2011-08-04

Kompjuteri bëhet miku më i mirë i njeriut, jo më qeni




  • Miku besnik me katër këmbë nuk ka më vend në zemrën e njerëzve. Sidomos, përsa i takon atyre më të rinjve. Duket se ai ëshytë zëvendësuar nga një mori cirkuitesh, llastikash dhe metali: domethënë, nga kompjuteri. Mjeti elektronik po gjen gjithmonë e më shumë hapësirë, jo vetëm në tavolinat e zyrave dhe nëpër skrivani, por edhe në divane e shtretër, duke u bërë një shok i pandashëm. Fakti që PC ka parakaluar qenin si “miku më i mirë i njeriut” është konfirmuar nga një sondazh i kryer mbi 200 subjekte britanike mbi 18 vjeç, i realizuar nga Royal Society For The Protection Of Cruelty to Animals, në bashkëpunim me revistën Computeractive.

    Nga hetimi, i bërë për të verifikuar ndryshimet që ka sjellë teknologjia në jetën shtëpiake, del se vetëm 6% e të intervistuarve beson se pjesa më e madhe e personave preferon të kalojë kohën e lirë me qenin sesa me PC-në. Ndërsa 67% janë të bindur për të kundërtën. Dhe diskutimi është i njëjtë edhe nëse të intervistuarit janë zotur qensh: pikërisht, 36% pohojnë se përkundër përhapjes së madhe të kompjuterëve portabël e tableteve, i besojnë gjithsesi më shumë qenit sesa kompjuterit për të pasur pak shoqëri, kurse 38% janë të opinionit të kundërt. Gjithsesi, mes pronarëve të qenëve që përshihen në moshën mes 18-24 vjeçëve, del se janë plot 71% që preferojnë kompjuterin kundrejt kafshës besnike.

PayPal i dorëzon FBI-së 1,000 adresa IP të Anonymous




  • Vitin e kaluar PayPal u sulmua nga Anonymous pasi ngriu llogarinë e Wikileaks-it. Duket se PayPal më në fund ka vendosur t’i kundërpërgjigjet grupit të hakerave.

    Mesa duket, hakerat kanë lënë mbrapa informacione për t’u gjurmuar. PayPal ka raportuar se i ka dhënë 1,000 adresa IP FBI-së - adresat e IP-së që lidheshin me sulmin e PayPal-it vitin e kaluar.

    Deri tani, nuk dihet se sa me vlerë janë këto adresa. Ngaqë sulmi ishte një mohim shërbimi (DDoS), adresat IP mund të vërtetojnë të jenë të pavlefshme. Sulmet DDoS zakonisht kryhen nga sisteme kompjuterike fantazmë - sistemet që janë infektuar nga Trojanët dhe të zotërit nuk kanë dijeni për të.

Barry Ardolf nga Minesota dënohet me 18 vite burg




  • Barry Ardolf nga Minesota, gjatë kësaj të marteje, është dënuar me 18 vite burgim në një burg federal. Ardolf ka terrorizuar një familje fqinje për dy vite duke kryer një fushatë të planifikuar me kujdes që përfshin rrëmbimin e një rrjeti Wi-Fi për t’i ngacmuar fqinjët në çdo aspekt të jetës.
    Kundërshtimi ndaj Ardolfit ishte ndezur në fund të vitit 2008 kur fqinjët e tij, Matt dhe Bethany Kostolnik, ngritën një raport policie kundër tij. Familja Kostolniks kishin një djalë 4 vjeçar i cili bridhte pranë derës së fqinjit të tyre. Ardolf, 46 vjeçar, baba i dy fëmijëve, kishte raportuar që ai e kishte marrë fëmijën e familjes Kostolink dhe e kishte puthur në buzë. Ardolf ishte fyer kur policia ishte thirrur dhe kishin premtuar për shpagimin e tyre si ndaj çdo njeriut tjetër të keq.
    Ardolfi, një teknik kompjuterik nga Medtronic, shkarkoi një program për Wi-Fi për t’u futur në enkriptimin WEP të fqinjëve të tij. Ardolfi krijoi një faqe të rreme në Myspace, po ashtu edhe disa emaila të rremë për Matt Kostolnik, pastaj postoi porn të fëmijëve në faqen Myspace dhe i dërgoi pornot e fëmijëve tek bashkëpunëtorët e zyrës ligjore të Kostolnikut.
    Ardolfi dërgoi kërcënime me vdekje drejt zëvendës-kryetarit amerikan, Joe Biden, dhe politikanëve të tjerë nga llogaria në Yahoo e Kostolnik. Kjo bëri që tek Kostolnik të vinte për vizitë një shërbim i fshehtë të cilët i kanë ndjekur emailat tek IP adresat e tij.
    Dinakëria e Ardolfit ishte zbuluar kur një anëtar i familjes Kostolnik i tha shërbimit që nuk e dinte se për çfarë po bëhej fjalë. Zyra ligjore punësoi një firmë për të vëzhguar rrjetin Wi-Fi përreth dhe për të instaluar një paketë sniffer për ta kuptuar tërësisht atë. Emri i Ardolfit dhe llogaria në Comcast ishte gjetur e cila ia dha një arsye FBI-së për të bërë një kërkim në shtëpinë e Ardolfit. Ata gjetën të dhëna të mjaftueshme që e ngarkuan 40 vjeçarin me vjedhje të identitetit, kërcënimet ndaj Bidenit, posedimi i pornografisë dhe shpërndarja e saj.
    FBI gjeti prova që Ardolfi kishte bërë një sulm të ngjashëm ndaj një familjeje në Parkun Brooklyn për parkim të veturave të tyre përpara shtëpisë së tij. Ngarkesat ndaj Ardolfit do ta ngarkojnë atë me kërkesat në regjistrime për gjendjen seksuale dhe pas lëshimit të tij, ai do të jetë i mbikëqyrur për 20 vite. Sipas Pioneer Press, ai madje edhe do të jetë i kufizuar kur punon me kompjuterë në zyrën e tij.

