Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/30

Enigma nga pellazgët te shqiptarët - Libër nga Robert d'Angely



Ky libër është shkruar me qëllimin, që t’i shërbejë si hyrje historike një gramatike etimologjike të krahasuar dhe një fjalori etimologjik të krahasuar të gjuhës shqipe. Kërkimet dhe studimet janë bërë për këtë qëllim.
Në këtë vepër ne paraqesim një pamje të përgjithshme të së kaluarës së madhe që ka pasur populli i vogël shqiptar i sotëm, të cilin me të drejtë ne e konsiderojmë si popullin më tipik arian dhe si popullin më të lashtë të Europës që nga emri i vet etimologjikisht. Me gjithë këtë lashtësi të madhe, kjo e kaluar e shqiptarëve është pothuaj e panjohur si në Francë, ashtu edhe në botën tjetër, dhe nuk del as në historitë tona të përgjithshme ose universale, as në broshurat e veçanta.

E megjithatë kjo është një histori e gjatë dhe e rëndësishme e këtij populli, të ngulur në rrugën e tij që prej origjinave më të lashta të njeriut, dhe me gjithë pushtimet e me goditjet nga jashtë, që kanë bërë të rrudhen dhe të zhduken pak nga pak kufijtë e shtrirjes së gjerë, që ai zinte rreth gjithë pellgut të Mesdheut, ai prapë ka mundur të shtrihet dhe të mbahet në strehën e vet të vogël e të fundit, që ndodhet në caqet e trevës që zë ende sot, me mundime të mëdha, larg kryqëzimeve të mëdha të përleshjeve të mirëfillta kontinentale. Ai ka mundur të ruajë në këtë strehë, nën mbrojtjen pikërisht të përndjekësit të tij të fundit e më të egër – turkut – dhe në epokën tonë na ofron një shfaqje pothuaj unikale të një zgjimi pothuaj të mrekullishëm dhe një zhvillim origjinal të jashtëzakonshëm.

E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët - Libër nga Pashko Vasa



(Një studim kritik historik)

Ashtu si jeta e individëve të veçantë, po ashtu edhe jeta e kombeve i është nën-shtruar ndryshimeve të mahnitshme. Koha – kjo barazuese e madhe e të gjitha gjërave dhe qenieve, ia nënshtron gjithçka, çfarë jeton dhe merr frymë, të njëjtave ligje. Ne shohim kudo të njëjtin ligj të rritjes, të venitjes, - ligjin e transformimit.
Të gjithë popujt duhet të kalojnë të njëjtën rrugë zhvillimi; të gjithë i paguajnë fuqisë së kohës tributin e tyre. Te të gjithë, shikojmë ne ngritje dhe rënie.
Ekzistojnë popuj, që pas periudhave të bumit dhe pasurisë, të fuqisë, janë shkatërruar, megjithatë në histori, - brezat e ardhshëm, kujtimin për ekzisten-cën e tyre dhe për rangun e tyre të dikurshëm e mbajnë gjallë, - jetojnë akoma me të; të tjerë janë më të trishtuar, megjithëse ndoshta janë përpjekur shumë fort për ekzistencën e tyre, nga historia ata janë fshirë dhe vetëm gjurmë të zbehta na japin sugjerime ndaj tyre, vetëm legjenda kujtohet për ta!
Përveç këtyre dy klasave - nga të cilat njëra përfshin popujt, të cilët e kanë humbur ekzistencën e tyre dhe kanë rilindur dhe janë ngritur lart brenda popujve të tjerë dhe tjetra përfshin në vetvete ata popuj, që janë zhdukur krejtësisht nga skena botërore, që janë shuar pa lënë mbrapa as edhe një gjurmë të ekzistencës së tyre – ka edhe një grup të tretë, dhe këtij i përkasin ata popuj, fillesa e të cilëve humbet në errësirën e lashtësisë, dhe megjithëse në mes të vështirësive shumë të mëdha, rrethuar nga armiq, megjithatë e kanë kuptuar se si të ruajnë një ekzistencë të pavarur, dhe historia e tyre na ofron ne një problem të mrekullueshëm.
Në kategorinë e fundit bën pjesë populli i shqiptarëve.
Nga vjen? Çfarë është? Si jeton?
Këto janë pyetje të vështira, që nuk kanë marrë deri tani akoma përgjigje të mjaftueshme.

