Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/29

Nga Remzi Limani :NJERIU ME FRYMË PREJ ARTISTI TË VËRTETË





Se arti është pasqyrë e botës së qytetëruar, duhet dëshmuar me punë, cilësi dhe artefakte, të cilat na dëshmojnë dhe flasin për vlerat dhe identitetin tonë nëpër kohë dhe hapësirë...





Njëri prej artistëve më produktiv në fushën e arteve figurative e veçmas në lëmin e grafikës dhe arteve aplikative ku bën pjesë dega e dizajnit grafik, pa dyshim veçohet krijuesi, Salih Lutolli - Agi, i cili, tashmë, një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Mallmo të Suedisë.

Artisti: Salih Lutolli - Agi
Ky artist i veçuar u lind më 1951 në fshatin Llapashticë e Epërme komuna e Besianës. Pas mbarimit të Shkollës Normale në Prishtinë, fillimisht nisi me punë në vendlindjen e tij ku punoi arsimtar i gjuhës frenge dhe më pastaj kaloi në Radio Televizionin e Prishtinëas në cilësinë e TV ilustratorit.


 Pas kësaj, Salihu zuri me punë si redaktor artistik në revistën “Zëri i Rinisë” dhe pas një pune të gjatë dhe mjaft të frytshme, artisti ynë kalon me punë në Edicionin e Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”, po ashtu në cilësinë e redaktorit artistik.



Shumë adhurues të letërsisë, atëherë dhe sot, patën rastin që emrin Salih Lutolli ta hasin në shumë vepra letrare, ku emri i artistit në fjalë shënohej në cilësinë e redaktorit artistik, ku roli i Salihut ishte përkujdesja artistike e veprave letrare të autorëve ndër emrat më të mëdhenjë të letërsisë shqipe dhe asaj botërore.
Akt Qjellor, by Salih Lutolli

Gjatë punës së tij krijuese shumëvjeçare, Lutolli realizoi me qindra kopertina librash për fëmijë dhe për të rritur. Po ashtu, ai realizoi mijëra ilustrime me të cilat visheshin faqet e revistave të ndryshme për fëmijë si dhe ato të gazetave tona të botuara në gjuhen shqipe.

A Woman's Head, by Salih Lutolli

Perveç realizimeve artistike të sipërpërmendura, Salihu, kohë pas kohe zuri të merrej edhe me karikaturë.

Beyond the See, by Salih Lutolli

Në kuadër të krijimeve të shumta, vlenë të përmendim se, Salihu e deshi dhe mbeti peng i qytetit të Prishtinës, ngase, këtu përveq që mbaroi shkollën e mesme, ai po ashtu edhe diplomoi në Akademinë e Arteve (Dega e Grafikës) Shih për këtë, Lutolli i kushtoi shumë realizime të fletëgrafikave me motive nga shumë pjesë të qytetit të vjetër të Prishtinës, të realizuara nga syri, mendja, dora dhe ndjenja për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe për të bukurën artistike, të cilat, mjerisht, shumë prej tyre tashmë janë zëvendësuar me ndërtimet e betonarmesë duke e ngulfatur frymën e të bukurës dhe ndjenjen e njeriut për nostalgjinë e kohës së tij



Salih Lutolli – Agi: “Refugjati
.

Absurdi i kohës sonë të re

Si shumë artistë të mirëfilltë, edhe Salih Lutolli u muarr me krijimtari duke menduar se shoqëria jonë do të ketë respekt dhe konsideratë për punën e tij dhe artefaktet artistike si deshmi dhe vlera të pa diskutueshme për punën e tij në fushën e arteve figurative.



 Mirëpo, ai, dhe shumë artistë të merituar, fatkeqësisht, mbeten jashtë protokolit zyrtar, ku nëpër kafenetë e qytetit, krahas emrave të merituar shënoheshin edhe emrat e krijuesve anonim. Pra, në vargun e artistëve të merituar, qëllimisht dhe fatkeqësisht emri i Salihut nuk zuri vend.

Salih Lutolli – Agi:“Gjeli e hëna”
Në monografitë e përpiluara para dhe pas luftës, të botuara nga Galeria e Arteve e Kosovës, krahas emrave të njohur në panoramën e kulturës kosovare – aty gjinden edhe emrat e artistëve të pa emra, të cilët asnjëherë nuk i njohi opinioni si krijues dhe as si emra.



Kjo, nuk ishte rastësi, por një punë e matrapazëve të cilët i botuan këto monografi të cunguara, në të cilat mungojnë emrat e artistëve, pa të cilët bota nuk do ta ketë kurrë pasqyrimin e duhur mbi artistët dhe vlerat e vërteta mbi artin shqiptar.


Salih Lutolli, asnjëherë nuk i zuri në gojë njerëzit të cilët manipuluan me emra dhe me artin, të cilët për qëllime e konflikte interesash ndër më të ndryshmet, pa fije turpi i anashkaluan shumë vlera për t`i prezantuar antivlerat duke i injoruar artistët e vërtetë.

untitled, by Salih Lutolli

 Salih Lutolli, vazhdon pa bëza, duke qenë i bindur se koha do të flet për të gjitha dhe për të gjithë ne. Ai, jeton me punën dhe veprën e tij prej një njeriu me frymë prej artisti të vërtetë.

untitled, by Salih Lutolli
*******


http://www.albanianarts.com/aart/files/image0000001230.jpg
untitled, by Salih Lutolli

Name: Salih LutolliBorn: 1951, Llapashtica, Llap, KosovaCountry of Residence: SwedenSpecialities: IllustrationPromoted By: Self promotion The Escape, by Salih Lutolli
 
Member of: The Association of the Applied and Figurative Arts of Kosovo – SHAAFK The Painters Club (of the Region) of Skone, Sweden - Skånes Konstnärsklubb, Sweden The Institute for Painters and Mediator of Art - Institut för Konstnärer och Konstförmedlare - IKK, Malmö, Sweden The Illustrators Centre - Illustratörcentrum, Sweden The Swedish Artists National Organisation - Konstnärernas Riksorganisation – KRO, Sweden The International Association of Art – IAA (AIAP) - UNESCO

