2011-04-29

Tafik Duraku:Dashuri vere...


Faksimili origjinal i “redarit” ‘shqiptaro’-titist, Ali Podrimja
SHËNIM:

Kjo përmbledhje me poezi u dorëzua për botim tek “Rilindja” e Prishtinës, në vitin 1980. Mirëpo, për fat të keq nuk e pa dritën e botimit. Çensori dhe redaktori (“redari”, roja e “bashkim-vëllazërimit” sllavokomunist të Jugosllavisë) i asaj kohe, i “Rilindjes”, z. Ali Podrimja, e ndaloi, me shënimin: “T’i kthehet autorit dhe nëse dëshiron të merret me shkrime, të punojë shumë e shumë”. Nënshkrimi i “Redarit” Ali Podrimja.
Po të njëjtin fat, nga i njëjti çensor, e pësoi edhe vëllimi tjetër me poezi “Koha njerkë”, i cili e pa dritën e botimit pas rënies së diktaturës sllavo-komuniste, në vitin 1992, ndërsa, ky vëllim me poezi, i cili u gjet kohët e fundit, po del për herë të parë, pas 30 vitesh, së bashku edhe me nënshkrimin e Cerberit të ferrit sllavo-komunist jugosllav e “shqiptaro”-titist, “Redarit” – Ali Podrimja.
Disa dashamirë, kur i lexuan këto poezi më thanë se një pjesë e tyre është identike me disa poezi të Ali Podrimjes të asaj periudhe, kur më janë refuzuar t’i botoja. Por, këtë verifikim ia lë ta bëjë lexuesi si dhe kritika letrare në të arthmen.
Tafil Duraku
Prishtinë, më 5 korrik 2010
TAFIL DURAKU
DASHURI VERE

Biblioteka
BUROJA

Redaktor
DILAVER GOXHAI

Recensues
RUSHIT RAMABAJA
LIRI LOSHI

Ballina
art – tad – stil

TAFIL DURAKU

DASHURI VERE




DRENISHTA
2010

Tre të vrarëve të pafajësisë, të zënë robër në Dibër, më 1912, të burgosur dhe të vrarë pabesisht, nga serbët, në burgun e Pozharefcit, stërgjyshit tim Dan Fazlisë – Durakut dhe dy kushërinjve të tij, Seferit e Fekës, për miqësinë e tyre thelbore me të gjithë shqiptarët e Shqipërisë – SHQIPËRI, në shenjë respekti të thellë e të përjetshëm.
AUTORI

DASHURI VERE



SEKRETI

lapsi është sekreti im
vjershërim në kodrat e Drenishtës
letër e penë
si ashti
lapsi burojë lashtësie
sekreti
shkrimtari
poeti


DASHURI VERE

puhia e ka pushuar detin
sytë e tu janë ndalur në një objekt
dhe mbyllën lehtë
para se ta thonë një emër
në belin tënd sot po perëndojnë shikimet

kënaqësinë e ditës që po vjen
floku i yt nën hije e ruan
miklimin tënd po e mbaj në duar
kërkoj fshehtësinë tënde
dhe ecën plot dashuri
nëpër dashurinë e pranverës

tjetër herë
dil shëtit bregdetit
vetëm
e kujto të kaluarën e Adriatikut
kur është larg teje
dhe rrëfe


VALË JETE

J. K. SH.
horizontale
gjatësia si dhelpër
shtrirë

e përherë sjellje
të liga
mashtrime pa kufij

prej shputave të këmbëve
e në maje floku
valë jete dhelpërishë

sa e keqe
sa e mjerë
sa e bukur
sa e ligë

valë jete
dhelpër e shtrirë
e shtirë në pakufij


VERË E SHKUAR

dokumentat në tavolinë
karrika e thatë në zyrë
ti diku në përqafim

dritorja e hapur
freski dhome
verë e pashuar


JETA IME

rreze e zjarrtë
e diellit
në gjirmën tënde

në sytë e zemrës
vegëz
e verës së shkuar


VASHA E NETËVE TË MIA

më buzëqeshi me një sy
e zgjoi gjakimin e saj
rinor

më përkëdheli me dashuri
si valët e deteve Jon Egje Adria
e mbolli një kujtim të Penelopës

e zgjoi ëndrrën e malit që s’fle
dhe dashurinë e tigrit
luaneshë e re

a po afrohet me ëndrrën
Maldelena* e netëve t’mia
malli i syrit tim
______________
*) MALDELENAfjalë e lashtësisë iliro-shqiptare, e përbërë prej tri fjalësh: mal, dele, ne = ne ishim barinj dikur, të cilin, pushtuesit e dredhuan në Magdalena, e, në shqip, do thotë Baresha.


