TINGUJT E JETËS

Remzi Limani


nga Remzi Limani



Nga tavolina, Amfioni zuri pilotin dhe filloi të shëtiste nëpër programet televizive. Në kërkim e sipër, në ekran u shfaq sigla e një emisioni special, i cili organizohej nga TVSH-ja dhe kishte karakter humanitar që në fakt bënte fjalë për sensibilizimin e njerëzve nevojtarë, me halle e fate të ndryshme. Emisioni titullohej me emrin “Të kam zemër”, ku bëhej fjalë për fatin e një djaloshi 14-vjeçar, i cili vuante nga paraliza cerebrale. O zot! Për çudi, me çfarë fatesh të zeza vishen njerëzit!... Ky djalosh, i cili me vështirësi të mëdha i vargëzonte fjalët për t’i gatuar disi… Kishte vetëdije të plotë për gjendjen e tij, mirëkuptim e dashuri për familjarët dhe, mbi të gjitha, ishte tepër i dashuruar në këngët e këngëtarit të mirënjohur shqiptar - Frederik Ndoci, të cilin e adhuronte tej mase. Prandaj, Televizioni Shqiptar, për dëshirën e djaloshit, në këtë emision të radhës, e kishte ftuar pikërisht idhullin e tij, këngëtarin - Frederik Ndoci, së bashku me bashkëshorten e tij sharmante, e cila po ashtu merrej me kultivimin e këngës. Këta artistë të nderuar, në duet dhe ndaras, kënduan disa këngë të zgjedhura nga repertori i tyre. Me këtë rast, Ndoci e interpretoi baladën domethënëse - “Balada për gurin”, e cila përvajshëm nxirrte klithma e thirrma për dashurinë e humbur, si: Kthema mallin që ma more / se vetëm malli e thyen gurin /. Udhëheqësja e këtij emisioni dukej tepër e këndshme dhe në duart e saja e mbante një faculetë, me të cilën, kohë pas kohe, për dhembjet e fatin e njerëzve hallexhinj, i fshinte lotët, ngase njeriu i mirë ndihej tepër i vogël nga pamundësia për t’i dalë në ndihmë njeriut me halle të mëdha. Prandaj, gjithmonë duhet të lutemi që të jemi të lumtur aq sa jemi të palumtur, sepse koha jonë vazhdimisht e ndërron petkun e gëzimit dhe të hidhërimit – mbështillet me petkun e mbretit dhe me atë të rrogëtarit. Nëpër këto ankesa e kërkesa, nuk duhet të gëzohemi së tepërmi dhe anasjelltas të pushtohemi nga masa e tepruar e hidhërimit, sidomos kur dihet se gëzimi dhe hidhërimi vazhdimisht luajnë shilarthi me njëri-tjetrin. Falë Zotit, ne rrokullisemi nëpër kohë pa ditur se nëpër çfarë rrugësh kalojmë dhe nëpër çfarë hendeqesh do të biem. Prandaj, humanizmi i njeriut për njeriun nuk duhet të mungojë kurrë. Hapësira e kohës sonë i ngjason një tendës së madhe cirku. Koha dhe shoqëria në kohë, sipas dëshirës së tyre dhe pa e përfillur vullnetin e të tjerëve, pa të drejtë i ndajnë rolet. Kështu dhe në këtë mënyrë jeta shndërrohet në një luftë të padrejtë dhe të pabarabartë, në të cilën një pjesë e shoqërisë zhytet në luksin e paparë, kurse pjesa tjetër në errësirën e mjerimit, pa patur mundësi t’i tejkalojë problemet dhe fatkeqësitë e mundshme të vetë jetës… Prandaj, edhe ne, pa dashje bëhemi viktima të një kohe njerkë, pikërisht të asaj kohe dhe shoqërie kur merr erë kundërmuese - pjesa e po asaj shoqërie ndjehet e sëmurë dhe e nëpërkëmbur. Në këto hapësira, ku hija e së keqes e mbulon të mirën dhe njerëzoren, ku korrupsioni e arrin majën e panteonit të asaj shoqërie, atëherë fillon rrënimi i shoqërisë dhe i vetvetes. Dihet se deri më sot, asnjëherë nuk është bërë publike ndonjë kërkesë për njerëzit që janë mjeshtër, ekspertë dhe njohës të mëdhenj të profesioneve të veta - ata zakonisht zëvendësohen me një pjesë të njerëzve me sy të vëngër e tytosh, të cilët janë ekspertë për krijimin e rrëmujave e të pështjellimeve për përfitime personale, pa u brengosur për pozitën e të tjerëve...