Informatikë &Kibernetikë

Virus i ri në Android, incizohen thirrjet 

Një virus i ri trojan që sulmon celularët me Android thuhet se në fshehtësi incizon thirrjet e përdoruesve. Për fat të keq, ky softuer i dëmshëm është vetëm një pjesë e një trendi të ri që po rrezikon pajisjet me Android dhe Apple iOS. Virusi i ri incizon thirrjet e përdoruesve pa dijeninë e tyre, raporton Network World. Malware’i trojan, që në mënyrë automatike incizon të gjitha thirrjet i ruan ato në SD kartelën e pajisjes, ndërsa thuhet se kjo është diçka e rrezikshme për shkak të mundësisë së asaj që secili zhvillues të fus këtë funksionalitet trojan në softuerin e tij. Sipas Juniper Networks që postuan një raport në muajin maj, Symbian dhe Microsoft Windows Mobile kanë qenë caqe primare të hakerëve që kanë kërkuar të futen në grupin e përdoruesve të celularëve të mençur. Megjithatë gjatë këtij viti, zhvilluesit e malware veçse kanë filluar të punojnë në krimba edhe për Apple iOS edhe për Google Android. Gjersa iOS vazhdon të jetë më i sigurt, Android po has në sulmet më të mëdha. Pra përdorues të Android keni kujdes dhe shikoni se çfarë po shkarkoni nga dyqani i aplikacioneve, sepse me rritjen dhe shtrirjen e mëtutjeshme të Android në treg, atraktiviteti i këtij sistemi operativ për hakerë bëhet gjithnjë më i madh... ngjashëm sikurse që është Windows më atraktiv sesa Mac OS X apo Linux...

Google i shpall luftë Facebook-ut me lojëra 
 
sociale

  • Google është duke planfikuar të debutojë me lojërat sociale, të cilat do të integrohen në rrjetin e saj social, Google +.

    Gjiganti i internetit nga Lugina e Silikonit, Google, i ka ftuar zhvilluesit e lojërave sociale që t’i vendosin lojërat e tyre në rrjetin e saj social, thuhet sipas disa zhvilluesve të cilët nuk kanë dashur të identifikohen, për shkak të afërsisë me kompaninë Google.

    Me planin e ri për zhvillimin e lojërave sociale, Google haptazi po tregon se do të garojë edhe me Facebook.com, ku beteja kryesore bëhet për anëtarë dhe para që vijnë nga reklamuesit.

    Tanimë thuhet se Google do të mund të bashkojë forcat e saj me kompaninë që zhvillon lojëra për Facebook, Zynga, dhe kështu sadopak të ndalë ritmin e shpejtë të zhvillimit të Facebook
     
     
Facebook do paguajë hakerët që gjejnë 
 
gabime

  • Facebook do të paguajë hakerët për të gjetur probleme në uebfaqen e saj, për aq kohë sa i raportojnë skuadrës së sigurisë së Facebook-ut. 

    Kompania po ndjek shembullin e Google-it dhe Mozilla-s në lançimin e programit “Bug Bounty”. Për gabime që lidhen me sigurinë, rrjedhje shkrimesh, atëherë kompania do të paguajë 500$. Nëse ato janë gabime vërtet domethënëse, Facebook do të paguajë më tepër, megjithëse drejtorët ekzekutivë të kompanisë nuk tregojnë shumë. 