DIELLDRITA

Dielldritë
koka yte në qafë
e bukur është si një lule
që e përpi drita

dora yte në kraharor
e pasur është si një degë me fruta
fara e jonë* e masa e jonë*
arrin largësi e lartësi

trupi yt i begatshëm
është si një lumë
që e pret deti
n’amshimin e tij

zemra yte në trup
është si një lule kur i çelë sytë
e afron gëzime
në prehër dashurie

po pres të lulëzosh
të arrishë në qiell me re
me një zhurmë lirimi
të zemrës me diell
e kamur si mali me borë
_________________
*,*) FARA E JONË, MASA E JONËfjalë, po ashtu, iliro- shqipe, prej të cilave rrjedhin fuqishëm: faraonët dhe masonët, sipas farës sonë dhe sipas masës sonë rrjedhë gjithçka në këtë botë...

EDHE JETA E VDEKJA I RUAJNË KUJTIMET

në korridor
e dëgjoj peshën
e hapave tu

në muret e bardha
i shoh vijëzimet
e fytyrës mjellmore

në kujtesë
e ruaj kujtimin për truallin
pamëshirshëm copëtuar

si jeta
si përralla
i kujtoj


NË SYTË E TU

pas pushimit të lotëve
në sytë e tu
mikloj motet

e drenushat vallëzojnë
buzëqeshjeve
të atij mëngjesi

syve tu
ngjyrëqielli
motet tona qartësohen

mbrëmje e mëngjes
në sytë e tu
ka dashuri për shtëpinë


BUKURIA E J. K. SH.

e ftoftë
fjala
era
e dielli i mesditës

e plagët tona frymë
gurëve
drunjve
e zogjve u jep

mua dashuri
kopështieve lule
e bukurinë
ia jep natyrës

syve lotët
zemrës dhembjet
dashurinë
e pikëllimin

e bukur je për mua gjithë kur je në lumë



GJATË JETËS

pas çdo trokitjeje
në derë ti
plot një jetë

Maldelenë
ëndërr e sy
vizatohesh

një jetë plot
e pret
fytyrën tënde shekullore

pret të t’i kthejnë gjymtyrët e trupit
përrallore


PËR TY

asnjë gardh
s’e lë më
oborrit tim shekullor

shqipe e flamur
përjetësisht
krenohen


GJITHÇKA DUA SI TY

hënën
gjithë e kuptoj
e qetësinë
në sytë e saj përrallor
edhe trazimin

diellin
gjithmonë e dua
se rreze jete na ofron
e ngrohtësinë shekullore

qiellin
gjithë e shikoj
sikurse ty
e kuptoj
kur vrahet
e kur kthjellet

e me hapa lirimi
kur marshon
ditëve të bardha
të vargjeve tilirike

e gjithçka dua si ty Atdhe
tokën qiellin e detet e mia
e më përthekon lavdishëm
peizazh përrallor


NËSE

nëse shndërrohesh në lum
ujin tënd do ta pi
pikë për pikë

nëse bëhesh zjarr
flakën tënde
do ta përpij

nëse bëhesh tokë
do punoj
ara e livadhe

nëse bëhesh det
do notoj
thellësive tua deri në brigje

nëse bëhesh
tokë e qiell
mesin e artë do ta ruaj

këngës së zogjve do i rri në krah si diell


MUNDIM MË VJEN PREJ SYVE TU

edhe guri e shtypë gurin
pa e parë kush
as dhembjet e tij nuk ia di

e unë gjëmët ia ndiej
e kuptoj njerëzisht
ai nuk më shikon si ti

sytë e tu
që janë të tillë
s’e kam pritur

e për hir të dashurisë
më duhet t’i mbyll sytë
para të këqijave

e do vijë një ditë
të pendohesh rëndë
për t’zezat që m’bën

mundim më vjen prej syve tu
 janë armë të zeza pa krismë
e gjakun tim kanë zënë ta pijnë

përjetësisht të them
nuk dua të t’i shohë sytë e ty
e panjerëzinë që nuk ka fund

dhe i ka themelet tek ti e keqja
tortura ndjekja persekutimi
e mundim më vjen prej syve të tu

poshtërsi e kësaj bote rri në sytë e tu
prej të cilëve më çohen të vjella
e s’dua t’i shohë kurrë më

kurrë më
vertikalisht e përbotshëm të them
shumë njerëzisht e shqip


UDHËTIM MIQËSOR

ti
i gëzohesh
çdo udhëtimi

i buzëqeshë
ditës
së re

err e terr
s’i pushon valët
shtratit tënd deri në detin që s’fle

udhëtojmë miqësisht
dhiareve të fitoreve
e pambarim kjo botë


ËNDRRA

vetëm një herë të kam ëndërruar
e ëndërr më të bukur s’kam parë
e ëndrra m’është përsëritur

