2011-04-29

BALADË E NËNAVE TË KOSOVËS QË PRESIN FËMIJËT E ZHDUKUR


Nga ELIDA BUÇPAPAJ


Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin zgjuar,
që nuk vënë gjumë në sy
prej katër vitesh,
që nuk e njohin më gjumin,
as natën as ditën,
që vigjëlojnë
natën dhe ditën
në pritjen e pafundme,
që matet me sekonda,
minuta, orë,
ditë, javë, muaj,
kur ndërrohen stinët,
në verë dhe dimër,
kur vjen Viti i Ri,
kur vijnë ditëlindjet
e 3500 djemve.

Janë 3500 Nëna Shqiptare
që presin
me sy të skuqur prej lotëve,
që rrjedhin
si burime të pashterrëshme,
me sy që nuk mbyllen kurrë
prej nga burojnë ujvara lotësh,
që kthehen në burime drite
për të kërkuar
dhe gjetur
loçkën e zemrës.

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin 3500 djem
Që janë 3500 bij,
Që janë 3500 vëllezër,
Që janë 3500 burra,
Që janë 3500 bashkëshortë,
Që janë 3500 etër
Për të paktën 10.000 fëmijë
Që presin përkëdheljet
e etërve të tyre,
Apo që presin të lindin,
Sepse Kosova
është tokë pjellore
dhe e bekuar
që lind shumë fëmijë…

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin
kthimin e djemve të tyre,
Që qendrojnë me zemra
të ngrira,
akull,
Me zemra të dridhura,
sikur mbajnë tërmetin

Janë 3500 nëna Shqiptare
që qëndrojnë si statuja
me vështrimin
e ngulur nga dritarja,
me vështrimin
e ngulur tek dera,
se ja,
mos hapet dera
dhe vjen djali,
se ja
mos troket dera
dhe vjen lajmi s
e djali u gjet i gjallë,
sepse beson se Zoti
prej dashurisë që ka zemra e nënës
mund t’ia rikthejë jetën
loçkës së saj,
prej një grusht eshtrash
mbuluar nga dhéu i huaj,
që rëndon
si mal
mbi trupin e djalit
dhe zemrën e nënës.

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin,
pritja e tyre
nuk shterr kurrë,
durimi i tyre
nuk shterr kurrë,
për të pritur
që loçkat e tyre
më në fund
le të kthehen në shtëpi
sepse ka tri vjet
që lufta ka mbaruar,
dhe lufta kur mbaron,
mbaron për të gjithë,
Atdheu është i bekuar
për të gjithë bijtë e tij,

liria është e bekuar
për të gjithë bijtë e saj,
edhe për 3500 djemtë
e nënave Shqiptare
edhe për 3500 uraganët
e mbuluar nga heshtja
dhe harrimi i vëllezërve
të një gjaku,
liria është e bekuar vetëm
kur vëllezërit e një gjaku
shndërrohen me zemër
në 3500 djemtë uraganë
të 3500 nënave shqiptare
kthyer në 3500 Statuja Lirije
që presin pa shterrje,
pa shterrim deri në vetmohim,
deri në vetsakrificën sublime,
liria nuk është e bekuar
kur vëllezërit e një gjaku
i mbulojnë me harrimin e rëndë
si dheu i huaj
3500 djem uraganë shqiptarë
dhe 3500 zemra nënash,
që me mallkimet e tyre shkaktojnë tërmete,
ndërsa me bekimet
paqen dhe qetësinë që i duhet Atdheut…

-------

Kur është shkruar kjo baladë mungonin 3500 shqiptarë, sot mungojnë 1900, por edhe ata që janë gjetur gjatë këtyre 11 viteve, asnjë s’ka qenë i gjallë

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...