2011-04-26

Flori Bruqi:Në vend të përkujtimit për mikun....Iljaz Prokshi (1949-2007)







Shkrimtari Iljaz Prokshi/ 15 Nëntor 1949- 28 prill 2007/

Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës, më 15 nëntor 1949. Vdiq më 28 prill 2007. Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera.

Edhe në shkollën e mesëm ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi.

Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës, me nota të larta.

Si gjatë shkollës së mesme, dhe gjatë studimeve universitare, bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si gazetar dhe krijues.

Më vonë punësohet në gazetën “Kosova” të Korporatës Energjetike të Kosovës, në Prishtinë, në fillim si gazetar, e më vonë si redaktor përgjegjës i kësaj gazete.

Një kohë të gjatë bashkëpunoi si gazetar edhe me disa gazeta shqipe që dilnin jashtë Kosovës, si “Top Kultura”, “Spektri” në Zvicër, “Trojet tona” në Nju Jork,websitet virtual "Floart","Flori-Press","Agjencionin Floart-Press" etj.

Aktiviteti letrar

Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj.

Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës. Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe,duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern.

Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore.

Botoi poezi, tregime, reportazhe,recensione dhe ese për letërsinë. Fitoi pothuajse çdo vit çmime letrare, për poezi ose tregime, në konkurset letrare, që shpallnin gazetat dhe revistat e kohës.

Iljaz Prokshi, në konkurse të tilla është nderuar prej çmimit të parë gjer në çmimin e tretë. Botoi në gazetën Rilindja, revistën letrare Jeta e re, Fjala, Bota e re, Zëri, Plejada, Koha ditore dhe në disa gazeta më pak të njohura, që botohen në Kosovë, si dhe në periodikun shqiptar në Shkup të Maqedonisë, si Flaka dhe Jehona.

Për veprën e tij, si në poezi dhe në prozë, kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit.

Tek ky krijues, të shkruarit është gjithmonë në shërbim të kërkimit dhe të ideve filozofike, kurse në qendër të shqetësimeve të tij është njeriu, i rrahur mes erërave të absurdit dhe revoltës, kundruall një realiteti të hidhur, me kuptim, që qenia njerëzore t’i ikën karakterit negativ, të prezantojë ato vlera që shquhen për vizionin e një botë të freskët dhe të dëlirë, shënjuese për kohën dhe hapësirën.

Lexuesit e admirojnë letërsinë e tij, ndërsa kritika me gjithë këta të parët i detyrohet vlerave dhe mesazhit poetik të kësaj vepre.

Tituj të veprave

Poezi

* Pikë e bardhë ëndrre, Rilindja, Prishtinë, 1983
* Satana në ferr, Fjala, Prishtinë, 1992
* Fytyrë në pergamenë, Rilindja, Prishtinë, 1995
* Psalm arbëror, Rilindja, Prishtinë, 1998
* Sonatë e dhembshurisë, Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2003

Është në botim e sipër përmbledhja me poezi Kambanat e shurdhra Shtëpia botuese Dukagjini, Pejë. Ka përgatitur edhe tri vëllime të tjerë me poezi.

Tregime

* Libri i kujtimeve, Rilindja, Prishtinë, 1987
* Daullet e natës, Rilindja, Prishtinë, 1990
* Vdekja në ëndërr, Rilindja, Prishtinë, 1996
* Magjia e mjegullës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1997

* Vajza e trëndafilave, Rozafa, Prishtinë, 2002
* Pallati i Helenës, Prishtinë, 2003

Ka edhe dy libra të gatshmëm për shtyp me tregime.

Romane

* Fundi i zemërimit, Rilindja, Prishtinë, 1997 (Për këtë roman, autorit iu dha
Çmimi letrar si romani më i mirë i vitit i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më
1997)

* Dashuri në labirint, 2001
Ka të përgatitur për shtyp edhe dy romane, një libër me kritika dhe ese letrare,
si dhe shumë shkrime publicistike.

