Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/06

Rreziku i shkombëtarizimit nuk është një trill

MYSLIM PASHAJ 


 Libri i Dragoit u jep vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan

Libri i Dragojt “Rreziku i shkombëtarizimit” nuk mund të jetë një shkrepëse mbi një substancë ndezëse, por në të kundërt, ai jep një kumt për t’i hequr këto mjete, për t’u dhënë vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan, duke mos sjellë askund fantazmat e së shkuarës. Pakica greke ka qenë një urë njerëzore e bashkëjetesës së etnive, të cilat kanë kaluar gjithë dramat në mbijetesën e tyre. Askund në libër nuk shpërfillet vlera e saj në mjedisin e bashkëjetesës sonë të përbashkët.

Shkrimtari dhe publicisti Nuri Dragoj vjen para lexuesit me një libër të ri: “Rreziku i shkombëtarizimit”. Ky botim përkon me fushatën më të debatuar dhe aq shumë të përfolur të regjistrimit etnik dhe fetar, që ka zgjuar përfytyrimet ballkanike të së shkuarës.

Studiues, historianë, linguistë, analistët, gazetarë, kanë dalë nga strehët e tyre dhe, çuditërisht, jo shumë larg mendësisë së strehës, sillen për ditë shtrembërime faktesh historike, për zanafillë pellazge, iliricitetin, popullsi që lëvizin dhe dhënie-marrjet midis tyre, ardhacakë dhe të shpërngulur ndër ploja biblike, histori e tradita, identitete kombëtare etj… vlera dhe supremaci qytetërimesh, gjuhë themelore, ndikime të pushtimeve dhe vlerësime të tyre, rikonceptime qarqesh vorioepirote, demografi e të drejta të njeriut… Diskutimet vijojnë.

Mendoj se edhe libri në fjalë, ndonëse i një natyre tjetër, është pjesë e këtij debati, gjersa edhe për këtë botim ka artikuj kundërthënës. Dragoj përcjell në mënyrën më të thjeshtë, pa bërë asnjë sajesë apo trill letrar, të shumë fakteve që sjellin një realitet të kërcënimit të sotëm, atij të shkombëtarizimit. Që në fillim të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një term të rëndë. Nëse do të hulumtosh më thellë në analizë, mund të dalin dhe shumë përfundime të tjera, por libri ka gjetur një mënyrë ndër më të natyrshmet, një kronikë, ku qëmtohen ngjarje, çelje, sythe, biseda, udhëtime, tubime, konferenca, në të cilat zgjohen fakte trishtuese për temën në fjalë. Ai nuk komenton dhe nuk zhbiron, por e lë lexuesin që të mbajë qëndrim. Edhe kjo është një dhunti që u ngjan atyre mbledhëseve të folklorit apo rrëfenjave me një temë të caktuar. Autori e lë kronikën dhe ngjarjen në dheun e vet, ashtu siç u mboll të rritet, ai as nuk plehëron e as ujit (në vështrimin letrar), dhe kjo është meritë që tharmi të përballë vet natyrën.

E sotmja në Shqipëri duket sikur ka kaluar një stad të ri dhe ne gati e kemi përqafuar Europën, për të cilën po flasim përditë. Por harrojmë se kjo histori dy dhjetëvjeçarësh aq sa na e ka sjellë lirinë e munguar, si në baraspeshë, ftillon një dramë të vjetër me një stil të ri: kërcënimi që vjen nga emigrimi ekonomik, pakësimi i shqiptarëve në shtetin amë, përndezja e orekseve të fqinjëve në Veri, që nuk mund ta pranojnë lirinë e Kosovës, ndërkaq me fqinjin jugor zhvillohet një akt tjetër i tragjedisë së shqiptarëve, kur emigrimi i tyre ekonomik kërkon një haraç thelbor: shndërrimin e tyre, ndryshim të emrave në rrënjë, kushtëzimin e jetës së tyre të ardhme. Dhe po kaq e “mirëmenduar” vjen “zgjatja e dorës së mirë” për të dhënë pensione jo vetëm pakicës greke në Shqipëri, por përfshirë edhe në një gjeohapësirë rreth saj, që përbën edhe një kushtëzim tjetër, që do të biskonte më vonë…

Kaq është sërish pak.

Do të vijonte “rebelimi paqësor himariot për mëvetësi”, monumentimi i varrezave të ushtarakëve grekë, shtrirë në vende që hamendësohen si vorioepirote… hapje e shkollave greke, sulmi ndaj historisë sonë kombëtare, deklarata të zyrtarëve dhe qarqeve të tjera.

Të gjitha këto do ta kishin një kapitull përmbyllës dhe dokument që pritej ndër opinione ballkanase e më gjerë.

Na jepni një statistikë të pakicës greke në Shqipëri. Kjo që solli edhe regjistrimin etnik e fetar tashmë kaq shumë i debatuar.

Rreth këtyre rilevon dhe sjell piketa libri i Dragojt. Aty kemi një kronikë të takimeve, udhëtimeve të tij, të personazheve që takon, të veprimtarive të Kuqezinjve etj.

Autori vijon paralel që të japë një panoramë se si e keqja dhe ora e ligë nuk projektohet vetëm nga jashtë, por dhe nga brenda vendit, duke sjellë përjetimin dramatik, që i shkaktojnë atij qëndrimi i shtetit shqiptar për ligjin e Gjendjes Civile, i cili e lehtëson këtë shkombëtarizim. Pastaj ligji “Pollo” dhe reflektimet ndaj tij.

Nëse mund të quhet aq shumë tronditëse apo një ngjethje njerëzore, se si një përmetar nga Kosina nuk ka lekë t’i blejë libra fëmijës për shkollë dhe merr eshtrat e gjyshit t’i çojë në një Pazar të Ri. Aq sa është drithëruese për vetë shqiptarët e sotëm, nuk ka pse të konsiderohet si një trillim, keqinterpretim me keqdashje të “historisë së varrezave” e nuk ka pse të trazojë marrëdhëniet me pakicën greke dhe fqinjin jugor. Ky është nga ato detaje që më shumë rëndon situatën ekonomike shpirtërore të Shqipërisë, të cilën shtetarët dhe politikanët e sotëm e rrëzëllijnë me nota drite që s’janë reale.

Në këtë libër, ku kemi të bëjmë me publicistikë, analizë, sprova, ditare, rrëfenja, satira, të cilat krijojnë një unitet shkrimor, autori na ka sjellë trajtesa me gjithë emocionet që mbart kjo temë, jo vetëm të identitetit kombëtar, por në një spektër shumë më të gjerë.

Por nuk kemi të bëjmë me një ditar të thjeshtë. Artikuj të përfshirë në libër na cytin që të reflektojmë dhe të kujtojmë se si filloi lëvizja “Kuqezi”. Se ç’mësymje në një formacion të gjerë ndërmori fqinji yni jugor, se ç’ngjarje dramatike u shënuan.

