2011-04-30

Fondi i librave për Skënderbeun


nga Belina Budini


image











Kur kryeministri shqiptar prof.dr.Sali Berisha i ka nxjerrë nga biblioteka e tij personale ndoshta nuk e ka ditur që dy prej tyre mund të shkojnë deri në 15 mijë euro secili. Duken thjesht ca libra të zverdhur nga koha, por janë ngjarja e vetme e të paktën 17 viteve të fundit për thesarin e antikuarit të Bibliotekës Kombëtare.
Që nga koha e bastisjes së bibliotekave personale dhe fetare, apo atyre të ish-bejlerëve e pashallarëve nga komunistët, asgjë të re nën tavanët e ulët të bodrumeve me libra të rrallë! Në dhomën e hekurt ku ndryhen librat shekullorë do të ketë kësisoj më në fund vizitorë të rinj por miq të vjetër, sepse sipas drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasarit, të paktën dy nga librat e dhuruar i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si antikuare.

Ka gjasa që Berisha të mos e ketë idenë as për këtë, ndërsa librat duket i ka pasur dhuratë nga koha kur ka qenë president. Një Skënderbe i Lavardin, një tjetër i Barletit dhe një i tretë i Paganelit janë ekzemplarët të cilët datojnë që nga vitet 1500-1600. Të sapovendosur në një stendë ekspozimi në hyrje të bibliotekës, ato nuk i kanë tërhequr tjetërkujt vëmendjen përpos urithëve të përhershëm të bibliotekës që edhe pas vitesh kur kthehesh, i gjen gjithnjë aty. Berisha vetë ka qenë një prej tyre para viteve nëntëdhjetë siç kujtojnë punonjësit e vjetër të bibliotekës, ata që dikur e kishin pëgëzuar si “ky që vetëm krevatin nuk ka sjellë këtu”. Por dhurata e fundit e kryeministrit i ka bërë të gjithë të ndihen të mikluar dhe duket se ia kanë falur të gjitha vonesat pas orës 8.30 netëve të errëta të diktaturës.

Ndërsa biblioteka ka kohë që nuk ka fuqi blerëse për t’i pasuruar fondet e saj me libra të rrallë dhe oferta të tilla madje nuk ka më, Plasari na thotë se shpreson që rasti i kryeministrit të shërbejë për të nxitur edhe posedues të tjerë librash me vlerë që t’i drejtohen bibliotekës. Por duket se vitet e fundit kanë qenë më tepër poseduesit e rremë të librave të tillë që i janë avitur bibliotekës dhe që kanë ofruar gjëra pa ndonjë interes. “Që një libër të klasifikohet si antikuar, sipas një prej ndarjeve më të mbështetura nga studjuesit, duhet të datojë jo më vonë se viti 1830”, - thotë Plasari. Sipas këtij kriteri së paku dy prej librave të dhuruar nga kryeministri  prof.dr.Sali Berisha klasifikohen si të tillë dhe janë futur në procesin e kalimit në arkivën e antikuareve në Bibliotekën Kombëtare.

10 deri në 15 mijë euro mund të jetë sipas Plasarit vlera e Skënderbeut të Jacques de Lavardin, bazuar në të dhënat aktuale të tregut të librit “très rare” ku bën pjesë edhe ky Skënderbe i hershëm i vitit 1604. Megjithëse Shqipërisë i mungojnë ekspertët e vlerësimit të saktë të vlerave të tilla të rralla, Plasari thotë se mund të bëhen përllogaritje të përafërta duke u mbështetur në të dhënat e tregut aktual dhe kësisoj edhe ekzemplari italisht i Marin Barletit që daton në 1568 mund të shkojë në disa mijëra euro, megjithëse ekziston i përkthyer në disa gjuhë, kryesisht i përkthyer nga varianti latinisht. Më pak i çmuar për vetë faktin se daton pas vitit 1830 dhe nuk flasifikohet në antikuaret, Skënderbeu i Camille Paganel paraqet interes sipas studjuesit Plasari për faktin se është përkthyer në gjuhën hungareze dhe si i tillë është një variant unik, ndërsa duket se botimi i tij i përkthyer në këtë gjuhë lidhet me përfshirjen heroike të Huniadit në betejat e turqve të shekullit XV-të. “Megjithatë për të bërë një vlerësim të saktë jo vetëm të këtyre tre librave por edhe atyre që janë pjesë e fondit prej kohësh, duhet marrë mendimi i një grupi ekspertësh të antikuarëve të Evropës”, - shprehet Plasari duke shpresuar se një grup i tillë mund të thirret për ta bërë realisht një vlerësim të tillë për librat e rrallë të Bibliotekës Kombëtare.

Nëse vlerat monetare nuk janë përcaktuar, ato të përmbajtjes duket se mund të vlerësohen më mirë në Shqipëri, edhe pse një pjesë e mirë e dorëshkrimeve arabe dhe perse, për shembull, nuk gjejnë studjues të interesuar në vendin tonë, megjithëse datojnë shumë herët. Fondi i librave për Skënderbeun duket se është në fakt më i pasuri dhe më i shfrytëzuari në arkivën e Bibliotekës. Janë rreth 500 syresh në këtë fond pa llogaritur ende dy librat e dhuruar nga kryeministri Berisha. Ndërsa gjenden edhe gravura nga më të rrallat me imazhet e panjohura të Skënderbeut, libri i autorit francez Jacques de Lavardin hyn për herë të parë në fond me titullin: “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë”.

