Poezi të zgjedhura
Nënës
Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…
Dora jote si një pergamen i lashtë?!
Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...
DIÇKA PËR VETE...
Me hekur të skuqur më shënjuan,
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)
Më bënë skllav galere.
Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!
Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.
Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…
Dora jote si një pergamen i lashtë?!
Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...
DIÇKA PËR VETE...
Me hekur të skuqur më shënjuan,
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)
Më bënë skllav galere.
Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!
Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.
Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!
KOHË PARVENYSH
- Poezi të zgjedhura nga Vladimir Toroveci-
NË VEND TË AUTOBIOGRAFISË
Kam lindur në Korçë në vitin 1948, jam arsimuar, kam punuar e jetuar vazhdimisht në këtë qytet.
Kam lëvruar publiçistkën, duke botuar me dhjetra artikuj ne shtypin qëndror dhe lokal
Njohja relativisht e mirë e gjuhës Italiane, që prej viteve 70-të, më ka mundësuar kontaktin me kulturën dhe mendimin përparimtar evropian e më gjërë.
Kam shkruar poezi qysh në moshë të re, ku shpesh jam laureuar me çmime
Kam botuar disa libra me poezi.
1- ``Kush ma vrau mëngjesin``
2- ``Ulërima e shkretëtirëś́
3- ``Rikrijimi i Evëś́
4- ``Kohë Parvenysh́́
Kam botuar këto ese
5- Dhuna dhe metafizika
6- Hakmarja e opinionit të shpërfillur
7- Mëshira dhe altruizmi
8- Elitat efemere të provincave
9- Demokracia nuk është diplomokraci
10- Mpiksësi i kohës
11- Bota që lind prej baltës, etj
Aktualisht, jam kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Korçë.
Më poshtë jepen dy prej shkrimeve që janë botuar për librin “Kohë parvenysh” në shtypin shqiptar
Dritëshikimi mbi mugëtirën e brendisë së një artthënie
Nga Albert Vataj
Ngarendja e moshës dhe kacarritja e mundimshme në pjerrinat sizifiane të të pamundurës, jo vetëm nuk e kanë përunjur poetin korçar Vladimir Toroveci, por e kanë tubuar më me zelle e më me pathos të kumtojë botën gjëmueshëm, përmes afshit dhe rënkimit. "Kush ma vrau mëngjesin", "Ulërima e shkretëtirës", "Rikrijimi i Evës" dhe tash së fundi në një përmbledhje poezish të zgjedhura, "Kohë parvenysh", janë zanafilla e këtij dritëshikimi që do të ngasim në mugëtirën e brendisë së artthënies së Vladimir Torovecit. "Teksti është konvencion i identitetit të autorit..." predikon Umberto Eko. Pikënisur nga kjo sentencë dhe përnga ky këndvështrim, do të përkonim në gjetjen e shtegut, se nga mund ta ngërthesh këtë lëndë, për të përftuar sandejmi limfën që kungon bujarisht poeti. Në kryeherën e të gjitha gjasave, poezia mbetet kumti ma dëshmues i shpirtit kushtrues dhe i ndjesive që kanden me flatrue nër vedi engjudhin përmes vargjeve, metaforës dhe ligjërimit artistik. Kjo përshkrimore asht tabloja ku poeti hedh ngjyrat për të përafruar krijimin e portretit të kohës së vet.
Brendia e subjektit poetik në krijimtarinë e Vladimir Torovecit qaset të shpërfaq madhështinë përmes një metafore të ngjeshur dhe një leksiku të rrjedhshëm. Shëmbulli estetik, finesa e piruetave artthënëse, eksplozioni shpërthyes që ngjishet fjalë pas fjale e situatë pas situate, harmonia e organizimit të gjëndjeve që e ndërkallin brendinë e tij, mbërrijne tek lexuesi të përplotesuara.
Përgjithnji kena dicka me mtue, pëshpërit nën zë, kumtesa artistike e poetit. Gjithherë e ma përfundi e tashmja ka vënë fjalën artistike, e cila ka triumfu, dhe asht kungu si zani kushtrues dhe afshin zjarrvënës i shpirtit të poetit. Sot ngase gjithseçka përpëlitet mes ngulmit për me ken mjet apo gjendje, zani ngadhnjyes i nji fondamenti i ngjet ma s'shumti një kacarritje të mundimshme përmes valeve për të kapur bregun. E megjithatë poezia e Vladimir Toroveci gjehet ngulmas në këtë përpjekje. Ai i beson dhe deshtazi e hedh veten në fushëbetejën e të pamundurave, i bindun se bota ngase ska mundësi për të ndryshuar, kjo nuk duhet të mohojë të drejtën për të rrokur vetëdijen e asaj që asht. Dhe kjo përftohet nga kumti artthënës, nga ajo brendi gufuese që ysht poetin për t'u hedhur në zjarr. Landën tektore të krijimtarisë së Torovecit e perceptojmë si ngrtje krye, si mosepje. Me zanin që e kapërthen në caqet e epërme të rrethrrotullisë, dhe krahnorin që i gufon përnga shpërthimi, ai dëshmon. Ai asht i bindun se format e garrametshme të botës nuk ndryshojnë. Megjithatë, doradoras, fjalë pas fjale, varg pas vargu, poezi pas poezie, qëmton gropat dhe plasaritjet që ka ndërkallë e sotmja e rrethanave dhe parakushteve. I kumton urtësisht e fuqishëm.
Përmes një procesi dinamik dhe nëpër një kohështrirje që e ngërthen fort pas vetes, poeti shpërfaq kjart dhe gjimueshëm tançka trazon botën e tij. Po, atë të tashme që nuk munet me ken vetëm e tija.
