MË VRISNI EDHE MUA...
Ju bisha shpellore me fytyrë njeriu
ju vrasës gjakftohtë në kolltuke qeverishë
që armët i keni për të mbrojtur njeriun
por i vrisni njerëzit si kuajt, në rrugë
më vrisni dhe mua qenër, më vrisni
s’e dua jetën nën ju
këtu jam në shtëpinë time
por, për t’ua bërë më të lehtë vrasjen
po dal edhe unë me popullin në rrugë.
Në dorë do mbaj të Atdheut flamur
dhe për t’ju dhënë alibi për krimin
do të mbaj në dorë edhe një gur.
Më vrisni, qenër, më vrisni!
Unë nuk kam zemër t'ju vras ju...
NJE EVE PER KRISHTLINDJE NE GEGNISHT
Të paska gjet fundviti ma të bukur se një nimfë
rreze dielli, çokolatë e një gotë venë.
Tue të pa ty as borë e acar s'po duken -a thue t'kanë frikë?
...Pranvera bashkë me ty vika në dhjetor
e janari qënka mbështjell me shall buzëqeshje.
A je tue pikturue ndonjë etyd - simbol për jetën
a shpirti në Krishtlindje po të thotë: Pije me fund!
Se ky gjak Zotash në dehje të çoka në nandë qiej! Gjithkund!
... Shumë e bukur gjithçka në ty - desha me thanë
pa e dit lumnisht a thashë - gjithëçka çfarë desha!
U DASHKA TE DAL NATEN VONE...
Mbrëmë vonë dola në Bulevardin Dëshmorët e Kombit
të atyre që kishin rënë që ky bulevard i Tiranës
të ishte i lirë si vetë liria
ashtu si në qiell fluturojnë pëllumba të bardhë
por liria shpesh herë gjendët ngushtë
si pëllumb i përgjakur, i plagosur
sa ndalon edhe frymëmarrjen e pishave...
kështu me 21 Janar
pishat në bulevard rënkuan thellë
i lëshuan halat e tyre të vrara
prej breshërisë së plumbave të Gardës
mbi trupat e pa jetë të demostruesve
me sy të hapur e të ngrirë drejt qiellit
të murrëtyer në atë ditë të egër
pa ditur se si e pse duhej të vdisnin.
Dëshmorët
emrat e të cilëve mban ky Bulevard
përballë ndërtesës qeveritare
u bënë vend dhe tre të ardhurve
në Panteonin e Kombit
pa ditur dhe ata
pse kishin luftuar e pse kishin rënë
dhe a duhej që kujtimin e tyre ta përgjaknin
mbrëmë vonë dola para Kryeministrisë
kudo zotëronte errësira dhe frika
ushtarët e fshehur pas kolonave përgjonin
trupin tim si hije e dyshimtë
tek afrohesha pranë luleve e banderolave
si një ushtar pas beteje, në Vaterlo
ku humbës ishin të gjithë
u dashka të kemi dhe ne një Vaterlo
u dashka të kemi një Napoleon në çdo kohë
u dashka të kemi dhe kufoma
u dashka të dal natën për të mundur
errësirën që kish pllakosur në gjoksin tim
u dashka të ndez një qiri amëshimi për paqe
në të cilin flakërojnë shpirtat e ikur
me nga një plumb qorr në pabesi
u dashka, që gryka e automatikut
ti drejtohet hijes sime të vogël
që përbën një rrezik për shtetin
u dashka të dal natën vonë
për të vrarë frikën
se frika qënka më e tmerrshme se vdekja
më mirë qënka të vritesh!
