2011-04-28

Pushkët snajper, mitralozat, kundërblindueset e UÇK-së


Armatimi masiv i përdorur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë kryesisht armatim i lehtë i këmbësorisë, i cili ishte i përbërë nga pushkët, pushkëmitralozat, mitralozat dhe armët e krahut kundërblindues. Artileria e përdorur nga formacionet e UÇK-së, ka qenë e pakët për shkak të kushteve të vështira për furnizim me artileri dhe për shkak të kohës e cila nevojitej për stërvitjen e kuadrit për përdorim të armëve artilerike, UÇK nuk arriti që të përdorte artilerinë në mënyrë sistematike.

granatahedhës
Eksponat i Muzeut të Kosovës. Granatahedhës 82 mm. I punuar në mënyrë artizanale në punëtorinë e Hajrë Gashit nga fshati Rezallë të – Skënderajt. Është përdorur nga formacionet e UÇK-ës
Përdorimi i saj u bë nga grupe të vogla, që marrë në tërësi nuk mundën ta ndihmojnë aq sa duhet këmbësorinë në veprimet e saj. Armët artilerike të përdorura nga artilerët e pakët të UÇK-së kryesisht ishin ato që i posedonte ushtria shqiptare dhe janë përbërë prej granatahedhësve 60 mm. 82 mm. 120 mm. dhe 160 mm. Në grupin e topave, më shumë është shfrytëzuar topi pa dridhje në veprim i prodhimit kinez M-57 i kalibrit 75 mm. Mirëpo, meqë siç thamë ky armatim ka qenë i pakët, në vazhdim po trajtojmë armatimin e lehtë të burrave dhe grave ushtarë të UÇK-së, me të cilin ata u vunë përballë njërës prej ushtrive më të armatosura në rajonin e Ballkanit, armët e së cilës (pa përfshirë këtu aviacionin luftarak), kanë mundësi të larghedhjes deri në 70 km.


Furnizimi me armë i formacioneve të UÇK-së është bërë në disa drejtime. Një sasi e armatimit është siguruar nga vet ushtarët dhe që kryesisht janë ruajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një pjesë tjetër nga ky kontingjent është sjellur nga Perëndimi para vitit 1988 nga bashkatdhetarët tanë me punë të përkohshme atje.  







top
Eksponat i Muzeut të Kosovës.
Top në kalibrin 75,5 mm. I punuar në mënyrë artizanale në punëtorinë e Hajrë Gashit. Në punimin e këtij topi kanë marrë pjesë 13 punëtorë në mesin e të cilëve edhe dëshmori Bekim Berisha – Abeja. Larghedhja e këtij topi është 2 km.
























Pjesa më e madhe e armatimit me të cilin janë armatosur formacionet luftarake të UÇK-së është sjellë nga Shqipëria. Ky armatim, në fillim është blerë nga popullata e zonave veriore të Shqipërisë, e cila atë e kishte marrë nga depot e ushtrisë gjatë trazirave të vitit 1997, ndërsa më vonë ka filluar furnizimi nga depot e Ushtrisë Shqiptare. Një pjesë tjetër e armatimit të formacioneve të UÇK-së ishte e prodhimit jugosllav. Ky armatim është blerë në ish-republikat jugosllave dhe atë kryesisht në Bosnjë, Kroaci, Slloveni, Maqedoni dhe Serbi, ndërsa një sasi e konsideruar i është konfiskuar formacioneve ushtarake serbe gjatë luftës. Gjithashtu, UÇK ka qenë e armatosur me një sasi të kufizuar të armatimit të prodhuar në vendet perëndimore, i cili ishte sjellur në rrugë të ndryshme nga organizata dhe grupe bashkatdhetarësh, të cilat e ndihmonin luftën. 








Pushkët

jasharët
Luftëtarët e orëve të para të UÇK-së,  Adem Jashari i armatosur me pushkë automatike T-56, Shaban Jashari i armatosur me pushkë përsëritëse të sistemit Mauzer dhe Hamzë Jashari i armatosur me pushkë automatike M-74 e prodhimit shqiptar.