Thoti i pavdekshëm na zbulon Atlantidën - Libër



Nga Skënder Hushi

Unë, Thot Atlantideo, zot i mistereve, roje i regjistrave, madhështori mbret, magjistar, që po jetoj nga njëri brez në tjetrin, jam shpirti që kalon muret e Amentit, i ulur atje për të drejtue të gjithë brezat që do të vijnë pas këtij regjistrimi të të gjitha mendimeve të fuqishme të Atlantidës.

null
Në qytetin e madh Keor, në ishullin Undal (në nji tjetër kapitull, shkruhet: UNAL. Duket si fjala shqipe U NDALOVA, ashtu si shpjegohet dhe emni i vjetër i Irlandës, ERINI, në shqip: E RINI, atje bie shiu sa herë e don toka dhe e rinon atë. shën. im.) shumë kohë ma parë, unë kam fillue këtë mishërim, jo si njerëzit e vegjël të epokës që po jetojmë, por si nji i mbifuqishëm, i gjallë dhe i vdekun, por gjithmonë nga epoka në epokë duke rigjallnue jetën në Odën e Amentit, (edhe kjo fjalë në dialektin geg ndahet: A dmth Asht dhe fjalës Ment, që do të thotë Mendje, e gjithë fjala mund të thuhet: asht e mendve, dmth vendi i mendimeve të mëdhaja – Shën.im.), ku lumi i jetës gurgullon përjetësisht. Me qindra herë unë kam zbritë në rrugën e errët që të çon në dritë dhe kështu me qindra herë kam ngjitun nëpërmjet errësinës së frikshme në dritë, forcën teme, fuqishëm rimekambun.

Tash, për pak kohë, unë po zbres dhe njerëzit e Khem (Egjypti i vjetër) nuk do më shohin ma, por në një kohë që nuk ka lindun akoma, unë do të buroj madhështor dhe i fuqishëm, duke kërkue kujtimet që kisha lanë pas. Atëherë kujdes, njeriu i Khemit, nëqoftëse ti ke fallsifikue tradhëtisht mësimet e mia, unë do të hedh poshtë nga aty ku je dhe do të përplas në errësinën e frikshme të greminave nga ke ardhë. Mos ia zgjo sekretet e mia njerëzve të veriut dhe as njerëzve të jugut, frykësohu nga mallkimet e mia që do të bien mbi ty! Kujtoji gjithmonë dhe baj kujdes nga fjalët e mia, sepse me siguri do të rikthehem prap dhe do të kërkoj llogari për ato që duhet të ruejë. Përgjithmonë, dhe në qoshen ma të humbun të kohës, dhe matanë vdekjes të jem, unë do të kthehem, do të ripaguej ose të denoj sipas qëndrimit dhe besnikërisë tande.


Nga Kostaq Duka : O Sole Mio....