ARKAPI NË QIELL
Kurrë nuk e mendoja sa shumë diell
kishin ishujt e Egjeut
ku përvëlohej jeta ime mergimtare
por ai diell nuk ish më zhuritësi
kish një tjetër brenda meje që më shkretonte
e ai ish mall - zjarri që të djeshmen ma dogji
kur ika prej antikohës sime në marramendje
për të kapur qiejt që më ishin ndaluar
e tash prej largësive më tundon ëndërrimi
për të hapur një arkapi në qiell
për të zbritur përmes litarëve të shiut
në një kohë tjetër, si ndër ëndrra
si Eliza në një botë që nuk gjendet
për të qëndruar tek borduret e lulishtes
të studios sonë, kur dikur bënim filma
ku dikur shpenzonin shpirtin
me nje çmim aq të lirë
se liria asokohe, o vellezër, nuk vlente
as sa një m... bolsheviku.
më kaplon ëndërrimi të shkoj në atë kohë
të takohem me miqtë e dikurshëm
e spiunët t’i shoh drejt në sy, pa droje
të dy palëve t’u jap një kafe në klubin e vogël
në fund të oborrit te Kinostudios
nën hijen e pishave...
digjem nga malli i mërgimtarit
shtegtuar drejt ëndrrave, duke lënë pas veten
fshehur nëpër shkurret e fëmijërisë së brengave
duke lënë pas kohën që nuk ka kthim,
e bashkë me kohën një jetë në mjegull
a rënë përdhe si halat e pishave
në një peisazh gri – kohë mizori
që nga largësia e viteve më ngjan
me një anije të braktisur, imazhi i së cilës
ankoron ende frikshëm në celuloidin e mendjes.
edhe në u kthefsha ndonjëherë, ...i them vetes,
nuk do t’i gjej kurrmë miqtë e vjetër
sepse të shumtit u shpërndanë nëpër botë
si zogj të tromaksur e vetharruar
ca prehen në gjumin e përjetshëm
ata që kanë mbetuar
mbi supe kanë peshen e mbijetesës
që shpesh herë thërmon njeriun
si kum deti - edhe artin edhe jetën.
çdo dite e nga pak, duke u plakur
si guacka një molusku ndjehem
tallazet e jetës më kanë përplasur diku
në një kënd të botës, ku kujtimet
marrin vlerën e një realiteti të vdekur...
Si mund të hap një arkapi në qiell
të zbrez sërish në kohën time?!
____
Kolec Traboini, kineast, gazetar dhe autor i 14 librave, poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër. Eshtë i biri i patriotit Palok Traboini, mësues, publiçist dhe sekretar i Ded Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit 6 prill 1911 .
Kolec Traboini i mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.
Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër.
Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, që u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve. Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16 vjet ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar.
Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për 1990.
Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj. Kolec Traboini është skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti". Situaten e krijuar në 1990 e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike.
Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte hapur heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, po në këtë kohë nis dhe organizon tubimin e krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike që u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Kolec TRABOINI largohet nga Shqipëria në shkurt të vitit 1991 dhe u vendos si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që me 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia“ Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin Aristidh Kola(1944-2000).
Në gusht 1995, KOLEC TRABOINI . me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra:
“Balada e largësive“,
"Rapsodi ushtore“,
“Gjurmë në histori“.
Ndërsa kur ishte në Amerikë shkroi e botoi:
“Katërkëndëshi i mundimeve“ (prozë 2000),
“Mos vdis dashuri“(poezi, Tiranë 2002),
“Nokturn“(lirika 2004),
“E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias“(esè 2005),
“ Requiem për një gjethe“(poezi 2005),
“Lufta e Maleve-Palok Traboini“(esè historike 2006),
"Trinia ime“(lirika 2006),
“Bukuri shkodrane“(esè 2007),
“Koha e prostitutave“(lirika&etyde 2007)
"Itaka grua"(lirika 2008).
Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus 2008”nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita“ Athinë.
Në vitin 1994 Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB.
Tituj të veprave
Itaka grua lirika 2008
Bukuri Shkodrane ese 2007
Koha e prostitutave lirika & etyde 2007
Trinia ime poezi 2006
Lufta e Maleve - Palok Traboini, 1911 ese 2006
E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias ese 2005
Requiem për një gjethe poezi 2005
Nokturn poezi 2004
Mos vdis dashuri poezi 2002
Katërkëndëshi i mundimeve prozë 2000
Rapsodi ushtore ironi 1995
Gjurmë në histori prozë 1995
Balada e largësive prozë 1995
Petalet e bajames së hidhur tregime 1973
(PËRGATITI: FLORI BRUQI)