kishte këmbë
ikte

kishte shpirt
jetonte

kishte dashuri
rritej

Ishte krejt si ti Atdhe

ecte e ecte
rritej e rritej
trungut të vet

kuq
e zi
qenia ime

vetëm një herë të kam ëndërruar
dhe i jam gëzuar ëndrrës
në çdo kohë

pranverë me dete
trekëndësh malli
kohën kam matur me ëndërr tilirije




KORNIZË ASHTI



DRITË ZGJIMI

lumi im
nuk u tremet as shiut
as vetëtimave e rrufeve

as dallgëve e furtunave
as njerëzve të ligj
as pushteteve të pista

jeta ime nuk pushon këtu
e nisë zgjimin ditë e re
dritë shekullore për Trojet

këngë fitoresh
pritë zgjimi
për ATDHE


DORA

lule me pesë fletë të njoma
degë e fortë
plot dashuri

tufë me pesë lule
tufë me pesë sy
në trojet tona shekullore

lulja e vetme e historisë
kjo penë e artë
në dorë vjershëtori si ai


FORCË E BUTË

në prag të shtëpisë
kaltërsi e diell
forcë e butë krenare

lis
rri në natyrë
orë e orës shqiptare

forcë e butë
e shkronjave të lirisë
e shtatit të Shqipërisë


URA

një natë
nën urë
kam parë ujin kah rrjedh
ashtu qetë
kah derdhej në heshtjen e natës
nën buzëqeshjet e hënës
dukej si një det

atë urë
atë natë
e kam parë
si lidhjen e udhës tonë
te Udhët e Mëdha
në dritë kah na çon

e vetëm atëherë
nisa të këndoj
kur të thirra me emrin e lirisë
me emrin e Atdheut tim
urë e shtëpisë


LUMI IM

lëshoi në rrjedhë
valët e melodishme
të buzëve tua
lumi im

në kohën që vjen
lëshoi në rrjedhë
këngët tua
plot dashuri
le ta marrin botën

koha të pret
krahahapur
ta bëshë vetveten

lumi im
hapi krahët dhe ti
e mos prit
mos prit më
kohë tjetër

zgjoji brigjet e tua
me ujin e ri
rini
e lumit tim ujëbardhë


KORNIZË ASHTI

1.
kujtim i ëmbël
në gur
në këtë truall të vjetër
luftëtarët u vranë në shekuj
beteja ka shpresa të pathyera për të


2.
kornizë ashti
jeto në muret e kullës kala
bukuri me rreze dielli
me gjuhë toke flet
gjuha e njeriut për legjendat
qëndron njeriu Albi
për dashurinë tokë


AUTOKTONIA

pimë gjakun ujë
në kroje si në gotë
diellin e lirisë e thërrasim

hamë bukën tokë
në livadhe si në sofër
nëpër ara e tëbane
e thërrasim lotin e vrerësirës

jetojmë jetë pa jetë
në truallin tonë si në dhe të huaj
me shekuj
e jo me muaj

në këtë tokë
dritë e shuar
ngjallu
pranverë me lule autoktone


NË HAP ME HIJEN TIME

era e nget
ajo nuk trembet
unë mërdhij
hija është e thatë
atë s’mund ta vrasë askush
është imja
donliri

ajo më nget pas
e thërras
të përqafemi
ndalem
ajo ndalet pas


KOHA

pas Jugës
bie shiu
prajshëm
mbi horizonte
pas shiut
derdhen vrerësirat
qetësohet deti
rritet lumi
pushojnë zogjtë në gjungël
buzëqeshin shkretëtirat
kështu
vjen nata pas shiut
agon dita e lirimit pas fitores


DASHURI TOKE

këngës
gëzimin ia di
hidhërimit
                plagët ia njoh
tokës nënë
                vlerat ia mas
gjarprit
                helmin ia di
                                e thinjët e zi


DETI

gjithë të di për t’imin
të kam parë si livadhet e mia
si nënën

unë qëndroj
e në plazh shtrihem
notoj në ujët tënd me valë

mejtueshëm shëtis
bregdeteve t’mia të bukura
Adria Egje e Jon
zalli m’i miklon këmbët e kripa më presollitë

me ju do jem edhe më i bukur
detet e mia të lashtësisë
rreth trupit tim e flokut gërshet malesh