Breathing Peace, by Salih Lutolli


Personal Exhibitions
 
2004 Place: The Perstorp’s Library, Perstorp, Sweden 
2002 Place: The Hyllie’s Church, Malmö, Sweden 
2000 Place: Albanian Centre for Informations and Mediums "Besa", Malmö, Sweden 
1999 Place: College "Nicolas Boileau", Chennevières sur Marn, France 
1997 Place: Cafe-Gallery "Koha", Prishtina, Kosova 
1995 Place: The Gallery “Kalaja”, Ulqin, Yugoslavia 
1994 Place: The Painters Club "ABC", Rahovec, Kosova 
1993 Place: The Palace of Young "Boro - Ramizi", Prishtina, Kosova 
1991 Place: Foire Internatinal du Livre, Brussel, Belgium 
1990 Place: The Collegium Cantorum, Prishtina, Kosova 
1986 Place: The Palace of Young "Boro, Ramizi" - Prishtina, Kosova 
1978 Place: The Dom JLA, Tolmin and Kranj, Slovenia 

untitled, by Salih Lutolli

Awards



Portrait of the Endless Road, by Salih Lutolli





 
1986, Second Prize for Poster design Event: 19th Traditional Meeting of Journalists and Graphics of Yugoslavia 
Place: Koviljacka Banja, Yugoslavia 
1986, Worker of the Year '86 Event:  
Place: NGBG Rilindja, Prishtina, Kosova 
1986, First prize for Graphic Design Event:  
Place: Prishtina, Kosova 
Description: from three associations : The Kosovo Art Gallery, Association of Applied and Figurative Arts of Kosovo and "Rilindja" Publishing House
1986, Achievement Award Event:  
Place: Kosova 
Description: given by "Pionieri", children journal
Education and Training
 
1983-1987, Degree in Graphics Education type: High Education
Institution: Academy of Fine arts, University of Prishtina, Kosova 
1972-1974, diploma in teaching Education type: Collage
Institution: Teaching college, Prishtina, Kosova 
Jobs and Projects
 
1984-1999, Graphics DesignerProject:  
Place: "Rilindja" Printing and Publishing House, Kosova 
1983-1984, Art directorProject:  
Place: Albanian language weekly "Zëri i Rinisë", Kosova 
1975-1983, IllustratorProject:  
Place: TV- Prishtina, national broadcaster, Kosova 
1974-1975, French teacherProject:  
Place: freelance, Kosova 
Contact Information
 
Address: Bennets väg 39, lgh 174 213 66 Malmö Sweden
Home: 
Mobile: +46 (0)70 41 84 912
Email: salih_lutolli@hotmail.com
Website: 

Përgatiti për Floripress:Flori Bruqi

TINGUJT E JETËS

Remzi Limani


nga Remzi Limani



Nga tavolina, Amfioni zuri pilotin dhe filloi të shëtiste nëpër programet televizive. Në kërkim e sipër, në ekran u shfaq sigla e një emisioni special, i cili organizohej nga TVSH-ja dhe kishte karakter humanitar që në fakt bënte fjalë për sensibilizimin e njerëzve nevojtarë, me halle e fate të ndryshme. Emisioni titullohej me emrin “Të kam zemër”, ku bëhej fjalë për fatin e një djaloshi 14-vjeçar, i cili vuante nga paraliza cerebrale. O zot! Për çudi, me çfarë fatesh të zeza vishen njerëzit!... Ky djalosh, i cili me vështirësi të mëdha i vargëzonte fjalët për t’i gatuar disi… Kishte vetëdije të plotë për gjendjen e tij, mirëkuptim e dashuri për familjarët dhe, mbi të gjitha, ishte tepër i dashuruar në këngët e këngëtarit të mirënjohur shqiptar - Frederik Ndoci, të cilin e adhuronte tej mase. Prandaj, Televizioni Shqiptar, për dëshirën e djaloshit, në këtë emision të radhës, e kishte ftuar pikërisht idhullin e tij, këngëtarin - Frederik Ndoci, së bashku me bashkëshorten e tij sharmante, e cila po ashtu merrej me kultivimin e këngës. Këta artistë të nderuar, në duet dhe ndaras, kënduan disa këngë të zgjedhura nga repertori i tyre. Me këtë rast, Ndoci e interpretoi baladën domethënëse - “Balada për gurin”, e cila përvajshëm nxirrte klithma e thirrma për dashurinë e humbur, si: Kthema mallin që ma more / se vetëm malli e thyen gurin /. Udhëheqësja e këtij emisioni dukej tepër e këndshme dhe në duart e saja e mbante një faculetë, me të cilën, kohë pas kohe, për dhembjet e fatin e njerëzve hallexhinj, i fshinte lotët, ngase njeriu i mirë ndihej tepër i vogël nga pamundësia për t’i dalë në ndihmë njeriut me halle të mëdha. Prandaj, gjithmonë duhet të lutemi që të jemi të lumtur aq sa jemi të palumtur, sepse koha jonë vazhdimisht e ndërron petkun e gëzimit dhe të hidhërimit – mbështillet me petkun e mbretit dhe me atë të rrogëtarit. Nëpër këto ankesa e kërkesa, nuk duhet të gëzohemi së tepërmi dhe anasjelltas të pushtohemi nga masa e tepruar e hidhërimit, sidomos kur dihet se gëzimi dhe hidhërimi vazhdimisht luajnë shilarthi me njëri-tjetrin. Falë Zotit, ne rrokullisemi nëpër kohë pa ditur se nëpër çfarë rrugësh kalojmë dhe nëpër çfarë hendeqesh do të biem. Prandaj, humanizmi i njeriut për njeriun nuk duhet të mungojë kurrë. Hapësira e kohës sonë i ngjason një tendës së madhe cirku. Koha dhe shoqëria në kohë, sipas dëshirës së tyre dhe pa e përfillur vullnetin e të tjerëve, pa të drejtë i ndajnë rolet. Kështu dhe në këtë mënyrë jeta shndërrohet në një luftë të padrejtë dhe të pabarabartë, në të cilën një pjesë e shoqërisë zhytet në luksin e paparë, kurse pjesa tjetër në errësirën e mjerimit, pa patur mundësi t’i tejkalojë problemet dhe fatkeqësitë e mundshme të vetë jetës… Prandaj, edhe ne, pa dashje bëhemi viktima të një kohe njerkë, pikërisht të asaj kohe dhe shoqërie kur merr erë kundërmuese - pjesa e po asaj shoqërie ndjehet e sëmurë dhe e nëpërkëmbur. Në këto hapësira, ku hija e së keqes e mbulon të mirën dhe njerëzoren, ku korrupsioni e arrin majën e panteonit të asaj shoqërie, atëherë fillon rrënimi i shoqërisë dhe i vetvetes. Dihet se deri më sot, asnjëherë nuk është bërë publike ndonjë kërkesë për njerëzit që janë mjeshtër, ekspertë dhe njohës të mëdhenj të profesioneve të veta - ata zakonisht zëvendësohen me një pjesë të njerëzve me sy të vëngër e tytosh, të cilët janë ekspertë për krijimin e rrëmujave e të pështjellimeve për përfitime personale, pa u brengosur për pozitën e të tjerëve...
Kështu që shoqëria jonë rrezikon të ndahet në dysh, ose në dy lloje njerëzish që rëndom bartin me vete nga një çantë krahu - njëri mban çantën e mbushur me ilaçe, kurse tjetri të mbushur me para të pista. Këta të fundit i janë qasur rrugës së shkurtër, e cila zakonisht përfundon me pjesën e saj të përbaltur. Kjo fatkeqësi, nuk i përbaltë ata që i ranë shkurt, por një shoqëri të tërë, e cila për t’u pastruar nga balta e individëve, kërkon kohë e hapësirë. Në këtë kuptim, njerëzit që kanë më shumë muskuj se mend, urgjentisht duhet të zëvendësohen me të tjerët, ngase si të tillë janë tepër të dëmshëm për çdo shoqëri. Në këtë drejtim, duhet angazhuar njerëz me potencial e resurse mendore, me vlera krijuese - njerëz që kanë njohuri në politikat e menaxhimit të nivelit evropian, sepse nga menaxhimi i keq turbullohen edhe lumenjtë nga politikat mbi natyrën. Prandaj, të bëhemi njerëz të dashur për popullin, ngase ata na vendosën aty ku jemi. Nuk thuhet kot - kur të do populli të do edhe Zoti!...Të dalësh para popullit,
Emisioni humanitar “Të kam zemër”, përfundoi pikërisht në shtëpinë e djaloshit të sëmurë, të cilit ia kishin përgatitur një surprizë për të cilën djaloshi nuk kishte ide dhe nuk mund ta imagjinonte dot. Moderatorja e televizionit dhe këngëtari i preferuar i djaloshit - Ndoci, ishin dakorduar që së bashku të shkonin në familje te djaloshi pa paralajmërim. Tash kishin arritur dhe kishin hyrë në shtëpinë e tij. Frederik Ndoci, rrinte i fshehur në një paradhomë, kurse moderatorja simpatike, me buzëqeshje në ballë, së bashku me kameramanin tashmë kishin hyrë në dhomën e djaloshit, i cili rrinte i ulur në divan. I hutuar nga të paftuarit, mundohej të fliste me sy të drejtuar kah e ëma e tij. Për të mos e maltretuar edhe më shumë, moderatorja iu afrua dhe së bashku me shkëlqimin e buzëqeshjes së saj, u lëshua në divan e mbuzur pranë djaloshit. Me një shikim miklues e fjalë të ëmbla filloi t’ia ledhatonte flokun, fytyrën, faqet dhe duart, pa e ditur djaloshi se atë do ta miklonte edhe muzika së bashku me këngët e tija të preferuara që i kishte për shpirt. Me të gjitha këto të papritura të këndshme për djaloshin me flokë të argjenduara, moderatorja e përqafoi pa fjalë dhe më pastaj iu prezantua. Djaloshit filloi t’i shkëlqente gëzimi në sytë e tij, tashmë të mbushur plot jetë. Moderatorjea, filloi t’ia shpaloste pasionin e tij për këngën duke e prekur ngadalë me një kujdes të veçantë rreth idolit të tij - Frederik Ndocit. Reaksionet e ndjenjave te djaloshi, hetueshëm filluan të lëviznin çdo gjymtyrë në trupit e tij së bashku me muskujt e fytyrës së tij simpatike. Pas pak, një zë i lehtë kitareje, sikur dilte nga ëndrra e kamotshme e djaloshit për t’u shfaqur e gjallë në sytë e tij, prandaj papritmas u shfaq - Frederik Ndoci, si një tempullar fisnik, ecte ngadalë nëpër ëndrrën e djaloshit. Imazhi i tij dhe tingujt magjepsës të kitarës sikur i ndezën të gjitha shkëndijat e mundshme në sytë e djaloshit, tej mase i gëzuar për ëndrrën e tij të cilën tashmë e prekte me dorë. Së bashku me një drithërimë gëzimi që e trazoi këndshëm, djaloshit i shpërthyen të gjitha ndjenjat nga shpirti prej engjëlli. Zëri i Ndocit, ngrehu këngën në kupë të qiellit, duke i larguar të gjitha energjitë negative nga trupi i djaloshit që tashmë rrezatonte një energji pozitive në tërë rrethin e tij familjar.