    Facebook do të hedhë në treg një portal hakimi ku kërkuesit mund të regjistrohen për programin dhe për raportimin e gabimeve. 

    Shumë hakerë i bëjnë publike softueret dhe rrjedhjet në faqe, sepse në këtë mënyrë marrin prestigj. Të gjesh një gabim në një uebfaqe të përdorur gjerësisht nga njerëzit siç është Facebook-u mund të ndihmojë në rritjen e karrierës së një hakeri dhe mund ta bëjë atë të famshëm.

Facebook, shumë shpejt edhe në iPad

  • Kërkesat e shumta kanë bindur drejtuesit e Apple të bëjnë hapin e madh. 

    Përflitej që prej disa muajsh, sidomos pasi Facebook kishte punësuar armikun e madh të Sony e Apple, George Hotz. Kështu, pritet të dalë shumë shpejt edhe versioni i rrjetit të famshëm shoqëror, në iPad. Prej kohësh ndihej mungesa e një aplikacioni specifik, por nga ana e teknikëve të Apple kishin siguruar gjithmonë se ekrani i iPad është perfekt për lundrimin tradicional në web. 

    Megjithatë kërkesat e shumta kanë bindur drejtuesit e Apple të bëjnë hapin e madh dhe në versionin e fundit të aplikacionti të lëshuar për iPhone e iPod Touch mund të gjenden gjurmë të kodit, për modalitetet e “software”-it. Data e nxjerrjes është ende sekrete, ndonëse disa informacione janë të sigurta: menu anësore karakteristike, apo “pop-up” me shfaqje... Për ta parë plotësisht është vetëm çështje javësh.
     
     
Facebook në shtator do të ofrojë lajme

  • Me sfidat e radhës që po i vijnë, rrjeti Facebook është duke shikuar për rrugë të reja për t’i mbajtur 750 milionë përdoruesit e vet, në mënyrë që ata të mos largohen. Një rrugë nëpërmes të cilës janë duke u bërë përpjekjet është vendosja e lajmeve nga burimet e përzgjedhur në versionet e aplikacioneve që mund të lexojnë derisa të jetë përdoruesi ende duke përdorur rrjetin Facebook. Këta aplikacione të ri për publikim të lajmeve do të quhen “Facebook Editions”.

    Sipas Forbes, një numër i këtyre shkarkuesve të lajmeve kanë aplikuar për ta pasur versionin e vet të aplikacionit si shfletues në Facebook. CNN, Daily dhe Washington Post janë shembuj të kësaj vije. “Facebook Editions” ka mundësi që të fillojë në shtator.

    Butoni like i rrjetit Facebook është zgjeruar mjaft shumë nëpër faqet online dhe këto faqe të njëjtja do të kenë faqet e tyre në Facebook për dashamirësit e vet, por aplikacioni Editions do të lejojë ofruesit e këtyre lajmeve që ta ndryshojnë ndërfaqen në Facebook, duke e rregulluar atë si një mini-botë të rrjetit Facebook për lexuesit. Autori i Forbes beson që ky rrjet me siguri që të pyes për ndonjë të ardhur dhe shitje të reklamave, të grumbulluara nga këta aplikacione të veçantë.

    Ndërmarrjet e lartpërmendura për lajme nuk kanë dhënë ndonjë komentim për këtë veçori që është duke u ndërtuar. Një zëdhënës nga Facebook tha: “Ne nuk kemi ndonjë gjë për të lajmëruar. Faqet e top mediave përgjatë tërë botës janë të lidhur me Facebook dhe ne vazhdimisht flasim me miqtë tanë për mënyrat e përmirësimit të këtyre lidhjeve.”

    Google+ka arritur që të ketë 10 milionë përdorues. Këta dy sfidues të njëri-tjetrit janë duke u ndeshur rreth çështjeve si stolisja, privatësia, fotografitë, video-biseda dhe Google+ e ka tashmë në funksion një ide të ngjashme me “Editions”./pcworldalbanian.
     

Si u shkatrrue RSFJ?

