Nga Namik Selmani*
Para shumë e shumë viteve kur qyteti i Beratit ishte ngjitur jo vetëm një majë
të zhvillimit artizanal, por edhe artistik, një udhëtar u huaj po vizitonte
qytetin e magjishëm të Beratit. Kishte fjetur në një han shumë të veçantë për
nga vendi ku ai shte ndërtuar, por edhe për emrin shumë karakteritik. Mes të
tërë atyre objekteve karakteristike që kishte ai qytet, kishte edhe një han që
dikush e kishte emërtuar “Shushurima” dhe që ndodhej në buzë të lumit të Osumit
pranë lagjes Goricë. Ky han i dhuronte çdo udhëtari një këngë-ninullë valësh
lumore për t’ia bërë edhe më të qetë gjumin, por edhe për ta mençuruar shumë më
tepër se Akademitë që mund të kishte mbaruar para se të vinin aty.
Për një rastësi shumë të bukur në atë natë beratase, udhëtarit të një vendi të
huaj, fort larg këtij qyteti, i duhej që të ndiqte edhe një dasëm që bëhej vetem
pak metra larg hanit. Një dasmë beratase ku, si në një libër të pambaruar me
fletë tingujsh të gjitha fjalët e lirikave po i prekte gati për një natë të
vetme. Kishte në dhomë edhe një mik që ia përkthente shumë fjalë të këngëve të
bukura beratase që gjerdanoheshin jo vetëm në sytë e tij të burëzuar në një lumë
të paparë për të, por edhe në letrën e bardhë ku ai shkroi sa e sa vargje të
tyre.
Rrallë ndodh në realitetin artistik shqiptar ekzistenca e krijimeve të tilla
poetike anonime apo edhe origjinale ku shpirti artistik i një lirike si ajo
popullore, por edhe i poetëve që flasin për këtë qytet, që të trajtojnë motive
për këtë qytet, që të jetë i shkrirë aq shumë me vetë shpirtin e natyrës që këtu
i ngjan një amfiteatri të mrekullueshëm. Që të jetë shkrirë kaq natyrshëm me
shpirtin e këngës popullore, sidomos të vargjeve që kanë ngjizur më tej
meloditë, këngët, vallet e kënduara,. Shpirti i bukur popullor. i lirikës
baladeske, elegjiake i të gjtha trevave shqipfolëse, rrallë mund të siamëzohet
me këtë detaj, me këtë hapësirë, me këtë ritëm, me këtë fëshfërimë shpirtërore
qytetare dhe fisnike.
Mbase ajo sypërlotje e vashës në legjendën e Beratit ku ajo “vajzë e legjendave”
nga dashuria e pamatë për të dy djemtë-male Tomor e Shpirag sakrifikohet
lumturisht në një vdekjeje që i ngjan një rilindjeje, si një sfinks poetik që
mund ta krjojë vetem populli dhe fantazia e tij poetike. Në të është tharmi i
një “kryepoezie” të vetë këtij qyteti-hambar këngësh dhe motivesh lirike
brilante. Qante për dashurinë. Qante për dhimbjen. Qante për të kaluarën, po aq
sa edhe për të ardhmen. Dhe u kthye në KALA. Dhe lotët e saj u bënë Lumë. Osum e
quajtën më vonë.
Po ta nisim me dy vargje të këtyre këngëve do të citonim: “Unë për në Goricë/Ti
për në Mangalem/Karshi për karshi, moj goce/Bëje muhabet.
Është një e veçantë në ndërtimin e përmbajtjen e lirikës beratase që mungojnë
ndjeshëm këngët epike të tij Mbase janë vetëm me gishta. Populli nuk gjykohet
për këtë “heshtje”.
Tradita e shkëlqyer e poezisë së Sulejman Naibit në Berat do të vazhdohej shekuj
më vonë nga kryepoeti ynë kombëtar Naim Frashërit në qëndrimin gati njëvjeçar
në këtë qytet, gati 150 vjet më parë. Pamja magjike e Tomorit dhe e Shpiragut,
bukuria e Beratit, urtësia e shpirtit artistik të këtij qyteti, pranverat e
ngrohta që vinin dhe iknin aq nazikshëm pa u tutur asnjë herë nga dimrat që
dimëronin në këto gryka, kanë qenë edhe porta e parë e poezisë së tij lirike në
të ardhmen. Ishte viti 1873 dhe ai ishte në atë kohë gati 30 vjeçar. Me këtë
zjarr dashurie për atdheun, por edhe për të bukurën, Berati i jepte kaq
bujarisht lirikut të ardhshëm dhe këtij djaloshi të Frashërllinjve kaq shumë
mbresa dhe emocione. Kur do të ikte nga ky qytet do ta tregonte shumë bukur me
lirikat e tij.