Poezi nga libri :Satana në ferr

Rileximi

Kur ikën lakuriqët e natës së heshtur
Kam parë shkronja trungut duke hipur,
Palla s'më hëngri për gjarprin e mbytur
Ja, tek rrëzoi diq dhe flet tani shqip.
Dhe sapo u ndezën fjalë që nuk thuhen
Mes universit tim gjeta eshtra dhe gurë,
Po sall dhimje t'ishin prapë do më duhen
Sepse mbi këtë lumë, bëmë dhe një urë.
Mbi epokat e zeza engjëlli seç më zgjoi,
As lamtumirë kujt s'i kam thënë, o Nënë;
Dhe ç'u ngrit kjo erë, s'di dot a kaloi
Vendenisi a hyri qetë apo jo në Ulpianë.
Kështu mbeti çdo vetëtimë duke e ditur
Se rileximi po fillonte fletë me fletë,
Dhe kurrë s'do të humbë asgjë e ndritur,
ç ' trazojnë krrokatjet, Uni do të rrijë i qetë.
Dhe kur lakuriqët e natës ikën nëpër to
Prapë shkronjat lart trungut kanë hipur,
S'më hëngri palla a vdiq gjarpri apo jo
Ja, tek shpërtheu diç dhe flet tani shqip.
ç ' trazojnë krrokatjet, Uni do të rrijë i qetë.
Dhe kur lakuriqët e natës ikën nëpër to
Prapë shkronjat lart trungut kanë hipur,
S'më hëngri palla a vdiq gjarpri apo jo
Ja, tek shpërtheu diç dhe flet tani shqip.

Gjarpri dhe ëndrra

Ultima verba
Kushedi ç'do të bëhet pas nesh,
Ku ikën fjala,
ç'duan tani ëndrrat?
Po trilli i zi ç'i thyen mëkatarët.
Shekujt në udhëtim prush ndezin,
Dikush sikur rri prore në derë të Ferrit
Dhe bën sehir në heshtje,
Satana tek i gjuan engjëjt.
Kafka dhe rrënja ime përshpërisin
Ultima verba *
Sikur duan të heqin llahtarin,
Këtë sa herë e kërkuan martirët.
Koha sërish ikën vetëtimthi,
Dhe vazhdon të qenmen e vet gjer në fund;
ç' dhimbje njëjtë me imagjinatën
Mbi Arbëri klith gjaku, dashuria:
U bëftë drita.
Dy mijë vjet ka që rri vetëm,
Hëna perëndoi në mëngjesin e shkuar,
errësira ish vërtet e hidhur
ç' më shikon pa iluzione
Histori ilire e amshuar...

*Fjala e fundit

Mendime
Ka çaste kur kujtoj lisat, shtëpitë
Më shumë se çfarëdo tjetër në jetë,
Ka çaste kur matem me detin, lartësitë
Dhe marr të ta shkruaj dramën e vërtetë.
Dhe në qoftë se mendon se kjo dhimbje
Kalon shpejt, mes zërash diç vjen prapë
Tashti s'ka hënë, ç'bren kaq shumë ky krimb
Ullinjtë e detit piqen, gjethet era ua hap.
Ja, sërish marr një copë Dheu të Verdhë
Dhe eci midis Sheshit të Ulpianës së lashtë,
Shkel trotuare, imagjinoj retë, lot derdh
E pastaj më rrëmbejnë fusha e lumenj të gjatë.
Dhe ikën Djalli i zi, nata prapë s'qetësohet
Sa një fyell nga larg ndihet, unë mendoj:
A ka shpëtim vargu im përse tani shqetësohet,
A më ndien kush apo mbase kot po ëndërroj?
Në vete, Toka ime, kam ende shumë fuqi,
Nëpër rërë të irnosur të iki me kalë,
Të të mos shqetësoj më nënën, as Ty,
Por t'ia sjell Doruntinën, në fjalë t'i dal.
Elegji ëndrre
ç' është futur në dhomë, a humbi,
S'di sa do të rri, a zgjohet sërish?
Nëse Ti nuk je, ç'ëndërron tjetër njeri
Askush të mos ndiejë,
As të vijë kurrë prapë tek Ti.
Loti ç'të akuzon:a je ti Helena e Trojës,
Te lufton me mua e s'më flet dot
Humb nga unë e sërish më pikëllon.
Nda Lumit të Harrimit qyteza ruan fjalët
Pikërisht aty çdo gjë sikur mposhtet,
Ti as njeh veten, as shpëton nga gënjeshtrat.
çasti tjetër vjen pas ëndrrës dhe ikën
Pas çdo gënjimi makabër që dot nuk heshtet.
Kush tha se vdiç satana
365 ditë përbuze Dheut tënd,
Dhe dashurinë e përmasave pa tufan
Arrite në fund si të mos kishe qenë kurrë.
Dhe zure të lëpish fjalët tua si në Sodomë,
Mos doje të ngriheshe sërish majë olimpi
Përrallën ta godasësh fshehtas
Loti t'i shqyente plagët në mërzi.
A pak ishe e lumtur me gjarpërinjë?
Tani mallkon Gruan e Zezë në stepë,
I druan shkëlqimit në gur, nuk rrëfen Dhiatën,
Mbase mallkon varrin tënd, Satanë.
E në hyrje të kësaj dhome të përmortshme
Me zemër nise të urresh zot e profet,
Ti kot mbase beson,
Mbase ende pështyn në engjëj e demonë.
Po ç't'u desh fjala e zhdukjes në qytet,
A të vërbojë vallë vdekja?
S'ndien vallë se si të therin, nuk dëgjon.
Trupi t'u bë mish i gjallë,
Kufomë e zezë t'u bë, Satanë.
Ndanë pirgut këqyr ca çuditshëm,
Mbase mallkon ende vitet, shekujt.
Kush s'ndjeu vajin tënd labirinteve të Ferrit.

