Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Nga poezia greke: Nobelisti Odhysses Elitis



Në vitin 1939, studenti i fakultetit Juridik të Universitetit të Athinës, Odhysseas Alepudhelis (i lindur në Iraklio të Kretës, më 2 nëntor 1911), vendosi përfundimisht të braktiste studimet dhe t’i përkushtohej letërsisë, më saktë poezisë. 40 vjet më vonë, vendimi i tij do të përligjej në mënyrën më të mirë, teksa Akademia Suedeze i akordoi meritën më të madhe, Çmimin Nobel. Ky ishte suksesi i dytë i poezisë greke, pas Nobelit që kishte fituar Jorgos Seferis, më 1963.

1939-a ishte një vit përcaktues, pasi shënon afirmimin e poetit, me emrin Odhysses Elitis. Atë vit u botua përmbledhja e parë e tij, “Orientime”, që e renditi menjëherë ndër poetët e vijës së parë.

I përket një brezi që jo vetëm ndryshoi rrënjësisht vokacionin e poezisë greke, por edhe i dha dimensione ndërkombëtare asaj (Seferis dhe Elitis i përkasin atij brezi). Ishte brezi që predikonte se Greqia duhej të pushtonte së qeni pjesë e Ballkanit dhe të integrohej në Europë, ndërsa poezia greke duhej të kërkonte rrugë të reja.

Këtë rrugë, siç shënon kritika, Elitis e gjeti në territorin grek, në traditën antike dhe bizantine. Me zbulimin e surrealizmit, ai gjeti metodën e vet të shprehjes që përngjasonte me mënyrën se si e konceptonte dritën një tjetër shkrimtar i madh i Masdheut, Alber Kamy.

Deri në gjallje (ai vdiq në Athinë, më 18 mars 1996), botoi 19 vëllime poetike, që përbënin ngjarje të mëdha, ende pa marrë çmimin Nobel.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, viti 2011 është shpallur si Viti i Elitis-it.





Nautilius i vogël

Çka munda të marr një jetë të tërë prej veprash të pashme nga të gjithë, rrjedhimisht

Të fitoj vetë tejdukshmërinë, ia detyroj një farë kuraje të posaçme që ma

Dha Poezia: të bëhem erë për balonën e balonë për erën,

Madje edhe kur qielli nuk ekziston.

Nuk bëj lojë fjalësh. Flas për at’ lëvizjen që ndokush e zbulon

Brenda “Çastit”, kur arrin ta hapë e t’i japë vazhdimësi. Atëbotë

Kur dhe trishtimi bëhet Gëzim dhe Gëzimi Engjëll; Lumturia Murgeshë dhe Murgesha Lumturi

Me plepa, krahë të gjatë mbi zbrazëti, një zbrazëti e mbushur me pikla zogjsh, fllade borziloku e fëshfërima të mbytura parajse.





Moshë e kujtimit të mjegullt

Ullishte dhe vreshta gjer tej në det

Kaike të kuqe gjer tej në kujtesë

Membranë e artë e gushtit në gjumin pasdrekor

Me alga apo molusqe. Dhe ai skaf

I saponxjerrë, i gjelbër, që e lexon ende

Në paqen e ujrave të gjirit, ka zoti.

Vitet kaluan mbi fletë dhe guacka

Kujtoj djemtë marinarë që shkonin,

I ngjyenin velat si zemrën e tyre

Dhe kishin tatuazhe stuhish në gjokse.

Ç’kërkoja kur mbërrite e ngjyer

nga p’rendimi i diellit;

Me moshën e detit në sy

Dhe me hiret e diellit në trup – ç’kërkoja

Thellë shpellave të detit me ëndrrat pa kufi

Ku shkumonte era ndjenjat e veta?

I panjohur e i zbardhur – emblemën pellazgjike

Skalitur në gjoks.

Me rërën nëpër duar i mbyllja gishtrinjtë,

Me rërën në sy i shtrëngoja gishtat,

Ishte ankthi.

Mbaj mend ishte prill kur ndjeva së pari

Peshën tënde njerëzore

Trupin njerëzor argjil dhe mëkat

Si ditën tonë të parë mbi tokë.

Festonin zambakët – Por mbaj mend

të dhembi

Ishte një kafshim i thellë në buzët

Një gëvishtje e thellë në lëkurë kah

Vendi ku skalitet përjetësisht koha.

Të lashë atëbotë

Dhe një frymë gjëmuese i ngriti

peshë shtëpitë

Ndjenjat e bardha të porsalara mbi

Qiellin që ndriçonte me një buzëqeshje.

Tash do të kem afër një shtambë me

ujë pavdekësie

Dhe ato duart e tua ku do të vuajë dashuria

Dhe atë guackën tënde ku do të

jehojë Egjeu.





Monogramë

(fragment)

Të dua, dëgjon?

Qaj, si ndryshe, përderisa njerëzit duhen

Qaj për vitet që vijnë pa ne

Dhe këndoj për ato që shkuan, nëse është e vërtetë.

Për “besomë”-t dhe “Mos”-ët.

Herë në erë, herë në muzikë

Nëse këto janë të vërteta këndoj

Qaj për trupin që preka dhe pashë botën.

Kështu flas për ty dhe për mua.

Sepse të dua dhe në dashuri

Di të hyj si hënë e plotë

Nga gjithkah, për ty

Brenda shtrojave thumboj lule dhe e kam forcën

Të fryj e të përgjumur të t’shpie gjithandej.

Të kanë dëgjuar valët si përkdhel,

Si puth, si thua “çfarë” dhe “si”.

Gjithmonë ne drita dhe hija.

Gjithmonë ti ylli dhe unë errësira,

Gjithmonë ti statuja e gurtë dhe unë hija që rritet

Dritarja e mbyllur ti, era që e hap unë.

Sepse të dua e të dua.

..............................

Është ende herët në këtë botë, e dashura ime,

Të flas për ty e për mua.

Është ende herët në këtë botë, dëgjon?

Jam unë, dëgjon? Të dua, dëgjon?

Ku po më lë, ku po shkon, më dëgjon?





Trup në verë

O, trup në verë, lakuriq i djegur

I ngrënë prej vajit e prej kripës

Trupi i shkëmbit dhe ethe e zemrës

Valëvitje e krifës së xunkthit

Re borziloku mbi kaçurrelat e pubisit

Mbushur yllza dhe gjëlpëra pishe

O trup i thellë notues i ditës.



Përktheu: Robert Goro

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...