Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/05/28

Exclusive: Intervistë me Simone Filipini, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni



  • Filipini: BE PRET ZGJEDHJE TË RREGULLTA DHE TË QETA
     
    Ambasadorja e mbretërisë së Holandës, dy muaj para largimit të saj nga Maqedonia në një intervistë ekskluzive për portalin “Zhurnal”, flet për zhvillimet politike në Maqedoni, flet edhe për zgjedhjet, e parakohshme parlamentare të 5 qershorit, për pritjet e BE-së, për ngjarjet në Kalasë, për kthimin e turistëve holandez në Ohër dhe detyra e saj e re, e cila do ta sjell në skajin tjetër të botës – në Majami, SHBA.
     
    Ambasadorja Filipini, në këtë intervistë, flet edhe për rаpоrtet me qeverinë, rrugën euroa-atlantike të Maqedonisë, bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe për të gjitha impresionet e saja gjatë mandatit si ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Maqedoni.


    ZHURNAL:
    Shkëlqesia  juaj, Maqedonia gjendet në periudhë parazgjedhore. Cili është mendimi Juaj, vallë këto zgjedhje të parakohshme do të sjellin ndryshime në shoqërinë maqedonase të cilat do t’i shpejtonin integrimet euro-atlantike të vendit?

    Është vështirë të jepet vlerësim për rrjedhën e zgjedhjeve të cilat së shpejti duhet të ndodhin. Nëse i shikoni programet e partive politike, është e qartë se shumica prej tyre tentojnë të shpejtojnë procesin integrues euro-atlantik. Gjithsesi, vendet anëtare të BE-së shpresojnë se zgjedhjen do të sjellin një vrull të ri në procesin e afrimit drejt BE-së. Në raport me para përfshirjen mund të theksohet se gjatë viteve të kaluara janë sjellë shumë ligje të reja në Maqedoni. Në këtë kuptim, është i arritur një përparim i theksuar, sidomos në sektorë të caktuar. Megjithatë, për vendet anëtare të BE-së druri njihet sipas frytit: ligjet në mënyrë adekuate duhet të zbatohen. Ndoshta edhe siç e dini, euro-skepticizmi është i zmadhuar, qytetarët e disa vendeve anëtare, kurse gjithsesi Holanda është një nga ato vende, janë bërë më kritik në lidhje me procesin  para anëtarësimit të vendeve të ardhshme anëtare të BE-së. Populli holandez nuk është i sigurt se në çfarë mase respektohen rregullat e lojës, sidomos pas kyçjes së Bullgarisë dhe Rumanisë, pas së cilës ndodhi kriza ekonomike e cila e mbushi fotografinë për vendet-anëtare të BE-së të cilat nuk munden t’i zgjedhin problemet e vendit. Respektivisht, ata ndjehen të tradhtuar sepse i besonin sistemit. Ndoshta nuk e kanë dashur Brukselin gjithmonë, por më së paku kanë menduar se institucionet e BE-së mund të vendosin disiplinë në vendet. Dhe tani, ajo besueshmëri në masë të theksuar është dukshëm e luhatshme. Prandaj qytetarët në vendet sikur Holanda duan të jenë 100% të sigurt se vendet e reja anëtare do të mund t’i plotësojnë premtimet e tyre. Liderët politikë duhet t’i bindin qytetarët se vendeve të ardhshme anëtare mund t’iu besohet, se BE pranon vende me të cilat ndanë vlera të njëjta. Në këtë kuptim, me rëndësi qenësore për Holandën është gjendja në lidhje me korrupsionin, gjyqësinë, mënyrën se si qeveritë i trajtojnë të drejtat e njeriut dhe të drejtat individuale, lirinë e mediumeve dhe funksionimin e mirë të administratës profesionale dhe objektive. Qëndrimi i Qeverisë sonë e paraqet qëndrimin kritik të elektoratit. Prandaj për Maqedoninë më me rëndësi është në mënyrë më të vendosur dhe aktive të vazhdohet me reformat dhe me zbatimin e tyre.


    ZHURNAL:
    Në fillim të kampanjës parazgjedhore paraprinte afera “Regjistri”, për të cilën Ju në një deklaratë Tuajën thatë se nuk ka dëshmi për nënvlerësime ndaj administratës. Vallë prania e misionit vëzhgues ndërkombëtarë do të jetë garanci e mjaftueshme për realizimin e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike në Maqedoni?


    Ashtu sikur edhe Ju, edhe unë lexova se e kam thënë atë, por ajo nuk është e vërtetë: thjeshtë nuk mund të gjykoj në lidhje me situatën. Por, e theksova rëndësinë e hulumtimit të skajshëm dhe të denjë të raporteve për parregullsitë eventuale që të mbrohet besimi në trupin votues në sistem dhe që të kursehen qytetarët nga manipulimet eventuale. Megjithatë, prania e një misioni vëzhgues ndërkombëtarë asnjëherë nuk mund të jetë garanci. Ai mision këtu është që të vëzhgon procesin dhe të raporton për të. Kualiteti i procesit zgjedhor paraqet përgjegjësi për vetë vendin. Para së gjithash është përgjegjësi për Qeverinë dhe për të gjithë liderët politik. Por, gjithashtu edhe elektorati mund të luan rol vendimtarë. Nëse njerëzit ndjehen nën presion, ata nuk duhet të pranojnë presion të tillë dhe duhet menjëherë t’i lajmojnë rastet e tilla në institucionet kompetente. Secili qytetarë ka të drejtë të voton lirshëm dhe pa presione. Edhe qytetarët duhet të qëndrojnë në mbrojtje të të drejtave të tyre edhe pse për të ndoshta do të duhej guxim – në këtë mënyrë demokracitë forcohen dhe  piqen. E njëjta vlen edhe për Maqedoninë, ashtu edhe për vendet sikur Holanda.


    ZHURNAL:
    Cilat janë pritjet e vendeve evropiane nga këto zgjedhje? Sa janë mundësitë që Maqedonia të lëvizë drejtë anëtarësimit të dëshiruar në NATO dhe BE, edhe përskaj kushtit të njohur për zgjidhjen e çështjes së emrit?

    Sinqerisht, vendet evropiane thjeshtë presin që Maqedonia si vend kandidat për BE të organizon zgjedhje të rregullta dhe pa incidente, gjithsesi Maqedoni ka mundësi t’i plotëson këto pritje. Shenjë pozitive është nënshkrimi i Kodeksit për sjellje për zgjedhje parlamentare të lira dhe korrekte më 12 maj nga ana e të gjitha partive politike në procesin zgjedhor, me çka liderët politik publikisht u obliguan t’i respektojnë rregullat për zgjedhje të lira,  të ndershme dhe demokratike.


    ZHURNAL: Ambasadorja në “akull” nga Qeveria e Maqedonisë?
    Pas ngjarjeve në Kala shkuan në bisedë në MPJ në lidhje me sjelljen e Artan Grubit, i cili ishte i punësuar në ambasadë. Në Ditën e Mbretëreshës e organizuar nga ambasada mungoi prezenca e përfaqësuesve qeveritarë, e cila u komentua nga ana e mediumeve. Madje disa si shaka pyetën vallë ambasadorja Filipini, kryeministrit Gruevski do t’ia kërkon biçikletën e dhuruar. Mendoni se raporti i pushtetit maqedonas është ndryshuar ndaj Juve personalisht dhe ndaj ambasadës?

    Dy vendet tona kanë raporte bilaterale shoqërore dhe konstruktive. Unë në mënyrë aktive punoj me shumë ministra maqedonas në thellimin e tyre, sidomos duke u munduar t’i përmirësoj statistikat në këmbimin tregtarë ndërmjet Holandës dhe Maqedonisë, si dhe nivelin e investimeve holandeze në Maqedoni. Një nga rezultatet e matura është rritja e shpejtë e numrit të turistëve holandez në Maqedoni që është pozitive edhe për industrinë e turizmit holandeze dhe maqedonase. Kur bëhet fjalë në lidhje me incidentin në Kala, gjyqësia në Maqedoni është ajo e cila është përgjegjëse të vlerëson vallë zoti Grubi e ka thyer ligjin. Ai parashtroi dorëheqje javën pas incidentit, kurse kur bëhet fjalë për Holandën, kjo çështje është pas nesh. Përderisa dëshironi të dini përse përfaqësuesit qeveritarë maqedonas nuk morën pjesë në hapjen me  rastin e  Ditës së Mbretëreshës, do t’iu sugjeroja t’i pyetni ata. Ngjarja ishte shumë pozitive me më shumë se 800 mysafirë, duke i potencuar raportet e shkëlqyeshme dhe bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet shumë organizatave nga Maqedonia dhe Holanda.


    ZHURNAL: Shpeshherë politikanët maqedonas, sidomos ata të qeverisë ankohen për trajtimin joadekuat ndaj Maqedonisë dhe Greqisë, si pasojë e së cilës Maqedonia është në pozitë më të disfavorshme në kontestin me emrin. A janë të arsyeshëm këto qëndrime?

    Në përgjithësi, unë ndjejë se raportet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë janë konstruktive. Ka vetëm një çështje e cila qëndron në rrugën e mëtejme për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve. Si vend kandidat për BE, Maqedonia patjetër duhet t’i plotëson kërkesat për anëtarësim. Megjithëse për momentin kontesti në lidhje me emrit paraqet pengesë për fillimin e bisedimeve, nuk ekziston pengesë që Maqedonia të vazhdon të punon në reformat dhe t’i plotëson vrimat në drejtim të implementimit të tërësishëm të kërkesave për anëtarësim. Fatkeqësisht nevoja për zgjedhjen e problemit në lidhje me emrin është realitet politik i cili duhet të zgjidhet. Sfida e partive politike të inkuadruara në proces është të arrijnë në një zgjidhje të pranueshme të ndërsjellë. Që të arrihet deri aty është i nevojshme një vullnet i fuqishëm politik dhe lidership i vërtetë nga të dy anët. Të gjithë ne e kuptojmë se problemi në lidhje me emrin përfshinë emocione të thella dhe se është i nevojshëm guxim nga të dy liderët që të arrihet një kompromis. Megjithatë, kjo është zgjidhja e vetme.


    ZHURNAL: Fondet e BE- së kërkojnë administratë publike funksionale
    Holanda është një ndër donatorët më të mëdhenj në Maqedoni. Vallë vendi dinë në mënyrë të drejtë t’i shfrytëzon donacionet?

    Që nga fillimi i bashkëpunimit bilateral, Holanda ka harxhuar më shumë se 200 milion euro për përkrahjen e zhvillimit të Maqedonisë. Besojmë se shumë nga projektet dhe programet kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme. Në fund, megjithatë, nuk punohet për suksesshmëri të projekteve individuale, por për një kontribut të tërësishëm i cili duhet të kryen ndikim pozitiv ndaj jetës së njerëzve dhe ndaj perspektivave politike, sociale dhe ekonomike të vendit.


    ZHURNAL: Ka shembuj të vendeve me përqindje të mirë të shfrytëzimit të parave nga projektet të përkrahura nga Bashkimi Evropian. Sa janë mundësitë që Maqedonia të gjendet në këtë listë?