Ishte ora 6:30 e mëngjesit. Mbi banakun e gjatë porsa kisha vendosur gjithë llojet e ushqimit të mëngjesit të ashtuquajtur kontinental, duke filluar nga gjalpi,djathi,kosi ,ëmbëlsirat , frutat e deri pitet me mjaltë. Vendosur mes qelqeve ato krijonin një dekor natyror, ndjellës e jetësor. Gjithnjë ndjenja kënaqësi pas krijimit të këtij dekori. Por jo më pak më kënaqte edhe aneksi i servirjes së kafes ku mbizotëronte e bardha farfuritëse e ibrikëve prej porcelani kinez mbushur me kafe të rregullt dhe pa kafeinë. Ishte koha të vija në punë sistemin e përhapjes së tingujve muzikorë në mjediset e hollit nëpërmjet paisjeve të vendosura në tavarin e varur. Kur në kohën që prisja meloditë e njohura të çasteve mëngjesore dëgjoi të këndohej prej dikujt : O Sole Mio......
Mbeta i tronditur duke kthyer kokën në drejtime të ndryshme të sallës...Zbrazësirë. Sportelisti i natës, flokëthinjur, qëndronte si një statujë e ngrirë, me sy paksa të fryrë nga pagjumësia. Mos më bënë veshët? Kur përzjerë me meloditë e mëngjesit përsëri: O Sole Mio ...Këtë herë pak më fort.
Dhe ja nga krahu verior, ku ishin zyrat, në anë të sportelit shikoj një burrë të shkurtër, të hollë, me pantallona me tiranda, këmishë shkopsitur dhe një barsolinë të hirtë, që ngjante tepër e vjetër si ato të dyqaneve jashtë mode.
-Mirëmëngjes! Të njihemi emri im është Thomas- italian, brezi i dytë në Amerikë, me origjinë nga Sicilia.
Fliste dhe sytë e vegjël, i rrezëllinin, fytyra e gjithë trajtësonte një qeshje që i vinte së brendshmi krejt natyrshëm.
S’kisha dhjetë ditë në Amerikë e ndihesha i hutuar dhe i ndrojtur. Por papritur më erdhi mendimi që këtij burri të vogël, të dobët që mund t’i bëhej binjak Çaplinit t’i përgjigjesha me të njëjta tone humori.
- Emri im është Kostandin, brezi i parë në Amerikë, shqiptar përmatanë Italisë. Lagim këmbët në ujra të njëjta...
I thashë këto si munda me anglishten time, mësuar në Shqipëri. Ai qeshi shpenguar dhe më korrigjoi shqiptimin jo Kostandin por Kastandin.
-Të pëlqen kënga?
-Po shumë.
-Unë vdes...Sidomos për këtë këngë....
Ai mori pozë si të ishte një tenor i operas italiane. Këmisha e hapur tregonte një gjoks të vogël ku dalloheshin dukshëm trajtat e brinjëve... O zot sa i dobët është, thashë me vete.
O Sole Mio......Ç’do të thosh (nëse do ishte ende mes nesh) tenori i madh Luciano Pavaroti, po të dëgjonte këtë interpretim të këngës së famëshme napolitane në një holl hoteli këtu në Amerikë, në prag të çeljes së plotë të ditës ?!
E ngriti zërin pa ndrojtje. Kësaj here koka e thinjur e sportelistit të përgjumur lëvizi. Prej andej erdhi porosia me tone të nervozuara:
Ju lutem zotëri, ulni zërin është ende herët shumica e klienteve flenë......
Ai nënqeshi. U zgjua sportelisti, më tha duke më shkelur syrin.
Unë me dorë i thashë mirupafshim e u futa në mjedisin e kuzhinës, i trembur për ndonjë tepërim Porosia e pronarit me origjinë nga India ditën e parë të punës ishte: Me klintët vetëm shërbim e jo shoqërim të tepëruar.
Thomasi u shtrua vendçe për mëngjes. Tek e shihja që i ndronte ushqimet njëra pas tjetrës thosha me vete. Si është e mundur të jetë i dobët me tërë këtë oreks?! S'mjaftoi që hëngri po mbushi edhe një tabaka me ushqime dhe kafe... Mbase është me gruan në dhomë e ndoshta me fëmijë-mendova.