Shkrime të botuara në disa mediume të këtushme e kanë cilësuar librin e Dragojt “një libër që cenon marrëdhëniet e mira që kemi me Greqinë dhe nga ana tjetër tenton të pengojë daljen e së vërtetës në dritë, e cila ka të bëjë me numrin e saktë të minoriteteve dhe minoritarëve apo pakicave etnike, që jetojnë në Shqipëri. (Ardit Levonja, Gazeta Metropol, 26 shtator 2011). Ndërsa në gazetën “Shqip”, datë 29 shtator, librin e cilësojnë si një shkrepëse mbi një fuçi baruti.

A është vallë Ballkani sot një substancë ndezëse dhe si mundet vallë të përsëritet ajo që është thënë dikur se në të vërtetë ishte e tillë?

Rrethana të reja, qasje bashkëkohore na sjellin prirjen për një Ballkan tjetër, i cili, edhe pse ka një histori ndezëse, prapë këtu jetësohen rrënjë kulturash të ndritshme qytetërimi, me kontribute të përbashkëta, të cilat përbëjnë një lëndë të re përbashkuese ndaj Europës.

Arritje të sotme në Aleancën e NATO-s, atë ekonomike (BE), që kanë në dorë instrumente të kontrollit të jetës ekonomike, kulturore dhe ushtarake, e këshilloj se nuk mund t’i shkojë kujt në mendje se fuçia është gati dhe duhet ajo shkrepëse për të cilën folëm atypari. Nëse kujtojmë së toku se ç’ bën sot Europa për të ruajtur Eurozonën dhe për ta mbajtur Greqinë që të mos rrëzohet në greminë. A nuk duhet të na flasë kjo se janë krijuar siguri të reja në Kontinent, të cilat na e largojnë përfytyrimin ndajshtimor që me të drejtë e ka pasur Ballkani. Ndërkaq kjo nuk do të thotë se s’ ka probleme brenda shteteve etnive, interesave, dhënie-marrje kulturash, probleme ende të pazgjidhura.

Subjektet e shkrimeve të ndryshme u ngjajnë më shumë ditarëve që janë mbajtur në këtë rrjedhë kohore, që lidhet kryesisht me regjistrimin etnik dhe fetar. Në libër nuk flitet kurrkund për të ndjashtimuar pakicat etnike e kulturore, askurrkund nuk ka trajtesa shpërfilljeje dhe mosvlesërimi për to. Nuk ka në të ndonjë urrejtje mesjetare dhe as shpikje të armiqve irealë. Pra, libri nuk cenon aspak marrëdhëniet me fqinjët dhe as me minoritetin. Ai bën apel që këto marrëdhënie të ruhen e forcohen më tej mbi bazën e marrëdhënieve reciproke, të respektimit të ndërsjellë. Përkundrazi, në shumë mediume dhe shkrime analitike janë trajtuar dhe trajtohen zëshëm probleme që kanë të bëjnë me politikën e Athinës zyrtare, e cila në raste të veçanta jo vetëm e ka tepruar, por dhe tejshkuar në lëshimet që u ka bërë disa qarqeve të brendshme, por dhe të jashtme, me përfytyrime të gjeohapësirave midis dy shteteve (siç është Vorio-Epiri), dhe kjo është tanimë e njohur.

Tragjizmi i varreve për të cilat në një artikull shtrohet si një shqetësim, është një tragjizëm që nuk ngrihet për të drejtën që ushtarëve grekë, të cilët duhet ta kenë një varr mbi tokën ku ata kryen aktet e tyre ushtarake, po ajo ka një lidhje me përfshirjen e njerëzve të kishës apo të njerëzve të thjeshtë në dëshmitë e tyre tronditëse.

Libri i Dragojt “Rreziku i shkombëtarizimit” nuk mund të jetë një shkrepëse mbi një substancë ndezëse, por në të kundërt, ai jep një kumt për t’i hequr këto mjete, për t’i dhënë vendin e duhur vlerave kombëtare të secilit etnitet në Ballkan, duke mos sjellë askund fantazmat e së shkuarës. Pakica greke ka qenë një urë njerëzore e bashkëjetesës së etnive, të cilat kanë kaluar gjithë dramat në mbijetesën e tyre. Askund në libër nuk shpërfillet vlera e saj në mjedisin e bashkëjetesës sonë të përbashkët. Në këtë libër nuk kemi të bëjmë më armiq irealë, siç thuhet në një artikull në gazetën Shqip (shih: Në shkrepëse sipër fuçisë së Barutit e V. Kristo, datë 29 shtator 2011).

Dragoj gjithnjë në optikën e tij, edhe pse është i kujdesshëm, për ta ruajtur ndjenjën e masës, herë-herë dalin si prej një munxe apo mallkimi të hershëm, personazhe tragjikë tipik ballkanas, po ama jo të sajuar, si: vjedhësi i varreve në Boboshticë, gurë të rinj me shkronja greke futur ndën dhe, ai fshatari me eshtra në torbë, anonimatë që kërcënojnë me mesazhe apo që të prekin në krahë…Teksa kalon duke të kujtuar e silueta fantazmagorike, e të gjitha këto nuk e cenojnë vërtetësinë e lëndës, por janë pjesë e një tabloje reale.

Te kjo lëndë e gjerë me Boboshticën e traumatizuar për konsullin grek “Kisha misterioze brenda Pallatit të Kulturës”, “Megali Idheja dhe Naçertania”, “Kombi shqiptar nuk asimilohet kurrë” “Intensifikohet hapja e shkollave të huaja”, “ Tadiç zgjon fantazmat”, “ Një komb një pasaportë”, “Përrallat për Epirin” etj. gjejmë ndërthurje mendimesh e ndjenjash, që i shërbejnë synimit të këtij libri.

Nuk duhet të harrohet që kombet kanë orë të këqija, por edhe orë të mira.

A nuk është një orë e ligë kjo kur këtu në Shqipëri i bërët fresk regjistrimit etnik e fetar, ndërkaq Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e gjendjes civile. A nuk jemi vallë në një orë të ligë kur nuk bëhet pothuajse asgjë për çështjen “Ҫame” dhe askush prej ҫamëve të martirizuar nuk mund të shkojë i lirë në shtetin fqinj, kur heshtet për gjeostrategjikë e hapësirave detare arbërore, kur në indiferentizmin kulmor kriminal lihen të lënduar e ndërkallur në dhe minatorët shqiptarë të kromit ndaj koncensioneve të huaja. A nuk jemi në një orë të ligë kur fshati shqiptar braktiset, kur rinia kërkon të emigrojë, kur këtu brenda mbetet vetëm një numër fatal shqiptarësh, rreth 2 milionë.

Kundër kësaj ore të ligë përpiqet edhe Dragoj, një ndër ideusit dhe oranizatorët e palodhur të lëvizjes “Kuqezi”, i cili jep një kontribut të shquar edhe me librin e tij të fundit “Rreziku i shkombëtarizimit”. 

Përgjigje për zotin Fatmir Lamaj

 RESHAT KRIPA 

   Një fjalë e urtë popullore thotë: “Po të pështysh lart, të bie në fytyrë; po të pështysh poshtë, të bie në këmbë.” Kjo fjalë e urtë m’u kujtua kur lexova shkrimin e zotit Fatmir Lamaj me titull “Hapja e dosjeve respektive, sfida ime për Reshat Kripën”, botuar në gazetën “Metropol” më 3 tetor 2011. Në fillim mendova të mos përgjigjesha fare, ta kaloja në heshtje, pasi nuk është normale që një që ka vuajtur tmerret e burgjeve komuniste pa u përulur, t’i kundërvihet një tjetri të po kësaj kategorie. Mirëpo në fund të shkrimit të zotit Fatmir lexova: “Beteja sa ka nisur, ne jemi gati, ju s’na ndalni dot...” Kjo frazë më bëri të rimendohem dhe të vendos t’i kthej përgjigje zotërisë.