Në pjesën e poshtme të ekranit, filluan të ecin titrat, me të cilat paralajmërohej fundi i emisionit që tek Amfioni la një kujtim dhe përshtypje me emocione të përziera. Pas pak, ekrani u vesh me bojë qielli, së bashku me orën e madhe digjitale të vizatuar në sfondin blu, paralajmëronte kohën e lajmeve të mesditës.

BALADË E NËNAVE TË KOSOVËS QË PRESIN FËMIJËT E ZHDUKUR


Nga ELIDA BUÇPAPAJ


Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin zgjuar,
që nuk vënë gjumë në sy
prej katër vitesh,
që nuk e njohin më gjumin,
as natën as ditën,
që vigjëlojnë
natën dhe ditën
në pritjen e pafundme,
që matet me sekonda,
minuta, orë,
ditë, javë, muaj,
kur ndërrohen stinët,
në verë dhe dimër,
kur vjen Viti i Ri,
kur vijnë ditëlindjet
e 3500 djemve.

Janë 3500 Nëna Shqiptare
që presin
me sy të skuqur prej lotëve,
që rrjedhin
si burime të pashterrëshme,
me sy që nuk mbyllen kurrë
prej nga burojnë ujvara lotësh,
që kthehen në burime drite
për të kërkuar
dhe gjetur
loçkën e zemrës.

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin 3500 djem
Që janë 3500 bij,
Që janë 3500 vëllezër,
Që janë 3500 burra,
Që janë 3500 bashkëshortë,
Që janë 3500 etër
Për të paktën 10.000 fëmijë
Që presin përkëdheljet
e etërve të tyre,
Apo që presin të lindin,
Sepse Kosova
është tokë pjellore
dhe e bekuar
që lind shumë fëmijë…

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin
kthimin e djemve të tyre,
Që qendrojnë me zemra
të ngrira,
akull,
Me zemra të dridhura,
sikur mbajnë tërmetin

Janë 3500 nëna Shqiptare
që qëndrojnë si statuja
me vështrimin
e ngulur nga dritarja,
me vështrimin
e ngulur tek dera,
se ja,
mos hapet dera
dhe vjen djali,
se ja
mos troket dera
dhe vjen lajmi s
e djali u gjet i gjallë,
sepse beson se Zoti
prej dashurisë që ka zemra e nënës
mund t’ia rikthejë jetën
loçkës së saj,
prej një grusht eshtrash
mbuluar nga dhéu i huaj,
që rëndon
si mal
mbi trupin e djalit
dhe zemrën e nënës.