-Mirupafshim miku im-tha dhe mbyturazi për të mos u dëgjuar shqiptoi: O Sole Mio.... Do takohemi prape!..
Dhe u takuam. Po atë ditë, por kur unë kisha mbaruar punën dhe qëndroja ulur në një stol me shikimin mbërthyer në autostradë duke ndjekur rrjedhën e pandalshme gjigande të makinave. Në çdo sekondë syri do të kapte se s'bën një ikje makinash në kahje të ndryshme.
"A do të jem në gjendje edhe unë të kridhem në këtë lëvizje marramëndëse me makinë?!" Dhe pastaj mendja më shkonte larg, në qytetin tim, rrugicën me kalldrëm, tutje lëndinave të buta në kodër, faqeve shkëmbore të Moravës. Dhe përsëri e përsëri bluaja mendimin: Ç'ishte ky largim i krisur? Mos ndoshta aventurë e marrë ?! Prisja nga çasti në çast të mbrinte me makinë Llazi komshiu im i mirë i cili më sillte e më merrte çdo ditë prej pune.
Kur gati në veshi dëgjoi : "O Sole Mio....." Ktheva rrëmbimthi kokën si për të flakur një zë iluziv por jo ashtu këmishë kopsitur me barsolinë dhe një cigare të hollë, që mbahej nga dy gishtrinj të bardhë si prej të vdekuri ishte ai, ai klienti i çuditshëm me origjinë italiane.
-Po mediton ndanë autostradës?
-Po pres të ik në shtëpi. Akoma s'kam marrë makinë.
-Do ta marrësh miku im dhe do derdhesh në këto rrugë, sa të merzitesh...Siç u mërzita unë! Kështu është jeta. Kur një gjë s'e ke e ëndërron. Kur e zotëron të neveritet. Ti je i martuar?
M’u duk shumë agresiv në pyetje ky dreq klient që vetëm emrin i dija.
- Po kam edhe një djalë. Studion për gazetari.
-Per gazetari?
-Po.
-Ju ja zgjodhët këtë degë apo vetë ai ?
-Së toku. Po ai vendosi.
-Domethënë morët vendim që tani për fatin e jetës së tij....
Befas u ngrys.Lëkura mbi fytyrën e tij. që tendosej nga e qeshura, u rrëzua, si pa jetë nën peshën e ngrysjes që m’u duk si pa kuptim...
U shtanga. A thua thashë gabimnisht në anglisht diçka që padashur atij i shkaktoi dhimbje?! Ai heshti një çast. Unë pashë orën si për ta shprehur dëshirën e ikjes sa më parë dhe mbylljes së dialogut që mori këtë kthesë të çuditëshme mërzie.
Ai me sa duket e ndjeu këtë. Diç kërkoi nën kanatjeren e bardhë të zhubrosur.
-E sheh këtë? Më tha- duke më treguar diçka si medalion, pllakëz metali me disa numëra. “Sa djali yt kam qënë në luftën e Vietnamit. 21 vjeçar. Isha student në degën e gazetarisë. Në front kryeva detyrën e fotoreporterit. Aparatin fotografik të asaj kohe e ruaj edhe sot. Ishte një luftë e gjatë që mori shumë jetë....”
Fliste ngadalë. Sytë i drejtonte diku në horizont në mënyrë të papërcaktuar.
Kam fotografuar shumë. Në fillim isha i rrëmbyer pas pamjeve natyrore ekzotike, pastaj , pastaj nga pamjet makabre të luftës. O zot kam fotografuar dhe shokët tek përpëliteshin mbytur mes gjakut...
Ndjeva se zëri po i dridhej.Më ngjau se edhe vetë ai po dridhej në tërë qënien. Fytyra më shumë se e verdhë m'ë ngjau tejet e bardhë si flokët e tij.
Nuk dëshiroja të vazhdoja bashkëbisedimin. Dukej se kujtimet nga lufta i sillnin tronditje të skajshme. Ku dihet më shkoi vetëtimthi nëpër mend ideja. Mbase është i sëmurë me një stres agresiv që i ringjallet pas çdo ngacmimi.
Si një zgjidhje e natyrshme për tu ndarë me Tomasin shërbeu ardhja e komshiut Llazit i cili e vendosi makinën, përpara stolit. Çuditërisht kaq u desh që Tomasi të flakte tej pamjen e mërzisë dhe tronditjes therrëse në fytyrë e të bëhej tjetër, ai Tomasi i parë gazmor e paksa llafazan.