    Nëse e shikoni shfrytëzueshmërinë e fondeve të BE-së të vendeve kandidate të mëparshme do të vëreni se asnjëra nga ato nuk i ka të shfrytëzuara paratë në tërësi; gjithmonë ka pasur përqindje të parave të paharxhuara dhe të pashfrytëzuara. Dukshëm, procedurat e BE-së janë komplekse dhe kërkojnë funksionim të mirë të administratës publike për menaxhim adekuat me to.


    ZHURNAL: Verë me 14.000 turistë holandez
    Në fillim të majit arriti grupi i parë i turistëve nga Holanda në Ohër. Koha nuk u përshtat aq shumë, por çfarë janë përshtypjet e tyre nga Maqedonia?

    Grupi i parë të cilin e pritëm më 6 maj ishte fillim i grupit të ri rekord prej afërsisht 14.000 turistëve holandez të cilët priten të vijnë gjatë vitit 2011. Ata do të fluturojnë deri në Ohër me kompanitë ajrore holandeze Korendon dhe Arkerflaj, dhe përmes destinacionit Amsterdam-Shkup me MAT. Korendon bëri një hulumtim të shprehive të holandezëve të harxhimeve në Turqi dhe zbuloi se secili nga ata harxhon nga 800 euro në javë. Nëse afërsisht e njëjta do të vlen për Maqedoninë, kjo do të rezulton me një profit solid në llogari të ekonomisë maqedonase. Harxhimet e turistëve do të siguron të ardhura për popullsinë lokale në tërë Maqedoninë dhe do të kontribuon në luftën kundër varfërisë. Aspak nuk është për tu çuditur që pronarët e hoteleve dhe restoranteve si dhe komunat janë shumë të interesuara për pritjen e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Deri tani, përshtypjet janë shumë pozitive, ashtu siç kuptova nga agjencia turistike. Njerëzit kanë qenë të magjepsur nga mikpritja maqedonase dhe të buzëqeshur edhe gjatë reshjeve.


    ZHURNAL: Cilat janë pengesat për prani më të madhe të investimeve holandeze në Maqedoni?

    Njëra nga pengesat ishte ajo se kompanitë holandeze nuk kanë qenë të njohura me Maqedoninë dhe mundësitë për tregti dhe investime. Gjatë viteve të kaluara kemi punuar  me shumë përkushtim dhe mund në largimin e këtyre pengesave të cilat qëndronin në rrugë dhe mendoj se kemi qenë të suksesshëm në vendosjen e Maqedonisë në hartën e Holandës. Rritja e numrit të turistëve të cilët vijnë nga vendi im është shumë faktor i rëndësishëm. Agjencia turistike përmes kampanjave të tyre për marrëdhënie me publikun kontribuojnë në informimin e njerëzve me Maqedoninë dhe rrëfimet e turistëve të cilët kthehen përhapin entuziazëm. Prandaj, përherë theksojmë sa është e rëndësishme shërbimi i mirë: sepse hulumtimet tregojnë se secili turist përvojën e tij e ndanë me më së paku 20 njerëz, secili nga ato duhet të kthehet në shtëpi si ambasador i Maqedonisë.

    Pengesa të tjera të mëdha janë funksionimi i mirë dhe i pavarur i gjyqësisë, administrata publike profesionale, e paanshme dhe efikase, stabiliteti politik dhe siguria. Këto janë elementët me rëndësi universale. Është mirë e njohur se vendet të cilat nuk kanë mundësuar funksionimin e mirë të këtyre faktorëve nuk janë tërheqëse për investitorët e huaj të drejtpërdrejtë. Konkurrenca është e fuqishme dhe ata kërkojnë tregje të tjera.


    ZHURNAL: Këto ditë Holanda është aktuale me ndihmën në shëndetësinë primare. Njëkohësisht u paraqitën reagime nga Instituti për shëndet publik për mosinvestim të shtetit në preventivë. Pse këtu e theksuat ndihmën?

    Shëndeti primarë ka të bëj me shërbimet themelore shëndetësore të rëndësisë  qenësore për çdo qytetarë. Holandezët kanë sistem të shkëlqyeshëm të shëndetësisë primare. Para pak kohësh, institutet holandeze dhe maqedonase për shëndet publik nënshkruan edhe Memorandum të përgjithshëm për mirëkuptim. Në mënyrë të suksesshme i paraqitën faktet dhe numrat për gjendjen në shëndetësinë publike me çka u treguan shumë mangësi në tende dhe aspekte të caktuara dhe së bashku e theksuan domosdoshmërinë për përmasimin e situatës në shëndetësinë publike në Maqedoni, duke përfshirë edhe futjen e bazës adekuate të të dhënave për ndjekjen e problemeve dhe përparimin. Kontributi financiar i paradokohshëm nga Holanda, i miratuar në vitin 2010, përfshinë grant prej 6,4 milion euro për programin e Ministrisë së shëndetësisë e dedikuar për përmasimin sistematik të sistemit shëndetësorë maqedonas për nënat me fëmijë, sidomos i drejtuar drejt grupeve të margjinalizuara dhe prekura, edhe në mjediset urbane edhe në ato rurale.


    ZHURNAL: Aktiviste prej fëmijërie
    Jeni aktiv në kampanjën për luftë kundër dhunës familjare. Jeni të pranishëm në aksione dhe ngjarje të shumta qytetare, si diplomate e rrallë në Maqedoni. Ç’është ajo që Ju motivon?

    Mendoj se me këtë qëndrim jam rritur që nga mosha më e vogël. Edhe nëna ime edhe babai im u kanë kushtuar rëndësi të madhe punëve për të mirën e shoqërisë. Që nga mosha më e vogël jam edukuar t’i respektoj të tjerët, të jem tolerante ndaj ndryshimeve, t’iu ndihmoj atyre të cilët nuk kanë mjaftueshëm dhe të luftoj kundër padrejtësisë. E gjithë kjo filloi kur isha fëmijë dhe kur shkoja te nëna ime të kërkoj për të vjetrit në fqinjësinë tonë të cilët më nuk kishin mundësi atë ta bëjnë vetëm. Babai im fitoi Medalje Mbretërore për shumë funksione plotësuese të cilat i kryente jashtë punës së tij të përhershme, kurse të gjithë ata ishin të drejtuar drejt kontributit për të mirën e përgjithshme. Mua më duket interesante kur shikoj se të gjithë ne, unë dhe vëllezërit dhe motrat e mia, e kemi të trashëguar qëndrimin e tij aktiv – kudo që të shkoj gjithmonë automatikisht insistoj të jem aktive, sepse mendoj se ashtu se ashtu jam këtu, atëherë përse të mos marrë përgjegjësi...? Element tjetër i rëndësishëm i cili e definoi sjelljen time ishte ajo që prindërit e mi gjithmonë ishin të përgatitur ta ndryshojnë mendimin e tyre për shumë tema. Homoseksualiteti, për shembull, ishte çështje problematike; ata ishin të edukuar të kenë averzion ndaj këtij fenomeni dhe nuk e pranonin. Por, me kohë, me atë që kishim shokë homoseksual dhe me njohjen dhe vlerësimin e tyre, ata i tejkaluan paragjykimet e edukimit dhe arsimimit të tyre; ata pranuan se nuk ishin në të drejtë. Nga këndvështrimi im, kjo paraqet përparësi të madhe. Shumë i kam vlerësuar sjelljet e tyre dhe mundohem të jetoj sipas shembullit të tyre.


    ZHURNAL: Mbetët në radhët e para të marshit për luftë kundër homofobisë në një vend ballkanik me stereotipie të shprehura. Iu pengojnë komentet?

    Gjatë viteve të kaluara këtu në mënyrë konstante i kam propaganduar qëndrimet e politikës së jashtme holandeze. Toleranca dhe respektimi i të drejtave të bashkësisë LGBT është një nga ato prioritete të politikës së jashtme të lidhura me të drejtat e njeriut, si pjesë e një fokusi të fuqishëm më të zgjeruar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Prania ime fizike për përkrahjen e bashkësisë LGBT më 17 maj ishte e lidhur me Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë e ngritur nga KB, e cila na përkujton të luftojmë kundër të padrejtës dhe jotolerancës. Nuk më pengojnë komentet, por shpresoj se njerëzit shikojnë aq sa munden të jenë luhatje negative dhe ndonjëherë të nënvlerësuara qëndrimet ndaj individëve të cilët nuk kanë zgjedhur të jenë gej ose lezbike por janë të lindur si të tillë dhe e meritojnë të njëjtin respekt sikur edhe çdo individ tjetër. Më pengon mungesa e respektit ndaj të tjerëve dhe qëndrimi i rrënjosur i atyre të cilët i refuzojnë të tjerët me arsyetim se të vërtetën universale e kanë në duar të tyre. Vetëm mendoni Ju të jeni në vendin e atyre të cilët janë të konfrontuar me paragjykime dhe agresion vetëm për shkak se nuk mund të përshtateni në ndonjë pamje të caktuar. Me një respekt pak më të madh ndërmjet vete, bota me të vërtetë do të ishte vend më i mirë. Në këtë kuptim, është interesant të shënohet se Maqedonia, me të vërtetë e udhëhequr nga Qeveria ekzistuese, bëri shumë hapa të rëndësishëm si nënshkruese e të deklaratës së parë për orientim seksual dhe identitet gjinor, e nënshkruar në Asamblenë e Përgjithshme të KB më 18 dhjetorë 2008, pas së cilës vijoi edhe deklarata e përbashkët e KB në të njëjtën temë më 22 mars 2011, e prezantuar nga Kolumbia me kërkesë të 85 vendeve, duke e përfshirë edhe Maqedoninë, para Këshillit për të drejta të njeriut të  KB. Pjesë e këtyre deklaratave përbëhen me premtimet e nënshkruesve për luftë aktive kundër diskriminimit vendor në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual. Këto janë premtime të bukura dhe gjithsesi do të dëshiroja që së shpejti të realizohen në Maqedoni.


    ZHURNAL: Prej Maqedonie në Majami
    Të flasim pak për jetën Tuaj në Maqedoni. Këtu jeni katër vite. Çka fituat, kurse çka humbët nga jeta në Maqedoni?

    Fitova shumë njohuri për Maqedoninë dhe për Ballkanin Perëndimorë, dhe me shumë kuptim të përmirësuar të sfidave me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e Evropës, kuptohet gjithashtu edhe në këndvështrim të historisë. Gjithashtu fitova shumë miq të mirë në Maqedoni, dhe në fund kuptohet kjo vlen më së shumti. Më tej, fitova rrudha të reja, sepse në mënyrë të palodhshme jemi munduar të punojmë shumë. Nuk kam humbur shumë, vetëm mundësitë të takohem me të familjes sime – nënën time, 4 vëllezërit e mi dhe 3 motrat e mia – dhe miqtë e mi, të cilët ndonjëherë shumë më mungojnë.


    ZHURNAL: Keni stil interesant të veshjes. Sa kodekset diplomatike janë faktorë kufizues në stilin e jetës Suaj?

