2011-04-28

Koral i literaturës më të re shqiptare

Qasje analitike mbi studimin “Kritikë historiografike bashkëkohore”, të studiuesit Agim Zogaj i botuar në Prishtinë vitin e kaluar! *




Albinot Maloku
Analist dhe hulumtues i pavarur


Studiuesi shqiptar prof.dr. Agim Zogaj është ai që përmes studimit të tij “Kritikë historiografike bashkëkohore”, përzgjedh historitë të cilat duhet dhe kanë ngelur në memorien e popullit shqiptar.


Kohët e fundit në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, me plot emocione dhe pa studim kritik bëhej fjalë për bëmat e sistemit komunist. Natyrisht të vlerësosh një situatë pa e hulumtuar e studiuar është jokorrekte, qoftë vlerësimi pozitiv apo negativ. Për të përafruar pikëpamjet e mija mbi hapjen e dosjeve të së kaluarës, apo edhe të ristudimit e rishkrimit të historisë, mora për të konsultuar disa tituj të studiuesve shqiptarë.
Kam marrë shumë informacion nga studimi i historianit Agim Zogaj i titulluar me kujdes “Kritikë historiografike bashkëkohore”, studim të cilin e vlerësoj si një koral i literaturës më të re shqiptare. Shqyrtimet historike të punuara me maturi e përgjegjësi nga studiuesi Zogaj mund të shihen në këndvështrime të ndryshme, duke vlerësuar rëndësinë dhe vlerën e secilit fakt historik. Ngjarjet dhe figurat që i paraqiten lexuesit në këtë vepër janë si një mozaik i cili shfaqet pa pahir, por i shkruar me kujdes.
Autori, momentet e ndryshme të historisë shqiptare në këtë studim i mbërthen nga të gjitha anët e globit që kanë refleksion mes tyre. “Diplomacia amerikane dhe çështja shqiptare”, “Kosova – perspektiva e saj evropiane” dhe “Kthimi në historinë tonë (shqiptare) nëpërmjet letrave arabe” janë titujt e studimit të cilët të lënë të kuptosh shqyrtimin shumëdimensional të ngjarjeve që ka bërë studiuesi.
Studimet historike shqiptare patjetër që duhet t’i nënshtrohen rivlerësimit e ristudimit, por pa u larguar nga vështrimet kritike të fakteve. Studiuesi Zogaj, me plot të drejtë kërkon që “reformimi i rishkrimit të studimeve historike si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë e Tetovë, duhet të bëhet krahas të arriturave të shkollës moderne perëndimore të shkrimeve dhe të studimeve historike.” Kjo kërkesë mund të konsiderohet si mendim shkencor bashkëkohor i bazuar dhe që shfaq shpresë për ndërprerje të keqpërdorimit të fakteve.
Studimi “Kritikë historiografike bashkëkohore”, është i ndarë në tre kapituj dhe me tituj të renditur që kanë secili vlerë të veçantë. Fakti që autori është njohës i mirë i ngjarjeve të Jugosllavisë komuniste dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë e Jugosllavisë, e ka ndihmuar që më me kompetencë t’i shqyrtojë ato në këtë studim.
Implikimet e komunistëve jugosllavë në Shqipëri, e sidomos tek Partia Komuniste, studiuesi Zogaj i shtjellon jo me ndjenjën e një joprofesionisti emocional, por me dioptrinë analitike. Ato implikime i vlerëson si motorin kryesor të fraktimit të faktorit politiko-ushtarak shqiptar dhe lexuesit i lë hapësirë të vërejë paditurinë e papërvojën e liderëve politikë në Shqipëri karshi atyre jugosllavë.
Me plot bindje dhe përgjegjësi mund t’i inkurajoj të gjithë ata që duan të futen në ujërat e teorisë së diplomacisë që ta konsultojnë studimin “Kritikë historiografike bashkëkohore”. Në disa tituj të këtij studimi, autori u bën një qasje studimore konferencave ndërkombëtare të cilat kanë ndikuar qoftë pozitivisht apo negativisht në historinë shqiptare. Se si mbeti Shqipëria në sferën e interesave të lindjes, autori në mënyrë komperative e analitike përgjigjet kur shqyrton Konferencën e Jaltës.
Jo me kokën e syrin e një nacionalisti të paskrupullt, por me atë të patriotit bashkëkohor shqiptar, studiuesi Agim Zogaj interesohet që duke parë të kaluarën t’i shtrojë pyetje vetes e bashkëkombasëve se nga po shkon njeriu i quajtur shqiptar dhe tokat e tij. “Historia e popullit shqiptar ngërthen në vete zhvillime që karakterizohen me përpjekjet titanike për të mbijetuar, për t’iu rezistuar, në radhë të parë përpjekjeve të popujve të tjerë për sundimin e kombit.” Kështu shprehet historiani Zogaj kur analizon rrugën historike dhe kombëtare të Kosovës deri te Kushtetuta e Kaçanikut. Përveç këtij interesimi autori i studimit “Kritikë historiografike bashkëkohore”, i bën një digresion çështjes shqiptare të ditëve të sotme dhe distancës mes saj dhe programit kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Sot, kur gjeografia politike e atdheut shqiptar është e ndarë dhe në tokën e tyre janë bërë dy shtete, njëra me nëntëdhjetë e shtatë vjet eksperiencë ekzistimi e tjetra me një, e shtyn autorin Zogaj që të shtjellojë mundësinë e anëtarësimit të Kosovës e të Shqipërisë në Unionin Evropian si zgjedhjen më të mençur të momentit. Pikërisht për këtë, siç thamë edhe më lart, me kokën e syrin e patriotit bashkëkohor shqiptar, Agim Zogaj vlerëson se “Shekulli i XXI, si shekulli i një shprese të re për mbarë njerëzimin, pra edhe për ne shqiptarët, ka lënë prapa shekullin e megavdekjeve, shekullin e politikave të dominimit, të pushtimeve, të cilat politika kulmuan me tragjedi të miliona njerëzve. Ne pra, edhe si qytetarë...të një prej rajoneve më sfiduese të Evropës Juglindore, jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm që, mbi themelet e projektit të ndërtimit të Evropës së Bashkuar, të jemi pjesë e atij projekti...”.
Në përfundim po citoj ish-profesorin tim Esad Zgodić i cili thotë: “Të kujtuarit e jetës personale dhe eksperiencës së saj, përbën thelbin e identitetit të çdo njeriu...Po kështu ndodh edhe me popujt: memoria, kujtimi i cili përzgjedh historitë personale është përbërës i individualitetit të tij”.
Studiuesi shqiptar prof.dr. Agim Zogaj është ai që përmes studimit të tij “Kritikë historiografike bashkëkohore”, përzgjedh historitë të cilat duhet dhe kanë ngelur në memorien e popullit shqiptar.


* Kjo analizë kritike u botua në të përditshmet "Info press", "Epoka e Re" në Republikën e Kosovës

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...