Në sfondin e poezive lirike të qyteti të Beratit qëndrojnë në një sofër fjale
pëllumbi, bilbili, gjeraqina, nazet e çupave, dritaret e Mangalemit dhe të
Goricës, gurët e bedenave dhe sofatet ku ulen gratë dhe nuset e lagjeve
karakteristike qytetare, kafazet e hapur, hëna dhe dielli, sevdaja, ashikët,
jelekët e ngishtë të vajzave të rritura në hijen e kësaj natyre të
mrekullueshme, sorkadhet e shpejta e të bukura. tingujt re këmbanave, ezanet e
namazet e xhamive apo të thirrjeve plot pasion të dërvishëve, borziloku dhe
karafili. Mbi të gjitha kur e fillon dhe kur e mbaron këtë lirikë, të vjen në
ditët e jetës tënde ai optimizëm që të mungon kaq shumë në këtë rrokopujë ku
jemi futur të gjithë, të vjen flladi që pranveron jo vetëm në një stinë, por në
të gjithë ditët e jetës së secilit. Të vjen një filozofi e prekshme e të së
ardhmes që ti nuk e gjen kaq të thjeshtë në asnjë libër, në asnjë tavolinë
miqsh, në asnjë debat kulturor.
Poezia lirike beratase shpesh ndërtohet mbi një fabul të thjeshtë që në shumicën
e rasteve ka edhe personazhe të personalizuar si Mahmuti, Kija, Cija, Mustafai,
Metoja, Hyrija, Mihali, Hatija, Difja, Minushja, Xhixhileja, Katua, Murati, etj.
Herë-herë ata janë anonimë. Herë-herë ata lidhen me një fabul kënge, por shumë
herë të mbeten në kujtesë jo vetëm me emrin, por me atë që ata ndiejnë, me atë
që ata belbëzojnë në fjalët lirike. Brenda tyre ka aq gaze, por edhe kaq drama
dashurie, drama jete që mbyten pa u nisur ende rrugën e tyre, të vajzave që
mbeten në çezmet me shtëmba në dorë, brenga e pathëna të të dashuruarëve në
sokakët e Mangalemit, në rrugicat e Kalasë, në Goricë e shumë mjedise dhe
rrëfenja të tjera, e bëjnë këtë lirikë edhe më të ndjeshme, edhe më jetëgjatë në
kujtesën popullore.
Lirika e Beratit është një lirikë qytetare në kuptimin më të plotë të kësaj
fjale, të jetës sociale të tij. Të bashkëjetesës fetare që edhe sot është një
vlerë qytetare e spikatur në këtë qytet. Të dasmave aq të bukura ku secili
lexues veç pjesës artistike dhe emocionale që përjeton në secilin varg njohuri
shumë të plota për etnografinë e njërit prej qyteteve më të zhvilluara për
kohën. Të jetës dhe argëtimeve që bënin qytetarët e Beratit jasht qytetit, të
festimeve popullore që organizoheshin qoftë pagane, qoftë edhe ato fetare.
Tekste të tilla këngësh si “ Mora përpjetë kalanë”, “Kur hyj në Mangalem”,
“Ç’mbjell ashtu, moj ç’mbjell ashtu?”, “Edhe gurët e sokakut” “Aman ç’po
thërras”, “O, në Fushë të Uznovës”, “Doli hëna, doli ylli”, “Asaman trëndafili
çelës”, “Tridhjetë ditë të Ramazanit” “Hanko, mos shko në gurë”, “Unë jam djalë
nuk jam plak”, “Në t’u kthefsha prapë, moj pleqëri”, “Mu te Guri që ban xixa” ,
“Odë e vogël me gëlqere”, ”Çupë, thyej ato gjilpëra”, “Kur zbriste dylberi nga
mali”, etj.