    Pikë interesante. Të jem e sinqertë, mundohem të jem vetja. Jetojmë në shekullin 21; diplomacia me të vërtetë është bërë shumë më dinamike në krahasim me të kaluarën dhe diplomatët e sotëm janë njerëz të cilët fortë qëndrojnë në botë. Sikur që dini, shoqëria holandeze tradicionalisht është progresive, moderne, e përparuar dhe liberale. Ashtu edhe unë ndjehem. Kuptohet, diplomatët patjetër të jenë të veshur në mënyrë adekuate dhe në pajtim me rastin, por kjo gjithsesi nuk do të thotë se patjetër duhet ta zbatojnë konceptin “një stil për të gjithë”. Të gjithë ne jemi individ me shije të vet. Unë kam mendim timin dhe vet i sjell vendimet për atë se çka do të veshi pa mos u brengosur shumë për atë çka mund të thonë ose mendojnë të tjerët. Ajo pa nevojë jetën do të ma bënte të komplikuar dhe kuptohet më pak interesant. Për të ngelurën, ndjejë se e kemi kaluar stilin e vjetër të diplomacisë. Të jesh ambasador është punë fantastike e plotë me sfida, për të cilët duhet të keni vullnet në mënyrë të palodhshme të punoni për t’i arritur rezultatet të cilat priten nga Ju.


    ZHURNAL: Çka pas mbarimit të mandatit në Maqedoni? Ju pret ndonjë sfidë e re diplomatike?

    Pas mbarimit të mandatit këtu në mesin e korrikut do të shkoj në Majami si Konzull Gjeneral. Në funksionin tim të ri do të jem përgjegjëse për përparimin e marrëdhënieve tregtare-investuese dhe bashkëpunimin kulturor ndërmjet Holandës dhe pjesës juglindore të SHBA-ve dhe Karibit. Gjithashtu do të punoj edhe në diplomacinë publike dhe në ngjarjet politike. Pozita e Konzullit Gjeneral do të më mundëson të njoftoj një mënyrë më ndryshe të pozitës së ambasadorit, edhe më praktike dhe më e koncentruar në prioritetet e diplomacisë ekonomike të Qeverisë së tanishme të Holandës. Megjithëse gjithsesi do të më mungon Maqedonia si dhe njerëzit e mrekullueshëm këtu, njëkohësisht mendimi për funksionin tim të ri dhe të jetës në ShBA më paraqet sfidë. Ky është fati i një diplomati, por njëkohësisht edhe ana e mirë e punës.


    ZHURNAL: Kush është Simone Filipini?

    51- vjeçarja ambasadorja holandeze është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve dhe që 23 vite punon në Ministrinë e punëve të jashtme të Mbretërisë së Holandës. Katër vite para emërimit ambasador në Maqedoni, zonja Filipini ka udhëhequr me Seksionin për gra dhe zhvillim pranë ministrisë, si dhe seksionin për emancipim dhe shëndet reproduktiv dhe seksual. Në Maqedoni në pozitën e ambasadorit është që nga viti 2007. Kah mesi i korrikut ambasadores Filipini i mbaron mandati, me ç’rast shkon në Majami, SHBA, si Konsull Gjeneral.
     

Prof.Dr.Begzad Baliu ;GJENDJA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE DHE PERSPEKTIVA E TYRE


1. Çështje të historisë së kërkimit
Një shekull më parë, saktësisht në vitin 1897, Faik Konica tër­hiqte vërejtjen për varfërinë letrare të letrave shqipe, duke shtuar se ajo nuk kishte më shumë se pesë a gjashtë libra cilësor[1].
Ky konstatim për letërsinë shqipe nuk do të dukej shumë i rën­dësishëm për kohën tonë, sikur të mos ishte përpjekja e parë për të sjellë sintezën e plotë të pasurisë histori­ko-letrare në letrat shqipe dhe sikur ky vlerësim të mos na bëhej sino­nim i mendimit tonë kritik për gjendjen shkencore të studimeve alba­nologjike, sot, një shekull më vonë.
Pas këtij konstatimi të Faik Konicës, përpjekjet për të vlerësuar shkencën dhe kulturën shqiptare nuk kanë munguar, por ka munguar për­pjekja për të organizuar atë në nivel të institucioneve shkencore kombëtare dhe të instituionalizuara. Në vitin 1940, bëhet përpjekja e parë për të themeluar një institucion shkencore, i cili do të merrte për­sipër jo edukimin arsimor, misionin e të cilës e kryente Normalja e Elbasanit, po kërkimin shkencor, përkatësisht institucionalizimin e tij në shkallë kombëtare. Po në këtë vit organizohet ne Tirane një Kon­gres i Studimeve Shqiptare, në të cilin merrnin pjesë, përveç shqip­tarëve, edhe albanologë të shquar, sado për fat të keq, vetëm të pro­veniencës italiane. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqip­tare me qendër në Tiranë[2].
Pas Luftës së Dytë Botërore, janë bërë përpjekje sistematike për formimin e institucioneve arsimore dhe shkencore në fushë të alba­nologjisë. Në të njëjtën kohë janë organizuar takime shkencore për të caktuar orientimet teorike, metodologjike dhe madje ideologjike të së ardhmes së shkencës shqiptare.
Në vitet 1948–1952, në Tiranë dhe në Prishtinë, janë bërë për­pjekje për të parë gjendjen e studimeve (më shumë ideore) brenda in­stitucioneve shkencore në Tiranë dhe në Prishtinë, me theks të ve­çantë të ardhmen e shqipes standarde.
Në vitin 1962 organizohet Konferenca e Parë e Studimeve Al­banologjike, në të cilën bardi shkencor dhe ideologjik i kryeprojekteve albanologjike kombëtare Androkli Kostallari përvijonte në krye­referatin e tij sintezën e madhe, drejtimet, fushat dhe kufijtë e stu­dimeve alba­nologjike, ndërsa veç tjerash premtonte se do të bëheshin objekt studimi edhe vepra e “atyre shkrimtarëve të njohur të së kaluarës, si Gjergj Fishta, Faik Konica, Zef Skiroi etj.”[3] Pavarësisht nga ky prem­tim, sikur dihet, veprat e disa krijuesve dhe rezultatet e disa pro­jekteve jo vetëm nuk do të studiohen, por do të bëhen objekt harrese dhe sulmi. Institucionet shkencore në Tiranë do të bëhen strumbullar i disa prej projekteve të mëdha shkencore, si: Kongresi i Drejtshkrimit, Konferencat e studimeve ilire etj., por nuk do të arrijnë të dalin nga gëzhoja ideologjike e sistemit, dhe më shumë se reflek­tuese ato u bënë refuzuese të arritjeve të reja.
Në këtë rrjedhë, në Tiranë institucionet shkencore, arsimore dhe kulturore shënojnë një mbyllje të jashtëzakonshme brenda kufijve po­litik dhe ideologjik, duke përjashtuar madje edhe letërsinë e shkruar në Kosovë nga Historia e letërsisë shqipe e gjysmës së dytë të sheku­llit XX[4], ndërsa të njëjtin mision kryejnë edhe studiuesit shqiptarë në Europë dhe Amerikë. Ndonëse vërehen hapa të rëndësishëm bashkë­punimi dhe komunikimi, sidomos në përpjekjen e përbashkët për shqipen standarde, pikërisht në këtë dekadë vërehen hapa tepër të veçantë për projektimin separatist të kulturës shqiptare. Mirëpo, rea­gimet edhe kësaj here nuk kanë munguar. Në fushë të gjuhës shquhet insistimi i Profesor Idriz Ajetit që në Seminaret e albanologjisë të projektojë kontekstin ballkanik[5] dhe ai i Profesor Rexhep Qosjes për projektimin evropian të gjuhës, letërsisë dhe përgjithësisht kulturës shqiptare. Profesor Rexhep Qosja, që në vitin 1969, veç tjerash kishte shkruar traktatet për studimet albanologjike, in­stitucionet dhe perspektivën evropiane të tyre[6], që mund të quhen edhe përgjigje koncepteve të Androkli Kostallarit të paraqitura në Kon­ferencën e parë të studimeve albanologjike (1962).
Po në këtë periudhë, në Kosovë bëhen përpjekje individuale dhe kolektive për të dalë nga rrethimi. Në vitin 1968 rihapet Instituti Alba­nologjik dhe po këtë vit organizohet Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Në vitet ’70 themelohet edhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa në vitin 1974 fillon punën Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në fushë të ndërkombëtarizimit të albanologjisë Seminari paraqet institucionin më të rëndësishëm nacional, përmes të cilit bëhet i mundur popullarizimi i albanologjisë si shkencë dhe histo­risë e kulturës shqiptare si pjesë e kulturës universale. Po në këtë kohë hapet edhe Akademia e Shkencave në Prishtinë dhe në Tiranë.
Përpjekjet për të vlerësuar e rivlerësuar studimet albanologjike dy dekadat e fundit janë bërë kryesisht në fushë të historisë dhe të letërsisë, me qëllim të çlirimit të saj nga konceptet ideologjike[7].
2. Vendet dhe institucionet
 
Duke iu kthyer edhe njëherë identifikimit të hapësirës ku janë krijuar institucionet shkencore dhe arsimore në fushë të albanologjisë, duam që njëkohësisht të bëjmë edhe një sistemim të tyre historik dhe kronologjik. Sikur është konstatuar shumë herë deri më tash, nga gjysma e dytë e shekullit XX, institucionet e kërkimeve albanologjike nga hapësira e kolonisë se arbëreshëve të Italisë dhe nga hapësira gjermanofone e Austrisë dhe e Gjermanisë kaluan në hapësirën shqiptare: Tiranë, Prishtinë, Shkodër, Shkup e kështu me radhë.
Në Tiranë, tashmë një gjysmë shekulli, ku më parë e ku më vonë, janë themeluar:  Universiteti i Tiranës, Akademia e Shkencave e Shqi­përisë, Qendra Enciklopedike, Instituti i Gjuhësisё dhe i Letërsisë, Fa­kulteti i Gjuhëve të Huaja, Instituti i Folklorit, Instituti i Historisë, In­stituti i Arkeologjisë dhe revistat shkencore: Buletini i Universitetit të Tiranës, Studime historike, Studime filologjike, Iliria, Kërkime folklorike etj. Një qendër po kaq e organizuar në fushë të albanologjisë, madje me një traditë të fortë gati njëshekullore në fushë të filologjisë, po në të njëjtën kohë u bë Shkodra. Në këtë qytet të Veriut të Shqipërisë me kohë u themeluan Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Biblioteka “Marin Barleti” dhe më vonë Seminari i Albanologjisë, Muzeu i Shkodrës, Seminari ndërkom­bëtar “Shkodra në Shekuj”. Brenda tyre u botuan disa revista dhe kolana shkencore: Kolana e botimeve të trashëgimisë, kryesisht e botimeve para Luftës së Dytë Botërore e Kishës Katolike, Buletin shkencor, Pheonix, Hylli i Dritës, Kolana e seminarit “Shkodra në shekuj” etj. Pas rënies së komunizmit shkollat e larta pedagogjike u kthyen në universitete. Në Elbasan u themelua Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, dhe filloi botimi i Buletinit të Univer­sitetit; në Korçë u themelua Universiteti “Fan Noli” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit, ndërsa tash së fundi po punohet për themelimin e një qendre të studimeve ballkanike; në Gjirokastër u themelua Universiteti “Eqrem Çabej” dhe filloi botimi i Buletinit të Uni­versitetit, ndërsa në Vlorë u themelua Universiteti “Ismail Qemali” dhe filloi botimi i Buletinit të Universitetit.
 