Janë 3500 nëna Shqiptare
që presin,
pritja e tyre
nuk shterr kurrë,
durimi i tyre
nuk shterr kurrë,
për të pritur
që loçkat e tyre
më në fund
le të kthehen në shtëpi
sepse ka tri vjet
që lufta ka mbaruar,
dhe lufta kur mbaron,
mbaron për të gjithë,
Atdheu është i bekuar
për të gjithë bijtë e tij,

liria është e bekuar
për të gjithë bijtë e saj,
edhe për 3500 djemtë
e nënave Shqiptare
edhe për 3500 uraganët
e mbuluar nga heshtja
dhe harrimi i vëllezërve
të një gjaku,
liria është e bekuar vetëm
kur vëllezërit e një gjaku
shndërrohen me zemër
në 3500 djemtë uraganë
të 3500 nënave shqiptare
kthyer në 3500 Statuja Lirije
që presin pa shterrje,
pa shterrim deri në vetmohim,
deri në vetsakrificën sublime,
liria nuk është e bekuar
kur vëllezërit e një gjaku
i mbulojnë me harrimin e rëndë
si dheu i huaj
3500 djem uraganë shqiptarë
dhe 3500 zemra nënash,
që me mallkimet e tyre shkaktojnë tërmete,
ndërsa me bekimet
paqen dhe qetësinë që i duhet Atdheut…

-------

Kur është shkruar kjo baladë mungonin 3500 shqiptarë, sot mungojnë 1900, por edhe ata që janë gjetur gjatë këtyre 11 viteve, asnjë s’ka qenë i gjallë

Frymëzim, bindje, kontestim, zhgënjim, refuzim apo ikje drejt disidencës

Gjatë më shumë se pesë dekadave, qëkurse vepra e Ismail Kadaresë fitoi vëmendjen e opinionit dhe të studimeve, nuk ka mbetur cilësim e kundërcilësim pa u përdorur, prej madhështimit deri tek nënçmimi e refuzimi.
Në dy dekadat e fundme, më shumë se për strukturën e brendshme të veprës së Kadaresë, është debatuar për disa raporte më të përgjithshme, si letërsia dhe shteti e pushtetet; letërsia dhe politika e ideologjia; shkrimtari dhe liria e censura; dhe kjo cilësimet vetëm i ka shtuar.
Ky harxhim i pakursyet i vlerësimeve dhe qortimeve i ka zhvleftësuar këto mjete, qoftë dhe për një jubile. Dhe kjo është arsyeja që në këtë trajtesë do të jetë në vështrim një çështje deri-diku e mbrojtur prej këtij rreziku, ajo e hetimit të një strukture të qendrueshme, të brendshme dhe të padukshme të veprës së tij.
Prej vitit 1954, kur botoi librin e tij të parë, “Frymëzime djaloshare”, deri në këtë përvjetor; rezulton se Ismail Kadare i ka provuar e zhvilluar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë, prej skicës e reportazhit deri tek romani e drama, me përjashtim, ndoshta, të komedisë. Veprës së tij nuk i mungon asnjë epokë: parahistorike e historike e popullit shqiptar, prej kohërave të mjegullta mitologjike, periudhës parakombëtare, kohës së formimit të vetëdijes etnike, epokës së humanizmit europian, shekujve të vështirë perandorakë dhe periudhës historike, deri tek bashkëkohësia dhe sezonet politike të sotme.


Prej fillimit të viteve 1970, saktësisht në mesin e asaj dekade, në punën krijuese të Ismail Kadaresë paraqitet qartë një dukuri e re: veprat e tij gjithnjë e më shumë hyjnë në lidhje të forta me njëra-tjetrën, organizohen në diptikë e triptikë, në trilogji; duke qenë jo vetëm formalisht bashkë nën një titull, por dhe në kushtëzime të forta me njëra-tjetrën. Botimi i fundmë i veprës së plotë të tij, me një pranëvendosje të pranaur edhe nga autori vetë, shpesh duke e shpërfillur kronologjinë dhe duke iu përmbajtur kryesisht kriterit të afërsisë a fqinjësisë strukturore, e bën më të dukshme këtë dukuri.


E vështruar në mënyrë prapavajtëse, pas 55 vjetësh krijimtari, vepra e Ismail Kadaresë mund të cilësohet një projekt letrar, që u nis si frymëzim dhe po kryhet e përkryhet si një mjeshtëri. Në tërësi veprat e Kadaresë ruajnë pavarësinë relative ndaj njëra-tjetrës dhe njëherësh kanë një vend të përcaktuar në kuadër të së tërës. Kjo ka ndodhur shumë rrallë në historinë e letërsisë shqipe dhe në atë botërore. Honoré de Balzac, kur nisi të shkruante novelat dhe romanet e para sentimentale-romantike, si “Lëkura e shagrenit” (“La Peau de chagrin”) dhe “Kolonel Shaberi” (“Le Colonel Chabert”) nuk kishte në mendje të realizonte atë projekt që shumë kohë më vonë ai vetë do ta quante “Komedia njerëzore” (“La Comédie humaine”); tërësi në një, dhjetëra romane e novela sa të pavarura aq dhe të ndërvarura.
Pikërisht kjo është cilësia përcaktuese që mund të vërehet duke studiuar trashëgimin letrar të Ismail Kadaresë. Ajo është një vepër ku çdo njësi ka vendin e vet në të tërën, pavarësisht se shkruar në kohë politike e poetike krejt të ndryshme: në kushte të kufizimit e të lirisë, në kushtet e frymëzimit dhe të refuzimit, në kushtet e kontrollit e të censurës, apo në kushet e lirisë së plotë krijuese.
Struktura e qendrueshme mbikohore dhe organiciteti i veprës letrare të Ismail Kadaresë shpërfaqen qartësisht duke vërejtur se ajo është e disiplinuar në cikle me koherencë të brendshme dhe me lidhje të ndërsjellta mes tyre. Ashtu si rreshtohen me rregullsi të përcaktuar përbërësit e një forme të jetës së gjallë, ashtu krijojnë rregullsitë e tyre të përsëritura në mënyrë të ligjshme në strukturën e përgjithshme të veprës njësitë e saj.


Pa ndonjë vështirësi, nëse struktura e brendshme e veprës së Ismail Kadaresë bëhet pyetje themelore shkencore, mund të dallohen këto cikle të qendrueshëm të saj:

1. Cikli i veprave me motiv apo shkas biografinë e shkrimtarit, në pjesën më të madhe edhe vendlindjen, ngjarjet dhe përvojën e jetës vetjake të tij; cikli me të cilin për herë të parë Ismail Kadare shpall kalimin prej poezisë në prozë, me romanin “Qyteti pa reklama”, shkruar më 1959 dhe botuar pas një gjysmë shekulli. “Çështjet e marrëzisë” mund të konsiderohet vepra e fundme deri më tani e këtij cikli, ku autobiografizmi dhe vendlindja vënë shenjën e bashkimit dhe krijojnë nyjat e ndërlidhjes.