Ne jemi të dy ish-të burgosur politikë, të dy nga i njëjti rreth, Vlora, të dy me prejardhje nga familje fisnike. A nuk ju duket e palogjikshme t’i kundërvihemi njëri-tjetrit? Unë mendoj se sot është koha që të dy t’u kundërvihemi atyre që na mbyllën nëpër burgje, hetuesve, prokurorëve, gjykatësve dhe të tjerëve të kësaj natyre. Por ti, me një mllef të paparë, më drejtoheshe mua në atë shkrim për një intervistë që unë i paskam dhënë gazetës “55” më 6 maj 2011. Atë intervistë unë e kam dhënë pesë muaj më parë dhe u habita pse kjo përgjigje e vonuar më vjen nga ju, që as ju kam përmendur fare në të. Për ta përforcuar këtë, po e rishkruaj paragrafin që ju paska dokëndisur:

“Ka edhe të tjerë, të cilëve nuk është nevoja t’ua përmend emrat, pasi të përndjekurit i njohin mirë. Janë ata që çirren e bërtasin se gjoja do të shkuakan në Bruksel, ku, të lidhur me zinxhirë, dashkan të demonstrojnë për të drejtat e tyre. Po deshën, le ta provojnë! Do të çjerrin maskën që mbajnë dhe do të demonstrojnë faqen e tyre të zezë. Është edhe një kategori tjetër, tip kameleonësh, që nuk e dinë ku e kanë kokën. Në mëngjes, kur zgjohen nga gjumi, ata janë të djathtë. Në mbrëmje, kur bëjnë llogaritë e ditës dhe bëhen gati për të fjetur, shndërrohen në të majtë, duke ëndërruar të dalin në demonstrata të mëdha për të kërkuar të drejtat e tyre. Le të provojnë të dalin dhe do ta shohin se sa do t’i ndjekin pas.”

Për vetë prejardhjen dhe sakrificën tuaj nuk mendoj se bëni pjesë në njërin nga këto grupe. Të parët kanë gati një vit që deklaruan vajtjen në Bruksel dhe deri më sot nuk kanë guxuar. Kjo nuk është shenjë burrërie. Ndërsa shembujt për të dytët i gjen përditë. Unë mund t’ju jap një të tillë. Në kampin e Vlashukut në vitin 1953 kemi pasur një të dënuar ordiner (në atë kohë ordinerë dhe politikë nëpër kampe ishin bashkë), që ishte caktuar si tellall i kampit. Ju keni qenë vetë i burgosur dhe e dini shumë mirë se cilët caktoheshin si tellallë. E pra, sot ky është kryetari i një shoqate të përndjekurish. Nuk dua ta besoj, por më duket se është pikërisht ky tellall ai miku që ju ka dhënë gazetën me intervistën time.

Tani më lejoni të bëjë disa sqarime. E njoh mjaft mirë fisin tuaj. Një fis i sakatuar nga regjimi komunist. Dy të pushkatuar, Bajrami dhe Muharremi. Mbi dhjetë të tjerë të dënuar politikë me dënime të rënda. Midis tyre do të veçoja njërin, me të cilin kam kaluar së bashku kalvarin e burgut, xhaxhanë e babait tënd, Hydai Lamajn, këtë burrë të nderuar, që më futi në gjirin e tij dhe më mësoi se çfarë ka qenë nacionalizmi shqiptar. Po të ishte gjallë, do t’ju sugjeroja të shkonit e ta pyesnit, por kjo është e pamundur, ndaj ju sugjeroj të takoni dy djemtë e tij, Ernestin dhe Agimin, dhe do të shikoni se çfarë do t’ju thonë. Edhe me të ndjerin babanë tuaj, të paharruarin Senver Lamaj, kemi qenë miq të mirë. Së bashku na lidhi shërbimi ushtarak në repartin e punës. Ndaj nuk më erdhi aspak mirë kur në shkrimin tuaj arrinit deri aty sa të përgojonit edhe familjen time.

Nuk kam pretenduar ndonjëherë se babai im ka qenë nacionalist, siç shkruani ju. Ai ka qenë një tregtar i ndershëm, që asnjëherë nuk është përzier në punët e politikës. Por ju paskeni marrë vesh që im atë nuk i paska paguar shtetit taksat në kohën e mbretërisë së Zogut (!). I fortë paskeni qenë, i nderuar zotëri, që keni mësuar këto të dhëna! Pyetni burrat e vjetër të Vlorës dhe do të mësoni se kush ka qenë im atë.

Sa për motrën time, keni të drejtë. Ajo, si nxënëse e shkollës normale “Nana Skanderbeg”, shpërndante në Tiranë trakte me përmbajtje kundër pushtuesit fashist të përpiluara nga Fronti Nacionalçlirimtar. Por a e dini se deri në gushtin e vitit 1943 forcat e këtij fronti luftonin krah për krah me forcat e Ballit Kombëtar? Ju nuk e dini ndoshta se me luftën partizane u bashkuan edhe një pjesë e madhe e nacionalistëve, pasi qëllimi i kësaj lufte ishte dëbimi i okupatorëve dhe se ishte udhëheqja komuniste që i tradhtoi interesat e saj, duke e shndërruar në luftë civile. Unë mund t’ju them me plot gojën se jam krenar që jam vëllai i artistes së paarritshme Drita Pelingu, për të cilën flet me simpatinë më të mëdha e gjithë Shqipëria. Kam respektin më të madh edhe për bashkëshortin e saj, artistin e merituar Hysen Pelingu, sepse nuk mendoi kurrë të braktiste motrën tonë në çastet kur të dy vëllezërit e saj ndodheshin në burg, siç vepruan shumë të tjerë. A e dini se familja Pelingu sakrifikonte nga vetja e saj, duke u bërë streha e familjes sonë në ato vite të vështira, kur vuanim për bukën e gojës dhe kur nëna dhe babai ynë, përpara se të vinin për të na takuar nëpër kampe, ktheheshin atje për t’u furnizuar me ato ushqime që na sillnin? Kjo ishte familja e jonë, i nderuar zotëri.

Është e vërtetë gjithashtu se kam qenë brigadier në brigadën e investimeve të NB së Vlorës, por do t’ju rekomandoja të pyesnit zotërinjtë Luan Koka (29 vjet burg), Alajdin Alemi (15 vjet), Shpëtim Sharra, me babanë dhe xhaxhanë të pushkatuar, Maliq Agaj, me tre vëllezër të arratisur politikë, Safet Leka, me babanë të burgosur politikë (nuk besoj se do të keni kurajë të hidhni baltë edhe mbi ta), me të cilët kam punuar dhe do të mësoni për mua në atë detyrë.