Të një moshe me disa nga institucionet e larta arsimore dhe shkencore me të Tiranës janë edhe disa nga institucionet arsimore dhe shkencore të  Prishtinës. Nga fillimi i viteve ’50 në Prishtinë kanë filluar të themelohen disa nga institucionet më të rëndësishme shkencore: Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Histo­risë së Kosovës, Arkivi i Kosovës, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Brenda tyre janë botuar dhe kanë fituar moshën e pjekurisë edhe disa nga revistat më të mira shkencore në fushë të albanologjisë: Studime, Vjetari, Filologjia, Kosova, si dhe seria e revistave Gjurmime albanologjike dhe Gjuha shqipe.
 
Ndonëse të përshkuara nga një trysni e skajshme politike, në Shkup, e më pas edhe në Tetovë, janë bërë përpjekje për të organizuar institucionet shkencore dhe arsimore. Brenda Universitetit të Shkupit që nga vitet ’50 funksionon  Katedra për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, ndërsa brenda saj janë të organizuara drejtimet studimore për  pedagogji dhe për përkthyes e inter­pretues në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Në gjuhën shqipe dhe në gjuhën maqedonase studiohet dy dekadat e fundit edhe në Universitetin e Tetovës dhe në atë të Europës Juglindore në Tetovë e tash së voni edhe në Shkup. Në të tri qendrat nuk ka ndonjë aktivitet të dendur shkencor në fushë të albanologjisë edhe pse në Universitetin e Europës Juglindore funksionon një Qendër e Kërkimeve Shkencore, ndërsa kohëve të fundit ka zënë të organizohet Seminari i Gjuhës Shqipe edhe nga Universiteti i Tetovës. Në këtë rrjedhë duam të theksojmë se brenda hapësirës ish-jugosllave albanologjia studiohet edhe ka një traditë të mirë sidomos në Seminarin e Albanologjisë në Beograd, themeluar nga linguisti i njohur i përmasave ballkanike Henrik Bariq, pastaj në Podgoricë sapo është themeluar Fakulteti i Mësuesisë, e në Ulqin ka një revistë (Lemba) themeluar më shumë se sa një dekadë më parë, e cila albanologjinë e ka bërë mision dhe vizion në këtë hapësirë. 
 
Studimet albanologjike sot, as nga aspekti historik as nga aspekti i arritjeve shkencore nuk mund të merren me mend pa njohjen e kërkimeve shkencore në hapësirën italiane dhe gjermane.
Në Romë që nga mesi i shekullit XX funksionin Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit tё Romёs (1957) dhe pranë saj Instituti i Studimeve Shqiptare, ndërsa rol të rëndësishëm zë njëra prej revistave shkencore dhe kulturore e mjeshtrit të madh të letrave shqipe Ernest Koliqit, Shejzat (La Pleidai). Në Palermo vepron Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, themeluar në vitet 1930–1931, nga historiani i letërsisë Gaetano Petrotta. Brenda saj ndërkaq dalin tri kolana botimesh: Albanica me 27 vëllime; kolana Studi i testi albanesi me katër vëllime; kolana e sapohapur Balcanistica me dy vëllime të botuara. Brenda këtij institucioni rëndësi të posaçme ka projekti BESA për mbledhjen dhe digjitalizimin e leksikut të veprave të autorëve arbëreshë; si dhe të projekteve të hartuara në kuadër të ligjit të miratuar në vitin 1999 mbi “Mbrojtjen e të drejtave te pakicave gjuhësore në Itali.” Në Napoli kemi Universitetin e Napolit “L’Orientale”. Brenda tij kemi katedrën e gjuhës shqipe në të cilën ligjërohet lënda e gjuhës dhe e letërsisë shqipe dhe filologjia shqipe. Titullari i lëndëve Profesor Italo Costante Fortino është edhe drejtor i Departamentit të Evropës Lindore, ku bëjnë pjesë të gjitha gjuhët e lindjes: shqipja, hungarishtja, rumanishtja, serbishtja, maqedonishtja, greqishtja, rusishtja, bullgarishtja, çekishtja etj. Puni­met shkencore botohen në kuadrin e departamentit. Posa­çërisht për shqipen del revista voluminoze Albanistica. Një lektorat i gjuhës shqipe gjendet edhe në Kozencë, ndërsa në Universitetin e Leçes albanologjia është organizuar në shkallë të Katedrës.
 
Studimet albanologjike janë formuar, janë organizuar, janë bërë shkencë më vete dhe kanë arritur përmasat e studimeve europiane, që nga mesi i dytë i shekullit XIX me shkollën austro – gjermane. Sot ajo studiohet në Munih (Munich) pranë Institut für Vergleichende und Indogermanische, Sprachwissenschaft sowie Albanologie, Departement II für Sprache und Kom­munikation, Fakultüt für Sprach- und Literaturwissen­schaften. Ludwig – Maximilians - Universität München. Në Munih botohet edhe vjetari shumë i pasur me studime albanologjike: Indogermanische Forschungen, një nga kolonat më të rëndësishme të historisë së albanologjisë të shekullit XX. Edhe në Leipzig (Lajpcig) gjuha shqipe mësohet në kuadër të Katedrës së Ball­kanistikës, ndërsa në Vjenë (Wien), albanologjia është mësuar e vazhdon të mësohet në Institutin e Indoeuropeistikës të Universitetit të Vjenës. Në Vjenë botohet në gjuhën gjermane revista për histori, kulturë, letërsi e politikë Dardania, të cilën e drej­ton ish-lektori i gjuhës shqipe në këtë qendër Skënder Gashi.
 