Metaforat poetike nga më të rralla të befasojnë sa herë që nis e rinis
kuvendimin me këtë poezi kaq origjinale “Krihma flokun me krëhër fildishi”,
“Syzeza lan sytë mbi mua” ,“Bilbili që këndon mbi supe” ,“Nga sevdaja jote çeli
borziloku”, “Një psherëritmë që lëshon flakë”. Në sfonde kaq të bukur, gati të
magjishëm, me plot dashuri na jepet sfondi ku rrinë vajza me djalin që sapo janë
martuar:
”Lart në ato kullat/rrinë qoshket shtruar/vallë kush rrinin në to/dhëndrri me
nusen-o/vallë ç’po këndonin –o/florinj numëronin-o.
Ose më tej: “Ngrehu, mor Malko, ngrehu/Ngrehu se na ra sabahu/Ngrehu se po vjen
kolopuçeja/
O këmbë e duar me këna/-M’i ka kuqur nëneja/‘m’i ka bërë për sevda//
Në këngët lirike beratase zënë vend shumë herë edhe metaforat që nuk e ulin
ritmin e rrëfimit. “Po trokasin portat-o/Të na squajnë dhëndrrin-oTë na marrin
nusen-o/Të zbresin shkallët –o/Të puthë babai në ballët-o/të ngjiten në
odët-o/Ta puth nëna në kokët-o/Ta ngjitin në kullët-o/Ta puthë motra në
gushët-o.
Për të ardhur te krahasimet shumë të goditura si: “goja jote si kuti, faqja
jote gurabi, Syri jot si ulli, syri si filxhan, vajza si lulja e pranverës,
këmbëshkurtëra si kunadhe, me gjëmim porsi rrufeja, porsi druri me fidana,
buzëkuqe si merxhan, atë gushë porsi mermeri, me flokët e gocës si pendët e
korbit, hunda si qiriri, leshrat të ngjajnë si lahuri, të ngjajnë si mëndafshi,
vajzë si lule e pranverës, si nepërka pika pika, perçen si fqolla,
Vetë titujt e këtyre poezive janë një befasi e madhe poetike. Të tillë mund të
përmendim “Ç’m’umbush zemra me gjilpëra, ke marrë haber, o lule, unë po qaj dhe
ju pse s’qani, fryti era e të ngriti,ky floriri venetik, o baba, kala me këmbë,
tundu shkundu moj lofatë, trëndafili gjyle-gjyle, ç’ka nëno që gjëmon deti, o
sabah, sabah i parë. Fillon shumë herë kjo befasi metaforike që në vargun e parë
të këtyre lirikave që më tej e vazhdon këtë atmosferë të mrekullueshme edhe në
vargjet e tjerë.
Ndonëse nuk zënë ndonjë vend shumë të madh në numrin e lirikave popullore
beratase, lirikat baladeske janë nga më të bukurat e letërsisë gojore shqiptare.
Secila prej tyre kanë nga një fabul shumë të goditur, herë të dhimbshëm, herë
dramatiik, herë tragjik .në një baladë ku ka një dialog (shumë lirika beratase
kanë trajtën e një dialogu intim mes njerëzve të afërt) Një djalë po e pret
vdekjen si i sëmurë. Në barin me vesë gjen një bilbil, të cilit kërkon që t’i
qajë hallin e tij. Është dëshira që të mos lahet me ujë si lahen zakonisht të
vdekurit, por me lotët e nënës së mjerë që po e përcjell djalin në botën tjetër
nga arsyeja e një sëmundjeje. Komenti është i tepërt pasi lexon edhe vetem 6
vargjet e saj: “Opopo, gjeta një bilibil në vesë/o, jam sëmurë dhe do vdes/dhe
në varr mos më shtini/o, se dhe me ujë mos më lani/po me lot t’asaj të mjere..
Mund të vazhdonim më tej me baladën e Nepit, një vajzë që mbaron jetën
tragjikisht pasi bëhet viktimë e një dashurie me një djalë që i përket një sëre
të pasur. Balada e Qerimesë është mjaft e përhapur në Shqipërinë e Mesme dhe
është një varg shumë dramatik që është në hapësirat poetike.