Kur në fillim të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, kishte nisur procesi historik i shembjes së burgut të popujve, të quajtur Jugosllavi, Stipe Mesiq, në 207 ditët e funksionit të kryetarit të Presidencës jugosllave, u bë barrikadë e gjallë kundër regjimit të Milosheviqit, i cili duke sintetizuar gjithë projektet serbomëdha, që nga Garashanini e deri të Memorandumi i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve, synonte hegjemoninë tragjike të Serbisë, fillimisht në Jugosllavi dhe pastaj në gjithë Gadishullin e Ballkanit. Duke e pasur për dhjetë vjet rresht president zotin Mesiq, Republika e pavarur dhe sovrane e Kroacisë ka bërë transformime dhe reforma të gjithanshme për të qenë sot në prag të hyrjes në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Gjatë presidencës së tij, Republika e Kroacisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke ndërtuar me të marrëdhënie të shkëlqyeshme të miqësisë dhe bashkëpunimit. Stipe Mesiq, në pozitat që ka mbajtur, ka promovuar aftësi të rralla dhe virtyte të larta morale, politike e kombëtare, kurse libri që po promovojmë sot përbën dëshmi të shkëlqyer të potencialit të tij intelektual, politik e shkencor. Me gjithë kundërshtimet e vendosura të regjimit të Milosheviqit, Mesiq mori drejtimin e radhës të Kryesisë jugosllave, por ai qe shefi i fundit i atij shteti, sepse para mbarimit të mandatit shpërtheu Lufta, në zjarrin e të cilës u dogjën planet hegjemoniste serbomëdha dhe lindi liria e merituar e popujve. Duke shkruar për shkaqet e Luftës në ish Jugosllavi, autori vë në spikamë tendencën e “zgjerimit të planifikuar të Serbisë në kurriz të të tjerëve, kroatëve, myslimanëve, shqiptarëve, maqedonasve apo hungarezëve”. Milosheviq i pasionuar pas luftës, e kishte bashkëdyzuar ushtrinë me politikën, duke e yshtur atë madje për të komanduar edhe vetë institucionet politike të nivelit federativ, prandaj Mesiq shkruan me të drejtë: “Kur ushtria udhëheq politikën, atëherë politika flet me gjuhën e armëve”. Për fatin e keq të Jugosllavisë dhe të popujve të saj, Milosheviq nuk ishte i vetmuar në Serbi, sepse unison mbështetej, jo vetëm nga ushtria e policia, por edhe nga paramilitarë e institucione të tëra shkencore, intelektuale e politike, nga pozita e opozita. Autori sjell në libër dëshminë e deklaratës së Sheshelit të harbuar, kur thoshte se janë të gatshëm “që të bëjnë kurban edhe një milion serbë me kusht që në këtë shtet të mos ketë asnjë shqiptar dhe asnjë kroat”. Në prag të ndërhyrjes së NATO-s në Luftën e Kosovës, më 1999, Sheshel deklaronte sërish, që po të ndodhte kjo, asnjë shqiptar nuk do të mbetej në Kosovë. Shumë shpejt u dëshmua ky qëllim i hapur antihistorik e antinjerëzor, për të dështuar me turp njëherë e përgjithmonë. Libri është një kronikë tronditëse e shembjes së Jugosllavisë, prandaj përbën një kontribut të pazëvendësueshëm politik, por edhe shkencor e historik, duke sjellë fakte dhe argumente relevante të dorës së parë. Analizat e autorit mishërojnë përvojën e gjatë politike të tij, kulturën e gjerë dhe aftësinë e mprehtë intelektuale. Për lexuesin kosovar, libri sjell fakte të njohura e të panjohura për skenat e prapaskenat politike të kohës, sjell ndjenjat e miqësisë së hershme dhe të sinqerta të autorit për Kosovën dhe popullin e saj, për fatin e përbashkët që patën Kroacia dhe Kosova, Bosnje Hercegovina etj., gjatë rrënimit të Jugosllavisë. Shqiptarët në Jugosllavi e kishin provuar në kurriz më shumë se kushdo, politikën shoviniste të serbomëdhenjve, prandaj qenë të detyruar t’i rezistonin shtypjes sistematike kombëtare dhe diskriminimit racial. Në përpjekje për barazi dhe jetë të lirë, ata shpeshherë ishin të vetmuar, por pas Demonstratave historike të vitit 1981, Lëvizja jonë kombëtare gëzonte solidaritet gjithnjë e më të gjerë nga popuj jugosllavë, por edhe në botën demokratike. Në librin e tij, zoti Mesiq, evidenton faktin historik që “...bota për shkak të gjendjes në Kosovë, ka kohë që ia ka kthyer shpinën Jugosllavisë”. Një ndër personazhet e urryer të librit, për servilizmin dhe injorancën e tij, ishte dhjetari ushtarak dhe politik, Sejdo Bajramoviq, ish shitësi i tiketave të lotarisë, të cilin e kishte ngarkuar politika dhe ironia e fatit me misionin për ta “përfaqësuar” Kosovën në Kryesinë e Federatës dhe për të dëmtuar interesat e popullit të saj, por edhe më shumë. Tingëllon si shumë aktual në Kosovë, por jo më në kushte lufte, konstatimi i autorit, se regjimi i kohës në Serbi, bënte gjithçka që etniteti serb në Kroaci të getoizohej, në mënyrë që tek ata të shuhej ndjenja e të qenit të barabartë me kroatët dhe me çdo çmim të tërhiqeshin në luftë të armatosur. Autori Mesiq meriton mirënjohje të thellë për librin, por një falënderim i shkon edhe Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Kroaci, që bënë të mundur botimin e tij në gjuhën shqipe.