Vetëm këngë

Ka mbetur këtu nga koha ilire
Dhe hyn në çdo shtëpi, tek ecën gjithnjë.
Pastaj pse të këndohet ndryshe
Se në vend të këtyre erërave të tërbuara
Fryn prapë diç e re,
e sigurt për nënat, fëmijët.
Sepse ata e duan Arbërinë përjetësisht,
Hyjnë dhe në botën e tyre reale.
Dhe në të ka vend për të gjithë.
Zëri i qëndron fatit, ëndrrës dhe gjarprit;
Mjafton të ndjesh se ke gjak për truallin.
Vetëm zëri mund të hyjë tek njëri-tjetri,
Zë që sikur lind pas mijëra vjetësh,
oshëtin mbi këtë oazë lulëkuqesh
Gjithmonë për diell të ri,
Dhe Dardaninë e përshkon pathyeshëm.

Heroi i lirisë: Recuiem për Adem Jasharin

...Në ditën kur linde, më 28 Nëntor 1955, edhe në Prekaz ishte Festë e Flamurit.
Dhe ty, babë Shabani të mbulojë me flamurin kuqezi.Ti, atëbotë, nuk e
dije se Kosova ishte e pushtuar, por nga dritaret u shkrepën armë në shenjë të
ditëlindjes. Adem të pagëzuan, i pari, Ademi, emër i Shenjtë, lindje e Shenjtë,
ditë e Shenjtë. Përherë do të shkojmë përpara me këtë emër, larg, duke bërë
gjithçka të mirë për atdheun në këtë botë.

Asaj dite të bekuar familjes Jashari iu shtua dhe ky emër, një emër që më vonë u
bë emblemë e UÇK-së, e lirisë.Pikërisht më 13 maj 1981, kur Prekazi u rrethua
për ta zënë Tahir Mehën, ai trim luftoi me babanë Nebihun gjer në rënie.
Ti, babai Shabani dhe vëllai Hamza shkuat në varrim dhe mbi varrin e tij u betuat se
do të luftonit për çlirimin e vendit.Por, deri në ditën tënde, ndodhen shumë ngjarje,
erdhi ’89-ta, me protesta gjithë popullore. Ti përherë në ballë të tyre.Më 30
janar 1991 policia soldadeske serbe rrethoi Jasharajt, por ti me të tutë qëndrove
dhe i përzure nga trualli yt shekullor. Kush priu në atë rezistencë të paepur? Ti
Adem me vëllezërit dhe prindërit e tu, me gjithë familjen. E gjitha ndodhi për të
parë sa i madh është nderi i shqiptarit kur shkelet oborri i shtëpisë.
Panë gjithçka ata që ishin përreth, ishin të gatshëm të hidheshin në zjarr, por ti
ju the: ka kohë! Vetëm një fjalë jote, ajo fjalë mitologjike i ndali ata. Por, më
26 nëntor 1997 me çetën tënde ua zure pritën hordhive barbare, në Rezallë të
Re, ndërsa më 28 nëntor 1997, në Llaushë me rastin e varrimit të mësuesit Halit
Geci, i vrarë nga forcat serbe, UÇK-ja doli haptas para popullit. Kush qenë ata
trima? Shokët e tu të luftës, po kush tjetër.