S'ka gjëndje fizike përjashtimore. Heshtja dhe nënshtrimi nuk munen me ken udhërrëfimtaret e një zani gjimues. Zani, që poeti ka zgjedh me vullnetin e kushtrimit. Nën përndezjen e një brendi që gjithnjë e ysht të hovet në vërshime, ai shpërfaq në vetvete sakaq dimensionin e individit kryengritës. Bota përreth poetit, siç edhe në fondamentin e perceptimit të gjithkahshëm të Torovecit, në shprehësinë e tij të artthënies, është tjetërçka që shqisat e njeriut të zakonshëm perceptojnë. Poeti është i destinuar të kundrojë dhe të kumtojë, me ma të fuqishmen ndjesi dhe me shpërthyesen barrë adrenaline, zashëm si rrufeja. Përpjekja e tij për të dëshmuar botën është një Golgotë e gjatë dhe e përvujtshme, e megjithatë hyjnore. Në poezinë e Torovecit kushtruese, ai nuk orjentohet nga kahje ndikesash përjashtimore. Gjithseëka zgjohet dhe merr formë në brendinë e alkimisë së ndërmendjes artistike. Gjurmët drithëruese janë plagë që lëngojnë prej së largu e derimtash. Me së miri, ai i pohon dhe në vend që të bashkëjetojë me ta, kacafytet, lufton deri në grahmën e fundit. Padrejtësitë janë shkrepëtima që thyejnë qiejt përmbi të. Në gastaret e këtyre qiejve të thyer ai ecën këmbëzbathur për me dëshmu vetmohimin në emër të kauzës. Pandalur rend duke promovuar shpirtin ngallnjyes të poetit. Dhe këtë e bën plot ngjyra, anipse në dritëhijen e një realieti ku ai nuk ndjehet ende në paqe dhe qejprishur me të.
MOS M’I BËNI TË FRIKSHME HAPËSIRAT!
-Duke studiuar poezinë e përzgjedhur të Vladimir Torovecit-
Nga Prof. Dr. Adriatik Kallulli
Duhet të matesh fort nëse dëshiron të japësh një gjykim të qëndrueshëm për krijimtarinë poetike të Vladimir Torovecit. S’të mjafton kurrsesi një lexim, sado i vëmendshëm dhe i përqendruar qoftë ai. Të duhen dy e më shumë dhe mundësisht në distancë kohe. Përse? Se poezia e tij e përzgjedhur dhe e përfshirë në vëllimin “Kohë Parvenysh” (2009) nuk ka as edhe një poezi rutinë, asnjë vargëzim të rëndomtë, asnjë kontekst poetik pa nerv, pa mendim të thellë dhe ndjesi të thellë. Duke qenë e tillë nuk përtypet vetëm me një të lexuar. Është një poezi fort e ngjeshur, me të vërteta jete dhe realitetesh, me refleksione të forta shpirtërore, me mendime që marrin trajtë proverbe e sentence, një poezi që s’të lë kurrë indiferent, që ta prish qetësinë, por edhe e tillë që sikur ta lyp mendimin, reagimin, prononcimin. Është e tillë në shumicën e vet, ngaqë vetëdija për krijimin është shumë e lartë. Në qoftë se Persi Bishi Shelli pat shkruar dikur se: “Poetët janë ligjvënësit e panjohur ligjërisht të botës” dhe Borges: “Poeti nuk mund t’i kthejë shpinën epokës së tij”, Toroveci ka aforizmën poetike: “Poetët çirakë të zotit janë”. Kjo vetëdije sublime e bën atë të jetë tepër selektiv dhe t’i drejtohet kryesisht një lexuesi dhe qytetari elitar, të tillë që edhe pse është i rrethuar shpesh nga baltra, lluca, gropa dhe shembje e përmbytje gjithfarësh, qëndron i dlirtë, qëndron i fortë dhe i zgjidh mbarësisht shumë dilema që i vërtit jeta përditë. Sidomos ky tip lexuesi që realisht është i paktë, që lumturisht nuk është zhdukur, e ndjen, e kupton, e shijon si monolog të tij poezinë e V. Torovecit. Përse? Përgjigjen e shpreh fort mirë poeti-koleg, Bardhyl Londo kur jep sintezën: “Poezia e Torovecit vjen si një klithmë fisnike, ekzistenciale e një shpirti të cilit i është mohuar plotësisht e kaluara...” (“Tema”, 12 mars, 2001) “Jam zog krahëthyer”. Kaq mjafton për ta përvijuar pohimin. Asnjë kohë e ardhme, sado e lumnueme qoftë, s’mund të t’i ngjitë krahët për fluturime të tjera. Poeti është përjetësuesi. Jo vetëm i përjetimeve të veta, por edhe i shumë të tjerëve. Është përherë një alter-ego, që edhe pse trimërisht, qëndron “mbi shkëmbin e fatit të vet”, i hedh sytë te të tjerët. S’ke të drejtë ta quash veten poet kur i shmangesh peshës së rëndë të Sizifit. “Qetësia e vërtetë është shqetësimi”, pat thënë J. Green, prandaj le të na dhëmbin hallet, dertet dhe plagët e të tjerëve. Ndryshe, as provë qytetarie, as akt poetik s’kemi dëshmuar.