Kompleksi i robërisë dhe gjaku i lirisë!




  • Nga Behxhet Sh. Shala
    Serbia ka qenë dhe është shtet kriminal! Me gjasë që këtë epitet ta mbajë edhe një kohë të gjatë. Në Ballkan është kampion i krimit të organizuar, etnik dhe atij politik. Por mbështjellësin apo ambalazhimin e ka demokratik. Këtë përmbajtje krejt kriminale, të ambalazhuar me një pëlhurë demokratike po e shet si një demokraci shumë përparimtare dhe të qëndrueshme.

    Tregun kryesor të shitjes e ka Brukselin. Atje, malli serb që nuk ka asnjë vlerë po shitet me çmim shumë të lartë! Në formë të lëshimeve të vazhdueshme që po i bëjnë Serbisë dhe shovinistit të konvertuar në demokrat, Boris Tadic. Aty, në Bruksel, Tadicit po i lajnë duart e përgjakura me gjakun e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve! Së fundi po i lajnë duart e përgjakura vetëm me gjakun e shqiptarëve! Tadici nuk është demokrat, është kriminel! Demokracinë e ka si armë për t’iu vardisur Brukselit dhe Washingtonit, krimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve e ka si armë për të mbajtur pushtetin në Beograd! E patë në “natën e vampirëve” duke iu drejtuar bandave të Arkanit, Sheshelit, Legias, kapetan Draganit dhe paramilitarëve të tij që i ka rehatuar në MUP-in e Serbisë! Ai dënonte vetëm dhunën kundër KFOR-it dhe EULEX-it, por nuk dënonte dhunën kundër shqiptarëve dhe pikave doganore 1 dhe 31. Thoshte se dhuna ndaj KFOR-it dhe EULEX-it dëmton interesat e Serbisë dhe serbëve, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve është shndërruar në rutinë të Serbisë!

    Paramilitarët politikë të tij, Goran Bogdanovic, ministër për Kosovë dhe Borko Stefanovic, kryenegociatori serb në bisedimet “teknike” me Prishtinën ishin në krye të kordonit kriminal, në Revolucionin e Trungjeve (“balvan revolucija”). Ata bisedonin me Buehlerin, në tokën e Kosovës dhe për tokën e Kosovës. Këta të dy, si paramilitarë politikë, ua dhanë shkrepëset dhe benzinën paramilitarëve kriminalë! Kryetari i Leposaviqit nga strukturat kriminale paralele serbe, i hipur në një rimorkio, sikur dikur Arkani në bazën ushtarakë në Erdut, solemnisht i drejtohej masës shoviniste me fjalët se “në pikat doganore 1 dhe 31 nuk vjen më era e policit kosovar!” Se aty qenka Serbi dhe se ashtu do të mbetet! ‘Speciallcat’ e Tadicit , apo “qentë e krimeve” në Vukovar, Sarajevë, Srebrenicë, Prekaz, Likoshan, Qirez, Meje, Therandë etj., u kishin zënë prita pjesëtarëve të njësitit special të Policisë së Kosovës ROSU. Jo të uniformuar, por tash të veshur si qytetarë, fshatarë, bujq, punëtorë, varfanjakë etj. Kriminelë të shndërruar në viktima! Që po rrezikohen nga institucionet e Kosovës të cilat nuk i pranojnë! Komisarë politikë në këtë krim ishin Bogdanovici, Borkoja, kryetarët e komunave paralele, ndërsa mbi policët kosovarë qëllonin me snajperë- Legija me legjionarët e tij duke vrarë një polic të ROSU dhe duke plagosur disa të tjerë! Duke bllokuar të gjitha rrugët dhe duke djegur pikën doganore 1 dhe pjesërisht 31. Duke i vënë flakën pikës 1 me ndihmën e EULEX-it! Sepse, ai që nuk e pengon krimin e që është i thirrur ta pengojë krimin, llogaritet si bashkëpjesëmarrës në krim! EULEX nuk e ka penguar krimin, prandaj llogaritet me të drejtë si pjesë e krimit! Pa asnjë dyshim!

