NË VEND TË HYRJES
“Është toka jonë, të parët na e kanë lanë
Kush mos ta preke se vdesim të tanë”
Pashko Vasa
Në Tetovë ndodhën gjëra të dhimbshme.
U burgos një grup që akuzohej për vjedhjen e armëve nga gjimnazi i Tetovës, duke u përgatitur për kryengritje të arma tosur: Rafi Halili, Gafur Loku nga Kaçaniku, Elmaz Ademi nga Poroji i Tetovës, Ajet Ademi nga Xhepçishti i Tetovës dhe gjoja se në arrati është Baki Ymeri nga Shipkovica e Tetovës.
Rafi Halilin e kishin torturuar aq shumë saqë këmbët nuk i vinte dot në tokë, këtë e kishte parë nëna ime rastësisht se po atë ditë kishte qenë në një kontroll në spital dhe e sheh se si babai i tij e kishte sjell me karrocë me kalë në spital. Kur erdhi nëna në shtëpi ishte shumë e dëshpëruar dhe e hidhëruar dhe na tregoi neve se ç’kishte parë dhe lotët i rridhnin rrëke. Mundohem ta qetësoj se liria kërkon sakrifica dhe se në qoftë se unë bie në burg, a kështu do të reagosh ti, e pyes?
Më shikon në sy dhe thotë jo! Po më erdhi shumë keq për Rafiun i them po të na vijë keq duhet ndjekur rrugën e tij dhe me i heq një herë e mirë vargojtë nga qafa, u qetësua pak.
Mua më thërrisnin gati çdo ditë në UDB-e më pyetnin për marrëdhëniet e mia me Baki Ymerin...