2011-04-25

MYZAFER ZAHO, PILOTI SHQIPTAR I FLUTURIMEVE NDËRKOMBËTARE


Kulture







nga Riza Lahi         

Lexuesi im! Të lutem, për disa çaste, mbështete ballin mbi të dyja pëllëmbët dhe kujto veten tënde në marsin e ’97. Për shembull datat 15-16. Apo më parë a më vonë. Çfarë ke menduar? Të ka shkuar mëndja te vdekja në vetminë tënde? Si ecje rrugës?
 Më tregonin se adoleshentë vlonjatë me kallashët e grabitur nga depot e ushtrisë, merrnin nishan njerëz që shkonin rrugës; se në zonën e Lezhës, matit e Tepelenës plaçkiteshin autobusët e pasagjerëve... Një inxhinier shkodran që ruante fabrikën e drurit “10 vëllaznit”, kur hynë maskat për të plaçkitur me kallashnikovë, ka dëgjuar: ”Qenka profesor Fredi, mos e vri; ec të ikim”.
Unë i lashë sime shoqeje të gjithë rezervën e parave dhe u nisa në vendin që më kishte bërë kokën – në Shkodër ku provova llahtarën e të parit të qytetit tim të zhurmshëm e të hareshëm, krejtësisht bosh që në orën 2 të drekës, ndërsa netëve djalëria me kallashë, ndërsa bënin shaka me njëri tjetrin me bukurinë e shpirtit të rinisë, ruanin mëhallat e tyre nga sulmet e mundshme të bandave malazeze, serbe apo plaçkitëse. Nëpër shtetin e rrënuar plotësisht, kur e tërë flota luftarake detare kaloi në Itali e mbushur përdëng me emigrantë që kërkonin t’i largoheshin atdheut si ai të ishte lebroz, kur helikopterë të ushtrisë kapërcyen Adriatikun të gjenin strehim te vendi ku valavitej flamuri italian, nën hijen e tij; kur diplomatët e shtetit nëpër ambasada kërkonin strehim politik dhe shteti qe shkërmoqur si prej rëre, kur Shqipëria kalonte nga ditët me të ndyra të historisë së saj, kishte një institucion shtetëror që funksiononte ende. Që funksiononte me rregull të plotë, ishte aeroporti ndërkombëtar i Rinasit që ruhej nga një grup burrash të shtetit shqiptar, me në krye Kapllan…

Dhe mes ruajtësve të Rinasit, një aeroplan ngrihej e ulej nga 6–7 herë në ditë. Aeroplani kishte stampat shqiptare. Nisej përdëng, me dy tre njerëz përmbi kapacitetet e ndenjëseve dhe kthehej krejtësisht bosh. Nisej drejt Janinës, Selanikut apo Barit, ndërsa pasagjerët pritnin radhën thuajse me rregull të plotë për kushtet e sikletshme pafund, ndërsa ngado ndjeheshin krisma armësh. Dy plumba kallashnikovi kishin shpuar edhe trupin e aeroplanit EMB-110 të shoqërisë së parë private ajrore shqiptare ADA – AIR, që po e guidonin dy trimat – heroi i tregimit tonë, Myzafer Zaho dhe kolegu i tij Bujar Tollkuçi.
E kishin shpuar në ajër apo në tokë? Dy shokët e mi të shtrenjtë, nuk e morën vesh asnjëherë dhe as e bënë bujë kurrë, por, si u riparuan strofullat e plagëve të marra të aeroplanit, vazhduan ritin e tyre të përditshëm, 6–7 fluturime në ditë dhe thuajse pa asnjë shpërblim ekstra material. Disa nga parallinjtë tanë të parë, kur ka qenë puna për të fituar para, iu erreshin sytë me grykësi përbindëshi. Gjithsesi, pronarët e parë të shoqërisë ajrore ADA-AIR, shqiptari Marsel Skëndo dhe francezi Zhulien Roshe, në ata ditë të rënda marsi, kanë pjesë të rëndësishme në heroizmin e kryer me makinën e tyre ajrore. Ata kanë kontributin e tyre vendimtar që nëpër axhanset e rruzullit, si flitej për kolapsin total të shtetit, flitej që, aeroporti i vetëm ndërkombëtar i “vendit të shqiponjave”, funksiononte, megjithëse, pa përjashtim, që të gjitha shoqëritë ajrore që operonin atje, i kishin lënë pendët. 