 
Ndryshe nga shumë qendra ku shqipja mësohej dhe studiohej në përmasa të studimeve ballkanike dhe europiane, por se sot aktivitetet rreth saj janë zbehur, në qendrat universitare dhe shkencore në  Poloni, ky interesim shkon duke u zgjeruar. Në këtë vend shqipja ekziston si lektorat sot në tre institucione edu­kuese në Poloni: në Universitetin e Torunjit “Mikollaj Kopernik”, në Universitetin e Varshavës, pranë Shkollës së Gjuhëve Lindore është mësuar për dy vjet në filialin e Universitetit “Adam Mickievic” tё Poznanjit, i cili quhet Collegium Europaeum Gnesnense, dmth. Kole­gji Europian në Gniezno. Në këtë shtet, vendin e mëparshëm të bardëve të albanologjisë: Cimohovskit, Profesoreshës Savicka etj., po e zë një brez i ri, në mesin e të cilëve edhe një shqiptar, Rigels Halili. Po kështu mund të thuhet edhe për qendrën e studimeve albanologjike në Universitetin e Sofjes. Në këtë institucion të lartë universitar ekziston Dega e Ballkanologjisë, e krijuar në vitin 1994 në Fa­kultetin e Sllavistikës së Universitetit të Sofjes “Shën Klementi i Ohrit” pranë Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme nën udhëheqjen e Profesoreshës Petja Asenova. Albanologët e kësaj qendreje, drejtuar nga Profesoresha Rusana Bejleri, kanë krijuar edhe web-faqen elektronike, ku botohen studime, recensione dhe tekste letrare, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën bullgare. Në këtë krah të studimeve albanologjike bie edhe njëra nga qendrat më të fuqishme të studimeve albanologjike dhe ballkanologjike në Shën Petërsburg (Sankt-Peterburg), ku shqipja është organizuar në nivel të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe dhe ku vendin e bardëve të studimeve albanologjike, si Agnia Desnickaja e brezi i studiuesve të saj, po e zë një brez i ri në krye me studiuesin e përmasave ballkanike Profesorin Rusakov.
Ndonëse në përmasa më të vogla dhe madje kryesisht në nivel lektoratesh të mësimit të shqipes standarde, albanologjia studiohet edhe në disa qendra të Europës qendrore, perëndimore dhe në Amerikë. Gjuha shqipe mësohet në Londër, pranë Degës së Studimeve Sllave dhe të Europës Lindore, ndërsa po në këtë qytet punë të mirë në  hulumtimin, studimin dhe botimin e veprave në fushë të albanologjisë bën Instituti i Studime­ve Shqiptare, drejtuar nga studiuesi dhe editori Destan Bejtullahu. Gjithashtu, lektorati i gjuhës shqipe funksionon edhe në Universitetin e Arizonës, ndërsa Katedra e Gjuhës Shqipe edhe në Paris. Deri më tash, në Budapest për më se një gjysmë shekulli kurset e shqipes i ka organizuar filologu i përmasave ballkanike Ishtvan Shvits (István Schütz).
Një shtrirje më vete ka marrë mësimi dhe studimi i gjuhës shqipe edhe në institucionet arsimore e shkencore të Greqisë. Në Selanik, pranë Institutit të Gjuhëve Ballkanike, krahas gjuhës serbe, bullgare, ruse dhe rumune, mësohet edhe shqipja. Në Janinë dhe në Follorinë kemi lektoratet e shqipes, ndërsa në Athinë ka zënë rrënjë të mira Shoqata shkencore “Lidhja Filologjike Shqiptaro-Greke”, brenda së cilës del edhe revista shkencore Albanogrekica.
3. Orientimet
Shkenca e albanologjisë i ka tejkaluar tashmë disa çështje, që vetëm disa dekada më parë i konsideronte themelore në projektet na­cionale të saj.
3.1. Në fushë të historisë:
albanologjia problemin e dikurshëm të gjenezës së popullit shqiptar e konsideron të mbyllur dhe të pranuar në institucionet ndër­kombëtare pa domosdoshmërinë e mitizimit të saj; çështjen e formimit të kombit shqiptar tashmë e diskuton në kontekst të identitetit të saj evropian; projektimin e historisë së popullit shqiptar e konsideron jo si një histori të Shqipërisë, që në të vërtetë ishte histori e kufijve shtetë­ror e politik, po si një histori kombëtare e popullit shqiptar në kufijtë e saj etnografik. Brenda këtyre kritereve metodologjike pritet të rea­lizohet projekti i ri i historisë së popullit shqiptar, enciklopedisë së po­pullit shqiptar etj., ndonëse për shkaqe të caktuara në periudhën tran­zitore të kësaj kohe në Tiranë kanë përfunduar të ashtuquajturat pro­jekte kalimtare Historia e popullit shqiptar deri në vitin 1912 dhe Fjalori enciklopedik shqiptar.
3.1.1. Tema të reja:
rihapja e çështjes shqiptare; studimet për historinë dhe çështjen çame; rikthimi i epokës së Skënderbeut (në 600-vjetorin e lindjes); mbështetja në literaturën ballkanike (përkthimet); kërkimet e Robert Elsies në arkivat dhe bibliotekat e proveniencës Perëndimore, kërki­met e Musa Ahmetit në Arkivat e Vatikanit, kërkimet e Iliaz Rexhes në Arkivat e Turqise, kërkimet e Dhori Qiriazit në Arkivat e Greqisë, kërkimet e Oliver Shmitit në arkivat italiane dhe austriake, paraqesin kontribute të veçanta në kërkimet e kësaj fushe.
3.2. Në fushë të gjuhësisë:
albanologjia ka tejkaluar studimin me çdo kusht të problemeve gjuhësore me karakter historik dhe madje me metodologji historiciste, ndërsa gjithnjë e më shumë merret me çështje pragmatike të nevojave të saj: fjalorët elektronikë, fjalorët terminologjikë, diskutimin e stan­dardit gjuhësor në kontekst të rrethanave të reja, problemin e standar­dizimit të onomastikës etj. Qendrat e studimeve albanologjike në Pri­shtinë tashmë janë pjesë e projekteve mbarëkombëtare, sikur është Komisioni Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, në të cilin tash sa kohë po diskutohen jashtë prirjeve ideologjike dhe dogmatike disa çështje të standardit të shqipes, ndërsa pas disa vitesh pune një komision eksper­tësh në shkallë Kosove i ka dhënë fund draftit të parë të standardizimit të emërvendeve të Kosovës.
3.2.1. Botimet:
botimi i Atlasit Dialektologjik; përfundimi i botimit të veprave të Çabejt në fushë të etimologjisë; seria e botimeve albanologjike në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjera (anglisht e gjermanisht) të cilat nën drejtimin e Profesor Rexhep Ismajlit po botohen në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës; seria e botimeve të trashëgimisë al­banologjike drejtuar nga studiuesja Ledi Shamku në Tiranë; fillimi i botimit të veprave të Jup Kastratit (Bibliografia albanistike I)[8]; veprat studimore në fushë të fonetikës së shqipes nga Profesor Kolec Topalli; studimet gjuhësore në fushë të shqipes nga Profesor David Luka; botimi i veprave të Kole Ashtës Leksiku historik i gjuhës shqipe, dhe sidomos botimi e ribotimi i shumë fjalorëve dygjuhësorë: anglisht-shqip, italisht-shqip, gjermanisht-shqip, greqisht-shqip e anasjelltas, paraqesin disa nga arritjet më të rëndësishme në fushë të gjuhësisë shqiptare etj. Një fjalor i madh hungarisht-shqip, i Profesor Ishtvan Shvic (Istvan Schvici), i cili pritej të botohej shpejt, tashmë edhe pas vdekjes së autorit ende gjendet në dorëshkrim.
3.3. Në fushë të letërsisë:
përveç kthimit të autorëve të ndaluar, në Tiranë është zgjeruar metoda shkencore e studimit, ndërsa në Prishtinë gjithnjë e më shumë, madje edhe nga brezi i ri i studiuesve, po provohet i ashtuquajturi “studim personal” i autorëve dhe veprave letrare. Studimet letrare në Tiranë shkojnë drejt ristrukturimit brenda teorive bashkëkohore të kërkimeve evropiane, ndërsa në Prishtinë drejt prirjes për të ndërtuar prirjet e studiuesve të veçantë, sado ato edhe më tej mbeten në nivel të përsiatjeve dhe sikur thuhet të “kërkimit të esencave”.
3.3.1. E veçantë:
studimet tekstologjike për letërsinë arbëreshe të Matteo Mandalasë dhe projekti BESA për mbledhjen dhe dixhitalizimin e veprave të autorëve arbëreshë, drejtuar nga Profesor Françesko Altimari; kërkimet e dr. Zymer Nezirit në Fondin e Eposit të Uni­versitetit të Harvardit, etj. Mbi tridhjetë vëllime me ligjërata e studime të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqip­tare paraqesin arritjet më të reja në fushë të studimit, konferencave dhe kërkimeve postkomuniste në fushë të albanologjisë.
4. Revistat
Kanë përfunduar “misionin” e tyre letrar: Jeta e re, Nëntori, Jehona, Fjala, Drita etj., dhe vendin e tyre kanë zënë: Përpjekja, Mehr Licht!, Poeteka, Sfidë, Ars, Fjalа, Aleph. Është rikthyer edhe Hylli i Dritës.
5. Perspektiva e kërkimeve albanologjike
Nëse perspektiva e studimeve albanologjike varet prej per­spektivës së kërkimeve shkencore në vende dhe arkiva shkencore, si dhe prej metodës së studimit të tyre, atëherë kërkimet albanologjike, përveç në hapësirën e njohur shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në hapë­sirën etnike, gjuhësore dhe etnografike të banuar nga shqiptarët në Greqi; në arkivat mesjetare dhe antike greke; në hapësirën etnografike dhe gjuhësore e shqiptarëve në Itali, si dhe në arkivat shtetërore, kishtare, shkencore dhe kulturore të tyre; në arkivat shtetërore dhe kishtare të zonës bregdetare të Kroacisë; në Arkivat Shtetërore Turke dhe në Arkivat e Vatikanit, ku po bën kërkime kryesisht studiuesi Mu­sa Ahmeti. Pranë Arkivave të Vatikanit dhe Arkivave të Turqisë është me shumë interes që të themelohen edhe Institutet shkencore na­cionale, të cilat do të merreshin vetëm me kërkimet e kësaj natyre.
Në gjuhën, letërsinë, folklorin, historinë dhe etnografinë shqip­tare ka shumë interes të bëhen kërkime në disa qendra shkencore të Evropës Qendrore: Vjenë, Grac, Mynhen dhe sidomos në fondin “Ga­ngala” të Kopenhagës. Biblioteka Mbretërore e kryeqytetit të Dani­markës (Kopenhagë), në të cilen gjendet edhe Koleksioni “Gangala” (sipas lektorit të shqipes Giuseppe Gangala, 1898–1978), mund të për­mbysë konceptin për themeluesit gjerman të albanologjisë shkencore. Arbëreshët mund të bëhen jo vetëm prijës të letërsisë së romantizmit dhe mbledhës të folklorit e përshkrues të etnografisë shqiptare, por edhe themelues të shkencës së albanologjisë në gjysmën e parë të shekullit XIX, brenda të cilës hynë edhe teoria e prejardhjes ilire të popullit shqiptarë e të gjuhës shqipe.
Në kërkime të dorëshkrimeve të panjohura deri më tash apo të identifikuara ndërmjetshëm, përveç veprave të shkruara para Buzukut, në historinë e re, gjetja e dorëshkrimit të Fjalorit etimologjik të Nor­bert Joklit, sigurisht paraqet interes të madh për albanologjinë.
6. Rikthimi te Faik Konica
Pas reagimit të lexuesve për konstatimin e tij se “letërsisë shqi­pe nuk kishte veç se pesë a gjashtë vëllime të holla”, Konica “për­mirësoi” mendimin e tij, duke u përgjigjur se kur kishte konstatuar një vëllim kaq të varfër të letrave shqipe nuk kishte menduar për per­sonalitetet, por për veprat. Kultura kombëtare kishte shumë per­sonalitete të rëndësishme që nga ana kombëtare shqiptare janë me rëndësi, – por ne, – shtonte Konica, – patëm për qëllim të theksojmë vetëm ato vepra që kanë vlerë me vete.[9]
Kush do të kundërshtonte sot mendimin e Konicës një shekull më vonë, po të përpiqeshim të bënim një vlerësim të kontributeve tona shkencore të karakterit nacional. Nëse sot konstatojmë se kontributet shkencore nacionale nuk janë veç se një numër më i vogël vëllimesh, se ato që kishte theksuar Faik Konica një shekull më parë dhe se në mesin e atyre veprave të rëndësishme nuk janë as veprat themelore: Fjalori i madh i gjuhës shqipe, e të mos flasim për Fjalësin kombëtar të shqipes (ndërkohë që në kohën e Konicës shqipja kishte në dorë­shkrim Fjalorin e Kristoforidhit dhe madje Fjalorin etimologjik të Gustav Majerit); se në vend të Enciklopedisë nacionale kemi Fjalorin e vogël enciklopedik; se në vend të Historisë së popullit shqiptar kemi gjysmën e parë të saj; se në vend të Historisë së letërsisë shqipe kemi disa pjesë të saj; se ende nuk kemi një vepër akademike për letërsinë popullore, etnografinë, muzikologjinë, arkeologjinë, se edhe Gramati­kën e shqipes standarde nuk arritëm ta botojmë të plotë; se edhe ai nu­mër i vogël leksikonësh të botuar deri më tash janë rezultat i punës individuale të disa “iluministëve”, po jo edhe punës shkencor të insti­tucioneve shkencore, të cilat janë themeluar pikërisht për këto synime, si do të reagonin sot individët dhe institucionet shkencore.
Duke e ditur që më parë se edhe ndaj këtyre konstatimeve reagime do të ketë edhe një shekull pas reagimeve që iu bënë Faik Konicës, dëshiroj të përgjigjem që më parë: në kohën tonë, kemi jo vetëm individualitete të shquara shkencore, kulturore, filozofike, letrare etj., por kemi edhe institucione shkencore kombëtare: akade­mike, universitare, shkencore, institute të specializuara etj., të cilat, kudo me emrin e tyre i nderojnë popujt e qytetëruar të botës, por edhe këtu fjalën e kishim për ato vepra themelore, të cilat i mungojnë shkencës së albanologjisë, dmth. shkencës nacionale.
8. Në vend të përfundimit
Nëse rezultatet e reja të studimeve albanologjike varen prej perspektivës së kërkimeve shkencore në vende të ndryshme dhe arkiva shkencore, si dhe prej metodës së studimit të tyre, atëherë kërkimet albanologjike, përveç në hapësirën e njohur shtetërore dhe shkencore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, duhet drejtuar edhe në hapësirën etnike, gjuhësore dhe etnografike të banuar nga shqiptarët në Greqi; në arkivat mesjetare dhe antike greke, në hapë­sirën etnografike dhe gjuhësore e shqiptarëve në Itali, si dhe në arkivat shtetërore, kishtare, shkencore dhe kulturore të tyre. Në arkivat shte­tërore dhe kishtare të zonës bregdetare të Kroacisë, në Arkivat Shtetë­rore Turke, në Arkivat e Vatikanit, të Rumanisë, të Bullgarisë, të Aus­trisë, të Rusisë dhe të Egjiptit, Greqisë. Pranë Arkivave të Vatikanit dhe të Turqisë është me shumë interes që të themelohen edhe Institutet shkencore nacionale, të cilat do të merreshin vetëm me kërkimet e kësaj natyre.
RESUME
THE STATUS OF ALBANOLOGY AND ITS PERSPECTIVE
If the new outputs of Albanology depend on scientific research in other countries and on their archives, as well as on methodology, then, besides Albania, Kosova, FYROM and Montenegro, the Alba­no­logy research must be extended also in the Albanian ethnic, linguis­tic and ethnographic area in Greece, in the medieval and ancient Greek archives, in the Albanian ethnographic and linguistic area in Italy, as well as in their state, church, scientific and cultural archives. It is indispensable that research must be carried out in the Croatian Riviera, in the Turkish, Rumanian, Bulgarian, Austrian, and Russian state archives, as well as in the Vatican archives.It is of much interest the establishment of national scientific institution in the Vatican and Turkish archives, that would deal exclusively with this kind of research.
 
