Novelë në dy gjuhë, shqip-anglisht
Dalëngadalë errësira pushton qytetin, bregun e detit, pemët, krejt dukjen tokësore. Ze fill shtegtimi i ëndrrës së ditës nëpër natë, bie ora zvarranike e kapërcimit fshehtarak të rrugëve, ku nata e zezë i buzëqesh simotrës me sy të bardhë në ikje. Tisi i mbrëmjes mbllaçit dhe kapërdin me nxit copërat e fundit të ditës. Përtueshëm, me oshëtimë të ngadalshme, uji shushurin pa pushim, stërpik dhe lëpin me etje rërën e përvëluar nga rrezet e ditës. Largohet fuqiprerë, merr hov vjen sërish, nuk arrin gjer ku duhet, ndaj kthehet mbrapsht. Përngjet me fëmijën që kërkon të kapërcejë ledhin. Sa vjen te buza e tij ndërron mendje i pavendosur, pastaj përsëdyt provën e radhës. Kujtimet e tymta sillen pa pushuar si rrjedha mjegulle mbi syprinën e rrudhur të ujit. Mbështetur rrëzë pishës stërmadhe, fare pranë bregut, ngula sytë në hapësirën levarashe me iskra drite nëpër muzg nga do të vijë ajo.
Anida del nga shtëpia me hap të lehtë, kalon rrugën duke shikuar e përngritur me bisht të syrit nga të gjitha anët, pastaj nxitimthi vrapon e ngazëllyer drejt pishës sonë. Në të vërtetë tre pisha të pyllnajës përgjatë detit në formë trekëndëshi të gjelbëruar, gardhojnë një zonë të vogël disi fshehur nga rruga, vjedhur syve të botës.