XHA MATANI DHE FËMIJA I TIJ QË FLUTUROI NË MOSHËN 14 VJECARE
 Familja labe e dy vëllezërve nga Brataj, Matan Zaho, ish nëpunës i administratës zogiste dhe më pas i administratës fashiste dhe Jaupi Zaho, bletërritës i njohur, përbëhej nga njëzet frymë. Kur kishte filluar lufta partizane. Tanimë aktiviteti ilegal i Matanit 40 vjeçar kishte nisur të merrte erë. Të dhënat vinin se ai po përgjohej. Babai i 6 fëmijëve (dy i lindën më pas) mori malin me çetat partizane duke lënë gjithçka në dorën e së shoqes besnike, Nuries së fortë dhe të guximshme nga Tërbaçi dhe, patjetër, edhe nën kujdesin e vëllait – mjeshtrit të njohur në tërë Vlorën për bletët. Të gjithë partizanët e quanin komandantin e tyre “Xha Matan” dhe, trimit sybardhë kjo nofkë i pëlqente. Matan Zaho modest dhe fjalëpakë, që të merrte gjak në vetulla, që të gjithë bashkëluftëtarët e tij, do ta kujtonin ditën kur e përcollën si pasojë e kancerit në varreza, me 14 korrik 1960 , jo vetëm ndershmërinë e tij puritane, për karakterin e papërkulur dhe pasionin për t’u hedhur drejt rrezikut pa bërë asnjë llogari,por edhe për diçka të veçantë gjatë luftës.
 Një të veçantë që u përsërit me qindra herë nga luftëtarët kosovarë të fundshekullit ë kaluar – përkujdesin e veçantë ndaj vajzave luftëtare. Kur bëheshin tubimet e para betejave apo gjatë tyre, që të gjithë duhej të dëgjonin këshillën urdhëruese të “xhajës” 41 vjeçar. “Le të vriten djemtë më parë, pastaj u vjen radha për t’u vrarë vajzave“. Myzaferi ishte 3 vjeçar kur familja e tij u vendos në Tiranë, diku në njërën prej lagjeve të saja më të varfra, në “brrakë”, ku kishte shumë edhe jevgj, të cilët piloti ynë vazhdoi t’i respektonte tërë jetën duke mos i njohur dhe duke i përbuzur ndjenjat raciste.
Gëzimi i papërshkruar se, nga tridhjetë fëmijët shqiptarë që do të iknin me pushime ne kampin e pionierëve të asaj kohe “Vilhelm Pik” të R.D.Gjermane, ja, ishte dhe një 14 vjeçar nga lagja e varfër e Bërrakës, nisi të shoqërohej me një shqetësim të madh. Babai i pionierit të shkëlqyer në mësime dhe në aktivitete sportive, Matan Zaho, po kalonte grahmat e fundit në shtrat nën përkujdesjet prej shqiponje të së shoqes. Kur vinte në vete, Xha Matani kërkonte fëmijët t’i përkëdhelte, i donte që të tetët në krah, Dyzelbien, Agon, Hajrijen, Dinen, Violetën, Myzaferi, Rolandin dhe, më të voglin e fëmijëve që e përkëdhelte më shumë, Avniun 6 vjeçar. E shoqja, Nura, ia sillte me një të thërritur që të gjithë. Tetë fëmijë. Gjendja ekonomike ishte jo e mirë. Njëri nga fëmijët do të shkonte në shkollën e mesme atë vit – Myzaferi. Matan Zaho ia përsëriti edhe një herë dëshirën e tij që, së paku, njëri prej fëmijëve të bëhej oficer.