Por poezia nuk është vetëm akt humanizmi dhe moraliteti. Është më së pari art i mirëfilltë, art që depërton brenda shpirtit tonë me kodet e veta të veçanta. Po s’qenë këto kode gjithandej materies poetike nuk e kemi ende poetin. Toroveci e ka këtë kod dhe e mishëron në shumicën e krijimeve. Gjetje befasuese brenda situatash dhe momentesh jetësore që i kalojmë përditë, peizazhe natyrore dhe sidomos shpirtërore, të ngarkuara me lloj-lloj imazhesh dhe ngjyrash, spektaklet e pranverës dhe ngricat dimërore ku dhe gjaku mardhet, shumë çaste të helmëta që e bëjnë poetin të dergjet e të kridhet në moçale dëshpërimi: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”... “U shtriva të vdes i vetmuar”... “Jam i drobitur,”... “I lodhur tmerrësisht,”... “Më pushëron lëkura/ Prej punës së rëndë” dhe të tjera e të tjera, refleksione që do t’i përkapim më tutje, sepse poezia e tij është një sizmograf i pasur i të gjitha baticave, zbaticave, lëkundjeve, hepimeve, rrëzimeve, thyerjeve, dëshpërimeve që kalon robi i gjallë. Poet thellësisht refleksiv me rrëfime të çiltra, shpesh të ashpra dhe rrëqethëse, të bën për vete aq fort sa merr pjesë edhe ti, si lexues, në ahet e ohet e shpirtit që vuan. Lexojeni dhe rilexojeni, duke u ndalur në çdo varg poezinë e shkëlqyer antologjike “Diçka për vete...” Do të bindeni se nuk është vetëm biografia e një fillikati. Shumëkush ka në të fragmente të biografisë së tij dhe do të bjerë në mendime duke pëshpëritur e folur me vete: Sa të pakta dhe të shkurtra janë çastet e qeta për njeriun! Sa të shumta shtigjet e errëta ku na vërvit absurdi. Poeti asnjëherë nuk flet në përgjithësi. Zbulimi i gjendjeve shpirtërore të heroit të tij poetik bëhen në trajta konkrete, sidomos me kundërshtitë e shpeshta të realitetit tonë. Nëpër vargje e kontekste poetikë mbresëlënës nisin të të shfaqen imazhet e keqdashësve meskinë që i kemi nëpër pallatet, rrugët, zyrat dhe institucionet tona. Me “poza fitimtarësh” sepse dinë të tjetërsohen kur duhet, paçka se “nuk kanë bërë asgjë në luftë”. Pseudoluftëtarët marrin postet, ofiqet, pasuritë, nderimet, luftëtarët, plagët, mohimet, shmangiet. I tillë është fati i fitimtarit në shekujt e rëndë të historisë. Edhe “Gladiatori” të tillë fat pati: “Dinjiteti paguhet/ Vetëm me plagë,/ Dhe jetë gladiatori”. Në ndërluftimet e kohërave gjendet përherë një shtresë indiferentësh, pseudoneutralësh, të mashtruarish deri në verbëri të vetëpranueshme. Të tillët, filozofon poetikisht autori, përbëjnë komunitete regresi dhe bastardimi. Kësisoj turma, grigja njerëzore, vret e linçon edhe ata që duan t’i hapin sytë: “Po shpirtrat e plebenjve/ Të pandjeshëm mbetën”. E intensifikon këtë mendim: “Ishin njerëzit, jo zotat/ Që më çanë kraharorë”, psherëtin tërë dhimbje shpirti, Prometeu, duke na kujtuar atë pohimin e famshëm të Mefistofelit te “Fausti”: “I vogli zot i botës, ka mbet po ai qyqar.”
Poeti vuan kur njeriu kthehet në gjallesë e pilivesë, kur e fiziologjizon tërë jetën dhe mundin e tij duke u zhbërë e tjetërsuar. Ky njeri i zhbërë dhe i tjetërsuar është një dhimbje e një plagë e majisur për heroin poetik. Do të hasim kështu në vëllim dhjetëra poezi dhe pasazhe të ashpër poetikë për tjetërsimet dhe metamorfozat njerëzore. Dhe Poeti vuan për këtë bastardim sepse njeriu, njerëzimi është sublim dhe në fund të fundit gjeni i tij që lypset të jetë madhor e sublim. “Më vjen të vjell përmbi ju,/ Avoketër të djallit”, këlthet në një varg, duke na sjellë ndërmend porosinë e hershme të Ernest Heminguejit: “Larg nga avoketët! “Por akuza e padija shfren gjithandej ku njeriu e ka braktisur njeriun: “Më vjen për të vjellë,”... “lëtyra”, “përbindësha të vegjël”, “kimera me dhëmbë prej stralli, Me gjuhë nepërkash” dhe të tjera përbuzje të merituara, të pohuara me dhimbje. Përse njeriu të shkasë në të tilla moçale vesesh?! Në poezinë-akuzë “Përzierje” intensifikimi i paditë bëhet me tone të ashpra dhe fjalë që kanë ngarkesë pezhorative paraprake. Dhe paditë e poetëve shkulin në çast çdo imunitet. Janë padi engjëjsh që s’dinë ç’janë koniukturat, kompromiset meskine dhe falsitetet. Imazhet e së keqes marrin në poezinë e V. Torovecit ngjyrime dhe relieve impresioniste-ekspresioniste. I ndjen ai më së pari e më së ploti dhe mandej i intensifikon përmes ndjesive dhe emocioneve të veta, duke qenë një piktor-poet, duke dhënë realitete të vrazhda sociale që s’e lënë të qetë: “Ç’të bëj... ku të shkoj këtë mbrëmje/ mbi kodra shkreti rreth e qark/ Fantazma e pyllit të vrarë,/ Sërishmi më shfaqet nga larg. Peizazhi i zi, nëse mund të shprehemi kështu. Nonda Bulka dhe Kapa do ta përgëzonin për fuqinë realiste-impresioniste të pasqyrimit. S’ka asnjë teprim të heroit lirik. Plagët e shoqërisë e bëjnë të fort të vuajë, por nuk e mposhtin. Njerëzit e kthyer në akrepa, centaura, gorrilla, gjarpërinj