Agjencioni floripress.blogspot.com
2011/10/06
Faleminderit Kosovë!
EUGJEN MERLIKA
Ka ditë në jetën e njeriut që mbeten të ngulitura thellë në kujtesë me të gjitha imtësitë e tyre, duke filluar nga ngjyra e qiellit e duke përfunduar te veçoritë e rrugëve mbi të cilat ecet e fizionomitë e njerëzve me të cilët bisedohet. Një udhëtim i thjeshtë në saje të një episodi, të një gjesti, të një fjale, të një buzëqeshjeje, të një takimi merr formën e një ngjarjeje të rëndësishme, një nga ato që i kalojnë caqet e bëmave të përditshme, që mbeten të veçanta, të shquara, të papërsëritshme...
Një ditë e tillë për disa pjesëmarrës të familjes Merlika, ndërmjet të cilëve biri i dytë i Mustafait, Fatosi 91-vjeçar, qe 10 shtatori 2011. Ishte vizita e parë e kësaj familjeje në Prishtinë, kryeqendra e Kosovës së pavarur, një vizitë në kërkim të një rruge, të një pllake me një emër të dashur të vendosur diku në fillimin e saj. Ai emër ishte Mustafa Kruja, emri i atit, i gjyshit, i vjehrrit, i xhaxhait të secilit nga pjesëmarrësit e këtij grupi të vogël grash e burrash, që udhëtonin atë ditë nga Tirana në Prishtinë.
Nuk qe shumë e lehtë gjetja e asaj pllake me atë emër, mbasi në krye të rrugës që është karshi ndërtesës së Kuvendit të Prishtinës, ishte hapur një kantier pune e pllaka ishte zhvendosur rreth 200 metra më sipër. Por njerëzit ishin të gatshëm për të ndihmuar, për të dhënë shpjegime, drejtime, aq më shumë kur merrnin vesh përkatësinë e personave e lidhjet familjare me ish-kryeministrin e Shqipërisë e të Kosovës. Ato minuta të kaluara aty pranë asaj pllake duke bërë fotografitë, aq shumë të ndërruara në një jetë të tërë të dërrmuar në kampet e internimit dhe në burgjet e diktaturës komuniste vetëm e vetëm pse ishin familjarë të Mustafa Krujës, pa marrë pjesë asnjëherë në politikën aktive, qenë tepër prekëse. Kalimtarët ndaleshin, pyesnin, interesoheshin, shprehnin mirëkuptim. Për të gjithë ishte një emër i njohur, që të vjetërve u kujtonte vitet e para të çlirimit nga thundra serbe, vite iluzionesh të atdheut të bashkuar, të mësimit në shkollat shqipe, të nëpunësve shqiptarë në zyrat e administratës, të ardhur në trevat e tyre nga të gjitha viset e Shqipërisë për të sendërtuar ëndrrën e Shqipërisë etnike, të prekshme, të gjallë. Ai emër u kujtonte vizitën e tij në qytete të ndryshme të Kosovës në ato ditë të fundit të qershorit 1942, i shoqëruar nga ministri kosovar i Punëve Botore Iljaz Agushi dhe ministri vlonjat i Tokave të Lirueme Eqerem Vlora, një treshe personalitetesh që përfaqësonin Shqipërinë e Epërme, të Mesme e të Jugut në një qeveri “kolaboracioniste”, që kishte guximin të kthente mbrapsht kërkesat e komandës gjermane të Beogradit për dorëzimin e hebrenjve e që kishte si synim të parë të saj bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.
Në ato vizita ai u foli kosovarëve me gjuhën e tyre për betejat e hershme për me shpallë pavarësinë: “E kush kje atëherë pararoja e revolucionit shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe banë me rà në guj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i shqyptarís po dahej në Shkup...” Ai nderoi kudo kujtimin e miqve e shokëve të vjetër të luftës për Shqipërinë e pavarur, të Hasan Prishtinës e të Bajram Currit, të Isa Boletinit e Dervish Mitrovicës, të Niman Ferizit, Hysni Currit, Sali Gjukës e sa e sa bijve të Kosovës të rreshtuar pa asnjë kursim në shërbim të themelimit e të zhvillimit të shtetit shqiptar. Për të ardhja në Kosovë ishte “pikë së pari nji detyrë haxhillëku, qi e ka borxh çdo shqiptar kur mundet me e krye.”
Familjarët e tij, edhe pse me vonesë, mbas 70 vjetësh po e kryenin atë detyrë, duke ardhur mes nipave të atyre kosovarëve që në atë kohë kishin shtruar qilimat për të pritur jo vetëm kryeministrin, por dhe mikun, vëllanë, birin, deputetin e tyre. Imazhin e tij e kishin përcjellë nga brezi në brez deri në ditën fatlume, kur Kosova do të fitonte përgjithmonë lirinë e saj. Atëherë ajo do të shihte vetveten në pasqyrë, do të bënte bilancin e historisë së saj, do të ndryshonte simbolet që kishin pushtuar prej gati një shekull qenien e saj. Ajo do të kthehej në rivlerësimin e figurave historike që ruante me dashuri e urtësi në kujtesën e saj, edhe se koha mizore, vrastare e vlerave të vërteta ishte munduar t’i fshinte. Në listën e emrave që e nderonin kujtesën e saj historike ishte dhe ai i Mustafa Krujës, njeriut që “deshi mâ fort Shqipninë se popullaritetin e vet”, që luftoi nga bankat e Mylqijes në Stamboll e deri në frymën e fundit në Niagara Falls të SHBA-ve me të gjitha fuqitë e tij për idealin e kombit të bashkuar.
Nëse historishkruesit e diktaturës në Shqipëri vazhdojnë ta quajnë të pambrojtshme figurën e tij, këto emërtime të rrugëve të Prishtinës, Pejës e Gjakovës me emrin e tij janë përgjigjja më e mirë që ideali i kombit të bashkuar mund t’u japë përdhosësve të historisë së tij.
Gjithë këto mendime shtjelloheshin në trurin e vizitorëve të pazakonshëm të asaj rruge të thjeshtë të Prishtinës në atë ditë të nxehtë shtatori, që i shëmbëllente verës së tejzgjatur. Nga thellësitë e zemrave të tyre buroi një falënderim i sinqertë e i fuqishëm, një zë i brendshëm, që gëlonte nga vetëdija e familjes dhe fisit që mbante mbiemrin “Merlika”, nga shpirtrat e të vdekurve e nga ndjenjat mirënjohëse të të gjallëve, që nga biri 19-vjeçar, Besimi, i vdekur në duart e babait në të largëtin nëntor 1944 në Vjenë, deri te motra Xhire (Anxhela), që shoqëroi frymën e fundit të vëllait të saj të madh në Niagara-Falls, në po ashtu të largëtin dhjetor 1958.
Të gjithë me një zë shprehemi: FALEMINDERIT KOSOVË për ato pllaka me emrin e Mustafa Krujës në rrugët e qyteteve të tua! Ato janë dëshmi e respektit dhe vlerësimi më i lartë që kujtesa e kombit i ka bërë veprës së tij. Faleminderit! Së bashku me këtë falënderim rrjedh edhe urimi ynë po aq i sinqertë për të ardhmen e Kosovës, për zhvillimin e begatinë e saj në përputhje me ëndrrat më të bukura të bijve të saj trima e bujarë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës
Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...
No comments:
Post a Comment