 




[1] Faik Konica, Letërsia shqipe, “Albania”, Bruzelles, 1897, V. I. nr. 2.f.1.
[2] Më 8 prill 1940 Sekretari i Pcrgjithshëm i Kryesisë së Këshillit të Ministrave miratoi krijimin e fondacionit "Skanderbeg" si dhe statutin e Institutit të Studimeve Shqiptare. Sipas këtij statuti, Insituti i Studimeve Shqiptare kishte për qëllim t'i jepte hov e të bashkërendonte lëvizjen intelektuale shqiptare në fushën e shkencës, të letrave e arteve. Të përkujdesej për pasurimin e kulturës kombëtare, duke marrë si shëmbull kombet e përparuara të Europës, por duke ruajtur njëkohësisht dhe karakterin kombë'tar sipas mendësi ve dhe traditave më të mira kombëtare (AQSH, F. 200, V. 1940, D. 10., sipas Gentiana SINOJMERI, Arkivi Shqiptar, Viti 5, Nr. 1-2, 2004.
[3] Androkli Kostollari, Gjendja e Studimeve Albanologjike në Shqipëri, probleme dhe detyra të reja, Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1965, f. 57; 1969:
[4] Shih, Grup autorësh, Historia e letërsisë shqiptare e realizmit socialist, ASH e RPS të Shqipërisë - IGJL, Tiranë, 1978.
[5] Shih, Fjala e përshëndetëse e prof. dr. Idriz Ajetit, drejtor i Seminarit të
Kulturës Shqiptare për të Huaj, SKSHH 1, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 1975, f. 7.
[6] Shih fjalën e tij “Studimet albanologjike dhe institucionet e tyre”  (1969), në “Nocione albanologjike”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1984, f. 32.
[7] Po këtë temë, por në një aspect tjetër e kam trajtuar edhe në kumtesat: Studimet gjuhësore në Kosovë në gjysmën e dytë të shekullit XX: shkollat, domenet, problemet, metodat, në Simpoziumin Ndërkombëtar të Organizuar me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik, Prishtinë,ë 2003”, si dhe Gjendja e studimeve albanologjike në fillim të shekullit XXI, (fjala hyrëse), në Konferencën vjetore të Institutit Alb-Skenca, Tetovë, 2 shtator 2009.
[8] Prof. dr. Jup Kastrati, Bibliografi albanistike, I, (Përkujdesja dhe parathënia e mr. Begzad Baliut), Shb. ERA, Prishtinë, 2001.Për kontributin e Profesor Jup Kastratit shih gjerësisht monografine: Begzad Baliu, Vepra bibliografike e Profesor Jup Kastratit, Institutin Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2005.
 
[9] Cituar sipas, Jup Kastrati, Faik Konica, Gjonlekaj publishing Company, New York, 1995, f. 300-301.

Flet Akademik Rexhep Qosja/Gazeta Telegraf /

Shqiptarë, po u privatizohet shteti!


image


INTERVISTA/ Bisedë ekskluzive e Akademikut Rexhep Qosja, me drejtorin e gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai
                       




Çka i lejoj vetes, nuk ta lejoj ty!

Në momente të vështira për kombet, pesha e mendimit të mendjeve të ndritura merr një rëndësi të veçantë. Ndër mendjet më të ndritura të kombit shqiptar është padyshim Akademiku Rexhep Qosja. Përveçse një nga studiuesit dhe shkrimtarët më të njohur të letrave shqipe, personaliteti intelektual i Prof. Rexhep Qosjes u rrit jashtëzakonisht shumë gjatë dy dekadave të fundit. Në periudhën e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, intervistat e Prof. Qosjes përpiheshin nga shqiptarët kudo që ndodheshin për kthjelltësinë dhe largpamësinë e tyre. Më tej, ai vazhdoi të ishte i pranishëm në të gjitha zhvillimet politike e shoqërore mbarëshqiptare. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në këto ditë të tensionuara të klimës politike në Shqipëri. Në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, Prof . Qosja analizon situatën aktuale politike në Shqipëri, ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 8 Majit, duke dhënë edhe perspektivën e zgjidhjes së problemeve. Profesor Qosja prononcohet për herë të parë se çfarë mendon për letrën e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Ai flet gjithashtu, për perspektivën e çështjes kombëtare shqiptare, ku e thekson si të pashmangshëm bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.


- Profesor, pas zgjedhjeve të 8 Majit, në Tiranë është krijuar tension i ri politik. Cili është perceptimi juaj për këtë tension dhe si e keni përjetuar atë?
- Është shumë e rëndësishme që dukuritë, proceset, veprimet, sjelljet, mendimet, idetë në jetën politike dhe shoqërore të emërtohen mundësisht sa më saktë, sa më përpiktë. Si për organizmin e njeriut, ashtu edhe për organizmin shoqëror vetëm diagnozat e sakta bëjnë të mundshme që të gjendet terapia përkatëse. Shqipëria ishte në krizë dhe ishte në një krizë të përgjithshme, që zgjat shumë, shumë. Kjo që ju quani, tani, “një tension i ri politik” në të vërtetë është një shkallë më tej, një ashpërsim i dukshëm më i madh i kësaj krize të përgjithshme, sepse është, njëkohësisht, krizë që me ashpërsinë e vetë lëndon fort organizmin shoqëror! Për mendjen time dhe për shpirtin tim kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe për shqiptarët!
- Në një situatë të tillë, Presidenti i BE-së, Barroso, anuloi një vizitë në Tiranë ditët e fundit. Kë bëni përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse?
- Evropa sot apo, më saktë të thuhet, tani e disa vjet ka dy kriza: njëra krizë quhet Bjellorusi, kurse kriza tjetër quhet Shqipëri. Në qoftë se bëhemi objektivë, realistë, jo mashtrues ndaj vetvetes, do të themi: kriza e quajtur Shqipëri është po aq e madhe dhe po aq e gjithanshme sa kriza e quajtur Bjellorusi! Anulimi i vizitës së Kryetarit të Bashkimit Evropian, Hoze Manuel Barozo, në përbërjen e delegacionit të të cilit ishte edhe komisionari për Integrim, Shtefan Fyle, në Tiranë është masë e rreptë ndëshkuese që i shqiptohet politikës shqiptare, që i shqiptohet regjimit shqiptar, që i shqiptohet Shqipërisë. Kjo është masa më e rëndë ndëshkuese, me pasojat më të mëdha, që i është shqiptuar Shqipërisë prej BE-së pas vitit 1997. Më pyetni se kë bëj unë “përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse”? Unë, natyrisht, e di përgjegjësin, por unë nuk e kam fuqinë ligjore të shpall përgjegjësin. Sepse, po të kisha fuqi që të shpall përgjegjësit unë do të merrja edhe masat përkatëse ndaj përgjegjësit a përgjegjësve. Gjendja në të cilën është Shqipëria, kriza e përgjithshme në të cilën gjendet ajo, pamja e saj tepër e padëshiruar në Evropë dhe në botë përgjithësisht, e tregojnë përgjegjësin, e shpallin përgjegjësin. Dhe, ky përgjegjës është regjimi shqiptar; dhe ky përgjegjës është protagonisti i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është sundimtari i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pse? Sepse është pushtetmbajtës. Sepse është sundimtar. Sepse në duart e tij janë të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri! Sepse është autokrat. Sepse është autokrat i tipit më anakronik, më fyes për një shoqëri që pretendon të quhet evropiane, bashkëkohore! Sepse është shkelës i Kushtetutës dhe i ligjeve!
- Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve në situatën aktuale politike të Shqipërisë?
- Sipas mendjes sime, edhe ndërkombëtarët janë fajtorë për krizën në të cilën është e zhytur Shqipëria, prandaj edhe për ashpërsimin e tashëm të kësaj krize. Mua më çudisin shumë sjelljet e tyre të lara e të lyera, kjo do të thotë sjelljet e tyre të mëndafshta ndaj të këqijave të vazhdueshme që prodhon klasa politike në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre dyfytyrëshe ndaj krizës së përgjithshme në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre të “figurshme”, “poetike”, bën ashtu e bën kështu, ndaj regjimit shqiptar fare qartë autoritar; nuk më çudisin sjelljet e tyre mostoleruese (me shumë vonesë) ndaj regjimeve autoritare në Afrikën Veriore, por më çudisin sjelljet e tyre toleruese ndaj regjimit autoritar në Shqipëri. Më çudisin e, ndoshta, nuk do të duhej të më çudisin: atje ka naftë shumë e në Shqipëri nuk ka naftë as për Shqipërinë!
- Për zgjidhjen e kësaj krize, ditët e fundit Ismail Kadare i drejtoi një letër të hapur kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës, ku i kërkonte tërheqjen nga gara. Në këtë pikë, a jeni ju në një mendje me Kadarenë për zgjidhjen e krizës dhe uljen e tensioneve politike?
- Krizat politike e institucionale, shtetërore, zakonisht, nuk zgjidhen me letra e thirrje, të cilat mund të sjellin, kur e kur leverdi për shkruesin, kur e kur leverdi për marrësin e, kur e kur leverdi për protagonistët e krizave. Nuk po i paragjykoj “frytet” e letrës që përmendni, por dua të them: intelektuali e ka për obligim mendor dhe etik ta thotë të vërtetën pavarësisht sa e hidhur mund të jetë ajo, pavarësisht sa kanosen interesat e tij nga ajo, pavarësisht sa e keqpritur prej të tjerëve, prej opinionit, mund të jetë ajo. Ai që e quajmë intelektual nuk bën kalkulime, kurrfarë kalkulimesh. E, e vërteta për dramën e zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri është fare e qartë, fare e dukshme. Tregimi për këtë dramë është ky: më 21 janar të këtij viti janë vrarë 4 protestues, të pafajshëm dhe të varfër. Atë ditë kur janë vrarë ata, Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në çastin kur janë vrarë këta katër qytetarë të varfër, thuhet se ministri Lulzim Basha gjendej në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë. Në ata katër protestues të pafajshëm e të varfër nuk ka mundur të shtihet me armë pa dijen e Lulzim Bashës (dhe të Kryeministrit Sali Berisha).Por, edhe po të ishin vrarë pa dijen e tij, ata, megjithatë, janë vrarë derisa ai ishte ministër, derisa ai u lëshonte urdhra Policisë dhe Gardës së shtetit. Kur kalin e vret shala mendja e shëndoshë e popullit, e filozofëve të demokracisë, e intelektualëve dhe e shkrimtarëve e thotë: fajtor është kalorësi. Domethënë: Lulzim Basha, të cilin unë kurrë nuk e kam takuar, kundër të cilit unë, që përpara, nuk mund të kem asgjë, objektivisht është vrasës i katër protestuesve të pa armë në dorë. Në botën demokratike ai ministër, domethënë ai fajtor për vrasjen e katër protestuesve, nuk mund të kandidohet për kryetar të bashkisë së kryeqytetit, as për kryetar të asnjë qyteti, as për ndonjë pozitë tjetër politike. Kandidimi i tij, e kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsëris prapë, nga ana e Partisë në të cilën është anëtar, në të vërtetë nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është provokim i mendjes demokratike, i mendjes kundërdespotike. Kandidimi i tij, rrjedhimisht, është cenim i rëndë i kulturës politike të popullit shqiptar. Po të mendonte për interesat e vendit, ai nuk do të pranonte të kandidohej. Po t’i mendonte interesat e Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, nuk do ta kandidonte një njeri me barrë aq të madhe politike e morale në karrierën politike e në ndërgjegje, po do të kandidonte një anëtar tjetër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ka anëtarë shumë më të merituar, më të çmuar e me më shumë përvojë politike e qeverisëse se Lulëzim Basha. Një njeriu të tillë, që është bërë shkak për zhytjen e vendit në krizë të rrezikshme politike e shtetërore nuk i çohet letër me lutjen që të tërhiqet prej garës politike e pushtetore sepse edhe mendja më e virgjër do t’i tregonte: ai që me barrë të tillë politike e penale në karrierë e në shpirt hyn në garë politike për pozitë të re, më të lartë, ai prej asaj gare nuk tërhiqet i gjallë! Një njeriu të tillë i çon  letër vetëm ai që letrën politike e shkruan duke menduar jo për të vërtetën që në të thuhet, por për frytet e saj vetjake. Megjithatë, kjo letër e I.Kadaresë ka një vlerë politike: ajo e tregon vetëdijen e autorit për fajin e Lulëzim Bashës, por kjo  vetëdije, mjerisht, s’është bërë  ndërgjegje që e tregon qartë dhe e mbron pa kalkulime të vërtetën për krizën e tashme në Shqipëri, kryeprotagonisti i së cilës është Sali Berisha.
- Po për valën e re të protestave të opozitës, ç’mendim keni?
- Siç është parë më shumë herë, krizën politike, shoqërore, institucionale të Shqipërisë, nuk po e zgjidhin, fatkeqësisht, as bisedat, as bisedimet, as institucionet e pavarura, as ndërhyrjet e paqarta të BE-së. Në qoftë se faktorët ndërkombëtarë, në qoftë se BE-ja, vazhdon të jetë e paqartë, e pavendosur, e larë dhe e lyer si deri tani, në qoftë se Kolegji Zgjedhor s’e zgjidh krizën, atëherë mbetet vetëm një mjet për zgjidhjen e saj: protestat demonstratat, grevat, në të vërtetë mosbindja qytetare. Tani nuk mund të flitet më vetëm për truket e Sali Berishës në zgjedhje siç fliste për të ish- ambasadori amerikan në Tiranë. Tani kemi të bëjmë me rrëmbim, me plaçkitje të rezultatit të zgjedhjeve, me turli-turli makinacionesh! Tani kemi të bëjmë me shkelje të ligjit; tani kemi të bëjmë me shkelje të Kodit Zgjedhor; tani kemi të bëjmë me privatizim të plotë, brutal, të shtetit, domethënë me cenim përfundimtar të shtetit! Atë që ia mohoi opozitës  gjatë dy vjetëve, Kryeministri i Shqipërisë tani ia lejoi vetes; dhe kipcit të tij, Lulëzim Bashës! Dhe, kështu ndodhi përbuzja, fyerja më e rëndë e opozitës shqiptare, në të vërtetë e gjysmës së Shqipërisë!
- Ç’mund të thuhet tani? Ç’duhet të thuhet tani?
Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura, nuk guxojnë të lejojnë që padrejtësia, dhuna të bëhen të ligjshme, siç po do ta bëjë Sali Berisha duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe ligjin dhe siç e ka bërë edhe sa herë më parë. Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të lejojnë që në skenën politike shqiptare të ngrihet paligjshëm e të bëhet politikisht i qëndrueshëm edhe një Sali Berishë i dytë, i cili, siç e dëshmoi më në fund, do të zbatojë teknologjinë politike e pushtetore të gënjeshtrës, të mashtrimit, të falsifikimit, të rrëmbimit, të mësuar prej mësuesit dhe padronit të tij. Opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të harrojnë devizën themeltare të demokracisë, në të cilën mbështetet gjithë historia demokratike e popujve historikë liridashës: është mëkat t’i bëhet e padrejtë tjetrit, por po aq është mëkat edhe të durohet padrejtësia. Protestat, demonstratat, grevat e urisë, mosbindja qytetare paqësore, prandaj, jo vetëm se janë të ligjshme, por ato janë të domosdoshme për të shpëtuar dinjitetin shtetëror të Shqipërisë, për ta nxjerrë Shqipërinë prej krizës, për të filluar shërimi i Shqipërisë: shërimi politik, etik dhe shtetëror i Shqipërisë. Por, kam drojë se opozitës i mungon frymëmarrje mjaftueshëm e gjatë për ndërmarrje të tillë historike. Po ta kishte këtë frymëmarrje nuk do ta ndërprente grevën e urisë dhe nuk do të pranonte të mashtrohej prej përfaqësuesve të BE-së në restorantin “Krokodil” në Strasburg!