Oh, në fillim le të shkonte në shkollën “Skënderbej”, po, po, Myzaferi, e cili tjetër? Kur ende sytë ishin të skuqur nga të qarët e atij 14 korriku 1960, po afrohej si një falangë e stërfuqishme data 20 korrik. Atë ditë , me një aeroplan të linjës ajrore Rinas – Berlin, do të fluturonin fëmijët nga Shqipëria, për pushime. Nëna e fortë vuri veton. Po! Ajo ia bëri plaçkat djalit gati , ia futi në një valixhe të vjetër dhe ia krehu vetë flokët kaçurrelë ngjyrëmjaltë, duke i vënë fshehur diku një hudhër, për të mos ia marrë mësysh bukuroshin e saj që do të largohej një muaj nga shtëpia dhe që, sapo kishte shtënë në dhe të atin. Që të gjithë, vëllezër e motra, gjetën forca për t’i buzëqeshur dhe puthur me dashuri vëllain e tyre që, jo vetëm se do të dilte jashtë shtetit, por do të shkonte me aeroplan. Me një aeroplan të madh. I cili do të linte mbresa të pashlyeshme në shpirtin e adoleshentit, që u bë nga pilotët më të njohur të vendit, duke fluturuar 40 vite papushim...
Kur u kthye nga Berlini, plot mbresa, fotografi; plot adresa fëmijësh nga të 52 vendet e botës , po afronte shtatori. Nëna ia kujtoi me zemër të thyer birit të saj dëshirën e të atit që ai të bëhej oficer; që të niste atë udhë që tani, duke shkuar në shkollën “Skënderbej”, ku shkonin zakonisht bij fshatarësh. Myzaferi kishte hedhur shtat, qe nxirë dhe i qenë bërë faqet buçko. Tanimë ai ishte “çun Tirone”. Që të gjithë do të shkonin në gjimnaz. Ai jo. Dhe kishte kaq dëshirë të bëhej shkrimtar apo mësues letërsie se nuk linte libër pa lexuar. Xha Matani ishte lab. Lebërit e duan shumë rroben ushtarake. Ai kishte qenë partizan dhe donte që biri I tij të kishte diçka të drejtpërdrejtë nga jeta partizane. Por nëna kishte dhe një motiv tjetër që ia përsëriti disa herë djalit të saj të bukur dëshirën e të atit. Ajo do të kishte një gojë më pak për të ushqyer me rrotën e saj modeste dhe me atë pension që kishte trashëguar nga I shoqi…
 “Unë jo se e urreja rrobën ushtarake” – vazhdon të tregojë me nostalgji Myzafer Zaho në mes të një togu të madh me libra dhe mbi një tavolinë shahu – “por doja të merresha me letërsi, apo, meqënëse po shkoja në shkollën “Skënderbej”, të bëhesha pilot. Si pilotët që na çua e na sollën nga Berlini. Si...oh...Si Lunini, heroi i romanit “Qielli i Baltikut”. Zaho e ka lexuar disa herë atë roman apo Ekzyperinë francez. Deri në atë kohë...Gjithsesi me zemër të thyer, Myzaferi shkoi për “begas”, ku shkëlqeu në mësime, shkëlqeu në sportin e tij të dashur furbollin dhe, siç perëndon sytë me nostalgji, “zura shokë të mirë, me të cilët u lidha për tër jetën, si Neptun Bajko, Niko Xharo,apo Bego Hoxhën e Luto Sadikun, që i njoha nga afër në shkollën e aviacionit...”.
Një grishje tjetër për t’u bërë burrë ajri, Zaho e ka patur edhe nga njohja me pilotë konkretë; njohja që vezullonte që nga uniforma e tyre të veçantë. Në shtëpi atyre u vinte për vizitë kohë pas kohe një kushëri i të atit nga Brataj, Zebo Durmishi; në lagjen e tyre banonin pilotë të tjerë, si Anastas Ngjela, Masar Aga, Bardhyl Lubonja, Serafin Shegani, Nestor Dhaskali... Mënyra se si rrinin ata me njëri-tjetrin duke pirë nga një kafe, se si qeshnin, se si vështronin, plot dashamirësi dhe, sidomos, gjithë enigma qiellore që nuk i dinte askush, veç atyre, të tëra këto, e grishnin djaloshin si një magnet i stërfuqishëm. Në maturën e shkollës “Skënderbej” prej 200 djemsh të vitit 1964, u përzgjodhën për pilotë pas testimeve të rënda dhe tepër të kujdesshme, vetëm 15 vetë, nga të cilët, përfunduan shkollën dhe u emëruan regjimenteve vetëm 7...