    A është dashur të intervenohet

    Pas luftës, të gjithë gjeneralët janë të mençur! Ne shqiptarët nuk kemi gjeneralë, prandaj edhe nuk jemi të mençur. Prandaj edhe jemi shndërruar në analistë për çështje sigurie dhe strategë ushtarakë! Të cilëve edhe NATO do t’u kishte lakmi! Në pyetjen se a është dashur të intervenohet, unë nuk e kam as mëdyshjen më të vogël- është dashur të intervenohet. Shumë më parë, madje! Jemi vonuar andaj i kemi këto rezultate! Çdo shtet normal e mbron integritetin territorial dhe e shtrinë sovranitetin brenda kufijve të shtetit. Shteti normal nuk njeh kufij administrativë! Shteti normal nuk duron që pikat doganore t’i kontrollojë shteti armik! Shteti normal nuk sillet me komoditet kur 30% të territorit administrohen nga shteti armik! Shteti normal nuk i toleron dhe lëre më t’i financojë strukturat paralele që punojnë kundër shtetit! Shteti normal nuk formon ushtri multietnike, por ushtri profesionale! Shteti normal nuk formon polici multietnike, por polici profesionale e cila e mbron rendin kushtetues të atij shteti e jo rendin kushtetues të shtetit armik! Nuk ka demokraci multietnike, por ka vetëm demokraci! Nuk ka në Amerikë demokraci multietnike! As në Angli, Francë, Gjermani, Norvegji, Finlandë e as në shtetin më demokratik nuk ka demokraci të tillë! Në Kosovë ka, sepse as që kanë lejuar të bëhet shtet si duhet! Nuk është multietnike as Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia e as Sllovenia! Në asnjërën nga këto shtete nuk ka polici dhe ushtri multietnike! Por polici dhe ushtri profesionale! Profesionalizmi i një ushtrie apo policie nuk përcaktohet në bazë të parimit etnik por në bazë të përgatitjes profesionale! Në Kosovë, Policia është multietnike, prandaj e kemi këtë gjendje që e kemi! Policët serbë të Policisë së Kosovës në të shumtën e rasteve i shërbejnë Serbisë duke e mohuar zinxhirin komandues, prandaj jemi ku jemi! Ata nuk i shërbejnë shtetit të Kosovës, definitivisht! Ata vetëm e marrin rrogën e dytë nga shteti i Kosovës! Të parën e marrin nga Serbia! Jovo Divjak, gjeneral serb nga Bosnja gjatë luftës në Bosnjë komandonte ushtrinë boshnjake kundër agresorit, ushtrisë serbe nga Serbia dhe ushtrisë së Karadzicit dhe Mladicit! Aso raste nuk ka në Kosovë! Nuk duhet dhe nuk mund të ketë Kosovë multietnike, por vetëm Kosovë demokratike! Sikur që nuk ka dhe as që do të ketë demokraci multietnike!

    Hashim Thaçi nuk ka pasur rrugëdalje tjetër! Ose është dashur të ndërpritet ky poshtërim 12-vjeçar nga ndërkombëtarët (UNMIK dhe EULEX) dhe Serbia ose është dashur ta nënshkruajë kapitullimin! Ta pranojë gjendjen e krijuar faktike në terren, e cila do të përligjej me ndonjë marrëveshje ndërkombëtare e që nënkupton deshtetëzimin e Republikës së Kosovës, ose të bëjë përpjekje për zbatimin e Kushtetutës në tërë territorin e saj! Të shtrijë sovranitetin duke e rikthyer nën kontroll pjesën e okupuar të Kosovës! Prandaj, kjo përpjekje bartë shumë rreziqe, andaj nuk mund të llogaritet se është bërë për marketing politik apo spektakël televiziv! Është shumë e pamoralshme ta akuzosh Hashim Thaçin se e ka bërë këtë veprim për ato dy qëllime që i përmenda më lart! Hashim Thaçi nuk është njeri që i djeg të gjitha kartat shkaku se e di shumë mire se edhe vet do të bëhej hi! Në rrethanat aktuale as në ëndërr nuk do të ishte në gjendje ta luajë rolin e Feniksit, të ringjallet nga hiri i vet! Prandaj, me shumë gabimet që janë bërë gjatë intervenimit të njësitit ROSU, Hashim Thaçi duhet të përkrahet, sepse nuk e ka bërë për përfitime personale! Intervenimi i ROSU ka qenë i dekonspiruar para se të fillonte. Në këtë mënyrë ka krijuar avantazh për strukturat kriminale politike të Serbisë ndërsa ka rrezikuar jetët e policëve kosovarë duke i shndërruar në “pëllumba të argjilat” për kriminelët serbë! EULEX ka qenë definitivisht në anën e strukturave paralele kriminale serbe. Andaj, viktima të dhunës kanë qenë ata që kanë shkuar për vendosjen e rendit dhe ligjit, policët kosovarë!

