Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Në sytë e tu, Kosovare, lexohet Kosova



Nga Miho Gjini



Emrin Kosovare e dëgjova atje ku buron nga gjiri i shkëmbinjve malorë një ujë i vrullshëm, i ftohtë e i kulluar. Rrjedha bëhet e qetë nëpër Rrafshin e Dukagjinit, ku marrin ujë për të pirë 53 fshatra dhe banorët vaditin pemët e fushat e tërbuara nga gjelbërimi i thellë e i ndezur. Më poshtë, në ujin e ëmbël dhe flladitës rritet trofta dhe njerëzit kanë ditur të ndërtojnë mjediset e tyre shlodhëse.

Po kjo vajzë është thuajse e magjepsur, mu këtu, tek gurgullima e burimit të pashtershëm. Ajo është si e përhumbur, tretur midis ujit, ajrit dhe gjelbërimit të harlisur të natyrës. E pushtuar tërësisht nga flladi i freskët i shkumës që krijohet nga shpërthimi i ujit mbi faqet e bardha të shkëmbit dhe nga ai katarakt përrallor që i rrëmben vështrimin, po edhe shpirtin. E gjatë, e hijshme, me sy të mëdhenj, të zinj e të njomur nga loti i gëzimit nën qerpikë, ajo, qëndronte e mbështetur pas trungut të një mimoze të egër, që sapo kishte çelur lulet. Qe harlisur edhe ajo, mimoza. Mimozat e buta gëzohen shpejt, gënjehen qysh në Janar për të çelur lule, sapo shohin një ditë me diell. Po këto të egërtat nuk gënjehen kollaj e presin pranverën, presin sa të vijë gjer këtu vajza me emrin Kosovare për t’ia shtuar natyrës magjinë e saj.

Vendi quhet Burimi i Istogut, dhe ndodhet jo shumë larg kullës së familjes Rugova në Kososvë. Dikur, gjyshi i Ibrahim Rugovës, e merrte këtë ujë nëpër tuba, e kalonte mbi majat e pemëve dhe e hidhte në një lartësi prej 30 metrash, për të prodhuar dritë e për të bluar drithë. Po vetë nipi do të shkonte shumë më tej se sa gjyshi i tij shpikës: i dha dritë gjithë Kosovës ... Që kjo vajzë, me emrin Kosovare, të gëzojë magjinë që sjell flladi i lirisë. Dhe burimi i Istogut bëhet kështu burim i një jete e i një bukurie të madhërishme, sa e tërë Bota.

Kosovare Hoti, vajza 20-të vjeçare që vështron ujin e nuk ngopet së pari është frut i një dashurie të thellë prindërore, i një drithërime thuajse hyjnore. Dhe njëherësh përjetim i dhimbshëm i një ëndërre, për ta bërë Kosovën, si kjo vajzë e brishtë, e lartë dhe e bukur i një shteti krejt të ri.

Unë shastisem me këtë simbol njerëzor që s’ka të bëjë as me letërsinë, as me artin, as me trillet e sajesat. Diçka e pazakontë irreale, e pabesueshme dhe megjithatë, ja tek është: e thjeshtë, e paprekshme, tokësore. Të përballesh me një kosavare që e ka emrin Kosovare, në zemër të maleve, ku bora ende s’ka shkrirë e tëra e kur bimësia ka shpërthyer gjithandej, kur njerëzit vijnë tek ky burim shkëmbor në një ditë të qetë e të lirë, pa ngatërrestarë e inatçinj të mërive dhe të luftrave, është njëlloj si të lindësh përsëri, sikur të rilindësh e të të shfaqet papritur e tërë bukuria e natyrës dhe e jetës përreth saj ...

Dhe në sytë e saj do të shohësh imazhin e vetë Kosëvës, që hedh shtat si “e Bukura e Dheut” ndër përrallat e gjyshërve tanë. Në sytë e saj të kthjellët, si të burimeve që vijnë nga bjeshkët (dikur të nëmura) e që kthehen nga katarakte jete ... Ato sy janë vetë burimet, që, për një çast ndalen, pushojnë të qeta, shndërrohen në mijëra pasqyra, ku unë (e ti) shohim gjithë jetën e saj në Rahovec ku lindi, e në Ratkoc ku u rrit e hodhi shtat, si ato mështeknat pak më poshtë brigjeve e fushave.

Babai i saj, një piktor pa shumë emër, që quhet Adem Hoti dhe që është, padyshim një shqiptar shumë i madh, patriot i flaktë; kosovari, që tërë fëmijëve të vet u ka vënë emra simbolikë shqiptarësh të hershëm (Korab, Albana, Alban) dhe që vajzën e fundit e quajti Kosovare, meriton të ketë një përmendore të thjeshtë atje në Ratkoc, midis Pejës nuse e Gjakovës Plakë. Ky njeri kaq i ndjeshëm, artist nga profesioni e nga shpirti, që di të pikturojë mbi pëlhurë, diti të krijojë dhe fëmijë të bukur. Si vetë Kosova. Dhe sjell në jetë një Miss Kosovë, ende të pashpallur si e tillë nëpër pasarela të bukurisë femërore. Dhe pasarelë do të bëhet burimi i Istogut, ku soditës jemi ne të gjithë, artistë të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, po edhe nga Polonia, Gjermania, Greqia, Bosnja, Sllovakia e Ukraina, në një juri ndërkombëtare të një shteti europian.

Është artiste edhe ajo. Thotë se do që të bëhet si Xhulja Roberts. Dëshira dhe modestia që ka, e bëjnë që të skuqet me këtë që thotë. Ajo buzëqesh, ngaqë e ndjen se ende është tepër larg “Zllit Hollivudian”, po ama ne e ndiejmë se Kosovarja ka diçka të veten në burimin e saj: Kthjelltësinë e syve, nga ku buron e shihet i gjithë Istogu, bashkë me Kosovën. Se ajo është vetë Kosova, me të gjitha visaret po edhe me vuajtjet, gëzimet, luftërat, ëndërrimet e shprishura dhe ngazëllimin e fitores që arriti... Dy herë ia burgosi sërbi të atin dhe e bëri syrin e saj të përlotet e zëmrën t’i pëlcasë. Qe vetëm nëntë vjeçe kur u struk me javë, gjatë luftës, nëpër shpellat e malit të Babovcit dhe kur u kthye, do ta gjente shtëpinë krejt të djegur.

“U rrita bashkë me luftën, - thotë ajo,- dhe nuk jam tut aspak. Jetova nëpër kasolla plastmasi, përbri mureve të shkrumbuara të shtëpisë, së toku me vdekjen dhe s’e kam shlue vendin, njashtu si im atë, si shqiptare që jam. Kur duhej me qa e kam forcue zemrën e nuk kam qa..., si fëmijë që isha, nuk kam lodrue si tan fëmijët e botës, po mbushnim koçekët e misrit me barut me ia hudh shkjaut...!”

Kosovarja me emrin Kosovare më thotë mos me u çudit tepër që ka pikërisht këtë emër, sepse atë e mbajnë edhe shumë cuca të tjera të Kosovës. Po unë jam i bindur se kjo vajzë që pashë në Burimin e Istogut, do të jetë më e mira, më e bukura ndër të gjitha kosovaret e tjera ... Se asaj ia dhamë njëherësh që të gjithë ne, çmimin e parë, në këtë pasarelë ujore, ku pas pak, për habinë tonë u shfaq edhe Ylberi. Tani ajo është e kurorëzuar po nga ky “Ylber” i papritur, duke e njësuar me natyrën gjithë. Dhe ne na duket sikur këtu ka zbritur vetë Miss Bota!

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...