Ishte viti 1967. “Lamtumirë instruktori i fluturimeve të para, ti, o burrë gojëmbël, që nuk nxeheshe kurrë dhe i kujdesshëm si një qëndistare, Vangjel Nasto. Lamtumirë dhe ti, zv.komandanti i fluturimeve të avionit mësimor Tip 61, Naun Todo, që më more në provim dhe iu mburreshe shokëve se unë i kisha mbajtur parametrat me shifrën e gabimit – zero.
Lamtumirë, instruktori im i fluturimeve me reaktiv, ti, i ndjeri Faslli Bega, që më dhe dorën tënde në levën e fluturimit – të sigurt, të prerë, të fortë dhe burrnore. Lamtumirë instruktor Faslliu. Ta dish, se unë e kam vuajtur shumë, kur ty të arrestuan dhe të burgosën për shkak të moszbatimit të një urdhri ajror. Unë...unë ... të të them nga thellësirat e shpirtit, do të isha nisur për zbatimin e tij, e dhe sikur të vritesha atë ditë, por...oh....jo të përfundoje në burg, ti, instruktori im që aq pilotë gjuajtës i dhe vendit tënd. Lamtumirë të gjithëve...Lamtumirë ditët e bukura të studentit. Unë do të nisem për në regjiment, që të bëhem një pilot gjuajtës “as”, si Lunini. Do të bëhem pilot klasi, të fluturoj natën e ditën në të gjitha kushtet metereologjike. Do të….” Ëndërrat djaloshare të pilotit të ri sikur e morën ndër krahë dhe po e shëtitnin andej këndej nëpër qiellin e atdheut. Ëndërra që, papritur, pësuan një të goditur…  * Faslli Bega nuk rron më  

PËRSËRI NË SHKOLLË…
Kishin shkuar 4-5 muaj që Myzafer Zaho, pilot i sapodiplomuar, qe emëruar në Kuçovë (atëherë “Qyteti Stalin”). Ishte në një regjiment luftarak, ku, do të farkëtohej burrëria e tij fluturuese. Brezi i pilotëve të vitit 1964–7 i përkiste brezit të dytë që kishte nxjerrë shkolla jonë e aviacionit; gjithsesi e përvojës së lavdishme të aviacionit sovjetiko-lindor; patjetër e shoqëruar me përpjekjet e të gjithëve për t’u adaptuar në kushtet tona. Kur u prishën relatat me Hrushovin, Shqipëria mblodhi forcat e saja dhe krijoi shkollën e aviatorëve të saj, që në të vërtetë përbënte një luks për vende shumë më të mëdhenj se Shqipëria jonë. Brezi i parë që kishte nisur dhe përfunduar këtë shkollë buzë ujrave të Vlorës së kaltër, plot portokalle, ullinj, diell por edhe plot vapë, pluhur dhe mushkonja, siç i kishte aerodromi fushor i Pish Poros.
Vlora kishte dinamizëm e gjallëri krejt tjetër me hapjen e shkollës së aviacionit dhe të marinës. Vlonjatët krenarë mburreshin shumë me pilotët që nxirrte qyteti i tyre dhe, njëshi i kësaj shkolle, themeluesi dhe buldozeri i fuqisë së saj, Babaçe Faiku kishte mbase aq autoritet dhe i hapeshin dyert ngado nëpër Vlorë, sa sekretarit të parë. Pilotët e parë që nuk kishin kryer asnjë sekondë fluturim jashtë shtetit ishin djemtë e asaj kohe Stilian Tanka, Luto Sadiku, Bego Hoxha, Lutfi Hyseni, Petrit Bebeçi, Aziz Alla, Eqerem Tuga, Skënder Mesiti, Vangjel Korroveshi, Sali Peçi… Por tanimë Myzafer Zaho ndodhej pranë ambicieve të tija për t’u bërë “As”. Pra, të bënte programe luftarake, qitje, kapje, gatishmëri; programe për të fluturuar mbi re, nën re, natën.
 Ai nuk vuante nga ndonjë ambicie e ligë, për të dalë mbi shokët. Jo vetëm ai. Kjo ka qenë thuajse normale mes shoqnisë së pilotëve. Shoqnia e aviacionit është vlerësuar ngado si shumë e bukur. Myzi dallon nga disa shokë që kanë nisur dhe po mplaken duke u bërë edhe me ca huqe pa qeder, siç është të mburrurit e vetes, të zbukuruarit e gjërave me ndonjë lajle më shumë apo ulja e kolegëve të tjerë, për të nxjerrë në pah atë të shkretë “unë” fshataresk, që nuk po na shqitet dot. Bah, te Myzi mos prit kurrë nga të tilla gjëra. Ai ka vazhduar të mbetet një idealist i fluturimeve dhe një respektues korrekt i arritjeve të shokëve me të cilët ka fluturuar apo ka pas të bëjë drejtpërdrejtë. 