-O shoku juaj paska makinë lluksoze, BMV. Ju shqiptarët kokëkrisjen tuaj e tregoni dhe në blerjen e makinave lluksoze. Jo të gjithë guxojnë të marrin të tilla.
Pas kësaj tërë gjallëri Tomasi hapi derën e makinës dhe përshëndeti Llazin.
-Përshendetje mik! Më quajnë Tomas! Brezi i dytë në Amerikë, me origjinë nga Sicilia e Italisë.
Llazi në fytyrën gjithë tul ravijëzoi një nënqeshje të lehtë teksa i jepte dorën Tomasit. Pastaj më bëri me shënjë të hipja në makinë.
U përshëndeta me Tomasin.
-Nesër në mëngjes aty më ke që më gjashtë e gjysëm- tha ai me gjallëri.
Sa u mbështeta në sedilje Llazi m’u kthye: Nga e psonise atë dordolec me barsolinë?
-Është klient.
-Do jetë ndonjë nga ata të pastrehët, parazitë që mbahen me lëmoshë të mbledhura nga kishat.
Nuk më pëlqyen këto fjalë por s’mund t’i kundërshtoja Llazit. S’ishte as vendi dhe koha e duhur për të dhënë hollësira për Tomasin. Edhe vetë isha i paqartë ndonse ai po më tërhiqte.
Të nesërmen Tomasi po më priste para derës së kuzhinës. Dukej që dëshironte takimin me mua. Ishte i qeshur dhe me humor.
-Plasa vape -më tha.- Në dimër ia vlen të shkosh në hotele që kanë pronarë indianë. Duke qënë se vetë s’e durojnë të ftohtit edhe pse cingunë mbarë e prapë për ngrohjen s’e kursejnë paranë. Tomasi më rinte pranë e fliste pa pushim tek nxirrja nga frigoriferët e mëdhenj e vendosja në pjatanca ushqimet, apo ndërsa përgatisja kafen.
-Si shkon ti më këta indianët- më tha papritur.
-Mirë i thashë, ngadalë për të mos dëgjuar sportelisti tej në banakun e sportelit.
-Di gjë ti për thelbin e filozofisë që është në themel të fesë së induve?
- Ngrita supet duke pritur shpjegimin e tij...
-Shkurt filozofia e induve eshte kjo “ Zoti u ka përcaktuar fatin të jenë në shkallë të epërme të shoqërisë, drejtuesa, profesorë, doktorë etj,etj.”.Sigurisht brenda shoqërise indiane këtë e gëzon një kategori e përcaktuar. Tingëllon pak raciste apo jo? Po. Edhe tingëllon. Kjo i bën ata të jenë ambiciozë, pretendues. Ej Kostandino do e shohesh pas ca vitesh Indinë ku do jetë!..
-Ndërkohë mua më erdhën ndër mend pamje të një filmi indian, ku pasqyrohej varfëria e skajëshme në zonat e fshatit dhe ku popullsia i mbante sytë drejt qiellit në pritje të një pike shiu....
Ia thashë këtë Tomasit...Ai qeshi. E di, e di kete, vdesin edhe tani mijra nga uria. Unë po flas për një kategori dhe për filozofinë e fesë së tyre.
Këto mendime Tomasi nuk m’i tha vetëm mua.Një ditë tek pastroja tavolinat në bari e dëgjova tek debatonte me tre indianë që ishin ulur në kolltuqet para sportelit. Tomasi gjithë pasion shpaloste njohuritë e tij për Indinë, ndarjen fetare, psikologjinë e filozofinë..Indianët e dëgjonin e ngacmonin, qeshnin, miratonin por edhe kundërshtonin kur shihnin ndonjë nuancë nënvfleftësimi racor. Vendosa të mos afrohesha. Por Tomasi një çast ktheu kokën drejt meje e në vend të përshëndetjes i’a filloi: O Sole Mio...U krekos. Tepër pozant si për t'u thënë indianëve ka edhe Europë, edhe Itali. Më erdhi të lija pastrimin e t'ja ktheja edhe unë po me këngë : O Sole Mio. Por e ndrydha dëshirën. Dhe bëra mirë. Menazheri indian ndërkohe doli nga zyra dhe i drejtohet Tomasit : “Qetesi, qetesi zoteri!”
