Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/09/16

Edhe modeli “dy Gjermani”, edhe autonomi për veriun, ky është rreziku!


Modeli i ngjashëm me atë të dy Gjermanive tashmë po pranohet edhe zyrtarisht nga institucionet e Kosovës me marrëveshjet e arritura në Bruksel, pasi që Prishtina po pajtohet se vetëm me Serbinë mund të ketë marrëdhënie speciale, të ndryshme nga ato që ka me vendet e tjera fqinje dhe ato që e kanë njohur pavarësinë. Teksa Beogradi i trimëruar me suksesin në arritjen e synimit të parë, në tavolinë të bisedimeve, po mpreh dhëmbët edhe për të dytin, nën tavolinë – autonominë për veriun, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës, por faktikisht do të operonte si krahinë brenda Serbisë
Adriatik  Kelmendi


SE ËSHTË NISUR dialogu mbrapsht dhe pa krye, dhe se ashtu siç është nisur të tilla do t’i ketë edhe rezultatet, besoj se e kemi përsëritur shumë shpesh përgjatë këtyre muajve. Por, që mund të marrë kah edhe më të gabuar se ç’është mundur të parashihej edhe nga ndonjëri nga ne që shpesh u quajtëm “pesimistë”, vështirë të besohej. E po, ja që pesimizmi nuk ka se si të mos rritet. Me drejtimin që ka marrë tash dialogu i fasilituar nga Bashkimi Evropian dhe për shkak se në vazhdimësi pala kosovare ka punuar pa një strategji të qartë se çka do të arrihet praktikisht dhe politikisht për Kosovën, tash para nesh janë dy opsione, asnjëri i mirë për vendin.

I pari është modeli i mosnjohjes reciproke, por i mospengimit të ushtrimit të subjektivitetit ndërkombëtar si shtete sovrane, i afërt me modelin e dy Gjermanive.

I dyti është opsioni i statusit special për veriun, që do të nënkuptonte edhe vdekjen e Planit të Ahtisaarit dhe shkatërrimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si derivat i këtij plani.

Dhe, që situata të bëhet edhe më e komplikuar, nuk është se mund të ndodhë njëri në shkëmbim të diçkaje të favorshme për Prishtinën, por mund të ndodhë edhe modeli i dy Gjermanive e edhe statusi special për veriun, bashkë, pa ndonjë përfitim për Kosovën.



Modeli i dy Gjermanive po zyrtarizohet nga dialogu në Bruksel



SADO QË NUK PO pohohet nga Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesja në dialogun me Beogradin, Prishtina është duke pranuar që në raport me Serbinë të mbetet në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Kjo Rezolutë tash po pranohet nga Beogradi, pas refuzimit fillestar të saj, kurse ishte shpallur e skaduar nga Prishtina dhe nga të gjitha shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Përnjëherë ajo është e gjallë, por vetëm në trinomin Prishtinë-Beograd-Bruksel. Po të studiohen me kujdes të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tash, në dialogun e Brukselit, që të gjitha i referohen Rezolutës 1244 dhe asnjëra nuk nënkupton ekzistimin e Republikës së Kosovës, si entitet i pavarur dhe sovran.

Sa për ilustrim: për dallim me Serbinë, të gjitha marrëveshjet e tjera dypalëshe të Kosovës me shtetet e saj fqinje, por edhe me shtetet e tjetra që e kanë njohur pavarësinë, janë ndryshe nga këto me Beogradin – në to njihet subjektiviteti i barabartë si shtete të pavarura dhe të njohura reciprocikisht. Shikoni marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, si dhe me shtetet jofqinje dhe do të shihni se në të gjitha këto ka një pozicion të unisuar të Republikës së Kosovës karshi tyre. Por, kjo natyrisht se nuk po ndodh me Serbinë. Prishtina, me ndihmën e Bashkimit Evropian, po e porosit qartë Serbinë se nuk ka përse ta njohë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet sovran dhe i pavarur, ashtu siç e njohin fqinjët e tjerë dhe 82-83 shtete në përgjithësi deri më tash. Prishtina po pajtohet që me Serbinë mund të ketë marrëdhënie të cilat dallojnë nga ato me shtete të tjera, të cilat duke qenë të veçanta në këtë rast, e bëjnë të veçantë edhe marrëdhënien që ka Kosova me Serbinë. Kjo marrëdhënie tash po e merr edhe vulën zyrtare të institucioneve të vendit me marrëveshjet e pranuara, si dhe miratimin e BE-së.

