le të kujtonin rrogat e pilotëve francezë dhe t’i krahasonin me të tyret. Musa Kame, Myzaferi dhe Budioni e kapërdinë diskreditimin rrogave. Jo vetëm se ende nuk ua hante mideja format e protestave për rrogat, por ata, as nuk kishin nga të shkonin. E kush i qaste më edhe një herë në ushtri ata? Kur orët e fluturimit po pakësoheshin në mënyrë të frikshme. Për më tepër, ngado shokët e kolegët e tyre i shihnin me zili, pa e ditur se ç’mbante brenda vorba që ziente...
Të dy biznesmenët ditën të manovrojnë për mrekulli me pasionin për fluturim të tre burrave të shkollës shqiptare të aviacionit dhe të mungesës së makutërisë së tyre për para. Firma vazhdoi fluturimet duke iu rritur rrogat nga paksa – të mira për kushtet shqiptare por aspak të tilla për kolegët e tyre të vendeve sado të varfëra. Pilotët e ambientuan për mrekulli me specifikat e fluturimeve ndërkombëtare, me aeroportet ku ulet e ngrihet një avion në minutë e me nga tre – katër pista. Mes zërave të panumërt të efireve ndërkombëtare, dedektonin përditë në gjuhën angleze tingujt e zërave të shokëve tanë, pilotë të shkollës shqiptare të aviacionit.   
Nga libri në proces kushtuar aviatorëve shqiptarë
“DINOSAURËT E FUNDIT”, vll. 2 

2011/04/25

Një rekomandim për ju zoti Lulzim


Prof.dr. Eshref Ymeri



       U bënë dy javë që jam duke ndjekur fushatën  zgjedhore që ju po zhvilloni për postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Bashki kjo, e cila, po të kemi parasysh shtimin e shpejtë të popullsisë brenda këtyre njëzet vjetëve, ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimet mbarëkombëtare.
       Dëshiroj me gjithë zemër që zotimet që keni marrë para qytetarëve të Tiranës, të mund të arrini t’i realizoni me sukses. Sepse vëmendja dhe kujdesi i përhershëm për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të qytetarëve, duhet të jenë në qendër të vëmendjes së çdo politikani dhe aq më tepër të një kryetari bashkie, siç po premtoni ju me shumë të drejtë.
       Premtimet që keni bërë në të gjitha takimet e ngrohëta me banorë të ndryshëm të minibashkive, janë me të vërtetë mbresëlënëse, sidomos ato që lidhen me uljen e taksave që e rëndojnë së tepërmi xhepin e qytetarëve të kryeqytetit.
       Mes shumë halleve që u janë krijuar qytetarëve të Tiranës në sferën financiare, unë, i nderuar zoti Lulëzim, dëshiroj të ndalem në një problem që është shumë i  prekshëm, fort shqetësues për çdo familje të kryeqytetit dhe që, për specifikën që përfaqëson, nuk mund të jetë pjesë e premtimeve në një fushatë zgjedhore, si kjo që po zhvillohet tani në vendin tonë.
       Problemi ka të bëjë me hapësirat që nevojiten për varrezat e kryeqytetit. Siç e dini, qoftë në Sharrë, qoftë në Tufinë, sipërfaqet për varreza kanë shkuar në limitet e tyre. Së fundi, nga halli, zyrat e funeralit të Tiranës, janë të detyruara të shfrytëzojnë edhe rruginat mes varreve për hapje varresh të reja.
       Varrezat e Sharrës, përveç shtrirjes në drejtim të Rrogozhinës, kanë filluar të ngjiten drejt kodrave. Dhe ka rrezik që dikur, kurora e Tiranës dhe shpatet e Malit të Dajtit sipër Tufinës, të shndërrohen krejtësisht në varreza.
       Në këto kushte, i nderuar zoti Lulëzim, unë mendoj se duhet t’i kthehemi traditës së mendimit kritik shqiptar për këtë çështje mjaft të mprehtë të ditëve tona.
       Pasi qe marrë vendimi për shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, njëra nga figurat më emblematike të mendimit kritik shiptar, Faik Konica, në vitin 1921, pati bërë ca propozime lidhur me planimetrinë e Tiranës e sidomos për vendshpërndarjen e institucioneve publike dhe të zyrave të administratës. Duke u shprehur konkretisht se ku duhej të ngrihej njëri ose tjetri institucion, ai pati parashikuar edhe vendin se ku duhej të ngihej Krematoriumi.
Prandaj, i nderuar zoti Lulëzim, mendoj se, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e zotit Berisha, këtë problem duhet ta shikoni me shumë seriozitet, jo vetëm për shqetësimet që kanë kohë që kanë lindur për vendvarrime të reja, por edhe për sensibilizimin e mbarë opinionit publik për domosdoshmërinë e ngritjes së një Krematoriumi të tillë, ashtu siç janë ngritur dhe funksionojnë kahershëm në vendet e tjera.
Ju uroj suksese në fushatën zgjedhore dhe dëshiroj me zemër që më 09 maj t’ju kemi Kryetar të Bashkisë.

Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
23 prill 2011


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...