Kështu që shoqëria jonë rrezikon të ndahet në dysh, ose në dy lloje njerëzish që rëndom bartin me vete nga një çantë krahu - njëri mban çantën e mbushur me ilaçe, kurse tjetri të mbushur me para të pista. Këta të fundit i janë qasur rrugës së shkurtër, e cila zakonisht përfundon me pjesën e saj të përbaltur. Kjo fatkeqësi, nuk i përbaltë ata që i ranë shkurt, por një shoqëri të tërë, e cila për t’u pastruar nga balta e individëve, kërkon kohë e hapësirë. Në këtë kuptim, njerëzit që kanë më shumë muskuj se mend, urgjentisht duhet të zëvendësohen me të tjerët, ngase si të tillë janë tepër të dëmshëm për çdo shoqëri. Në këtë drejtim, duhet angazhuar njerëz me potencial e resurse mendore, me vlera krijuese - njerëz që kanë njohuri në politikat e menaxhimit të nivelit evropian, sepse nga menaxhimi i keq turbullohen edhe lumenjtë nga politikat mbi natyrën. Prandaj, të bëhemi njerëz të dashur për popullin, ngase ata na vendosën aty ku jemi. Nuk thuhet kot - kur të do populli të do edhe Zoti!...Të dalësh para popullit,
Emisioni humanitar “Të kam zemër”, përfundoi pikërisht në shtëpinë e djaloshit të sëmurë, të cilit ia kishin përgatitur një surprizë për të cilën djaloshi nuk kishte ide dhe nuk mund ta imagjinonte dot. Moderatorja e televizionit dhe këngëtari i preferuar i djaloshit - Ndoci, ishin dakorduar që së bashku të shkonin në familje te djaloshi pa paralajmërim. Tash kishin arritur dhe kishin hyrë në shtëpinë e tij. Frederik Ndoci, rrinte i fshehur në një paradhomë, kurse moderatorja simpatike, me buzëqeshje në ballë, së bashku me kameramanin tashmë kishin hyrë në dhomën e djaloshit, i cili rrinte i ulur në divan. I hutuar nga të paftuarit, mundohej të fliste me sy të drejtuar kah e ëma e tij. Për të mos e maltretuar edhe më shumë, moderatorja iu afrua dhe së bashku me shkëlqimin e buzëqeshjes së saj, u lëshua në divan e mbuzur pranë djaloshit. Me një shikim miklues e fjalë të ëmbla filloi t’ia ledhatonte flokun, fytyrën, faqet dhe duart, pa e ditur djaloshi se atë do ta miklonte edhe muzika së bashku me këngët e tija të preferuara që i kishte për shpirt. Me të gjitha këto të papritura të këndshme për djaloshin me flokë të argjenduara, moderatorja e përqafoi pa fjalë dhe më pastaj iu prezantua. Djaloshit filloi t’i shkëlqente gëzimi në sytë e tij, tashmë të mbushur plot jetë. Moderatorjea, filloi t’ia shpaloste pasionin e tij për këngën duke e prekur ngadalë me një kujdes të veçantë rreth idolit të tij - Frederik Ndocit. Reaksionet e ndjenjave te djaloshi, hetueshëm filluan të lëviznin çdo gjymtyrë në trupit e tij së bashku me muskujt e fytyrës së tij simpatike. Pas pak, një zë i lehtë kitareje, sikur dilte nga ëndrra e kamotshme e djaloshit për t’u shfaqur e gjallë në sytë e tij, prandaj papritmas u shfaq - Frederik Ndoci, si një tempullar fisnik, ecte ngadalë nëpër ëndrrën e djaloshit. Imazhi i tij dhe tingujt magjepsës të kitarës sikur i ndezën të gjitha shkëndijat e mundshme në sytë e djaloshit, tej mase i gëzuar për ëndrrën e tij të cilën tashmë e prekte me dorë. Së bashku me një drithërimë gëzimi që e trazoi këndshëm, djaloshit i shpërthyen të gjitha ndjenjat nga shpirti prej engjëlli. Zëri i Ndocit, ngrehu këngën në kupë të qiellit, duke i larguar të gjitha energjitë negative nga trupi i djaloshit që tashmë rrezatonte një energji pozitive në tërë rrethin e tij familjar.

Në pjesën e poshtme të ekranit, filluan të ecin titrat, me të cilat paralajmërohej fundi i emisionit që tek Amfioni la një kujtim dhe përshtypje me emocione të përziera. Pas pak, ekrani u vesh me bojë qielli, së bashku me orën e madhe digjitale të vizatuar në sfondin blu, paralajmëronte kohën e lajmeve të mesditës.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)