Pjesa më e madhe e armatimit që përdori UÇK, ishte armatim i ushtrisë së Shqipërisë. Një pjesë të këtij armatimi ushtria shqiptare e kishte importuar nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina, ndërsa pjesa tjetër ishte prodhim vendor. Prodhimi industrial i armëve në Shqipëri fillon më 1962. Në këtë vit filluan punën tri ndërmarrje për prodhimin e armëve dhe municionit. Së pari në funksion të prodhimit u lëshuan repartet e Kombinatit të Municionit në Poliçan, ku u startua me prodhimin e municionit 7,62 X 39, dhe granatave të mortajave 82 mm. Më pas filloi punën edhe Uzina e Armëve në Gramsh, me ç’rast u startua me prodhimin e pushkës automatike M-1963 dhe në Elbasan filloi punën Uzina e Lëndëve Plasëse, ku startohet me prodhimin e barutit dhe eksplozivit.
Arma më masive e përdorur nga formacionet luftarake të UÇK-së ishte pushka automatike. UÇK ka përdorur dy modele të pushkës automatike dhe atë T-56 versioni kinez i AK-47, të cilin që nga viti 1974 e prodhoi edhe Uzina e Armëve në Gramsh të Republikës së Shqipërisë, si dhe versionin jugosllav  M-70, i cili gjithashtu është version i AK-47 i prodhuar nga firma jugosllave »Crvena Zastava«, që njëherësh ishte arma standarde e ushtrisë serbe gjatë luftës me UÇK-në.[1]
Gjithashtu mjaft e përhapur në radhët e ushtarëve të UÇK-së ka qenë edhe pushka automatike M-1963 e kalibrit 7,62 X 39 prodhim i Shqipërisë, të cilin në vitin 1962 fillon që ta prodhojë Uzina e Armatimit në Gramsh. Kjo pushkë është punuar mbi bazë të pushkës gjysmëautomatike sovjetike të modelit sovjetik SKS (Simonov). Në fakt, pushka gjysmëautomatike e konstruktuar nga Simonov, është modifikim i realizuar mbi bazë të dy pushkëve. E para është modeli sovjetik  SVT-40 (Samozarjadnaja Vintovka sistem Tokareva) e kalibrit 7,62 X 54R dhe që është përdorur në mënyrë të kufizuar nga ushtria sovjetike gjatë Luftës së Dytë Botërore. E dyta është pushka gjysmëautomatike gjermane G-43 e prodhuar nga Walther.[2]
Ekspertët shqiptarë, duke i ruajtur në masë të madhe karakteristikat teknike të modelit sovjetik, e konstruktuan këtë pushkë më kompakte, ndërsa si ndryshim themelor, ata e aftësuan këtë pushkë për qitje në mënyrën një nga një dhe automatike dhe ia shtuan kapacitetin e municionit nga 10 fishekë, që ishte te modeli bazë në 20 fishekë, duke ia vendosur pushkës karikatorin në vend të arkës. Kjo pushkë, ka peshë të përgjithshme prej 3, 92 kg. dhe shpejtësia e qitjes luftarake me të shtëna një nga një arrin 35 deri në 40 fishekë në minutë, ndërsa përmes qitjes automatike mund të realizohet zjarr nga 90 deri në 100 fishekë në minutë.[3]

Agim Ramadani
Oficeri i UÇK-së, Agim Ramadani i armatosur me pushkë automatike R-4 e prodhuar nga Republika e Afrikës së Jugut mbi bazë të pushkës izraelite Galil. Kjo pushkë i është konfiskuar njësive speciale të ushtrisë Serbe në aksionin e Zharës.
Nga pushkët tjera të përdorura nga UÇK dhe të cilat i përkasin pushkëve të prodhuara në vendet socialiste, është edhe pushka përsëritëse e sistemit Mauzer M-48 e kalibrit 7, 9 mm. prodhim jugosllav, dhe pushka gjysmëautomatike M-59/66 e kalibrit 7,62 X 39 e prodhimit jugosllav. Kjo e fundit gjithashtu është prodhuar nga Jugosllavia mbi bazë të modelit sovjetik SKS (Simonov) dhe deri në fund të viteve tetëdhjeta ishte armë standarde e Armatës Popullore të Jugosllavisë, ndërsa pas futjes në përdorim të pushkës automatike M-70, kjo gradualisht u tërhoq nga njësitë e rregullta të ushtrisë dhe kaloi në kuadër të njësive të Mbrojtjes Territoriale, të cilat ishin formacione rezervë të ushtrisë jugosllave.
Pushkët e prodhuara në Perëndim, janë përdorur shumë pak për shkak të kalibrit, i cili krijonte vështirësi për furnizim me municion. Megjithatë, me to u armatosën një numër i vogël i ushtarëve tanë. Nga këto pushkë më e përhapura ishte SG-550, si dhe versioni i shkurtër i saj SG-551 e kalibrit 5,56 X 45 e prodhuar më 1984 nga kompania zvicerane SIG. Për nga karakteristikat tekniko-taktike, kjo pushkë është e përafërt me pushkët e shteteve perëndimore anëtare të NATO-s dhe ndonjë karakteristikë të veçantë nuk ka, përveç që duhet theksuar se në mënyrë automatike punon duke shfrytëzuar sistemin e huazimit të gazrave të barutit nga tyta.