Dhe erdhi 22 janari i vitit 1998 kur trojet e tua u rrethuan për së dyti. Ti me
gjithë anëtarët e familjes sulmin ua ktheve me breshëri armësh. Përtej shtëpisë
njeriu s’ka ku të shkojë.Se kush mërmëriti se krisi në Qirez e Likoshan, më 28
shkurt 1998. Ti si Tezeu vrapove i pari me çetën tënde dhe more pjesë në atë
betejë.Dhe sulmi i forcave të mëdha ushtarake e policore serbe prapë deshën
të hyjnë në Prekaz. Mund të kenë qenë dhjetë, njëqind, një mijë, por ti iu bëre
ballë me familjen tënde, me të afërmit e tu dhe me luftëtarë të lirisë.Dhe shumë
vite mund të harrohen, por lufta në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars e vitit 1999 është
shënuar me germa të arta në historinë më të re të Kosovës. Mbi 50 anëtarë të
familjes tënde ranë në altarin e lirisë. Tani u pa nga e gjithë bota se ti, familja
jote, luftëtarët dhe populli me sakrificën që bënë, janë zotërues të denjë të kësaj
toke.
Kjo Familje e sakrificës, siç e pat quajtur Bernar Kushner, ish-administrator i
Kosovës, ndër të tjera tha: ,, Dhe, sikur të kishte çmim Nobel për liri, atëherë
ai, me siguri, do t’i takonte familjes Jashari”. Por, megjithatë, vetë populli që iu
nderon, është çmimi më i lartë që mund t’i jepet ndokujt. Dhe, ti re për të gjetur
Fitoren. Tani gjithçka është përjetësi...(Iljaz Prokshi)
Floart, 31 janar 2006

Gjithçka për një ëndërr

Në çastin kur kënduan xhelat e parë, më iku ëndrra. Në një cep të kullës së
gurtë, të rrënuar tashmë, jo shumë larg rrugës, e pashë nga dritaret se si përftoi
një korb. Ç’nuk do të jepja të dija përse ishte mbrëmë mbi lagjen time, në ishte
për të mirë apo për të keq. Asaj nate të bekuar ta ndanim pikëllimin me ditën
bashkë, ishte shumë me zor. Pikërisht kur ai fluturoi, m’u kujtuan shëtitjet tek
Fusha e Mollës, ato kujtime që nisën të më përzihen lëmsh një nga një. Është
një sagë e madhe për t’ thënë të gjitha. T’i hedh dosido nuk mundem. T’i fshij
ndiej siklet. A t’i hedh mënjanë apo jo?, thashë me vete. Në dhomë isha fill i
vetëm. Dyshemeja ishte shumë e çrregulluar, nga jashtë ndiheshin vaje të rënda,
pikëlluese. Në këtë farë ëndrre të mbrapshtë m’u përzien të gjitha. Nxora një
letër të shkruaja së paku diçka, por edh dora nuk më bënte. Një poemë të gjatë e
kisha në plan që, në njëfarë mënyre do t’i mbulonte të gjitha dhembjet e njeriut.
As kjo nuk më qetësoi. Si mund të bëhet që vëllai im M., të humbasë aq shpejt
jetën, të ndahet nga ne aq papritur, pa lamtumirë Vajet s’pushonin. Të nesërmen
nuk guxova t’ia rrëfeja askujt ëndrrën, ngaqë të gjitha ishin bërë një realitet. ,,Je
ti që të deshëm aq shumë...je ti apo unë po trilloj?” Ai ishte kthyer dhe heshte në
qoshen e kullës. Nuk bëzante. Një zë më tha: ,,Po buzëqesh”.Unë pyeta: ,,Ai?”
Por nuk mora përgjigje. Çfarë? Çfarë? Lotët më shkonin fytyrës teposhtë, saqë
më dukej se po hiqeshin copa mishi nga trupi im. Dhimbja dhe ëndrra u bënë
njësoj; ishin të pambarim. Një natë e kobshme dhe tejet e mërzitshme, që nuk
mund ta shpjegoj dot kurrë të tërën. As të qetësohem. Nuk do ju bezdis. Gjithë
ëndrra më bëri copë-copë. Megjithatë, vdekja është gjithmonë e vetmuar, ndërsa
dhembjen e ndiejnë të gjithë. Fatkeqësisht ëndrra pas disa ditësh u bë realitet...


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...