Myzaferit, që erdh zemërthyer në Shkollë në detyrën e sintruktorit fluturues; që erdh krahas pilotëve të tjerë të rinj nga regjimenti, si i ndjeri Sabri Toçi, Eqerem Tuga, Delo Isufi, Aziz Alla, i caktuan katër kursantë.
 Të gjithë shkriheshin së qeshuri kur ndonjëri prej katërshes së Myzit, ngrihej nga parku i vogël i përgatitjes dhe bënte një, dy apo tre xhiro vrap, sa ishte masa e ndëshkimit. Kjo donte të thoshte që, i ndëshkuari, kishte thënë gabim ndonjë gjë që duhej mësuar përmendësh apo kishte bërë keq ndonjë skemë. Ky kros gazmor kishte ndikimin e vet gazmor në sulmin e përgjithshëm që bëmë të gjithë për t’u bërë sportistë të shkëlqyer, siç duhet të ketë një pilot. Kroset rreth aerodromit mëngjes për mëngjes, ishin bërë të dashur për të gjithë, dhe, ja, edhe një çikëz kros….      
VRAPIM SKËTERRE DUKE NDJEKUR AEROPLANIN E GIMIT
“Oh, edhe mua më kanë shkuar punët mirë...Gjëra të vogla....Mirë, mirë... Haj bëjmë një shah”. Është dita e dytë që kemi planifikuar për intervistë me ish instruktorin tim të parë të fluturimeve dhe rrezikohet ta lëmë sërish në mes sapo të ndjejmë që ngjitet shkallëve si furtunë, Xheku, rivali i tij i vjetër. Myzafer Zaho i mban kujtimet e tija të fluturimeve si një pasha që ngurron të nxjerrë jashtë kështjellës së tij të bijën për ta martuar. Mua nuk ma prishë dot. Ai ma ka respektuar papushim pasionin tim për të shkruar. Një herë desh e ka hedhur në baltë një libër që i dhurova, duke më bërë kështu presion që të merrja lekët e librit; presion që e kam provuar jashtëzakonisht rrallë në këtë intensitet. 
Mirëpo, ky burrë që ende i do si adoleshent librat, futbollin dhe shahun, ka kaluar edhe nëpër katastrofa.... Instruktorët e Tip – 61 , që të gjithë thuajse moshatarë me njëri-tjetrin dhe, sigurisht miq, tre katër vite më të mëdhenj se tetëmbëdhjetëvjeçarët që do t’u mësonin së pari udhët e qiellit, sa kishin hyrë në fazën kur kishin nisur fluturimet vetëm.
Tanimë 3–4 studentët e secilit prej tyre, të organizuar në dy skuadrilje, po fluturonin pa ata. Ishin fluturime në rreth. Instruktorët mblidheshin ja diku pranë udhëheqësit të fluturimit, ja ca më tej dhe shikon e krenoheshin, apo inatoseshin e shanin kursantët e vet që tanimë fluturonin secili duke e patur kabinën e dytë bosh. Kishte patur ndonjë student nga ky grup prej 43 kandidatësh për t’u bërë pilotë, që nuk kishte mundur ta merrte dot aeroplanin. Kishte patur edhe ndonjë që e kishte marrë me  peripeci, por, sigurisht, brenda normave premtuese. Ndryshe shpata e madhe e Babaçe Faikut, nuk kalonte poshtë në formën e firmës.