[1] Karakteristikat tekniko-taktike për armatimin jugosllav janë marrë në: Priručnik za komandira odeljenja, botuar nga Vojnoizdavački Zavod, Beograd 1988.
[2] Më gjerësisht në kapitullin Lufta e Dytë Botërore – armët e lehta të këmbësorisë.
[3] Karakteristikat tekniko-taktike janë marrë në: Pushka automatike Model 1963, botuar nga Ministria e  Mbrojtjes Popullore, Tiranë 1976, f. 3.

Në kuadër të formacioneve luftarake të UÇK-së, të pranishme ishin edhe pushkët e pajisura me shënjestra optike për gjuajtje precize në distanca të largëta, të cilat në terminologjinë ushtarake quhen pushkë snajperiste. Këto pushkë ndahen në dy grupe. Dallimin midis grupeve e karakterizon kalibri dhe kështu në grupin e parë bëjnë pjesë pushkët snajperiste të lehta, të cilat zakonisht shfrytëzojnë municion standard të pushkëve luftarake. Në grupin e dytë bëjnë pjesë pushkët e rënda snajperiste, të cilat shfrytëzojnë municion të kalibrit të rëndë.


Pushka snajperiste Mosin-Nagan M-1891/30
Eksponat i Muzeut të Kosovës – Pushka snajperiste Mosin-Nagan M-1891/30 e përdorur nga snajperistat e UÇK-së

Është karakteristik fakti se përkundër vështirësive të furnizimit me këto armë, UÇK i posedonte ato si për nga lloji, ashtu edhe për nga cilësia. Modeli më i vjetër i pushkës snajperiste i përdorur nga ushtarët e UÇK-së është ai sovjetik, i cili është version i modifikuar i pushkës luftarake Mosin-Nagan M-1891/30 në kalibrin 7,62 X 54, të cilën ushtria e kuqe e ka futur në përdorim në vitin 1931 dhe e ka mbajtur deri në vitet gjashtëdhjeta. Me këtë model të pushkës snajperiste qe armatosur edhe ushtria shqiptare, ku një sasi e tyre pas trazirave të vitit 1997, kaloi në duart e popullatës, e cila si gjithë armatimin tjetër edhe këto ia shiti UÇK-së.


M-76
M-76, e përdorur nga snajperistët e UÇK-së


Pushka tjetër snajperiste e përdorur nga ushtarët e UÇK-së, por edhe nga forcat serbe është M-76 e kalibrit 7, 9 X 57 mm. e prodhimit jugosllav. Kjo është pushkë gjysmëautomatike, e cila është prodhuar mbi bazë të pushkës snajperiste sovjetike Dragunov e kalibrit 7, 62 X 54R mm. Pushka Dragunov, apo sipas emërtimit zyrtar SVD është pushkë snajperiste e precizitetit të lartë, të cilën sovjetët e futën në përdorim të ushtrisë së tyre në vitin 1963. Modifikimi i firmës jugosllave »Crvena Zastava« nga Kragujevci konsiston vetëm në ndryshimin e kalibrit në 7, 9 mm., si dhe vendosjen e dy llojeve të shënjestrave optike. Shënjestra standarde për gjuajtjen e caqeve ditënON-3, e cila mundëson gjuajtje deri në distancën 1.200 m. dhe që gjithashtu është kopje e shënjestrës sovjetike PSO-1 dhe shënjestra pasive ONN-5 X 80 për gjuajtjen e caqeve gjatë natës deri në distancën 500 m. Sistemi i ndezjes në mënyrë gjysmëautomatike, te kjo pushkë funksionon në bazë të huazimit të gazrave nga tyta, ndërsa mbushja bëhet me karikator me kapacitet prej dhjetë fishekësh.