e lugetër i ka njohur edhe prej historisë. Dija vjen nga përvoja dhe përjetimet: “Tani i mësova të gjitha/ Më duhet të vdes”. Por ka forcë ta shmangë vdekjen, të ndeshet me të, se zërat e jetës e thërresin gjithandej. I përjeton situatat si të gjithë njerëzit e ndjeshëm, por nuk qëndron te dëshpërimi dhe pasiviteti. Si piktorët impresionistë që e mbërthejnë në çast, çka iu lë vragë të thellë, përpiqet që këtë vragë ta hedhë në cohën e poezisë, ta bëjë të qëndrueshme por edhe të transmetueshme dhe të përkapshme emocionalisht edhe për të tjerët. S’jam vetëm unë, sikur thotë heroi lirik, që i thith të tilla pezme, helme dhe rrallë nektare dhe elizire. Kështu vetvetja shkon tek të tjerët, duke u përftuar prej tyre emocionalisht dhe estetikisht. Sikur e dëgjon Rilken që thoshte: “...poetët thërrasin për më shumë”. Kjo poezi thellësisht refleksive mbytet e tejmbytet shumë herë nga baticat e dëshpërimit, por nuk zhytet. Heroi lirik e vuan sëmbueshëm të keqen, por e kupton se në fund të fundit është jetëshkurtër. Në vetvete ky hero është i fortë, i qëndrueshëm, i paepur: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”. Dhe ka të drejtë se sheh gjithandej njerëz e gjallesa me zgjyrë mëkatesh, pse gjendet shpesh “nën shi meteorësh”, pse jeton në një komunitet “ku koha është pa kohë”. Natyrisht që të gjitha këto përjetime absurdi, e trazojnë, e mundojnë, e hepojnë: “I lodhur tmerrësisht prej rravgimesh pa sens/ endemi të vetmuar/ Ferrit të jetës/ Mizorisht i vetmuar”, siç janë që të gjithë poetët dhe mendimtarët seriozë. Por realitetet sado të trishta qofshin të japin edhe balsamin. I përtërirë nga shpresat rifutet në jetë më i fuqishëm, më i etur për ndeshje: “Kush do ma shuaj zjarrin,/ Jeta apo vdekja...?! Pas këngës së poetit vjen si iso logjika e filozofit. Prandaj sërish heroi lirik refleksiv, pohon: “Unë ngulmoj dashurinë...” Dhe jeta i përgjigjet me po atë alfabet. Ja, nëna përherë me “një lumë të kthjellët me dashuri”, më tej e më tutje, e dashura që edhe si imazh, i shton besimin, po edhe pranvera: “mizëri balerinash shndritëse” që na lbyrin sytë, por e ëmbël është edhe ajo nostalgji mjaltërore për moshën e fëmijërisë kur gazmonim krejt pas pëllumbave e pilivesave. Por edhe lumturia e pritshme e bijës që pret me padurim njeriun e zemrës. Në të tilla zabele “përkundet prehja ime.” Dëshpërimi është i rëndë, i gjatë, sfilitës, por s’është krejt jeta. Prandaj heroi lirik është sërish në jetë, di ku t’i kërkojë burimet e optimizmit. “Freri, sado i bukur qoftë,/ E tremb mëzin e kaltër”, por s’ia ndal dot vrapin. Edhe poetët të tillë janë. Me “zëra rebelë” shfaqen në limontinë e ditëve të shuara për të zgjuar guxime, pasione, synime.
Në një ese të tij V. Toroveci shprehet: “Secili duhet ta zgjedhë vetë vendin se ku do të qëndrojë.” Vetë poeti e ka zgjedhur fort mirë vendin e vet. Nuk është e lehtë më kohën tonë ta gjesh vendin që të takon dhe ku të nderojnë të gjithë.
NENES
Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…
Dora jote si një pergamen i lashtë?!
Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...
DIÇKA PËR VETE...
Me hekur të skuqur më shënjuan,
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)
Më bënë skllav galere.
Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!
Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.
Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!
I DASHURUAR NË SHI
Fytyrës dhe flokëve
Bie shi.
E unë e lëpij me gjuhë,
Si të mos kem shijuar ujë kurrë!
Po zjarri më tepër djeg...
Vetëtimat brofin
E më kallen në gji.
Jam flakadan shëtitës,
Bredh nëpër shi..!
IN TENEBRIS…
Nuk ishte faji yt..!
Të stisa
Me shkumë dhe dritë,
Afërdita ime.
Dhe ishte mëngjes…
Mbi ujërat e bruzta,
Dielli soditej
Dhe qorronte vetveten.
Kështu do të vështrohesha
Në pasqyrat e syve të tu;
Dhe i verbuar
Do të zgjasja duart,
Të të rigjeja.
Tani është muzg...
Gjethet e vjeshtës,
Fëshfërijnë tek bien;
Si hapat e tua,
Që rendin drejt meje
Pa më mbërritur kurrë..!
RIKRIJIMI I EVËS
Mizorisht i vetmuar,
Si në ditët e zanafillës
Nën një qiell me gjëmime,
E shkula brinjën
Dhe rikrijova Evën
Me frymën time.
U ndjeva burrë dhe zot,
Paçka se një hije dyshimi
Më shkau ndër sy
Me trajta inçesti.
Në u flligështoftë gjaku
I pasardhësve të mi,
Do vijë prej shpirtit
Dhe jo prej epshit…
DIMËR NË KORÇË
Dëborë e bardhë bie
Mbi të murrmin qytet,
Po baltën e mpiksur në udhë
As e zbardh, as e tret...
Qiellit të zymtë e plot re
Zogj të zinj nuk di se ku venë,
Si shpirtra dalë prej ferrit,
Që udhën e kthimit s’e gjejnë.
E i mbështjellë me levenxe
Në odën e errët pa dritë,
Vështroj tej kortinkave natën
Dhe hijet që endin qirinjtë.
Hije që heshtas, pa zë,
Vallzojnë si djaj nëpër mure.
Dhe here më ngjajnë me kthetra,
Here me qivure…
Ç’të bëj…ku të shkoj këtë mbrëmje..?