2. Cikli i veprave me motive etnografike, që rezulton i identifikuar si prirje qysh me romanin “Kronikë në gurë” dhe merr formën më të plotë me romanet “Prilli i thyer”, “Një dosje për Homerin” dhe vepra të tjera, si “Konkurs bukurie burrash në Bjeshkët e Nemuna”. Etnografizmi pa dyshim mbetet një prej shpjegimeve të suksesit të veprës së I. Kadaresë në Perëndim. Bota shqiptare, identiteti shqiptar, psikozat etnike dhe komplekset kombëtare, hershmëria dhe papërsitshmëria e qytetërimit, kishin një traditë të mëhershme në njohjen e Shqipërisë në Europë, por I. Kadare e ndryshoi ekzotizmin e kësaj tradite.
3. Cikli i romaneve me motive mitologjike, shqiptare e klasike; një cikël që zhvillohet fillimisht si një aventurë estetike qysh në mesin e viteve 1960, me librin e ndaluar “Përbindëshi”, dhe bëhet dominues sidomos gjatë viteve 1970, me romanet “Ura me tri harqe” e “Kush e solli Doruntinën”, për të cilët fondi i baladave shqiptare të periudhës arbërore të flijimit dhe ringjalljes shërben si një paratekst kushtëzues; në strukturën e veprës së Kadaresë formon një përbërëse që rregullon ekuilibrin e brendshëm dhe ndërkohor të saj.

4. Cikli i veprave me pretekst jetën e ish-perandorisë osmane, me romanet “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Qorrfermani”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Komisioni i festës”, “Sjellësi i fatkeqësisë” dhe mjaft vepra të tjera, përmes të cilave shkrimtari ndërtoi paralele të qarta midis totalitetit të teokracisë dhe totalitetit të ideokracisë; megjithëse i afërt me ciklin mitologjik dhe jo larg një cikli tjetër veprash si ato me nxitje prej pamjes vertikale të historisë, funksionalisht dhe përmbajtësisht ka pavarësinë e vet.
5. Cikli romaneve me pikënisje historinë, që gjithashtu i jep fytyrën e vet prozës së Kadaresë qysh në vitin 1962, me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vijuar me vepra të tjera dekadë pas dekade, prej “Nëntorit të një kryeqyteti” deri tek “Darka e gabuar”, megjithëse nuk mund të quhen në kuptimin e ngushtë të fjalës romane historikë, ka homogjenitetin e vet nënstrukturor.
6. Cikli i veprave me një paralele të dukshme jetën historike-politike bashkëkohore, një prej cikleve më të debatueshëm të veprës së Kadaresë, ku mund të përfshihej pjesa më e madhe e vëllimeve poetikë, me “Përse mendohen këto male” e “Shqiponjat fluturojnë lart”, me “Endërr industriale” e “Motive me diell”, por dhe me disa vepra të mëdha në prozë, fillimisht të menduara si një trilogji, apo “triptiku i sfidave”, me romanet “Dimri i vetmisë së madhe” e “Koncert në fund të stinës”; si dhe triptikun “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi” e “Hija”; ka mëvetësi jo vetëm përmbajtësore (rimarrje karekteresh nga një vepër në tjetrën, rikthime kohë pas kohe tek një motiv zanafillës), por edhe estetike.
7. Cikli i letërsisë eseistike, një cikël me prirje dhe karakter panoptik, për çështje letrare, shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, bashkëkohore e ndërkohore, i nisur qysh në vitin 1971, me botimin e sprovës “Autobiografia e popullit në vargje” dhe e vijuar me “Ardhja e Migjenit në letërsi”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Hamleti, princi i vështirë”, deri tek eseja më e debatuar gjatë dekadës së fundme “Identiteti europian i shqiptarëve”, integrohet në trashëgimin letrar të Ismail Kadaresë duke ruajtur lidhje horizontale mes tyre dhe vertikale me veprën letrare.
8. Cikli i letërsisë dëshmuese, një cikël me karakter sinoptik, me një numër veprash që vit pas viti qartësisht e mëvetësuan si të tillë, si cikël, në dy dekadat e fundme, me veprat “Nga njëri dhjetor në tjetrin”, “Pesha e kryqit”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Bisedë përmes grilash”, “Kohë barbare”, “Letërkëmbim me Presidentin” etj., paraqet një rikthim tjetër të autorit tek të dhënat jetësore dhe u jep mundësi studiuesve të krahasojnë artin dhe ngjarjen, ndikimet e ndërsjellëta mes tyre.

Kjo ndarje në cikle lejon të kuptuarit e karakterit jorastësor të cilësdo nyje, duke përfshirë dhe nyjet më të vogla, të veprës së I. Kadaresë. Ciklet kanë pavarësi dhe ndërvarësi prej njëri-tjetrit, kanë prerje të përbashkëta dhe jo mure ndarës. Romani “Kronikë në gur” mund të përfshihet njëherësh në ciklin autobiografik, në ciklin historik dhe në ciklin perandorak. Romani “Muzgu i perëndive të stepës” mund të përfshihet në ciklin mitologjik po aq sa në atë autobiografik apo politik. Romani “Rrethimi” mund të përfshihet në ciklin historik, po aq sa mund të bashkohet me letërsinë mitologjike dhe deri-diku edhe me ciklin perandorak. Secilit prej këtyre cikleve mund t’u gjenden jo një, por vepra ku mund të shembëllehen: ciklit autobiografik mund t’i bëhej përfaqësim “Koha e shkrimeve”, ciklit etnografik “Prilli i thyer”, ciklit mitologjik “Kush e solli Doruntinën”, ciklit perandorak “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, ciklit historik “Kështjella” apo “Rrethimi”, ciklit politik “Koncert në fund të dimrit”, eseistikës “Identiteti europian i shqiptarëve” dhe prozës dëshmuese “Nga njëri dhjetor në tjetrin”, për të përmendur vetëm nga një prej tyre.