Prej pushkëve të lehta snajperiste të prodhimit perëndimor, snajperistët e formacioneve luftarake të UÇK-së kanë përdorur pushkën e prodhimit zviceran SIG SSG-3000 të kalibrit 7,62 X 51 NATO. Sistemi i ndezjes së kësaj pushke është përmes shulit (mauzer), ndërsa mbushja bëhet nga ana e poshtme përmes karikatorit me kapacitet prej pesë fishekësh. Kjo pushkë është në përdorim të ushtrisë zvicerane dhe llogaritet në kategorinë e pushkëve me precizitet të lartë në largësi deri në 830 mm.

Rëndësi të veçantë në kuadër të armatimit të UÇK-së kanë paraqitur edhe pushkët e rënda snajperiste, të cilat janë të destinuara për gjuajtje precize të caqeve deri në distancë prej 1.500 m. Këto pushkë zakonisht shfrytëzojnë fishekun e kalibrit 12, 7 X 99 mm. dhe dallimi mes tyre konsiston në atë se disa tipe janë përsëritëse, ndërsa ka edhe prej atyre që janë gjysmëautomatike. Këto pushkë kanë hyrë në përdorim të ushtrive në vitet shtatëdhjeta dhe së pari janë përdorur nga ushtria amerikane. Modelet më cilësore të këtyre pushkëve i prodhojnë amerikanët, ku ndër modelet më të njohura janë: RAI M-500Baret M-82A1, dhe R-55. Të gjitha këto pushkë janë të kalibrit 12, 7 X 99. dhe përveç modelit të parë që ka sistemin mauzer të ndezjes dhe merr vetëm një fishek, dy modelet e tjera janë gjysmëautomatike dhe funksionojnë në bazë të sistemit të dridhjes së shkurtër të tytës dhe shulit, ndërsa mbushja bëhet me karikator. Njëri nga modelet më të përdorura nga UÇK është ai R-55, ku një ekzemplar i tillë ruhet në Muzeun e Historik të Kosovës.


Pushkëmitralozat dhe mitralozat

m-56 
Nga pushkëmitralozat më praktik dhe që u përdorën në masë nga UÇK është M-56 i kalibrit 7, 62 X 54R i prodhimit kinez, me të cilin është e pajisur ushtria shqiptare. Ky pushkëmitraloz është i punuar mbi bazë të modelit sovjetik RDP (Rushinoi-Degtjarjev- Pulemjot). Në mënyrë automatike punon mbi bazë të huazimit të gazrave të barutit nga tyta dhe mbushet me shirit metalik me kapacitet prej 50 fishekësh. Shpejtësia praktike e qitjes me të është 100 fishekë në minutë, ndërsa ajo teorike prej 700 fishekësh në minutë.


DP 7.62 x 54
DP 7.62 x 54

Modeli tjetër i pushkëmitralozit që është përdorur nga UÇK është ai sovjetik i markës DP (Degtjarjev-Pakhontnji) i kalibrit 7, 62 X 54 i prodhuar në vitin 1926. Ushtria shqiptare me këtë pushkëmitraloz është furnizuar në vitet pesëdhjeta nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ky pushkëmitraloz, në mënyrë automatike punon mbi bazë të huazimit të gazrave të barutit nga tyta dhe mbushet me municion përmes karikatorit rrethor, i cili vendoset në pjesën e sipërme të tij.

Përpos këtyre, UÇK ishte e armatosur edhe me modelet e pushkëmitralozëve jugosllavë M-53M-72B1M-72AB1dhe M-84. Një pjesë e këtyre pushkëmitralozëve janë konfiskuar nga pjesëtarët e UÇK-së pas aksioneve kundër forcave serbe, kurse një pjesë e vogël e tyre është blerë. Duke e përjashtuar modelin M-53, që është kopje e modelit gjerman MG-42, modeli M-72 është konstruktuar mbi bazë të pushkës automatike AK-47, që në fakt ndryshon vetëm për shkak të tytës më të zgjatur dhe këmbëve që i ka të vendosura për mbështetje. Gjatësia standarde e tytës së pushkës automatike M-70 është 415 mm. me katër vjaska, ndërsa te pushkëmitralozi M-72 është e

