”DORA E ZEZË” VRISTE PËRDITË
Fragment nga libri
UDHËTIM NËPËR VITET DRAMATIKE SHQIPTARE
( Libri përshkohet me rrëfime nga periudha 1877-1999 )
Nga Ryzhdi BALOKU
Ishte janari i vitit 1999, situata ishte keqësuar në atë masë sa që për vrasjet e shqiptarëve nuk përgjigjej askush. Pushtuesi serb i barazonte ato me vrasjen e ndonjë qeni në rrugë.
Dragani një serb me prejardhje nga Mali i Zi me detyrë Gjykatës në Gjykatën për kundërvajtje në Pejë, mundohej të përfitonte nga kjo situatë e krijuar.
Ky thatanik dorën e djathtë e kishte të gjymtë sepse i mungonin tre gishta e gjysmë. E kishte vetëm gishtin e mesëm dhe gjysmën e gishtit të madh. Shuplakën e dorës gjithnjë e mbulonte me një dorëz speciale lëkure të ngjyrës së zezë, kështu që pejanët e njihnin si ” Dragan sakati ”.
Ky person me shumë komplekse, këtë mundohej ta mbulojë edhe përmes sjelljeve arrogante duke tentuar të tregojë epërsi ndaj të tjerëve, gjë që vërehej lehtë.
Eshrefi ishte një punëtor i zellshëm pranë kësaj Gjykate. Ai e respektonte punën dhe e kryente me ndërgjegje, derisa Dragani në cilësi të gjyqtarit me një krenari të rrejshme mundohej gjithnjë, në çdo rast gjatë kontakteve t’i nënçmojë kolegët e vet që kryenin punë të ndryshme shërbyese dhe administrative.
Gjatë kohës së punës Dragani shpesh i ngacmonte kolegët shqiptarë të mbetur në punë, e në mes tyre e ngacmonte edhe Eshrefin me fjalë nënçmuese dhe fyese. Eshrefi i kundërpërgjigjej denjësisht në formë të kulturuar me fjalë të buta e të arsyeshme.
Gjatë asaj kohe fillimisht në konfidencë Dragani ishte angazhuar në paramilitarë dhe ndihej superior ndaj të tjerëve, duke u hedhur edhe për trimëri.
Me një rast së bashku me profesor Samiun qëllova në një dyqan zejtar të radio e TV mekanikës, që ishte jo larg nga kjo Gjykatë. Erdhi Dragani duke bërë zhurmë që sa më parë t’ia riparojnë radio kasetofonin se për ndryshe shpejt do të vijë dita kur pa kompensim do t’ia tjetërsojë të gjitha nga dyqani. Mjeshtri i këtij dyqani ia ktheu gjakftohtë në serbishte me fjalën ” nikada ” që në shqipe përkthehet ” kurrë ”.
Dragani duke llomotitur filloi t’i çatallojë sytë, ta ngritë kokën e të lavdërohet se: atë që e thotë, atë edhe do ta bëjë, sepse është ” çistokrvni serbin ” që përkthyer në shqip është ” serb gjakpastër ”.
Në atë moment profesor Samiu u zemërua, e iu kundërvu me fjalë bukur të nxehta, me një ton pak si të ngritur e të ashpër, me përgjigjen: të tillë nuk ekzistojnë, por njëherësh edhe duke ia bërë në serbishte pyetjen: ke dëgjuar për ” përvu noq ”, ku të gjithë serbët që turku i ka quajtur ” raja ”, kur kanë vendosur të martohen, është dashur së pari të marrin leje nga ” Aga ” i cili në ” natën e parë ” të martesës ka fjetur me nusen serbe, e pastaj tek në të dytën i është mundësuar dhëndrit me fjetë me nusen e vet dhe për këtë arsye nuk mund të jesh i tillë dhe vazhdoi me sqarim: ” Po në mos besofsh shko e pyete babain tënd dhe ai do të tregojë për këtë ”.
Pas kësaj Dragani doli i hidhëruar nga dyqani zejtar pa e përfunduar punën për të cilën kishte ardhur. Ai pastaj kishte shkuar drejt në zyre, e aty iu kishte vërsulur Eshrefit me fjalë se të gjithë shqiptarët duhet zhdukur. Për këtë isha në dijeni nga kontakti i rastësishëm me Eshrefin që e pata brenda asaj dite.
Pas një kohe Dragani duke u mburrë për veprimet e veta inkriminuese, zbulohet para kolegëve të punës dhe fillon publikisht ta shprehë ” angazhimin e vet patriotik ” kundër shqiptarëve.
Me qëllim që të futë frikë dhe panik ndër shqiptarë, Dragani gjatë qëndrimit në zyrë e vende tjera, lavdërohej duke treguar për madhështinë e ushtrisë serbe dhe për teknikën poseduese ushtarake të saj që ishte duke e përdorur kundër shqiptarëve. Këtë e bënte duke i treguar ngjarjet si protagonist i drejtpërdrejtë. Në fillim thoshte se ishte vetëm vëzhgues i atyre ngjarjeve dhe nuk tregonte se ishte inkuadruar edhe në ” Frenki ”.