Ne kemi dëgjuar kohëve të fundit të shtohen zërat që kërkojnë nga Serbia vetëm normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, nga figura të fuqishme të nivelit Merkel e Van Rompuy, por jo edhe njohje të pavarësisë, duke mos iu bërë fare përshtypje fakti që edhe vetë shtetet të cilave u takojnë, në këtë rast Gjermania, ose shumica e vendeve anëtare të institucioneve që udhëheqin, Bashkimi Evropian, e kanë njohur Republikën e Kosovës. Ata nënvizojnë: Serbia të ketë qasje serioze në dialogun e fasilituar nga BE-ja, i cili do të normalizojë marrëdhëniet në nivel teknik mes Kosovës dhe Serbisë, por se nuk ka fare nevojë që Beogradi ta njohë sovranitetin e pavarur të Prishtinës.

Në anën tjetër, deri më sot nuk kemi parë as që i është kërkuar Serbisë edhe nga Qeveria e Kosovës që ta njohë pavarësinë, gjë jo fort e zakontë në këto rrethana.

Së këndejmi, në qoftë se edhe Kosova pajtohet se raportet e saj me Serbinë do të jenë të një niveli special nga ato me shtetet e tjera, atëherë edhe statusi ndërmjet këtyre dy vendeve do të jetë special. Më i afërti na del ai i funksionimit të dy Gjermanive deri me shembjen e Murit të Berlinit. Dhe kjo po pranohet tash zyrtarisht edhe nga Prishtina.

Për më tepër, edhe pse “dy Gjermanitë” po ndodhin, frikësues është fakti se nuk ka asnjë sinjal që tregon se për këtë arritje Beogradi do të jetë i gatshëm që të lëshojë pe në ndonjë anë tjetër, siç do të mund të ishte një kërkesë ndaj Kremlinit që Rusia të mos vërë veto në pranimin e Kosovës në OKB.



Beogradi kërkon suksesin e dytë: autonominë e veriut



AQ MË TEPËR, Beogradi zyrtar është duke arritur sukses në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, por nuk është i gatshëm të ndalet vetëm me kaq. Synimi është që në momentin kur marrëveshjet e arritura me Prishtinën në Bruksel do të jenë të mjaftueshme për të rregulluar çështjet në stilin e funksionimit, por pa njohje të pavarësisë, atëherë do të ketë agresivitet të shtuar për të shpallur të tejkaluar Planin e Ahtisaarit dhe për të siguruar autonomi për serbët e veriut, e cila do të ishte juridikisht brenda kufijve të Kosovës (por gjithsesi kufij të papranuar nga Serbia), por faktikisht si krahinë brenda Serbisë.

Sakaq, në kuadër të “lëshimeve” që Beogradi pritet të bëjë në kuadër të dialogut do të jetë edhe drita e gjelbër për arrestimin e strukturave kriminale në veri, por pastaj do të kërkohet që për këtë edhe institucionet e Kosovës të jenë të gatshme për ide të reja për popullatën civile serbe, me arsyetimin se ajo nuk do me asnjë kusht të jetë nën administrimin e Prishtinës.