Për sa i përket banesës që ti zaptove, do të thosha se nuk isha unë që të nxora prej saj. Ishte e drejta e pronarit të ligjshëm. Dhe ky pronar i ligjshëm nuk ishte një ish-pronar nga Shkodra, siç shkruani ju, por shumë i nderuari Abdurrahman Kreshpa, një vlonjat i vjetër, një nga të paktët ballistë të vërtetë që ka fatin të jetojë ende, një ish-i burgosur politik si ju dhe unë. Ndërsa me të drejtë kërkoni kthimin e pronave tuaja, pse nuk respektoni pronat e të tjerëve? Përgjigjen jepeni vetë.

Unë asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim qëndrimin tuaj burrëror në ato vite diktature dhe në këta njëzet vjet, prandaj nuk ishte e nevojshme t’i renditnit heroizmat. Pretendoni të hapen dosjet. Ndoshta jeni i vonuar në këtë drejtim. Unë kam njëzet vjet që e bëjë këtë thirrje nëpër gazeta dhe televizione. Kam marrë edhe dosjen time nga arkiva e Ministrisë së Brendshme. Është një dosje me 54 fletë. Në të janë të gjitha traktet që kemi shpërndarë, hetuesia, gjyqi dhe gjithçka tjetër. Doni t’ju lexoj njërin nga traktet?



Le të sulemi nën flamurin kuq e zi në flakë të luftës, që të na drithtërohet trupi nga dehja e barutit, që të na ndizet shpirti nga zjarri i shenjtë i lirisë dhe le të vdesim duke thërritur: RROFTË SHQIPËRIA!



Doni t’ju lexoj edhe një pjesë nga deklarata e bërë në hetuesi?



Unë, Reshat Kripa, deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit e quaj të drejtë përderisa gjendja në vendin tonë nuk do të ndryshojë dhe unë këtë ndryshim e pres nga të arratisurit jashtë shtetit dhe nga anglo-amerikanët.

Vlorë, më 11 gusht 1951



E pra, isha vetëm 15 vjeç në atë kohë. Dosja ime mban numrin 8445. Po të dëshironi ta lexoni të plotë, ejani t’ju jap autorizimin për të tërhequr një kopje të saj. Nuk e di se çfarë aktiviteti përmban dosja e juaj, aq më pak ajo e tellallit të kampit të Vlashukut. Do të kisha dëshirë të mësoja se çfarë aktiviteti politik keni zhvilluar që ju arrestuan, se unë aktivitetin tim ua tregova.

Nuk më vjen mirë që një i përndjekur përgojon degën e shoqatës të të përndjekurve politikë të Vlorës dhe drejtuesit e saj. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që bënë të mundur grisjen e yllit të kuq nga flamuri me anën e të ndjerit Xhemal Mustafaraj e Fadil Ndreut dhe ditën e 28 nëntorit 1991 ngritjen për herë të parë në Shqipëri të flamurit pa yllin e urryer, në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë ende nuk kishte vendosur heqjen e tij. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që zbuluan dhe kryen një varrim dinjitoz për 18 martirë të lirisë të pushkatuar në vitin 1945 nga regjimi komunist më 29 janar 1992. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që mbajtën lart e nderuan dhe vazhdojnë të nderojnë emrin e kundërshtarëve të vërtetë të atij regjimi. Ishte ajo shoqatë dhe ata drejtues që nuk reshtën dhe vazhdojnë të luftojnë ende për çrrënjosjen e mbeturinave të sistemit komunist në Shqipëri.

Dëshironi të hapen dosjet? Jam i gatshëm. Ju thashë: unë timen e kam nxjerrë. Nxirreni dhe ju dhe i krahasojmë. Ky nuk është kërcënim, si nuk ishte edhe intervista ime. Ky është një realitet. Dikush më tha se duhej t’ju padisja në gjykatë. Nuk e shoh të drejtë mendimin e tij. Nuk është koha të paditim njëri-tjetrin, qoftë edhe kur ndonjëri ka lajthitur. Mendoni ta vazhdoni këtë lojë. Bëjeni! Nga unë nuk do të keni më përgjigje. Nuk është koha e fjalëve boshe. Mendohuni mirë dhe veproni. Po më dëgjuat, nga unë keni një këshillë: mos u bëni pre e lojës së të ashtuquajturve “të përndjekur politikë”. 

Spiunët dhe bashkëpunëtorët e diktaturës, mos lejohen as në media






  Ligji i ri i lustracionit, gjermanët me draft të ngjashëm me atë të vitit 1995

Debati i ligjit për lustracionin pritet të rikthehet dhe një herë në vëmendjen e opinionit publik, këtë herë i hedhur në treg jo më nga politika, por nga fondacioni “Fridrih Herbert”, deputetë të Bundestagut gjerman dhe Instituti Gjerman i ngritur për të zbardhur krimet e STASIT-it. Projektligji synon të sjellë dhe një herë në vëmendjen e opinionit publik rëndësinë që ka dënimi i krimeve të komunizmit, jo vetëm si një dëmshpërblim moral ndaj shqiptarëve, por edhe si një kriter për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Drafti

Drafti i ri që po hartohet me asistencën gjermane, ka si qëllim rifutjen dhe një herë në proces miratimi të ligjit për lustracionin, një ligj i aplikuar në shumë nga vendet e ish-bllokut. Ekspertët që po punojnë me këtë çështje thanë për “Metropol”, se në një pjesë të mirë të saj do merren për bazë ligji i vitit 1995, ia abroguar nga ana e socialistëve dy vjet më pas. Burimet thanë, se ligji është vlerësuar dhe nga specialistët e zyrës së hetimit të dosjeve të STASI-t në Gjermaninë Lindore. Sipas ekspertëve që po punojnë me këtë draft është ende herët të flitet për këtë çështje, por në ligjin që do të hartohet dhe do shtrohet për diskutim në politikën dhe opinionin publik shqiptar, një ndër pikat e tij do të jetë dhe përjashtimi nga media i ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit, gjë e cila ka ekzistuar në ligjin e vitit 1995, dhe pikërisht neni 1 i këtij ligji, ku saktësonte se këta persona nuk duhet të punojnë jo vetëm në median shtetërore, por dhe në mediat private. Asokohe kanë ekzistuar vetëm shtypi i shkruar, dhe në rast se tirazhi i kalonte 3 mijë kopjet, atëherë nuk të lejohej të punoje në to. Në kushtet aktuale, ligjit pritet t’i shtohen dhe televizionet kombëtare, por dhe ato lokale sidomos të qyteteve të mëdha.

Agron Tufa

Agron Tufa, drejtor i Institutit për Zbardhjen dhe Dënimin e Krimeve të Komunizmit, tha për “Metropol” se ende nuk është njohur me përmbajtjen e këtij drafti, por e përkrah plotësisht një iniciativë të tillë. Sipas tij është e mirë që krimet e komunizmit mos dënohen vetëm me fjalë, por ata që i kanë kryer të mbajnë të paktën një përgjegjësi të paktën civile dhe morale. “Më e pakta është të ndalohen të punojnë në administratën shtetërore dhe komunikimin masiv”, thotë Tufa.