kokë e këmbë
jam një lis
jam një gjak e një Shqipëri

nënë me shumë dete
e kujtoj trupin në gjirin tënd
e rris veten për (I)liri


PËLLUMBI I BARDHË

larg
do niset për te ti
një ditë

se unë
nuk po mund të vij
të të shohë dielli im

brigjeve t’Adrias
t’Jonit
e Egjeut

të kam nisur ty
pëllumbi im
i praruar
i rinisë së artë të Dheut

në vargjet e këngës sime
nisë këngët e lirisë
pëllumbi i zjarrtë i Atdheut


FJALA S’ËSHTË ERË

ka fjalë
kanë dyer
ka dhe dyer fjala

ato dyer
çelësat i çelin
amshueshëm

ka fjalë
bëjnë udhë
e qesin presa

ka fjalë
rrisin dashuri
e mbjellin urrejtje

fjala s’është erë
ka dyer
çelësat e ardhmërisë i hapin

fjala
nuk është gjithmonë
dashuri

për mikun
ka çelësa
që hapin tokën dhe qiellin

fjala është miqësi e hapur
me dritare
e derë përherë




TREKËNDËSH MALLI



SY MË SY

I
sy më sy

II
hëna i buzëqeshë tokës
në heshtje sonte
në lartësitë e Erpfingenit 
- në Sonnenmatte

III
kohë
në gotë qelqi
mes horizonteve
në shtëpi
buzagazi i syve tu
mbushë boshllëkun madhështi
hije nate

IV
udhën që gjarpëron
horizonteve të diellit
e mate si ora
me hapat e tu
Vivienne


FËMIJËRI

si natyra
e bukuria e shpirtit
e buzagazi në këngë
si gjaku i harlisur
si mëngjeset

si prehja e verës
e butësia e barit
si malli
që i grishë zemrat
si lojë e ikur
fëmijëri


VAZË LULESH

dhomë e vetmisë
jetë e ftoftë
në katin përdhes
në zemër

kur çelin lulet
erë e tyre
e ngrohë një pikë
shpirtin tënd


KËNGË NË GOTË

këngë në gotë
zëri i zemrës
e gjaku i ngrohtë
i diellit
e valëmirat e flamujve
mbi horizonte
vashë e harlisur
kuq e zi
gjuhë zanash

Maldelenë
sytë e tu s’flejnë
qepallave të buzëmbrëmjeve grishtare


PRITJA

eja
e melankolishme
siç di të jeshë

eja
mejtuar kah deti
me ballin e qetë
e syrin grishmirë

me faqet kuq si molla
kohë
për kohën
jeta-jetën pret


MELODIA

1.
heshtë brenda meje diçka që del nga toka

melodia e sofrës së darkës
hapë udhën e fjalës
deri te shenjat e bardha
dritë dielli
e zjarri njësoj

2.
mall dashurie
nëna
toka
magjja
e gatimi i bukës së re
si melodi e sofrës së mëngjesit
udhën e punës hapë
deri te shenjat e kuqe
dashuri
dritë
e malli pret

3.
nëna ime
nëpër qilima thurë ardhmërinë
me duart plot gjilpëra
për fjalën e tokës dhënë

4.
melodia e sofrës së drekimit
hapë vendin pushimit
e pushimi thonë
nuk ta hupë ditën
lum miku
dita shihet me ag


SYTË

sytë e tu
gjithmonë të zjarrtë
gjithmonë të heshtur

ata flasin më thellë se gjuha
ata duan më shumë se ti

unë
ashtu i habitur
i shikoj sytë e tu gjallëri
vetëm sytë e tu Maldelenë

ta bëjmë shtëpinë të na kënaqen sytë në këtë botë

Burojë, Split, Erpfingen, 1975-1980


SHËNIM PËR AUTORIN

Tafil Duraku u lind më 1. IX. 1952, në katundin Burojë të Drenishtës. Shkollën fillore e kreu në Turiçefc, gjimnazin në Klinë dhe studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës – në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge.
Punon në Ndërmarrjen Botuese, Edicionin “Rilindja” /Prej shkurti 2006 pa të ardhura personale, me vendime (para)politike të Astrit Haraçisë&Co /.
Me shkrime merret që nga fillorja. Shkruan poezi, prozë dhe njëkohësisht merret edhe me përkthime nga gjuhët e tjera.
Deri më tash ka botuar këto libra:
“Kohë njerkë” (Poezi), Rilindja 1992,
“Njeriu i vetvetes” (Tregime), Rilindja 2003, të ribotuara nga SHBA Drenishta, më 2004, për shkak të censures neokomuniste, në botimin e vitit 2003, nga “Rilindja”,
“Njerëz thjeshtër” (Poezi), Drenishta 2007 dhe
“Dashuri vere” (Poezi), botim i parë internetik, pas 30 vjetë çensure komuniste të “shqiptaro”-titistëve, SHBA DRENISHTA, Prishtinë, 2010.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...