Nata e qetë pa hënë, por gjithsesi me yje të shndritshëm, e deti me valëza nanuritëse që i përkëdheleshin bregut disa hapa larg, ishin krejt e kundërta e asaj që ndodhte në shpirtin e gruas së lëshuar mbi rërë, ku re të zeza e të ngarkuara nxitonin e mblidheshin duke përgatitur stuhinë e paevitueshme. Parandjente diçka te keqe, e megjithëse përreth nuk kish frymë njeriu veç saj, ishte e ndërgjegjëshme se ajo qetësi nuk ishte veçse ajo kohë e ngrirë pezull përpara se të fillojnë pikat e parae të shpërthejë stuhia. “Duhet të marr diçka më të fortë, kjo dozë nuk më bën më punë”. Nuk ishte e vjetër, por jo e re sa të mos e dinte se rinia të jepet një herë e pastaj të merret, kjo nuk ishte në dorë të saj. Për të tjerat... ato që kishte humbur, ose ato që mund ti humbiste një herë e mirë nëse do të vazhdonte kështu, kish qenë faji i saj. E famshme dhe e suksesëshme një kohë, kish filluar si topmodele në moshë të re e kish braktisur studimet, pastaj stiliste, mbështeur financiarisht nga i ati pasanik e pastaj i shoqi, por edhe famën e suksesin jeta ti jep me mundim e ti merr lehtë, gjithsesi nuk mund të jenë të përjetëshme. Ndërsa pjesa tjetër, ajo që i mbërthente zemrën në një morsë të pamëshirshme... O zot, si jam katandisur! Ndjeu erën të mërmëriste ndën peshën e disa hapave e brofi më këmbë.
http://www.gazetakritika.net/literatur/suvenir/suvenir.html