Duke e glorifikuar ushtrinë serbe, Dragani nën maskën e shpjegimeve mundohej të inkuadrohej edhe në luftën speciale duke propaganduar se në zonat ku luftohej shpesh kishte qenë dëshmitar okular i rasteve kur copat e trupave të shqiptarëve kishin fluturuar në qiell nga fuqia e presionit të predhave, e që me rastin e rënies ishin shkapërderdhur nëpër tokë.
Këso lloj ngacmimesh e rrëfimesh Eshrefi dëgjonte për çdo ditë nga Dragani.
Pasi që Eshrefi nuk kishte antenë satelitore, shpesh here në mbrëmje dilte të fqinji në familjen Bala për t’i përcjellë përmes TV ngjarjet nga Gjykata e Hagës, për krimet serbe në Bosnje e Hercegovinë.
Kohëve të fundit meqë dalja në rrugë ishte bërë rrezik për jetë, Eshrefi e kapërcente murin e shtëpisë duke kaluar sipri për të dalë tek fqinji për t’i përcjellë lajmet e TVSH mbi zhvillimet e luftës në regjione të ndryshme të Kosovës.
Sulmet e ushtrisë, policisë, e paramilitarëve serbë kundër popullatës shqiptare, të xhiruara nga agjencitë e ndryshme, Eshrefi i shikonte përmes TV, ku shihej që serbët së pari po i plaçkitnin shtëpitë e shqiptarëve e pastaj po iu vinin zjarrin.
Shqiptarëve dita ditës iu bëhej jeta gjithnjë e më e padurueshme dhe kështu me një rast gjatë bisedës me Draganin në zyrën e tij, Eshrefi nuk durohet e i thotë: ” Do të vijë dita që për këtë dikush do të japë llogari para Gjykatës së Hagës ”, ndërsa Dragani ia kthen me fjalët se ushtria serbe është më e fortë se ajo amerikane dhe NATO-ja. Serbisë nuk ka kush çka t’i bëjë, ndërsa juve shqiptarëve në Kosovë për ditë do t’ju bëjmë ” shoshë ”.
Një ditë Dragani ishte hidhëruar shumë, pasi që në disa fronte paramilitarët kishin pësuar keq në luftë me UÇK-në dhe me të kthyer nga fronti së bashku me disa të tjerë, të cilët e ngisnin një xhip të ngjyrosur në të zezë, nisen në drejtim të lagjes Kristal.
Në xhip dëgjohej muzika me lahutë nga shiriti përmes kasetofonit, zëri i së cilës dëgjohej në largësi. Nëpërmjet fjalëve të këngës madhërohej trimëria serbe e malazeze duke prerë krerë shqiptarësh. Nën ushtimën e asaj muzike e ngisnin xhipin në drejtim kah shtëpia e Eshrefit, të cilin Dragani më parë e kishte kolegë pune.
Sa më shumë që afrohej xhipi aq më tepër ndihej muzika e ” gusllave ” malazeze me këngë epike. Pas pak xhipi i zi ndalon pranë shtëpisë së Eshrefit.
Disa nga paramilitarët ishin të dehur, e ndoshta edhe të droguar. Zbresin nga makina vrastare të trimëruar nga fjalët e dëgjuara të këngëve. Duke iu prirë Dragani nga ana rrugës e shkelmon derën e hyrjes së shtëpisë së Eshrefit.
Pas kësaj rrapëllime, si duket me paramendim që në sy të fëmijëve mos të ndodhë ndonjë e keqe në familje, me të shpejt para së të hynin, Eshrefi iu del përpara në oborr.
Dera hapet pa ndonjë mundim të madh nga shkelmimet.
Kështu paramilitarët me maska speciale, të ngjyrosa me shenja të vizatuara si komando, të ngjitur në fytyrë, gjenden në oborr të shtëpisë së Eshrefit.
Si duket Eshrefi e kupton se kush ishin, dhe i drejtohet Draganit me emër dhe pa bërë asnjë e as dy ai me revole në dorë e shkrep plumbin dhe e qëllon. Dragani duke mos u kënaqur me një goditje plumbi, vazhdon ta qëllojë Eshrefin përsëri edhe dy tri herë për vdekje, derisa të tjerët me breshëri plumbash lëviznin automatikët duke goditur pa ndonjë kontroll në anë të ndryshme, në mënyrë që të futin tmerr e panik në atë rreth banimi.
Eshrefi bie për tokë, gjaku i del me vrull, rrjedh si prockë dhe e mbulon oborrin.
Derisa paramilitarët tjerë qëndronin aty në oborr, Dragani vet i dyti vazhdon në drejtim të hyrjes së shtëpisë, që si duket kishte për qellim ta vrasë edhe dikë tjetër nga familja.
Hyn brenda në shtëpi në drejtim të dhomës ku ishte familja e Eshrefit. Fëmijët e tmerruar nga krisma në padijeni se çka ndodhi, ishin stepur, nuk dinin se si të veprojnë. Të gjithë brenda në dhomë ishin shumë të frikësuar.