 Tanimë ishte radha e fluturimeve të Agim Qesarakut nga Rapska e Përmetit, një djalë i qetë, i heshtur, shumë korrekt, i vëmendshëm dhe i dëgjueshëm. Myzafer Zaho rendi te ai , ndërsa ishte te brezi I ngritjes. Rendi t’ jepte porosinë e fundit. Agimi sapo kishte nisur të fluturonte vetëm dhe, prania e instruktorit në kabinë ca çaste para ngritjes, i jepte atij krahë; Myzi e dinte këtë. Çuditërisht instruktori pa që ai nuk i kishte shtrënguar mirë rripat e ndenjëses dhe të parashutës, që kryqëzoheshin me njëri-tjetrit. Helika punonte me xhiro të vogla dhe ai, si ia kontrolloi rrypat e sigurimit dhe a shtrëngoi fort me dorën e tij, i uroi fluturim të mbarë Qesarakut të heshtur dhe ca si në punë të vet. Ata rripa Po e ndiqte me sy ngritjen e tij, kur....aeroplani mori të anuar....Uuuuuuuu....Mooooos....Të anuar dhe po humbiste lartësi.
Mooooooossss......Myzi flaku mbatanë kurtkën prej lëkure që e mbante në dorë ia theri me të katra drejt vëndit ku aeroplani me Agimin e tij po binte duke u anuar. “Mos me kren...nxirre nga kreni! Nxirre nga kreni! (kren–rusisht-anim – shën R.L.)”, thuajse bërtiste me vete , derisa avioni humbi si bishë ata 50 metro lartësi. Nuk i ndjente këmbët tek rendnin. Agim Qesaraku kishte rënë. Agimi i tij ishte rrëzuar me aeroplan. Po ai sa kishte nisur të fluturonte vetëm! Ai kishte rënë me kren. Edhe në mos qoftë përplasur me ndonjë pemë a ledh, me tërë atë kren...Bobooo....O zot, mos pëlciste ndonjë flakë. Benxoli shpërthen si nitroglicerina. Mos...Nëna ime... Ndjeu në krah një nga makinat e repartit , derën e saj që u hap dhe kërceu sipër saj. Agimi... Përse ra? ç’i ngjau të shkretit...
Shyqyr që e lidha mirë, ia shtrëngova me këta duar rripat....Mos i pëllcet flakë dhe Gimi më digjet brenda...Bobooo....O zot ishalla nuk ka flakë....Mjafton një shkëndijë dhe ai....do ta shihte Gimin e tij duke u djegur pa patur mundësi të bënte asgjë...Po të ishte për flakë, ajo duhej të kishte plasur....Të ketë dalë?  Shoferi nuk po pyeste më për ulje-ngriturat e terrenit....Mos ka vdekur? Tre studentët e tjerë , Veizin ( Kovaçi), Simon (Pasholli) dhe Rizain (Lahi) shyqyr i kishte në ajër. Me siguri që nuk dinin asgjë.... Mbase ka dalë dhe nuk e shohim dot....Mos flakë....Ku më ndodhi mua...Agimit tim...Mos është bërë copë...vdekur...Mooooos! Por avioni kishte rënë për mrekulli mes disa pemëve, as flakë nuk kishte dhe Gimi ishte atje brenda. Me kokën varur. Mos kishte vdekur? Kërceu që nga makina ende pa u ndalur ajo dhe - përmbi kabinën e aeroplanit TIP– 1. E hapi atë me forcë, si të ishte banor i “Nautilusit” në fundin e detit që ka zbuluar pakëz oksigjen. Zëmra e Agim Qesarakut rrihe për mrekulli.
Ai kishte humbur ndjenjat. Siç e kemi shkruar në librin “Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej”, Myzaferi 23 vjeçar kundërshtoi në mënyrë demonstrative, me zë të lart dhe thuajse me arrogancë vendimin e komisionit shtetëror që vinte me faj studentin e tij për katastrofën ajrore. Sipas tyre Agim Qesaraku e kishte fikur vetë, pa dashur, motorin, mirëpo kjo duhej argumentuar. Me ç’të drejtë ia ngjitin fajin studentët e tij? Po, po! Jam kundër konkluzionit tuaj! Ia keni futur kot! I tërë regjimenti nuk pipëtinte ndërsa bërtiste që nga rreshti ashtu dhe pa i kërkuar lejë askujt biri i Xha Matanit luftëtar, i vetmi njeri që po e mbronte para regjimentit të rreshtuar Agimin e hutuar dhe të ndezur flakë. Agimi që kishte parë llahtar me sy, që, në ato 70 metro, kishte mundur të bënte veprimin e parë menjëherë, të mblidhte rrotat, përpara se ta humbiste në prakun e përplasjes me tokën, mbase duhej larguar nga udhët e qiellit. Jo vetëm në spital, por dhe më vonë, në trup i kishin mbetur shënjat e nxira të rrypave të shtrënguar.