Simon Miraka

Një hapje të debatit për rikthimin e ligjit të lustracionit ka kërkuar dhe kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Në një prononcim për “Metropol” Miraka tha, se shtresa që ai përfaqëson është shumë e interesuar për hapjen e një debati të tillë.

Viti 1997

Pas rrëzimit të qeverisë së PD në vitin 1997, ligji i lustracionit doli jashtë loje, deri sa u abrogua, nga shumica e majtë që erdhi në pushtet atë vit. Të gjithë ata që ishin larguar nga administrata, deri në atë kohë u ricikluan sërish për të qenë dhe shumë vjet të tjera pjesë e saj.

Neni 1

Organet dhe funksionet për të cilat ky ligj përcakton kushtet për të shërbyer në to janë:

a) deputetë në Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë;

b) Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga Parlamenti dhe të emëruarit nga Presidenti i Republikës;

c) anëtarë të qeverisë, sekretarë shteti, zëvendës të tyre, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në struktura të tjera shtetërore;

ç) në Presidencë, në administratën e Kuvendit Popullor dhe të Këshillit të Ministrave, të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Kasacionit, të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, të Prokurorisë së Përgjithshme edhe në rangje më të ulëta se ato që përmenden në pikën “c”, nëse nga titullari gjykohet në interes të mbrojtjes së shtetit dhe të të dhënave të tij zyrtare;

d) guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë;

dh) në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për oficerët, funksioni organik i të cilëve përfshin gradë të lartë (gjeneral e kolonel), komandantët e njësive të pavarura;

e) prefektët, kryetarët dhe anëtarët e këshillave të rretheve, kryetarët e bashkive, si dhe komunave dhe anëtarët e këshillave të bashkive e komunave;

ë) në Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR);

f) në Gardën e Republikës;

g) shefa të komisariatit, shefa të policisë, punonjës të Policisë Kriminale dhe degëve të tjera speciale;

gj) gjyqtarë, ndihmësgjyqtarë, prokurorë dhe oficerë në Policinë Gjyqësore;

h) në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë;

i) në RTSH, në ATSH si drejtues dhe redaktorë;

j) gazetarë dhe punonjës me detyrë më të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje;

k) në funksione drejtuese në bashkësitë ekonomike, në institucione shtetërore financiare dhe të sigurimeve, si dhe në bankat shtetërore;

l) rektorë dhe drejtorë në universitete dhe shkolla të larta.

Shqipëria, pjesë e rrjetit të vendeve që nuk kanë ligj për lustracionin

Birthler: Krimet e komunizmit duhen zbardhur dhe dënuar


Në vitin 2008, Shqipëria, me iniciativën e Gjermanisë, nënshkroi marrëveshjen e asistencës për ish-vendet e bllokut komunist, të cilat ende nuk kishin një ligj të mirëfilltë të lustracionit. Në këtë listë është dhe Shqipëria, e cila me përjashtim të ligjit të vitit 1995, që pas dy vjetësh humbi çdo vlerë ligjore, ende nuk ka një ligj të tillë. Për drejtuesen e zyrës së dosjeve të STASI-t (ish-shërbimi sekret në Gjermaninë Lindore) Mariane Birthler krijimi i rrjetit evropian do të bëjë të mundur shtimin e bashkëpunimit mes ish-vendeve komuniste për zbardhjen e krimeve të kryera në atë kohë. Njëri prej projekteve të rrjetit do të jetë që përmes internetit ose në formë të shtypur do të vërë në dispozicion njëkohësisht informacione për punën në shtatë vendet nënshkruese, ku nuk bën pjesë Shqipëria. Me rrjetin evropian Birthler do të mbështesë edhe iniciativa në vende të tjera ish-komuniste, në të cilat nuk bëhet akoma lustracioni sistematik. “Mund ta merrja me mend që kooperimi, vetë fakti që ai ekziston dhe që ne jemi prezent në nivel evropian u jep besim dhe forcë këtyre njerëzve”, - shprehet Birthler në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes për ngritjen e rrjetit. Sipas saj, një Evropë e ribashkuar dhe e lirë nuk përfytyrohet dot pa një vetëdije për historinë e saj të shumëllojshme, por edhe kontradiktore. Kushtet e vendeve pjesëmarrëse në këtë rrjet janë shumë të ndryshme nga njëra-tjera. Në këtë kuadër, në Çeki që prej mesit të viteve ’90 bëhet zbardhja e krimeve komuniste, por që t’i shohësh dosjet, lejohet që prej dhjetë muajsh. Drejtuesi i zyrës së lustracionit në Pragë, Miroslav Lehky, shprehet se “tashmë të gjitha dosjet janë në dispozicion për t’u analizuar dhe natyrisht duam t’i hapim të gjitha”. Ndërsa në rastin e Bullgarisë drejtuesi i zyrës së lustracionit, Evtim Kostadinov, shprehet se qëllimi është që të gjithëve t’u jepet mundësia që të shohin dosjet. “Një detyrë e dytë e rëndësishme është t’ia bësh të ditur opinionit emrat e personaliteteve të jetës publike që në të kaluarën kanë qenë zyrtarisht apo jozyrtarisht punonjës të shërbimeve sekrete”, - është shprehur ai.

Gjykata Kushtetuese rrëzon në vitin 2009 ligjin për dosjet

Në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e hapjes së dosjeve për ish-zyrtarët e diktaturës komuniste, i njohur ndryshe si ligji i lustracionit. Megjithëse vendimi ishte marrë kohë më parë, zbardhja e vendimit u bë publike në vitin 2010. Ndërkohë Komisioni i Venecias, në reflektim të pesë pyetjeve për të cilat Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka kërkuar sqarime, ka marrë në konsideratë të veçantë dy veçori të ligjit të lustracionit: e para, faktin që ai po adaptohet afërsisht 20 vjet pas përfundimit të regjimit komunist për shkak se përpjekjet e mëparshme për të kryer këtë proces, janë stopuar gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese apo – pas një periudhe të shkurtër të aplikimit të ligjit – nga një qeveri e re”, thuhet në vendimin e Komisionit të Venecias. Për këtë vendim ka reaguar edhe Partia Socialiste, duke e vlerësuar si goditje për qeverinë. “Gjykata Kushtetuese certifikoi atentatin e 17 të Sali Berishës ndaj Kushtetutës duke hedhur poshtë në unanimitet ligjin për pastërtinë e figurave, një ligj ky i kundërshtuar jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe nga Komiteti i Helsinkit dhe nga Këshilli i Evropës”. 

Faleminderit Kosovë!


EUGJEN MERLIKA



Ka ditë në jetën e njeriut që mbeten të ngulitura thellë në kujtesë me të gjitha imtësitë e tyre, duke filluar nga ngjyra e qiellit e duke përfunduar te veçoritë e rrugëve mbi të cilat ecet e fizionomitë e njerëzve me të cilët bisedohet. Një udhëtim i thjeshtë në saje të një episodi, të një gjesti, të një fjale, të një buzëqeshjeje, të një takimi merr formën e një ngjarjeje të rëndësishme, një nga ato që i kalojnë caqet e bëmave të përditshme, që mbeten të veçanta, të shquara, të papërsëritshme...