Dragani e mbante revolen në gjendje gatishmërie me dorën që e kishte sakat.
Me të hyrë të tyre në dhomë, Valdeti i biri i Eshrefit, instinktivisht ngritët në këmbë bashkë me anëtarët tjerë të familjes. Në ato momente iu bie një ” nur ” dhe zbehen aq sikur mos t’iu kishte mbetur asnjë pikëz gjaku në fytyrë, sepse e dinin se çka është duke i pritur.
Dora sakat e pështjellur në formë dorëze me lëkurë të zezë, iu bie në sy të gjithëve, po ashtu e dallojnë Draganin edhe nga shtati thatanik. Dorë sakati me dorëz lëkure të zezë, e drejton tytën kah Valdeti që i kishte rreth të njëzetat dhe shtin me revole në të. Plumbi atë e shtrin për vdekje në dysheme. Dyshemeja e tëra mbushet me gjak si një liqen, të gjithë nga familja tmerrohen.
Derisa Eshrefi në oborr kishte dhënë shpirt, e shoqja e tij Zyrafetja e shokuar i hidhet të birit përmbi, duke qarë e duke e ledhatuar atë derisa jepte shpirt në ato momente. Anëtarët tjerë të familjes ishin stepur nën psikozën e pritjes se cili nga ata do të jetë i goditur për vdekje.
Pas pak së bashku me shoqëruesin, Dragani gjakftohtë fillon të ecë në drejtim të daljes nga shtëpia me kokë të ngritur si gjeli, në shenjë trimërie e madhërie para shokëve për krimet e bëra.
Në atë kohë rrugëve në Pejë, e veçanërisht pas dite nuk qarkullonte asnjë shqiptar, sepse organizata paramilitare sekrete serbo-malazeze ” dora e zezë ” vriste përditë.
Vriteshin shqiptarët pa i parë askush ” pa fërkem e pa dëshmitar ”, pastaj edhe iu zhdukshin kufomat.
Vazhdimisht rrugëve nëpër qytet sillej automjeti i zi i paramilitarëve me shënim ” MUNJA ”, që në shqipe do të thotë ” rrufeja ”.
Fqinjët Idrizi e Xhaferi, duke dëgjuar për këtë tragjedi të kësaj familjeje, e kapërcejnë murin e oborrit për t’u ndihmuar familjarëve që kishin përjetuar momente shumë të vështira, pikëlluese dhe tronditëse por edhe të rrezikshme, sepse ndodhte që paramilitarët përsëri të ktheheshin për t’i tërhequr kufomat, në mënyrë që t’i fshihnin gjurmët e krimit.
Duke e ditur për këtë, pa hezituar vendosin që Eshrefin me të birin Valdetin t’i varrosin menjëherë.
Pas konsultimeve të shpejta, meqë kjo familje nuk posedonte sipërfaqe tokësore të mjaftueshme e të përshtatshme për varre, vendosin që t’i varrosin në kopsht të Avdes, që ishte aty afër, nga i cili paraprakisht e morën pëlqimin.
Derisa snajperistët qëndronin në fabrikën e birrës mbi siloset e maltores, Idrizi e Xhaferi filluan t’i hapin gropat e varreve nën presionin psikik të mundësisë që nga lartësia me snajper t’i gjuanin për vdekje. Me fuqinë më të madhe nxituan ta heqin dheun. Koha iu dukej më e gjatë se zakonisht dhe Idrizi nganjëherë i fliste Xhaferit: më shpejt, më shpejt derisa nga vetullat iu pikonte djersa dhe i tërë trupi iu ishte djersitur nga nxitimi. Më në fund i hapin varret dhe kufomat i mbështjellin me nga një plaf e i lëshojnë në gropa, pastaj i mbulojnë me dhe. I varrosin duke e rrafshuar dheun sipri, në mënyrë që t’i humbin shenjat e mos të vërehen se janë varre. I kamuflojnë duke i mbuluar me disa degë të thata pemësh e degëza therësh.
Pas këtij varrimi të pranishmit me pikëllim e brenga ndahen duke u drejtuar secili nëpër shtëpi tek familjet, nën kujtime të vështirësive që sjell jeta e shqiptarit nën okupim.
Kështu në Pejë përfundon edhe një tragjedi familjare, nën ankthin se çka do të sjellë dita e nesërme, sepse kjo ka mundur t’i ngjajë secilit.
Të prirë nga udbashi serb Sllavko, një tragjedi të tillë me vrasje, e kishte përjetuar edhe familja Bilalli në lagjen e Kalasë pranë ” mazxhahut ” jo larg tregut të gjelbër, të cilët gjithashtu në pamundësi ta varrosin kufomën e Namikut në varre të qytetit, detyrohen që ta varrosin në oborr të shtëpisë. Një vrasje e ngjashme ndodh te Kombinati i lëkurë këpucëve, në familjen Berisha e që të ndjerin detyrohen ta varrosin po ashtu në oborr.
Edhe pse qytetarët i reduktuan lëvizjet, në Pejë kishin ndodhur një seri vrasjesh nga policët dhe paramilitarët serbë.