Tomasi mërmëriti Okej, Okej. U tha indinëve mirupafshim dhe tek kaloi si në rrugë e sipër pranë meje më tha: Kostandino po shkoj ta dëgjoj në dhomë këtë këngë.....
Pak më vonë tek kaloja pranë dhomës së tij dëgjova të vinte zëri i tenorit italian" O Sole Mio" Kënga përhapej gati në gjithë korridorin. Isha i bindur se menazheri po të kalonte këtu do trokiste patjetër i nervozuar në dera e dhomës së Tomasit për të ulur volumin.
Çdo ditë që kalonte do sillte diçka të re në ngjyrimet e portretit të Tomasit. Ai do vazhdonte te më shoqëronte herët në mengjes. Fliste e fliste papushim. Më çonte tutje në Sicelia e tij, kujtimet e fëminisë së hershme, aventurat e rinisë, hapte tema me natyrë sociale e filozofike, here, herë më ndërhynte e korrigjonte anglishten time, duke shtuar gjithnjë kur të ik nga hoteli të dua shpërblimin për dhënien falas të mësimeve. Dhe asnjëherë s’harronte të këndonte: O Sole Mio..
Në biseda si shkarrazi mësova se ai ishte i divorcuar dhe kishte një vajzë të martuar dhe me fëmijë që jetonte diku në Arizona, tek e cila shkonte së paku njëherë në vit. Vetë shumicën e kohës e kalonte në Kaliforni ku kishte shumë të afërm. Tani kishte ardhur këtu në Çikago për të marrë pjesë në shitjen e shtëpisë prej së ciles do merrte një shumë të mirë të hollash...Edhe pse u mundova të mësoja për shkaqet e ndarjes me gruan ai i largohej temës...Nuk shante, ndihej që e kishte dashur.
-E solla çupëlinë nga Sicilia këtu në Amerikë!-më tha një ditë.
Ajo ishte martuar rishtas..
Nga shoqërimi me Tomasin, koha në mëngjes kalonte shpejt...Por nganjëherë ai e tepronte me zënë e lartë, me tonet sipërore në këndimin e këngës " O Sole Mio" Me të qeshurën buçimë. Sportelisti e bëri refren tërheqjen e vemendjes.
-Kënaqem Kostandino,- më tha Tomasi-kur indiani gre gishtin e urdhëron: “ Qetësi, qetësi ju lutem , klientët flenë!...”
Paralajmërimi për qetësi nga sportelisti shërbente edhe si një farë shenjë për Tomasin për t’u rikthyer në dhomën e tij me tabakanë plot ushqime. Nuk donte që edhe mua të më hapeshin probleme me pronarin. Por me sa dukej Tomasi nuk "zhurmonte " vetëm mëngjeseve. Kishin filluar të vinin ankesa nga klientë të ndryshem, për ngacmime e tallje pa vend, për zhurmë etj.
Vetëm pastrueset nuk ankoheshin. Tomasi gjithnjë vinte prapa derës shënjën e mospastrimit. Herë herë me miresjelljen e tij karakteristike, me fjalë përkëdhelëse shoqëruar edhe me bakshishe u thosh atyre ti sillnin çarçafë e peshqirë të larë, duke u dhënë të përdorurat gjë që ato e bënin me kënaqësi.
Sjellja e Tomasit i cili tashmë po bënte më shumë se dy muaj në hotel po bezdiste menazherin dhe vetë pronarin që me zi prisnin një shkak justifikues për ta larguar nga hoteli. Dhe me sa dukej si justifikim do shërbente mos pagesa e hotelit për disa ditë rresht. Sa herë e thërrisnin Tomasi u thosh: “Mos kini merak, shpejt do t’u paguaj Do kem para jo për pesë e gjashtë ditë por edhe për një vit”.
Ata s’e besonin, u dukej se i genjente dhe tallej, sidomos kur e shihnin të nënqeshte si për të thënë : pse jini kaq të leshtë?!
Por unë e besoja Tomasin.
Ate kohe ai me kishte bere nje dhuratë të çmuar: Më fali një pllakë të vjetër gramafoni të këngës "O Sole Mio".
-Po ta fal Kostandino që të më kujtosh edhe kur unë t’i them lamtumirën kësaj bote. Ta dish sa herë ta vesh në lëvizje këtë pllakë unë do të shfaqem që përtej botës tjetër si një fantazmë e do të them : Këndo,këndo Kostandino…
