Konstandinos Kavafis lindi në Aleksandria (Egjipt)në Prill të 1863 dhe “iku” në Prill 1932, po në Aleksandria. Ish më i vogli i nëntë fëmijëve të një familje me prejardhje aristokrate, por tani të rrënuar. Ai mbetet njëri nga poetët më të mëdhenj jo vetëm të letërsisë së re greke, por edhe të poezisë tradicionale europiane.
NJE I MOSHUAR
Në një cak të kafenesë, i mënjanuar,
Përkulur mbi tavolinë rri një i moshuar,
Me një gazetë para syve, pa shoqëri.
Mes mjerimit të përçmuar që ze pleqtë
Shkon nëpër mënd se sa pak gëzoi jetën
Kur kish dhe forcë dhe fjalë dhe bukuri.
E di që u mplak, e ndjen, e prek, e sheh,
Dhe sakaq ato vite si të ishin dje i ze.
Ç’ hapësirë e vogël, ç’ hapësirë e vogël
Dhe i nënqesh besimi si e tallte në vite
Dhe si i besonte gjithnjë asaj lajthitje,
Gënjeshtares që i thosh:” Nesër, ke kohë!”
Kujton vrullet ku mbështetej , gazi i tyre,
Të paditurën e njohjes në ato vrulle
Dhe çdo çast i humbur me ironi e nget.
Nga të menduarit e shumtë dhe kujtimet,
Plaku u përhumb dhe u palos në dremitje
Mbi tavolinën e fundit të kafenësë në cep.
KOSTIS PALLAMAS
Poeti kolos grek Kostis Pallamas lindi në Patra më 1859, ish pasardhësi i një familje të madhe historike dhe u përcoll në prehjen e varrezave në shkurt të vitit 1943, nën sundimin e errët italo-gjerman. Përcjellja e tij ish më shumë se madhështore. Ajo bëri të dridhen edhe mitet e Olimpit nga fjala prekëse dhe zëri drithërues i poetit Angjellos Siqelianos, bashkuar ky zë me tingullin e këmbanave. Fjala e poetit nuk humbi as në horizontin më të largët dhe as në pafundësinë qiellore: “Jehoni burie! Këmbana gjëmoni! Trondisni botën!” Anë e mbanë Greqisë gjëmuan himnet e penës palamase “Himni i Greqisë” dhe “Himni i lirisë” duke siguruar poetin se ringjallja e re e atdheut të tij të dashur, po afrohej.
Pasardhësit e tij nënshkruan se hiqnin dorë nga trashëgimia letrare e poetit Atëhere vetë shteti grek,vitin 1959, njëqind vjetorin e lindjes së tij, e quajti viti Pallama dhe iu botua vepra e plotë, një pasuri kolosale kulturore, e cila i ngriti Greqisë një Olimp shpirtëror.
NJE UDHETIM
Më shtërngon derti si lak në grykë
Dhe në zemër më kafshon si gjarpër
Një udhë dua të çuditshme, të largët,
Një udhëtim pa fund, të mugët.
Nuk dua hapin dalengadalë të ngas,
Nuk dua asgjëkundi të ndal dhe kurrë
Shpirt të mos gjej e botë për rrëmujë
Botë të verbër, të shurdhët më pas.
Të ndjej rreth meje sheshe të vetmuar,
Shtëpi të mbyllura, oxhaqe mbuluar hi
Lart mos ndritë as dhe një yll, as kaltësi
Dhe poshtë mos ndritë asnjë grua.
E, në u gjença në një të tillë udhëtim
Shkretëtirës pafund në vend të panjohur,
Nuk do kem më tepër tmerr e të lodhur,
Se sa prej teje të humbas, Dashuri !
LORENXOS MAVILIS
Lindi në Itakë më 1860. Ai nuk njihet vetëm si poet i sonetave brilante, por dhe si përkthyes në greqisht të eposit indian, i “Eneidës” së Virgjilit, i Gëtes, i Shilerit, i Bajronit e tj. Jeta e tij ish në lëvizje të përherëshme nëpër vise të ndryshme të Greqisë si në Korfuz, Kretë, Maqedhoni dhe së fundi si oficer i forcave vullnetare garibaldine në Ipiro për çlirimin e kësaj treve prej sundimit turk. Po këtu bie heroikisht nga një predhë armike më 1912. Për aktin e poetit luftëtar K. Pallamas shkruan: “Kur e pashë për herë të fundit, i kujtova shënjën e ndritur që i dha ngjyrën e kuqe predhës së hasmit.”
UJI
Zbret uji curilë
prej shkëmbit sipër,
lëshon tingullin e kristalit
dhe tek ngadalë rrjedh
loti del
si radhët mbi pllakën e varrit.
ULLIRI
(sonet)
Trungut tënd folezë i ndërtoi bleta
Ulli i vjetër, që mpakesh në dremitje,
Të përkul akoma poshtë pak jeshile
Si të dojë të të përcjellë nga jeta.
Dhe çdo zog në dehje krejt harlisur
Të ulet duke pirë magji gjirit tënd
Në degën që tani nuk ka më krënd,
Në degën nga stinët krejt braktisur.
Sa fort do të të ëmbëlsojnë në vdekje
Bukuritë e fundit që syve të treten
Që të shpien e të sjellin në ato kohra.
Ato nure që të shtohen ty përbrenda
Eh, sikur të mundnin kështu u kish ënda
Dhe të tjerëve të shpirtit tënd simotra.
IOANIS POLEMIS
Poet i zërit të ulët, që preferoi melodinë e grillit, të bilbilit e të nostalgjisë. Nuk e mundoi shpirtin me mendime të zymta, por gjeti dhe nxori ngjyrat e bukura dhe nga çastet më të errta. U lind në Athinë më 1862 dhe po në Athinë vdiq më 1924. Nuk ish i lindur për sakrifica, por për një jetë romantike, të cilën e shprehu në poezinë e tij të ëmbël.
KATERVARGJESHE
Nuk e dua të jetë nur që magjeps
Ajo që fati të më japë po rend,
Më pëlqen bukuria e saj kur flet,
Dhe bukuria e saj që më tremb.
MUZIKA
Nga goja e shënjtorëve ajo vjedhur,
Në tokë qiellin sjell për ta kujtuar,
Ngjet për një çast det shkumbëhedhur,
Për një çast dallgë përmi rërë shuar.
Dallgë atje guximshëm hapen, përzihen,
Rrathë dhe gjëmba, plot zogj dhe egërsi,
Dhe me zemër udhëtoj unë n’ ato dridhje
Dhe nga veriu prapë hapem mbi veri.
Aq vende të reja ndesh në sytë e saj
Nëpër ëndra të vjetra të shpie përsëri,
Dashuri të shpërndara mbledh ndërkaq,,
Gaz e trishte, dhimbje e puthje gjithsesi.
Nga goja e shënjtorëve ajo rrëmbehet
Bukuri të reja bukurisë t’i shtojë,
Prandaj në gojë duhet të të mbetet,
Prandaj në gojë duhet të të rrojë.
No comments:
Post a Comment