Megjithëse e organizuar me një disiplinë të tillë, që lexuesit të sotëm gjithë kjo trashëgimi t’i paraqitet si një program i vetëm, vepra e Ismail Kadaresë është e hapur, ciklet kryesore të saj vazhdojnë të pasurohen nga një vit në tjetrin, në tabelën e këtij programi ka vende që paramendohen për t’u plotësuar ashtu si në tabelën e përgjithshme të elementëve të botës ku jeton njerëzimi.
Duke vërejtur cilësitë njësuese nënstrukturore dhe strukturore në tërësinë e asaj trashëgimie që ka propozuar mendja krijuese e Ismail Kadaresë, pyetja nëse ka ekzistuar një projekt i tillë qysh në krye të udhës është e pashmangshme. Gjithashtu dhe një përgjigje naive është krejt e gatshme: në periudhën ideokratike letërsia ishte projekt ideologjik, talenti i nënshtrohej programit politik, dhe kështu ky projektim parapavajtës i veprës së tij në studime nuk ka asgjë për habi, sepse ka ardhur prej kontrollit apo prej programit ideologjik. Në të vërtetë, krejt në të kundërtën, vepra e I. Kadaresë mund të shihet si një projekt vetëm artistik, që i ka ruajtur qerthujt e saj si baraspesha të mëdha të yllësisë së vet, me një shpërfillje evidente ndaj ndryshimeve të mëdha e të vogla të stinëve politike dhe të ideologjive sunduese.
Kjo nuk do të thotë se rruga krijuese e Ismail Kadaresë është drejtvizore gjatë më shumë se një gjysmë shekulli. E nisur si një vepër frymëzimi, qysh në vitin 1961 I. Kadare dhe brezi të cilit ai iu bë fytyrë refuzuan estetikisht një poetikë të vjetëruar dhe të konsumuar, duke sjellë ndryshimin më të madh të gjysmës së shekullit të 20-të në vjershërimin në gjuhën shqipe në Shqipëri. Refuzimi estetik do të shfaqej njëkohësisht dhe në vëllimin “Lirika” botuar në Moskë nën kujdesin e kritikut strukturalist David Samiolov, i cili do të ishte i detyruar të shenjonte në hyrje se ky shkrimtar është nën ndikimin e dekadencës poetike euro-perëndimore. Provokimi estetik do të vijohej pa shumë vonesë prej tij edhe në prozë, me romanin e shthurur “Përbindëshi”, ndërkohë që proza tjetër e asaj dekade, sidomos poezia, vazhdonin të shprehnin bindje.

Botimi i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” në Francë në vitin 1971, dështimi i stinës së shkurtër të liberalizmit në vitin 1972, fushata e egër popullore ndaj romanit “Dimri i vetmisë së madhe” më 1973, ndalimi i poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” më 1975, janë shpallja e zhgënjimit dhe hap pas hapi edhe e konfliktit të shkrimtarit me pushtetet dhe me doktrinën e tyre për letërsinë. Në një fazë të mëvonshme në veprën e Ismail Kadaresë shfaqet refuzimi i bashkëkohësisë, privilegjit të letërsisë së realizmit socialist, dhe arratisja në hershmëritë e kohëve të fisnikërisë arbërore, si një tjetër formë refuzimi të politikave dhe përparësive shtetërore në letërsi. Ndërsa romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Koncert në fund të stinës” shenjojnë pa dyshim kalimin prej bindjes në dyshim, prej dyshimit në zhgënjim, prej zhgënjimit në revoltë e refuzim dhe prej refuzimit në mënyrë përfundimtare në disidencë. Vëllimi i 11-të i veprës letrare të Kadaresë nuk u botua kurrë, sepse aty duhej të gjendej “Nëpunësi”, për të cilën shkrimtarë, kritikë, relatorë, mbikëqyrës, funksionarë dhe autoritete të larta politike shkresërisht qenë shprehur se autori duhet ta harrojë një herë e mirë, bashkë me “Koncertin në fund të stinës”. Dëshmia më e drejtpërdrejtë e përjashtimit të kësaj vepre prej letërsisë së pranuar të Kadaresë është fakti që ky vëllim, edhe pasi kanë kaluar tri dekada prej kohës së përgatitjes, megjithëse vëllimi i 12-të u botua, asnjëherë nuk e zuri vendin e vet të lënë bosh si një plagë e hapur.

Periudha e fundme e krijimtarisë së I. Kadaresë, periudha e lirisë, e cila vuri në vështirësi krijuese disa breza shkrimtarësh, duke përfshirë dhe më të rinjtë, projektit të veprës së tij nuk i shkakton as të krisura dhe as çekuilibre: të tetë ciklet vazhdojnë të pasurohen me rregullsinë e brendshme të veprës: “Kronikë në gur” dhe “Darka e gabuar” mund të qendrojnë pranë njëra-tjetrës pa iu druajtur efekteve të “kohës së përmbysjes”, ashtu si mund të qendrojnë denjësisht pranë e pranë “Çështjet e marrëzisë” dhe “Koha e shkrimeve”, “Identiteti europian i shqiptarëve” dhe “Ardhja e Migjenit në letërsi”, “Tri këngë zie për Kosovën” dhe “Krushqit janë të ngrirë”.
Pyetja nëse vepra e Kadaresë mori në mënyrë të vetëdijshme karakterin e një projekti në një çast të caktuar të krijimtarisë së tij, apo fund e krye erdhi si e tillë në mënyrë të vetvetishme do të merrte një përgjigje duke iu referuar të dhënave të jetës krijuese të shkrimtarit. Vetëm në mesin e viteve 1970 Kadare flet për herë të parë për trilogji, triptikë, grupe veprash të ndërlidhura mes tyre, dhe kjo është koha kur shkrimtari mund të ketë menduar për pasurimin e cikleve themelorë të veprës së tij. Kjo ka një ngjashmëri me frymën e shkrimeve biblike, ku e shkuara kushtëzon të ardhmen, ndodhia e re gjen shpjegim prej profecisë së vjetër, e parathëna e një breznie gjen konfirmin në jetën e brezit tjetër. “Në Besëlidhjen e Vjetër Besëlidhja e Re është fshehur. Në Besëlidhjen e Re Besëlidhja e Vjetër është shpallur” (Northrop Frye, “Kodi i madh - Bibla dhe letërsia”, London 1982, p. 78).
Një vepër e shkruar në mjedise dhe gjendje kohore nga më të ndryshmet, pavarësisht se cili ishte raporti i shkrimtarit me kohën: frymëzim, bindje, kontestim, zhgënjim, refuzim apo ikje drejt disidencës; dhe megjithatë ruan organicitetin e vet, formon një letërsi të madhe dhe është shprehje e një gjenie krijuese.
SHABAN SINANI

(TITULLI I REDAKSISË FLORIPRESS)

Shaban Sinani: Besa nuk ka lindur me shqiptarët



NGA ALMA MILE

Përpara se të krijoheshin etnitë, përpara se të ndaheshin kufijtë, ishte fjala, ishte kënga, ishte rapsodi që me lahutë i këndonte trimit me mustaqe të gjata që luftonte shkjaun, bajlozin, apo katallanin.
Pikërisht aty, tek i quajturi epos, gjen gjurmët e krijimit të së “ndryshmes”, etnikes. “Etnos në epos” është studimi monografik i prof. dr. Shaban Sinanit, që sapo ka dalë në qarkullim së fundmi.
Pas një studimi 15-vjeçar, ndërsa përgatitet dosja për përfshirjen e epikës legjendare shqiptare në listën e trashëgimisë botërore, Sinani na tregon rrënjët e etnosit në epos, dallimin e eposit shqiptar nga ata të huaj, temat, heronjtë, por edhe disa “fjalë-kyçe”, të cilat kanë një peshë të veçantë në jetën shpirtërore të shqiptarëve. Një ndër to është edhe fjala “besë”, e cila nga shumëkush trajtohet si një fjalë mirëfilli shqiptare, madje e papërkthyeshme. Në një intervistë, Sinani sqaron disa prej çështjeve të trajtuara në libër.
Sapo ka dalë nga botimi një monografia juaj, për të cilën keni punuar 15 vjet dhe përkon me përgatitjen e dosjes për përfshirjen e epikës legjendare shqiptare në listën e trashëgimisë botërore. Cili ka qenë qëllimi juaj parak?