Dhe ja plani ishte bërë. Dera e dhomës së tij ishte bllokuar me kartën speciale e përdorur për të tilla raste. Karta çelës e Tomasit ishte e pavlefëshme. Ai pasi kishte bredhur nëpër qytet u kthye vonë në mbrëmje. Kur shikoi se s’mund të hapte derën kërkoi kartë të re. Sportelisti tha se kishte urdhër nga pronari që para se të shkonte në dhomë të paguante shumën e duhur për gati një javë. Tomasi kishte marrë zjarr:
-Kjo është sjellje idiotësh. Ju skini të drejtë të bllokoni dhomën-u tha dhe zbrazi një bateri fjalësh ofenduese.
Sportelisti e kërcënoi me thirrjen e policisë. Kjo s’e trembi Tomasin.
-Jo ju por unë do thërras policinë!
Dhe vërtet e thirri por pasi kishte dhënë njoftimin duke u ankuar se më kanë bllokuar dhomën, papritur ishte plasur në dyshemenë e hotelit gati pa ndjenja cka e bëri të zverdhet sportelistin që ndërkohë njoftoi urgjencën.
Makina e ndihmës së shpejtë erdhi në të njëjtën kohë me atë të policisë. Tomasi u vendos nën trajtim mjekësor.
-Të gjitha këto unë i mësova ditën e nesërme. Ndërkohë menazheri më tha që të lajmëroja edhe pastruesen e katit për të sistemuar të gjitha rrobat e Tomasit sepse dikush nga spitali pritej të vinte t’i merrte.
U desh ikja e tillë urgjente e Tomasit që unë të hyja në dhomën e tij. Edhe pse ishim miq në dhomë ai ndruhej të më ftonte. Por edhe për pastruesen e katit dhe menazherin kjo ishte vizita e parë në ata dy muaj. Prisja çrregullimin e natyrshëm të dhomës së një burri të divorcuar, të zhurmshëm e hokatar si Tomasi, por jo...Gjithçka dëshmonte për rregull dhe pastërti shembullore. Mbi sipërfaqen e drunjtë me lluster së tavolinës së hotelit ishte vendosur një mbulesë e bukur me punime dekorative me grep rreth e rrotull. Tre foto në korniza të argjenta. Tomasi ushtar në Vietnam me aparatin e fotoreporterit në qafë, një foto e tij në përqafim me një vajzë me flokë të gjatë derdhur supeve, me siguri e shoqja dhe një tjetër po vajzë e re me një foshnjë në krahë. Kjo mendova do të jete e bija. Në sirtarin e komodinës në një kuti plastike të tejdukëshme një mori ilaçesh, shumica për trajtim të depresionit.U befasova kur në garderobë pashë disa kostume, disa ngjyrësh që Tomasit sja kisha parë kurrë mbi trup. Diku dhe gramafoni, tip i viteve pesëdhjetë dhe nje mori pllakash të sistemuara me kujdes dhe me deçiturat e këngëve. Shumica italiane.
Isha përqëndruar në titujt e këngëve kur befas pastruesja gati klithi : Oh shiko ç’gjeta në këtë kuti! Edhe menazheri edhe unë u drejtuam nga ajo. Nga një kuti antike druri ajo nxori dy tufa të mëdha me dollarë, të gjitha njëqindëshe. Gati tridhjetëmijë dollarë.
Pastruesja tek i’a dorëzonte dy tufat e mëdha me lekë menazherit tha në spanjisht, në gjuhën e saj” Oh Tomasi qënka i pasur! Nëna ime! Asnjëherë s'kam prekur kaq shumë para!”
Me sytë e hapur tej mase nga habia, menazheri m’u drejtua: Po kjo! Dhe ka një jave pa paguar!
Unë nënqesha tek kujtova shprehjen e Tomasit. “Mos kini merak, shpejt do t’u paguaj Do kem para jo për pesë e gjashtë ditë por edhe për një vit”.
Ato çaste m’u duk sikur e kisha përpara mikun tim këmishë shkopsitur, me barsolinën në koke, krekosur si të ish në skenën e operas italiane, me këngën "O Sole Mio…”