    Çka është dashur të bëhet


    Nëse është marrë një vendim për domosdoshmërinë e dërgimit të forcave speciale policore në pikën 1 dhe 31 atëherë ato forca është dashur të qëndrojnë aty deri në stabilizimin e gjendjes apo arritjen e një marrëveshjeje që nuk i rrezikon interesat e Kosovës. Këto forca është dashur vet t’i zhbllokojnë rrugët e jo të shkojnë me helikopterë të KFOR-it në pikën 1. Menjëherë pas vrasjes së policit është dashur t’iu jepen pesë minuta kohë protestuesve të shpërndahen në të kundërtën është dashur të veprohet sipas ligjit!

    Policët kosovarë nuk kanë përdorur dhunën, por i janë nënshtruar një dhune kriminale, andaj është dashur të përgjigjen në proporcion me rrezikun! Qeveria e Republikës së Kosovës është dashur të zhvendoset në Mitrovicë dhe aty të mbajë mbledhje. Kuvendi i Kosovës është dashur të mblidhet urgjentisht! Ka munguar një aktivizëm qytetar dhe ka dështuar shoqëria civile! Shoqëria civile në Kosovë ka reaguar për gjëra edhe shumë më banale, ndërsa për këto ngjarje me shumë rëndësi për sigurinë e Kosovës është mjaftuar me një përkrahje verbale! Nuk ka mundur të dalë nga korniza e vartësisë dhe nënshtrimit. Për Hashim Thaçin ka qenë shumë më mirë të kishte si Hanibali një eskortë me elefantë se këta këshilltarë (gjysma e së cilëve e nuk dinë ku është Leposaviqi e Zubin Potoku)!

    Këta faktorë kanë ndikuar që të mungojë presioni ndaj ndërkombëtarëve dhe Serbisë! Në kabinetin qeveritar të Thaçit ka injorantë, intrigantë, antikombëtarë, dekonspirues dhe servilë! Prandaj e kemi gjendjen që e kemi! Krijohet një përshtypje se jemi në pikën 0. Madje unë e them se jemi në pikën -1. Mirëpo, nëse Serbia e ka arritur një fitore taktike (e ka fituar gjithsesi), atëherë nëse ne veprojmë si duhet, fitoren strategjike e kemi të garantuar! Serbia, mund të përfitojë vetëm nga gabimet tona sikur që ne deri tani kemi përfituar nga gabimet e Serbisë! Shpresoj se është koha e fundit të mbledhim mend. Deri tash jemi mbuluar me faturën Adem Jashari. Më nuk shkon. Mos të përpiqemi ta fotokopjojmë këtë faturë. Tash me emrin e dëshmorit më të ri të Kosovës, Hero i Kosovës, Enver Zymberi...

Terrorizmi, prodhim i kujt është?!




