Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/08

Përtej lotit të ngrirë



Ndue Marku u lind në fshatin Spiten të Lezhës, më 2 nëntor 1961, ndërsa prej vitit 1997 ndodhet si emigrant në Greqi. Lexuesi dhe kritika kanë mirëpritur ciklet me poezi që ka botuar kohë pas kohe në gazetat “Drita”, “Tribuna”, Gazeta e Athinës”, “Albapress”, si dhe vëllimet poetike “Një grua bredh në ëndrrën time” (2004) dhe “Poezi mërgimi” (2010).



TRUPIN TY KAM PËR

TË TA DHURUAR

Ôi heshtesh brenda dritares tënde

Në ekstazën drithëruese zhveshur.

Edhe hënës drapëruese i vjen pikëllimi,

Kur ty të shikon përtej tylit

Të leckosur ashtu...



Përtej bërrylave të tua

Mjegull ëndërruese më shfaqet.

Pluhuri epidemik

Frymën sikur të ze në fyt.

Ndër kontinente

Qënien tënde kërkoj

Askundit...!



Jam zog i vuajtjes mistike,

Jam Kolomb i dhimbjes mërguese,

Jam kandil i shuar, që digjem

I heshtur e i tymosur.



Ndoshta do të mbetesh gjithnjë ti

Një ëndërr e paarritshme për mua,

Ndoshta do të mbetem

Poeti yt i mjerë ngahera,

Ose, të paktën, mosputhja

e mallit lëngues.



Trupin ty kam për ta dhuruar,

Dhe jo, kurrsesi, dhimbjen e dhëmballës,

Kur vdekja terroriste mbi mua

Si kometë e pathyeshme do përplaset.



Vetëm ti do mbetesh në mua

Dëshmitare e dishepullit poet,

Vetëm ti do përhapësh

Fjalën paqe nëpër botë...

Le të mbetet ashtu gota ime...



E heshtur, duke më pritur mua,

Atëhere kur unë s’ do të kthehem kurrë

Pranë tryezës së natës polare.

Trupin ty kam për ta dhuruar, moj,

Pikturuar mbi paketën e cigareve,

Dhe askujt tjetër.



KRIJESA QË MBAN NË TRUPIN TËND

O bukuri e largët, që tretesh

Bregdeteve manipuluese,

Sa tepër brisqet e mia të pambaruar

Të trishtojnë,

Dhe këpucët e grisura në majë

Kaherë mbuluar nga pluhuri i harresës!

Të flasësh me vetveten e paputhur

Të bën trishtimi...!



Å heshtur në përlotje

Ende mbete pas portës,

Për mua a për veten e eksituar

Duke menduar...



Dje, ditën e mërkurë, zëdridhur më the:

“Thellë rënë kam

Me nigerianin komshi, në dashuri.

Nuk e di, mbetur shtatzënë kam.

Si thua ti?”.



E bukura ime e largët,

Intrigat, as mëkatet në këtë botë

s’ i shpike ti.

Pabesia ekziston që në kohën e majmunit.

Le të bredhin ndjenjat në damarët e gjithkujt.

Receta le të mos ketë për vullkanin

e dashurisë...!



Íë qoftë se krijesa jote do të gjallojë në vibrim

Brenda mitrës sate përvëluese,

bija a biri yt,

Qoftë për ne dhurata shpërblyese,

Qoftë për ne kusuri i dashurisë sonë të çmendur...!

Krijesa, që mban në trupin tënd,

Qoftë për ne mbreti a mbretëresha

e pajtimit,

Qoftë për ne kollitja e fundit e tradhtisë,

Qoftë për ne pajtuesi i mbarë njerëzimit…!



Krijesa, që mban në trupin tënd…



NË KËTË ANARKI TË PAFUND

Mendoj për ty dhe përtyp çamçakiz

Dhe hënën e sapolindur vështroj.

Dhe iki humbur duke kërkuar

Rrugicave fytyrën tënde

Në pamjen e ndonjë putane diku tretur.



Ti je shpresa ime e vdekur...!



Orë e vonë më pështyn në fytyrë,

Ndërsa bota në gjumë të rëndë ka rënë.

Në këtë çast njerëz të vetmuar

Rrëzuar prej të sertës moderne shoh

Dhe karrocat që rrokovinë

Duke shitur bozë...



Ti je shpresa ime e vdekur...!



Janë të mbyllura në këtë orë

pasmesnate

Dyert e bordellove epshore.

Çamçakiz përtyp dhe vetveten lehtas puth,

Me njerën dorë barkun shtrëngoj,

Vdekjen e zezë me tjetrën kafshoj.

Oh, sa dua të mbetem i pavdekshëm në ty!



Ti je shpresa ime e vdekur...!