Mbi kodra shkreti rreth e qark
Fantazma e pyllit të vrarë,
Sërishmi më shfaqet nga larg.
Ku të shkoj pra..? Nën avuj alkooli,
Kafeneve vetshpallen shtetarë.
Naivë e makutë për pushtet,
Të urtë e të marrë..!
Tani, s’kam nevojë për përralla,
Miqtë një nga një po më lenë.
Parisin, po të ishte këtu,
S’ngulmonin tej detesh ta gjejnë.
Po rrinin e këndonin serenata,
Kur e vetmuar zë e dergjet nata.
Rrugicave me kangjella e kalldrëm
Ku shpirti, prej dashurisë më dhëmb..!
FAJKONJ TË ZBUTUR
Zbritët nga liria,
U ngjitët në robëri…
Çukisni mërshën e hidhur
Krimbëruar nga krimbat,
Mbyllur, atje, në kuvli..!
Veç ndonjëherë,
Kur i teket padronit,
Dilni e gjuani minj.
Qielli juaj i vogël, i vogël
Sa vështrimi i senjorit
Mbi domenin e tij…
EMISARËT
Ju s’keni fytyrën tuaj,
Jeni pa sy, pa veshë.
Me xhamadanë folklorikë
Mbështillni gjoksin,
Me pelerina mesjete,supet me lesh.
Ju jeni Mefistofelë,
Emisarë senjorësh.
Me satananë keni lidhur pakt.
Si mund t’ju besoj,
Kur s’mbaj pupla indigjenësh
Dhe tatuazhe mistike
Mbi bark.
Me fermanë të rreme
Si me gjethe fiku,
Mbuloni seksin tuaj
Gërbulur nga sifilizi.
Dhe doni të më mbushni mëndjen,
Se s’jam unë, por ju
Që mbani mbi shpinë
Barrën e rëndë prej Sizifi..!
KUR FLATROJNË PATAT
Ku shkojnë këto pata të egra,
Mes vjeshtës së zbehtë
E qiellit gri?
Si drejt një vendi
Plot mall e mistere,
Pa emër përbri..!
Flatrojnë, gravitetin e tokës
Me një pikëllim paanë në sy
Dhe ndjellin simotrat e tyre
T’i marrin me vete,
Të thërresin dhe ty…
MIQESITE E MIA
Do të ndez një llambadhë
Për miqësitë e vdekura.
Do të qaj pa lotë, me rënkime të brëndshme.
Edhe miqësitë vdesin
Në jerme tronditëse,
Duke lënë pas, zhgënjime e dhembje...
Do të ndez një diell
Mbi miqësitë e gjalla.
I lumturuar që munda t’i shpëtoj
Përmes ca udhëve gjithë shpirtra të ligj,
Si të dalë nga përrallat.
Fundja, pa hije dhe dritë,
S’do të kishte as ditë..!
ZINXHIRE DRITE
Atdhe !
Shtjellë përshkënditëse në krahërorin tim,
Dashuri marramendëse…
Të mendoj ty dhe bebëzat më zgjerohen,
Tëmthat më rrahin deri në dhëmbje.
Me zinxhirë prej drite
Lidhur pas teje,
As unë nuk të iki dot,
As ti nuk largohesh prej meje…
FOSHNJË E LAKURIQTË
Pendë të bakërta
Bien mbi mua.
Si shigjeta fërgëlluese
Të ngjyera në vrer
Prej zogjsh të hekurt,
Që rrahin flatrat
E çirren hakërrueshëm
Të përndritur në terr...
Janë qënie të Hadesit,
Që pjellin e shumohen
Në folenë e hënës,
Endur me fije tunxhi
Prej shpirtrave të natës
Dhe dufeve të nëmës.
Ferishte e porsalindur
Më ngjan vetja.
Cullak nën acar.
Mbi tokën gjith grahma kalbësie,
Këlyshësh të përgjakur
E të pavënë në varr..!
PËRZIERJE…
Më vjen të vjell përmbi ju,
Avoketër të djallit,
Lëtyrat që më keni dhënë
Gjithë jetën të pi,
Përbindëshat e vegjël,
Kimerat me dhëmbë prej stralli,
Këllirën gatuar në mug
Me gjuhë nepërkash e hi,
Dua t’ua hedh në turi!
Një purgë kërkoj,
Të çlirohem prej vrerit
E sytë me dritë t’i mbush,
O avoketër të Ferrit..!
NË DARDHË
Mbretëri e gurit këtu...
Troje të mbështjella
Me një flakëz të blertë,
Që lëkundet pa zë.
S’di pse ndiehem kaq pranë Zotit,
Sa s’mund të rri pa besuar në të.
E frymërova krejt ajrin e kthjellët
Dhe prapë s’ngopem dot.
Yjet, që shkasin
Mbi faqen e lumtur të natës,
Më ngjajnë me lotë.
REJA
E bardhë, e tejpashme, si një shqerëz e vogël
Kulloti hapësirat e pafundësisë.
Pastaj papritur u fry dhe u nxi,
Duke marrë trajtat e frikshme të lubisë.
Kërcënuese si e mbarsur me vdekje
Flaku rrufetë mbi pllajat e majit.
Me kamxhikët e breshërit,
Terrorizoi një botë të tërë.
Shtypi gonxhet, shkërmoqi lulet në baltë,
Ditën e ktheu në natë.
Nën turfullimat e saj shtangu bota,
Dheu i mbyti rënkimet, piskamat e pemëve.
Degë të thata, filiza të rinj
U shqyen nga dhëmbët e akullt,
U bënë pre të rrëkeve.
O Zot, ku e mori fuqinë ?! Kush ia dha ?!
Cilat rrënjë e bymyen aq shumë?!
Cili korb i dha flatrat?!
