2011-04-30

Pesha e kohës - Roman nga Istref Haxhillari



Istref Haxhillari që me librin e parë “ Përthyerje „ tërhoqi vëmendjen e lexuesve për freskinë e temave dhe tingëllimin poetik të fjalës. Autori “ i natyrshëm dhe inteligjent, ka ditur se çfarë subjekti dhe personazhi t’i japë lexuesit. Sili dhe fraza janë të bukura...“ Përthyerje „ është vepër dinjitoze me vlera kombëtare „ ( H.B. “ Gazeta 55 „ 10 shkurt 2008)
              Në romanin “ Pesha e kohës „ autori ka marrë përsipër barrën e rëndë të pasqyrimit artistik të vendlindjes, të asaj pjese të atdheut që e njeh më mirë, prej nga përfton afeksionet gjithëkohore. Gjatë këtij proçesi i është shmangur në të shumtën e herës grackave që ngre kjo temë, në vetvete tërheqëse, por aq shumë e lëvruar në të gjitha kohërat. Autori ecën i sigurt në një hulli që duket se e rreh me pasion, por sidomos me origjinalitet.
Nga lartësia gjeografike reale e Dunicës së Mokrës, ku zhvillohen ngjarjet, autori
“ sheh ” gjithë fshatrat e krahinës, që nga Bërzeshta në Rrodokalet, nga Debrova në Slabinjë e deri tutje në Gorë. Ai tërheq prej tyre ku një histori e ku një personazh, ku një legjendë e ku një shaka dhe të sapodala nga mjegullat e kohës, ato përcjellin një atmosferë tejet të veçantë, një polifoni ndjenjash e emocionesh.
Autori me shpirt e sy përpirës, që nga fëmijëria e rinia ka qëmtuar dhimbjen e gëzimin dhe i përçon te lexuesi me dhembshuri, ndjenjë që buron nga lidhjet e veçanta që krijon me atë që tregon e me ata për të cilët tregon. Pozicioni i rrëfimtarit është konceptuar jashtë rrjedhës së ngjarjeve, por brenda përjetimit të tyre.
Ngjarjet zhvillohen në prerjen kohore “ në të këmbyer të shekujve që shkuan ”dhe një mjedis real e të përcaktuar. Njerëzit ndërtojnë jetën e tyre në shpatullat e maleve e ajo si për çudi shfaqet e përthyer te shpatulla e bagëtisë. Kalimi nga realja te e magjishmja bëhet natyrshëm, sepse buron nga mentaliteti “ natyral ” i personazheve, ashtu si ata përditë kalojnë mjegullat e hijet e mjedisit ku jetojnë. Elementët natyrorë shpesh bëhen përcjellës të situatave e raporteve njerëzore.
Usta Tira që kishte në zemër e në mëndje drithërimat e një misioni acarues, udhëton në një sfond ku dimri “ nëpër grendat dhe rrëpirat e maleve vuri ata brirët e akullt gjithëfarësoj…”
Struktura e romanit është “ vjedhur „ nga oda e miqve. Dy këndet pranë zjarrit janë poltronet nga ku nisin dhe mbarojnë gjithë bisedat, këngët a dollitë. Dhe në roman ngjarjet “administrohen „ nga dy familjet tipike mokrare, krojanët e arvenët. Nga një ndodhi sa absurde aq dhe naive marrin rrjedhë personazhe, mentalitete të patrajtuara më parë në letërsinë tonë. Hierarkia e respektit që zotëron mikpritjen, në roman ka qasjen e vet te disiplina artistike e ngjarjeve, te roli i çdo episodi a personazhi, ashtu si b dollia n familjet mokrare.
                           Analogjinë e romanit me konakun e miqve ta përforcon edhe muzikaliteti i të rrëfyerit, që ashtu si kënga nis të burojë nga zallamahia dhe e shtrin pushtetin mbi të gjithë, edhe fjala e Istref Haxhillarit, që e ka zanafillën në strukturat origjinale të kuvendimit mokrar, të pushton me forcën e saj, sepse përcjell tinguj e imazhe tejet interesante. Këtë e realizon duke shfrytëzuar gjithë arsenalin e gjuhës së folur e të shkruar. Të bie në sy forca që merr fjala në kontekstin e dhënë. Me vlerë janë ndërtuar alternativat e rendit të fjalëve në ligjërim, hapësirat melodioze që përcjellin aliteracionet e onomatopetë. Ngjyrim të veçantë i japin frazës ngjeshja e strukturave të formuara nga pjesoret e njëpasnjëshme, apo ngrohtësia e përdorimit të dhanores etike.
Kemi në vepër një kohezion të plotë të ligjërimit mokrar, me fjalën e zgjuar e të zgjedhur të njeriut të letrave me formim te gjerë e interesa fisnike. Sentencat e ndërtuara në meditimet e shumta janë interesante. Autori nuk mahnitet nga “ forca„ e mendimit të njerëzve që ta marrë atë të gatshëm e ta hedhë në libër, duke e mbushur me fjalë të urta e proverba. Ai ndjek rrugën e asimilimit të mendimit në strukurën konceptuale të arsyetimit popullor. Këto i japin stilit të tij të rrëfyerit origjinalitetin e nevojshëm që buron e nuk sendërtohet me manierizma apo kozmetikë letrareske.
Për të gjitha këto vlera, por dhe shumë të tjera që do t’i zbuloni vetë, nuk i shpëtova dot ngasjes për ta shoqëruar librin me disa mendime.
Leximi i një libri që i ka shpëtuar modës së perversiteteve mendoj se është një kohë e harxhuar mrekullisht.
BUJAR BALLIU

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...