2011-04-28

Përgatitja për luftë e popullit shqiptar në RSFJ



Nga Flori Bruqi


Ndonëse shqiptarët ishin të vetëdijshëm se pa luftë të armatosur vështirë se do të zgjidhej çështja e Kosovës, përgatitjet serioze për konfrontim të armatosur në mënyrë institucionale filluan vetëm pas krijimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Përpjekjet e para për krijimin e formacioneve ushtarake kanë një parahistori më të hershme.



Me këtë rast po veçojmë organizatën ilegale Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare, e cila veç aktiviteteve propagandistike kishte filluar që nga Perëndimi të sillte armatim. Organizator i blerjes dhe transportit të armëve nga Perëndimi në Kosovë ishte Zija Shemsiu  nga Përlepnica e Gjilanit. Porositë për blerjen e llojeve të armëve i bënte vëllai i tij, Shabani i cili ishte oficer rezervë i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe ligjërues i lëndës Mbrojtja dhe Siguria në Qendrën e Arsimit të Mesëm në Gjilan.
Zija Shemsiu

Zija Shemsiu (1950-1985)

Më 9 tetor të vitit 1983, kur Zija Shemsiu dhe bashkëpunëtori i tij Sami Kurteshi nga Gjilani u arrestuan në afërsi të Beogradit, te këta dy veprimtarë u gjet armatim kryesisht i destinuar për kryerjen e aksioneve diversante, të cilat janë veprimet e para luftarake parapërgatitore për kryengritje të përgjithshme në vendet e pushtuara. Ky armatim përbëhej nga një automatik italian i kalibrit 9 mm, një pistoletë Browning e kalibrit 9 mm, një pistoletë Walther,  një revolver Smith & Wesson i kalibrit 38 special, 1.000 fishekë, si dhe sasi të konsiderueshme të eksplozivit plastik. Gjithashtu edhe armatimi i gjetur nga policia serbe në shtëpinë e familjes Shemsiu, si dhe ai i cili ishte shpërndarë, kryesisht ishte armatim i të njëjtit lloj. Arrestimi edhe i tetë anëtarëve të tjerë të këtij rrjeti (pesë nga familja Shemsiu) dhe dënimi i tyre me burg të rëndë, e gjymtoi në masë të madhe lëvizjen ilegale të asaj kohe, si dhe e ndërpreu nismën e organizimit ushtarak të popullatës shqiptare.
Fillimi i shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në fillim të viteve nëntëdhjeta, i shoqëruar me ekspansionin ushtarak serb, popullatën shqiptare e gjeti më të paarmatosurën nga popujt joserbë që e përbënin shtetin e atëhershëm jugosllav. Organet e sigurisë; policia dhe mbrojtja territoriale e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ishin futur me kohë nën kontrollin serb, ndërkohë që edhe armatimi i Mbrojtjes Territoriale, i cili ishte blerë nga organizatat punuese të Kosovës ishte konfiskuar nga ish-Armata Popullore e Jugosllavisë. Pikërisht ky armatim dhe e ashtuquajtura Mbrojtje Territoriale ishin bazat e krijimit të ushtrive të republikave të tjera, të cilat e organizuan më lehtë rezistencën kundër ushtrisë serbe.

Në kushtet e një rreziku permanent, nga lufta që vinte nga procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në mungesë të institucioneve përkatëse për organizimin e rezistencës së armatosur, në fillim të viteve nëntëdhjeta pati nisma për krijimin e strukturave ushtarake. Ndër nismat e para është ajo e ndërmarrë nga organizata Fronti i Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar me seli në Gjakovë e themeluar më 1989 dhe e udhëhequr nga Mentor Kaçi. Kjo organizatë e bëri përpjekjen e parë për organizimin e strukturave ushtarake në Kosovë, të cilat planifikonte t’i armatoste në mënyrë graduale deri para fillimit të luftës. Që nga koha kur kjo organizatë kishte filluar të veprojë e deri në nëntor të vitit 1991 kur u zbulua nga organet e sigurimit serb, kishte arritur që të shtrinte strukturën e saj në pjesën më të madhe të Kosovës dhe t’i vendoste kontaktet me furnitorë serioz me armatim më potencial që i kishte në Shqipëri.


