Nëpërmjet romanit, “Mister në Virpazar”, Vladimir Marku na paraqet një ngjarje virtuale misterioze mbështetur mbi konceptet e tij sureale, mbi subkoshiencën, forcat okulte dhe haluçinacionet. I tërë romani në thelb ka enigmën e lëvizjes së shpirtrave dhe fantazmave, nëpërmjet të cilave autori kërkon të “gjallojë” botën e fshehtë, atë të përfytyrimeve mbushur me tension, dashuri dhe frikë, ku realja dhe irealja shkrihen në dimensionet e njëra tjetrës. Ai thotë se përtej fasadës fizike të sendeve dhe objekteve, të kohës e hapësirës, ekziston edhe një plan tjetër, i cili duhet të merret parasysh sepse pikërisht aty ndodhet energjia potente e një lënde të padukshme e cila kapet nga shqisat tona paranormale. Ideja e tij e kapërcen dukshëm kufirin e referuar të fantazisë dhe realitetit dhe arrin deri në përcaktime filozofike. “E vërteta, thotë ai, në të vërtetë, shkon kaq larg sa, në fakt, ne nuk e njohim atë”. Ai këmbëngul mbi llogjikën shkencore të dukurisë, madje jep edhe ide interesante mbi ndikimin e fushës ndërgjegjësore, e cila na kujton ritet e hershme pagane të festave të natyrës dhe lutjet e popujve të ndryshëm primitivë për të ndikuar mbi fenomenet e natyrës dhe pjellorinë e tokës. Duket sikur autori çertifikon dukuri të tilla dhe beson në efektet e tyre “çudibërëse”. Proza e Markut, synon kështu të lëvrojë parcela të reja intriguese duke na sjell emocione të thella dhe ndjesi të holla. Ai mëton të na ndërgjegjësojë se rreth e qark vetave tona si dhe brenda tyre, zhvillohen jetë paralele dhe hierarkike më të larta e më të pastra se sa ajo që preket e zhvillohet përditë para syve tanë. Ai mëton gjithashtu të na ndërgjegjësojë me kulturën e një fushe jo shumë të populluar tek lexuesi shqiptar. Është pikërisht ky tipar që e bën atë një prozë të shpenguar dhe rebele në ndjekjen e hullive letrare të traditës së derisotme. (Nga Nuri Plaku)
http://gazetakritika.net/literatur/mister_vir/mister_ne_virpazar.html