Rruga, në të cilën varavingosem,

fund nuk ka,

Nuk mund ta masin kilometrat

e etalonit tim.

Kjo rrugicë të nxjerr në kryqëzimin

e Askundit!

Sypërgjakur pres

Derisa ditë e re të masturbojë…!



Ti je shpresa ime e vdekur...!



Në këtë anarki pa fund

Vetëm gështenjëpjekësit nuk flenë

Dhe çakejtë që kafshojnë njeri - tjetrin

E poetët e çmendur që lypin metaforë

Dhe figuracione ndër fytyrat njerëzore...!



Ti je shpresa ime e vdekur

Në këtë anarki të pafund.



O JEVGA IME SYPËRLOTUR

Imazhi yt më tundon,

Hija jote më frikëson.

Edhe se ndodhem

Me shtëpi e shtetësi të humbur,

Edhe se mbetur kam pa rruar përgjithmonë,

Më pëlqen të mbetem ngaherë

Skllavi yt,

Skllavi yt që çapitem këmbëzbathur

Rrugicave mbrëmësore pa cak.



O jevga ime sypërlotur...!

Natë e ditë vdes

Me emrin tënd në gojë,

Me dorën rrëzuar përmbi gjoksin tënd.



Të falem ty, Sofi...

Që dridhesh e dridhesh në prehrin e natës,

Braktisur e humbur në këtë stacion

Pasmesnate.



Lypjen marr shtrënguar në krah

Dhe pikëla shiu më bien përdhe.

Buzët në ëndërr shpeshherë kafshoj.

Kur ti më shfaqesh shtatzënë,

Rrëzuar mbi stol,

Bota krejt më duket sikur në ekstazë rrënkon

Prej përdhosjes së eksitimit të saj.



O jevga ime sypërlotur..., mos qaj...!

Ìïs qaj…Fort dua të të puth

Lehtas në përkëdhelje

Këmbët e tua të përbaltura.

Përmbi trupin e mërdhirë,

Flokët e tua të buta

Duan të më përkëdhelin mua.



Mos qaj,

O jevga ime sypërlotur,

Mos qaj…!

Por të vajtojmë për njerëzimin,

Këlthasim për botën e robotizuar.



NGANJËHERË DUA TË JEM CUNAM

Nganjëherë dua të jem rrufe,

Trupin tënd të djeg në përcëllim.

Nganjëherë dua të jem shuplakë,

T’ i bie faqes së malit që djeg...



Nganjëherë dua të jem cunam,

Të të rrëmbej e të ngre lart në qiell ty.

Nganjëherë dua të jem puhizë vibruese,

Trupin tënd të gjatë ëmbëlsisht

ta mbështjell.

Nganjëherë do të doja të isha fitil ndriçues,

Dritë të të bëja në errësirën pa fund.



Nganjëherë do të doja të isha Trëndafil

Në duart e tua të bukura unazë - munguar,

Të deheshe në aromën time ekzaltuese...



Nganjëherë do të doja të isha

Taka e këpucës tënde,

E gjithë bukuria jote të peshonte

mbi mua.



PËRTEJ LOTIT TË NGRIRË

Asnjë fjalë, e dashur, s’ po më vjen

ndër mend,

Asnjë kujtim sonte s’ po më shpaloset,

Asnjë dridhje buze s’ po buzon,

Veç vajtimi i lotit don të qajë vetminë.



Për ty, e largëta ime, për ty.

Përpara ikjes asnjë fjalë s’ më the,

Asnjë puthje të gjatë s ma dhurove,

As afshin e gojës s’ ma fale çastin

e fundit.



Edhe qielli i syve të tu sikur u mbulua me djersë,

Sikur plasi vullkan përmbi gjoksin tënd,

Ikje e largët më la pa prekjen verbuese,

Pa dridhjen vibruese të duarve

përmalluese.



Shembe botën e përdhunuar, më thoshje ti,

Botën do ta copëtoja, do ta përvëloja

në vullkan,

Sikur unë dhe ti në tjetër planet do jetonim



Pa pikëllimin e largimit,

Pa stresin e moskthimit.



Përtej lotit të ngrirë...



DËSHIRË

Do të doja të bëhesha Oqean,

Në mua të dridheshe emocionuese,

A të lotoje buzë meje,

Duke zhgarravitur emrin e dikujt,

Që tashmë të ka tradhtuar.



Do të doja të bëhesha Det,

Ti të bëheshe pulëbardhë mbi mua,

Të të përkëdhelja lehtas - lehtas me valë,

Të të puthja ndër natë

Pa i matur thellësitë.



Do të doja të bëhesha Liqen i kaltër

valëzues,

Që ti të harliseshe në mua e harlisur.