Libri “Etnos në epos” është një studim monografik, që vijon punën që pata bërë në kohën e mbrojtjes së doktoratës (“Mitologji në eposin e kreshnikëve”, 1998) e më herët, në një shkallë më të thelluar. Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë lidhje funksionale me nismën e ndërmarrë dy vjet e gjysmë më parë nga qeveria e Kosovës për t’i propozuar UNESCO-s regjistrimin e epikës legjendare shqiptare në një prej programeve të saj për promovimin ndërkombëtar të pasurisë shpirtërore (jomateriale) të njerëzimit. Kur u ndërmor kjo nismë dhe më caktuan në përbërje të grupit të punës për përgatitjen e dosjes shkencore, mendova se një monografi që synon të ndriçojë kushtëzimin etnos-epos mund ta bënte atë më të shëndetshme shkencërisht. Tani kjo është një punë e përfunduar dhe mund të kryejë detyrën e vet, pavarësisht se si do të ndërrohet nisma që përmenda, e cila kohët e fundme ka pësuar disa ndryshime në shkallën administrative.
Qëllimi im parësor ka qenë që, përmes mjetesh filologjike, përmes formulave të ngurtësuara apo shprehjeve klishe, siç i quajnë themeluesit e teorisë së oralitetit, M. Parry e A. Lord; përmes idiomave me kuptim të mbyllur dhe fjalëve të shkuptimësuara, përmes “sintagmave shëtitëse”, të mbërrihet deri tek një thelb zanafillës, tek shtresa e kryehershme, që lejon të vërehen raportet e dy dukurive parakombëtare, etnisë dhe epit, gojëdhënës së origjinës. Me mjete historiografike kjo nuk do të kishte qenë e mundur të bëhej, për më tepër do të ishte metodologjikisht e gabuar, sepse kur lind historia, eposi e mbaron misionin e vet dhe thjesht trashëgohet si pasuri shpirtërore.
Pse kjo pjesë e trashëgimisë gojore shqiptare duhet të merret në mbrojtjen e UNESCO-s?

UNESCO, në konventën e saj për trashëgiminë, merr në mbrojtje pasuritë e papërsëritshme të kulturave të popujve, të mëdhenj e të vegjël; me qëllim që ato të bëhen të njohura dhe të përcjellshme mbi kufijtë që paracakton gjuha. Epika legjendare shqiptare ka cilësi artistike origjinale. Ajo është e fundmja epope në Europë që është ruajtur vetëm në formë gojore. Kodifikuesit e parë të eposit shqiptar janë fretnit franceskanë (veçmas B. Palaj e D. Kurti) dhe dy homerologët amerikanë M. Parry e A. Lord. Epika legjendare shqiptare ka rëndësi parësore për studimet teorike mbi trashëgiminë gojore, për çështjen homerike që trazon ndër shekuj e mijëvjeçarë mendimin njerëzor, për ndikimin e tejshkrimeve letrare në ngurosjen e epopesë, për rolin e rapsodëve dygjuhësh në krijimin e lidhjeve dhe ndikimeve tek popujt fqinjë dhe për shumë çështje të tjera.
Për një shumicë studiuesish është e pabesueshme që eposi shqiptar edhe sot bën jetë të gjallë dhe paraqitet në jetën e popullit pa regji, pa inskenime, pa improvizime. Kjo mbijetesë e epit shqiptar u ofron studiuesve e antropologëve mundësi të pafundme kërkimesh dhe krahasimesh. Por, nuk është vetëm interesi ndërkombëtar që e bën këtë pasuri të denjë për mbrojtje prej UNESCO-s. Epika legjendare shqiptare, mekanizmi krijues i së cilës mbyllet me ciklin e këngëve kushtuar betejës së Fushë-Kosovës (1389), kur për herë të parë shfaqen kufij të përcaktuar kohorë e mjedisorë; është një rezervat i vërtetë mjetesh të shprehjes, që ofron pasuri të shkëlqimta për etnologët, filologët, gjuhëtarët, për dijen shqiptare në përgjithësi. Nga kjo anë, eposi mbetet ende i pastudiuar.

Çfarë të dhënash na ofron eposi shqiptar mbi “ngjizjen” e etnosit shqiptar?
Eposi ofron burime për të arritur deri tek të dhëna etnodalluese të shkallës fillestare. Në epos nuk ka heronj historikë, por heronj kulturorë. Në epos nuk ka shqiptarë në kuptimin etnonimik të fjalës, as arbër, as ilirë. Heronjtë kulturorë të botës vendëse dallojnë qartë tjetrin, që mund të jetë, sipas etnonimeve që përmban vetë rapsodia: shkjau (sllavi), jelini (heleni, greku), harapi-harambashi (arabi), maxharri (hungari), ltini (latini), jevrenia (hebreja), osmani (turku), miskovi (rusi), tali (italiani), katallani (spanjolli, katalonjasi), frangu (frëngu, francezi), gumani (igumeni), allamani (gjermani), madje dhe kujtim i ndonjë bashkësie që mbetet e paqartë në rrjedhat e shekujve (si uskokët, për shembull). Por, për vetidentifikim në epos, heronjtë mjaftohen me shenjën se flasin “në gluhë të vet”, vishen “në veshën e vet” dhe kjo është shkalla më e hershme e njohjes së dallimit të bashkësisë.
Eposi shqiptar, duke pasur si shtresën më të hershme të konfliktit ardhjen e sllavëve në Ballkan, përkon me daljen e etnisë së re prej burimit protoshqiptar, që historikisht lidhet me shekullin e 7-të, kohë kur lind shqipja e shuhet ilirishtja; kohë kur ndodhin disa dallime themelore midis rendit gjuhësor të toskërishtes dhe atij të gegërishtes, si dhe veçimi i dy makro-njësive etnografike shqiptare (Toskëri e Gegëri). Pavarësisht se kur epika popullore legjendare shqiptare mori përmasën e një trashëgimie themelore të stabilizuar, për çka studiuesit kanë mendime të ndryshme, kujtimi më i hershëm dhe sundues i saj është pikërisht i kohës kur lind dhe etnia e re: albane, arbëre më vonë dhe prej fundit të shekullit të 17-të – shqiptare.
Në monografinë tuaj merreni me disa fjale kyçe, mes të cilave edhe “besa”. Është ajo vërtetë një fjalë e “papërkthyeshme” në gjuhët e tjera dhe që merr apo ka kuptim vetëm si e tillë në shqip?