Një ditë e tillë për disa pjesëmarrës të familjes Merlika, ndërmjet të cilëve biri i dytë i Mustafait, Fatosi 91-vjeçar, qe 10 shtatori 2011. Ishte vizita e parë e kësaj familjeje në Prishtinë, kryeqendra e Kosovës së pavarur, një vizitë në kërkim të një rruge, të një pllake me një emër të dashur të vendosur diku në fillimin e saj. Ai emër ishte Mustafa Kruja, emri i atit, i gjyshit, i vjehrrit, i xhaxhait të secilit nga pjesëmarrësit e këtij grupi të vogël grash e burrash, që udhëtonin atë ditë nga Tirana në Prishtinë.

Nuk qe shumë e lehtë gjetja e asaj pllake me atë emër, mbasi në krye të rrugës që është karshi ndërtesës së Kuvendit të Prishtinës, ishte hapur një kantier pune e pllaka ishte zhvendosur rreth 200 metra më sipër. Por njerëzit ishin të gatshëm për të ndihmuar, për të dhënë shpjegime, drejtime, aq më shumë kur merrnin vesh përkatësinë e personave e lidhjet familjare me ish-kryeministrin e Shqipërisë e të Kosovës. Ato minuta të kaluara aty pranë asaj pllake duke bërë fotografitë, aq shumë të ndërruara në një jetë të tërë të dërrmuar në kampet e internimit dhe në burgjet e diktaturës komuniste vetëm e vetëm pse ishin familjarë të Mustafa Krujës, pa marrë pjesë asnjëherë në politikën aktive, qenë tepër prekëse. Kalimtarët ndaleshin, pyesnin, interesoheshin, shprehnin mirëkuptim. Për të gjithë ishte një emër i njohur, që të vjetërve u kujtonte vitet e para të çlirimit nga thundra serbe, vite iluzionesh të atdheut të bashkuar, të mësimit në shkollat shqipe, të nëpunësve shqiptarë në zyrat e administratës, të ardhur në trevat e tyre nga të gjitha viset e Shqipërisë për të sendërtuar ëndrrën e Shqipërisë etnike, të prekshme, të gjallë. Ai emër u kujtonte vizitën e tij në qytete të ndryshme të Kosovës në ato ditë të fundit të qershorit 1942, i shoqëruar nga ministri kosovar i Punëve Botore Iljaz Agushi dhe ministri vlonjat i Tokave të Lirueme Eqerem Vlora, një treshe personalitetesh që përfaqësonin Shqipërinë e Epërme, të Mesme e të Jugut në një qeveri “kolaboracioniste”, që kishte guximin të kthente mbrapsht kërkesat e komandës gjermane të Beogradit për dorëzimin e hebrenjve e që kishte si synim të parë të saj bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.

Në ato vizita ai u foli kosovarëve me gjuhën e tyre për betejat e hershme për me shpallë pavarësinë: “E kush kje atëherë pararoja e revolucionit shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe banë me rà në guj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i shqyptarís po dahej në Shkup...” Ai nderoi kudo kujtimin e miqve e shokëve të vjetër të luftës për Shqipërinë e pavarur, të Hasan Prishtinës e të Bajram Currit, të Isa Boletinit e Dervish Mitrovicës, të Niman Ferizit, Hysni Currit, Sali Gjukës e sa e sa bijve të Kosovës të rreshtuar pa asnjë kursim në shërbim të themelimit e të zhvillimit të shtetit shqiptar. Për të ardhja në Kosovë ishte “pikë së pari nji detyrë haxhillëku, qi e ka borxh çdo shqiptar kur mundet me e krye.”

Familjarët e tij, edhe pse me vonesë, mbas 70 vjetësh po e kryenin atë detyrë, duke ardhur mes nipave të atyre kosovarëve që në atë kohë kishin shtruar qilimat për të pritur jo vetëm kryeministrin, por dhe mikun, vëllanë, birin, deputetin e tyre. Imazhin e tij e kishin përcjellë nga brezi në brez deri në ditën fatlume, kur Kosova do të fitonte përgjithmonë lirinë e saj. Atëherë ajo do të shihte vetveten në pasqyrë, do të bënte bilancin e historisë së saj, do të ndryshonte simbolet që kishin pushtuar prej gati një shekull qenien e saj. Ajo do të kthehej në rivlerësimin e figurave historike që ruante me dashuri e urtësi në kujtesën e saj, edhe se koha mizore, vrastare e vlerave të vërteta ishte munduar t’i fshinte. Në listën e emrave që e nderonin kujtesën e saj historike ishte dhe ai i Mustafa Krujës, njeriut që “deshi mâ fort Shqipninë se popullaritetin e vet”, që luftoi nga bankat e Mylqijes në Stamboll e deri në frymën e fundit në Niagara Falls të SHBA-ve me të gjitha fuqitë e tij për idealin e kombit të bashkuar.

Nëse historishkruesit e diktaturës në Shqipëri vazhdojnë ta quajnë të pambrojtshme figurën e tij, këto emërtime të rrugëve të Prishtinës, Pejës e Gjakovës me emrin e tij janë përgjigjja më e mirë që ideali i kombit të bashkuar mund t’u japë përdhosësve të historisë së tij.

Gjithë këto mendime shtjelloheshin në trurin e vizitorëve të pazakonshëm të asaj rruge të thjeshtë të Prishtinës në atë ditë të nxehtë shtatori, që i shëmbëllente verës së tejzgjatur. Nga thellësitë e zemrave të tyre buroi një falënderim i sinqertë e i fuqishëm, një zë i brendshëm, që gëlonte nga vetëdija e familjes dhe fisit që mbante mbiemrin “Merlika”, nga shpirtrat e të vdekurve e nga ndjenjat mirënjohëse të të gjallëve, që nga biri 19-vjeçar, Besimi, i vdekur në duart e babait në të largëtin nëntor 1944 në Vjenë, deri te motra Xhire (Anxhela), që shoqëroi frymën e fundit të vëllait të saj të madh në Niagara-Falls, në po ashtu të largëtin dhjetor 1958.

Të gjithë me një zë shprehemi: FALEMINDERIT KOSOVË për ato pllaka me emrin e Mustafa Krujës në rrugët e qyteteve të tua! Ato janë dëshmi e respektit dhe vlerësimi më i lartë që kujtesa e kombit i ka bërë veprës së tij. Faleminderit! Së bashku me këtë falënderim rrjedh edhe urimi ynë po aq i sinqertë për të ardhmen e Kosovës, për zhvillimin e begatinë e saj në përputhje me ëndrrat më të bukura të bijve të saj trima e bujarë.

