2011-04-30

Realiteti shqiptar në romanin e ri të një shkrimtari në Diasporë


Shkrimtari Thani Naqo dhe romani i tij i ri ''Murmashët''

Realiteti shqiptar në romanin e ri të një shkrimtari në Diasporë


Nga Alfred Papuçiu


Kushdo që zbret në Tampa të SHBA, nga bashkëatdhetarët, do të gjejë një pritje të ngrohtë nga ata që janë vendosur aty prej vitesh. Cdonjeri prej tyre ka një histori të veçantë. Dikush është mbyllur në vetvete dhe sheh vetëm mundësinë për një jetë më të mirë për familjen. Por ka edhe nga ata që mendojnë edhe për të mirën e bashkëbesëlidhësve të tjerë. I kudo ndodhur është njëri prej tyre, që përveç punës së përditëshme, bisedon me bashkëkombasit e tij, jep mendime dhe i dëgjon ata, gjen kohë për të hedhur në letër mendimet e tij për shoqërinë, jetën e bashkëatdhetarëve, hallet dhe gëzimet e tyre. Ai quhet Thani Naqo që vjen nga një familje e dëgjuar e Ziçishtit. Gjyshi i tij ka qënë vendosur prej kohësh në Amerikë dhe aty i la kockat e tij. Edhe të afërm të tjerë aty i kanë varret e tyre, apo të tjerë nuk dihet ku prehen…Thani i kujton ata here pas here dhe rrëmon për të ndërtuar gjenealogjinë e familjes së afërt dhe të largët… 
GK
Libri i tij i parë me tregime, “Shtëpia e përgjumur”, është botuar në vitin 1977, kur ishte student në Fakultetin Ekonomik.  Njëri nga recezentët ka qënë shkrimtari Dritëro Agolli dhe, në kapakun e dosjes ku qe dorëshkrimi, ai kishte shkruar : të botohen kështu siç janë. Botim të parë për publikun Thani kujton tregimin “Duke kërkuar manarin”, i cili fitoi çmimin e parë në konkursin e letrarëve në Korçë. Gazeta Bashkimi e botoi atë. Ka qenë pragdimri i vitit 1972. Ishte gjimnazist, mustaqe porsadirsur dhe ende nuk kishte vënë brisk në faqe.  Pastaj ai nisi të botojë libra me poezi, me tregime, romane, të shkruajë skenare filmash…Fitoi dhe çmimin e dytë me poezinë për Nënë Terezën, dhënë nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë. Poezitë dhe lirikat e tij përmbajnë nota realiste për vëllezërit e tij nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ndër të tjera ka botuar librat me poezi dhe lirika “Fate paralele”, “Capkënet e mëhallave të botës” “Sinfonitë e stinëve”, romanin “Përgjumje iluzionesh”, skenarin e filmit “Përsëri pranverë”., etj.
Dikush mund të thotë nga ju se unë jam tepër entuziast kur është fjala për poezitë, tregimet, romanet e shkrimtarit Thani Naqo që jeton  në Florida të SHBA. Por e them pa doreza se pas botimit të disa vëllimeve me poezi dhe lirika, romani i fundit i tij "Murmashët" është pritur me tepër interes nga lexues edhe në Largo e Clearwater të Floridës, ku unë pata fatin të kem në dorë kohët e fundit romanin me autograf nga autori. Disa prej tyre ja kanë shprehur edhe Thanit në bisedat e lira, por unë mendova se me disa rreshta të shpreh atë që ndjejnë ata duke lexuar këtë roman, që shënon një arritje të shkrimtarit tonë të urtë, të ditur e me vizion të largët. Jo vetem shkrimtarë, por edhe lexues të pasionuar pas letërsisë shqipe, miq të tij në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Amerikë e gjetiu, në mesazhet e tyre shprehen se shpesh në personazhet e sjella në roman prej Thanit ata gjejnë veten apo atë të bashkëbesëlidhësve të tyre. 

