Në vend të parathënies
Në të gjithë këto ditë kam patur shqetësimin përse po e shkruaj këtë libër. A ka lidhje kjo vetëm me faktin se u ndodha në qendrën e ngjarjeve, apo edhe më shumë se kaq? A ishte kjo thjesht vetëm një dëshirë e çastit,a po edhe detyrim ndaj njerëzve me të cilët kam kaluar disa nga ditët më të vrullshme të jetës sime, e njëkohësisht edhe më të paharrueshme...
Janë shumë gjëra këtu dhe njërën prej tyre, do të më lejohet ta them në fundin e këtij libri...
Sidoqoftë, edhe nga shtytja e miqve, unë nuk mund të heshtja dhe do të ishte ndoshta një gabimi i imi, nëse do të heshtja për të gjitha ata që kam përjetuar, për të vërtetën ku kam qenë dëshmitar, sepse shumë gjëra, për qëllime të caktuara janë thënë edhe ndryshe, janë interpretuar sipas bindjeve dhe përcaktimeve të veçanta, gjë nga të cilat nuk e besoj se do të kenë shpëtuar edhe shënimet e mia. Por, duke qenë autentike, të përjetuara dhe të dokumentuara, unë jam përpjekur për të sjellë një pjesë nga ajo që ndodhi në Shqipëri në fillimet e marsit të vitit 1997.
Ndoshta jo rastësisht në Shqipërinë e Jugut, muajin mars e quajnë marsi i trimave. Dhe unë këtë trimëri e kam përjetuar dhe nuk mund të heshtja ndaj saj.
Të gjithë ne, kudo që na ka rënë shorti të jetojmë, i ndjejmë hallet e Shqipërisë dhe jetojmë me jetën e saj. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Dhe nganjëherë të duket, se ajo pjesë e Shqipërisë që e ndjenë më shumë, është pikërisht pjesa e robëruar. Të etur për lirinë, ata e kanë të vështirë ta kuptojnë “rebelimin”, ashtu si e kanë të vështirë ta kuptojnë pengesën në rrugën drejt demokracisë në një vend që në fund të fundit, është i lirë.
Çfarë ndodhi në Shqipëri në dimrin e këtij vitit dhe çfarë do të ndodhë edhe më pas? - kjo ka qenë gjithnjë pyetja e gjithsecilit prej nesh. Por kjo ka qenë edhe pyetja e shumë shqiptarëve që jetojnë kudo në shtetin shqiptar. Shumë gjëra janë ende pas mjegullave, pas dosjeve. Shumë pyetje janë shtruar dhe shumë pak përgjigje janë dhënë. Në këtë kuptim unë jam përpjekur të jap një përgjigje të vogël për një pjesë jete në qytetet e “rebeluara”. Nëse nuk do e bëja, do të gaboja. E sigurisht ajo nuk ka sesi të jetë e plotë, sepse nuk është e mundur sot të sillet e plotë ajo që ndodhi.
Shumë nga këto mbresa janë shënuar në ditët e netët që kam kaluar në Shqipëri ose janë biseda të incizuara në vendin e ngjarjes. Ato i kam ripërsëritur në mënyrë origjinale, duke menduar se ripunimi do të cënonte origjinalitetin e tyre. Intervistat janë risjellë besnikërisht, sipas materialeve që ende i disponoj. Edhe fotot që e shoqërojnë këtë libër janë bërë nga unë në vendin e ngjarjes, pa menduar atëherë se do më duheshin për një libër.
Sidoqoftë unë e shkrova ashtu si dita, si e pash, si e përjetova...
http://www.gazetakritika.net/literatur/shqiperia/jashteveriut.html