“Washington Post” zbulon emrin e kreut të Task-Forcës për hetimet e trafiqeve të organeve

Këto javë, një prokuror i BE-së do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të hetuar akuzat se një rrjet kriminal ka shitur organet e robërve civilë gjatë luftës së viteve1998-‘99, në Kosovë. Kështu u shpreh një zyrtar për “Washington Post”, duke i pohuar prestigjiozes amerikane se hetimet për akuzat e raportetit të Këshilli i Evropës Dick Marty janë marrë seriozisht. E përditshmja përmend edhe deklaratën në Tiranë të kreut të EULEX, Xavier de Marnhac, i cili e shpalli planin në një konferencë shtypi në Shqipëri, duke thënë se Prokurori do të arrijë në javët e ardhshme. “Washington Post” shkruan se Marnhac nuk e ka identifikuar zyrtarin, por pritet të jetë amerikani John Clint Williamson, prokurori që do të kryesojë këtë Task-Forcë të ngritur për këto hetime. Në një raport të vitit të kaluar reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty pretendoi se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ngritën qendrat e paraburgimit në kufirin e Shqipërisë me Kosovën, ku robërit civilë serbë u vranë dhe organet e tyre u shitën në tregun e zi gjatë luftës së Kosovës për çlirim nga barbaria e kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçi dhe torturave të çetnikëve serbë gjatë spastrimit të pastër etnik që zhvilluan në Kosovë, ku vranë mijëra shqiptarë. Marty e përpiloi raportin duke ndjekur akuzat për trafikim organesh në një libër të shkruar nga ish-kryeprokurorja e Hagës për krimet e luftës, Karla del Ponte. Thaçi dhe Shqipëria i kanë mohuar këto akuza. “Është në interesin e të gjithë rajonit që ky hetim të sjellë një përfundim të qartë dhe të qartësojë deri në fund këtë histori”,- tha De Marnhac. Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto u shpreh se “Ne jemi të sigurt që hetimi do të provojë falsitetin e akuzave dhe ne duam që ky kapitull të mbyllet një herë për të gjithë”. Hetimi në shtëpinë e verdhëve të Katucit është kthyer në një sagë të lodhshme tashmë. Serbët nuk heqin dorë nga kjo shtëpi, teksa përgjigjen më perfekte ua ka dhënë ish-përfaqësuesi i lartë i OKB-së për Kosovën, Bernard Kouchner në një intervistë dhënë televizionit zviceran TSR. “Ne ishim në dijeni për abuzimet, por ne kurrë nuk dëgjuam për trafik organesh. Ata kërkonin një shtëpi të verdhë dhe e gjetën një të kaltër”, kishte ironizuar Bernard Kouchner. I pyetur nga gazetari Darius Rochebin, rreth trafikimit të organeve, ish-ministri i Jashtëm francez filloi të qeshë, ashtu siç kishte bërë kohë më parë në Graçanicë kur u pyet nga një gazetar serb rreth shtëpisë së verdhë. Ai thotë se nuk beson dhe se asgjë nuk është vërtetuar, pavarësisht nga raporti i Martyt. “Kam lexuar raportin me kujdes, unë pres një hetim. Mikja ime Carla del Ponte, e cila tha se ishte në atë shtëpi të verdhë ku gjetën një shiringë… kjo nuk është serioze”, ka thënë Kouchner.

Kreu i EULEX-it takon ministrin e Brendshëm. “Të hapur për hetimet e akuzave për trafik organesh”

Nishani: Policia shqiptare ofron bashkëpunim

TIRANË- Në takimin që ministri Nishani pati me kreun e EULEX Marnhac u diskutua edhe mbi kryerjen e hetimeve lidhur me akuzat e paraqitura nga raportuesi i Këshillit të Evropës z. Dik Marti. “Lidhur me raportin e Dik Martit e sigurova kreun e EULEX se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të ofrojnë bashkëpunimin e nevojshëm në mënyrë që një hetim i plotë nga autoritetet përkatëse të bëhet në mënyrë të tillë që qytetarët shqiptarë, por dhe i gjithë opinioni publik, dhe jo vetëm në Shqipëri, të kenë një informacion të saktë mbi këto hetime”,- deklaroi ministri Nishani. Ndërkaq, në Ministrinë e Brendshme u nënshkrua sot një marrëveshje teknike mbi bashkëpunimin policor me EULEX, Misioni i Bashkimit Evropian për Zbatimin e Ligjit në Kosovë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe shefi i EULEX-it z. Xavier Bout de Marnhac. Nishani dhe Marnhac vlerësuan nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe shprehën bindjen se marrëveshja e nënshkruar do të konkretizojë arritje të mëtejshme. “Ju siguroj se bashkëpunimi i EULEX me policinë shqiptare do të thellohet më tej dhe do të japë edhe më shumë rezultate”,-u shpreh Nishani. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin policor në fushën e kontrollit kufitar, luftës kundër trafiqeve, etj. 

Një valë e re në Kinemanë shqiptare



ADMIRINA PEÇI

Një valë e re po kalon në kinemanë shqiptare. Tendencat dhe fryma e saj po njohin kapërcime të tjera kufijsh. Mbajtja e një jave filmi shqiptar në një prej shteteve të Evropës, nuk përben më risi. Por rëndësia e një aktiviteti të tillë i kapërcen caqet e nevojës. Kinemaja shqiptare ka nevojë të shtrijë krahët drejt një spektatori të ri, drejt filmdashësve që janë të etur për tema, ide, motive e tradicione të rralla, që vijnë nga Ballkani, e për më tepër, nga Shqipëria e izoluar për një gjysmëshekulli. "Shqipëria po fillon të bëhet shumë e njohur në prodhimin e filmave të shkëlqyer dhe shumë origjinal. Një sezon i ri filmash, që po tregon më të mirën e kinemasë moderne shqiptare dhe na ofron një shans për t'u takuar me regjisorët dhe yjet e kësaj kinemaje në Watershed këtë fundjavë". Ky ishte njoftimi i para pak ditëve mbi një aktivitet kushtuar tërësisht kinemasë shqiptare në Angli. Titulluar "Ditët e filmit shqiptar", ky aktivitet u organizuan në bashkëpunim me Universitetin e Arteve te Bukura të Bristolit dhe Universitetin e "Alumni Associations". Ky eveniment u organizua nga Derek Duncan i Departamentit të Italishtes, nga Birgit Beumers i Departamentit të Rusishtes dhe Arbër Kadia, një shqiptar i diplomuar në Departamentin e Historisë së Artit. Dr. Dunkan tha se "ky është një rast i veçantë për të parë filma nga vendi më pak i vizituar në Evropë dhe të takohesh me regjisorin Gjergj Xhuvani. Kjo ngjarje reflekton edhe një gjallërim të kërkimeve në Studimet mbi ekranin në Fakultetin e Arteve të Bristolit". Ndërsa Mark Cosgrove, udhëheqësi i programit, është shprehur se "kinemaja shqiptare ka qenë prezente në Perëndim, por gjatë këtyre pesë viteve të fundit kinematografia dhe regjia e këtij vendi po bëhet gjithmonë e më e fortë dhe për këtë arsye duhet që e gjithë kjo krijimtari të shihet nga një publik më i gjerë". "Ditët e filmit shqiptar" u fokusuan te regjisori Gjergj Xhuvani, filmi i të cilit "Parullat", u komentua si filmi i parë shqiptar që mori pjesë në festivalin e Kanës dhe si fitues i shumë çmime ndërkombëtare. "Parullat" u komentua si një film komik mbi injorancën dhe budallallëkun e politikës fanatike të kohës së ideologjisë staliniste. Po në këtë vazhdë u shfaq edhe filmi tjetër i regjisorit Gjergj Xhuvani, "I dashur Armik", një film ku përballja e një grup personazhe (armiq mes tyre në luftën e dytë Botërore në Shqipëri), krijon situata të bukura komike. Ky sezon ka përfshirë gjithashtu edhe filmin e Fatmir Koçit, "Tirana, Viti Zero", një ekspoze e të vërtetës brutale mbi tërheqjen e papërmbajtshme të jetës së pasur që bëhet jashtë kufijve, film i cili u përzgjodh edhe në Festivalin e Filmit të Venecias.