(Vijon)

Nesër do të lexoni:
- Cili është shkaktari i mosmbajtjes së zgjedhjeve të lira në Shqipëri dhe pse duhet të largohet ai.
- Pse shqiptarët janë kombi më i vonuar i Evropës.
- Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i pashmangshëm.

REXHEP QOSJA
Rexhep Qosja ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Kelmendit, Malit i Zi. Shkollën fillore e përfundoi në fshatin e lindjes, tetëvjeçaren e mbaroi në Guci. Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin "Doktor i shkencave filologjike" me temën "Asdreni-jeta dhe veprat". Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981. Që në fillimet e veta, duke folur për rolin e kritikës dhe modernitetit, Rexhep Qosja pohoi se, "realizmi socialist nuk është as realizëm, sepse është romantizëm". Duke mbrojtur dhe ushtruar një kritikë të tillë dhe duke hequr dorë nga glorifikimi i një orientimi të vetëm u siguroi studimeve të veta dimensione të reja që i përkasin të gjitha kohërave. Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në krijimtarinë letrare të tij shquhet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që është përkthyer në disa gjuhë të huaja, për të cilin autori është cilësuar si Kafka i Lindjes. Fusha kryesore e studimeve të tij është historia e letërsisë shqiptare, së cilës i ka kushtuar një varg veprash përgjithësuese. Është autor i shumë shkrimeve kritike dhe publicistike, disa dramave dhe eseve. Për çështjen kombëtare shqiptare Rexhep Qosja ka botuar një numër veprash, në të cilat trajtohet me thellësi historia dhe strategjia e bashkimit kombëtar, rruga drejt lirisë e demokracisë.

Tituj të veprave

    * Episode letrare - (1967)
    * Dialog me shkrimtarë - (1968)
    * Antologjia e lirikës shqipe - (1970)
    * Kontinuitete - (1972)
    * Asdreni - jeta dhe vepra - (1972)
    * Panteoni i rralluar - (1973)
    * Vdekja më vjen prej syve të tillë - (1974)
    * Shkrimtarë dhe periudha - (1975)
    * Anatomia e kulturës - (1976)
    * Mite të zhveshura - (1978)
    * Prej tipologjisë deri te periodizimi - (1979)
    * Morfologjia e një fushate - (1980)
    * Nocione të reja albanologjike - (1983)
    * Historia e letërsisë shqipe i - (1984)
    * Historia e letërsisë shqipe II - (1984)
    * Antologjia historike e letërsisë shqipe - (1985)
    * Historia e letërsisë shqipe III - (1986)
    * Porosia e madhe - (1986)
    * Populli i ndaluar - (1990)
    * Strategjia e bashkimit kombëtar - (1992)
    * Çështja shqiptare: Historia dhe politika - (1994)
    * Ligjërime paravajtëse - (1996)
    * Fjalor demokratik - (1997)
    * Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën - (1999)
    * Një dashuri dhe shtatë faje, roman, bot. “Toena”, Tiranë, (2001)
    * i ringjalluri i penduar, tregim satirik. “Toena”, Tiranë, (2002)
    * Realiteti i shpërfillur (Vështrim kritik mbi pikëpamjet e Ismail Kadaresë për identitetin shqiptar) - (2006)
    * Rilindja e dytë
    * Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne - 2007
    * Nata është dita jonë, - 2007

 

image


INTERVISTA / Pjesa e dytë e bisedës ekskluzive të Akademikut Rexhep Qosja me drejtorin e “Telegraf”, Ëngjëll Musai


Shqipëria ka çfarë të mësojë prej Kosovës sot

Po botojmë sot pjesën e dytë të bisedës me Akademikun Rexhep Qosja. Ata që njohin veprën dhe pozicionimin intelektual dhe shoqëror të Prof. Qosjes, kjo bisedë është më se e natyrshme. Intelektuali i madh që mbart një mision të rëndësishëm mbi supe për kombin e tij, nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore e politike në vend. Me mënyrën dhe stilin e tij të të shkruarit, Prof. Qosja ka qenë dhe mbetet një polemist i pashoq, i hapur, kurajoz dhe largpamës. Kjo pjesë e dytë e intervistës me Prof. Qosjen e përforcon këtë.