Sipas specialistëve të arkivës vepra që ka njohur disa botime në 1576, 1593, 1596, 1597, i përket botimit të vitit 1604 dhe është origjinale. “ Libri i kushtohet jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –Skënderbeut; Në krahasim me dy botimet e mëparshme të vitit 1597 e 1958, ky botim ka një shtesë prej 47 faqesh në fund lë librit dhe ka veçori bibliofilike në miniatura.Frontespici është shtypur në ngjyrë kuq e zi, ndërsa në të gjendet edhe vula e botuesit dhe kopertina është me lëkurë origjinale”, - shpjegon specialistja. Sipas informacionit në hyrje të librit, vepra rrëfen bëmat e lavdishme të betejave të Skënderbeut dhe fitoret e tij kundër turqve për fenë e Jezu Krishtit. “Ky botim përmban edhe një kronologji turke ku përmblidhen të dhëna për Sullntan Bajazitin e II-të, Selimin e I-rë, Sulejmanin e II-të, Murain e III-të dhe Muhametin e III-të”, - shkruhet në hyrje të librit në gjuhën frënge që është botuar në Franche – Ville të Francës në vitin 1604.
Libri i dytë ka autor Marin Barletin dhe rrëfen në italisht “Historinë e të madhërishmit dhe trimit, zotit Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbe, princi i denjë i shqiptarëve”. Kjo vepër që ekziston në disa gjuhë, është përkthyer nga latinishtja prej Pietro Rocha, ndërsa viti i botimit është 1568 në Venecia. Megjithatë, duket se një ekzemplar tjetër i këtij libri ekziston tashmë në arkivën e Bibliotekës Kombëtare. Libri i tretë nuk është ende një antikuar, por konsiderohet ekzemplar interesant për faktin se është përkthyer në gjuhën hungareze nga varianti frëngjisht i botuar në Paris në vitin 1885 dhe autori është francezi Camille Paganel.
Ndërsa na shoqëron për në arkivën e librave të rrallë, një punonjës i vjetër i bibliotekës na rrëfen se një pjesë e rëndësishme e thesarit të librit antikuar ka vulat e bibliotekave personale të njerëzve të njohur që nga Bushatllinjtë e deri tek Lumo Skëndo dhe së fundmi do të ketë edhe atë të Sali Berishës. Në fund të fundit a nuk janë librat ato që kanë siguruar përjetësinë deri më sot?

Udhëtimi i librave të rrallë në Shqipëri

Librat në kërkim të të cilëve jemi vënë janë përfshirë edhe në histori krimesh komuniste. Të plaçkitur me dhunë nga bibliotekat personale të familjeve të mëdha, trashëgimtarëve të bejlerëve dhe pashallarëve, arkivit të françeskanëve dhe Urdhërit Jezuit, tanimë vetëm vulat dhe mbishkrimet kanë mbetur gjurmë të këtyre “krimeve”, të vetmet që kanë sjellë një dobi duke pasuruar me vlera të rralla fondet e bibliotekës kombëtare. Duke zbritur në bodrumet e ngushta ku ruhen tanimë me vështirësi dhe në kushte të papërshtatshme qindra-mijëra libra, ato që ruhen në kushtet më të forta të sigurisë për shkak të vlerës së rrallë janë librat e fondit të antikuarit.

Pranë Mesharit të Gjon Buzukut, të cilit në fakt i mungojnë disa faqe dhe është vetëm një fotokopje e variantit origjinal që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (edhe si e tillë unike megjithatë), shkëlqejnë me luksin dhe sharmin e mbartur deri sot inkunabulat që janë edhe pasuritë më të rralla që zotëron biblioteka. Mbajnë gurë të çuar, dekoracione të praruara dhe kryesisht të punuara me ar dhe argjend, por më të vlerësuara duket se janë për vitet që mbajnë mbi kapakët e rëndë dhe faktin që vijnë nga shekujt e errët të epokës kur nuk ezkistonte shtypshkrimi dhe forma e sotme e librit dhe gjithçka bëhej në mënyrë artizanale.
Udhëtimi i tyre në Shqipëri duket i mistershëm dhe befason të gjithë studjuesit dhe njohësit e bibliotekave në botë kur zbulojnë se ekzemplarë unikë inkunabulash ekzistojnë edhe në bibliotekën relativisht të re të Shqipërisë.

Por edhe pse është një institucion i themeluar vetëm në itin 1920, Biblioteka Kombëtare vijon një traditë shumë të vjetër bibliotekare në Shqipëri që shkon thellë në Mesjetë në oborret e princërve shqiptarë si dhe të bujarëve, kontëve, arhonëve ku funksionin kancelari në latinisht, greqisht, sllavonisht dhe kishin pranë tyre edhe bibliotekat përkatëse. Madje edhe nga pesë shekuj të pushtimit osman tradita e bibliotekës vazhdoi sipas studjuesve dhe u përcoll kryesisht nëpërmjet bibliotekave të familjeve të mëdha, të pashallarëve e bejlerëve, por edhe atyre të institucioneve fetare: abacive benediktine, kuvendeve françeskane e jezuite, manastireve ortodokse, medreseve, teqeve të bek­ta­shinjve. Pozicioni gjeo-historik i shqiptarëve në zonën e kalimit nga Perëndimi në Lindje ka ndihmuar edhe në ruajtjen e kësaj tradite që pak njihet.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...