Në ç’humnerë u krijua?!
Cili det i dha shpirt?! Cili lumë?!
Tani rrëshqet kaltërsive të qiellit
Me një brerore të trëndafiltë përreth,
Që me siguri ia ka vjedhur diellit,
VDEKJA E POETIT
- I. Belliut -
Si të shpëtoje prej ferrit,
U hodhe mes zambakëve të kaltër
E zogu mbylli sytë përmbi bar.
Shpirti yt, vesë e majit,
U ngjit lart në qiell,
Baltën, mbyllën në varr..!
Po ç’qe ajo gjuhë e harruar
Me të cilën na fole,
Ç’ishin ato shenja me zjarr,
Që na dhe..?
Kur e pe,
Që s’të kuptonim dot,
Ike... na le..!
Ike tmerrësisht i vetmuar,
Pa na pare në sy,
Pa na i bërë me dorë..!
Duke lënë pas,
Vetëm ca gjurmë të bardha pëllumbash,
Si hieroglife mistike,
Shkruar mbi bore..!
NËN TENDËN E NATËS
Dy hije
Nën tendën e natës,
Mbështetur pas murit të pistë.
Si dy martirë
Mbi njëri-tjetrin mbërthyer
Në kryqin e dashurisë.
Rënkojnë e ofshajnë,
Fytyrë mbas fytyre.
Universi i dridhshëm,
Hepon supet e tyre…
THIKAT E ARTA...
Thikat e arta të vjeshtës
Ngulen në prazmin tim.
Më derdhin helm të ëmbël,
Një limfë gjithë dritë.
Bota e shpirtrave,
Më bëhet e afërt
Si një magji tronditëse.
Të tjera përmasa, fiton dashuria.
Tani nuk vuaj nga epshet,
Por nga ndjesia e të qënit njeri..!
MONOLOGU I PROMETEUT
Ishin njerëzit jo zotat,
Që më çanë krahërorë.
Kimerat e territ
E jo shkabat fisnike,
Ma sqepuan zemrën
Me klithma prej shtrige..
Mosmirënjohja e tyre
Dhe frika prej dritës,
Mblodhën demonët e shpellave
Mbi gjoks m’i vërvitën.
Tani kam mbetur i vetmuar
Mbi shkëmbin e fatit tim.
Hedh sytë drejt qiellit
E rënkoj i harruar.
Kërkoj perëndinë..!
GLADIATORI
Mbeta që mbeta gladiator..!
Jam vrarë e jam rivrarë
Mijëra vjet mbi arenë,
Për të kënaqur patricët e kamur
Dhe plebejtë,
Që ëndërrojnë patricë të jenë..!
Gjaku im ka shkumëzuar
Rërës vezulluese.
Vdekja ime,
Turmat ka ekzaltuar,
Po shpirtrat e plebejve
Të pandjeshëm mbetën
Në pafajësinë e tyre të mallkuar...
Asnjëherë nuk vesha
Pelerinë purpuri,
As togë të bardhë senatori.
^ Dinjiteti, paguhet
Vetëm me plagë,
Dhe jetë gladiatori…
JU LUTEM…
Lërini fëmijët
Të krijojnë botën e tyre të ëndërrt!
Mos i trazoni!
Freri, sado i bukur qoftë,
E tremb mëzin e kaltër
Të imagjinatës shkumbuese.
Lërini fëmijët,
Ata s’kanë nevojë
Për përkujdesjet e qullëta
Dhe puthjet e jargëta.
Ata, miqtë e ireales
Dhe bijtë e zjarrit.
Lërini fëmijët!
Kanë kohë të bëhen burra,
E të burgosen
Në qelitë e arsyes!
DASHURISË
Buzë qiellit tënd të pamatë,
Jam zog krahëthyer.
Mbi gjinjtë e tu përpëlitës,
Si Prometeu
Mbi shkëmbin e fatit mbërthyer.
Një det të tërë kam pirë
E prapë digjem nga etja.
Kush do ma shuajë zjarrin,
Jeta, apo vdekja..?!
SYTE E VIOLËS
- bijës sime -
Kridhem në sytë e saj,
Si në një botë të nënujshme
Gjith drita të bruzta.
Mes tymnajës së leshterikëve,
Me ca lëvizje të ngathta
Lëvizin peshq të artë.
Eshtë mbretëri e paqes këtu.
Këtë heshtje,
Asnjë përbindësh nuk mund ta prishë.
Mbi delfinë të bardhë,
Përkundet prehja ime.
KOHË PARVENYSH
Ata nuk dalin nga betejat
Nga skutat e skuthave vijnë
Sybabëzitur,
E veshtrimpërhumbur
Vihen në rresht si manekinë.
Janë fytyra te reja
Historia është e vjetër
Siç janë të vjetër
Flamuret , atutë
Nën fishekzjarre të rreme
Prej varaku e letre
Marrin poza fitimtarësh
Megjithëse nuk kanë bërë asnjë luftë..!
Kohë absurdi,
Skena groteske,
Njerëz që lehin si qen
Trutredhurit, në vend të ideve
Pjellin vetëm sejmene.
Jashtë,
Ngelën udhët me baltë,
Netët e errta, qirinjtë,
Hëna që shkryhet
Mbi kalldrëmin e lashtë
E përzihet me plehërat e minjtë!
NATË ME NGRICË
Një dhelpër, shtangur magjie,
Ngriti sytë në qiell.
Mijëra peshq xixëllues
Lodruan në akuariumin e natës
Dhe e mbushën terrin
Me dritë engjërdhie.
S’di pse m’u kujtua fëminia
Dhe erërat e mallit
M’i veshën sytë...
MARSHI I BARBAREVE
Si duhmë e stepës vijmë
Dhe jemi pa mbarim!
Rreckat tona, copëza nate,
Kutërbojnë mjerim!