Do të doja që ti të mbyteshe lakuriq

Thellë trupit tim,

Ta ndjeje mallin që kam për ty.



Do të doja që ti të bëheshe një varkë

E lodhur në mua,

Një nga një t’i grisja në muzg velat e tua,

Të flinim të dehur në puhizë buzë për buzë.

Ti të ishe perëndeshë e përlotur në mua,

Unë vetëm një pikë djersë në ty...



TRETUR MBETEM EDHE KËTË PRANVERË

Nata e mbarsur me re rrëzohet

përmbi çatinë time.

Përtej dritareve të rrethuara me hekura,

Që më burgosin brenda këmbë e krye.



Tuta më shkoi që kur ti

Më dole përpara ditën e mallkimit tonë.



S’ më hyn Dielli as Hëna në punë,

Kur ti pranë meje nuk ndodhesh më.

Larg,

E përlotur nga përmallimi, më kundron

Me të tutë sy të zinj, si rrush i pjekur mirë.

Mos më harro...,

O kaçurrele që vuan në skëterrën vetmi,



E vogël ndarja do të ishte,

Sikur shtatë male do këpusnin pamjen tonë...



Tretur mbetem edhe këtë pranverë,

Leckosur e humbur meridianeve mërguese,

Vetëm e vetëm për t’ u dashur më shumë.

Pasuria le të mbetet për ne

Iluzioni i shumëzuar me vetveten.



PËRPARA DEHJES

Botën më pëlqen lakuriq ta shikoj,

Pa këmishë nate, pa sytjena,

Eksitues mbytur në ekstazë,

Si një grua ekstravagante,

Që nga njeriu dashuri kërkon.



Më pëlqen

I verbuar në dehje të mbytem

Në shpirtin e thellë

Të një gruaje të bukur.



Edhe sikur planetin

Ta mbaja mbi shuplakë,

Shtrënguar do të mbaja fort,

Në dorën tjetër,

Një grua të panjohur.



Përpara dehjes më pëlqen

Shtratin e rrëzimit ta bëj gati.

E dehura ime këmbë s’ ka,

E dehura ime e heshtur

Kullon pendim të gjatë...



Botën më pëlqen thellë e më thellë ta shikoj,

Ndonëse aspak s’ i përkas kësaj bote arrogante.

Puhizë dua të jem përmbi gjinjtë përvëlues

Të gruas kalimtare, ose një komçë në bluzën e saj.



TI ENDE FLE

E shthurur krejt, ti ende fle

Përmbi prehrin e ftohtë të natës

Me çarçafë dritëhëne mbuluar.



Zhubrosur këmishë e hollë nëpër kofshë,

buzëqesh lehtas e dridhesh në vibrim.

Ndoshta Eladhën në ëndërr shikon,

A ndonjë çast i bukur të vjen ndërmend.



Ndërsa ti e bukura ime fle,

Si dele të zeza retë livadhisin qiellin.

Asnjeri i gjallë s’ka mbetur në rrugë,

Veçse drurë të zhveshur që tundohen në erë,

Abazhuri e hija ime përmbys rrëzuar pranë teje.



Ndërsa ti e bukura ime fle,

Tinëzisht pranë teje sytë më lotojnë,

Të prek butësisht trupin me gishta

Mbuluar i gjithi djersë.



Ka vajtur tepër vonë.

Nata sonte po zgjat pambarimisht.

Të janë lagur flokët

Derdhur dendur përmbi jastëk,

Ofshan duke medituar tjetër univers.



Të janë enjtur këmbët, buzët krejt tharë;

Krahët, o sa fort holluar të janë,

Tendosur të janë damarët mbi ballë

Thellë frymohesh e diçka flet përçart.



Imazhi im pranë teje heshtet

Ndërsa kriza ndërplanetare më ka tretur larg,

Çapitem kokulur trembur duke kërkuar:

Endacakërinë rrugicave humbur

shkretëtirave.



Ka vajtur tepër vonë.

Nata sonte po zgjat pambarimisht.

Lëviz lehtas duart mua duke më kërkuar

Kofshëzbuluar, temperaturëndezur.

Me të dyja duart fotografinë mban shtrënguar

E disa pikëla loti mbi të lehtas rrëshqasin.



Ti ende fle

E bukura ime që s’je askund.

Ka vajtur tepër vonë

Dhe ende s’po zgjohesh...

No comments:

Post a Comment

Vdiç akademik prof.Fatos Mehdi Daci ,historiani dhe "mjeshtri i madh" i Dibrës

Me dhimbje të thellë njoftohet ndarja nga jeta e Fatos Mehdi Dacit , gazetari, historiani dhe Mjeshtri i Madh, një prej figurave më të shq...