Për këtë arsye kemi edhe deklaratat e forta që i dëgjojmë këto ditë nga presidenti serb, Boris Tadiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, se Beogradi nuk do të rrijë duarkryq në qoftë se vendosen përfaqësuesit institucionalë të Kosovës në pikat doganore 1 dhe 31. Po të synonin ata që Kosova të kthehej ndonjëherë nën sovranitetin e Beogradit, nuk do të bënin dallimin ndërmjet këtyre dy pikave doganore dhe asaj në Merdar, që funksionon pa probleme. Mirëpo, synimi optimal i Serbisë momentalisht është që të mos ndryshojë raporti në kontrollimin e situatës në terren në veri dhe që si e tillë kjo pjesë të ketë status të veçantë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Në këtë frymë Beogradi po kapitalizon me sukses në tavolinë me marrëveshjet në Bruksel për arritjen e modelit të dy Gjermanive, dhe po e synon nën tavolinë – autonominë për veriun. Dhe, të dyja brenda një pakoje.



TEKSA MODELI I DY Gjermanive, siç e thashë, tashmë po ndodh edhe zyrtarisht, statusi i veriut do të varet shumë nga hapat që do të ndërmarrë edhe Prishtina pas 15 shtatorit.



adriatik@kohavision.net

Sa ka gazetari hulumtuese në Kosovë?

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës “KSHMK”, i mbështetur nga OSBE-ja, të premten organizoi një tryezë diskutimi me temën “Etika e gazetarisë dhe e vërteta”. Nehat Islami, drejtor i Zyrës së KMSHK, tha se ky këshill është një trup vetërregullues, i cili merr vendime profesionale për ndonjë ankesë. Ndërsa, Behxhet Haliti, anëtar i bordit të KMSHK-së, theksoi se kodi i këtij këshilli është i deleguar nga standardet më të larta të gazetarisë, ku sa më i respektuar që të jetë ky kod aq më faqebardhë do të dalim para lexuesit, dëgjuesit apo shikuesit e medies sonë. “Të gjithë që merremi me zanatin e gazetarisë jemi të obliguar të respektojmë këtë kod”, theksoi Haliti.


Halil Gashi, gazetar, ngriti çështjen pavarësimit të medieve. Sipas tij, më e arsyeshme dhe më falënderuese do të ishte që partitë politike të botojnë gazeta të veta se sa që të ndikojnë në pavarësinë e gazetave. Kolegu i tij, Enver Maloku nga Klina, si më shqetësuese ngriti çështjen e gjuhës, sipas tij, të devijuar shqipe në mediat e shkruara edhe ato elektronike. Ndërkaq, sa i përket gazetarisë hulumtuese, nga panelistët dhe të pranishmit kishte diskutime të ndryshme. Ilir Osmanaj theksoi se në Kosovë nuk ka gazetari hulumtuese, apo është shumë e rrallë, kurse me konstatimin e tillë nuk u pajtua Behxhet Haliti.

Serbët gjuajnë me gurë drejt jugut

Në orët e vona sonte, papritmas serbë të shumtë janë mbledhur tek ura kryesore mbi Ibër, në përpjekje për të shtuar sasinë e zhavorrit mbi urë dhe kanë gjuajtur me gurë në drejtim të anën jugore të urës, raporton TV Arta. Gazetarët janë ndjekur nga afërsia e urës e bashkë me ta janë larguar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Forca të shumta të EULEX-it dhe karabinierë kanë ardhur përforcim tek ura.

Gjatë kësaj ngjarje, në anën jugore të urës mbi Ibër janë mbledhur edhe shumë të rinj shqiptarë, por pas një kohe edhe ata janë shpërndarë.
Kameramanët e KTV-së para pak minutash kanë dërguar nga Mitrovica imazhet e një zjarri goxha të madh në prapavijë të Kodrës së Minatorëve.      
Sipas informatave të fundit, zjarri është shuar, kurse pohohet se paraqitja e zjarrit në këtë kohë të vitit është dukuri e zakonshme, pasi në afërsi ka mjaft lisa.
Në anën tjetër, nga terreni ka pohime se zjarri ka mundur të vihet qëllimisht.