Përgjunjemi para idhujve
Me një frikë të errët në sy.
Po të duan ata, hamë baltë
Dhe zhgrryhemi në hi.
Po të duan ata, shkelim yjet,
Me shputat kthetranxira.
Se e urrejmë çdo feksje drite,
Të tillë na polli errësira.
Në rënçin idhujt ndonjë ditë,
Do të strukemi në strofka.
Të tjera kulte do krijojmë,
Nuk rrojmë dot pa zota!
SUBLIME
Me Perëndinë
Kam filluar të flas,
Por lutjet e mia
S’i drejtohen hyut me fjalë.
Nuk i këkojnë një jetë të lumtur
Në shtegun rrethuar prej territ.
Përtej këtij shtegu
Kërkoj frymën e shenjtë.
Dhe sa herë fisnikëria
Më puth në ballë
E gjej brënda meje..!
VDEKJA
Hyri tinëzisht tek unë,
Sa mora frymën e parë.
Tani, kinse më ka harruar
Dhe unë kinse s’e di,
Ecim përbri..!
DITË DIMRI
I lodhur, i pafuqishëm,
Ra një kalë nën karrocë
E nuk çohet dot…
Jam unë apo është ai?
Dëbora mbi të
Flokon e përgjumur...
Gjarpërinjtë e kamxhikut
I kafshojnë ijet,
Që dridhen e i tymojnë
Nga një avull i hirtë…
Mezi mbushet me frymë.
Liqejve të syve të tij,
Qielli hedh brymë…
BUZË DASHURISË
Putha vdekjen.
Himne i thura
Shtatit të saj skelektik,
Syve të saj që vështronin hiçin,
Faqeve të gjelbëruara nga myku
Si të spërkatura me acid.
I rënë në ekstazë,
Me një fanatizëm të verbër,
I përkëdhela gjymtyrët pa jetë.
Po më kot,
Më kot u derdh dashuria ime
Mbi barkun e saj shterp…
Tani vuaj, ndiej keqardhje
Për rininë fatkob,
Për zhgënjimet e mia.
O Zot,
Mos më lër të vdes buzëplasur,
Pa provuar ç’është dashuria...
MBAS SHIUT
Brofi vetëtima
Dhe mbështolli në gji një pjergull.
Toka e rreshkur, gjerbi verën e shiut
Dhe u deh...
Tani, e çliruar,
Rend hapësirave të imagjinatës
Mbështjellë me një shami ere,
Duke shpalosur
Krijimet e saj
Në galerinë e qiellit…
SHNDËRIM
Unë isha kolibër,
Gjerbja vilet e akacieve
Kaçubeve të fëmijërisë…
Isha i brishtë,
Si në pranverë
Aguliçet e zbehta.
Kisha frikë nga nata,
Por jo nga vdekja.
Ndiqja pëllumbat e pilivesat
Me ca krahë të vegjël,
Nën këmbët e zbathura.
Si të doja ta kisha
Si ata qiellin,
Nën flatra.
Tani s’kam frikë nga nata,
Nga vdekja kam frikë.
I ngarkuar siç jam
Me zgjyrë mëkatesh,
Të këtij ferri pa dritë…
ATË NATË
Befas, u gjenda
Nën shi meteorësh.
E rashë në ekstazë…
Dehur nga kurmi yt magjiplotë,
Mbuluar prej pjalmit të mjaltë,
U shtriva të vdes i vetmuar.
Atë natë..!
TRAPI I MEDUZËS
Po mbyten miqtë, një nga një,
Me mishin tim nëpër dhëmbë,
Me flokët e mia në dorë.
Jam i drobitur, si shpëtoj dot,
Humbasin thellësive, si meteorë.
Dhe unë fillikat
Po mbërrij cakun,
Ku koha është pa kohë.
I lodhur tmerësisht
Prej ravgimesh pa sens,
Ëndërroj të gjej Kalipsonë…
SPEKTAKEL
Më rrëqeth
Eleganca e barit,
Dëshira e tij e ethshme
Për të luajtur me erën.
Mizëri balerinash shndritëse
Përhidhen, hepohen
Nën kantilenat e diellit.
DITNATA IME
Poemë
Popull, kur do të dish të kujtohesh,
Kur do të dish të mbash mend
Mësimet e së kaluarës.
-Sandberg -
Dita ime, nata ime
Me shpirtin prej muzgu
E trajtat prej ëndrre,
Fytyrën prej njerke
E sytë prej nëne!
Ditnata ime, jeta ime,
Si e dalë nga përrallat.
Gjysmë peshk, gjysmë njeri,
Më josh me ca shënja drite,
Me ca yj fërgëllues,
E prapë në baltë
Më flak përsëri...
Unë ngulmoj dashurinë,
Ti urrejtje më jep.
Zgjat duart të të kap,
Nëpër gishta më shket.
Mbi shtatin tim,
Le vurrata prej terri
Dhe pak gjurmë puthjesh
Si të përzihen
Parajsa dhe ferri…
Brënda gjakut tim,
Pëshpërijnë zëra rebelë;
Diç kërkojnë prej meje
S’i qetoj dot.
Përpiqem t’u iki,
Më gjëmojnë nëpër deje,
Rrekem më kot.
Nuk mundem të fle
Në pikun e natës,
Në gji të mosqënies.
Ata, të beftë,
Më bien me grushta,
Më shpojnë
Me mamuzet e dhimbjes.
Më lini ju them,
Jam i lodhur.
Gati pa frymë
Në damarë s’kam zjarr,
Kam akull e brymë.
Sytë, zgjyra e dogmës
M’i veshi.
Trutë m’i mpiu
Helmi i saj.
Gjymtyrëngrirë
Prej ngërçit të lig,
Rënkoj e ofshaj.
Po zërat
Prapë më gjëmojnë,
Diç prej meje kërkojnë...