m-53 

zgjatur në 540 mm. e cila po ashtu ka katër vjaska. Dallimet midis versioneve M72B1 dhe M72AB1, konsistojnë në atë se i pari ka qytë të drunjtë, ndërsa i dyti ka qytë metalike, e cila gjatë bartjes mbyllet dhe e shkurton gjatësinë e përgjithshme të armës. Pushkëmitralozi M-84 është modifikim shumë i avancuar i modelit sovjetik PKM me futjen në përdorim të së cilit ushtria jugosllave ka zëvendësuar modelin e vjetër M-53. Është në kalibrin 7, 62 X 54 dhe mbushet me shirit metalik dhe ka shpejtësi teorike të qitjes prej 700 fishekësh në minutë. Ky model në mënyrë automatike punon mbi bazë të huazimit të barutit nga tyta.

Edhe mitralozat e përdorur nga UÇK ishin modele me të cilat është pajisur ushtria shqiptare dhe që janë kryesisht prodhim i ish-Bashkimit Sovjetik apo kinez, por i prodhuar mbi bazë të atyre të prodhimit sovjetik.

Ndër mitralozat më të përdorur janë: DSHK-38 Degtjarjev i kalibrit 12, 7 X 99 mm, DSHK M-54  Degtjarjev(prodhim kinez) i kalibrit 12, 7 X 99 mm, SGM Gurinov i kalibrit 7, 7 mm. dhe NSV i kalibrit 12, 7 X 108 mm. Për shkak të epërsisë së madhe në armatim të ushtrisë jugosllave, forcat tona ishin të detyruara të luftonin në formacione të vogla taktike. Pesha e madhe e këtyre mitralozave paraqiste vështirësi për manovrim me ta në kushtet e një lufte çfarë ishte imponuar. Kështu edhe përdorimi i tyre ishte i kufizuar dhe ata janë përdorur me efektivitet në ato zona ku ishte e mundur të organizohet vijë stabile e mbrojtjes frontale.


Armët kundërblinduese


Ambrust M-85
Ambrust M-85
Nga armatimi i lehtë kundërblindues, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shfrytëzuar në mënyrë masive minahedhësinRPG M-7 të kalibrit 40 mm, prodhim i ish-Bashkimit Sovjetik, me të cilin ishte i pajisur ushtria shqiptare. Armatimi tjetër kundërblindues në sasi ishte më i vogël dhe është i përbërë nga minahedhësi Ambrust M-85 i kalibrit 83 mm. Ky minahedhës është prodhuar në vitin 1970 në firmën »Messerchmitt Bolkov-Bohm« të Gjermanisë Perëndimore, dhe është i konstruktuar vetëm për një përdorim. Pas vitit 1988 prodhimi është bartur në Singapor. Në vitin 1996 me këtë armë u furnizua ushtria shqiptare, përmes së cilës kjo armë arriti edhe në duart e UÇK. Armë tjetër kundërblinduese e përdorur nga UÇK është edhe minahedhësi M-57 i prodhimit jugosllav i konstruktuar mbi bazë të RPG M-7, si dhe raketahedhësiM-79 Osa i kalibrit 90 mm. gjithashtu prodhim jugosllav. Nga ky armatim, efektivitet mesatar në luftë kundër mjeteve të blinduara serbe ka vetëm Ambrust M-85 dhe M-79 Osa, mirëpo, edhe efekti i tyre është i kufizuar pasi që ato kanë mundur të përdoren vetëm kundër transportuesve të blinduar dhe tankeve T-55, ndërsa kundër tankut M-84, i cili edhe nuk është përdorur me shumicë në Kosovë, nuk kanë efektivitet për ndaljen e tij. Ambrust ka efekt shpues në blindë prej çelikut homogjen deri në 300 mm. në distancën deri në 300 m. ndërsa raketa e Osës ka një depërtueshmëri në blindën nga çeliku homogjen deri në 400 mm. në distancën 350 m. Përkundër aftësisë shpuese, distanca e efektivitetit të tyre është shumë e vogël, karshi armëve të mjeteve të blinduara serbe dhe për këtë njësitet tona luftarake kanë pasur vështirësi që t’i ndalin mjetet e blinduara serbe, edhe kur i kanë poseduar këto armë. Efektivitet i plotë me këto armë është arritur vetëm kur ushtarët tanë i kanë goditur nga afërsia dhe në mënyrë të befasishme mjetet e blinduara serbe.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...