Kur aktoret e medhenj shqiptare flisnin kinezce


 

Nga Oliverta Lila Jehona e filmave të vjetër shqiptarë vazhdon të dëgjohet ende në Kinën e madhe. Dikur ata ishin dhuratë e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, e megjithatë të sukseshëm në një publik të gjerë.

Jehona e filmave të vjetër shqiptarë vazhdon të dëgjohet ende në Kinën e madhe. Dikur ata ishin dhuratë e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, e megjithatë të sukseshëm në një publik të gjerë. Madje aktorët e njohur, si Ndrek Luca, Englantina Kume apo Elida Cangonji, i sheh të flasin kinezçe. Në fakt janë zërat e dubluar të tyre. Ata janë figura të adhuruara, sidomos për më të vjetrit. Ndonëse sot Kina është një vend me një hov të madh zhvillimi, e cila me vendin tonë ka më shumë lidhje tregtare dhe pothuajse aspak artistike, kinezët vazhdojnë të ruajnë nostalgjinë e filmave shqiptarë. Së fundmi, me kërkesë të tyre, disa prej këtyre filmave janë nxjerrë nga arkivat për t'u shfaqur në televizionin më të madh kinez, CCTV 1. Kësaj i paraprin edhe një emision televiziv, i cili çdo të shtunë sjell "Nostalgjinë e filmave artistikë". Regjisori Ylli Pepo, i cili ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Kina, tregon për këtë projekt. Vajtja e tij përkoi njëkohësisht me dy aktivitete. Pepo ishte i ftuar në emisionin "Nostalgjia e filmave artistikë", por njëkohësisht edhe për të realizuar një film dokumentar mbi Kinën e sotme, në vazhdim të filmit "Kina", të cilin ai e realizoi 33 vjet më parë. "Pas filmit "Kina", i pari film me ngjyra në Televizionin Shqiptar, 33 vjet më pas ne u ftuam të realizonim një film dokumentar për ndryshimet e Kinës së sotme. Gjithashtu, realizova edhe një intervistë të gjatë në Televizionin Qendror Kinez, në një emision të drejtuar nga gazetari i njohur, Jun Zhung Zhu për nostalgjinë e filmave shqiptarë. Publiku shfaqte një interes të madh ndaj tyre. Filma si "Ngadhënjim mbi vdekjen", "Rrugë të bardha", "Toka Jonë", "Oshëtimë në bregdet", ishin nga filmat më të ndjekur në ato kohë në Kinë dhe kudo që të shkoje të kujtonin këto filma shqiptarë me të cilit ishin rritur e i kishin parë disa herë", - tregon Pepo. Të ftuara ishin edhe dy aktoret shqiptare, Elida Cangonji(për rolin e saj në filmin "Rrugë të bardha" me regji të Viktor Gjikës) dhe Eglantina Kume (në rolin kryesor në "Ngadhënjim mbi vdekjen", të regjisorëve Gëzim Erebara, i sapondarë nga jeta dhe Pirro Milkanit), për të folur për rolet e tyre. Për Pepon filmi shqiptar po përjeton një tjetër ringjallje në Kinën e sotme. Ndërsa suksesin që kanë këto filma te publiku kinez, Pepo e shpjegon jo vetëm me faktin se filmat shqiptarë dhe ata nga Koreja e Jugut ishin të vetmit filma të huaj që shfaqeshin në ato vite, por edhe për cilësinë e tyre artistike, "Filmi ynë i vjetër i bërë nga Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani etj, duke hequr mënjanë kufizimet ideore, nga pikëpamja artistike ishte një film i pëlqyeshëm për të huajt si dhe në Evropë. Mjafton të përmendim që "Lulëkuqet mbi mure" apo "Përralë nga e kaluara", kanë fituar çmime në festivale prestigjioze, siç është Salerno", - thekson Pepo.
Kinemaja sot
Kina e sotme është një vend i hapur ndaj zhvillimeve. Në kinemanë e saj shfaqen filma të ndryshëm të huaj, ndërsa artistët kinezë janë bërë të njohur deri edhe në botën e madhe të Hollivudit. Por ndërsa filmat e vjetër shqiptarë u ngjallin nostalgji, duket se prodhimet e reja kinematografike nuk njihen. "Pata idenë se tashmë publiku kinez nuk e njeh kinematografinë e re shqiptare. Por them se ata shfaqin interes nëse regjisorët dërgojnë filma në festivale, siç është ai i Siçuanit. Kjo është një punë që u takon regjisorëve dhe producentëve. Madje, transmetimi nëpër televizionet e mëdha i jep një njohje më të gjerë", - tregon Pepo. Filmi i tij, "Kina" është në listën e atyre që do të shfaqen këto kohë në televizionin ÇTV 1(China Central Television).
Dokumentari
Pas 33 vjetësh, regjisori Ylli Pepo rikthehet në Kinë. Tetë provincat që ai përshkruante në filmin e parë, "Kina" nuk ishin më ato. I ftuar për të realizuar një dokumentar për Kinën e sotme, regjisori Pepo tregon se Kina e sotme ishte një surprizë për të. "Sot Kina është një nga vendet më të zhvilluara të botës. Ishte një vend në zhvillim të plotë, edhe në pikëpamje të kulturës. Njerëzit kishin njohuri për të rejat më të fundit në botën e kulturës, filmit, aktorëve më të mëdhenj të Hollivudit, këto kohë kanë nxjerrë regjisorë dhe aktorë të njohur në Hollivud", - shprehet Pepo. Të gjitha këto ndryshime do të pasqyrohen në dokumentarin që po realizohet. Dokumentari është ende në fazat e para, por regjisori tregon se "gjatë 10 ditëve që ndenjëm në Kinë, xhiruam në një qytet në jug të vendit i quajtur Shenzhen, i cili 15-20 vjet më parë nuk ekzistonte fare, kurse sot ka rreth 10 mijë banorë dhe është një nga qytetet më të njohur për turizmin. Por pjesa më e madhe e xhirimeve i është kushtuar edhe përgatitjeve të mëdha që kinezët bëjnë për të pritur Lojrat Olimpike, që do të zhvillohen në 2008-ën në Pekin. "Atje po bëhej një punë e madhe për të pritur sportistët nga e gjithë bota dhe po ndërtoheshin stadiume të reja", - tregon Pepo. End pa hyrë në studion e montimit, Pepo mendon se titulli i këtij dokumetari do të jetë "Kina, rikthimi" ose "Kina, rizgjimi dhe ëndrra", gjë që i përshtatet më së miri periudhës që po kalonte shteti i Kinës. Sipas Pepos, dokumentari do të shfaqet në Shqipëri dhe do të marrë pjesë në disa nga festivalet ndërkombëtare evropiane. 

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...