Vargu që përdor lirika beratase është kryesisht vargu tetërrokësh që është
karateristik për të gjithë këngët popullore shqiptare apo edhe që lidhet me
kohën kur ky lloj vargu ishte më i përhapuri në vend. Nuk përjashtohet edhe
vargu 6-rrokësh: “Mora mandolinën/dola në oborr/ti, mos gocë e vgël/po ma bën me
dorë.
Në ndonjë rast kemi edhe kombinimin e të vargjeve si 8-rrokëshi me 4-rrokëshin:
“O mu te shtylla, moj lule/te hajati/po vjen Cija moj lale/prej Berati
Lirizmi i këtyre poezive popullore beratase i ka kapërcyer prej kohësh kufijtë e
kësaj treve ku ato janë ngjizur, ku ato janë shiptuar nga goja e këngëtarëve apo
edhe nga goja e poetëve. Nuk është e rastit që mjaft krijime elitare
kinematografike kanë në qendër lirizmin dhe shpirtin e madh të lirikut popull.
Në këë varg do të veçonim një perlë të tyre si është filmi “Gjeneral gramafoni”.
Duke e parë atë në atë sfond ku ajo krijohet nuk e ke të vështirë që të prekësh
nga afër jetën qytetare të lirikut popullor, të ndjesh aromën e jetës qytetare.
Një dorë nëne mbjell borzilokun, diku bëhet tregu i zhurmshëm, një grup djemsh
niset për në kala, gra që kanë vënë pëprara filxhanin e kafesë, disa vajza që
mbushin ujë në një çezëm në Mangalem, një kulaç i grunjtë që bëhet për djalin
që po merr udhën e kurbetit, të një pusi me ujë të kristaltë, të një pajtoni që
trokon në qytet…..
Të bie në sy një përdorim shumë i madh i pasthirmave dhe i fjalëve me origjinës
turke si aman-aman, sabah, of, derman, medet, me një o-i të zgjatur në fund të
secilit varg, aferim, lepe, gajtan, hakikat, hanko, hiqajet, hallall, indërsha,
pisqollë, majhoshe, mejdan, merxhan, mushtulluk, napoleon, nur, rahmet, selamet,
sqimë, ashik, ballëcullufe, divan, gajtan, gjyl, dorëbozhure, o moj.. Më tepër
se ndikimi i kësaj poezie orientale, në të na jepet edhe një pjesë e shpirtit të
këngëtarit popullor që e ka krijuar këtë poezi.
Duke e përjetuar pambarimisht këtë pasuri estetike, gjuhësore, kulturore, pa
dyshim edhe kombëtare, si qytetar, si poet, si kritik, si mësimdhëns i lëndës
së letërsisë këtë përjetim estetik që të jep magjia e një lirike që kurrë që nuk
mbaron së prodhuari vepra të tilla do të da të citoja një strofë të lirikës “
Asaman, o trëndafili çelës”: “Në një bahçe me zimbila/ ka dalë vajza në jeshil/e
veshur me rroba t’bardha /zëri i hollë porsi bilbil.”
Në një formë tjetër edhe lirika beratase i ngjan përjetësisht kësaj vajze me
rroba të bardha që ka dalë në një ditë pranvere në një bahçe mes zymbylave
karakteristikë beratas dhe këndon. Këndon ëmbëlsisht një këngë dashurie me një
zë si bilbili.
Unë dua të besoj se miku i huaj e ka pritur agimin e natës lirike të atij
shtatori dasmash në Berat si një kalorës i ri i kësaj atmosfere të bukur. Mbase
edhe vetë ka nisur që të mësojë disa nga këto vargje, nga këto motive. Dhe një
tjetër lumturi do t’i ketë ardhur në fytyrë, në duar, në buzë dhe në ditët e
jetës së tij. Një lumturi që e provojmë dhe ne, të gjithë vargjethurësit
shqiptarë e të huaj, përballë këtij thesari poetik që na bën edhe të krenohemi
edhe të mësojmë se poezia e vërtetë në çdo vend të botës buron në këtë gurrë që
asnjëhërë nuk thahet..
*Autori i këtij studimi është mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën
e gjuhëve të huaja “Kristo Isak” Berat dhe autori i 8 vëllimeve me poezi