- Pse edhe pas njëzet vjetësh ne nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve evropiane?
- Pse? Pse nuk mund të bëjmë zgjedhje të lira e të ndershme? Sepse në politikë janë mbledhur shumë njerëz të pandershëm, disa prej të cilëve, madje, skajshëm të pandershëm. Sintezë e pandershmërisë në politikën shqiptare është Sali Berisha. Shikojeni kur flet, si flet dhe si sillet! Ai e gënjen popullin thuajse po gënjen një fëmijë a një të padijshëm Ai prodhon dhunë me gojë e me sjellje, duke cenuar pandërprerje idenë e lirisë dhe idenë e demokracisë! Ai me çdo gjë fyen kulturën politike dhe idenë demokratike në jetën shqiptare. Largimi i Sali Berishës prej jetës politike shqiptare është kushti  i parë që të mund të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Çdo kohë ka njerëzit e vet. Sali Berisha dhe disa të tjerë nuk janë njerëz të kësaj kohe: ata janë njerëz të një kohe të shkuar, që duhet të shkojnë sa më parë në harresë. Shqipërinë do ta shërojë plotësisht vetëm brezi i ri, pjesëtarëve të të cilit në asnjë mënyrë nuk po u krijojnë hapësirë politike dhunëtarët me në krye Sali Berishën.
Duke i shqiptuar këto fjalë, e ndiej të nevojshme që t’ia bëj një sqarim opinionit shqiptar: nuk kam asgjë kundër Sali Berishës për shkak të Sali Berishës, por kam kundër Sali Berishës për shkak të Shqipërisë dhe shqiptarëve. E dua Shqipërinë, prandaj nuk e pranoj Sali Berishën në politikën shqiptare. Të përsëris: për mendjen time, për bindjen time, shpëtimi i Shqipërisë prej konflikteve rrënuese njëzetvjeçare, pasojat e të cilave janë tepër të mëdha, janë, madje, afatgjata në jetën shqiptare, mund të fillojë vetëm kur Sali Berisha të largohet prej politikës. E ai vetë nuk largohet: atë duhet larguar prej politikës. Sa më parë aq më mirë për Shqipërinë.
- Ju keni qenë vazhdimisht kritik ndaj politikës shqiptare, ndërkohë që, ajo duket se ka ndryshuar pak ose aspak gjatë këtyre viteve. Kjo ka bërë që në shumë procese ne të jemi ndër kombet më të vonuar të Evropës. Sipas jush, nga se buron kjo kryeneçësi e politikës shqiptare?
- Politika shqiptare jo se nuk ka ndryshuar për të mirë, por ka ardhur duke u vrazhdësuar, duke u egërsuar, duke u korruptuar, duke u autokratizuar gjithnjë e më shumë. Dhe, më tej: në shumë procese nuk mund të thuhet se ne jemi ndër kombet më të vonuar të Evropës; e vërteta është kjo: ne jemi kombi më i vonuar i Evropës. Edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia, edhe Serbia, edhe Bosnja janë para Shqipërisë (dhe Kosovës) në të gjitha proceset evropianizuese. Shkaqet e vërteta të këtij vonimi janë më të shumta, më të ndryshme dhe më të thella. Dhe, këto shkaqe gjithnjë po mbulohen me retorikën pseudoevropiane të disa pseudoeuropianëve tanë, të cilët përfitojnë ose shpresojnë të përfitojnë qoftë në politikë qoftë në fusha të tjera nga kjo retorikë e rrejshme. Për sociologët, për psikologët, për politikologët tanë ka shumë tema në jetën shqiptare sot, me trajtimin shkencor të të cilave do të mund të luhej rol posaçërisht i çmuar orientues në jetën tonë politike, shoqërore, kulturore.
- Sidoqoftë , situata në Kosovë, ndryshe nga ajo në Shqipëri, duket më e qetësuar pas zgjedhjeve të fundit, apo jo?
- Është siç thoni ju. Situata në Kosovë dhe situata në Shqipëri nuk mund të krahasohen së paku jo ende. I lejoj vetes të shpresoj se të ngjashme për nga e keqja këto situata nuk do të jenë ndonjëherë. Ballafaqimet kritike gjatë fushatës zgjedhore, gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në Kosovë ishin shumëfish më të buta se ato në Shqipëri.
            Në Kosovë ka kohë që nuk ka gjakmarrje. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në Kosovë urrejtja nuk është përbërës i pafrenuar në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ndodh kështu, ndoshta, pse në Kosovë, gjatë, shumë gjatë, shqiptarët ishin të ballafaquar me mosdurimin, shtypjen, kur e kur përbuzjen dhe urrejtjen e regjimit pushtues serb e jugosllav.
            Në Kosovë, gjithashtu, ka një faktor që luan rol të theksuar qetësues, paqësues sot; dhe ky faktor është trashëgimia politike e partiake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E keni vërejtur, besoj edhe ju, se si pjesëtarët e UÇK-së në qeverisjen e Kosovës u përgjigjen qetë, në të gjitha pikëpamjet butë, u përgjigjen me kulturë demokratike, kundërshtarëve politikë, pjesëtarëve të opozitës edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në Qeverinë e Kosovës, edhe në fushatat zgjedhore. Krahasojeni gjuhën e tyre, krahasojini sjelljet e tyre me gjuhën dhe me sjelljet e zyrtarëve në Shqipërinë shtetërore, në mënyrë të veçantë me gjuhën e me sjelljet e me dhunën e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha! Nuk krahasohen dot. Në këtë pikëpamje - po e theksojnë edhe intelektualë edhe ish- politikanë të Shqipërisë shtetërore - Shqipëria ka çka të mësojë prej Kosovës sot.
- Duket se ka një ngecje për njohjen e shtetit të Kosovës. Përveç arsyeve të njohura botërisht, a ka përgjegjësi klasa politike e Prishtinës për këtë?
- Klasa e sotme politike në Kosovë ka trashëguar një politikë të gabuar, shpërfillëse ndaj botës islamike, që e bënte klasa politike, para luftës çlirimtare dhe pak vite pas luftës. Kjo politikë e gabuar tani është mënjanuar dhe nuk kanë munguar frytet: shumë vende islamike e kanë njohur Kosovën shtet. Serbia, Rusia dhe miqtë e Serbisë e të ish-Jugosllavisë në botë vazhdojnë ta ngadalësojnë, kur e ku edhe ta pengojnë njohjen e Kosovës, por këto përpjekje me kohë do të bëhen gjithnjë e më të komprometuara. Numri i shteteve që po e njohin Kosovën po rritet, ngadalë, por po rritet. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës po bëjnë krejt ç’mund të bëhet që të rritet numri i vendeve që do ta njohin Kosovën shtet. Edhe Shqipëria shtetërore po u kontribuon përpjekjeve për rritjen e numrit të vendeve që e njohin Kosovën. Posaçërisht i madh është roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për njohjen e Kosovës.
- Profesor, çfarë konsideroni si më të rëndësishme për momentin në rrafsh kombëtar, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i bashkimit me familjen evropiane? Pra cili është mesazhi Juaj për këtë?
- Shqipëria duhet të bëhet dhe të funksionojë si shtet vërtet demokratik, si shtet vërtet i qytetëruar, si shtet vërtet evropian. E për të qenë e për të funksionuar ashtu ajo duhet të bëhet shtet i së drejtës, shtet në të cilin respektohet ndarja e pushteteve, shtet në të cilin respektohen, pa përjashtime, të drejtat e njeriut, shtet në të cilin respektohet dhe mbrohet mendimi i lirë dhe liria e mediave, shtet në të cilin nuk do të varësohen mediat prej qeverisë, qoftë me trysni të ndryshme, qoftë me shantazhe, qoftë me leverdi ekonomike, siç janë varësuar disa media elektronike e disa gazeta, shtet në të cilin do të parandalohet korrupsioni – ky shkatërrues i tmerrshëm i bazës së demokracisë, shtet në të cilin do të parandalohet krimi i organizuar, shtet në të cilin do të zbatohet ndëshkueshmëria për fajet, gabimet, papërgjegjësinë politike.
Që të mund të ndodhin këto, që të mund të bëhet e të funksionojë Shqipëria si shtet vërtet demokratik dhe si shtet vërtet i qytetëruar, domethënë si shtet në të cilin çmohen e mbrohen vlerat evropiane, ka një parakusht dhe ky parakusht është: largimi i Sali Berishës prej politikës dhe pushtetit. Largimi i tij do të bëjë të mundshëm fillimin e stabilizimit dhe të funksionimit demokratik dhe qytetërues të Shqipërisë.
- Sipas jush kombi ynë po përjeton orën e fatalitetit apo të shpresës?
- Dikush e ka thënë para meje: për individin mund të mos ketë rrugëdalje, por për popullin gjithmonë rrugëdalje ka. Populli shqiptar me përvojën e tij historike, me mendjen e tij kolektive, megjithëse kur e kur lejon të jetë i përdorur e i shpërdorur prej demagogëve, mashtruesve e dhunëtarëve politikë, do të gjejë rrugëdalje prej çdo situate, çdo drame, çdo  rruge të pakrye, në të cilën e fusin ata demagogë, mashtrues e dhunëtarë. E ardhmja jonë do të jetë pakrahasueshëm më e mirë se e kaluara. Me çlirimin e Kosovës, me  vënien e  themeleve kushtetutare juridike për ndërtimin e një rendi të ri, demokratik, në Shqipërinë shtetërore e në Kosovë, shqiptarët në përgjithësi, kanë hyrë në epokën e re të përpjetës, të rritës së përgjithshme si Komb. Me një popull kryesisht të ri, theksueshëm gjallërues (dinamik), me një popull që e shquajnë nismat dhe dhuntitë krijuese, me një popull, i cili pashmangshëm do të bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të shëndetit të vet etik, me një popull, i cili ka trashëguar atdhetarizëm shembullor të ndërtuar në kohën e Rilindjes së madhe kombëtare, Shqipëria dhe Kosova do të dinë të dallojnë qartë përparësitë e tyre kombëtare dhe të përzgjedhin qëllimin historik. Tregimi për fatalitetet historike shqiptare është tregim i kryer; tani jemi në epokën e rrëfimit e të përmbushjes së tregimit për Shpresën shqiptare. Dhe kjo shpresë në të cilën duhet të jenë të përmbajtura përparësitë dhe qëllimi është bashkimi i pashmangshëm i Shqipërisë dhe i Kosovës -  si pjesë etnike dhe gjeografike e Shqipërisë.
- Ju faleminderit, Profesor!

Prishtinë, 24.5.2011

Rexhep Qosja – Nderi i Kombit
Lindi më 25.VI.1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 pranohet asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializon shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 zgjidhet bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972, është zgjedhur, një herë bashkëpunëtor i lartë e, pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, profesor inordinar dhe, mandej, profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri në vitin 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. Ka botuar një numër të madh recensionesh, vështrimesh, artikujsh, sprovash, trajtesash dhe studimesh nëpër shumicën e revistave shkencore dhe letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe e të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Deri tani ka botuar 16 libra , në mesin e të cilëve edhe Historinë e romantizmit shqiptar, në tri vëllime. Punime apo vepra të veçanta i janë përkthyer në disa gjuhë. Libri Letërsia dhe kritika i është botuar në serbokroatishte, kurse romani Vdekja më vjen prej syve të tillë i është botuar në serbokroatishte, në sllovenishte dhe në bullgarishte. Drama Sfinga e gjallë i është botuar në serbokroatishte, kurse drama Beselam pse më flijojnë, në arabishte. Proza ese e studime i janë botuar edhe në rusishte, në frëngjishte, në rumanishte, në turqishte, në maqedonishte e në hungarishte. Është përfaqësuar në antologjitë e prozës shqipe të botuara në Jugosllavi, në Paris, në Moskë dhe në antologjitë e eseve të kombeve e të kombësive të Jugosllavisë, të botuar në Lubjanë. Për krijimtarinë shkencore dhe letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë çmimin “Nderi i Kombit”.

Krahasimi mes Londrës e Librazhdit
Shkrimtarët Besnik Mustafaj, Diana Çuli, Ylljet Aliçkaj, Behar Gjoka pohojnë se letërsia shqipe ka arritur nivel artistik evropian. Besnik Mustafaj është aq zemërgjerë ndaj meje, saqë edhe romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë e shpall roman të nivelit artistik evropian. Por, mua nuk më duhet ky kompliment i tij i pavërtetë. As romani Vdekja më vjen prej syve të tillë, as romanet e mi të tjerë, që vetë mendoj se janë më të mirë se ai, nuk kanë vlerë letrare artistike të nivelit evropian. Jo. Nivelet letrare artistike evropiane, nivelet shkencore dhe filozofike evropiane, besoj se i njoh pak a shumë. Gjithë jetën kam punuar që t'i njoh. Niveli letrar evropian, fjala vjen, është niveli, që kanë caktuar Eskili, Dante, Servantesi, Shekspiri, Monteskie, Volteri, Didroi, Rusoi, Rasini, Molieri, Gëteja, Shileri, Shatobriani, Manconi, Balzaku, Hygoi, Dikensi, Floberi, Bodleri, Tolstoi, Dostojevski, Prusti, Xhojsi, Kafka, Niçeja, Herman Brohu, Muzili. Niveli letrar evropian është njëkohësisht niveli që sot caktojnë Kamyja, Tomas Mani, Sartri, Margarit Jursenar, Gynter Grasi, Umberto Eko, Hoze Saramago, Salman Rushdi, Mishel Furnie, Zhan d'Ormeson... Kënaqësinë e jashtëzakonshme që më sjell leximi i veprave të tyre vazhdimisht ma përcjell një shqetësim i madh: sa modeste janë veprat e mia në krahasim me ato të tyre! Sa modeste është letërsia shqipe në krahasim me letërsinë që kanë krijuar dhe krijojnë ata! Njohësi i letërsive të mëdha evropiane dhe i letërsisë shqipe do të mund të thoshte: të krahasosh, për nga vëllimi dhe për nga cilësia letërsinë shqipe me letërsinë franceze, gjermane, angleze, italiane është si të krahasosh, për nga madhësia dhe për nga vlera arkitekturore, Librazhdin me Londrën, si të krahasosh Lipjanin me Parisin! Por, për Besnik Mustafajn, Diana Çulin, Ylljet Aliçkajn dhe Behar Gjokën nuk është ashtu. Prej reagimit të tyre del se për ta Librazhdi është si Londra, kurse Lipjani si Parisi. Dhe, le të kënaqen me të vërtetën e tyre: se Librazhdi dhe Lipjani janë si Londra dhe Parisi. Ajo është kënaqësia e tyre dhe ajo është shija e tyre.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...