Pasoja vendimtare e ndërhyrjes së sotme nuk është shpërbërja e strukturave ilegale, armiqësore e kriminale të Beogradit dhe as sundimi i rendit dhe ligjit; rezultati kryesor është lejimi i hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë”, ka vlerësuar të premten lëvizja “Vetëvendosje”.Në një komunikatë për opinion, kjo lëvizje ka vlerësuar se “Thaçi ndërhyrjen e tij po e quan sovranitet. Ai po e quan sovranitet vendosjen e disa doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31. Por këta doganierë po barten nëpër qiell me helikopterë të KFOR-it. Kjo është e mjaftueshme për ta kuptuar se Qeveria nuk po e kontrollon tokën e Kosovës në veri, 40 km tokë prej urës së Ibrit e deri në Leposaviq”. 

“Ndonëse prania e një grupi doganierësh në pikat kufitare 1 dhe 31 është një hap i vogël në drejtimin e duhur, argument kryesor i sovranitetit është kontrolli i territorit në veri”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Në anën tjetër, dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur në favor të masave të ndërmarra nga qeveria për shtrirjen e sundimit të ligjit në veri të vendit.

Pesë metra dhe afër vendkalimit të Bërnjakut, zjarr te Jarinje

Gazet “Blic” njofton se serbët vendkalimin kufitar Bërnjak kanë zbrazur 30 kamionë. Kështu, njofton kjo gazetë, është e pamundur qasja te ky punkt kufitar. Në këtë vendkalim dheu është pesë metra i lartë.
Nuk ka konfirmime a s përgënjeshtrime të këtij akti as nga KFOR-i, as nga EULEX-i e as nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Në vendkalimin e Jarinjës, para pak minutash, siç njofton Politika e Beogradit, ka shpërthyer një zjarr i vogël. Eshe pse shaku i zjarrit nuk dihet, supozohet se po digjen vetëm barishtet afër vendkalimit .
Sot në Mitrovicë ka qëndruar edhe ia ashtuquajturi ministër për Kosovën Goran Bogdanoviq (shihet në foton e fotoreporterit të Kohës Ditore). Nuk dihet si ka hyrë ai në Kosovë dhe a ka pasur leje për ta kaluar kufirin.
Blic po ashtu njofton edhe për shumë rrugë të bllokuara. Tërësisht e bllokuar është magjistralja Mitovicë - Ribariq e barrikada janë vënë edhe nëpër të gjitha komunat jera në veri.
Zyrtarë të EULEX-it thonë se në veri të Kosovës po mbretëron situatë e tensionuar.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tash nuk është raportuar për asnjë incident.
“Deri më tash nuk kemi ndonjë raport për ndonjë incident. Është e drejtë të thuhet se situata është e tensionuar", tha ai.
"Disa barrikada janë të vendosura tashmë në disa udhëkryqe të rrugëve në veri të Kosovës”, bëri të ditur Hawton.

Kosova është një njësi doganore

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka thënë në Bruksel se EULEX-i ka filluar ta zbatojë marrëveshjen e arritur në dialogun Prishtinë-Beograd, për vulat doganore

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se punët në kalimet në Bërnjak dhe Jarinje i kryejnë doganierët e EULEX-it dhe të Kosovës.

Ajo ka shtuar se marrëveshja për vulat doganore ishte elementi i fundit i cili ka munguar që prapë të vijë në fuqi sistemi i duhur doganor, meqë Kosova që nga viti 2000 është një njësi doganore.

“Është ky një hap i rëndësishëm nga i cili të gjitha bashkësitë do të kenë dobi. Jemi të përkushtuar për këtë dhe EULEX këtë e bënë në përputhje të plotë me mandatin e saj”.

Në pyetjen se në cilin buxhet do të kalojnë të ardhurat e doganave, Kocijançiç ka thënë se “kjo duhet të verifikohet”.