Ahmet Hoxha
Ahmet Hoxha (1945-1999)

Lidhja Demokratike e Kosovës si parti politike, e cila ishte institucioni i vetëm që organizonte jetën shoqërore në Kosovë, në fillim të viteve nëntëdhjeta, gjithashtu bëri përpjekje për përgatitjen dhe organizimin e strukturave ushtarake. Në vitin 1991, në marrëveshje me Qeverinë Shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, organizoi shkuarjen e një grupi të të rinjve nga Kosova, të cilët u stërvitën në bazën ushtarake në Currel. Ky grup i udhëhequr nga Ahmet Hoxha nga Pleshina e Ferizajit, trajnohen nga oficerët shqiptarë për përdorimin e armatimit të lehtë të këmbësorisë, që përfshinte pushkët automatike, armët kundërblinduese të krahut, pastaj granatahedhësit 60 dhe 82 mm, si dhe një varg stërvitjesh taktike, të cilat kishin të bënin me aftësimin e këtyre djemve për kryerjen e veprimeve diversante. Pjesëtarët e këtij grupi u kthyen nga Shqipëria në rrugë të ndryshme pa sjellur armatim në Kosovë.

Sali çeku

Sali Çeku(1956-1999)
Grupi i dytë i përbërë nga 55 pjesëtarë dhe i udhëhequr nga Sali Çeku,nga Broliqi i Deçanit,i cili  mori pjesë në trajnimin, i cili u organizua po në bazën e Currelit. 33 pjesëtarë të këtij grupi nga Shqipëria u kthyem me armatim, i cili përbëhej prej 75 pushkëve automatike T-56, si dhe nga një sasi e konsideruar e municionit dhe bombave të dorës. Kjo është sasia më e madhe e armatimit të sjellur ndonjëherë në Kosovë në mënyrë të organizuar deri në këtë kohë dhe njëherësh këto dy grupe më vonë do të jenë baza nga e cila më pas u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës.



Zahir Pajaziti

Foto para Muzeut të Skënderbeut në Krujë – Pjesëtarët e Grupit të Parë të cilët u stërvitën në bazën e Currelit. Në këtë grup përpos të tjerëve janë edhe dëshmorët:Sali Çeku, Ahmet Hoxha dhe Zahir Pajaziti



Në vazhdën e përpjekjeve për organizimin e strukturave të armatosura, të cilat në rast lufte eventuale do të merrnin përsipër udhëheqjen e luftës, në vitin 1992, Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila vepronte në ekzil, themeloi Ministrinë e Mbrojtjes, të cilën e autorizoi për fillimin e punëve rreth strukturimit të saj. Njeriu i parë i kësaj Ministrie u emërua Hajzer Hajzeraj*, me urdhërin e të cilit pas pak kohësh u themelua edhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, ndërsa komandant i këtij shtabi u emërua Zaim Berisha. Aktiviteti i kësaj strukture ishte i orientuar në formimin e sistemit operativ ushtarak, i cili ishte parashikuar të funksionojë në bazë të strukturës administrative të Kosovës.


grupi i Currelit
Foto para Muzeut të Skënderbeut në Krujë – Pjesëtarët e Grupit të Parë të cilët u stërvitën në bazën e Currelit. Në këtë grup përpos të tjerëve janë edhe dëshmorët:Sali Çeku, Ahmet Hoxha dhe Zahir Pajaziti


 Për një kohë relativisht të shkurtër, u arrit që në të gjitha komunat e Kosovës të formohen shtabet komunale, të cilave edhe iu komunikua detyra e veprimit të mëtejmë. Aktiviteti i kësaj Ministrie u ndërpre në vitin 1993, pasi veprimtaria e saj u zbulua nga sigurimi serb, i cili arriti që të arrestonte pjesën më të madhe udhëheqëse të kësaj strukture në nivelin qendror, si dhe një pjesë e strukturave në nivele komunale. Për kohën sa funksionoi kjo Ministri, ajo nuk kishte arritur që të sillte në mënyrë të organizuar armatim në Kosovë, përveç që në kontaktet e saja me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, kishte arritur marrëveshje për t’u furnizuar me armatim. Segmente të caktuara të kësaj Ministrie gjithashtu bënë edhe kontakte me disa përfaqësues ushtarakë të ish-republikave jugosllave nga ku kishin marrë premtime për furnizim me armatim në rast të shpërthimit të luftës në Kosovë. Në këtë kuadër, do përmendur edhe angazhimet e personaliteteve publike kosovare, të cilët në këtë kohë kishin provuar që të krijonin formacione ushtarake jashtë Kosovës dhe të siguronin armatim.