Nënë Tereza në sytë e botës - Libër nga Mehmet Gëzhilli



Përmbajtja

I. Nënë Tereza në OKB
II. Nënë Tereza dhe Çmimi Nobel
III. Ati i Shenjtë dhe Nënë Tereza
IV. Personalitete të ndryshme për Nënë Terezën
V. Shtypi botëror për Nënë Terezën
VI. Fragmente nga monografi...
GK

VII. Poezi

I. Nënë Tereza në OKB
- Havier Peres De Kuelar
- Fjalimi i Nënë Terezës në OKB


“Kjo është Asambleja e fjalëve. Disa ditë më parë kishim këtu burrin më të fuqishëm në botë. Sot kemi nderin dhe kënaqësinë të kemi në Asamblenë tonë gruan më të fuqishme në botë. Mendoj se nuk ka nevojë t’ua praqes se kush është. Ajo ka nevojë për vepra dhe jo për fjalë. E pohoj këtë me bindje të plotë se Nënë Tereza është më shumë se Unë, më shumë se të gjithë ne. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqa në botë”.
Havier Peres De Kuelar
Ish-Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së
“Kuvendi” nr.8, gusht 2010, f.50

“Nënë Tereza është OKB-ja. Ajo është paqja në botë. Sot kemi privilegjin të llogarisim në praninë e Gruas, vërtetë më të fuqishme mbi tokë. Kjo nuk kërkon fjalë, por kërkon vepra. Kjo është e madhe, më e madhe se të gjithë ne sot, kjo është forca e botës, sepse jetën e saj e lidhi me dashurinë njerëzore, me të varfërit, që durojnë nga uria, që ata të mos vdesin, më të braktisurit e të harruarit e botës dhe me ata buzë varrit”.
Havier Peres De Kuelar
Ish-Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së
“Rilindja”, 7 shtator 1997, f.6.

“Nënë Tereza e cila kishte vizituar dy herë Kombet e Bashkuara, ishte një shembull brilant bamirësie, gatishmërie dhe force shpirtërore”.
“Republika”, 7 shtator 1997, f.13.


Bari i ujkut - Proza nga Istref Haxhillari





... Ende nuk është errësuar. Horizonti ngjyer në vishnje varet anës detit si perde e kadifenjtë. Firohet në lëngatë dita e mekur. Rrënjët e pishave mbllaçitin 
null

lëngun e kaftë të dheut dhe kundrojnë me nge gjethet që fërkohen pa turp në horizontin e mugët të fundditës. Mbrëmja kurorëzon ëndrrën sfilitëse, i bashkon të malluar. Shkëlqimin e takimeve nuk e zbeh zezona e kohës. Njerëzit druajnë të afrohen përqark vendit ku lulëzon bima nazike ngjyrë bronzi. Askush nuk futet në kthinën e tyre, fshehtësirë e ëmbël ku jetojnë çdo çast, ditë për ditë. Ai ndien vitet t’i shkasin nëpër gishta, teksa parku ka ngecur në sytë e saj. Një det lumturie stërpik kujtesën e ciflosur. Era memece i gudulis thinjat. Shpirti i ndërkryer buis, e tundon të hapë zemrën, të rrëfejë sekretet...


Suvenir - Novel nga Suzana Kuqi




Nata e qetë pa hënë, por gjithsesi me yje të shndritshëm, e deti me valëza nanuritëse që i përkëdheleshin bregut disa hapa larg, ishin krejt e kundërta e asaj që ndodhte në shpirtin e gruas së lëshuar mbi rërë, ku re të zeza e të ngarkuara nxitonin e mblidheshin duke përgatitur stuhinë e paevitueshme. Parandjente diçka te keqe, e megjithëse përreth nuk kish frymë njeriu veç saj, ishte e ndërgjegjëshme se ajo qetësi nuk ishte veçse ajo kohë e ngrirë pezull përpara se të fillojnë pikat e parae të shpërthejë stuhia. “Duhet të marr diçka më të fortë, kjo dozë nuk më bën më punë”. Nuk ishte e vjetër, por jo e re sa të mos e dinte se rinia të jepet një herë e pastaj të merret, kjo nuk ishte në dorë të saj. Për të tjerat... ato që kishte humbur, ose ato që mund ti humbiste një herë e mirë nëse do të vazhdonte kështu, kish qenë faji i saj. E famshme dhe e suksesëshme një kohë, kish filluar si topmodele në moshë të re e kish braktisur studimet, pastaj stiliste, mbështeur financiarisht nga i ati pasanik e pastaj i shoqi, por edhe famën e suksesin jeta ti jep me mundim e ti merr lehtë, gjithsesi nuk mund të jenë të përjetëshme. Ndërsa pjesa tjetër, ajo që i mbërthente zemrën në një morsë të pamëshirshme... O zot, si jam katandisur! Ndjeu erën të mërmëriste ndën peshën e disa hapave e brofi më këmbë.

http://www.gazetakritika.net/literatur/suvenir/suvenir.html

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...