Rusët e tërbuar me SHBA-në dhe BE-në

Forcat e NATO-s në Kosovë do të tejkalojnë mandatin e vet në lidhje ,e situatën në veri të Kosovës, kurse Kombet e bashkuara do ta injorojnë këtë, pohoi sot televizioni në gjuhën angleze “Russia today”, duke iu referuar diplomatëve të lartë rusë në OKB. Ky televizion thekson se diplomatët rusë “janë të tërbuar pasi SHBA-ja dhe BE-ja kanë paralizuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB për Kosovën (të enjten)” dhe se pas debatit diskorësh prapa dyerve të mbyllura Këshilli i Sigurimit ka dërguar një apel “mjaft të zbehtë për përmbajtje nga të gjitha palët”.

Ambasadori i Rusisë në KB, Vitalij Çurkin pas mbledhjes ka thënë se vendi i tij është i brengosur për faktin e forcat paqësore “po ia mbajnë anën njërës palë – autoriteteve shqiptare”.

“Jemi seriozisht të shqetësuar për atë që po ndodhë. Hiqet dorë nga dialogu, kur ai ka filluar të japë rezultate premtuese, dhe, sipas mendimit tonë, kjo që po ndodhë tashti është krejtësisht e padrejtë dhe e rrezikshme”, ka shtuar diplomati rus

Ne shkuam paqësisht në kufijtë tanë...

Kur ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ishte duke iu adresuar medieve (pas orës 03:00 sipas kohës sonë), përfaqësuesi i Rusisë në Vitlay Churkin u afrua tek vendi i konferencave të shtypit.

 “Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ai nga korneri.

“Nuk mendoj kështu”, u përgjigj ministri Hoxhaj dhe vazhdoi të marrë pyetje të gazetarëve.

Kur përfundoi çfarë pati për të thënë, Hoxhaj u largua andej nga ishte Churkini. Ia zgjati dorën e qeshi me aktin e tij. Ai i tregoi prapë se nuk ishte mirë çfarë bëri dhe pastaj foli vetë.

Churkin tha se i respekton përfaqësuesit e Prishtinës dhe gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në ndërtesën e OKB-së nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut. Sipas tij, askush nuk u tregon çfarë të bëjnë në restoranet apo parqet e New Yorkut, por në OKB ka rregulla.

Pas pyetjeve të vazhdueshme të gazetarëve kosovarë, Churkin u nervozua. “Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se e grushtova zotin Hoxhaj”, tha ai. Churkin pranoi se është i shqetësuar sepse nuk mori përkrahjen për Serbinë të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin e pranon dështimin pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Anëtarët e saj nuk janë pajtuar me nxjerrjen e një deklarate presidenciale që do të bënte thirrje për vazhdimin e dialogut dhe do të kërkonte së paku shtyrjen e implementimit të planit të Prishtinës për veriun.

Ministri i Jashtëm i Republikës, Enver Hoxhaj ka thënë se Prishtina është e shqetësuar me retorikën kërcënuese të Beogradit që bën thirrje për dhunë. “Policët dhe doganierët tanë do të shkojnë në pikat kufitare të shtetit të njohur ndërkombëtarisht”, ka thënë ministri i jashtëm.

Ministri i jashtëm i Serbisë ka dalë nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit për t'iu drejtuar gazetarëve. Ai ka thënë se aksioni i Prishtinës është ilegal dhe jolegjitim dhe se nuk e ka përkrahjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj po thotë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit se autoritetet e Kosovës do të hapin portat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.

“Ne shkuam paqësisht në kufijtë tanë më 25 korrik 2011 dhe nuk do t’i lëmë më kurrë kufijtë vetëm. “, raportohet të ketë thënë Hoxhaj. Franca e ka kritikuar ashpër Serbinë për kirjim të situatës artificiale në veri, kurse SHBA kanë dhënë mbështetje të fuqishme për aksionet e Prishtinës. 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...