  • Autor: Sali Shasivari
    S’do mend se ngjarjet e fundjavës së kaluar në Norvegji ishin tragjike sipas gjitha parametrave. Tronditëse ishin pamjet të cilat mbushën ekranet e ndryshme televizive dhe të cilat pasqyronin përmasat e krimit. E gjithë bota u shtang para inserteve të tilla brutale, duke u solidarizuar me popullin norvegjez si dhe familjet e viktimave. Andaj, edhe unë shfrytëzoj rastin që - në fillim të këtij shkrimi - të shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për gjithë popullin norvegjez, e sidomos për ata që pësuan nga kjo vepër makabre.
    Ngjarja në fjalë, si dhe shumë e shumë krime dhe fatkeqësi tjera të cilat po i ndjekim çdo ditë përmes ekraneve televizive, duhet të na alarmojnë në lidhje me faktin se kjo botë po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një vend të pasigurtë dhe të rrezikshëm për banorët e saj… Shkaqet mund të jenë të shumta, por zgjidhja është një, edhe atë, të gjithë të bashkohemi dhe të përqëndrohemi në luftimin e së keqes, e cila, shpeshherë merret si alibi për të shkaktuar fatkeqësi më të mëdha.
    Për të arritur një gjë të tillë, para së gjithash, nevojitet guxim dhe objektivitet; gjegjësisht sinqeritet. Thënë ndryshe, me qëllim të arritjes së suksesit në çrrënjosjen e krimit dhe terrorit, duhet kuptuar se e keqja nuk është kategori që i takon një grupi njerëzish për dallim nga grupi tjetër, e as cilësi me të cilën karakterizohet një popullatë për dallim nga tjetra. Madje, prirja për të fajësuar dhe demonizuar të tjerët, si dhe injorimi i faktit mbi ekzistimin e elementit të së keqes në vetvete, mund të na kushtojë me jetë!
    Tragjedia e para disa ditëve në Norvegji edhe një herë vërtetoi faktin se pjesa më e madhe e mediave si dhe opinioni i gjerë ende nuk ka arritur të çlirohet nga paragjykimet e padrejta dhe stereotipet çorientuese. Kjo u vërtetua në faktin se ato – pa kurrfarë përgjegjësie - drejtuan gishtin e akuzës dhe fajit kah islami dhe muslimanët që në momentin e përhapjes së lajmit të parë në lidhje me sulmin terrorist. Kështu, shumica e mediave, ende pa kuptuar mirë se çka në të vërtetë ka ndodhur, ato filluan ‘kalkulimet’ dhe ‘prognozat’ e tyre se a thua vallë cili grup islamistësh ekstrem ka mund ta ketë bërë një vepër të tillë kanibale. Bile, jo vetëm kaq, por ato – në mënyrë shumë joprofesionale dhe të papërgjegjshme – përcaktuan edhe motivet të cilat qëndronin pas një akti të këtillë!
    Madje, pas disa çastesh, dhe pas zbulimit të identitetit të kriminelit monstruoz, ato, në vend që të kërkojnë falje për dezinformimin dhe për këtë çorientim dhe lajmërim përçmues, dhe në vend që të bisedojnë në lidhje me motivet anti-humane dhe anti-civilizuese të cilat e shtynë vrasësin që të bëjë një vepër të tillë, ata u bënë pjesë e krimit, duke e vënë veten në rolin e ‘avokatit të djallit’; herë duke e cilësuar kriminelin si ‘njeri të çmendur’, e herë duke e arsyetuar ‘kryqëzatën’ e tij si reaksion ndaj ‘rrezikut të islamit dhe muslimanëve në Evropë’.
    Së këndejmi, më duhet të konstatoj me keqardhje se, rreziku i vërtetë në botën e sotme si dhe njerëzimin në përgjithësi nuk qëndron në veprat kriminale të llojit me të cilin u karakterizuan ngjarjet e fundit në Norvegji, por nga mentaliteti i këtillë i cili mundohet që, për hirë të një fanatizmi apo agjende të caktuar, gjërat t’i pasqyrojë ndryshe nga ajo që janë, duke krijuar kështu hapësirë dhe mundësi që edhe kriminelët e llojit të Brejvikut të arsyetojnë veprat e tyre djallëzore përmes ‘manifesteve’ të ndryshme - siç ishte rasti me ‘Manifestin’ e këtij të fundit - të cilat nuk janë ide të izoluara në kokat e një shtrese të caktuar kriminelësh, por ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë prezente në kokat e shumë njerëzve dhe shtresave shoqërore, qoftë në Evropë apo më gjerë.
    Një fjalë shkencore thotë “Njohja e problemit është gjysma e zgjidhjes”. Andaj, përderisa ne, në kohën e sotme, nuk mundohemi që fillimisht të kuptojmë esencën e problemeve të cilat po e tangojnë njerëzimin në përgjithësi, e që mëpastaj të ndalemi dhe të gjejmë zgjidhje adekuate për to, dhe përderisa vazhdojmë që gjërat t’i quajmë ndryshe nga emërtimet e tyre të vërteta, ne do të vazhdojmë të përballemi me fatkeqësi të këtilla të cilat sa vijnë e shtohen.
    Ngjarjet tragjike të llojit që ndodhën në Norvegji mund të trokasin në çdo derë. Së këndejmi, zgjidhja më e mire është që të gjithë të vetëdijësohemi dhe të kuptojmë se terrori dhe krimi nuk është prodhim i një popullate për dallim nga tjetra, e as e një pjestarit të një feje për dallim nga tjetri, por është vepër e shëmtuar e cila e ka përcjellë njerëzimin përgjatë gjithë historisë, dhe e cila është shfaqur sa herë që njerëzimi ka neglizhuar shkaqet të cilat çojnë kah ajo.
    Andaj, le të bashkohemi të gjithë për ta luftuar një dukuri të këtillë dhe për t’i zhdukur shkaqet dhe rrënjët e saj, se përndryshe, të gjithë rrezikojmë të bëhemi viktimë dhe sakrificë e saj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...