Më ka interesuar një krahasim i tre stileve më të hershme të ligjërimit shqip parashkrimor: ligjërimit biblik-ungjillor, ligjërimit epik-legjendar dhe ligjërimit etnojuridik. Të tre këto ligjërime, duke i vështruar në një krahasim të brendshëm në epikën legjendare, lejojnë të arrihet në përfundime se si kanë ndikuar, implikuar, shmangur njëri-tjetrin, si një koncept fetar është kthyer në vlerë poetike, si një vlerë poetike është kthyer në nocion etnojuridik. Këto ndikime nuk mund të dalin në dritë as prej fjalorësh etimologjikë, as prej fjalorësh të historisë së fjalës, sepse shenjat e tyre ruhen vetëm në trashëgimi të mbyllura, siç është epika legjendare. Një prej këtyre fjalëve-çelësa që ka qenë e pashmangshme në këtë krahasim, ishte fjala “besë”. Para së gjithash, kjo fjalë jo vetëm që nuk është e papërkthyeshme, por, siç ka shpjeguar E. Çabej, është e një burimi indoeuropian. Së dyti, siç del prej përdorimit të saj në këngët epike legjendare, “besë” nuk është as fjalë e parme, shenjë e sigurt, se është krijuar vonë, si të gjitha fjalët me kuptim abstrakt. Besa nuk ka lindur bashkë me shqiptarët, sikundër trajtohet në studime postromantike, madje as gjuhësisht nuk ka lindur para shqiptarëve.
Besa është një kategori historike, që u shfaq ndër shqiptarët në një kohë kur lindi vetëdija e tejkalimit të kufijve të zotërimeve të familjeve patronimike. Në studimin tim besa shihet si kategori e të besuarit, si kategori etike dhe si normë etnojuridike. Ajo del për herë të parë në formë të shkruar si folje, “bessare”, në “Statutet e Shkodrës” (1469), dhe ka kuptimin e dëshmisë së besueshme. Dekodifikimi i nocioneve të tilla si besa, fjalë të cilën Sami Frashëri e përdorte për “fe, besim”, është i nevojshëm për procesin e vetënjohjes dhe të zhvillimit pozitiv të mendësisë njerëzore. Absolutizimi i besës si dukuri shqiptare shumë lehtë mund të çojë në kompleks epërsie, që është po aq i dëmshëm sa dhe ai i vetëpërçmimit. Në fund të fundit, miti i fjalës është një mit biblik, që e ka gjithë njerëzimi (“Në fillim qe Fjala”). Dhe më tej, miti i fjalës, i mbitheksuar në mënyrë etnocentriste, është mbitheksim i një miti të një kulture parashkrimore.

Jo rrallë herë kemi dëgjuar debate për vjedhje, apo huazime këngësh epike mes ballkanasish, si qëndron e vërteta? I kemi huazuar, na i kanë huazuar, apo janë ca tema apo motive “migratore” që i gjen në të gjitha këto vende?
Mendoj se kjo ka qenë një prej grackave që kanë mbajtur dijen shqiptare në një kurth qindvjeçar. Lufta për mbrojtjen e epopesë i ngjan një skajimi të frymës luftarake të vetë eposit. Epose të pastër nuk ka asnjë popull. Sot dija europiane e shtron çështjen e ndikimeve në formën e pyetjes “voisinite, affinite et fraternite” – “fqinjësia, afërsia apo vëllazëria”, kush ka ndikuar më shumë. Ngjashmëritë midis eposit sllav dhe eposit shqiptar janë të papërjashtueshme. Studiuesit në këtë rast më shumë i intereson origjinaliteti i epopesë kombëtare, se lufta për primatin, që është një luftë fanatike dhe jo laike-shkencore.
Eposi shqiptar ka si përparësi themelore hershmërinë. Klani i Qyprillinjve (“Koprülü”), që sundoi për gati një shekull perandorinë osmane, nuk ka lënë shenja në eposin shqiptar, sepse mekanizmi i tij nuk vepronte më; por, në eposin e sllavëve të jugut Æupriliæ veziri ka një cikël më vete këngësh heroike legjendare. Në traditën shqiptare nuk vërtetohet tipi i rapsodit që këndon me pagesë në saraje, si ndër sllavët. Rapsodi shqiptar ka ruajtur deri në kohët moderne një sjellje “të shëkrueme”, sipas një fjale të Buzukut, një sjellje sakrale ndaj heronjve, të cilët nuk vdesin, por mbyllen në shpellë dhe atje jetojnë përtej-jetën. Kurse në eposin e sllavëve të jugut, “hrnjiæki brati” kanë varre pelegrinazhi popullor në Banja Luka.
Diku citoni Nopscen që ishte i mendimit që Shqipëria të “izolohej” për ta ruajtur trashëgiminë gojore të paprishur, si ju duket kjo ide?

Po, ka pasur albanologë, si F. Nopsca, por edhe Rose Lane, që kanë propozuar të muzealizohet gjendja e prapambetur e Shqipërisë, të kthehet ky vend në një muze të gjallë të së shkuarës kalorësiake, me qëllim që Europa metropolitane t’u japë mundësi brezave të rinj të shohin të shkuarën e stërgjyshërve të tyre. Rose Lane shprehimisht thotë se “unë jam reaksionare” dhe nga kjo mënyrë të menduari e propozoj këtë. Në të vërtetë, pavarësisht se një pjesë e albanologëve të huaj e kanë idealizuar dhe hyjnizuar “virtytin shqiptar”, dhe mjaft studiues vendës u kanë rendur prapa me shumë zell shkence të rreme atdhetare, projektet e tyre kanë pasur si qëllim ngrirjen e së sotmes, ndalimin e kohës, monumentalizimin e prapambetjes.

Skeda e librit
Titulli: “Etnos në epos”
Autor: Prof. dr. Shaban Sinani
Shtëpia botuese: “Naimi”
Gjinia: Studim monografik
Nr. i faqeve: 240 faqe
Çmimi: 800 lekë/ 8 euro
Viti i botimit: 2011

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...