Egërsia e përleshjes së inercionit të vdekjes me forcën poetenciale të rripave të shtërnguara, kishte përfunduar ne favor të jetës. Agim Qesaraku sypatrëmbur këmbënguli të fluturonte sërish dhe ajo u realizua. Por duke e përsëritur edhe një herë vitin e parë, gjë që as kishte ngjarë dhe as ngjau më asnjëherë në shkollën e aviacionit të Vlorës.  Pas kaq e kaq vitesh... Myzafer Zaho, ky burrë dinjitoz, shumë i zoti dhe po kaq i heshtur, ma tregoi këtë detal krejt rastësisht. Unë qesha me nostalgji për këtë intimitet që e mora vesh pas 40 vitesh.                   
ADA AIR-LINJA E PARË SHQIPTARE NDËRKOMBËTARE
Në fakt, pilotë shqiptarë që kanë guiduar nëpër ajër rrugëve ndërkombëtare, vendi ynë ka patur në kohën e komunizmit – një ekuipazh, që cilësohej i “qeveritar”. Ky ekuipazh qe përzgjedhur nga një sasi e madhe pilotësh që fluturonin në kohën që nuk kurseheshin resurset e avio–motorëve për përgatitjen e tyre.
 Shqipëria ka patur deri vonë katër aeroplanë IL -14, me njërin prej të cilëve, 15–09, janë kryer disa fluturime ndërkombëtare.  Në të gjithë rastet, fluturimet kanë qënë shumë specialë, të konsideruar të rëndësive të veçanta, por, Shqipëria e asaj kohe, asnjëherë gjatë historisë së saj, nuk pat asnjë linjë ajrore ndërkombëtare për pasagjerë. Në historinë e vëndit tonë kjo linjë– pasagjerë me bileta në aeroplanin me ekipazh shqiptarë për të kaluar jashtë hapësirave ajrore të Shqipërisë, u krijua në vitin 1991. Në kohën kur ngado po aplikohej “terapia e shokut”. Ja se si ka ndodhur. Nga Shqipëria e sapo dalë prej tollonave, ja që kishte edhe mjeshtra të mençurisë e shkathtësisë, si ish-punonjësi i “Makina Importit” të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, inxhinieri Marcel Skëndo. Ky, në bashkëpunim me francezin e familjarizuar me shqiptarët Zhylien Roshe, vendosën t’i hynin këtij biznesi spektakolar.
Sigurisht që në këtë ndërmarrje ka qenë ndërthurur pasioni dhe dashuria e pakufishme e aeroplanët por, oh, sigurisht, edhe pasioni dhe dashuria e pakufishme për t’u pasuruar. E çfarë duhej për të patur Shqipëria avion me stampën e saj dhe me ekuipazh të saj, burra–pilotë?  Duheshin pilotë të stërvitur. Duheshin, oh, patjetër, licencat e lejet që donte të thoshte të çaje nëpër administratën postokumiste ku po përhapej mentaliteti halldup i ryshfeteve–gangrenë që na ka hyrë deri te kapilarët e shoqërisë sot. Labi nga Tepelena bëri të pamundurën – e nxori dhe lejen e liçensat private dhe gjeti pilotët. I përzgjodhi ata mirë e bukur, duke shoshitur gjithçka me kujdes. Në Shqpëri kishin rënë fluturimet në masë dhe pilotët po mërziteshin përditë e më shumë se nuk kishte fluturime. Gjithçka në rregull. Ja ku ishte aeroplani i ri fringo, njëzet vendesh, EMB -110, i prodhimit brazilian, me kooperim ndërkombëtar. Ja ku ishin dhe të katër pilotët: Myzafer Zaho, Et’hem Alia, Musa Kame dhe Bujar Tollkuçi.
 Ata duhej të orientoheshin me shkollën perëndimore të fluturimeve, kurse I përkisnin asaj shqiptare me thekse të forta lindore, ruse. Sigurisht me ndërhyrjen e vendosur të Roshesë dhe të shtetit të tij, të katër pilotët shkuan në Mont Pelie për t’u specializuar me tipin në fjalë, me terminologjinë ndërkombëtare dhe , sidomos me rregullat e lundrimit ajror nëpër Evropë. Ata që të katërt ishin pilotë të shkëlqyer për standardet e vendit tonë, por tanimë rrethanat ishin krejt të tjera. Për një muaj e gjysëm ata flinin e hanin në vënde të zgjedhura, stërviteshin në kushte komode dhe, në një farë mënyre, po provonin vetë jetën luksoze franceze, për të cilën kishin dëgjuar në atdhe.