- Romani përmban shumë nota reale, nga jeta e përditëshme e bashkëkombasve tanë jo vetëm në Amerikë por kudo ku ata jane vendosur përkohësisht apo përgjithmonë.
- Thani Naqo është një vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar në Shqipëri por edhe në Diasporë. Siç shprehet vetë autori: “Në romanin Murmashët i kam mëshuar më tepër realitetit të përjetuar dhe fantasia letrare mbështet qëllimin tim. Realiteti në këtë libër është konceptuar nga këndvështrimi një emigranti të rregjur në botën Perëndimore.  Ndjesitë dhe subkoshiencën e tij ia përcjell lexuesit shqiptar. Ky pozicionim në këtë vepër është krejt i ndryshëm nga pikpamja tradicionale shqiptare dhe kjo do ta bëjë që lexuesi të përdredhë vetullat i habitur. Pra, lexuesi do të ndodhet midis përplasjesh moralesh tradicionale të nacionaliteteve botërore. Ajo, që për botën e zhvilluar Perëndimore është e natyrshme, për tradicionalizmin shqiptar shfaqet me nuanca dramatiko-tragjike”.
- Gjuha e qëlluar e përdorur në roman i përshtatet tepër personazheve të krijuara prej tij.
- Romani lexohet me një frymë dhe është e vështirë të shkëputesh prej tij kur fillon e lexon. Shume prej lexuesve kanë qëndruar edhe në orët e vona të natës për të parë ecurine e romanit dhe të personazheve të tij. “Murmashët" nuk është aq shumë fantazi, sepse ajo është bota e brendëshme njerëzore.
- Pas romanit të Thani Naqos "Pergjumje iluzionesh", lexuesi ndjen se ka një vazhdimësi figurash të arritura dhe ngjarjesh që lidhen me Diasporën shqiptare këto vite të tranzicionit.
- Tek Thani Naqo sheh të mishëruar figurën e shqiptarit patriot dhe të palodhur që me art dhe me një penë te hollë sjell ndjenjat, pasionet, virtutet, dashurinë, mallin, si dhe traditat e mira të bashkëkombasit. I uroj nga zemra shkrimtarit tonë Thani Naqo të vazhdojë të shkruajë dhe të na japë vepra të tilla të arrira që i duhen lexuesit shqiptar, përballë një morie veprash të autorëve të huaj që shpesh me pa të drejtë serviren nga shtëpitë tona botuese dhe reklama maramendëse e tyre. Nuk jam kundër paraqitjes së vlerave të veprave të shkrimtarëve të huaj me zë, por jo që çdo gjë e huaj të na serviret dhe të harrohet letërsia e bukur shqipe. Do të uroja qe romani “Murmashët » të përkthehej edhe në gjuhën angleze pasi nderon letrat shqipe. 


Murmashët - Roman nga Thani Naqo

(Demonët bëjnë sikur flenë)


1
Letrën e kishte lexuar disa herë dhe sot në mëngjes Artan Bareli pati ndjesinë se ç’shkruhej në të i dinte të gjitha përmendësh. Ardhja e Anita Traboninit në Amerikë i zgjoi kujtesën e një çerek shekulli të shkuar dhe ai kishte rënë në kurthin e ankthit që sjell pritja. 

Ndezi cigaren dhe hodhi shikimin mbi kurorat gjigante të pemëve tropikale. Tufa e shpendëve murmashë oqeanorë vinte rrotull mbi to dhe kjo i kujtoi se shiu do të befte së shpejti. Thëthiu etshëm cigaren dhe pa dashje i doli psherëtima që u pasua me rrathë tymi mbi kokën e tij. 
-Eh, Anita Trabonini - tha gati me zë. 
Termometri amerikan tregonte 90 gradë nën hije, zagushi e mbetur pezull, por e nxehta e tropikut Artan Barelin nuk e bezdiste aspak. Nëse qëndronte në sallonin e pritjes, atij i duhej të përballej me ankimet e përditshme të nënës për dhimbjen e kockave nga reumatizma, ndërsa pompa, që përdorte i ati me astmë, lëshonte kërcitje dhe atij i linin përshtypjen se dikush ecte përmbi lajthi. 
Pasioni i dikurshëm për gdhendje në dru iu rizgjua tre muaj të shkuara kur ai u ndje i ngeshëm nga papunësia për shkak të krizës ekonomike. Rastësisht i pati zënë syri në një garash-shitje gleta, thika dhe çekiçë; i zoti i tyre kishte ndërruar jetë dhe, mikesha e tij, trupmadhe e tejet e shëndoshë, i kërkoi dhjetë dollarë për to. 
-Mjaftojnë për qirinjtë e përshpirtjes - kishte thënë ajo, ndërsa ai u pati hedhur një sy relieveve në dru. Talenti i gdhendësit të vdekur tregonte haptazi maninë e tepruar ndaj frutave dhe perimeve.
-Ishte vegjetarian. Sa kam unë njërën këmbë - kishte bërë shaka e zonja e shtëpisë - aq peshonte trupi i Xhonit. Ama, i tha lamtumirë kësaj bote, i ngopur me të gjitha - dhe ai mezi kishte mbajtur të qeshurën kur përfytyroi skenën romantike të seksit të tyre.


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...