Me arrestimin e strukturës udhëheqëse të Ministrisë së Mbrojtjes, për një kohë u pengua aktiviteti i organizuar i shqiptarëve të Kosovës për përgatitje ushtarake dhe i cili u intensifikua vetëm në vitin 1995-1996, kur filluan veprimet diversante të pjesëtarëve të UÇK-së. Për shtimin e aktivitetit të veprimeve diversante të UÇK-së, policia dhe mediat serbe deklaronin se vetëm në vitin 1996 janë kryer »pesë aksione ku kryesit janë separatistët shqiptarë në Kosovë – përkatësisht nga UÇK-ja misterioze«

Që nga nisma e veprimtarisë së saj e deri në përfundim të luftës, problemi më i madh me të cilin janë përballur formacionet e UÇK-së ishte furnizimi me armë të nevojshme, të cilat përpos që ishin të pakta, nuk ishin edhe adekuate për t’u ndeshur me ushtrinë jugosllave e cila kishte armatim superior.



 Atdhetari Zija Shemsiu ishte dënuar me 13 vjet burg, mirëpo ai nuk arriti ta vuaj këtë denim, pasi organet e sigurimit serb, atë e likuiduan në burg gjatë vuajtjes së dënimit më 2 maj të vitit 1985.
 Përpos kalibrit 9 mm. dhe asaj që është prodhim italian, për automatikun nuk është dhënë ndonjë detaj tjetër. Nga fotografitë e botuara nëpër gazetat serbe, të cilat janë të një kualiteti të dobët, vështirë është që të saktësohet lloji i këtij automatiku. Megjithatë ka të ngjarë se ai është i markës SIST Spectre M-4. Gjithashtu, edhe tipet e pistoletave Browning dhe Walther, nuk janë publikuar. Tipi i pistoletës Brovvning është vështirë të identifikohet përveç që mund të supozohet se ajo duhet të ketë qenë GP-35 High Power, pasi që këto ishin pistoleta mjaft të kërkuara gjatë kësaj kohe. Ndërkohë, pistoleta Walther duhet të jetë e tipit P-38 nga shkaku se në materialin e zënë përmenden edhe tre karikatorë me nga tetë fishekë të pistoletës Walther, që në fakt është kapaciteti i fishekëve që merr karikatori i modelit P-38.
 Armatimi i zënë është publikuar në gazetat e Beogradit, si “Politika” e 10 majit dhe “Novosti” e 19 majit të vitit 1984.





*  Mr.sc.Hajzer Hajzeraj, ish-ministër i mbrojtjes së Kosovës i zgjedhur në qeverinë e prof.dr.Bujar Bukoshit në vitin 1993. Pak kohë pas emrimit të tij në këtë detyrë ai së bashku me një grup oficerësh shqiptarë të angazhuar në këtë ministri, burgosët dhe vuan disa vite burg.

Para vitit 1990 Hajzer Hajzeraj ishte udhëheqës i Shtabit krahinor të Mbrojtjes Territoriale të Kosovës.Pas çlirimit të Kosovës ai u angazhua edhe në partitë poltike të Kosovës për të përfunduar në AKR. Në zgjedhjet e fundit komunale ishte kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës së Istogut.

Hazjer Hajzeraj, megjithëse mori përsipër një detyrë të rëndësishme dhe të rrezikshme për atë kohë, nuk u largua nga Kosova. Prandaj ai nuk ka qenë ministër në ekzil i Qeverisë së Kosovës. Ai ka qenë Ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës që ka hartuar strategjinë e luftës për liri në territorin e Kosovës.
Por, fatkeqësisht, aq sa jemi harrestarë, aq jemi edhe mosmirënjohës shpeshherë ndaj personaliteteve të tilla.
Hajzer Hazjeraj ndërroi jetë  në vendlindjen e tij në Istog, por fatkeqësisht askush prej liderëve institucionalë të Kosovës nuk e pa të udhës që familjes së tij së paku t’ia dërgojë një telegram ngushëllimi.
Hajzer Hazeraj ishte dhe mbeti një burrë i urtë, i qetë, i matur e mbi të gjitha një strateg i doktrinës mbrojtëse të Kosovës në luftë kundër okupatorit serb.
Ai është Ministri i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës në vitet 1991-1993, kur edhe u burgos dhe u dënua nga regjimi serb.
Hajzer Hajzeraj ishte dhe do të mbetet një personalitet i nderuar i luftës dhe i paqes në Kosovën e pavarur.(Flori Bruqi,Floripress)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...