Gjithsesi, linjat ndërkombëtare nisën duke fluturuar një pilot shqiptar me një francez. Firma Roshe–Skëndo kishte marrë masa dhe kishte sjellë dy pilotë francezë. Njëri nga ata, ishte 60 vjeçari me shumë përvojë, Zhorzh Grevo. Piloti i njohur Et’hem Alia qe zëvendësuar me pilotin e ri me origjinë kosovare, Izet Krasniqi. Kur erdhi dita e rrogës së parë, të katër albanezët po prisnin pas dy francezëve. Ata u buzëqeshën kolegëve të tyre dhe u lëshuan radhën. Kur… Jo, Izeti, jo, nuk ka për të paguar gjë, se nuk ka qenë në Mont Pelie, por ju tre të tjerët, sorry, duhet të paguani krejt shpenzimet që ka harxhuar xhepi i dy presidentëve për stërvitjen e qëndrimin e tuaj në Mont Pelie.
Ishin 91000 USD që duheshin paguar “kokërr më kokërr”. Se, aq ore, ja edhe faturat po të donin, nji ku i kishin, kishte kushtuar ai një muaj e gjysëm. Si? Pse nuk u kemi thënë më parë që të kursenit ca dollarë në ushqim e në fjetje, ore? Eeeee….Hajt, hajt!!! Për tre vjet nga 1 mars 1992 deri më 1 mars 1995, secili nga tre pilotët pagoi 30 mijë USD prej rrogës së tij dhe, kur erdhi dita e shënuar që, më së fundi borxhi qe shlyer, rroga vazhdoi të ishte …thuajse aq sa më parë. Ishte një mënyrë e pahijshme, e turpshme, ky shpërblim financiar që po aplikohej ndaj idealistëve të shkollës shqiptarë të aviacionit. Ndërsa fluturimet vazhdonin. Izeti nga Kosova, nuk mundi të duronte më.
 E  konsideronte diskreditim dhe turp politikën e rrogave që ndoqën themeluesit e linjës së parë ndërkombëtare shqiptare ndaj pilotëve shqiptar dhe këtë po e shprehte hapur fare. Ai kishte ëndërruar tërë jetën të vinte në Shqipëri, të fluturonte me stampa shqiptare, siç ëndërrojnë pa përjashtim të gjithë kosovarët. Izeti gati po qante natën kur u largua, duke i thënë shokëve që, le të kujtonin rrogat e pilotëve francezë dhe t’i krahasonin me të tyret. Musa Kame, Myzaferi dhe Budioni e kapërdinë diskreditimin rrogave. Jo vetëm se ende nuk ua hante mideja format e protestave për rrogat, por ata, as nuk kishin nga të shkonin. E kush i qaste më edhe një herë në ushtri ata? Kur orët e fluturimit po pakësoheshin në mënyrë të frikshme. Për më tepër, ngado shokët e kolegët e tyre i shihnin me zili, pa e ditur se ç’mbante brenda vorba që ziente...
Të dy biznesmenët ditën të manovrojnë për mrekulli me pasionin për fluturim të tre burrave të shkollës shqiptare të aviacionit dhe të mungesës së makutërisë së tyre për para. Firma vazhdoi fluturimet duke iu rritur rrogat nga paksa – të mira për kushtet shqiptare por aspak të tilla për kolegët e tyre të vendeve sado të varfëra. Pilotët e ambientuan për mrekulli me specifikat e fluturimeve ndërkombëtare, me aeroportet ku ulet e ngrihet një avion në minutë e me nga tre – katër pista. Mes zërave të panumërt të efireve ndërkombëtare, dedektonin përditë në gjuhën angleze tingujt e zërave të shokëve tanë, pilotë të shkollës shqiptare të aviacionit.   
Nga libri në proces kushtuar aviatorëve shqiptarë
“DINOSAURËT E FUNDIT”, vll. 2 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...