Ku është parajsa ime..? Ku..?
Një jetë që rend e s’e gjej.
Prej punës së rëndë
M’u zhvoshkën duart
E prapë veten gënjej
Më rrejnë ca çaste të kaltra
Dhe qiej ylberorë.
Pastaj
Prapë i zhgënjyer vrapoj,
Pa e parë me sy,
Pa e prekur me dorë...
Ku është parajsa ime..? Ku..?
Në syt e gruas
Pikon mall i lodhur.
Në syt e tim biri-
Një heshtje pa gas
Mban radhën e bukës
Dhe hesht i menduar
Si të jetë i madh.
Ku është prajsa ime..? Ku..?
Një korb krroket
Në pyllin degëtharë
Të shpresës.
Më ngjethet mishtë,
Tek e ndiej
Mesnatës së errët.
Ç’kërkon të më thotë
Ky zog i mallkuar,
Me zërin e ngjirur të tij..?
Megjithëse mbështillem
Me pelerinën e heshtjes,
Sërishmi mbërdhij..!
Krroket ky korb, krroket...
E rreth më përvidhen
Hije pa trajta.
Më përgjojnë ëndrrat,
Më zhbirojnë dashurinë,
Gjestet e hapat.
Grumbuj kufomash
Rreth meje.
Lebeti burrash,
Lebeti grash, zemërçjerë.
Pirgje shpirtrash të mjerë...
Avuj të helmët
Më veshin sytë,
S’më lenë të shoh qartë.
Ç’maskë antigaz të përdor?
Ç’hajmali të shenjtë
Të var thellë në qafë?
Krroket, korbi, krroket..!
Ç’thellësi skëterre
E polli këtë zog..?
Në ç’hone urrejtjesh
U ngjiz shpirti i tij..?
Xhelatë e vampirë
E bëjnë për shok.
Hijenat i rrinë përbri.
Një flake e jeshiltë
I digjet në sy.
Kukudh i pagjumë,
Bluan veç kurthe.
Në netët e ankthta të tij,
Krijon pranga e burgje...
Si t’i shpëtoj
Kësaj nëme të rëndë..?
Ec marramenthi,
Këmbët s’më mbajnë.
Zvarritem,
Me thonj e me dhëmbë.
Kërkoj një dorë të mbështetem,
Një shënjëz drite
Prej qiellit pus.
Përkulur buzë lumit të jetës,
Pres si shelgu lotues…
Në netët me hënë
Thërras dashurinë.
Po ç’është kështu?
Një sy i padukshëm më ruan,
Më ndjek pas kuturu.
Më pëshpërit nën zë
Me një hakërimë të mjegullt;
Harroje bukurinë -më thotë-
Bukuria ka vdekur.
Dhe unë gërmoj…
Përmes një tymnaje të kuqe,
Nën rrasat e varreve
Shoh botë ireale.
Copëtoj mermerë
Jeshiluar prej myshkut,
Përbalt eshtra, thyej stoli.
Si i zaptuar nga xhindet,
Përdhos zot e shënjtorë
Dhe në ekstazën e zhbërjes
Krijoj idhuj të rinj...
Vetëm armiq rreth meje,
Vreri i urrejtjes
Ma jeshiloi gjakun në deje…
Askush s’kujtohet për mua,
Vështrimhumbur
Nuk di ç’kërkoj.
Dhe as nuk di çfarë dua...
Si në ishullin e Çirçes,
Me drithma në shtat,
Shoh shokët e mi
Shndruar në derra,
Tek rrëmojnë në batak.
Ku ta gjej eliksirin,
Barin çuditbërës,
T’i kthej sërisht në njerëz?!
Topitur prej dhunës
I harova të gjitha,
Luftën dhe shpresën…
E harrova dhuntinë
E të parëve të mi.
Lisi i Dodonës
U tret nëpër mjegull.
Ç’do bëhet me mua?
Ç’do bëhet me ty?
Përpëlitem
As i gjallë, as i vdekur.
Nëpër udhët e ngushta,
Mesjeta merr frymë.
Kapuletë e Montanjë
Përjetë në sherr,
Megjithëse qindra
Romeo e Zhuljeta
Janë mbytur në vrer.
Ç’mallkim thellë në gene
Është gdhëndur e s’shuhet?
Ç’puse urrejtjesh
Dot koha s’i mbush..?
Dremitin Eriniet si prushi nën hi,
E prapë rizgjohen sa i prek dikush...
Dua të shoh përpara
Drejt dritës.
Po rreth e rrotull
Veç hone dhe mure.
Unë dija se stolisja
Djepin e jetës,
Po paskam stolisur qivure!
Ndiej nëpër këmbë
Vargonj pergamenash.
Vulosur me vula
Dhe emblema gjithfarë.
Të vdekurit ngrihen,
Hakmerren për dhunën
Të gjallët,
S’ndjehen të gjallë…
O Zot, ç’është kështu?!
Të rigjeta ty
Dhe sërish
Më pushtoi marrëzia.
I dehur prej lirisë,
Si prej një vere të rallë,
Kam filluar çjerr rrobat e mia…
Nën avuj gazetash,
Si në avuj hashashi,
Bie të fle...
E rizgjohem sërish.
Faunët dalin
Prej pyllit të lagësht.
Më tregojnë me gisht...
Zgërdhihen
E tallen me mua,
Me botën që dua.
E ndiej, absurdi
Sërish më rrethon,
Kokën time kërkon.
Unë prapë nuk epem
Prapë luftoj;
Në vënd të urrejtjes,
Dashurinë ngulmoj...
Jeta ime, ditnata ime,
Gjysmë peshk, gjysmënjeri.
Të kam kapur prej flokësh
E kurrë s’të lëshoj.
Fati im je ti..!
Korçë 1989- 1993