Botimi është një nismë e bukur letraro-artistike që ka autorësinë e një grupi autorësh të Lidhjes së Krijuesve “Dega e blertë” me qendër në Selanik, Greqi.
Autorët dhe krijimet e tyre janë përzgjedhur nga një komision, i përbërë nga krijues të afirmuar në fushën e letrave shqiptare dhe me vlera reale në krijimtarinë e tyre në prozë dhe poezi. Komisioni mban “firmat” e Bujar Muçajt që aktualisht është kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë “Dega e blertë”, Selanik, Ziko Kapurani, Dashnor Selimi, Ardita Jatru, Brunilda Boçova, krijues dhe anëtarë të kësaj Lidhje.
Ky botim poetiko-letrar afirmon një pjesë të zgjedhur të krijimtarisë të 22 autorëve: Ardita Jatru, Ariola Kondakçiu, Agim Muçaj, Aleks Janaqi, Anesti Qirinxhi, Bedri Hoxha, Brunilda S. Boçova, Bujar Muça, Bledi Llangozi, Dashnor Selimi, Emine Dunga, Ferit Ramadani, Thanas E. Llangozi, Ilirian Sadikaj, Mereme Dunga, Sofia Doko (Arapaj), Shpresa Dunga, Mina Papajorgji, Riza Pajollari, Llambi Gjikuli, Thodhori Miho, Ziko Ll. Kapurani.
Vlen të theksohet se, jo vetë krijimet e zgjedhura, të cilat me tematikat e tyre të larmishme, por edhe me artin e të shkruarit sjellin vërtet vlera reale artistike, që lexuesi do t’i shijojë gjatë leximit, por edhe titulli i këtij botimi është një gjetje artistike e goditur, që mbart dhe flet shumë në vetve.
Vëllimi përmbledh 173 poezi dhe prozë. Tek ato dallon një botë të pasur ndjenjash dhe mendimesh për jetën në përgjithësi, por edhe të veçantat e saj në emigracion. Do të gjesh vëzhgime dhe trajtime të kujdesshme të dukurive negative, do të gjesh dhe një humor të lehtë e të hollë për ngjarje të së kaluarës jo të largët.
Në këtë botim nuk mungojnë edhe krijime serioze me tematikë historike dokumentare dhe aktuale, por të ngritura në art. Me art dhe me ndjenjën e thellë të dhimbjes do të gjesh poezi-elegji.
Kjo flet për atë që bashkëatdhetarët tanë krahas përballimit të vështirësive të jetës në emigracion, gjejnë kohë t’i përkushtohen edhe krijimtarisë, edhe aktiviteteve të tjera kulturoro-artistike. Por ata shkojnë edhe më tej. Mendojnë edhe për lexuesin për t’i sjellë atij vlera të vërteta estetike në formë dhe përmbajtje në vëllime dhe botime të tilla nga Enti Botues “D.I.J.A-Poradeci”.
No comments:
Post a Comment